Kohët e fundit kam postuar në rrjetet sociale personale disa faqe të esesë së David Wallace-Wells, Toka e pabanueshme. Eseja, e bazuar në shkencën e fuqishme dhe të besueshme, është një rrëfim shqetësues i skenarëve më të mirë dhe më të këqij që mund t’i presim për të ardhmen e planetit tonë në varësi të faktit nëse vendosim apo jo të ndërmarrim veprime serioze kundër urgjencës klimatike.
U motivova për të tërhequr vëmendjen ndaj urgjencës klimatike në kontekstin e zjarreve të fundit që po përhapen nëpër Ballkan, Turqi dhe Greqi. Faqet e pakta që ripostova i referohen mënyrave mizore të zjarreve që janë shtuar në vitet e fundit, si zjarret shkatërruese në dukje të pafundme në Kaliforni ose ato që çuan në vdekjen e 26 njerëzve, që u gjetën të djegur dhe të përqafuar me njëri -tjetrin, në një resort turistik grek pasi nuk e arritën plazhin për t’u shpëtuar flakëve në vitin 2018.
Në esenë e tij, Wallace-Wells hyn në ciklet e shumta biologjike që vetëm se do të përkeqësohen nga zjarret e shpeshta dhe të mëdha që mund të presim t’i shohim: përrenjtë e paparë të shiut dhe rrëshqitjet e baltës, rritja e emetimeve të karbonit, shkrirja e përshpejtuar e shtresave të akullit, një “efekt i thellë negativ në mirëqenien individuale”, ndotja e ujit të pijshëm, dhe vdekja dhe, po, lista vazhdon.
Përgjigja e parë dhe e vetme që mora pas shpërndarjes së këtyre tmerreve klimatike ishte: “Preferoj mos të di për këtë apokalips tani”.
“Preferoj mos ta di”.
“Preferoj mos ta di”, është përgjigje e zakonshme për çdo lajm në lidhje me rrugën aktuale të shkatërrimit të planetit dhe njerëzimit. Është përgjigje që e kam parë gjithmonë si cinike dhe në fakt, të padobishme. Gjithmonë kam besuar se informacioni është fuqi. Nëse dimë, mund të veprojmë.
Çështja është se të mbetesh injorant ndaj asaj që urgjenca klimatike do të ta përplas në fytyrë nuk është më opsion.
Më 9 gusht doli raporti i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (PNNK), autoriteti botëror mbi evolucionin e urgjencës klimatike. Raporti është vetëm rikujtimi më i fundit i errët i realitetit tonë të zymtë:
“Shumë nga ndryshimet e vërejtura në klimë janë të papara në mijëra, nëse jo qindra mijëra vjet, dhe disa nga ndryshimet e vëna tashmë në lëvizje — të tilla si rritja e vazhdueshme e nivelit të detit — janë të pakthyeshme në qindra deri në mijëra vjet”.
Me fjalë të tjera, Kombet e Bashkuara thonë se njerëzimi nuk është më i sigurt nga dëmet e pakthyeshme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Disa kanë qenë mjaft me fat, veçanërisht në pjesët e privilegjuara të hemisferës veriore, për të dhënë “Preferoj mos ta di” si një përgjigje. Por nuk është më opsion.
"Preferoj mos ta di" nuk është më opsion për mbi 1.2 miliardë refugjatë të klimës të cilët vlerësohet se do t'u duhet t'i lënë shtëpitë e tyre në tri dekadat e ardhshme.
“Preferoj mos ta di” nuk është më opsion për më shumë se 2,000 njerëz të evakuuar deri më tani nga ishulli grek Evia, ku shumë banorë jetonin nga rrëshira dhe produktet e pemëve të ullirit dhe ku tani gjithçka është bërë hi së bashku me shtëpitë e tyre. As nuk është opsion për mijëra të tjerë njerëz të zhvendosur në të gjithë vendin për shkak të më shumë se 500 zjarreve të përhapura në gjeografinë helene këtë verë.
“Preferoj mos ta di” nuk është më opsion për Ritsopi Panayiota, një grua 81 vjeçare, ankthi i së cilës kur braktisi fshatin e saj Evian të Gouves u kap nga Konstantinos Tsakalidis, në një fotografi të pakëndshme që disa tashmë po e krahasojnë me dëshpërimin e “The scream” [Britma] të Edvard Munch.
“Preferoj mos ta di” nuk është më opsion për më shumë se 200 njerëz që vdiqën nga përmbytjet e papara në Belgjikë dhe Gjermani në fillim të korrikut të këtij viti, as për qeveritë vendore të qyteteve të shkatërruara, të cilët tani po përballen me dëme monetare miliardëshe.
“Preferoj mos ta di” nuk është më opsion për mbi 20 milionë refugjatë të klimës të zhvendosur çdo vit për shkak të ngjarjeve të lidhura me klimën që nga viti 2010, ose për mbi 1.2 miliard refugjatë të klimës të cilët vlerësohet se do t’u duhet t’i lënë shtëpitë e tyre në tri dekadat e ardhshme — jo në njëqind vjet, por gjatë jetës suaj.
Dhe nuk ka nevojë të presësh për vdekje masive, skenarë danteskë ose shira biblike. Duhet ta kuptojmë, sa më herët aq më mirë, se urgjenca klimatike nuk do të sjellë vetëm fatkeqësi natyrore mbi ne. Ndryshimi i klimës është gjithashtu prapavija kundër të cilës neglizhimi ynë i burimeve dhe mungesa e politikave proaktive bëhen në mënyrë eksponenciale edhe më të dëmshme.
Nga ky këndvështrim, “Preferoj mos ta di” nuk ka qenë kurrë opsion për zjarrfikësit e pajisur dobët në Kosovë, të cilët duhet t’u përgjigjen urgjencave të zjarrit — të cilat do të bëhen më të shpeshta me kalimin e kohës — dhe të cilët kohët e fundit i kanë shkruar një letër të hapur kryeministri Kurti duke i kërkuar atij t’i adresojë mangësitë e vjetra strukturore të departamentit të zjarrfikësve, në mënyrë që të jenë në gjendje të punojnë në kushte minimalisht të sigurta në vitet në vazhdim.
“Preferoj mos ta di” nuk është më opsion për banorët e Deçanit në Kosovë, të cilët e kanë parë ujin e tyre të pijshëm në rrezik në shumë raste në vitet e fundit. Së pari, lumi i tyre Lumbardhi u kanalizua në tubacione si pasojë e politikëbërjes së keqe e cila ka marrë parasysh vetëm interesat e investitorëve, duke injoruar shqetësimet mjedisore dhe të komunitetit.
Kohët e fundit, vlera e këtij lëngu jetësor u theksua edhe një herë pasi 1.500 njerëz kërkuan kujdes mjekësor në atë që dyshohet të jetë një helmim masiv i shkaktuar nga uji i pijshëm që del nga çezmat e tyre. Shenjat e baktereve u gjetën më vonë në infrastrukturën ujore të qytetit dhe çështja është ende nën hetim. Por, para se dikush të thotë se kjo nuk u shkaktua nga një ngjarje e lidhur me klimën, por nga neglizhenca, le të kujtojmë se kjo ka ndodhur në një epokë që thekson ujin dhe se gjërat nuk do të duken më mirë së shpejti.
Narrativa e “fillo nga vetja” po na shpërqendron nga të bërit kërkesa radikale
Kam moderuar disa diskutime në Kosovë rreth ndikimit të aktiviteteve njerëzore në mjedis, qofshin lumenj, kafshë të egra, apo ajri që thithim. Dhe si në shumë diskutime të tjera rreth mjedisit, gjithmonë dëgjoj të njëjtën përgjigje në pyetjen “Ku të fillojmë t’i rregullojmë të gjitha këto?”
“Filloni nga vetja!” thonë ata. “Ricikloni, hani më pak mish, mos hani fare mish, blini rroba të qëndrueshme, ndaloni përdorimin e enëve plastike, mbështesni produktet vendore, minimizoni konsumin e ujit, hyni në ekonominë qarkore, ecni në punë, shmangni aeroplanët, përdorni çanta ekologjike, mbillni një pemë! ” thonë ata.
Ky rrëfim, që shtyn për ndryshimin e nevojshëm individual, është i rrënjosur në ndjenjën e fajit.
Kjo është një listë shumë e respektueshme dhe e domosdoshme e qëllimeve të jetesës të cilën çdo individ duhet ta marrë parasysh kur përfshihemi personalisht në detyrën e vështirë të ruajtjes së mjedisit tonë dhe përmirësimit të dëmeve që ia kemi shkaktuar atij — nëse mundemi ndonjëherë.
Por me kalimin e kohës, po arrij në përfundimin se ky tregim i përgjegjësisë personale dhe rëndësisë së iniciativës individuale po qëndron në rrugën e njerëzve që kërkojnë veprime nga qeveritë tona për ta zgjidhur urgjencën klimatike në një nivel politik.
Ky rrëfim, që shtyn për ndryshimin e nevojshëm individual, është i rrënjosur në ndjenjën e fajit — një faj i trashëguar edhe nga prindërit tanë dhe gjyshërit tanë, të cilët nuk dinin sa duhet, ose nuk bënë sa duhet, për rrezikun e ndryshimit të klimës.
Kjo ndjenjë e fajit që e kemi si individë mund të na bëjë të ndihemi ngurrues, apo edhe hipokritë, për t’i shtyrë qeveritë tona të ndërmarrin veprime klimatike sepse lëshojmë një makinë larëse më shumë këtë javë ose karroca jonë e blerjeve është plot me ushqime të paketuara nga plastika. Kjo ndjenjë e fajit është diçka e zakonshme për shumë njerëz në brezin e ri dhe lajmi i mirë është se ne mund ta kthejmë këtë faj në diçka më të dobishme.
Veprimet tona individuale mund të kenë vetëm një efekt të kufizuar, dhe sado që duhet të veprojmë në një mënyrë më të ndërgjegjshme ndaj mjedisit, kjo nuk duhet të na ndalojë të kërkojmë llogari nga ata që janë përgjegjës për ndotjen sistematike të mjedisit, dhe më e rëndësishmja, nga ata që kanë kapacitetet për të bërë ndryshime domethënëse për shoqërinë.
Nëse ekziston një problem themelor në Kosovë me mijëra plehra në lumenj dhe pyje, nuk do të zgjidhet me disa ditë fushatash pastrimi të dyshimta të “Let’s do it Kosova”, ose nismave të organizuara nga qytetarët që nuk janë më pak të vlefshme për komunitetet e vogla, por mbesin një arnim i vogël i një problemi të madh.
Do të zgjidhet vetëm me investime të fuqishme qeveritare në sistemet e duhura të menaxhimit të mbeturinave, ngritjen e vetëdijes, arsimin dhe po, zbatimin serioz ligjor të ligjeve mjedisore.
Nëse ekziston një problem themelor me pyjet e Kosovës — vlerësohet se deri në vitin 2035 nuk do të ketë asnjë pyll plotësisht të shëndetshëm — atëherë i takon qeverisë të zbatojë politika radikale për ta zbutur humbjen dhe për ta ndryshuar trendin.
Nëse ekziston një problem themelor me mënyrën se si njerëzit ngrohin shtëpitë me izolim të dobët, ose nëse djegin dru për ngrohje sepse nuk mund t’i përballojnë çmimet e energjisë elektrike, atëherë është koha për guxim dhe zbatim të masave që mbështesin dhe inkurajojnë kushte të mira jetese dhe efiçiente në energji për të gjithë shoqërinë.
Nuk duhet të kemi frikë të kërkojmë politika radikale të lehtësimit të klimës nga ata që janë përgjegjës për dëmin më të madh: ndotësit e mëdhenj, investitorët e mëdhenj industrialë, qeveritë që i ftojnë këta dhe ata që miratojnë politika që lejojnë më shumë të të njëjtës gjë.
Mund të bëjmë ndryshime. Por gjithashtu është koha që të bëjmë kërkesa.
Në të njëjtën mënyrë që kërkuam përfundimin e luftës në Irak pa e vënë domosdoshmërisht trupin tonë në front, ose që ndoqëm protesta kundër ngacmimeve seksuale në shkolla pa qenë domosdoshmërisht të angazhuar aktualisht në aktivitetet arsimore, është e nevojshme që të kërkojmë veprime qeveritare në lidhje me urgjencën klimatike, edhe nëse ndihemi se nuk po bëjmë sa më shumë që është mundur në nivelin individual.
Mundemi dhe do të marrim përsipër detyrat tona individuale për ta ndihmuar planetin dhe njerëzimin të mbijetojë. Por, duke qenë se jam spanjolle, do të jem ajo që thotë se të mendosh se ndryshimi klimatik mund të zgjidhet vetëm me veprime individuale është si Don Kishoti të sulmojë mullinjtë e erës.
Mund të bëjmë ndryshime. Por gjithashtu është koha që të bëjmë kërkesa.
Jemi të dënuar por nuk ka mbaruar ende
Dhe tani, kur u përhap lajmi se me të vërtetë, e shkatërruam planetin Tokë për njerëzimin, dhe pjesën tjetër të kafshëve dhe çfarë jo, le të përballemi me disa nga pasojat për një sekondë para se të kaloj në ndjenjën time të tepërt të shpresës.
Në të ardhmen e afërt do të përjetojmë disa ndryshime brutale. Gjatë 20 viteve të ardhshme Toka do të bëhet më e ngrohtë për mesatarisht 1.5 gradë Celsius më shumë, dhe nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndaluar këtë. Të gjitha veprimet tona nga sot e tutje mund të ndikojnë vetëm në atë që do të vijë më pas. Nëse nuk ndryshojmë asgjë, planeti mund të ngrohet deri në 6 gradë më shumë deri në fund të shekullit, dhe me të vërtetë nuk doni ta dini se çfarë ndodh atëherë (por gjithmonë mund të lexoni Wallace-Wells dhe të tjerët nëse ndiheni se duhet ta dini).
Por edhe nëse arrijmë ta mbajmë ngritjen e temperaturës në vetëm 1.5 gradë, me shumë mundësi do të shohim stuhi më të rrezikshme, valë më të forta nxehtësie, stinë më të gjata të nxehtësisë, zhvendosje të njerëzve, toka bujqësore të shkatërruara dhe shumë më tepër për të cilat mund të mësoni në këtë raport.
Pasi që i di të gjithë skenarët e këqij që do të ndikojnë në ekosistemet tona në të ardhmen e afërt, vazhdoj të kthehem në disa shënime kryesore që Wallace-Wells i bëri në librin e tij, përderisa reflekton se si, megjithatë, ishte i lumtur që kishte një vajzë të lindur vetëm disa vjet më parë.
Për ta thënë thjesht, e kemi udhërrëfyesin dhe kemi mjetet për ta zgjidhur problemin — mund të zgjidhet nëse ndërmarrim hapa agresivë. Dhe ndërsa është dashur një jetë për të shkatërruar gjithçka, mund të rregullohet vetëm gjatë një jete nëse kemi vullnet.
Gjatë jetës sonë, dhe koha është tani.
Foto: K2.0