Pikëpamje | Dialogu

Marrëveshje apo kurth?

Nga - 24.04.2023

Çka qëndron pas përqendrimit të BE në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Në “The Second Coming”, (shq. Ardhja e dytë) poeti irlandez W.B. Yeats paralajmëroi për ngritjen e forcave regresive në periudhën e ndër-luftës dhe kërcënimin e afërt, që ato përbënin për qytetërimin. Duke reflektuar mbi kontrastin mes zellit fanatik të ekstremistëve dhe ndrojtjes së atyre që e kanë fuqinë t’i zmbrapsnin, ai shkroi: “Të mirëve u mungon bindja, teksa të këqijtë / janë plot intensitet të pasionuar”.

Sot, gjersa demagogët populistë përkrahin plane të dhunshme e të ushqyera nga nostalgjia nëpër botë, duket se është kohë e duhur për t’iu rikthyer paralajmërimit të Yeats. Kontrasti mes mungesës së bindjes tek liderëve demokratë dhe intensitetit adhurues të autoritarizmit është qartazi i dukshëm në politikën e BE ndaj Serbisë.

Një negociues i ndershëm?

Pas samitit të ndërmjetësuar nga BE mes presidentit serb Aleksandar Vučić dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti në fund të shkurtit, ndërmjetësuesi i BE, Josep Borrell deklaroi plot krenari: “Kemi marrëveshje”. Por nuk pati asnjë marrëveshje. Kurti e pranoi propozimin dhe ofroi ta nënshkruante atë. Vučić jo. Megjithatë, refuzimi i Vučić për ta nënshkruar propozimin apo edhe për ta diskutuar tutje u prezantua me terma vërtet Orwellianë nga BE, e cila njoftoi me krenari se tashmë ekzistonte konsensus që “nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme lidhur me propozimin e BE”.

E gjitha që mund të thuhet për samitin ishte se Serbia nuk e kishte refuzuar haptazi propozimin. Kjo ndryshoi shpejt. Ditë më vonë Vučić premtoi, “Nuk do ta nënshkruaj këtë” dhe pastaj deklaroi se ai dhe palët e tjera “nuk u pajtuan”. Më pas deklaroi se do t’i zbatojë vetëm pjesët e propozimit që i përshtaten interesave të Serbisë. Më vonë tha, “Nuk dëshiroj të nënshkruaj asnjë dokument ndërkombëtar ligjërisht të detyrueshëm me Kosovën”, dhe në mënyrë specifike përjashtoi mundësinë e lejimit të Kosovës të anëtarësohej në OKB, diçka që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 4 të propozimit, i cili thotë, “Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Vučić theksoi se qëndrimin e tij ua ka prezantuar drejtpërdrejt ndërmjetësuesve ndërkombëtarë. “Qartazi u kam thënë se cilat [pjesë të propozimit] nuk do t’i pranojmë. Të gjithëve… Më kanë parë sa vendimtar jam, duke i parë në sy dhe duke ua thënë këtë drejtpërdrejt dhjetë herë. Çka mund të thonë ata?” E pra, çka ka thënë BE?

Teksa Vučić ka qenë i zëshëm dhe i qartë, heshtja e BE ka qenë shpuese.

Teksa Vučić ka qenë i zëshëm dhe i qartë, heshtja e BE ka qenë shpuese. Asnjë kundërshtim nuk ka pasur për Vučić, asnjë njohje se deklaratat e tij përbëjnë refuzim themelor të “marrëveshjes” dhe sigurisht asnjë paralajmërim sa u përket deklaratave të mëtejshme të këtij lloji. Në fakt, pavarësisht refuzimit të Vučić, marrëveshja ishte, siç pretendoi BE, në mënyrë perverse, “e shëndetshme dhe e pranishme”.

Përgjigja e heshtur e BE çuditërisht e ka trimëruar Vučić. Që nga samiti, Vučić, si adoleshent, prindërit e të cilit kanë hequr dorë nga përpjekjet për ta kontrolluar, po e shfaq lirinë e tij me veprime zemëruese gjithnjë e më të egra.

Ai nisi një polemikë kundër përpjekjes së supozuar të NATO “për ta shkatërruar vendin tonë” në vitin 1999; pohoi se një fushatë e “spastrimit etnik” po zhvillohet kundër serbëve të Kosovës; premtoi se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë për sa kohë të jetë ai në pushtet; dhe u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale, të cilat i cilësoi si “të rreme, kriminale” dhe “mashtrim”. Gjithashtu e përshkroi Milan Radoičić nënkryetarin e Lista Srpska, partisë kryesore politike serbe në Kosovë dhe i cili njihet nga ShBA dhe Britania e Madhe si lider i një grupi të organizuar kriminal i përfshirë në vrasje dhe tregti armësh si “njëri nga bijtë tonë më të aftë dhe më të guximshëm”. Edhe pas gjithë kësaj, BE nuk ndërmori asnjë hap.

Zbutja

Zbutja e BE me Vučić është më e hershme se samiti i fundit. BE është e vetëdijshme për kahjen e theksuar të qeverisë serbe drejt autoritarizmit, por ka zgjedhur ta shpërfillë atë. Serbia ka rënë nga vendi 76 nga 100 pikë në 2017, në 60 në 2023, në vëzhguesin e lirive politike, Freedom House, “Global Freedom Score”.

Organizata theksoi se zgjedhjet serbe të vitit 2022 u karakterizuan nga njëanshmëri mediale dhe “parregullsi të shumta gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve” dhe deklaroi se “përshkallëzimi i ngacmimeve dhe dhunës viteve të fundit [ka] rezultuar në shtypjen e përfaqësimit politik të partive opozitare”. Gjetje të ngjashme janë nxjerrë nga një gamë e gjerë e OJQ-ve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Human Rights Watch dhe Reporterët pa Kufij.

Futja e një regjimi në BE, pa e adresuar paraprakisht dëshirën e hapur të vendit për zgjerim territorial tingëllon si recetë drejt shkatërrimit.

Megjithatë, këto aktakuza mallkuese janë shpërfillur sepse Brukseli ka përllogaritur dukshëm se tërheqja e Serbisë drejt orbitës së saj dhe kësisoj largimin e saj nga ndikimi i Moskës, do të ishte diçka e mirë për BE.

Por futja e një regjimi në BE pa adresuar paraprakisht angazhimin e vendit në shkeljen e të drejtat e njeriut dhe demokracisë, përfshirjen e tyre aktive në destabilizimin e fqinjëve të tij (me mbështetjen ruse) dhe dëshirën e tyre të hapur për zgjerim territorial dhe irredentizëm tingëllon si një recetë drejt shkatërrimit. 

 

Asociacioni si kurth

Zbutja e BE ndaj Serbisë do ta dëmtojë vetë BE, por menjëherë kjo do të paraqet rrezik të pashmangshëm dhe të thellë për Kosovën. Teksa sjellja e qeverisë serbe po injorohet, BE ka harxhuar kohë dhe energji të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit duke e kritikuar qeverinë e Kosovës, veçanërisht për dështimin në zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Në fakt, ASM është i destinuar të luajë rol kyç në një kurth, që i është ngritur Kosovës dhe që ndihmon në shpjegimin e dëshpërimit të BE për të ecur tutje me marrëveshjen e pa nënshkruar të shkurtit dhe vendosmërinë e BE për ta injoruar mohimin pasues të Vučić të parimeve të marrëveshjes.

Synimi i BE për ta inkorporuar Serbinë kërkon zgjidhje të mosmarrëveshjes me Kosovën. Marrë parasysh qëndrimin e Vučić, ka qenë e qartë për shumë vite që njohja e ndërsjellë është e pamundur. Alternativa tjetër më e mirë është që, Kosova të heqë dorë nga njohja dhe ta miratojë një marrëveshje të pakuptimtë, që i lejon BE dhe Serbisë ta shpallin çështjen si të zgjidhur, pa adresuar në fakt çështjen e statusit. Derisa qeveritë e mëparshme në Kosovë mund t’i jenë bindur ta pranojnë këtë, zgjedhja e Kurtit kryeministër i zbehu këto shpresa.

Duke u ballafaquar me këmbënguljen e Kurtit që njohja të bëhet një temë qendrore, BE ka zgjedhur me sa duket ta ndjekë një opsion të tretë: ta krijojë një skenar ku negociatat dështojnë, por Kosova vendoset si “pala që nuk pajtohet” duke lejuar që sjellja “më e arsyeshme” e Serbisë të vazhdojë.

ASM është çelësi i këtij skenari dhe ka marrë rëndësi në negociata përtej vlerës së tij të vërtetë.

Kërkesat që Kosova ta zbatojë ASM ishin refreni mbizotërues i ndërmjetësuesve të BE dhe ShBA përpara samitit të shkurtit. Menjëherë pas “marrëveshjes”, përqendrimi i ndërmjetësuesve të BE u zhvendos në shtojcën e marrëveshjes, konkretisht dispozitën që lidhet me të drejtat e serbëve të Kosovës. Duke pasur parasysh të drejtat e gjera që u ofrohen serbëve të Kosovës me kushtetutë, është e diskutueshme nëse ASM është në të vërtetë diçka që i nevojitet njëmend komunitetit serb në Kosovë. Në realitet, rëndësia e ASM buron më shumë nga fakti se i ofron BE dhe Serbisë një mjet për ta futur Kosovën në kurth.

Zbatimi i ASM në formën e tij origjinale do ta minonte rrënjësisht sovranitetin e brendshëm të Kosovës dhe pothuajse me siguri do ta rrëzonte qeverinë e Kurtit.

Kësisoj, faza tjetër e negociatave nuk do të përqendrohet në detyrat e Serbisë apo të BE siç përshkruhen në propozimin dhe shtojcën e zbatimit, por edhe një herë në kërkesën që Kosova ta zbatojë ASM në formën e tij origjinale. Një veprim i tillë do ta minonte rrënjësisht sovranitetin e brendshëm të Kosovës dhe pothuajse me siguri do ta rrëzonte qeverinë e Kurtit. Si e tillë, BE duket se shpreson se duke u përqendruar në ASM, Kurti do të detyrohet ta refuzojë shtojcën dhe kështu të bëhet “pala që nuk pajtohet”.

Fatkeqësisht, ka shumë gjasa që nëse kjo ndodh, Kurti do t’i nënshtrohet një kori të vazhdueshëm zemërimi nga ana e Brukselit, i cili do të jetë në kontrast të thellë me dorështrëngimin e turpshëm të zbutur që e ka karakterizuar reagimin e BE ndaj retorikës luftarake të Vučić deri më sot.

Kosova është vendi më pro BE në Ballkanin Perëndimor. Gjersa problemet politike, sociale dhe ekonomike mbeten, ajo ka bërë hapa të mëdhenj viteve të fundit për ta promovuar lirinë e medias, për të inkurajuar një shoqëri civile aktive dhe për ta konsoliduar një demokraci pluraliste me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë. Nëse Kosova flaket tutje nga BE në favor të Vučić autoritar dhe brendit të tij toksik të nacionalizmit sektar, kjo do të ofrojë pamje të qartë se BE i mungon bindja dhe vazhdimisht po e humbet luftën kundër forcave të autoritarizmit.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.