Sa herë që vajzat e gratë arrijnë suksese kulminante në sferat ku veprojnë, rrjetet sociale vërshohen me postime e cicërima të njerëzve që tregojnë se sa të lumtur e krenarë po ndihen. E s’ka si të mungojnë as të atyre që ushtrojnë funksione udhëheqëse, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, që mundohen të marrin pak nga meritat. Sloganin “Bac, çikat na e zbardhën fytyrën” e gjejmë me bollëk gjatë atyre orëve kur euforia është në maksimum, ani pse pas pak ditësh mbresat fillojnë të zbehen derisa të harrohen plotësisht. Njëjtë si për secilën ngjarje tjetër në Kosovë.
Në krejt atë mish-mash ndjenjash, harrojmë të ndalemi e ta pyesim veten, bash secili prej nesh: sa po ua zbardhim ne fytyrën çikave?
Stadiumi Carioca Arena 2 ishte vendi i ngjarjes së atij që njihet si suksesi më i madh sportiv në Kosovën e pasluftës — fitimi i medaljes së artë olimpike nga xhudistja Majlinda Kelmendi. Lotë gëzimi si në Barra da Tijuca të Brazilit, ashtu edhe në Kosovë. Me flamurin e Republikës së Kosovës që ngritej lart gjatë intonimit të himnit, sikur ngritej sadopak edhe gjendja shpirtërore e neve bashkëkombasve të saj, që ishim lodhur nga dramat politike që shtoheshin çdo ditë, e nga problemet që s’u shihej fundi.
Çka nuk kanë Majlinda, Nora, Distria, Donjeta — është përkrahja.
Një superheroinë e re, me kimone në vend të pelerinës, iu shtua botës magjike të fëmijëve anekënd Kosovës — veç se tash magjia ishte më e prekshme se kurrë më parë. Prej asaj dite, ai flamur u lartësua edhe shumë herë të tjera në vende rreth e qark botës.
Tani, pasi kanë kaluar pesë vite prej atij suksesi të jashtëzakonshëm, sportistja ka edhe shtatoren e saj në qytetin e Pejës, një nga të paktat në Kosovë që u kushtohen vajzave dhe grave. Pos kësaj, shtatorja është ndër të paktat në vend që u kushtohet atyre që kanë dhënë kontribut në sferën e sportit.
Ajo çka nuk kanë Majlinda, Nora, Distria, Donjeta — si dhe plot sportiste tjera aktive e të tilla që veç sa i kanë hyrë kësaj rruge — është përkrahja, qoftë morale apo financiare. Ajo zakonisht është aq e paktë sa të jetë e pamjaftueshme.
Barrierat e përgjithshme materiale përfshijnë sallat sportive në gjithë vendin që janë si mos më keq: pa ngrohje, me infrastrukturë të brendshme të vjetër, e plot prej tyre kthehen në “pishina” si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut që depërtojnë nëpërmjet kulmit të dëmtuar. Por për vajzat që luajnë sport, pengesat nuk ndalen me kaq.
Sporti si punë burrash
Ëndërroja të bëhesha futbolliste një ditë. I përjetoja në mendje fushën e blertë që shtrihej rreth e rreth meje, tribunat, e emrin tim që dëgjohej në prapavijë tek thirrej prej tifozëve. Kisha zgjedhur edhe mënyrën e festimit të golit, që ishte një imitim i dobët i atij të Leite Kaka-s.
Ani pse karriera ime prej futbollisteje e tillë mbeti — veç një ëndërr — unë vazhdova të luaj futboll: mëngjeseve në shkollë, e pasditeve në livadhet e lagjes. Shumicën e herave isha e vetmja lojtare në fushën e stërdominuar nga djemtë.
E si dikush që luante futboll, kishte stil të veshjes më sportiv, e që i pëlqente t’i komentonte ndeshjet, fillova të etiketohem me përshkrimin “si djalë”. Të afërmeve gra, që në kohë të lirë e ushtronin rolin e ndonjë trupi gjykues suprem, nuk ua mbushja syrin. E kishin dronë se nëse do të vazhdoja kështu, nuk do të më merrte kush për grua. Ç’mizerje!
"Pse s'po e nalë edhe ti, unë çikat e mia i kom nalë", mundoheshin t'ia mbushnin mendjen herë njërit prind e herë tjetrit.
Me futbollin si ëndërr të parealizueshme meqë qyteti s’kishte klub për vajza, hyra në klubin e hendbollit. S’hiqja dorë prej sportit. Presioni nga rrethi nuk u ndal as kur isha në gjeneratat e reja të ekipit, e as kur dola në ekipin senior. “Çka po të vyn sporti”, “loja s’t’jep me hangër”, “s’ia ka pa hajrin kush topit”, “ma mirë me mësu, se s’munësh dyjat” i kisha mësuar përmendsh aq shpesh që i dëgjoja, si në shkollë nga një grup profesorësh, si në darkat familjare me të afërmit.
Pastaj, kur shihnin se tek unë nuk pinte ujë, provonin fatin me prindërit e mi. Mundoheshin t’i bindnin se nuk ishte mirë që kthehesha natën vonë (kur ndeshjet zhvilloheshin në qytete më të largëta), e se nuk ishim aq “të sigurta” duke aluduar në atë se shtabi teknik i ekipit përbëhej vetëm nga djem e burra. “Pse s’po e nalë edhe ti, unë çikat e mia i kom nalë”, mundoheshin t’ia mbushnin mendjen herë njërit prind e herë tjetrit.
Mes të qenit barrë dhe motiv
Se të jetuarit në fshatra e qytete më të vogla shpesh do të thotë që disa talente të mos arrijnë kurrë të shndritin në potencialin e tyre — e dimë shumë mirë. Fatmirësisht, e njëjta nuk ndodhi edhe me Zërina Shatrin, dikur kampione e shumëfishtë si kapitene e Klubit të Basketbollit Prishtina. Tash, kampionllëkun po e vazhdon edhe në ShBA, ku si pjesë e ekipit të Our Lady of Lake University ka arritur të shpallet dy herë kampione e konfederatës.
Duke parë se mundësitë për të filluar një karrierë në vendlindje, në qytezë të Istogut, ishin aq të vogla e ndoshta edhe inekzistente, ajo vendosi ta linte familjen e të zhvendosej për të jetuar në Prishtinë me xhaxhain dhe familjen e tij. Familja e saj prej sportistësh ishin të parët që e shtynë ta ndjekë këtë rrugë.
Kryeqyteti ia hapi dyert një 13-vjeçareje që mezi priste të vendosë vetë për fatin e saj. Vërtet shumë dyer iu hapën, por jo edhe aq krahë e zemra që do ta mbështesnin drej synimeve të saj. Të qenët prej fshati e bënte atë më të vogël e me më pak vlerë në sytë e bashkëmoshatarëve në shkollë — të ashtuquajturin tempull të dijes — dhe të atyre në ekipin e saj.
E sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, asaj i duhej të përballej e t’i luftonte komentet seksiste nga djemtë në klasën e saj, të cilët basketbollin nuk e shohin si sport për “gjininë e butë”.
Kur secila ditë është një betejë e re, nuk është larg mendsh që shumë lodhen dikur.
Çdo minutë, çdo ditë, kur je vajzë duhet të punosh shumëfish më shumë për ta dëshmuar veten, ani pse prapë ajo vlerësohet më pak. E vetmja herë kur ua mbush mendjen të tjerëve që di diçka, ose mund të arrish diçka, është kur ke përballë një djalë, se “çikat janë sahan i lehtë”.
Duke u rritur e rrethuar me djem, më është dashur të garoj tërë kohën për çkado, veç me tregu që nuk janë gjithmonë më të mirë. Të paktën kështu e kam bindë veten mos të ndalem kudo që veproj; mos të lejoj që gjinia ta përcaktojë — shumicën e herave ta minimizojë — vlerën time si individ a profesioniste.
E kur secila ditë është një betejë e re, nuk është larg mendsh që shumë edhe lodhen dikur. Heqin dorë. Thehen kur shohin se pavarësisht përpjekjeve, ndryshimi i arritur është veç në gjurmë — vështirë që shihet. Avazi i kahmotshëm vazhdon.
Sytë kah gjeneratat e reja
Pavarësisht barrierave që hasin në fillim e gjatë rrugës, numri i vajzave të reja që merren me sport ka filluar të rritet. Pak javë më parë, në qytezën e Istogut është hapur akademia e parë e hendbollit, e cila si trajnere do të ketë Albina Rugovën, përfaqësuese e Kosovës në hendboll, dhe Esma Muratović, përfaqësuese e Malit të Zi, nën mbikëqyrjen e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës në hendboll Agron Shabani dhe trajnerit Faruk Shala.
Janë pikërisht këto vajza, e plot të tjera në tenis, futboll, xhudo, volejboll, ragbi, boks, atletikë, e në cilindo sport tjetër, ato të cilat pas disa vitesh do të bëjnë të na rrahë zemra edhe më fort sa herë që himni ynë pushton stadiumet nëpër botë e flamuri ngritet lart sikur do ta prekë qiellin.
Janë këto për të cilat do të dëgjojmë vetëm pasi mediat më të njohura të kenë shkruar për sukseset e tyre, e ne do të ngutemi t’i shpërndajmë në rrjetet sociale që ta lëmojmë egon tonë prej patrioti/eje. E më e rëndësishmja, janë këto të cilave duhet t’u ofrojmë kushte më të mira financiare e infrastrukturore. Është më e pakta që mund ta bëjmë.
“Për çdo vajzë që vendos me u marrë me sport ka me pasë paragjykime edhe s’ka me qenë aq e lehtë. Por mbaje në mend që je tu ba ndryshim, jo veç për vete, por edhe për tjerat që do të vijnë pas teje. Ta përkrahim njëra-tjetrën, e së bashku të bëjmë ndryshim”, thotë Zërina.
Andaj mos ngurroni me ëndërru. Zhytuni në thellësitë ku dritë s’ka, por ju mbusheni jetë — vraponi drejt cakut të shtegut, festoni si të çmendura për golin tuaj të parë, ngjitini majat e malit ku këmbë njeriu më parë s’ka shkelur po të qe nevoja. Por doemos bëjeni. Faljani veten ëndrrave.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.