Pikëpamje | Media

Panelet veç me burra po normalizojnë pabarazitë

Nga , - 20.10.2021

Përbërja e emisioneve rreth zgjedhjeve tregon që mirëqenia e perspektivat e shumë grupeve vazhdojnë të përjashtohen.

Kosova sapo përfundoi zgjedhjet lokale të 17 tetorit.  Ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara – qofshin ato në nivel kombëtar apo lokal – debatet televizive u dominuan kryekëput nga burrat. Moderatorë, analistë, kandidatë për zgjedhje komunale që të gjithë të gjinisë mashkullore e dominuan hapësirën televizive për pothuajse gati një muaj fushatë. 

Përgjatë dy javëve ne kemi monitoruar shtatë emisione në televizione me frekuencë kombëtare prej ku na del se nga 279 panelistë të ftuar nëpër studio televizive në 66 emisione ‘prime time’, vetëm 37 prej tyre janë gra. Panelistët në këtë monitorim nënkuptojnë të ftuarit nëpër studio televizive: kandidatë për kryetarë komunash dhe analistë. Këtu nuk numërohen drejtuesit e emisioneve, të cilët ne mbi 90% të rasteve janë të gjinisë mashkullore. Të njëjtën pasqyrë e gjejmë edhe në ngjarjet, debatet dhe tryezat e rrumbullakëta të agjencive shtetërore dhe instituteve kërkimore e organizatave joqeveritare.

Shumica e analistëve, të cilët defilojnë nëpër studio televizive janë ish-eksponentë partiakë dhe dhe ish-këshilltarë të krerëve të vendit. Studiues të pavarur dhe profesorë universiteti janë shumë më të vogël në numër. Po ashtu, nuk ka diversitet etnik, gjë e rëndësishme për të kuptuar tensionet dhe ndasitë etnike në vend.

Çka do të thotë kjo për atë se si kuptohet politika dhe temat e rëndësishme në publik? Si fillim, përfaqësimi jo i balancuar gjinor jo vetëm reflekton karakterin e pabarabartë të shoqërisë por gjithashtu paraqet një pasqyrë jo reale të interesave dhe mendimeve të shoqërisë në përgjithësi. Nëse e gjithë hapësira televizive e emisioneve më të rëndësishme është e mbushur me analistë dhe politikanë burra, tek publiku i gjerë – e posaçërisht te vajzat dhe gratë – përçon idenë se politika si profesion, si veprimtari dhe temat politike në përgjithësi nuk janë fushë për gratë. 

Është e kotë dhe deri diku paradoksale të kritikohet mungesa e kandidateve gra për kryetare të komunave, kur gratë nuk shihen as nëpër studio televizive. Kështu në fakt, normalizohet mungesa e grave në politikë. Duke qenë hapësira homogjene burrash, shpeshherë gjatë debateve, në panelet mashkullore jo rrallëherë përdorën gjuhë denigruese dhe seksiste ndaj kandidateve gra. Për shembull, gjatë njërit prej emisioneve “Pressing”, nga një analist u tha dy herë në mënyrë përqeshëse se ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka lëshuar postin për të lindur fëmijë.

Për më shumë, një përfaqësim jo i barabartë gjinor, por edhe deri në një masë gjeografik dhe etnik – ngase analistët nëpër studio janë kryesisht nga disa komuna dhe u përkasin një etnie – ndikon në riprodhimin e një kulture të veçantë që shtyp mendimin ndryshe, fshehë problemet e përditëshme, dhe pamundëson ofrimin e alternativave politike. Duke qenë se përbërja e tanishme e panelistëve është kryekëput e përbërë nga elita socio-ekonomike e qendrës së Prishtinës, temat dhe problemet që trajtohen nuk i tejkalojnë preokupimet e tyre. Së këndejmi, diskursi dhe problematizimi që u bëhet temave nëpër debate prime time nuk është i njohur e as i lidhur me problemet e përditshme të qytetarëve të Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi, të cilët nuk bëjnë pjesë në vorbullën e vogël elitare të Prishtinës urbane.  

Problemi i përfaqësimit gjinor, socio-gjeografik, dhe deri në një masë etnik, sa është kulturor po aq është edhe i mungesës së nismave avokuese për të adresuar këtë problem.

Ndërkaq, përmbajtja e debateve në prime time në hapsirën televizive kosovare është e ngulfatur me tema ‘makro’ të politikës. Përpos zgjedhjeve të kohëpaskohshme, diskutohet kryesisht për marrëdhëniet gjeopolitike, kufij shtetërorë dhe administrativë, dialogimi në Bruksel, marrëdhëniet me SHBA. Si pasojë e kësaj, shumë tema dhe brenga reale të qytetarëve, grave, vajzave, dhe zonave periferike mbesin të harruara dhe injoruara. Pra, përfaqësimi i pabarabartë gjinor, socio-gjeografik, dhe entik imponon tema të caktuara dhe përjashton shumë tema tjera brengosëse për qytetarët duke filluar nga problemet me shpyllëzimin në rajonin e Dukagjinit apo të Podujevës si pasojë e ndërtimeve apo problemet me mungesën e theksuar të trotuareve dhe hapësirave për këmbësorë nëpër lagje të tëra në Mitrovicë e Gjilan.

Problemi i përfaqësimit gjinor, socio-gjeografik, dhe deri në një masë etnik, sa është kulturor po aq është edhe i mungesës së nismave avokuese për të adresuar këtë problem. Në vazhdimësi kemi vërejtur se problemi i përfaqësimit jo të balancur e ka prekur edhe sektorin e shoqërisë civile në Kosovë. Edhe pse nuk kemi pasur mundësi ta masim nivelin e përfaqësimit të balancuar, kemi parë shumë raste kur organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar ngjarje dhe konferenca vetëm me meshkuj. Ashtu si në rastin e medias, edhe në ngjarjet e shoqërisë civile, vihet re se për ‘temat e mëdha’, panelet dominohen kryesisht nga burrat. 

Prandaj, si hap i parë, OJQ-të dhe institutet kërkimore duhet ta marrin iniciativën dhe të vendosin se nuk do të organizojnë panele një-gjinore si dhe do të ofrojnë përfaqësim të barabartë socio-gjeografik dhe etnik. Duhet ndryshuar kultura dhe rregullat e brendshme organizative ku barazia gjinore, socio-gjeografike, dhe etnike në përfaqësim bëhet normë dhe pjesë e normales. 

Pjesëmarrja është privilegj dhe duhet përdorur për emancipim dhe jo përjashtim.

Si fillim mund të krijohen disa parime dhe secila organizatë dhe insititut t’i pranojë ato dhe të bëhen shembull që pastaj gradualisht edhe mediat dhe institucionet tjera publike të vijojnë. Këto parime në esencë do të synonin që ngjarjet publike, folësit dhe pjesëmarrësit e ftuar do të reflektonin pjesëmarrje dhe përfaqësim të balancuar gjinor, socio-geografik dhe etnik. Mund të krijohet një mekanizëm i veçantë që do të monitoronte dhe vlerësonte përfaqësimin e balancuar dhe do të krijonte një kulturë të re të kategorizimit dhe vlerësimit të organizatave sipas kriterit të përfaqësimit të balancuar. Më vonë sistem i ngjashëm i parimeve do të duhej të shtyhej përpara edhe në mesin e mediave dhe institucioneve publike. 

Krejt në fund, problemi i përfaqësimit gjinor, socio-gjeografik, dhe etnik mund të adresohet nga vetë analistët ku duhet të bojkotojnë ngjarjet publike apo emisionet mediale një-gjinore dhe insistojnë për përfaqësim të barabartë. Pjesëmarrja është privilegj dhe duhet përdorur për emancipim dhe jo përjashtim. Analistët dhe panelistet duhet të jenë të vetëdijshëm se duke marrë pjesë në debate dhe panele një-gjinore dhe pa përfaqësim të balancuar bëhen riprodhues dhe rojtar të pabarazisë. 

Mbase 21 komuna do të shkojnë balotazh, dhe se debati rreth zgjedhjeve lokale do të vazhdoj është një mundësi ideale për të promovuar përfaqësimin e balancuar. Demokracia nuk duhet matur vetëm me zgjedhje të rregullta, por mbi të gjitha me përfaqësim të balancuar. Panelistët nuk mund të vlerësojnë demokracinë duke qenë bashkëprodhues të praktivave që normalizojnë pabarazinë.

Imazhi i ballinës: K2.0.