Hendeku gjinor në strukturat ekonomike në vend mbetet kokëfortësisht i lartë, me vetëm 14.4% të grave pjesëmarrëse në tregun e punës. Gratë përballen me nivelin më të ulët të punësimit në Evropë, ndërsa më tronditës është fakti që vetëm 21.5% e grave janë aktive në fuqinë punëtore, që do të thotë se shumica as që janë duke kërkuar punë.
Megjithatë, hulumtimet dhe raportet e ndryshme tregojnë që një numër i konsiderueshëm i personave mbesin jashtë statistikave zyrtare për shkak se punojnë në sektorin informal. Edhe pse të dhëna të sakta vështirë gjenden, gratë — duke punuar si rrobaqepëse, pastruese të shtëpive, flokëtare ose punëtore bujqësore sezonale — përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore informale. Përveç mungesës së kontratave, shumica e punëtorëve informalë marrin paga të ulta pa asnjë përfitim të mirëqenies sociale.
Nocionet dhe besimet tradicionale mbi llojet të punës profesionale se cilat punë janë më të përshtatshmë për gra e cilat për burra, vazhdojnë të kenë ndikim konkret te mundësitë e grave për punësim. Për shembull, gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të mbipërfaqësuara në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ndërsa sektori i energjisë është ende terren i burave.
Një përfaqësim më i madh i grave është vërejtur në jetën politike, ku secilën zgjedhje po rritet numri i grave që fitojnë pozitën e deputetes. Gjithashtu, qeveria e re, dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit ka deklaruar se synon përfaqësim të barabartë nëpër institucione: një iniciativë të tillë e kanë pohuar përmes një vendimi në muajt e fundit për pjesëmarrje të barabartë në bordet publike.
Papunësia e grave, por edhe shfrytëzimi i atyre që kanë vend pune, po e ngadalëson rrugën drejt barazisë dhe drejtësisë sociale. Për këtë arsye, në diskutimin tonë të radhës brenda programit Lokomotiva, më 26 gusht prej orës 17:30, në Hub 2.0 (zyra e Kosovo 2.0) ne do të pyesim:
Cilët faktorë po i kontribuojnë stagnimit afatgjatë në rritjen e punësimit të grave? Si ndikon diskriminimi në punë në jetën publike dhe private të grave? Sa ndikojnë idetë tradicionale mbi profesionet në tregun e punës në këto dinamika?
Për ta nisur diskutimin kemi ftuar:
- Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore
- Saxhide Mustafa, zëvendës drejtoreshë e Institutit Riinvest
Do të ketë përkthim në gjuhën angleze dhe serbe.
Kjo ngjarje mundësohet me mbështetjen e Prince Claus Fund.