Filmi “Quo Vadis, Aida?” i Jasmila Žbanić, i nominuar për filmin më të mirë evropian nga Akademia Evropiane e Filmit në vitin 2021, po ashtu edhe për Oscar dhe dy çmime BAFTA, është një vepër arti e vlerësuar globalisht për të vërtetën historike, përgjegjësinë institucionale, empatinë dhe kujtesën kolektive. Por mbi të gjitha është vepër kushtuar lirisë, dinjitetit njerëzor dhe dashurisë për jetën.
Aida Selmanagić (Jasna Đuričić), personazhi kryesor i filmit, është përkthyese e Kombeve të Bashkuara në qytetin e vogël të Srebrenicës, në Bosnjën lindore. Žbanić na ofron mundësinë t’i huazojmë sytë e Aidës për pak kohë dhe ta dëshmojmë përmes saj mizorinë më të tmerrshme të kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore: atë të gjenocidit në Bosnje, që kulmoi me masakrën e Srebrenicës.
Mes 11 dhe 22 korrikut të vitit 1995, forcat e armatosura të Republika Srpska të kohës së luftës, nën komandën e Ratko Mladić, vranë 8,372 djem dhe burra boshnjakë. Mladić u dënua në vitin 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Spastrimi etnik kundër popullatës boshnjake u krye nën mbikëqyrjen e OKB-së. Filmi i Žbanić-it e sjell profesionalisht këtë fakt historik në ekrane anembanë globit.
Shndërrimi në bashkëpunëtorë
Gjatë tërë filmit, Žbanić i portretizon ushtarët e OKB-së në një formë simbolikisht të pasur. Kamera na ofron një portret të plotë të trupit. Mund ta vërejmë se krahët dhe këmbët e tyre janë të zhveshura. Janë të ekspozuar, ashtu siç u ekspozua (më vonë) se prania e tyre në Srebrenicë u kishte shërbyer kryesisht Ratko Mladić-it dhe njerëzve të tij.
Ushtarët e OKB-së duken djaloshar, të pasigurt, të mërzitur nga situata dhe të paaftë që ta përballojnë atë. Kur më në fund vendosin të veprojnë, bëhen bashkëpunëtorë të Mladić-it.
Mund ta shohim se si të gjithë civilët që supozohej të mbroheshin nga OKB-ja u dorëzohen forcave serbe, të cilat menjëherë fillojnë t’i ndajnë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gjersa gratë dhe fëmijët po vendoseshin në autobusë për t’u transportuar në një vend të sigurt, një ushtar i OKB-së tregon një të ri që fshihej nën shami në radhën e grave, duke u përpjekur t’i shpëtojë grupit të vdekjes. Atë e largojnë nga rreshti dhe e dërgojnë t’u bashkohet burrave, dhe kështu vdekjes së tij.
Roli mbrojtës i OKB-së në Srebrenicë ishte një maskaradë; nuk bënë asnjë përpjekje serioze për t’i ushtruar detyrat e tyre si paqeruajtës.
Skena paraqet qasjen reale të OKB-së në Srebrenicë. Edhe në momentet kur OKB-ja në fakt mund të kishte ofruar ndihmë, kishte refuzuar. Indiferentë ndaj urgjencës dhe rrezikut për jetë a vdekje, ata dërgojnë bashkëshortin dhe dy djemtë e Aidës — Nihad, Hamdija and Sejo Selmanagić — në grupin e vdekjes duke refuzuar ta kryejnë një detyrë të thjeshtë: vendosjen e emrave të tyre në një fletë letre me anëtarët e tjerë të objektit të OKB-së.
Refuzuan ta evakuonin një familje të vetme. Nuk ua lejonte burokracia.
Cila burokraci? E njëjta burokraci që po i shijonte pushimet e tyre dhe kështu dështoi të vepronte kur Mladić shkeli një ultimatum të OKB-së. E njëjta burokraci e përfaqësuar nga koloneli Karremans dhe majori Franken nga batalioni holandez i OKB-së që lejoi forcat e armatosura serbe të hynin në objektin e OKB-së dhe t’i kërcënonin civilët tërësisht të pambrojtur para se t’i vrisnin më pas. Rregullat mund të shkeleshin lehtësisht, siç dëshmon audienca, por asnjëherë për mbrojtjen e jetëve të pafajshme.
Aida bëhet përfaqësim i përvojës kolektive të njerëzve të Srebrenicës të dashurit e të cilëve u morën me dhunë nga ta.
Roli mbrojtës i OKB-së në Srebrenicë ishte një maskaradë; nuk bënë asnjë përpjekje serioze për t’i ushtruar detyrat e tyre si paqeruajtës. Duke i vendosur në qendër të vëmendjes veprimet e tyre, Žbanić tregon se OKB-ja nuk ofroi asnjë ndihmë sepse thjesht nuk dëshironte.
Filmi tregon mungesën e vullnetit dhe paaftësinë e fuqive të huaja dhe OKB-së për të vepruar shpejt dhe me empati kur jetët janë në rrezik. Gjithashtu tregon se strukturat si OKB-ja shpesh udhëhiqen nga interesa politike që nuk kanë të bëjnë fare me të drejtat e njeriut, siç thotë edhe vetë Žbanić.
Përmes syve të Aidës
Ndoshta skena më e fuqishme në film është kur Aida bie në gjunjë dhe i lutet majorit Franken që të paktën ta kursejë njërin nga djemtë e saj, pasi provoi gjithçka për ta mbrojtur tërë familjen e saj.
Aida bëhet përfaqësimi i përvojës kolektive të njerëzve të Srebrenicës, veçanërisht grave të vendit, nënave, vajzave, mbesave, dashnoreve, miqve të dashurit e të cilëve u morën me dhunë nga ta. Ata janë njerëzit që vazhdojnë ta ruajnë kujtimin e të dashurve të tyre dhe që e kanë brendësuar tashmë këtë traumë historike, dështimin e qytetërimit në zemër të Evropës.
Aida gjithashtu mishëron shpirtin e atyre që ende jetojnë me shpresën se djemtë dhe burrat e tyre, vëllezërit dhe kushërinjtë e tyre, mund të shfaqen ende të gjallë në derë të hyrjes, edhe pas 26 vitesh mungese.
Në të njëjtën kohë, përmes Aidës, bëhemi dëshmitarë të përvojës së popullit të Bosnje-Hercegovinës në vitet e 90-ta dhe pjesëve të tjera të asaj që dikur ishte Jugosllavi, të cilat u shpërfytyruan nga fashizmi, urrejtja dhe luftërat që mund të ishin parandaluar.
Sytë e Aidës së Jasna Đuričić, që shikojnë drejt e në kamerë, prapa gardhit të objektit të OKB-së, derisa forcat serbe i marrin civilët, ndoshta është një nga pamjet më të fuqishme dhe më të mprehta në historinë e kinematografisë. Vështrimi i saj është aq magjepsës saqë në ato pak sekonda përjetojmë një valë frike, zemërimi dhe etje për përgjigje, një nevojë për drejtësi.
Regjisorë si Jean-Luc Godard, David Fincher e të tjerë kanë thyer murin e katërt duke iu drejtuar drejtpërdrejt publikut, qoftë për të vënë në pah artificialitetin e mediumit apo monologun e brendshëm të personazheve. Žbanić krijon lidhje mes personazhit dhe audiencës përmes heshtjes, dhe jo për ta theksuar virtualitetin e kinemasë, por edhe fuqinë e saj për të shtyrë përpara të vërtetat. Duket sikur sytë e Aidës na pyesin: “A po e sheh atë që po shoh unë? Dhe nëse po, a do të mund përsëri të qëndroje i heshtur apo neutral?”
Lojë lufte burrash
Filmi vjen në një kohë kur mohimi i gjenocidit po lulëzon në Serbi, si në nivelin institucional ashtu edhe në disa pjesë të shoqërisë së përgjithshme. Vjen në një kohë kur shovinizmi i qeverisë serbe vazhdimisht e prish paqen në rajon, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Vjen në një kohë kur Akademia Suedeze dekoron një mohues të gjenocidit dhe mbështetës të Milošević-it si Peter Handke me çmimin më të lartë në letërsi.
“E vërteta e trishtueshme”, siç ka shkruar Hannah Arendt, “është se shumica e të keqës bëhet nga njerëz që nuk e ndajnë mendjen kurrë të jenë të mirë apo të këqij”. Shtrembërimi i informacionit që po ndodh jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë, ku gjenocidi vihet në dyshim ose reduktohet në një “keqkuptim të së kaluarës“, mund të na çojë në një përsëritje të asaj që nuk duhet të lejojmë kurrë të përsëritet: në dështimin e njerëzimit, siç u bë Srebrenica fatkeqësisht. Refuzimi për të marrë anë në këtë çështje u ndihmon vetëm autorëve dhe trillimeve të tyre historike.
Žbanić sigurohet që ta portretizojë Aidën jo si viktimë, por si një të mbijetuar.
“Quo Vadis, Aida?” nuk është vetëm film brilant për luftën dhe pajtueshmërinë, por edhe një film feminist. Sipas fjalëve të vetë Jasmila Žbanić: “E shoh luftën si një lojë mashkullore. Gjithçka që dimë për luftën u krijua përmes vështrimit dhe pozicionit të mashkullit. Krejt çfarë dimë janë vetëm narrativa të fuqisë mashkullore të cilat u mbajtën nga burrat”.
Aida përfshihet në lojën mashkullore të luftës, por Žbanić, e cila e shoqëron besnikërisht gjatë pjesës më të madhe të shfaqjes së filmit, si një akt solidariteti dhe kujdesi, sigurohet që ta portretizojë Aidën jo si viktimë, por si një të mbijetuar. Aida është një grua e fuqishme. Veprimet e saj, qëndrimi i saj, fjalët e saj, tregojnë vetëm qëndrueshmëri. Žbanić ka arritur t’i japë asaj hapësirën ku ajo bëhet natyrshëm model për audiencën, që mund të identifikohet me guximin e Aidës për ta përballuar një barrë të padëshiruar.
Përveç tjerash, Jasmila Žbanić kujdeset për publikun po aq sa kujdeset për personazhet e saj. Ajo shfaqë ndjeshmëri ndaj traumave të njerëzve dhe ndërhyn për të na mbrojtur nga brutaliteti dhe keqinterpretimi i luftës, teksa na bindë për të keqen e saj të plotë.
Në duart e zhdërvjellta të Žbanić-it, vendimi për të mos e shfaqur asnjë nga vrasjet drejtpërdrejt në ekran, veçse e rritë më tepër, në vend se ta pakësojë ndikimin emocional të vrasjes së 8,372 njerëzve të pafajshëm. Ky vendim tregon edhe respektin e saj për përkujtimin e viktimave dhe familjeve të tyre.
Teksa shihja filmin e Žbanić-it, m’u rikujtuan kujtimet e Holokaustit “A është vallë njeri?” të Primo Levit. Çfarë shohim përmes Aidës në objektin e OKB-së, ku njerëzit mund ta shohin dhe t’i marrin erë njëri-tjetrit duke e lehtësuar veten në një cep të fabrikës, është ai lloj i degradimit të njerëzimit dhe reduktimi i njerëzve në instinktet e tyre bazike biologjike që Levi — një kimist hebre italian, shkrimtar dhe i mbijetuar i Holokaustit — shkroi.
“Pikërisht për faktin se [kampi] ishte makinë e madhe që të na reduktojë në kafshë, ne nuk duhet të bëhemi kafshë; që edhe në këtë vend njeriu mund të mbijetojë, dhe për këtë arsye duhet të dëshirojë të mbijetojë, ta tregojë historinë, të dëshmojë; dhe se për të mbijetuar duhet ta detyrojmë veten ta shpëtojmë të paktën skeletin, strukturën, formën e qytetërimit. Jemi bërë skllevër, të privuar nga çdo e drejtë, të ekspozuar ndaj çdo fyerjeje, të dënuar me vdekje të sigurt, por kemi ende një fuqi, dhe duhet ta mbrojmë atë me të gjitha forcat tona, pasi që është e fundit — fuqia për t’ua refuzuar miratimin tonë”, shkroi Levi.
"Quo Vadis, Aida?" kujdeset që t’u japë një fytyrë, një emër dhe një histori personale atyre që u vranë në Srebrenicë.
Ashtu si në kujtimet e Levit apo në filmin “Son of Saul“, Aida përpiqet të shkëputet emocionalisht, teksa në të njëjtën kohë preokupohet me gjithçka që ndodh rreth saj. Ajo krijon një mur mbrojtës duke e shmangur kontaktin me sy sa herë që ecën mes refugjatëve — fqinjëve, kolegëve, të njohurve të saj — të cilët kërkojnë dëshpërimisht ndihmën e saj. Lufta e saj për të mbijetuar, së bashku me familjen, bëhet më e madhe se dëshira për t’i ndihmuar të tjerët.
Tek “Son of Saul” i László Nemes, kjo bëhet një mjet mbijetese si për personazhin në film ashtu edhe për audiencën. Sauli, një Sonderkommando (të burgosur që u detyruan t’i asgjësonin viktimat e dhomës së gazit), ecën nëpër Aushvic me kokën ulur, duke e shmangur kontaktin me sy dhe trupat grumbulloheshin përreth tij. Përpjekja e të dyve, si e Saulit ashtu edhe e Aidës që të shkëputen nuk duhet të kuptohet si indiferencë apo paaftësi për ta përjetuar. Përkundrazi, është aftësia që të ndiejnë për së më tepërmi.
Kukafshehti historike
“Quo Vadis, Aida?” kujdeset që t’u japë një fytyrë, një emër dhe një histori personale atyre që u vranë në Srebrenicë, në mënyrë që 8372 të mos bëhet vetëm një numër tjetër në librat e historisë. Filmi ia lejon secilit prej 8372 burrave dhe djemve të jehojë në mendjet dhe shpirtrat tanë si individë të veçuar të cilët kanë dashur dhe janë dashur, që kanë ëndërruar dhe shpresuar për një botë e cila nuk punon drejt zhdukjes së saj.
Fashizmi nuk sjell gjë tjetër përveç zhdukjes.
Boshllëku që u krijua pas ngjarjeve në Srebrenicë është portretizuar në mënyrë prekëse nga imazhi i qytetit të braktisur vite më vonë, me rrugët e tij të zbrazëta e të mbuluara me borë. Megjithatë, filmi përfundon me një skenë jetike: fëmijët që vallëzojnë në një shfaqje shkollore. Teksa mbulojnë dhe zbulojnë vazhdimisht sytë me duart e tyre të vogla si pjesë e koreografisë, skena pohon se gjenocidi dhe brutalitetet e historisë nuk janë lojë kukafshehti; edhe pse disa mund të bëhen mohues të gjenocidit, e vërteta nuk mund të fshihet.
Në audiencë, si ata që e shkaktuan dhimbjen, ashtu edhe ata që e përjetuan atë ulen krah njëri-tjetrit, për tu përqendruar tek të rinjtë që, të pafajshëm dhe plot energji, duket se janë të etur që të ecin përpara. Por si mund të ecim përpara në një tokë ku u krye gjenocid? Quo vadis?
Ky film, mesazhet e tij të fuqishme dhe diskutimet që i provokon, është ndoshta fillim i mbarë, një mënyrë të ecim përpara duke mos harruar kurrë atë që qëndron prapa.
I jam thellësisht mirënjohëse Jasmila Žbanić-it, aktorëve dhe ekipës së filmit që na dhanë, me profesionalizëm dhe me ndjeshmëri, këtë vepër të fuqishme arti në momentin e duhur.
“Ekziston Aushvici dhe kështu nuk mund të ekzistojë Zoti”, pohoi Primo Levi. Nuk mund të di për Zotin, por di për drejtësinë dhe Srebrenica e meriton vendin e saj të drejtë si në histori ashtu edhe në ndërgjegjen tonë. E gjithë bota le ta njohë këtë histori. Triumfoftë në kohë kujtimi i atyre që na u vodhën.
Imazhi i ballinës: Pamje nga “Quo Vadis, Aida?”