Në thelb | Barazia gjinore

“Nëse mundem unë, munden edhe ato”

Nga - 10.03.2023

Gratë në sistemin e drejtësisë që po përpiqen t’u çelin rrugën grave tjera.  

Menjëherë pas luftës në Kosovë, Albina Shabani-Rama kishte aplikuar për t’u bërë studente e Fakultetit të Mjekësisë. Mospranimi në fushën që ajo e kishte pasur qëllim tash e sa kohë, për të ishte padrejtësia që ia përcaktoi një qëllim të ri në jetë —të siguronte drejtësi. Sot 41 vjeç, Shabani-Rama është në krye të gjykatës më të madhe themelore në Kosovë, atë të Prishtinës. 

gjykatën që ajo e udhëheq janë 86 gjyqtarë/e, prej të cilëve/ave 42 janë gra, një përbërje që shkon afër përfaqësimit të barabartë gjinor. 

Megjithkëtë, ky nuk është realiteti në shumë gjykata tjera në Kosovë.

Një prej këtyre gjykatave që është ende larg barazisë gjinore në përfaqësim është Gjykata Komerciale. E themeluar së fundmi, në gusht 2022, prej 16 gjyqtarëve, veç katër janë gra

Saranda Bogaj-Sheremeti, nënkryetarja e Gjykatës Komerciale është një prej këtyre katër grave që punojnë aty. Bogaj-Sheremeti e kujton se si, kur ishte 28 vjeç dhe ishte emëruar gjyqtare, kishte ndierë se palët ishin habitur kur e kishin parë atë në ulësen e gjyqtares. Habia ishte qoftë për shkak të moshës së re, qoftë për shkak se ndër vite verdiktin nëpër salla gjyqesh i jepnin gjyqtarët burra. 

Në Kosovë, përfaqësimi i barabartë gjinor nëpër institucione publike kërkohet me Kushtetutë e rregullohet me Ligjin për Barazinë Gjinore. Ligji thërret që të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore e edhe institucionet tjera publike të kenë përfaqësim prej 50% për secilën gjini, duke përfshirë organet drejtuese dhe vendimmarrëse. 

Realitetet nëpër gjykatat e Kosovës, sidomos në degët e gjykatave themelore nëpër qytete më të vogla, flasin ndryshe kur bëhet fjalë për përfaqësim të barabartë midis burrave dhe grave në pozitën e gjyqtarëve dhe udhëheqësve të gjykatave. Shumë prej tyre nuk kanë përfaqësim të barabartë midis burrave e grave as në përbërje të pozitës së gjyqtarit/gjyqtares e as në pozita vendimmarrëse.

Drejt përfaqësimit të barabartë gjinor

Përbrenda Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), që është institucion i pavarur që ka për qëllim sigurimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, funksionojnë shtatë gjykata themelore nëpër rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Ferizajit, Gjilanit dhe Gjakovës. 

Secila prej këtyre shtatë gjykatave, ka nëndegët e veta nëpër qytetet tjera të Kosovës. Nëndegët, udhëhiqen nga gjyqtarët/et mbikqyrës/e dhe funksionojnë përbrenda Gjykatës së rajonit përkatës.

Përveç Gjykatave Themelore dhe nëndegëve të veta, brenda KGjK-së funksionojnë edhe Gjykata e Apelit, Gjykata Supreme dhe ajo Komerciale.

Në uebfaqet e tyre figuron se në shërbim të të gjitha gjykatave në Kosovë janë 388 gjyqtarë/e. Nga ta, 226 janë burra, ndërsa 162 janë gra.

Megjithatë, të dhënat në këto uebfaqe duket se nuk janë përditësuar, meqë aty ende figurojnë emrat e gjyqtarëve në Mitrovicën e Veriut, të cilët dhanë dorëheqje në nëntor 2022, kur shumë serbë dhanë dorëheqje nga pozitat në institucionet publike të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj qeverisë së Kosovës.

K2.0 ka kërkuar nga KGjK numrin e saktë të gjyqtarëve nëpër gjykatat e Kosovës, përfshirë ndarjen e këtyre pozitave dhe atyre udhëheqëse në mes të burrave dhe grave, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas të dhënave ekzistuese në uebfaqet e gjykatave, prej shtatë gjykatat themelore, tri prej tyre i udhëheqin gratë. Në Gjykatën Supreme, të Apelit dhe Komerciale, sipas uebfaqeve të tyre, vetëm në të parën, pozitën drejtuese e bart një gjyqtare. Në degët e gjykatave themelore, vetëm në tre prej 19 prej tyre pozitën drejtuese e bartin gjyqtaret.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, thotë se mund të ketë faktorë të ndryshëm por duhet filluar nga fakti se për të dalë në garë me gjyqtarë burra për pozicionet drejtuese të gjykatave, gjithmonë duket sikur gjyqtarja grua duhet të jetë shumëfish më e dëshmuar.

“Gjatë karrierës e kam vërejtë që fakti që je grua është një barrierë, sidomos kur e kam fillu procedurën e ngritjes në pozitë. Sot mendoj që si grua duhesh me qenë shumëfish më e dëshmuar për me arritë me qenë në konkurrencë me një burrë”, thotë Shabani-Rama, duke shtuar se këtë se kishte vënë re gjatë shkollimit apo për sa e ushtronte detyrën e saj si gjyqtare, por vetëm kur kishte menduar të ngritet në pozitë. “Kjo nuk është e thënë kurrkund, as nuk është një kusht që duhet me plotësu, po ndihet”. 

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, udhëheq gjykatën themelore më të madhe në Kosovë. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Sipas saj, marrë për bazë ngarkesën ekzistuese me lëndë në gjykata dhe besimin e ulët në sistemin gjyqësor, roli menaxherial në institucione gjyqësore është në veçanti sfidues dhe i vështirë. 

Por, sipas Shabani–Ramajt, mungesa e grave në pozitat drejtuese në gjyqësor mund të arsyetohet edhe me atë që në institucionet gjyqësore mund të avancosh në karrierë profesionale pa pasur nevojë për ta marrë përsipër ndonjë rol menaxherial. Andaj, sipas saj, gratë në gjyqësi janë më të interesuara të avancojnë në shkallë më të larta të institucioneve gjyqësore se sa të marrin pozita menaxheriale.

K Lexo edhe: Pabarazia gjinore ende e përhapur në politikë dhe vendimmarrje

Nënkryetarja e Gjykatës Komerciale, Saranda Bogaj-Sheremeti, thotë se mungesa e numrit më të madh të gjyqtareve në pozita drejtuese varet shpesh prej përcaktimit shoqëror të rolit të gruas në familje dhe pritshmërive ndaj grave jashtë vendit të punës dhe jo gjithmonë sepse nuk i jipet mundësia për të konkurruar për pozita udhëheqëse prej institucionit përkatës.

“Po flas si grua, si gjyqtare dhe si nënë. Janë shumë faktorë që të kufizojnë për me marrë guximin për një pozitë udhëheqëse. Për shembull, nëse je gjyqtare heziton me marrë obligime shtesë për shkak të obligimeve familjare, ku duhesh me iu përkushtu fëmijëve, shtëpisë sepse mendësia jonë është e tillë”, thotë Bogaj-Sheremeti. 

Nënkryetarja e Gjykatës Komerciale, Saranda Bogaj-Sheremeti, e kujton se si 11 vjet më parë, kur ishte 28-vjeçare dhe ishte emëruar gjyqtare, kishte ndierë se palët ishin habitur kur e kishin parë atë në ulësen e gjyqtares. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Sipas një raporti mbarëkombëtar nga Instituti “Musine Kokalari”, në Kosovë, gratë shpenzojnë 6.2 orë në përkujdesje si punë e papaguar, ndërsa burrat 3.5 orë. Pra, gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë kohë në përkujdesin si punë e papaguar sesa burrat. 

Sipas raportit, gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie,1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve, ndërkohë edhe pse gratë dhe burrat shpenzojnë një kohë të ngjashme në punë me pagesë, gratë e punësuara shpenzojnë 25% më shumë kohë në përkujdesin si punë të papaguar sesa burrat e punësuar.

“Është e vështirë si gjyqtare me pasë edhe rolin drejtues. Unë si gjyqtare i kam lëndët e mia ku marr vendime dhe duhet me arritë normën e plotë dhe m’u marrë me punët menaxheriale të gjykatës”, thotë Bogaj-Sheremeti. “Të merr shumë kohë, të shpenzon”.

Përfaqësimi i mangët gjinor në qytetet më të vogla

Numri i gjyqtareve në degët e gjykatave themelore bie dukshëm. Disa nga to, si për shembull ajo e Malishevës dhe Rahovecit nuk kanë asnjë gjyqtare në radhët e tyre. Tek disa të tjerat, si për shembull, ato të Podujevës, Lipjanit, Suharekës, Deçanit, Kaçanikut e Istogut kanë vetëm nga një gjyqtare.

Ndërkaq, në 19 degët e gjykatave themelore, në pozitën drejtuese janë tri gra.

Albina Shabani-Rama thotë se ndonëse numri i gjyqtareve është i dukshëm në Prishtinë e në qytete më të mëdha, në degët e tjera numri i gjyqtareve është shumë i vogël. 

“Nëpër degë të gjykatave mund të shohim se interesimi i vajzave dhe grave për të qenë gjyqtare është i vogël. Ani pse në Fakultet të Juridikut ka shumë vajza që studiojnë, kur vjen puna të përzgjedhja e profesionit, pak nga to e zgjedhin profesionin e gjyqtares”, thotë ajo. “Nëpër degë është pak më vështirë me gjyku meqë njihen mes njëri-tjetrit dhe ndikon mendësia e shoqërisë”. 

Por, sipas saj, duhet të luftohet kjo mendësi dhe juristet e reja duhet t’i synojnë institucionet gjyqësore nëpër degët e gjykatave nëpër komuna dhe kështu ta luajnë rolin e reformueseve në shoqëri.

“Mendoj se sistemit tonë i duhen gratë, i duhen gratë e forta dhe që kanë guxim profesional”, thotë Shabani-Rama.

K Lexo edhe: Prezantimi i barazisë gjinore në bordet publike të Kosovës

Saranda Bogaj-Sheremeti, nënkryetarja e Gjykatës Komerciale, mendon se tërheqja e gjyqtareve në sistemin gjyqësor nëpër vendet më të vogla mund të bëhet vetëm nëse përvetësohet një qasje ndërsektoriale.

“Politikat dhe aktivitetet sensibilizuese për të tërhequr më shumë gra në institucionet gjyqësore duhet të fokusohen edhe vendet e tjera më të vogla sepse ka shumë juriste të zonja por nëpër degë mbizotërojnë gjyqtarët”, thotë Bogaj-Sheremeti. 

Tash 41-vjeçare, me 13 vjet përvojë në sistemin gjyqësor, Bogaj-Sheremeti e kujton kohën kur kishte filluar së pari profesionin e gjyqtares, si 28-vjeçare dhe disa herë i ishte krijuar përshtypja se palët nuk e merrnin seriozisht, qoftë për shkak të moshës, qoftë për shkak të gjinisë. 

“Ka ndodhë më herët që palët të cilat nuk janë ndarë të kënaqura më vendimin tim, kur kanë dalë në korridor janë dëgju tu përshpëritë ‘u bo kjo me marrë këtë vendim’”, tregon Bogaj-Sheremeti. “Por, nganjëherë i mbyllim veshët dhe kur don m’i mbërri qëllimet e tua, u tregon që ia del. Kur bohesh gjyqtar/e për herë të parë, është shumë normale me ndi pasiguri dhe me pytë veten ‘A ia dal?’. Por tash, kur i dëgjoj [palët duke thënë diçka diskriminuese] ua them, teksa më herët e kisha ulë kokën”.

“Ka ndodhë më herët që palët të cilat nuk janë ndarë të kënaqura më vendimin tim, kur kanë dalë në korridor janë dëgju tu përshpëritë ‘u bo kjo me marrë këtë vendim’”, tregon Bogaj-Sheremeti. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Ndërkohë, Shabani-Rama e tregon një rast kur i gjithë trupi gjykues ishin gra dhe i pandehuri u ishte drejtuar me “motra”. 

“I kam thënë ‘ne s’jemi motra, këtu jemi gjyqtare’, por aty e kam vërejtë një lloj nënvlerësimi veç për shkak se krejt trupi gjykues përbëhej prej grave”, thotë ajo. 

Besimi se gratë nuk i përkasin sallës së gjyqit është veçanërisht i vështirë për t’u tejkaluar. Për shembull, në Itali, ku gratë morën të drejtën e votës në vitin 1945, gratë u lejuan të hynin në karrierën gjyqësore pothuajse 20 vjet më vonë — me supozimin se gratë ishin “shumë emocionale” për të qenë në gjendje të zbatonin ligjin në mënyrë objektive.

E pyetur nëse gratë sjellin diçka ndryshe në tavolinë kur bëhet fjalë për interpretimin e rolit të gjyqtarit, Bogaj-Sheremeti argumentoi se nuk ka shumë rëndësi nëse gjyqtari është burrë apo grua, meqë të gjitha procedurat dhe vendimmarrja bazohet në të njëjtat ligje që janë të zbatueshme pavarësisht nga gjinia e gjyqtarit. 

“Po mundohem që përmes punës sime, jo veç për vete po edhe për koleget e mia gjyqtare me lanë një dëshmi që edhe rolet drejtuese mund të kryhen nga to”, thotë Shabani-Rama. Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Për kryetaren e Gjykatës Themelore, Albina Shabani-Rama, të ndash drejtësi është sfiduese, sidomos për gratë, sepse gjykohet publikisht dhe çdo vendim komentohet, andaj do shumë përgatitje. Andaj, sipas saj, kur dikush vendos të bëhet gjyqtar/e që para se t’i hyjë kësaj karriere duhet në çdo hap të tregojë integritet për të siguruar se në të ardhmen si gjyqtar/e të ndërtojë besim tek palët për të cilat do të marrë vendime. 

Rolin e saj në krye të Gjykatës më të madhe të Kosovës, Shabani-Rama e sheh edhe si mundësi për të krijuar hapësirë për gjyqtare që mund ta zënë vendin e saj në të ardhmen.

“Ne po punojmë për të siguru barazi gjinore në të gjitha institucionet publike. Njëra [mënyrë] është duke hy në sistemin gjyqësor dhe duke marrë pozita drejtuese, për t’i ftu vajzat dhe gratë me punën tonë që t’i bashkangjiten sistemit gjyqësor”, thotë ajo.

“Po mundohem që përmes punës sime, jo veç për vete po edhe për koleget e mia gjyqtare me lanë një dëshmi që edhe rolet drejtuese mund të kryhen nga to. Nëse mundem unë, munden edhe ato”.

 

Feature image: Majlinda Hoxha/K2.0

  • 10 Mar 2023 - 20:04 | Dilara:

    Sosht e vertet aspak me pas luftu Krytarja Albina drejtesin tamon nuk e kish shtin pune kunaten e saj tash me 1 mars ja ka filluar si krejt qysh i shtine familjaret e tyre femra e grat e tjera qe skan askend spo munden te jen aty e te japin drejtesi.

KOMENTO