Elvira Dushku është një ndër gratë e pakta të mirënjohura në sportet e Kosovës apo të rajonit. Si sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) — një nga tri gratë e vetme sekretare të përgjithshme të federatave sportive në vend — ajo është thelbësore për menaxhimin e federatës dhe ka përsipër mbarëvajtjen e sportit ditë pas dite.
Dushku filloi vetë si lojtare për KB Prishtina në mes të viteve të 90-ta, para se të angazhohej vullnetarisht si kordinatore. Ajo gjithashtu ka punuar si gazetare e sportit për gazetën Kosova Sot, por gjithmonë duke mbajtur njërën këmbë në basketboll.
Në 2015, ajo filloi të punojë në FBK për marrëdhëniet me publikun, para se të caktohej sekretare e përgjithshme në 2017, fillimisht në baza të përkohshme e më vonë në të përhershme. Si sekretare e përgjithshme, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) i dha asaj mundësinë të merrte pjesë në trajnime për administrimin e sportit në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Në Kosovë basketbolli vjen i dyti në radhë pas futbollit, si për nga fama ashtu dhe për nga fuqia financiare. Kosova ka mbi 2,000 klube të basketbollit dhe ka liga të grave e të burrave që nga koha e Jugosllavisë. Përkundër kësaj, basketbolli i grave ende përballet me mungesë të mbështetjes, si nga tifozët ashtu edhe nga sponsorët, e lojtaret gra vazhdojnë të mos paguhen njëjtë me burrat.
Sigurisht, probleme të tilla ekzistojnë në nivel botëror, jo vetëm në Kosovë. Në ShBA, lojtaret e WNBA — që konsiderohet një ndër ligat më të mira të basketbollit të grave në botë — fitojnë aq sa pagat e përbashkëta të të gjitha grave në ligë mund të paguhen me një pagë të vetme vjetore të Steph Curry-t, yllit të Golden State Warriors, madje do të mbetej edhe kusur.
Siç e përmend vetë Dushku, këto kushte nuk i inkurajojnë gratë të luajnë.
Zhvillime të mëdha pritet të vijnë në basketbollin e Kosovës, me lojtarë të nivelit të lartë që pritet t’i bashkojnë forcat me ligën shqiptare për herë të parë për sezonën e ardhshme 2020-21. Dushku thotë që ideja e ligës së përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë nuk është e re dhe është propozuar së pari në vitin 1999. Por kjo ide ngrit pyetje rreth mundësive që do të sjellë dhe si do ta ndikojë zhvillimin e ambicieve të basketbollit për të dyja vendet, Kosovën dhe Shqipërinë.
Si çdo sport tjetër, edhe basketbolli është i detyruar të përballet me vështirësitë që ka sjellë pandemia COVID-19.
Pasi sezona 2019-20 është ndërprerë para kohe në pranverë, ekipet e kanë pasur të pamundur të trajnohen bashkë deri kur rregullat e reja në fund të shtatorit lejuan ushtrimet në hapësira të mbyllura dhe të hapura për deri 50 persona. Me rikthimin e sportit bashkë me Super Ligën në mes të tetorit, Dushkut dhe Federatës u është dashur të konsiderojnë se si t’i mbrojnë shikuesit dhe lojtarët në vazhdimësi.
Elvira Dushku është e përfshirë në basketboll prej kur ka filluar si lojtare në mes të viteve ’90. Foto nga Federata Kosovare e Basketbollit.
K2.0 ka biseduar me Dushkun rreth rikthimit të sportit nga COVID-19, sfidat me të cilat përballen gratë në sport e në menaxhim të sportit, dhe si të inkurajohen gratë dhe minoritetet për të hyrë në basketboll.
K2.0: Sa e lehtë apo e vështirë është për gratë të cilat duan të luajnë sporte në Kosovë, në krahasim me burrat? Dhe si i keni tejkaluar pengesat e të bërit sport si grua?
Elvira Dushku: Nuk është e lehtë për shkak që pagat janë të ulëta për të njëjtit lojtarë të basketbollit; dua të them, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën. Për burrat, ato janë në nivel të lartë dhe për gratë janë në nivel të ulët. Por në të njëjtën kohë, mund të them që është privilegj të jem sportiste, të jem lojtare e basketbollit, të jem pjesë e një sporti.
Nuk mund të them që [të luaj basketboll] ka qenë e lehtë por as nuk mund të them që ka qenë e vështirë pasi e dua basketbollin, më pëlqen shumë të jem pjesë e këtij sporti dhe e shijoj gjatë gjithë kohës. Dhe kurrë nuk kam thënë: Përse është kështu për burrat? Përse është kështu për mua? Nuk mendoj që i kam krahasuar gjërat ndonjëherë në atë mënyrë.
Por mund të them që në basketboll për gratë dhe sportin e grave në Kosovë është kohë e vështirë pasi nuk marrin mbështetje. Prandaj kemi nevojë për më shumë mbështetje për sporte; nga qeveritë lokale dhe ajo qendrore, por edhe nga donatorët e sponsorët.
Sa e lehtë është të gjesh sponsorë për basketbollin e grave?
Është e vështirë. Është e vështirë për klubet e grave në basketboll. Është e lehtë për sponsorët të japin të holla për klubet e burrave pasi ka publicitet dhe tifozë, ama basketbolli i grave? Pjesëmarrja e tifozëve nuk është e lartë. Dhe për ato [të holla] sponsori kërkon publicitet.
Por mendoj që gjatë dy viteve të fundit gjërat kanë filluar të ndryshojnë. Mund ta shohësh këtë kur luajnë dy ekipet më të forta në ligën e grave — vijnë nga Prizreni dhe Prishtina, dhe kur luajnë në Sallën e Sportit në Prizren, salla është e mbushur. Kur luajtën vitin e kaluar, 1,500 spektatorë e ndoqën finalen [e kampionatit].
Si federatë ne jemi duke i shtyrë sponsorët të mendojnë në këtë drejtim dhe mendoj që jemi duke e bërë një punë shumë, shumë të mirë.
Por kurrë nuk ka sa duhet qeveri lokale të cilat shtyjnë përpara mbështetjen ndaj klubeve të basketbollit të grave. Prandaj ne do të vazhdojmë t’i shtyjmë qeveritë lokale dhe sponsorët qeveritarë të mbështesin basketbollin e grave dhe ekipet e grave në komunat e tyre.
Këtë vit jeni duke planifikuar të bashkoni ligën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë. A do të thotë kjo që do të bashkohen si ligat e grave, ashtu edhe të burrave? Dhe a mendoni që kjo do të krijojë përfaqësim më të fuqishëm olimpik dhe ndërkombëtar për Kosovën dhe Shqipërinë?
Do të fillojmë vetëm me burrat në nëntor.
Pastaj ideja ka qenë të bashkëpunojmë me Federatën Shqiptare të Basketbollit për të organizuar turneun e klubeve të grave me klubet më të mira në Shqipëri [por kjo ende është në pauzë për shkak të pandemisë].
Do të shikojmë se si është situata me COVID dhe nëse jo këtë vit, atëherë në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë gjithsesi dhe do të vazhdojmë të mbështesim ekipet tona nga Kosova si dhe ato nga Shqipëria.
Lidhur me përfaqësimin në Lojërat Olimpike, Kosova gjithmonë do të vazhdojë të marrë pjesë ndaras. Dhe patjetër që Shqipëria [gjithashtu]. Ashtu që kjo ligë e përbashkët është më shumë një ndërlidhje për sponsorët. Kjo ka qenë ideja që nga viti 1999 dhe tani jemi duke e implementuar.
Ideja është gjithashtu që të rrisim basketbollin në të dyja shtetet pasi në Kosovë kemi më shumë publicitet të basketbollit ndërsa në Shqipëri ka më shumë publicitet të futbollit, dhe duam t’u ndihmojmë por dhe të punojmë së bashku që të krijojmë një projekt si liga të përbashkëta për ekipet e burrave si dhe të grave.
A mendoni që ligat e bashkuara do t’i bëjnë lojtarët më konkurrues?
Po. Në ligën e burrave gjithmonë ka më shumë lojëra ngase ata luajnë edhe ndërkombëtarisht. Si turne, kemi dashur që klubet tona të luajnë më shumë lojëra. Kur lojtarët luajnë më shumë, ata bëhen më të aftë. Dhe ne duam t’i bëjmë lojtarët tonë, gratë si dhe burrat, të luajnë më mirë.
Është në një formë garuese për ta pasi [ekipet e grave] do të kenë një javë më shumë, një turne më shumë në të cilin do të luajnë dhe duhen të jenë të mira — duhen të përgatiten [më mirë] dhe gjithashtu të luajnë e të trajnohen më mirë.
Prandaj [ekipet e burrave si dhe të grave] duhen të bëhen më të mira pasi do të luajnë jo vetëm kundër ekipeve nga Kosova por gjithashtu do të luajnë kundër ekipeve nga Shqipëria dhe do të luajnë më shumë lojëra.
Si do të duket basketbolli këtë vjeshtë dhe dimër, duke pasur parasysh që ende jemi duke e përjetuar pandeminë COVID-19? A do të keni spektatorë?
[Deri në fund të shtatorit nuk kemi mundur] të ushtrojmë për shkak të situatës dhe qeveria nuk i [kishte] publikuar rregullat e reja. Por i kemi bërë të gjitha përgatitjet të fillojmë në tetor.
Fillimi i sezonës [është] pa spektatorë por e kemi përgatitur një manual se si të luajmë [duke marrë parasysh rrethanat e COVID-19] — se si klubet duhet të përgatiten për trajnim, se si të përgatiten për lojë. Dhe shpresojmë që në janar situata do të ndryshojë dhe spektatorët do të shfaqen në salla pasi pa spektatorë është shumë e vështirë. Por është situatë e përbashkët [për të gjithë] dhe duhet të vazhdojmë.
Lojtarët e basketbollit dhe [atletët] në përgjithësi, ata duhet të ushtrojnë, kanë nevojë të luajnë dhe është mirë gjithashtu për shëndetin e njerëzve. Por gjithashtu duhet të kujdesemi për lojtarët e basketbollit.
Ne do të marrim të gjitha masat [të cilat janë të përcaktuara] në manualin të cilin e kemi përgatitur, do të fillojmë [sezonën] pa audiencë dhe pastaj do të shohim se çka po ndodh me situatën.
[Më 28 tetor, FKB ka lajmëruar që do ta vonojë fillimin e sezonave të të rinjve për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë.]
Po lojtarët ndërkombëtarë që zakonisht luajnë këtu, shumë prej të cilëve janë larguar në fillim të pandemisë? A janë në gjendje të kthehen dhe të luajnë gjatë sezonës?
Klubet kanë nënshkruar marrëveshje me lojtarët ndërkombëtarë të basketbollit [të cilët tashmë janë kthyer].
Përkundër famës tradicionale të basketbollit, futbolli në veçanti është duke u rritur gjatë gjithë kohës. A mendoni që ka garë me futbollin në ndonjë mënyrë? Dhe çfarë bën Federata Kosovare e Basketbollit t’i shtyjë më shumë njerëzit për të bërë sport, në veçanti gratë dhe minoritetet?
Futbolli është federata më e madhe në Kosovë dhe është ende në rritje. Dhe sigurisht, ata [sportet e tjera] janë të gjithë konkurrentë. Por si federatë, ne kemi një strategji se si të rrisim numrin e lojtareve femra të basketbollit por edhe numrin e përgjithshëm të lojtarëve. Ne kemi programe dhe fushata të ndryshme për basketbollin e grave dhe si të inkurajojmë më shumë vajza të luajnë.
Ne kemi programe të përbashkëta me FIBA dhe qeverinë të cilat jemi duke i implemetuar mbi mënyrat se si të shtyjmë më shumë vajza në lojën e basketbollit. Dhe mendoj që jemi duke arritur shumë mirë në këtë aspekt pasi në 2017 i kemi pasur vetëm 10 ekipe në ligën e grave dhe tashmë i kemi 24 ekipe.
Pra numrat janë në rritje dhe ne jemi shumë të lumtur me këtë rezultat, por kjo nuk mjafton. Ne duam të shtyjmë fuqishëm dhe presidenti [i FKB] si dhe bordi janë duke më mbështetur shumë për çështjen e basketbollit të grave në përgjithësi.
FBK ka implementuar fushata të ndryshme për të nxitur më shumë lojtarë të rinj t’i bashkohen lojës gjatë viteve të fundit. Foto nga Federata Kosovare e Basketbollit.
Dhe tani jemi duke punuar në strategjinë 2021-25 të federatës dhe e kemi vendosur basketbollin e grave si qëllim të veçantë — si të rrisim basketbollin e grave, jo vetëm numrin e anëtareve por edhe nivelin.
Nuk është [ideja] vetëm që vajzat të luajnë basketboll por gjithashtu që gratë të jenë pjesë e klubeve të basketbollit si administruese, si refere, si trajnere. Ne kemi pesë qëllime strategjike dhe një ndër to është rreth grave në basketboll.
Prandaj mendoj që ky qëllim do të rrisë basketbollin e grave por ne gjithashtu do të rrisim pjesëmarrjen e tifozëve në basketbollin e grave dhe do të rrisim basketbollin në përgjithësi sepse kur rrit basketbollin e grave, rrit gjithë basketbollin.
E për minoritetet — a keni strategji për përfshirjen e tyre?
Po, kemi. Ne bashkëpunojmë me Ambasadën Amerikane dhe Departamentin e Shtetit dhe përmes tyre organizojmë kampe të ndryshme dhe turne në Graçanicë, në Mitrovicë dhe Vitomiricë — në vende ku ka minoritete dhe ne me të vërtetë i pëlqejmë projektet e këtij lloji.
Ne kemi kontaktuar me persona në këto vende të cilët kanë [mësuar se si] të organizojnë turne dhe të rrisin numrin e pjesëmarrësve [të rinj].
Elvira Dushku shpreson që ajo mund të jetë model inspirimi për vajzat e reja, që t’u tregojë atyre se mund të arrijnë nivelet më të larta të sportit nëse dëshirojnë. Foto nga Federata Kosovare e Basketbollit.
E përmendët më herët që përfshirja e më shumë grave në role të ndryshmw në basketboll është pjesë e rëndësishme e strategjisë suaj për gratë. A përfshin ajo edhe role menaxheriale, për shembull brenda federatës?
Po, kjo është gjëja më e rëndësishme — të përfshijmë më shumë gra si menaxhere, në klube dhe në federatë.
Pasi kur e sheh një shembull — kur më shohin duke punuar në Federatë si sekretare e përgjithshme — ato mund të shpresojnë, mund të ëndërrojnë që një ditë do të bëhen sekretare të përgjithshme, menaxhere, zyrtare apo menaxhere për media, apo çkado tejtër.
Unë gjithmonë shkoj nëpër qytete kur organizojmë projekte të grave. Dhe gjithmonë e përmend këtë: duhet të ëndërrosh, sepse kur ëndërron, duhet të ëndërrosh ëndrra të mëdha. Dhe sepse kam pasur një ëndërr, kam ëndërruar që një ditë të bëhem menaxhere e mirë. Dhe ja ku jam. Prandaj u kam kam dhënë shpresë që një ditë ato mund të bëhen sekretare të përgjithshme, menaxhere apo çkado që duan.
Dhe i inkurajoj ato të vazhdojnë në luajnë basketboll, të vazhdojnë të jenë pjesë e sportit sepse përmes sportit mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre.
Gjithmonë e përmend këtë sepse kam filluar të luaj basketboll në vitin 1996. Dhe tani jemi në 2020. Dhe unë kurrë nuk jam ndalur së qeni pjesë e basketbollit.K
Imazhi i ballinës nga Federata Kosovare e Basketbollit.
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.