Në thelb | Ballkan

Tenistë, spiritualistë dhe e djathta ekstreme

Nga - 28.10.2021

Lidhjet rajonale dhe globale të teoricienëve ballkanikë të konspiracionit anti-vaksinë.

“Kroacisë nuk i është nevojitur mbrojtja e Zotit asnjëherë më shumë se tani”, deklaroi pediatrja Nada Jurinčić nga një skenë në Trg Bana Jelačića.

Më 24 shtator, një protestë masive mblodhi njerëz nga i gjithë rajoni në sheshin kryesor të Zagrebit. Videot e protestës tregojnë njerëz duke i valëvitur flamujt kroatë pranë pankartave që shkruanin, “Nuk ka justifikim për këtë dhunë”. Dhuna në fjalë? Masat e shëndetit publik dhe vaksinat për Covid-in.

Jurinčić e filloi fjalimin e saj me një slogan nacionalist. “Zoti dhe kroatët!” (Bog i Hrvati!), thirri ajo, përpara se ta fillonte fjalimin e saj në të cilin masave të shëndetit publik iu referua si “krime të kryera si pjesë e plan-betejës së koduar me emrin Covid-19”, duke shtuar se pandemia është gënjeshtër. Autorët e kësaj gënjeshtre janë, sipas Jurinčić, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Partia Komuniste Kineze.

E përmbylli fjalimin e saj me fjalët: “Jemi në luftë!” Fjalimi ka mbi 90,000 shikime në Youtube, por edhe më tepër nëse përfshihen platforma të tjera.

Protesta u quajt “Festivali i Lirisë” dhe u organizua nga iniciativa “Të Drejtat dhe Liritë” (Prava i slobode), e themeluar në vitin 2020 si përgjigje ndaj masave rreth Covid-19 në Kroaci. Ngjarje të ngjashme po ndodhin edhe në vende të tjera të rajonit. Disa, si ato në Slloveni, janë bërë edhe të dhunshme.

Gjatë protestave anti-vaksinë në të gjithë rajonin, pjesëmarrësit shpesh i fajësojnë mediat. Në një nga posterët nga Zagrebi shkruhet: “Vaksina më e mirë kundër Covid-it – butoni i kuq i telekomandës”. Foto: Pamje nga Festivali i Lirisë në Zagreb.

Aleksej Kišjuhas, sociolog serb, i përshkruan anti-vaksinuesit rajonalë si “individë të karakterizuar nga një sfond relativisht konservator i krahut të djathtë”.

“Ata i shohin vaksinat si një lloj ndërhyrjeje të panatyrshme ose të ndyrë nga fuqitë dhe korporatat liberale të botës, gjersa trupin e tyre e konsiderojnë si një tempull”, tha Kišjuhas.

Ballkani si rajon ka një nga shkallët më të ulëta të vaksinimit kundër Covid-19 në Evropë. Serbia, Kroacia dhe Sllovenia janë afërsisht mes 40 dhe 50%; Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova ndërmjet 30 dhe 40%; Shqipëria është pothuajse në 30% dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk ka arritur as 20% të vaksinimit.

Influencuesit anti-vaksinë

Ndonëse Facebook dhe platformat e tjera të mediave sociale kanë promovuar me krenari dhe publikisht strategjinë e tyre të moderimit të përmbajtjes për reduktimin e dezinformatave rreth Covid-it, një raport i brendshëm i Facebook-ut që u zbulua kohët e fundit paralajmëroi se “Aftësia jonë për t’i zbuluar komentet e hezitimit ndaj vaksinës është e dobët në gjuhën angleze dhe faktikisht nuk ekziston në gjuhët tjera”. Në të gjithë rajonin, idetë kundër vaksinës dhe teoritë konspirative rreth Covid-it gjejnë terren pjellor në mediat sociale, të cilat kanë pak sanksione apo moderim.

Një nga llojet e platformave ku përhapen këto ide është kanali Bujica në Youtube, i cili ka mbi 50 mijë abonentë. Udhëheqësi i kanalit, Velimir Bujanec, është një personazh publik i ekstremit të djathtë me dosje kriminale në Kroaci për posedim kokaine dhe pagesë për seks me kokainë. Gjithashtu, ai ishte fotografuar në vitet 1990 i veshur me uniformë naziste.

Në të gjithë rajonin, idetë kundër vaksinës dhe teoritë konspirative rreth Covid-it gjejnë terren pjellor në mediat sociale, me pak sanksione ose moderim.

Bujanec intervistoi Nada Jurinčić në një nga episodet e tij, episod i cili u verifikua për fakte nga mediumi kroat Faktograf dhe gjeti se kishte një sërë pretendimesh të rreme. Siç ndodh shpesh, artikulli i verifikimit të fakteve merr shumë më pak shikime sesa mbi 200,000 shikime që morën pretendimet e rreme origjinale.

Një figurë tjetër e njohur në mesin e anti-vaksinuesve në rajon është Semir Osmanagić, një “hulumtues shpirtëror” boshnjak i cili argumentoi se Majat ishin pasardhës të një race alienësh nga hapësira dhe se Hitleri u arratis në një bazë nëntokësore në Antarktidë pas Luftës së Dytë Botërore. Osmanagić doli me një video në protestën e Zagrebit në të cilën tërhoqi paralele në mes persekutimit të hebrenjve nga Gjermania naziste dhe masave Covid-19. Pretendimi se anti-vaksinuesit janë ekuivalenti i ditëve moderne të hebrenjve nën Gjermaninë naziste është një ligjërim i shpeshtë në diskursin ndërkombëtar anti-vaksinë.

Semir Osmanagić, një “hulumtues shpirtëror” nga Bosnja, predikon kundër masave Covid në median e tij sociale që ndiqet nga dhjetëra mijëra njerëz. Foto: Pamje nga Festivali i Lirisë në Zagreb.

Osmanagić është më i njohur si krijuesi dhe nxitësi i teorisë se një sërë kodrash në Visoko të Bosnje dhe Hercegovinës janë pjesë e kompleksit piramidal 12,000-vjeçar të krijuar nga njeriu. Pavarësisht se nuk ka prova arkeologjike për këtë pretendim, zbulimi i supozuar tani është një biznes i madh; “Piramidat Boshnjake” në Visoko janë kthyer në një atraksion të madh turistik.

Së fundmi ai i ka kthyer kanalet e tij në media sociale në burime të keqinformimit rreth Covid-it dhe vaksinave, përfshirë edhe pretendimet se piramidat e supozuara në Visoko kanë efekte shëruese ndaj koronavirusit. Pretendimet e tij u nxitën nga vizitat e spikatura të personazheve të famshëm si ylli serb i tenisit dhe skeptiku i vaksinës Novak Djoković, i cili vizitoi këtë vend në vjeshtën e vitit 2020 dhe tërhoqi edhe më vëmendje dhe turistë në Visoko dhe Bosnjë, ku masat kundër Covid-19 zbatohen dobët.

Bosnja ka shkallën më të ulët të vaksinimit kundër Covid në Evropë dhe një nga shkallët më të larta të vdekjeve nga COVID për kokë banori në botë.

Ndoshta lëvizja më ekstreme anti-vaksinë në rajon ka qenë në Slloveni, ku në fillim të këtij viti u zhvilluan protesta të dhunshme. Thirrja kryesore e protestës kishte të bënte me vdekjen e një vajze 20-vjeçare, e cila vdiq nga hemorragjia në tru, që dyshohet se ishte shkaktuar nga vaksina Johnson&Johnson. Rreth dhjetë mijë njerëz u mblodhën në Lubjanë ku marshuan në qendër të qytetit dhe bllokuan daljet e autostradave.

Qeveria iu përgjigj protestave me kufizime të mëdha për të drejtën e tubimeve publike. Përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, qeveria për herë të parë në histori aktivizoi nenin 9 të ligjit për detyrat dhe kompetencat e policisë, duke kufizuar lëvizjen e njerëzve në vende publike. Kur protestuesit kundër vaksinës u mblodhën pavarësisht kufizimeve, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji në pjesëmarrësit.

Mediat Sociale

Përkundër fillimit të vonë, Kosova së fundmi i ka arritur vendet fqinje sa i përket shkallës së vaksinimit kundër Covid. Fushata e vaksinimit filloi në fund të marsit me kryeministrin Albin Kurti duke marrë publikisht dozën e parë të një kontingjenti të vaksinave AstraZeneca. Pavarësisht sukseseve të fundit të vendit në vaksinim, protestat dhe komplotet anti-vaksinë po përhapen edhe në Kosovë. Një person i zëshëm në botën online kosovare kundër vaksinave është Arianit Sllamniku, mësues i gjuhës gjermane.

“Mediat sociale luajnë rol të madh kur bëhet fjalë për teoritë e konspiracionit rreth vaksinës dhe vendimit të njerëzve për t’u mos u vaksinuar”.

Valjeta Kosumi, gazetare.

“Unë dhe familja ime nisëm protestat sepse nuk u pajtuam me vendimin e qeverisë për hapjen e palestrave dhe kafeneve kurse objektet arsimore të mbahen të mbyllura”, tha Sllamniku. Ai filloi të protestojë në shtator dhe që atëherë ka udhëhequr tri protesta, asnjëra prej të cilave nuk ka tërhequr pjesëmarrje të madhe.

“Përmes postimit që kam bërë në Facebook për protestat në Prishtinë, njerëzit filluan të më mbështesin dhe na u bashkuan”, tha Sllamniku.

Arianit Sllamiku me familje organizoi protesta kundër masave ndaj Covid-it në Prishtinë. Foto: Arkivi i Arianit Sllamnikut.

Njerëz me mendime të përbashkëta krijuan grupin në Facebook të quajtur “Qytetari i Lirë”, i cili ka mbi 600 anëtarë. Facebook së fundmi e bllokoi Sllamnikun për dhjetë ditë për shpërndarjen e postimeve lidhur me vaksinat që shkelin politikat e dezinformimit të platformës së mediave sociale.

Gazetarja kosovare Valjeta Kosumi sheh një problem të madh në rrjetet sociale.

“Mediat sociale luajnë rol të madh kur bëhet fjalë për teoritë e konspiracionit rreth vaksinës dhe vendimit të njerëzve për t’u mos u vaksinuar”, tha Kosumi. Sipas saj, dy teori të shpeshta konspirative kanë të bëjnë me mikroçipet e supozuara në vaksina dhe besimin se vaksinat ndikojnë negativisht në fertilitet. Ajo ka parë këso argumente shpesh tek rubrikat e komenteve të lajmeve të përditshme të postuara në rrjetet sociale.

Youtube së fundi njoftoi se do t’i heqë videot dhe kanalet që lidhen me përmbajtje anti-vaksinë, por sfidat e Facebook-ut për t’i menaxhuar përmbajtjet jo-anglisht të internetit vënë në dyshim nëse ky vendim do të ketë efekte në rajon.

Pasi u bllokua disa herë, Sllamniku ka nisur të mendojë platforma tjera të rrjeteve sociale. “Telegram është një nga platformat e tjera alternative që nuk i ka kufizimet që i zbatohen në Facebook apo Twitter”, tha ai.

Zoran Stevanović, një nga organizatorët kryesorë të protestave në Lubjanë, në vend që t’i drejtohet Telegramit, ka formuar një parti të re politike të quajtur Resnica, që do të thotë “E vërteta”. Stevanović është ish-zyrtar policor, biznesmen dhe anëtar i partisë nacionaliste të ekstremit të djathtë, Partisë Kombëtare Sllovene.

“Ne jemi qeverisur për 30 vjet nga i njëjti projekt, një politikë destruktive e korrupsionit dhe një politikë e ndarjeve të rreme që i ndan njerëzit”, tha Stevanović për K2.0.

Stevanović e ka quajtur pandeminë “projekt kriminal” dhe është arrestuar në dy raste për nxitje. Përkundër kësaj, Stevanović arriti të takohet me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, ku bëri një sërë kërkesash nxitëse. Pahor e mbajti takimin shkurt.

Stevanović së fundmi u fotografua me Ivan Vilibor Sinčić, deputet kroat i Parlamentit Evropian dhe anti-vaksinues i zëshëm. Anti-vaksinuesit kroatë dhe sllovenë kanë bashkëpunuar përtej kufijve, qartazi edhe në mediat sociale; shumë grupe sllovene anti-vaksinë në Facebook vendosin përditë titra serbo-kroate në përmbajtjet e tyre dhe mesazhe mbështetëse tek seksioni i komenteve mund të shihen nga i gjithë rajoni.

Shënjestrimi i mediave

Nuk janë vetëm prodhuesit e vaksinave, Kina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë që janë në listën e armiqve proverbial të anti-vaksinuesve; shumica gjithashtu e kanë në sy edhe median median. “Mediat kryesore të regjimit po na bllokojnë, ose po raportojnë negativisht për ne”, u ankua Stevanović.

Damjana Bakarič, dikur gazetare në Slloveni, dhe tani një “hulumtuese e psikologjisë, emocioneve dhe shpirtit njerëzor”, u bën thirrje njerëzve të mos i ndjekin mediat kryesore. “Jemi ngulfatur nga ky bullizëm dhe energji negative e prodhuar nga media”, tha ajo, duke shtuar se “elita grabitqare globale është fajtore për pandeminë”.

Qeveria e krahut të djathtë në Slloveni përdori aktivitetet e anti-vaksinuesve për ta frenuar lirinë e grumbullimit dhe për ta përdorur forcën kundër protestuesve. Foto: Arkivi i Gorazd Rečnik.

Gjatë protestave në Lubjanë, protestuesit sulmuan transmetuesin publik dhe shumë gazetarë kanë raportuar se janë sulmuar gjatë protestave.

Në përgjigje të akteve të tilla, Shoqata e Gazetarëve Sllovenë lëshoi një deklaratë duke thënë: “U bëjmë thirrje të gjithëve që të respektojnë punën e gazetarëve në terren dhe të mos i kërcënojnë ata”.

Sipas Aleksej Kišjuhas, ka arsye nga më të ndryshmet se pse njerëzit u bashkohen lëvizjeve anti-vaksinë.

Media ishte gjithashtu shënjestër e protestave në Zagreb, ku Anita Šupe, anëtare e iniciativës për të Drejtat dhe Liritë, zymtë tha se, “mediat kryesore po e mbulojnë të vërtetën, shtrembërojnë të vërtetën dhe po na frikësojnë. Po i mbajnë njerëzit brenda injorancës dhe frikës që t’i manipulojnë”.

“Lëvizja anti-vaksinë nuk është një lëvizje e organizuar dhe e unifikuar, por është një ideologji e përhapur heterogjene që përhapet si zjarr i egër pasi që godet aty ku njerëzit janë më të dobët – emocionet”, shpjegoi mjeku serb Srđan Lukić, i cili shpesh ngre shqetësimet e tij rreth anti-vaksinuesve në rajon.

Sipas Aleksej Kišjuhas, ka arsye nga më të ndryshmet se pse njerëzit u bashkohen lëvizjeve anti-vaksinë dhe se hulumtimi tregon se ka arsye të ndryshme pse njerëzit i refuzojnë vaksinat apo hezitojnë t’i marrin.

“Disa njerëz janë të painformuar ose të keqinformuar”, tha Kišjuhas, “disa kanë frikë nga efektet anësore ose gjilpërat, disa nuk kanë besim në sistemin shëndetësor apo qeverinë dhe më pas ka disa që vërtet besojnë në teoritë konspirative, mikroçipet ose në ‘farmako-mafian’”.

Ai thekson se proceset e ndërtimit të identitetit dhe komuniteteteve janë thelbësore për të kuptuar se si formohen dhe mbahen grupet anti-vaksinë.

“Njerëzit shpesh krijojnë opinione të ndikuara nga individë të respektuar ose njerëz të cilëve u besojnë brenda rrjeteve sociale personale”, tha Kišjuhas. “Nëse këta individë janë anti-vaksinues, ata do të ngrenë dyshime rreth vaksinave tek shumë persona”.

Imazhi i ballinës: Arkivi i Arianit Sllamnikut.

 

 

Ky artikull është mundësuar me mbështetjen financiare të “Trustit Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.

  • 02 Nov 2021 - 03:08 | nivito:

    Uitstekend artikel, heel erg bedankt voor je harde werki echt zoals deze weblog in die mate, nivito

  • 02 Nov 2021 - 03:07 | nivito:

    Ik heb hier goede berichten gevonden. Ik ben dol op de manier waarop je schrijft. Leuk! Ik hou echt van je mode. Superactiviteit!,

KOMENTO