S`fundmi | Zgjedhje

OSBE-ja nuk do t’i monitorojë zgjedhjet lokale në Drenas

Nga , - 03.12.2016

Propozimi ad hoc nuk është në pëputhje me procesin formal të mbikëqyrjes.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) nuk do ta ketë rolin monitorues në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kyetar të komunës që do të mbahen të djelen në Drenas, përkundër kërkesës së bërë nga ambasadat e huaja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka shtyrë afatin e fundit për aplikim për akreditim për mbikëqyrje të zgjedhjeve nga e martja (29 nëntor) deri sot, në mënyrë që vëzhguesit ndërkombëtarë të mund të aplikojnë, mirëpo OSBE-ja nuk e kishte kërkuar një rol të tillë.

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell i shkroi letër private KQZ-së në fillim të javës në emër të ambasadave të Kuintit — SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë — duke kërkuar që OSBE-së t’i jepet rol i veçantë ‘monitorimi’ në këto zgjedhje, me kompetenca të ngjashme (megjithëse më të vogla) me ato të ‘vëzhguesve zyrtarë’. Megjithatë, OSBE-ja nuk ka dorëzuar asnjë aplikacion formal për t’i vëzhguar zgjedhjet sepse mandatet e misioneve që veprojnë brenda një vendi nuk parashohin kryerjen e vëzhgimeve formale.

Zëdhënësi i OSBE-së, Senad Sabović, i tha K2.0 se derisa OSBE-ja në të kaluarën ka luajtur disa role në kuadër të zgjedhjeve në Kosovë, duke përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve në periudhën e pasluftës si dhe lehtësimin e tyre pas pavarësisë, ajo në të kaluarën nuk ka kryer vëzhgime formale. “Asnjëherë nuk kemi bërë vëzhgime standarde në kuptimin klasik në Kosovë”, tha ai.

E në rastet kur OSBE-ja e kryen këtë funksion, Sabović-i tregon se kjo bëhet përmes Zyres së Institucioneve Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut (ODIHR), por se ky mekanizëm nuk ka qenë i përshtatshëm për zgjedhjet e së djeles. “Përgjithësisht, ODIHR-ja nuk vëzhgon zgjedhje lokale”, tha ai. “Ndodh shumë rrallë, nëse ndodh ndonjëherë, që ODIHR-ja të vëzhgojë zgjedhje lokale, sidomos ato ad hoc në ndonjë komunë — sepse janë proces shumë i vogël që të monitorohet nga ODIHR-ja”.

Prandaj ambasadat e Kuintit kanë kërkuar rol të porositur të OSBE-së, ndërsa ambasadori  O’Connell në letrën e tij shkruante, “Motivimi jonë është se në një kohë të tensioneve të mëdha politike është e rëndësishme për Kosovën dhe rajonin që zgjedhjet të pranohen nga të gjithë si të lira dhe të drejta, dhe se monitorimi i OSBE-së do ta siguronte një gjë të tillë”.

Pasi që letra e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar ka rrjedhur në media, ai zhvilloi një intervistë televizive të enjten (1 dhjetor) duke e qartësuar edhe më shumë kërkesën e tij. “Është fakt se historikisht, para disa vitesh, kishte shqetësime në këtë pjesë të Kosovës, dhe jo vetëm në këtë pjesë, por edhe nëpër komuna tjera, sepse ne nuk mund të themi se kështu ndodhi vetëm në Drenas”, tha ai. “Por kishte shqetësime dhe mendoj se pikërisht për këtë arsye [monitorimi] është shumë i nevojshëm. Nuk do të thoja publikisht dhe ta drejtoja gishtin vetem te Drenasi… Mendoj se kërkesa u bë duke u nisur nga vullneti i mirë, për të pasur një proces ku qytetarët mund t’u besojnë rezultateve. Mendoj se është me rëndësi dhe krejtësisht në interes të secilës palë në Kosovë”.

“Ne do të kishim më shumë njerëz, prani më të gjerë se, ta zëmë, vëzhgimi diplomatik i ambasadave, dhe do të ishte mbulueshmëri e karakterit më të lehtë”.

Senad Sabović

Megjithatë, përderisa sipas Sabović-it OSBE-ja nuk ka pranuar komunikatë formale nga KQZ-ja duke ia refuzuar kërkesën për rolin monitorues, përmes bisedave joformale dhe raporteve të mediave është bërë e qartë se kërkesa specifike nuk është pranuar. “Këtë koncept të ‘monitorimit’, ata nuk mund ta idenfikojnë askund brenda sistemit dhe ata [KQZ-ja] thanë, nëse dëshironi të bëni diçka të ngjashme, kjo quhet ‘vëzhgim’ dhe për këtë ka procedura”, tha Sabović-i. “Vëzhgimi është pak më i gjerë dhe vëzhgimi ka dispozita të caktuara në ligj, si në Ligjin e Kosovës për Zgjedhjet e Përgjithshme, ashtu edhe në rregullat e KQZ-së e kështu me radhë, dhe ato parashohin dispozita të caktuara për akreditim; kompetencat e vëzhguesve janë pak më të gjera sesa ato që ne i propozuam”.

Një komunikatë jo fort e qartë e KQZ-së e lëshuar të enjten (1 dhjetor) thoshte se pas kërkesës së Kuintit, ajo do ta shtynte afatin e fundit për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë deri më 3 dhjetor. “Ndërsa sa i përket kërkesës specifike, KQZ-ja, në pajtim me legjislacionin në fuqi, informon se në këtë proces, megjithëse të jashtëzakonshëm, nuk ka pasur pengesa që ai të zbatohet e përfundohet me sukses”.

Sidoqoftë, zgjedhjet e së djeles do të kenë një varg vëzhguesish, dhe atë më shumë se 800 persona nga më shumë se 70 parti politike, OJQ, media dhe ambasada, të akredituar nga KQZ-ja. Por, OSBE-ja shihet përgjithësisht si akter ndërkombëtar në Kosovë me përvojën më gjithëpërfshirëse kur flasim për zgjedhjet. “Ne do të kishim më shumë njerëz, prani më të gjerë se, ta zëmë, vëzhgimi diplomatik i ambasadave, dhe do të ishte mbulueshmëri e karakterit më të lehtë”, tha Sabović-i.

Në përgatitjet për t’i mbuluar zgjedhjet e së djeles, OSBE-ja kishte trajnuar një ekip prej më shumë se 50 monitoruesve, të cilët tani janë tërhequr. “Kemi kërkuar të krijojmë një ekip i cili do ta mbulonte pjesën më të madhe të operacioneve, i cili do të ishte i pranishëm në qendrat e votimit, dhe i cili do ta monitoronte mbarëvajtjen e gjithë procesit, me qëllim të mbledhjes së informacioneve dhe prezantimit të tyre në një raport i cili do t’i dorëzohej KQZ-së”, tha Sabović-i.

Zgjedhjet për kryetar komune në Drenas po zhvillohen pasi që Gjykata e Apelit e ka konfirmuar denimin e ish-kryetarit të komunës Nexhat Demaku për krime lufte më 24 tetor, në rastin e ashtuquajtur ‘Drenica II’. Ai u dënua me tre vjet burg në maj të vitit të kaluar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, së bashku me vëllain e tij, Fadil Demakun, ndërsa shtatë persona të tjerë gjithashtu u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burg në po këtë rast. Demaku dha dorëheqje nga posti i kryetarit një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, ndërsa të nesërmen, më 2 nëntor, u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

52,596 qytetarë kanë të drejtë vote për Kryetarin e ri të Drenasit. Do të ketë 28 qendra votimi dhe 72 vendvotime. Kandidatë të cilët garojnë për këtë post janë: Elmi Thaçi, AKR; Isa Xhemajlaj, NISMA; Bedri Nika, LDK; Ramiz Lladrovci, PDK; Vehbi Berisha, Fjala; Xhavit Drenori, kandidat i pavarur; dhe Rrahim Elshani, kandidat i pavarur.

KQZ-ja nuk ishte në dispozicion për koment sot.

Foto kryesore: Misioni i OSBE-së në Kosovë.