Në thelb | COVID-19

Vaksinat COVID-19: Çka, pse, e si?

Nga - 28.06.2021

Dhe pse duhet ta merrni.

Mbi 100,000 njerëz janë infektuar dhe mbi 2,000 kanë vdekur nga COVID-19 në Kosovë. Në shkurt të vitit 2021, Kosova dyfishoi shkallën e pritur të vdekjeve për atë periudhë. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e pothuajse 4 milionë njerëzve të vdekur dhe afër 180 milionë të infektuarve në të gjithë botën.

Që kur Kosova pranoi sasinë e parë të vaksinave në mars, mbi 125,000 njerëz kanë marrë së paku një dozë të vaksinës dhe mbi 7,000 njerëz kanë marrë të dy dozat.

Çka janë këto vaksina dhe si funksionojnë? A janë të sigurta? Dhe a do t’i japin me të vërtetë fund pandemisë?

Por, fillimisht disa informata të përgjithshme për vaksinat:

Vaksina, thënë thjesht, është preparat biologjik që nxit reagimin imunitar të trupit.

Njerëzit i kanë përdorur vaksinat ose ndërhyrjet e ngjashme me vaksina për mijëra vjet. Disa nga shembujt më të hershëm gjenden në Kinë, Afrikë, Indi, dhe në Perandorinë Osmane. Në vitin 1721, Lady Mary Wortley Montagu, shkrimtare dhe bashkëshortja e një diplomati britanik solli vaksinën për variola verën, e njohur në popull si lija e keqe, nga Perandoria Osmane në Londër dhe vaksinoi vajzën e saj.

Ajo u akuzua nga sistemi mjekësor britanik, por më vonë iu dha të drejtë kur, në vitin 1796, mjeku britanik Edward Jenner krijoi vaksinën për variola verën duke përdorur parime të ngjashme me injeksionin e Lady Montagu-t. Sot, lia është zhdukur plotësisht.

Çka janë vaksinat COVID-19?

Aktualisht, janë shtatë vaksina që përdoren masivisht në të gjithë botën: Moderna (ShBA), AstraZeneca (Britani e Madhe, suedeze), Pfizer BioNtech (ShBA dhe gjermane), Janseen (ShBA, belge), Sinovac (kineze), Sinopharm (kineze) dhe Sputnik V (ruse).

Moderna, Pfizer, Janseen dhe AstraZeneca janë të autorizuara për të rriturit në Evropë nga Agjencia Evropiane e Barnave (AEB).

Moderna, Pfizer dhe Janseen janë të autorizuara për të rriturit në ShBA nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (AUB) të ShBA-së. Në ShBA, Prizer tani është autorizuar edhe për adoleshentët 12-18 vjeç.  

Sinopharm është në përdorim në disa vende evropiane, si Shqipëria, Serbia dhe Hungaria, dhe së fundi është aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh). Kjo do të thotë se tani mund të shpërndahet në të gjithë botën nga rrjeti COVAX për shpërndarjen e vaksinave. Sinovac gjithashtu është autorizuar nga OBSh-ja.

Çka është COVAX?

Nisma COVAX është aleancë për vaksinat COVID-19; organizatë që shpërndan vaksina për vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, si dhe shërben si mekanizëm bashkëpunues për blerjen e vaksinave për vendet me të ardhura të larta. U krijua për t’u siguruar që vaksinat të jenë të qasshme për të gjithë, jo vetëm për të pasurit.

COVAX përbëhet nga GAVI, Aleanca për Vaksina, Koalicioni për Inovacione në Gatishmëri Epidemike (KIGE), OBSh-ja dhe UNICEF-i si agjenci implementuese. GAVI, që prej 20 vitesh angazhohet për t’i bërë vaksinat e qasshme me çmim të lirë apo falas për vendet me të ardhura të ulëta.

GAVI gjen donatorët dhe përllogarit nevojat e vendeve individuale. KIGE punon me kompanitë farmaceutike në hulumtimin dhe zhvillimin e vaksinave. OBSh-ja ndihmon në verifikimin dhe certifikimin e vaksinave dhe UNICEF angazhohet në procesin e shpërndarjes dhe blerjes.

Bashkimi Evropian është donatori i dytë më i madh i COVAX-it pas ShBA-së, që premtoi më 12 shkurt se do të ndajë 4 miliardë dollar për nismën.

Sipas Planit Kombëtar të Kosovës për Shpërndarje dhe Vaksinim për Vaksinat COVID-19, Kosova do t’i pranojë të gjitha vaksinat e autorizuara nga AEB dhe AUB.

Dr. Angela Rasmussen, eksperte e mirënjohur për viruse, e cila punon në Universitetin e Saskatchewan, shpjegoi në shkurt se duhen vaksina të shumta për shkak të çështjes së ruajtjes së tyre dhe për shkak se popullata të ndryshme mund të reagojnë ndryshe ndaj llojeve të vaksinave.

Vaksina Janssen, e njohur gjithashtu si vaksina Johnson dhe Johnson, ka një dozë dhe mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferi, duke e bërë më të lehtë shpërndarjen e saj në të gjithë botën. Vaksinat Pfizer dhe Moderna kanë nga dy doza dhe kërkojnë temperatura të ngrirjes, për të cilat nevojiten pajisje speciale që jo të gjitha vendet i kanë. AstraZeneca, Sinopharm, Sinovac dhe Sputnik V nuk kanë nevojë për frigoriferë të specializuar për ngrirje.

Duke folur në rend të parë për vaksinat Moderna, Pfizer, AstraZeneca dhe Janssen, Rasmussen tha, “lajmi i mirë është se, të gjitha janë relativisht efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike.”

Ekspertët thonë se çdo vaksinë me efektshmëri prej 50% ia vlen të merret.

OBSh-ja aktualisht është duke rishikuar apo ka aprovuar 15 vaksina për procesin e Listës së Përdorimit Emergjent (LPE), përfshirë shtatë vaksinat më të përdorura. LPE hap derën që agjencitë rregullatore kombëtare të vazhdojnë me vlerësimet e tyre. Rekomandimet e OBSh-së nuk janë të detyrueshme për vendet individuale.

Një zyrtar i lartë kinez ka pranuar se vaksinat Sinopharm dhe Sinovac janë më pak efektive krahasuar me vaksinat e tjera që aktualisht janë në treg. Kjo mund të nënkuptojë se kërkohet një dozë e tretë apo kombinim me një vaksinë tjetër. Por, shumë ekspertë thonë se çdo vaksinë me efektshmëri prej 50% ia vlen të merret. Sipas studimeve të fundit, të dy vaksinat kineze e arrijnë ose e tejkalojnë këtë prag.

Sidoqoftë, së fundi janë ngritur më shumë pikëpyetje rreth efektshmërisë së vaksinës Sinopharm. Në Seychelles, një komb i vogël ishulli në Oqeanin Indian, 57% e njerëzve e kanë marrë vaksinën Sinopharm dhe infektimet janë rritur aq shumë sa që është dashur të kthehen kufizimet.

Rritja e infektimeve dhe përhapja e shtuar janë vërejtur edhe në Mongoli, Bahrein, Kili, Indonezi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, të gjitha vende që janë varur në vaksinat Sinopharm dhe Sinovac.

Aktualisht, 93 vaksina janë në fazën e hulumtimit në njerëz.

Si mund ta dimë që janë të sigurta?

Disa njerëz janë të shqetësuar sepse vaksinat u prodhuan shumë më shpejt se zakonisht. Në rrethana normale, duhen 5 deri në 10 vite që një vaksinë të aprovohet dhe të lëshohet në treg. Këtë vit u desh më pak se një vit pasi shumë shkencëtarë u përqendruan vetëm në këtë gjë teksa qeveritë, organizatat private dhe individët dhanë shuma të mëdha parash për hulumtimin dhe zhvillimin e vaksinave, dhe qeveritë thjeshtëzuan procedurat burokratike për ta shpejtuar procesin.

Por pjesa më e madhe e shkencës së përdorur për vaksinat e reja ka qenë në zhvillim prej vitesh. ARN-ja transmetuese ose teknologjia mARN për vaksina të cilën e përdorin vaksinat Moderna dhe Pfizer, janë studiuar që prej vitit 1978 nga shkencëtari pionier hungarez, Katalin Kariko, ndër të tjerët.

Gjatë përgatitjes së vaksinave nuk është kapërcyer asnjë hap dhe janë marrë të gjitha masat e sigurisë. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Vaksinat janë testuar plotësisht. Mijëra njerëz janë testuar gjatë testimeve klinike për vaksinat AstraZeneca, Pfizer, Moderna dhe Janssen, ashtu siç duhet për çdo vaksinë tjetër. Të katër vaksinat kanë kaluar nëpër tri faza klinike plus në një fazë paraklinike. Tani u janë dhënë miliona njerëzve dhe sistemi i sigurisë e vazhdon monitorimin gjatë fazës së vaksinimit masiv.

Si për shumë vaksina, përfshirë atë kundër gripit, shkencëtarët mendojnë se njerëzit do të kenë nevojë për vaksinim përforcues apo vjetor për të qëndruar të mbrojtur ndaj varianteve të virusit.

Të gjithë viruset i nënshtrohen mutacionit dhe kanë variante. Mutacioni nënkupton ndryshim në përmbajtjen gjenetike të virusit. Një variant është virus mutacionet e të cilit e kanë ndryshuar mënyrën se si funksionon. Sa më shumë që përhapet një virus, aq më shumë ka gjasa të zhvillojë mutacione dhe të krijojë variante. Disa nga to mund të jenë të rrezikshme e disa jo. Prodhuesit e vaksinave kanë filluar ka kenë këtë parasysh.

E vetmja mënyrë për ta ndalur përhapjen e varianteve të COVID-it është duke u siguruar që të vaksinohen sa më shumë njerëz që është e mundur.

Aktualisht, ekspertët besojnë se shumica e vaksinave do të kenë ndikim ndaj varianteve që po qarkullojnë tani, si variantet Alfa dhe Beta në Kosovë apo edhe varianti Gamma që aktualisht po e dërrmon Brazilin.

Varianti Delta —  i cili shkaktoi kërdi në Indi, vonoi heqjen e plotë të masave kufizuese në Mbretërinë e Bashkuar dhe tani po përhapet në Rusi — mendohet të jetë 60% më virulent se varianti Beta.

 Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Faik Hoti, tha për K2.0 se në Kosovë “ende nuk ka raste të variantit Delta. Aktualisht, situata është e qetë dhe me pak raste, por kujdesi nuk duhet të zvogëlohet, përkundrazi.”

E vetmja mënyrë për ta ndalur përhapjen e këtij apo varianteve të tjera të virusit është duke u siguruar që të vaksinohen sa më shumë njerëz që është e mundur dhe të vazhdohet respektimi i rekomandimeve për shëndet publik: mbajtjen e maskës brenda, ajrosjen e mirë të hapësirave të mbyllura, shmangien e turmave dhe kufizimin e kontaktit të afërt me njerëz jashtë rrethit tuaj të besueshëm.

Hoti theksoi se kufizimet nga qeveria përcaktojnë se koha e vetme kur nuk duhet ta mbani maskën është kur jeni duke ecur vetëm, duke bërë sport, apo duke ngrënë e pirë.

A mund t’ju shkaktojë vaksina mpiksje gjaku?

Mundet, por jashtëzakonisht rrallë. Sipas AEB-it dhe Agjencisë së Barnave dhe Shëndetësisë, organi mbikqyrës për vaksina në Britani të Madhe, vaksina AstraZeneca ka një efekt jashtëzakonisht të rrallë anësor që shkakton mpiksje gjaku në disa njerëz. Nga 2.7 milionë njerëz në Gjermani që e morën vaksinën deri në mars, 31 persona e kishin këtë komplikim. Nëntë vdiqën. Të gjitha gra.

Më 13 prill, një çështje e ngjashme e mpikjes së gjakut u vërejt në mesin e pranuesve të vaksinës Janssen në ShBA, duke bërë që qeveria e ShBA-së të pezullojë vaksinimet “për hir të kujdesit të shtuar.” Mbi 7 milionë njerëz kanë marrë vaksinën Janseen dhe tetë njerëz patën mpiksje të rrallë cerebrale të gjakut, duke rezultuar në një vdekje.

Ekspertët dhe shkencëtarët pajtohen se infektimi me COVID-19 është shumë më i rrezikshëm se secila vaksinë.

AEB-i aprovoi përdorimin e saj më 20 prill duke thënë se përfitimet i tejkalojnë rreziqet dhe ShBA-ja po ashtu ka rifilluar ta përdorë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës raportoi se deri më sot nuk ka pasur efekte të mëdha anësore nga vaksinat.

Gjermania dhe Franca kanë vendosur të mos e përdorin vaksinën AstraZeneca për njerëzit nën moshën 60 vjeç, përkatësisht 55 vjeç. Britania e Madhe u ofron njerëzve nën moshën 30 vjeç vaksinë tjetër. Norvegjia ka pezulluar përdorimin e Astra Zenecas dhe Danimarka e ka hequr tërësisht nga përdorimi.

Por shumica e ekspertëve dhe shkencëtarëve pajtohen se infektimi me COVID-19 është shumë më i rrezikshëm se secila vaksinë. Dr, Rasmussen thekson se ndalesat dhe kufizimet e vaksinave tregojnë se sa mirë po funksionon sistemi i sigurisë.

Siç tha Devi Sridhar, profesoreshë dhe kryetare e Shëndetit Publik Global në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Edinburgh, “Nëse dikush ju ofron një vaksinë, buzëqeshni, përvjeleni mëngën, dhe shtrijeni krahun”.

Çka është mARN-ja? Çka është një adenoviral? Çka është vektori viral?

Të gjitha këto janë mënyra të ndryshme se si vaksina krijon imunitet.

Vaksinat Moderna dhe Pfizer përdorin teknologjinë mARN për ta dërguar mesazhin te qelizat tuaja. Ky mesazh i mëson qelizat si ta krijojnë proteinën që nxit reagimin imunitar brenda trupave tanë. Antitrupat që krijohen ju mbrojnë nga sëmundjet.

Vaksinat si AstraZeneca, Sinopharm, Sinovac dhe Sputnik V përdorin adenoviral ose vektor viral. Këto përbëhen nga pjesë të ARN-së apo koronavirusit të vdekur që dërgojnë mesazhin tek qelizat se është koha të luftohet infektimi me COVID-19.

Si funksionojnë vaksinat mARN.

Vaksinat nuk e ndryshojnë gjenetikën ose AND-në tuaj, nuk përmbajnë mikroçip, dhe janë hallall, kosher, dhe “moralisht të pranueshme” sipas Vatikanit. Nuk ndikojnë në fertilitet dhe nuk janë të rrezikshme për gratë shtatzëna.

Fatkeqësisht, nuk e përmirësojnë WiFi-në.

Asnjë nga vaksinat nuk garanton se nuk do ta merrni dhe përhapni virusin, edhe pse studimet e fundit tregojnë se e zvogëlojnë rrezikun e përhapjes. Çfarë dimë është se vaksinat parandalojnë që personat e vaksinuar të sëmuren.

Në një studim nga viti 2020, shumica e njerëzve me COVID-19 nuk e dinin se ku ose si e kishin marrë virusin. Shumë ekspertë dyshojnë se shumica e përhapësve janë asimptomatikë, që nënkupton se nuk kanë simptoma dhe me gjasë nuk e dinë se mund ta bartin virusin. Këtu përfshihen edhe të vaksinuarit.

“Derisa të vaksinohemi të gjithë, askush nuk është i sigurt.”

Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë i Kosovës

Andaj, njerëzit e vaksinuar ende duhet ta bartin maskën (posaçërisht në hapësira të mbyllura dhe në turma), ta mbajnë distancën sociale dhe t’i lajnë duart rregullisht në mënyrë që mos ta përhapin virusin tek të tjerët që ende nuk janë vaksinuar.

Siç tha Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media më 13 prill, “derisa të vaksinohemi të gjithë, askush nuk është i sigurt.”

Kur do t’i marrin vaksinat kosovarët?

Ndërsa shumë shtete e filluan vaksinimin intensiv të popullatave të tyre në fillim të vitin 2021, Kosova pranoi dozat e para të pakëta në fund të marsit.

Deri më tani, shumica e vaksinave që Kosova ka pranuar kanë qenë nga COVAX-i, të paguara nga BE-ja.

UNICEF-i, partner implementues i COVAX-it, tha për K2.0 se rrjeti shpërndarës i vaksinave do t’i mbulojë 20% të njerëzve në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Shtetet si Austria, Kroacia, dhe Norvegjia, individualisht kanë dhuruar vaksina për Kosovën dhe rajonin e gjerë. Austria do të dhurojë edhe 1 miliion doza për Ballkanin Perëndimor deri në gusht.

BE-ja i ka dhënë Ballkanit Perëndimor 70 milionë euro për të blerë vaksina. Nga kjo shumë, Kosova ka pranuar 7,030,070 euro për t’i blerë rreth 700,000 doza në rishitje nga shtetet anëtare të BE-së. 95,000 dozat e para u blenë nga Austria dhe do të arrijnë në gusht.

ShBA-ja ka lajmëruar se ka në plan të ndajë mbi 80 miliionë vaksina tepricë gjatë vitit të ardhshëm. Kosova dhe Bosnja janë të përfshira në listën e pranuesve të synuar. Sipas qeverisë boshnjake, ata do të pranojnë 500,000 nga këto vaksina. Ende nuk është e qartë se sa do të marrë Kosova. Këto vaksina pritet të arrijnë në fund të qershorit.

Qeveria Kurti njoftoi në fund të majit se ka nënshkuar marrëveshje për 1.2 milion vaksina Pfizer, që arrijnë deri në fund të vitit 2021.

Diagrame të tilla përdoren për t’i prioritizuar grupet e njerëzve që kanë nevojë urgjente për vaksina. Nga Medethics.

Në planin e qeverisë, punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit janë të parët në vijë për marrjen e vaksinave, bashkë me ata që kanë sëmundje kronike. Aktualisht, njerëzit mbi 65 vjeç dhe njerëzit me sëmundje kronike kanë përparësi, teksa  mësimdhënësit dhe zyrtarët e sigurisë po vaksinohen gjithashtu. Sidoqoftë, qeveria ka ftuar të gjithë njerëzit në Kosovë të aplikojnë online për vaksinim në platformën eKosova.

Sipas zëdhënësit, Dr. Hoti, Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar shumë ankesa sa i përket procesit të regjistrimit. Ai tha se ministria ka ndërmarrë hapa për ta thjeshtësuar procesin — përfshirë largimin e kërksesës për t’u fotografuar bashkë me letërnjoftim — në mënyrë që e gjithë procedura e aplikimit dhe caktimit të orarit të mos zgjasë më shumë se 2 minuta. Për ata që kanë nevojë, egziston një numër telefoni për thirrje falas për pyetje: 0800 30 900.

Edhe pse ka pasur pretendime që të rinj pa dëshmi për sëmundje kronike kanë pranuar vaksinën, Dr. Hoti tha se ministria kërkon dëshmi të qartë për sëmundje kronike dhe se në çdo qendër vaksinimi është nga një mjek që vlerëson provat e sjella nga pacientët.

Madje edhe “figurat publike” që nuk kanë sjellë provat e duhura janë kthyer mbrapsht, tha Hoti. Edhe pse ministria nuk e mohoi se mund të kete pasur disa raste individuale që kanë rrëshqitur, Hoti tha se beson që “shumica absolute” i respekton rregullat.

Qeveria e Kosovës thotë se shpreson të vaksinojë së paku 60% të popullatës deri në fund të këtij viti.

Përjashtime shtesë bëhen për kosovarët që kanë nevojë të vaksinohen për të pranuar trajtim mjekësor jashtë vendit, apo nëse një qytetar rrezikon të humbë mundësitë për studim jashtë vendit ose bursë shkollimi.

Ndërsa shumë kosovarë, kryesisht nga komuniteti serb, shkuan në Serbi për vaksinim, Hoti tha, “Ministria e Shëndetësisë dëshiron të shohë sa më shumë qytetarë të Kosovës që është e mundur të vaksinuar, pavarësisht se cilit komunitet i përkasin.” Ai gjithashtu theksoi se qeveria i ka ofruar vaksinim në Kosovë banorëve nga lugina e Preshevës.

Ende nuk është marrë ndonjë vendim për vaksinimin e personave nën moshën 18 vjeç. Ministria tha se për këtë vendim do t’i ndjekin udhëzimet e OBSh-së, AEB-it dhe Qendës së ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Hoti shtoi se nga java e fundit e qershorit dhe tutje do të fillojnë të vijnë më shumë vaksina në Kosovë si rezutat i donacioneve dhe kontratës me Pfizer.

Qeveria e Kosovës thotë se shpreson të vaksinojë së paku 60% të popullatës deri në fund të këtij viti.

Si do të vaksinohen të gjithë?

Zbatimi i një plani për vaksinim masiv është i vështirë kudo, siç po e shohim në të gjithë botën. Andaj, si po përgatitet Kosova që të vaksinohen të gjithë qytetarët?

Tani për tani, njerëzit janë ftuar të aplikojnë për vaksinim në eKosova. Por, për të siguruar qasje për grupet pakicë, personat me nevoja të veçanta, të moshuarit dhe skeptikët e vaksinave, mund të ketë nevojë të ndërmerren më shumë hapa.

Dr. Faik Hoti, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se do të fillojnë ofrimin e vaksinimit mobil për personat me nevoja të veçanta dhe ata në qëndrim shtëpiak. Gjithashtu, po planifikojnë të dërgojnë vullnetarë në shtëpitë e romëve, ashkalive, dhe egjiptianëve, për t’i ndihmuar të aplikojnë në eKosova, përveç aktiviteteve të tjera informuese në terren.

Për ta luftuar hezitimin për vaksinim, ministria ka filluar një fushatë informuese me personalitetet me ndikim, profesionistë shëndetësorë dhe “të dhëna të bazuara në dëshmi.”

Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për “pasaportë të vaksinimit”, do të pranojnë një kod QR si dëshmi për vaksinim. Kodi QR do të lidhet me portalin COVID-19 që mund të lexohet kudo dhe nga çdo autoritet.

Pse ne kemi aq pak vaksina dhe vendet e pasura kanë aq shumë?

Një çështje është furnizimi. Ende nuk ka doza të mjaftueshme për të gjithë dhe vaksinat prodhohen vështirë. Por, arsyeja kryesore është se shtetet e pasura janë duke blerë sasi të mëdha të vaksinave para se ato të prodhohen.

Që nga marsi, shtetet me të ardhura të larta kanë blerë mbi 5.9 miliardë doza të vaksinave të gatshme dhe deri në shtator, sipas Institutit Brookings, ShBA-ja do të ketë 500 milionë vaksina tepricë.

COVAX-i ka nënshkruar kontrata për 2.8 miliardë vaksina me prodhuesit, që do të zgjasin deri në vitin 2022. Sipas Qendrës Globale të Inovacionit Shëndetësor, Speedometer, të Universitetit Duke (ShBA), deri në vitin 2023 ose 2024, nuk do të ketë mjaftueshëm vaksina për të gjithë në botë.

Vendet me të ardhura të larta kanë blerë dhe rezervuar shumë më shumë doza të vaksinave se sa që është e nevojshme për madhësinë e popullatave të tyre, duke e monopolizuar tregun. Nga Qendra Globale e Inovacionit Shëndetësor të Universitetit Duke.

Për më tepër, India, një nga prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave në botë, ka ndërprerë eksportin e vaksinave AstraZeneca më herët këtë vit kur vala e dytë vdekjeprurëse goditi vendin.

OBSh-ja dhe organizatat e tjera po bëjnë fushatë që vendet më të pasura në botë të fillojnë donacionet me vaksina dhe t’i ndajnë patentat, materialet dhe formulat për të mundësuar që më shumë prodhues të bëjnë vaksina dhe t’i shpërndajnë më gjerësisht.

Administrata Biden ndryshoi mendje dhe së fundi ka përkrahur heqjen dorë nga patentat e vaksninave. Megjithatë, BE-ja dhe veçanërisht Gjermania, është ende kundër kësaj.

Moderna asnjëherë nuk ka zbatuar patenta në vaksinën e saj. Por edhe nëse BE-ja pranon t’i ndajë patentat, do të duhen vite për ta ngritur kapacitetin për të prodhuar vaksina. Udhëheqësi i Modernas shtoi se do të marrë pak kohë para se prodhuesit e vaksinave në të gjithë botën të jenë në gjendje ta kopjojnë procesin e tyre ose të ndonjë vaksine tjetër me teknologjinë mARN.  

G7-ta — grupi udhëheqës i ekonomive në botë — është pajtuar të dhurojë 1 miliard vaksina për pjesët më të varfëra të botës gjatë vitit të ardhshëm. ShBA-ja planifikon të blejë dhe të dhurojë 500 milionë vaksina Pfizer gjatë vitit të ardhshëm përmes COVAX-it.

Ndërkohë, Serbia është bërë qenda e shpërndarjes së vaksinave në rajon. Për një kohë, ishte vendi me shkallën e dytë më të lartë të vaksinimit në Evropë. Serbia ofron për qytetarët e saj vaksinat AstraZneca, Pfizer, Sinopharm dhe Sputnik V. Për ta luftuar hezitimin për vaksinim, ka filluar t’i paguajë qytetarët 3,000 dinarë, rreth 25 euro, për t’u vaksinuar.

Qeveria serbe tani ka hapur qendrat e vaksinimit edhe për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës. Qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtë të vaksinohen në Serbi që prej dhjetorit të vitit të kaluar.

Serbia do të fillojë të prodhojë vaksinat Sputnik V dhe Sinopharm për t’i shitur në rajon dhe në të gjithë botën. Sputnik V ende nuk është autorizuar nga OBSh-ja.

A ka përfundur pandemia? E pyetëm Dr. Hotin. “Sigurisht që nuk ka përfunduar,” tha ai. “Njerëzit në të gjithë botën duhet të punojnë bashkë dhe në solidaritet për t’u përballur me këtë sfidë globale, por ende duhet kohë, durim, kujdes i shtuar dhe proces më i shpejtë i vaksinimit.”

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.