Çdo ditë, mijëra njerëz në Kosovë dhe rajon zgjohen me një ndjenjë të paepur të mallit. Ata i vazhdojnë punët e tyre të zakonshme me një heshtje shtypëse, dikur e mbushur nga lëvizja e të tjerëve, ulen të hajnë me vende të zbrazëta në tavolinë dhe pyesin, vazhdimisht, çfarë u ka ndodhur më të dashurve të tyre.
Kjo është gjendja e vështirë e të afërmve të të zhdukurve.
Miqtë dhe familjarët e personave të zhdukur i ekspozohen një intensiteti të traumës së përhershme që është e vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët. Zhdukja e të dashurve të tyre mund të ketë pasoja psikologjike: ndjenja të pasigurisë, fajit, braktisjes, nervozës, fiksimit, ankthit, depresionit dhe dëshpërimit.
Në mënyrë të pashmangshme, traumat e tilla manifestohen në mënyra praktike, që nga problemet në familje dhe komunitet, deri te sfidat e ruajtjes së kujtimit të atyre që janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Në këtë monografi, “Të zhdukurit ndër ne”, kemi vendosur të hedhim më shumë dritë mbi të zhdukurit si dhe mbi jetën e përditshme të atyre që kanë mbetur pas.
Duke pasur parasysh shtypjen sistematike dhe luftërat që morën jetët e dhjetëra mijëra njerëzve në rajon, një numër i madh i personave që mungojnë janë zhdukur gjatë dhe menjëherë pas luftërave të viteve ’90. Vetëm në Kosovë, më shumë se 1,640 njerëz mbesin të pagjetur nga ajo periudhë.
Ndonëse më se dy dekada kanë kaluar që nga përfundimi i luftës së fundit, institucionet vendore kanë bërë shumë pak për ta vënë në rend të parë çështjen e personave të pagjetur, duke i lënë familjarët e tyre të jetojnë pezull. Jetët e njerëzve janë reduktuar në numra të shpalosur për voli politike, me pak tentativa për t’u marrë në mënyrë domethënëse me historitë dhe përvojat e të mbijetuarve.
Përmes dëshmive të historisë gojore, diskutimeve në podkaste, bisedave mes të dashurve dhe artikujve të hollësishëm, ne përqendrojmë vëmendjen te mënyra se si dështimi për t’u përballur me të kaluarën është duke i ndikuar individët, komunitetet dhe shoqërinë e gjerë në vitin 2020.
Luftërat nuk ishin të vetmet ngjarje famëkeqe që shkaktuan zhdukjen e njerëzve — qoftë fizikisht, qoftë në esencë — nëpër rajon gjatë viteve të fundit, me shpjegime të mangëta zyrtare, apo pa to fare, se çfarë u ka ndodhur atyre.
Ky fenomen është shtuar nga diktaturat dhe vrasjet jashtëgjyqësore që kanë shkaktuar zhdukjen e dhunshme të kundërshtarëve. Dhe vazhdon sot e kësaj dite përmes margjinalizimit sistematik të komuniteteve pakicë, të cilët shumë shpesh përballen me shlyerjen e tregimeve dhe realiteteve të tyre.
Manifestohet përmes mizogjinisë së sistemit gjyqësor që lejon shlyerjen e jetëve të grave duke dështuar në trajtimin e femicidit të normalizuar. Dhe vazhdon me ngulm përmes migrimit të detyruar nëpër rrugë të rrezikshme ndërsa njerëzit në kërkim të një jete më të mirë zhduken pa asnjë shpjegim apo përpjekje zyrtare për ta zbuluar si.
Ne i eksplorojmë të gjithë këta shembuj në thellësi, pasi në fund të fundit, të gjithë kanë një gjë të përbashkët: dhimbjen e pasosur dhe pasigurinë që mbetet në mungesë të dijenisë.
Këtë publikim ua dedikojmë të zhdukurve.K
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.