Relacioni jem me Kosovën është goxha kompleks. Herë e du shumë, herë zemrën ma plasë.
Kjo besoj që ndodh për shkak të marrëdhënies toksike që e kemi me idetë e shtetit, të përkatësisë dhe shtëpisë.
Unë jom gjeneratë e mas-luftës. E për shkak që identiteti jonë është shtypë historikisht, neve na është mësu me e dashtë këtë pjesë të identitetit tonë –– me e dashtë vendin tonë, me e njoftë historinë edhe kontributin e të gjithëve. Po ashtu, na u ka vendos një barrë mbi supe, që ka edhe bazë pozitive –– për me e zhvillu vendin tonë, për me përparu Kosova e me i tregu botës për potencialin që ky vend i vogël e ka.
Kur jom në Kosovë, e du ma pak Kosovën. E di që tingëllon pak keq me e thanë këtë, ama nuk mundem me u ndi ma mirë kur çdo ditë i shoh dështimet e shtetit tem, sfidat e qytetarëve, bërllogun, kaosin e madh, varfninë e të tjera. Nuk mundem me u ndi ma mirë kur e shoh dëshirën e flaktë të njerëzve me ikë prej këtij vendi, kur e shoh klasën punëtore duke punu në kushte të dobëta veç për me mbijetu, kur i shoh gratë dhe grupet e tjera shoqnore t’u u shtypë e diskriminu sistematikisht.
Unë gjithmonë tentoj me dhanë kontribut për ndryshimin e këtyre rrethanave. Tentoj me folë me shoqëri, me shkrujtë, me protestu, me lobu e me avoku, me e ngritë zanin kundër padrejtësive. Po unë jom thjesht një pikë në oqean që kurrfarë ndikimi nuk ka. Madje, ka raste kur demoralizohna pikërisht për faktin që nuk shoh ndryshim në fenomenet, të cilat i luftoj çdo ditë.
Në anën tjetër, sa herë jom jashtë Kosovës, më merr malli shumë për të. Më merr malli edhe për gjanat ma të zakonshme, që kur të jem aty, hiç s’m’bajnë përshtypje. Me pasion ju flas të tjerëve për Prishtinën, për Kosovën.
Ju kallxoj se qysh jemi vend me shumë potencial, vend i bukur, i vogël, me ushqim shumë të mirë, kafet ma t’mira në Evropë, të rinj e të reja për mësysh, kulturë e art të jashtëzakonshëm, talente në sport e në çdo fushë. Ju kallxoj që kemi male të bukura, monumente historike të një historie të pasun e interesante. Ju kallxoj për mikpritjen, për flinë, për çajat e rusit. Ju kallxoj për gjithçka në këtë vend, sidomos për gjanat e mira.
Kështu, midis këtyre ndjenjave për Kosovën që dalin në sipërfaqe kohë mbas kohe, një mbetet aty vazhdimisht e që është andrra për ndryshim, andrra që në Kosovë njerëzit me u ndi të barabartë.
Përtej euforisë
Fakti që na kapë euforia e na shtohet dashnia për Kosovën veç në momente suksesi, është tejet problematik. Pra, patriotizmi, dashnia e dedikimi për vend nuk duhen me qenë veç serenata kur Kombëtarja e Kosovës lun futboll, ose kur fitojmë medalje botërore, ose kur filmat tanë udhëtojnë nëpër festivale prestigjoze, ose kur këngëtaret shqiptare e bojnë shqiponjën. Nuk është e shnetshme që na me e dashtë vendin tonë për inati të të tjerëve e as veç në raste kur përmendet për të mirë.
Dashnia e dedikimi për vend duhen me qenë konsistente dhe stabile. Duhemi me u mundu kolektivisht për zhvillimin e vendit tonë, për përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike, për respektimin e të drejtave të njeriut, për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta.
Por, ky kontribut është pak i vështirë me u ba një një shoqni si e jona, t’u e pasë parasysh kulturën, edukatën dhe rrethanat. Prandaj, kanihere ma lehtë është veç me e ikë. Lumtuninë tonë, rehatinë e mirëqenien nuk ia kemi hak Kosovës. E nëse kjo e fundit dështon me na i siguru këto, nuk është gabim me lypë jetë ma të mirë e Kosovën me e çmu veç prej së largu.
Unë e besoj edhe shumë bashkëqytetarë të mi kishim ndryshu shumë sene në Kosovë. E kishim ndryshu sistemin e arsimit, ekonominë, shëndetësinë, mirëqenien sociale, infrastukturën, marrëdhëniet diplomatike. I kishim hekë vizat, i kishim rritë rrogat, e kishim integru Kosovën nëpër organizata ndërkombëtare. I kishim ulë çmimet, sidomos të rrymës.
E kishim pastru e mirëmbajtë natyrën. Kafshët i kishim ba pjesë të hapësirës së përbashkët, e jo me i pa si armiq. E kishim ndërru klasën politike. E kishim fuqizu artin, kulturën e sportin. Kishim dashtë me u ba pjesë e festivalit Eurovision.
E mira s’ka fund
Ndryshimet në Kosovë janë tejet të nevojshme e dëshirueshme. Në listën e ndryshimeve që i përmenda ma lart, unë e kisha prioritizu një, në bazë të vlerave të mia. Kësaj here kisha dashtë me vendos theksin te dëshira jem për me e ndërru mënyrën se qysh e trajtojmë njani-tjetrin.
Unë e kisha ndryshu mënyrën se qysh e trajtojmë njani-tjetrin edhe kur nuk njihemi. Kisha dashtë me e pa njani-tjetrin si bashkëqytetarë, si njerëz që ndajmë diçka, e ndajmë një hapësirë publike, një shtet, një pasion nashta. Kisha dashtë që njerëzit me e kuptu se vlerat e tyre janë të veç të tyre edhe kërkush s’e ka borxh me besu në po ato vlera. Kisha dashtë që qytetarët e Kosovës me e pa diversitetin si diçka të hajrit e pozitive, e jo me e luftu atë.
Në Kosovë duhesh me mendu si shumica, me vepru qysh të tjerët dojnë, me jetu jetën që tjerët e kanë planifiku për ty. Në momentin që bjen ndesh me këto, me vlerat dominuese të një sistemi shtypës, jeta jote ka me u vështirësu.
Grupet e shtypuna shoqërore, si gratë, personat LGBTIQ+, komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë, personat me mundësi të kufizuara, të varfërit e kanë fort të vështirë jetën në Kosovë, pikërisht për shkak të shtypjes instituticionale e shoqërore.
E kur them që mundemi me trajtu njani-tjetrin ma mirë, kryesisht mendjen e kom te këto grupe të shtypuna. Me u rritë në një sistem patriarkal, të betonizum me mizogjini, seksizëm, homofobi, transfobi, nacionalizëm është problem me mendu e vepru ndryshe. Po kjo nuk arsyeton dhunën, diskriminimin e shtypjen ndaj çdo njeri tjetër.
Duhet me u kuptu që të drejtat e tua nuk janë ma të rëndësishme se të dikujt tjetër. Besimi yt nuk është ma i rëndësishëm se i dikujt tjetër. Askush nuk e ka obligim me i përmbush pritshmëritë e tua. Bile, mënyra se qysh i trajtojmë të tjerët tregon më shumë për neve se sa për ata. Pra, mundemi me mendu çkado rreth identitetit të dikujt tjetër. Bash çkado. Por, nuk e kemi të drejtën ligjore e morale me ia mohu dikujt identitetin veç pse nuk po na përshtatet me idealet tona, me vlerat tona. Të lirë jemi me mendu, po s’jemi të lirë me kufizu lirinë e dikujt tjetër për shkak të përshtypjeve tona.
E kisha ndërru mënyrën se qysh sillemi me njani-tjetrin, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në stacion të autobusëve, në stadium të qytetit, në teatër, në kinema, në muze, në kafe, në emision televiziv, në parlament, kudo. Natën rehat më len me flejtë andrra e një Kosove të zhvillume, ku njerëzit jetojnë bashkë, kolektivisht, duke e respektu njani-tjetrin.
Imazhi i ballinës : Arrita Katona / K2.0