Në thelb | LGBTQ+

Zëra nga Krenaria e Prishtinës

Nga - 12.06.2023

Komuniteti LGBTQ+ kosovar dhe aleatët/et e tyre festojnë krenarinë dhe progresin.

Rrugët e Prishtinës u hijeshuan me pankartën ku shkruhej “T’DU QASHTU QYSH JE” të shtunën, më 10 qershor, për t’ia hapur udhën Paradës së shtatë dhe njërës nga më të gjallat të Krenarisë në Kosovë. Qindra marshues u mblodhën për t’i kthyer rrugët në mbledhi për ta festuar komunitetin queer.

Të pranishmit ngjyrosën fytyrat e tyre me xixa dhe me krenari i shfaqën ngjyrat e ylberit. I gjallëruar nga mbretëresha drag [drag queen] Adelina Rose, e cila udhëhiqte turmën në një kamion të me altoparlantë të fuqishëm, parakalimi shpërfaqi drag kulturën në rritje të Kosovës.

Njëri ndër pjesëmarrësit suprizues në paradë ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu bashkua për herë të parë ngjarjes. Kurti është kritikuar në të kaluarën për mospërkrahje të zëshme ndaj komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. Disa deputet/e nga radhët e partisë së Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (VV), duke besuar se ligji do t’i hapte rrugë legalizimit të bashkimeve civile midis personave të të njëjtit seks, së fundi, ishin më të zëshmit kundër një projekt-ligj gjithëpërfshirës të Kodit Civil, i cili përfundimisht nuk kaloi.

Parada e Krenarisë shënoi kulmin e Javës së Krenarisë me plot aktivitete, duke përfshirë diskutime mbi shëndetin mendor në komunitetin queer, fuqizimin e lëvizjes LGBTQ+ dhe përfshirjen e grave queer në aktivizmin feminist. Më pas, atmosfera çdo natë u shndërrua në ngjarje plot gjallëri, muzikë dhe performanca drag.

Qindra njerëz dolën në Paradën e shtatë të Krenarisë në Prishtinë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Ngjarjet e javës tentuan t’i vendosnin në qendër të vëmendjes sfidat e shëndetit mendor të njerëzve queer, që përballen me diskriminim sistemik dhe, shpesh, me refuzim nga familjet e tyre. Krenaria e Prishtinës theksoi nevojën për mbështetje të palëkundur për individët LGBTQ+ në Kosovë.

K2.0 foli me pjesëmarrës/e të Paradës. Këto janë mesazhet e tyre:

Arlinda Morina, artiste 

Prej viteve 2000 unë jam e hapur dhe prej atëherë kanë ndodhur shumë ndryshime të mëdha. Ka qenë ëndërr e jona që me mbrri ndonjëherë Paradën e Krenarisë si kjo, e cila sot është realitet. Gjatë kohës kur bona disa video dhe takova shumë njerëz, më kujtohet që jetonim nëpër bodrume dhe kafe të vogla. E sot po dalim kaq haptazi, me gjithë atë krenari për veten tonë, pa pikë marre. Ne kemi pasë marre për atë kush jemi, por kjo ka ndryshu dhe tani jemi krenarë për atë kushë jemi. Kur kthehem mbrapa, kjo më ka fascinu.

Po të kishte pasur Pride dhe lëvizje kaq të madhe prej atëherë kur kam dalë hapur, me siguri do të isha një artiste, që isha ni me ma shumë za se sa tash. Në vitet 2000 jam ndierë shumë e shtypur artistikisht dhe si person. Në momentin që kam dalë hapur, shumë njerëz më thonin se më mirë do të ishte të mos kisha dalë sepse do të kisha përparu. Por unë nuk ndihesha vetvetja nëse nuk thojsha se kush jam. Kështu që erdhi koha që ky sllogan “T’du qashtu qysh je” dhe më pëlqeu tepër sepse e pati atë mesazhin që kam dashte gjatë gjithë jetës sime: me m’dashtë ashtu siç jam dhe me m’përkrahë ashtu siç jam.

Kryeministri Albin Kurti marshoi për herë të parë në Paradë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Ern 

Po e vërej se teksa komuniteti po evoluon, ne po bëhemi më të guximshëm. Çdo vit, rruga e marshit bëhet më e gjatë, deri në destinacionin përfundimtar. Në të kaluarën, njerëzit queer i fshihnin flamujt e tyre menjëherë pas marshit, por sot i shoh të gjithë ende duke kërcyer me flamuj në duar, edhe pasditeve të vona. Më rritet zemra teksa e shoh këtë unitet brenda komunitetit.

Është ditë e veçantë për t’iu treguar njerëzve se jemi këtu, edhe për ata që nuk guxojnë të dalin. Ne jemi këtu për ju, pavarësisht se çka ndodh. Është e rëndësishme t’i shohësh njerëzit duke valëvitë me krenari flamujt jo-binarë dhe t’u tregosh të tjerëve se ka njerëz si ata. Kur e zbulova identitetin tim, nuk e kam ditë se në Kosovë kishte njerëz jobinarë. Tani kur takoj individë që identifikohen ngjashëm, ka një rëndësi të madhe sepse e kuptoj se i përkas një komuniteti dhe s’jam vetëm.

Ardita Maçastena, studente e drejtësisë

Arsyeja pse jemi mbledhur këtu është, ndër të tjera, për ta festuar praninë e komunitetit LGBTQ+ në Republikën e Kosovës dhe si juriste për të siguruar mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht për komunitetet që janë në pozita të cenueshme. Nga pikëpamja profesionale dhe personale, është thelbësore për mua të jetoj në një shtet të drejtë, që mbështet vlerat demokratike dhe themelore.

Turmat ishin festive dhe të lira në atë që ndoshta mund të quhet Parada e më e gjallë e Krenarisë në Prishtinë deri më tani. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Pjesëmarrja në paradë dhe dalja hapur është domethënëse sepse ne të gjithë kemi familje dhe jemi të rrethuar nga individë queer në shoqëri. Kjo çështje i kapërcen të drejtat e njeriut dhe është e rëndësishme që edhe individët jo-queer të dalin si aleatë/e. Ky akt kontribuon në respektimin e të të drejtave të njeriut të secilit.

Brianka

Është hera ime e parë që marr pjesë në një paradë dhe më duket mjaft exciting [ngazëllyese]. Hala nuk kam dalë hapur (si grua) dhe nuk kam dalë ende publikisht për shkak të situatës së vështirë familjare.

Për mua, nuk është obligative t’i bashkohesh paradës vetëm sepse je person queer; të gjithë duhet të jenë pjesë. Është e rëndësishme që të gjithë ne të jemi të pranishëm dhe të marrim pjesë në paradë.

Kurdo që vjen koha dhe nëse ndiheni të gatshëm t’i bashkoheni paradës, hajdeni. Duhet të marrin pjesë edhe të tjerët sepse ne kemi nevojë për mbështetje jo vetëm nga komuniteti LGBTQ+ por edhe nga sfera të tjera. Është mënyra jonë paqësore për me e rritë dukshmërinë, progresin dhe luftën për të drejtat tona.

Parada mbylli Javën e Krenarisë, e cila u përqendrua në ofrimin e mbështetjes, dashurisë dhe fuqizimit për komunitetin LGBTQ+ të Kosovës. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Artani, student

Vëllai im ka dalë hapur te unë si gej dhe kam fillu me iu bashku Pride [Paradës së Krenarisë] dy vjet më parë kur kuptova se sa e rëndësishme është për të mbështetja ime. Nuk kam marrë pjesë më parë në Paradë, sepse nuk e kam kuptu si duhet rëndësinë e eventeve [ngjarjeve] si Parada për individët/et queer.

Ne jetojmë në një vend shumë konservator dhe, për shembull, njëri prind i joni ende refuzon ta pranojë non-heterosexuality [mos-heteroseksualitetin] e vëllait. Mos të flas për familjen e gjerë, shumica e së cilës nuk janë në dijeni dhe është sfiduese me iu tregu të vërtetën për shkak se përdorin vazhdimisht gjuhë homofobike. Prandaj, është qenësore për ne, si anëtarë të familjes dhe shoqëri brenda komunitetit, që mbështesin të drejtat LGBTQ+, të dalim dhe t’u japim pak shpresë të dashurve tanë, duke i siguru ata se s’janë vetëm në këtë vend.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.