Në thelb | Zgjedhjet Lokale 2021

Kryetari i ri i Prishtinës

Njihuni me tre pretendentët kryesorë që garojnë për qytetin.

Më 17 tetor, qytetarët e Prishtinës do ta zgjedhin kryetarin dhe qeverinë e re që do ta udhëheqë qytetin për katër vitet e ardhshme. Një nga të paktat zgjedhje për kryetar komune këtë vit në Kosovë pa kryetarin aktual, është kjo gara më e nxehtë mes tre kandidatëve kryesorë: Arben Vitisë nga Vetëvendosje, Përparim Ramës të LDK-së dhe Uran Ismailit të PDK-së.  

Natyra konkurruese e garës duket se po i detyron partitë ta çojnë lojën në një nivel tjetër. Të tre kandidatët kanë lansuar platforma elektorale gjithëpërfshirëse që shkojnë thellë në formën se si premtojnë ta drejtojnë qytetin, me nivel më të madh detajesh krahasuar me normën e fushatave në të kaluarën.

Platformat shquhen për idetë e tyre të mëdha dhe premtimet për transformim. Rama dhe Ismaili posaçërisht, të cilët konsiderohen se garojnë pas Vitisë si favorit, po tentojnë të paraqiten si figura inovative dhe dinamike, të cilat jo vetëm që po ripërcaktojnë marrëdhëniet e partive të tyre me Prishtinën, por do ta transformojnë vetë Prishtinën.

Megjithëse kandidatët mund të ndryshojnë personalisht nga njëri-tjetri, ata shohin probleme të përbashkëta në qytetin për të cilin konkurrojnë, të njëjtat probleme që secili që jeton në Prishtinë i vëren. Mbingarkesa paralizuese e trafikut dhe qasja e dobët për këmbësorët. Ndotja vdekjeprurëse e ajrit në dimër dhe mungesa dëshpëruese e hapësirës së gjelbër. Shkolla publike të pafinancuara dhe vëmendja e pabarabartë komunale nëpër lagje.

Nëse ka një shtyllë qendrore të fushatës që e kanë të përbashkët këta tre kandidatë, është premtimi për një Prishtinë më të gjelbër.

Me fokus relativisht të ngjashëm në platformat e tyre, me pak diferencim ideologjik, dallimi midis këtyre kandidatëve është më shumë në nivelin retorik ose personal. Kush janë saktësisht këta tre burra që garojnë për t’u bërë kryetar i Prishtinës? Cilat janë prapavijat e tyre personale dhe profesionale? Dhe çfarë nënkuptojnë kandidaturat e tyre për partitë e tyre, për Prishtinën dhe për Kosovën?

Arben Vitia — kandidati i sigurt i Vetëvendosjes

Deri në fillim të tetorit, pothuajse dukej se Arben Vitia ishte aq i sigurt se do ta fitonte garën për kryetar të Prishtinës, sa që mund të mos shqetësohej fare për të bërë fushatë.

Vitia ka rekord të gjatë në shërbimin publik dhe pozitat politike. I lindur në Prishtinë në vitin 1973, ai filloi karrierën e tij si mjek në Mitrovicë në vitin 2003 para se të punonte për një kohë si këshilltar në kompanitë farmaceutike. Së fundmi shërbeu si ministër i shëndetësisë gjatë kohës së shkurtër të VV-së në pushtet nga shkurti në qershor të vitit 2020, dhe pastaj mori përsëri pozitën në mars të vitit 2021. Më 1 tetor dha dorëheqje në mënyrë që të përqëndrohej në garën për kryetar komune.

Mandatet e tij si ministër kanë përkuar me dy periudha krejt të ndryshme të pandemisë në Kosovë. Duke e lënë pozitën herën e parë në qershor të vitit 2020, konsiderohej gjerësisht se e kishte kryer punën e tij mirë në kushte të vështira. Reputacioni i tij gjithashtu përfitoi nga ndjenja e përgjithshme e zemërimit në përpjekjet e bashkërenduara të kundërshtarëve politikë në Kosovë dhe administratës Trump për ta rrëzuar qeverinë e sapozgjedhur të VV-së pikërisht gjatë shpërthimit të pandemisë.

Mandati i tij i dytë si ministër përkoi me periudhën më të keqe të pandemisë në Kosovë, kur varianti Delta u shfaq në verën e vitit 2021 dhe shkalla e vdekjeve arriti në mbi 30 vdekje në ditë. Në kontrast me deklaratat e tij të hapura dhe efektive publike në fillim të pandemisë, gjatë periudhës së dytë si ministër i shëndetësisë prania e tij publike ishte më e rrallë dhe më e mbrojtur.

Në të njëjtën kohë, Vitia po ashtu mbikëqyri momentin më shpresëdhënës të pandemisë, atë të fushatës së vaksinimit, e cila ndonëse e vonuar, filloi seriozisht.

Arkivi i kampanjës elektorale të Vitisë.

Vitia më në fund bëri prezantimin e parë të fushatës publike më 4 tetor, i shoqëruar nga kryeministri Kurti dhe një numër ministrash të qeverisë aktuale, një deklaratë simbolike se kryetari Vitia do ta kishte mbështetjen e plotë të qeverisë. Në ngjarje Kurti e prezantoi Vitinë si personin e parë me të cilin bisedon në mëngjes, dhe të fundit në fund të ditës. Me Vitinë, i cili garon të paktën pjesërisht duke u mbështetur në fuqinë e rolit të tij vendimtar si ministër i shëndetësisë gjatë pandemisë, shanset e tij elektorale do të varen, të paktën pjesërisht, nga opinioni i votuesve për mënyrën e tij të menaxhimit të Covid-it.

Me kundërshtarë energjikë dhe shqetësimet e përhapura për masat e paqarta, të parakohshme dhe të zbatuara joproporcionalisht të shëndetit publik, drejtimi i fushatës së tij është sikur të ishte një referendum mbi trajtimin e pandemisë nga qeveria mund të jetë i rrezikshëm.

Sidoqoftë, banorët e Prishtinës duhet të kenë njohuri rreth përvojës së Vitisë në administratën e qytetit. Person i fuqishëm i VV-së që nga viti 2010, ai u bë shef i Departamentit të Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale për Prishtinën në vitin 2013 gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit. Vazhdoi me këtë pozitë gjatë garës së dytë të Ahmetit në vitin 2017, por roli i tij përfundoi në vitin 2018 kur Ahmeti u nda nga VV.

Në rolin e tij të drejtimit të Departamentit të Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale fitoi një reputacion pozitiv dhe shpesh i atribuohet modernizimi i Qendrave të Familjare Mjekësore në të gjithë qytetin.

Vitia ka qasje nënvlerësuese të zgjedhjeve, në kontrast me fushatat e flakta të konkurrentëve të tij.

Ndërsa kandidatët e tjerë kanë qenë duke e trazuar rrugën me këmbëngulje, Vitia duket i sigurt se mund të kalojë pasivisht drejt fitores duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit qendrore në Prishtinë, ku siguroi mbi 30,000 vota. Në të njëjtat zgjedhje kundërshtari i tij aktual Uran Ismaili mori vetëm rreth 5,000 vota ndërsa Avdullah Hoti, më i votuari i LDK-së në zgjedhje, mori vetëm 11,000.

Teksa kundërshtarët e Vitia po bëjnë fushatë me premtime të çastit duke e riimagjinuar dhe rindërtuar planin urban të qytetit nga e para, platforma elektorale e Vitisë i qëndron më afër problemeve bazike. Ai ka deklaruar se dëshiron ta sjellë barazinë e infrastrukturës urbane nëpër lagjet e qytetit dhe duket se është i fokusuar në mirëqenien sociale dhe shëndetin publik, që janë specialitet i tij.

Ka premtuar po ashtu se Prishtina do të ketë spitalin e vet komunal brenda mandatit të tij, dhe po planifikon të zbatojë një qasje parandaluese ndaj shëndetit publik në qytet me krijimin e programeve të zbulimit të hershëm në qendrat shëndetësore si dhe fushatave edukative që synojnë rininë.

Për trajtimin e ndotjes së ajrit, një çështje tjetër e shëndetit publik në Prishtinë, Vitia premton ta zvogëlojë përdorimin e makinave deri në 30% duke stimuluar mënyra të tjera të transportit. Ai gjithashtu propozon dhënien e incentivave për familjet që përdorin dru si burimin e tyre të ngrohjes për t’i ndihmuar që të kalojnë në një burim më të pastër. Përveç kësaj, gjithashtu dëshiron ta rrisë numrin e stacioneve të matjes së ndotjes së ajrit në qytet për ta kuptuar më mirë problemin.

Për arsimin, po premton të dyfishojë numrin e kopshteve dhe të nisë një “reformë të plotë” të sistemit arsimor, duke kufizuar klasat në maksimum prej 25 nxënës për klasë, punësimin e asistentëve për nxënësit me nevoja të veçanta dhe pajisjen më të mirë për shkollat me materialet e nevojshme arsimore. Gjithashtu premton të sigurojë që psikologët e shkollës të jenë në dispozicion në gjithë qytetin.

Vitia ka thënë se po planifikon ta zbatojë programin duke punuar dhe “me pak fjalë”, një qëndrim në përputhje me qasjen e tij ndaj zgjedhjeve dhe në kontrast me fushatat e zjarrta të konkurrentëve të tij.

Përparim Rama — gjaku i ri i LDK-së

Ndryshe nga dy kundërshtarët e tij kryesorë për kryetar komune, deri në këto zgjedhje lokale Përparim Rama nuk ka qenë kurrë pjesë e një strukture partiake dhe nuk ka shërbyer në ndonjë punë qeveritare. Kur kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku shpalli kandidaturën e arkitektit dhe fillestarit politik në fund të majit, nuk ishte befasi. Vetë Abdixhiku sapo kishte marrë drejtimin e partisë në mars pas humbjes dërrmuese të LDK-së në zgjedhjet qendrore.

I ngarkuar me rindërtimin e imazhit publik të partisë më të vjetër në Kosovë, ka punuar që të sjellë fytyra të freskëta për t’i zëvendësuar figurat e vjetra të LDK-së, të cilët shihen si përgjegjës për rënien e fundit të partisë, veçanërisht faktin se e tjetërsuan politikanen e tyre më të njohur, presidenten Vjosa Osmani, e cila u nda për t’u bashkuar me përkrahësit e saj për t’u bashkuar në koalicion me VV-në në zgjedhjet qendrore.

Edhe pse emri i tij është i ri në politikën e Kosovës, ai ka një karrierë të ndërtuar ndërkombëtarisht në botën e arkitekturës dhe dizajnit të brendshëm. Në vitin 1992, vetëm 16 vjeç, u shpërngul në Britani të Madhe, ku përfundoi studimet Bachelor dhe Master në arkitekturë. Aty hapi firmën e tij të arkitekturës me bazë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2004, e cila ka fituar një numër çmimesh.

Arkivi i kampanjës elektorale të Ramës.

Ai u bë i famshëm në vend në vitin 2012 kur përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venecia me një ekspozitë të quajtur “Krijuesi i Filigranit”. Vetëm një vit më vonë ai dhe ekipi i tij fituan Çmimin e Parë në Çmimin Vjetor të World Interiors News në vitin 2013 për dizajnin e brendshëm të Hamam Jazz Bar në Prishtinë — një nga atraksionet më të spikatura të jetës së natës në Prishtinë për disa vite.

Emri i Ramës ishte përsëri në titujt vendor në vitin 2019 dhe 2020, megjithëse këtë herë ishte i lidhur me polemika. Firma e tij po planifikonte të ndërtonte një kompleks banimi prej 17 vilash në brigjet e Liqenit të Badovcit, një nga burimet kryesore të ujit të pijshëm të Prishtinës. Ndonëse komuna miratoi planet, projekti u përball me reagime të mëdha nga një grup i madh banorësh dhe ambientalistësh që kishin frikë se ndërtimi mund ta rrezikonte furnizimin me ujë të qytetit.

Projekti përfundimisht u anulua nga Abdixhiku, i cili ishte ministër i infrastrukturës gjatë qeverisë së parë të Kurtit. Abdixhiku tha se vendimi ishte rezultat i synimit të qeverisë për t’i mbrojtur burimet natyrore dhe për t’i dhënë zë aktivizmit qytetar. Pas fillimit të fushatës së tij për kryetar komune, Rama përsëri argumentoi se projekti ishte ligjor dhe miqësor për mjedisin.

Në daljet e tij televizive Rama ka thënë se madhështia e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me shumë kupa, pranë vendit ku u rrit në lagjen qendrore të Ulpianës, ishte shkëndija që e çoi ta studionte arkitekturën. Biblioteka, tha Rama, “tregon karakterin e Prishtinës, të Prishtinalisë, të dikujt që ka besim, që është inovator, dhe i shtyn gjërat përpara, që beson se mund të jetë unik, se mund të jetë ndryshe — ky mendoj se është karakteri i Prishtinës”.

Rama po përpiqet t’i fitojë përsëri prishtinalitë, ata që dikur përbënin bazën e LDK-së.

Komenti reflekton një temë qendrore në retorikën e tij të fushatës, një theks në rrënjët e tij në qendrën e Prishtinës. Në veçanti, ky apel për prishtinalitë është një apel për banorët e vjetër të qytetit të cilët ishin historikisht baza e LDK-së para se besnikëria e qytetit të kalonte tek VV-ja në vitin 2013. Termi nuk i referohet banorëve të Prishtinës në përgjithësi, por përkundrazi, me turqishten e saj prapashtesa mbiemërore, për njerëzit me rrënjë më të thella në qytet, për familjet që ishin tashmë të mirënjohura në qytet para viteve 1990 dhe shpërthimit të popullsisë së pasluftës drejt kryeqytetit.

Janë këta njerëz që dikur përbënin bazën e LDK-së, prishtinalinë, të cilin Rama po përpiqet ta josh përsëri me premtimet e tij për ta bërë kryeqytetin të shkëlqejë, me mistikën e tij të urbanizmit ndërkombëtar dhe me kredon e tij në skenën e artit dhe kulturës vendase.

Në intervistën e tij të parë të fushatës, Rama tha se është “apolitik”, nuk është anëtar i LDK-së dhe nuk e identifikon veten me asnjë parti apo ideologji politike. Por, ka në plan ta drejtojë një burokraci komplekse të qytetit, të mbushur me ndarje politike, si një urbanist dhe idealist, jo si politikan. Planet madhështore, në vend të detajeve të drejtimit të aspekteve të përditshme dhe të thjeshta të një qyteti kompleks dhe konfuz, janë fokusi i tij.

Platforma e tij përqendrohet në tri “P”: Prishtina Praktike, Prishtina e Pastër dhe Prishtina e Përjetimeve.

Prishtina Praktike i referohet ndryshimeve në infrastrukturën e qytetit që nga arsimi dhe shëndetësia deri tek problemet e parkimit dhe siguria në rrugë. Por fokusi kryesor është ëndrra e tij për ta ridefinuar Sheshin Nënë Tereza, për ta shtrirë atë në pjesën më të madhe të Prishtinës qendrore dhe për ta rritur qasjen e këmbësorëve në këtë zonë nga lagjet përreth.

Ky ridefinim i qendrës së qytetit ka për qëllim ripërcaktimin e hierarkisë së trafikut, duke i prioritizuar këmbësorët, pastaj transportin publik dhe në fund makinat.

Prishtina e Pastër fokusohet në infrastrukturën e lëvizshmërisë së gjelbër, duke synuar rritjen e shtigjeve të ecjes dhe qasjen për personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu, thekson lidhjet e transportit publik me fshatrat dhe qytetet e afërta dhe përfshin projekte të menaxhimit dhe riciklimit të mbeturinave.

“P”-ja e fundit e programit të tij, Prishtina e Përjetimeve, fokusohet në jetën kulturore të qytetit. Krahas ideve të tjera rreth transformimit kulturor, Rama premton se qyteti do të ketë një orkestër, një teatër të ri, galeri arti dhe një sallë ngjarjesh shumë-funksionale.

Uran Ismaili — humbësi entuziast i PDK -së

Më shumë se cilido kandidat tjetër, Uran Ismaili ka treguar me entuziazmin e tij gjatë gjithë fushatës se me të vërtetë dëshiron të jetë kryetar komune. Në përpjekje për t’ia larguar pluhurin PDK-së konservatore, fushata e tij ka bërë më së shumti përpjekje për të dalë me ide inovative.

Ismaili ka hedhur një mori idesh trendi në takime të vogla personale në pothuajse çdo lagje të qytetit. Në videot e vizitave të tij me banorët e vjetër të Prishtinës apo rreth një kamp zjarri me vrapuesit e Gërmisë, po përpiqet ta tregojë anën llafazane dhe spontane. Po i sillet përreth qytetit me një trotinet elektronik si pjesë e një qasjeje eko-miqësore, dhe po bën podkaste që ta shpërndajë entuziazmin dhe pozitivitetin e tij kudo në mediat sociale.

Metoda e tij aktive dhe personale e fushatës dhe energjia e tij e bollshme janë aq të dallueshme saqë ai është shndërruar në meme. Ai e di këtë, dhe madje i referohet në postimet e tij në mediat sociale.

Foto: Arkivi i kampanjës elektorale të Ismailit.

Përkundër gjithë kësaj energjie pozitive dhe përqëndrimit në ide të reja, Ismaili përballet me një betejë të vështirë në Prishtinë. Problemi i tij është se ai është një njeri i PDK-së deri në palcë, një parti që jo vetëm ka mbështetje të kufizuar në Prishtinë, por parti që shumë në Prishtinë praktikisht e përkufizojnë veten si kundërshtarë të saj.

Nuk është çfarëdo kandidati i PDK-së. Ismaili, i lindur në Prishtinë në vitin 1979, iu bashkua partisë në vitin 2007. Që atëherë ai ka qenë shtyllë e partisë. Në vitin 2013 fitoi famë kur u bë shef i stafit të Kadri Veselit, dhe fuqia e tij në parti vetëm po shkon e rritet që nga ajo kohë; në vitin 2016, Veseli e prezantoi Ismailin në publik si nënkryetar të PDK-së.

Ngritja e Ismailit vazhdoi në vitin 2017 me postin e ministrit të shëndetësisë, një pozitë që e mbajti derisa kundërshtari i tij tani, Arben Vitia, e mori pushtetin në mars të vitit 2020. Në këtë pozitë, si ministrat e tjerë para tij, nuk arriti të bëjë reforma kuptimplote në sistemin shëndetësor.

Po ashtu ai pati histori të deklaratave të rreme në lidhje me veprimet e tij, të tilla si pohimet në vitet 2018 dhe 2019 se procesi për krijimin e Fondit të shumëpritur të Sigurimeve Shëndetësore ishte i përfunduar. Fondi ende nuk është krijuar.

Që nga maji i vitit 2019 kur Ismaili u bë kryetar i degës së PDK-së për Prishtinën, është përpjekur ta ripërkufizojë marrëdhënien mes kryeqytetit dhe partisë së tij. Mirëpo, e di se po fillon me disavantazh në garën për kryetar komune dhe se do t’i duhet të punojë dy herë më shumë se të tjerët për ta fituar besimin. Fushata e tij e etur e reflekton këtë fakt.

Fushata e Ismailit, “Prishtina na bashkon”, është përqëndruar në ringjalljen e hapësirës publike të qytetit. Në videot e fushatës intervenon në të gjithë qytetin duke rregulluar stola, duke vendosur koshe të mbeturinave dhe duke lyer fusha sportive, duke dhënë një shije të ndryshimeve të mëdha që i parashikon. Edhe këto kanë shkaktuar zhurmë. Në një video fushatë kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, tifoz i projekteve të çuditshme të rinovimit urban, shfaqet për ta kaluar natën në apartamentin e Ismailit dhe gruas së tij në Prishtinë dhe për t’ju bashkuar në ndërhyrjet urbane. Në video ata diskutojnë sfidat e qytetetit dhe Ismaili pranon mbështetjen implicite të kryebashkiakut të njohur të Tiranës.

Me gjithë energjinë pozitive dhe përqendrimin në idetë e reja, Ismaili përballet me një betejë të vështirë në Prishtinë. Shumë vendas praktikisht e përkufizojnë veten si kundërshtarë të PDK-së.

Megjithëse këto ndërhyrje janë diçka më shumë se marifete të PR-it, ato pasqyrojnë një pjesë të platformës së Ismailit, e cila premton të krijojë standarde minimale në të gjithë qytetin, që do të thotë gjëra të tilla si ndriçimi adekuat, rritja e numrit të pikave të grumbullimit të mbeturinave dhe mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirës rekreative.

Gjithashtu propozon projekte që tashmë janë inicuar nga administrata aktuale, siç është rinovimi i planifikuar i një shtëpie të kulturës në Llukar dhe përmirësimet tek tregu i Ulpianës. Po planifikon ta shndërrojë fabrikën e braktisur të tullave “Tulltorja” në një qendër kulture dhe inovacioni, diçka që tashmë është në proces si pjesë e bienales së artit Manifesta 2022.

Ashtu si kandidatët e tjerë, Ismaili e pranon se mbingarkesa e trafikut, ndotja e ajrit dhe shqetësimet ekologjike janë disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet qyteti. Platforma e tij përqendrohet në katër shtylla: trafiku, pastërtia, iniciativat e gjelbra dhe digjitalizimi.

Ai planifikon ta zvogëlojë numrin e makinave që vijnë në kryeqytet duke ndërtuar parkingje udhëtarësh në hyrje të qytetit që do të kenë itinerare të veçanta të autobusëve në qendër. Në të njëjtën kohë, premton se çdo familje në qytet do ta ketë një vend parkim të garantuar, si dhe ndërtimin e 100 kilometrave korsi biçikletash dhe autobusët të jenë falas për të gjithë.

Një nismë shtesë e gjelbër është propozimi i krijimit të një brezi të gjelbër nëpër qytet, që lidh zonat e gjelbra ekzistuese dhe ato të reja. Një pjesë qendrore e këtij plani është ndërtimi i një parku prej tetë hektarësh rreth stadiumit Fadil Vokrri, që nënkupton heqjen e ndërtesave ekzistuese në zonën përreth. Gjithashtu premton ta ndërtojë një qendër për trajtimin e plehrave dhe ta zbatojë riciklimin në të gjithë qytetin deri në vitin 2024.

Në aspektin digjital, Ismaili premton shërbime publike më efikase përmes digjitalizimit si dhe furnizimin e shkollave me kompjuterë dhe tableta si dhe futjen e lëndës së kodimit si pjesë e kurrikulës shkollore.

Edhe pse shanset e tij për të fituar mund të jenë të ulëta, ai ka paraqitur fushatën më bindëse ndonjëherë të të PDK-së në Prishtinë, një qytet thellësisht skeptik ndaj partisë së tij.

Imazhi i ballinës: K2.0.

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.