Në thelb | Punësimi

Prezantimi i barazisë gjinore në bordet publike të Kosovës

Nga - 29.07.2021

Qeveria e Kurtit njofton se bordet e ndërmarrjeve publike duhet të përbëhen nga 50% gra.

Saranda Baruti, gjakovare, është sekretare e KRU Gjakova, kompani publike e ujit që shërben mbi 30,000 familje dhe biznese në dhe rreth komunës së Gjakovës.

Baruti ka punuar për kompaninë për 11 vjet dhe është pjesë e ekipit të menaxhmentit të lartë ku merret me raportet e politikave, shkruan planet e biznesit dhe këshillon bordin. Pavarësisht nga numri i lartë i grave në menaxhment, ato vetëm pak kohë më parë kanë filluar të anëtarësohen në bord, dhe Baruti tha se mendon se do të ishte mirë të shihte më shumë që e bëjnë këtë.

Tani, me një vendim të 26 prillit, qeveria po mandaton rritje në përfaqësimin gjinor, duke kërkuar kuotë gjinore prej 50% për bordet e ndërmarrjeve publike.

Ndryshe nga shumë ndërmarrje publike në Kosovë, ekipi menaxherial i KRU Gjakova përbëhet prej shumicës gra. Sipas kompanisë, ekipi i tyre aktual i menaxhmentit ka 58% gra, dhe i gjithë laboratori i testimit ka punëtore dhe drejtuese gra.

Vendimi i qeverisë u mirëprit në KRU Gjakova dhe u vjen në ndihmë grave si Miranda Zherka e cila ka qenë anëtare e bordit të përkohshëm në KRU Gjakova dhe tani shpreson për status të përhershëm.

“Është vendim shumë i mirë”, tha Zherka, “pasi që në Kosovë ka shumë gra që janë shumë të kualifikuara dhe ato mund të kontribuojnë në përmirësimin e performancës së ndërmarrjeve publike”.  Zherka ka mbi 20 vjet përvojë në financë dhe është kontabiliste e çertifikuar nga ShKÇAK.

Foto: Nga arkivi i KRU Gjakova.

Në krahasim me KRU Gjakova, një raport i fundit nga Instituti GAP tregon, shumica e ndërmarrjeve publike në Kosovë — të tilla si fondi i pensionit, Trusti dhe kompania e energjisë, KEDS — drejtohen me shumicë nga burrat. Trusti nuk ka gra në menaxhmentin e lartë ose në bord dhe nuk ka fare gra në bordet e 5 nga 14 ndërmarrjet publike. 

Zherka aktualisht po pret nga zyra e Kryeministrit dhe Ministrisë së Ekonomisë për të parë nëse statusi i saj i përkohshëm do të bëhet i përhershëm. Siç është tani, qeveria zgjedh anëtarët e bordit nga një grup aplikantësh për një mandat tre vjeçar me mundësi zgjatjeje. Çdokush mund të aplikojë në njoftimet e konkursit të postuara publikisht.

Në KRU Gjakova bordi përcakton agjendën, planet e biznesit dhe vizionin për kompaninë. Për shkak se KRU Gjakova është e vetmja kompani e ujit në rajonin e saj, është ndërmarrje jetike që duhet t’u shërbejë klientëve të saj dhe t’i menaxhojë burimet mjedisore.

Pavarësisht se gratë mesatarisht kanë nivel më të lartë të arsimit, vetëm 14.4% e grave janë në fuqinë punëtore në Kosovë, krahasuar me 46.2% të burrave.

Në disa ndërmarrje si Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) — agjenci që verifikon pronësinë e pronës, një temë e diskutueshme në Kosovën e pasluftës — tre nga pesë anëtarët e bordit mbikëqyrës zgjidhen nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe  të gjithë janë gra, përfshirë Ambasadoren Suedeze në Kosovë. Dy anëtarë lokalë të bordit ende nuk janë emëruar nga qeveria.

Përkundër këtij përfaqësimi në krye, sipas raportit të tyre vjetor të vitit 2019, fuqia punëtore e AKKVP-se ka në përbërje vetëm 35% gra në të gjithë agjencinë.

Pjesëmarrja e ulët e grave në fuqinë punëtore 

Sipas GAP vetëm 14.4% e grave janë në fuqinë punëtore në Kosovë, krahasuar me 46.2% të burrave. Kjo pavarësisht se gratë mesatarisht kanë nivel më të lartë të arsimit.

Raporti i GAP vë në dukje se, “Edhe për sa i përket arsimimit, gratë e reja udhëheqin për sa i përket interesit. Në vitin 2020, në universitetet publike, si në studimet e nivelit baçelor ashtu edhe në nivelin master, kishte rreth 10,000 më shumë studente femra sesa studentë meshkuj, përkatësisht 34,532 dhe 24,266 “.

Megjithëse niveli i arsimimit të grave më të reja është i lartë, niveli i tyre i vazhdueshëm i ulët i punësimit ua bën të vështirë që ta marrin llojin e përvojës së nevojshme për t’u zgjedhur për t’u ulur në një bord.

Qeveria po synon ta rrisë pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore në 20% deri në vitin 2024.

Ka arsye të panumërta pse Kosova ka një nga nivelet më të ulta rajonale të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore. Këto arsye janë raportuar dhe studiuar gjerësisht. Normat shoqërore dhe qëndrimet kulturore janë faktor domethënës, veçanërisht në qytete të vogla si Gjakova, por Baruti dhe kolegët e saj mendojnë se ky aspekt i Kosovës — dhe i Gjakovës — po ndryshon, veçanërisht me një grua si presidente.

Në një deklaratë për K2.0, zëdhënësja e qeverisë Rozafa Kelmendi tha, “Për herë të parë në institucionet e vendit ka një pjesëmarrje më të madhe të grave. Sigurisht që nuk mjafton. Barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm në ligje dhe rregullore që mbeten në letër, por të përkthehet në vendime dhe të bëhet pjesë e jetës së përditshme për të gjithë ne. Dhe me vendimin për bordet publike, kemi bërë një hap përpara “.

Foto: Nga arkivi i ZKM.

“Situata e grave dhe vajzave në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë e vështirë, përkundër faktit se gratë kanë nivel më të lartë të arsimimit. Gratë janë pjesë integrale e ekonomisë, por nuk janë pjesë e zhvillimit ekonomik pasi për shkak të pengesave strukturore, ato u përjashtuan nga tregu i punës “, tha Kelmendi.

Ajo gjithashtu shtoi se qeveria po synon ta rrisë pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore në 20% deri në vitin 2024.

Një faktor domethënës në mbajtjen e grave në fuqinë punëtore është mënyra se si trajtohen ato. Baruti tha se politika e orëve fleksibile për gratë në KRU Gjakova ndihmon në mbajtjen e tyre aty. Punëtoreve që janë nëna, tha ajo, “u jepet përparësi ta lënë punën dy orë më herët”.

Baruti është nënë e dy fëmijëve nën moshën pesë vjeç. Burri i saj zotëron një biznes dhe gjithashtu punon me orar të plotë, kështu që të qenit në gjendje ta lërë punën herët për t’i marrë fëmijët e saj nga kopshti është e rëndësishme për të. Baruti gjithashtu tha se ishte e kënaqur me mënyrën se si u trajtua në kompani gjatë të dy shtatzënive të saj.

Foto: Nga arkivi i Saranda Barutit.

Politikat si orari fleksibil, kujdesi për fëmijët në punë, pushimi i lehonisë dhe atësisë ndihmojnë në mbajtjen e grave të punësuara. Por këto shpesh nuk zbatohen si duhet në ndërmarrjet në Kosovë, as publike dhe as private. 

Qeveria Kurti bëri fushatë për rishikimin e ligjit për pushimin e lehonisë dhe tani është në proces për ta bërë këtë. Plani, sipas Kelmendit, është që të shtohet pushimi i atësisë dhe të sigurohet paga minimale prej 250 euro në muaj për gjashtë muaj për të gjitha nënat e reja që janë të papuna.

Implementimi i Ligjit për Barazi Gjinore 

Qeveritë dhe institucionet e mëparshme nuk i kanë përmbushur detyrimet e tyre ndaj Ligjit për Barazinë Gjinore, i cili përfshin dispozita për përfaqësimin gjinor. Sipas GAP, “institucionet publike kanë injoruar detyrimin ligjor të përfaqësimit të barabartë deri më tani, duke i interpretuar dispozitat e Ligjit për Barazinë Gjinore si jo-detyruese”.

Deri më tani, 21% e njerëzve që janë emëruar nga qeveria Kurti janë gra.

Qeveria është gjetur fajtore nga gjykatat për këtë dështim. Me vendimin për kuotë në bordet publike, qeveria Kurti ka filluar t’i adresojë këto dështime të së kaluarës. “Me qeverinë e re, kemi shansin ta zvogëlojmë pabarazinë gjinore dhe padrejtësinë shoqërore ekzistuese në mënyrë institucionale dhe legjislative”, tha Kelmendi.

Deri më tani, 21% e njerëzve të emëruar në qeverinë Kurti janë gra, krahasuar me 14% për qeverinë e mëparshme Hoti. Sipas GAP, në nivelin kombëtar, menaxhmenti i lartë i shërbimit civil ka vetëm 11% gra.

Shumë vende në të gjithë Evropën tashmë kanë vendosur kuota për gratë në borde. Këto ligje jo vetëm që i mbajnë llogaridhënëse bordet publike por edhe ato private. Islanda ishte e para. Në vitin 2008 vendi miratoi një ligj që përcakton një kuotë gjinore prej 40% për bordet. Nëse kompanitë nuk arrijnë ta përmbushin kuotën, ato shpërbëhen.

Kur u ngrit çështja në lidhje me gjetjen e kandidatëve të përshtatshëm, kompanitë u detyruan të bëjnë më shumë përpjekje për të kontaktuar me gratë dhe gjithashtu u duhej t’i promovonin gratë brenda kompanisë dhe t’i trajnonin ato për të marrë rolet e reja.

Banka Botërore përfshin këto lloje të politikave, trajnimit dhe mbështetjes, në udhëzimet e saj të qeverisjes së mirë për të gjithë anëtarët e bordit.

Për shkak të mungesës së të dhënave është e vështirë të vlerësohet efekti i vendimit për kuotë në bordet private në Kosovë, edhe pse situata e përfaqësimit të ulët të grave është e ngjashme me bordet publike.

Miranda Zherka, ndërkohë, pret që kërkesa e saj të miratohet nga qeveria.

“I inkurajoj të gjitha gratë që janë të afta të kontribuojnë në vendimmarrje, ta kenë guxim dhe të marrin iniciativa, të aplikojnë për pozicione vendimmarrëse dhe të luftojnë në mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen,” tha ajo.

Kelmendi tha se pikëpamja e qeverisë është se “ende kemi nevojë për politika emancipuese nga lart për të garantuar ndryshimin poshtë, dhe kemi nevojë për organizim dhe aktivitete nga poshtë, të cilat jehojnë edhe lart”.

K2.0 pyeti se çfarë do të bënte Zherka për ta rritur numrin e grave që punojnë në pozita menaxheriale në KRU Gjakova dhe për ta bërë më të lehtë për gjeneratën e ardhshme. Zherka tha se do t’i inkurajonte gratë të ruajnë etikën dhe parimet profesionale.

Ajo shtoi, “Është e nevojshme që ne si gra të jemi më mbështetëse për gratë e tjera dhe të jemi shembull i mirë për vajzat tona në të ardhmen.”K

Imazhi i ballinës: Nga arkivi i KRU Gjakovë.  

 

 

 

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si pjesë e projektit “Citizens Engage”, i implementuar nga K2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.