Mall dhe kërkim | Personat e pagjetur

Kur u çova prej gjumit, nuk osht djali

Nga - 30.08.2023

Rrëfimi i Shehrije dhe Mursel Veliu.

Unë jom Murseli, i lindun me 1 maj 1964, me profesion inxhinier i makinerisë. Kom lindë në Polac, prej babës Hazir, prej nanës Shehide. I kom katër fëmijë, me Gëzimin kanë qenë pesë. Vëllazën nuk kom. Kom katër motra.

Jeta jonë ka qenë mesatare, pak a shumë si te të gjithë në atë kohë. Jemi rritë së bashku, me një gjendje jo qaq t’mirë ekonomike. Shkollën e kom kry në Polac, të mesmen në Skenderaj, studimet në Mitrovicë. Motrat, e para e ka kry vetëm shkollën fillore, tjerat kanë qenë me shkolla të mesme.

Baba ka qenë punëtor fizik në nji fabrikë të tullave ballore e të bllokave, në Skenderaj. Nana ka qenë amvise, na ka ndihmu neve, na ka rritë, na ka pregatitë për jetë. Raportet në familje kanë qenë shumë t’mira, janë kujdesë për ne, na kanë ndihmu.

Zakonisht në mëngjes ose masdite, kur kemi qenë ma t’vegjël, kemi shku n’shkollë. Paraditen e kemi shku si fmijë me bagëti, masditen n’shkollë. Si fëmijë ma fort kom pasë qef me punu tokën. Mirëpo, mandej u orientova në drejtim teknik ma shumë në shkollë të mesme.

Në shkollë të mesme në Skenderaj shkojsha edhe me autobus, po gati ma shumë në kamë vallahi. Qashtu ishin rrethanat, n’kamë kemi shkue e jemi kthy me shokë. Tani e kom regjistru Shkollën e Lartë Teknike, Drejtimin e Makinerisë në Mitrovicë, në vitin ‘85/‘86. E kom kry në afat t’rregullt, edhe jom punësu. Si student, nji kohë kom banu në Mitrovicë, se edhe drejtimi lypke bashkëpunim me shoqni, e kemi banu atje. 

E në ato vite, tu u rritë e tu i kuptu do sene për gjendjen politike. Nuk o konë gjendje e mirë. Kemi pasë pengesa, nuk o konë jetë e përshtatshme as për punë, as për studime. Shkollimin ma ndihmojke baba, por nuk ka mujtë me ia dalë as ai shumë, e edhe unë kom punu pak, e jom shkollu.

Me gruen kena bo fejesë me traditat e mahershme, me msit atëherë. Mas nji viti jena martu, me 9 tetor 1988, mbasi e kom kry fakultetin. Martesa o bo në mënyrë tradicionale, si këtyneherë, me krushq, me kerre. Jonë konë ma të thjeshta dasmat atëherë, ama për atë kohë mirë. 

Mandej, Gëzimi na ka lindë në ‘89-tën, me 26 shtator, në spital në Skenderaj. O konë ditë e lumtun shumë; fëmija i parë. Gëzimi o konë fëmi shumë i mirë, i zgjuet. Ka mbërri deri në klasën e katërt n’atë kohë. Kur e kanë vra, ka qenë nontë vjeç e gjysë. Ka qenë nxanës shembullor. Sa herë që janë dalë gjatë luftës, me çantë në krah ka dalë. Qaq i talentum si nxanës o konë.

Dy vjet mas Gëzimit na ka lindë Edona. Edhe Edona ka qenë vajzë e shkathët, me mësime ka qenë mirë. Kanë pasë bashkëpunim shumë t’mirë me Gëzimin, lujshin bashkë, në shkollë shkojshin bashkë.

Mandej ka lindë Qëndrimi, dy vjet mbas Edonës. Qëndrimi nisi njiherë me studiu Edukatë Fizike, po e ndërpreu se osht tash në nifarë zanati për instalime elektrike. Nuk iu duk me qaq prespektivë ai fakultet. Kqyrke këtu në BVI të punësimit shtatë a tetë vjet me Master tu pritë. Pak u ftof, e tani e ndërpreu, se ka qenë student shumë i mirë, po u rrok më këtë zanatin për rrymë edhe tash me tò po punon.

Mas Qëndrimit, prap dy vjet ma vonë, më 1995 ka lindë Mërgimi. Mërgimi punon me mjeshtri ka pak. Me instalime të ujit. E ka kry nifarë kursi për atë zanat. Ma e vogla osht Bleona, që ka lindë në vitin 2000. Ajo osht shumë e talentume. Osht studente e mirë. Prej klasës së parë deri në shkollën e mesme, asnji 4-she kurrë s’e ka pasë. Tash në fakultet osht në vitin e tretë, me notë mesatare 9.7. Domethonë, vetëm nji a dy 9-she i ka.

Po, lufta për ne ka fillu pak ma herët. Gati ma e vështirë ka qenë krejt ajo gjendja para luftës, sesa lufta e drejtpërdrejtë me armikun. Kemi përjetu gjana shumë të randa, jo dëbimi nga puna, vrasje qe besa aty-këtu. Unë në ‘97-tën jam detyru me dalë jashtë. Kam shku në Slloveni. Por, fëmija, gruja e familja ma shumë e kanë përjetu luftën sesa unë që deri në ‘97-tën muj me folë për demostrata, dëbime nga puna. Por, në vitin ‘98, me datat 5-7 mars, kur janë bo sulmet kundër Jasharëve, kam qenë këtu, atò e kom përjetu. E luftën edhe dëbimin nga shpia, atò e e kanë përjetu gruja me fëmijët.

Kur janë sulmu Jasharët, jemi konë nëpër shpia, po u ndijshin dofarë lëvizjesh, dofarë rrethimesh, dofarë përcjelljesh prej tyne. Ma shumë e vëzhgojshin pjesën ku ish rezistenca ma e madhe, këndej te Jasharët. Fokusimi ka qenë te ata, në lagjen Jasharaj edhe n’përgjithësi në Prekaz. Na jemi afër me ta. Ka qenë rast shumë i rondë, gjendje lufte. Dihet çfarë rezistence kanë bo ata.

Në sulmet e mavonshme nuk kom qenë ma këtu. Për shkaqe ekonomike, m’u desh me u kthye me punu në Lublanë, me majtë familjen. Kështu që, luftën ma shumë e kanë përjetu familja, prindët, motrat edhe fëmija. I kanë dëbu prej shpie. 

Kur kanë nisë me hi nëpër lagjen tonë, nji herë a dy janë pasë nda familja, njiherë baba e nana kanë shku kah Drenasi, fëmija këndej kah Mitrovica. Në fillim, kur kanë dalë prej shpije, jonë shku në Vushtrri, kanë nejtë nja tri javë. Veç, me thanë të vërtetën, në Vushtrri paskan nejtë masi na e kanë vra Gëzimin.

Kur i kanë përzanë, fëmijët kanë shku në Mitrovicë me gruen edhe motrën e vogël, te do dajë tonët. Atëherë, kur kanë marrë me i dëbu, i kanë qitë nëpër rrugë shumë banorë prej Mitrovice për me i nisë për Shqipni. Nja dy ditë e dy net i kanë nalë rrugëve, me pushu pak. Tu shku në Gremnikë, kur i kanë nisë për Shqipni, ka qenë gruja më fëmijë, me motrën edhe me nji dajë e familjen e tij. Nji natë kanë bujtë në Gremnikë, e të nesrit janë nisë me shku për Shqipni. Aty iu ka dalë nji kombi plot me paramilitarë serbë edhe nuk i kanë lanë me vazhdu, po i kanë detyru me u kthye krejt turmën e njerëzve.

Daja o konë përpara tu ecë edhe fëmija e gruja jonë konë si n’turmë të njerëzve. Kur janë ndalë me kordon t’policisë, nji polic ka tentu me i mëshu dajës. Mirëpo, ai osht largu. Ka qenë djali mas tij edhe ai e ka rrokë me kondak të automatit mas veshit, edhe e ka rrxu. Djalit i ka hupë vetëdija, ka mbetë qaty, e njerëzit tjerë jonë kthy. Po gruja me djalë, me motrën e me fëmijë jonë metë tani qaty. 

E kanë lonë ata niherë edhe ka ardhë nji kombi tjetër me paramilitarë serbë. Jo ata që i kanë ra, po tjerë. Këto po i thom qysh m’kanë kallxu gruja e motra. Ka ardhë kombi tjetër, i kanë thonë, “Që kallxoni kush i ra, kemi me iu pre tonëve. Duheni me thonë nuk di çka ka ndodhë. Me kallxu kush i ka ra, s’bon hiç. Edhe e kanë marrë djalin. Po aty ka dalë problemi, se o dashtë dikush me shku me ta. Gruja i ka pasë edhe tre fëmijë, Qëndrimin, Edonën e Mërgimin. E, ka marrë masandej motra me shku me Gëzimin.

Prej aty e kanë çu në Klinë t’Begut te mjeku. Djali o konë thuja se pavetëdije. Motra m’kallxojke që ka mbetë në korridor me ni ushtar a dy, e fminë e kanë shti mrena. Mandej e kanë marrë nji kerr të ndihmës t’shpejtë edhe i kanë çu deri n’Pejë. Aty o konë shoferi, civil. Nja ni orë e kanë majtë n’Pejë edhe e kanë kthy, kanë thonë dojna me çu për Prishtinë. Kur jonë ardhë në Prishtinë, as motra nuk dike me kallxu në cilin repart e kanë çu. “Gjithë pa vetëdije o konë”, më thotë. 

Nja tri ditë ka rrnu. Ka pasë shumë pak pacienta, por i njejti rast kish ndodhë me ni fëmijë tjetër, moshtar i tij. Koka konë edhe ni gru me atë fëmijë. Jonë bo s’bashku me ta. “Të tretën ditë”, tha motra, “m’u duk që p’i çel sytë kaniherë”. Vizita t’mjekve nuk ka pasë shumë, nuk e kanë kontrollu shumë, veç veç tu nejtë qaty. 

Motra thotë “I çelke sytë, m’u dokke që po bon ma mirë. M’erdh m’u gzu. Dikur, më ka marrë pak gjumi kah ora nontë e gjysë në mramje. Nuk e di as sa kom flejtë, nja njizet minuta a gjysë ore. Kur u çova prej gjumit, nuk osht djali”, tha. “Jom dalë tu piskatë, ‘Ku osht’?’. Thojshin, ‘s’di’. Knej, plot ushtri nëpër korridore. Disa thojshin ‘Ka vdekë’. ‘Qysh bre, po ai ke mirë, i çelke sytë’. Qeshtu thotë motra, ‘Ai ka vdekë edhe as s’e kom pa tu vdekë. Veç i çilke sytë, n’qatë kohë kur m’ka marrë gjumi mu”, tha. “Nuk e di ku e kanë çu”, thotë. 

Edhe ai fëmija tjetër kish pasë vdekë, që jonë konë bashkë me tò. Motra o detyru m’u veshë n’pixhame t’spitalit, se ish konë shumë e rrezikume. O dashtë m’u veshë si paciente në spital me gjithë atë gruen qaty edhe nji natë a dy, sa kanë nejtë në spital. Ajo grueja ka metë mandej vetëm, kanë rreziku të dyjat. 

Motra mandej o nisë prej Prishtine me nji autobus deri në Vushtrri. Njerëz shumë pak, në lëvizje ushtri e polici ma shumë. “Prej Vushtrrie jom ardh”, tha, “prap me nji autobus tjetër, deri në Mitrovicë. Kur jom ulë në autobus”, tha, “kanë marrë policia me m’qitë jashtë, me më nxjerrë prej autobusit”. E ka ardhë deri në stacion të autobusave, mo nuk e kanë ngucë, thotë. Tani, ajo prej stacionit të autobusave ka ardhë te do dajë që i kemi në rrugë t’Vakanicës. 

Unë në vitin 2002 jom kthy prej Sllovenie. Na s’dishim as ku me lypë, a ku me kqyrë. Në spital nuk kish kurrfarë shënimesh. UNMIK-u tani erdhën në 2004-tën ADN-në na e morën; fëmive, grusë, mue, edhe na kanë thirrë mandej do njerëz të UNMIK-ut prej Prishtine e na kanë lajmru që eshnat e Gëzimit jonë gjetë. Unë s’kom mujtë me shku me i marrë, nuk kisha zemër. Baba jem ka shku n’Rahovec ku jonë konë në nji si morg. “Njifarë si shator”, më tha, “ku i kishin qitë do kufoma”. Janë shku me nji kerr prej ktu, m’doket Komuna e pat siguru. 

Në rreth të Drenicës muj me thonë se i treti, i katërti që ia kanë pasë gjetë mbetjet o konë Gëzimi. Në vorrim të eshtnave, kur ia bomë, ka pasë shumë njerëz.

Do letra na i kanë lëshu po nuk ka shënime kurrgjo aty. Për katër vjet nuk dimë as ku o konë i varrosun. Unë krejt këto i kom marrë vesh mas katër mujve, nuk më kanë kallxu hiç. As nuk s’dijmë kurrgjo se kush janë ata që i kanë mëshu me kondak djalit. Noshta aty në turmë i ka njohtë dikush, por nuk osht hulumtu rasti. Nuk ka asnji përpjekje prej shtetit a prej UNMIK-ut, a EULEX-it, a KFOR-it, për me i identifiku ata persona.

Osht konë rast shumë i rondë. Kisha pasë qef me mujtë dikush për shembull me lobu për këtë punë. Noshta ishin dalë qata njerëz që i kanë bo këto. Fëmijë që kanë vra. Pra, me u interesu a e ka njoftë dikush. Po jonë konë t’ngjyrostë nëpër ftyra ata. Tjetër s’po di çka me thonë.

Fotografitë e mbetura të Gëzimit me familjen.

Shehrie Veliu: Unë s’du mu çkoqë pi tij

Shehrie Veliu jam, e lindun në vitin 1973 n’Rezallë. Mbiemnin e çiknisë e kom Zabeli. Baba ka punu n’fabrikë, punëtor i thjeshtë o konë. Nana o konë amvise. Kemi qenë gjashtë vllezën e tri motra. Nji motër e kom t’martume, osht në Slloveni, e dyta osht në Prishtinë, punon fizerkë. Vllaznia, njoni osht në Austri, njoni n’Suedi, njoni n’Gjermani, e tre janë ktu; njoni punon n’Prishtinë, njoni në Skenderaj. Në shkollë kam shku deri në t’pestën, jo ma shumë. Me 15 vjet jam martu, se atëherë o konë ma ndryshe koha.

E për fëmijët, Gëzimi osht i pari që e kemi pasë, tani Edona, Qëndrimi, Mërgimi e Bleona. Më kujtohet shumë mirë kur ka nisë lufta te Jasharët. Jena konë n’shpi tu hangër kaftjall, kur thanë, “Janë ardhë tash edhe knej” e jena ikë. Mo s’kena ditë as kah po shkojmë. Fëmija m’kanë shku atje ku ka nisë lufta te Jasharët. Fëmijët tjerë kho, unë vetë tjetërkah me vjehrri. Dikur mas dy dite jena taku n’Vushtrri, te ni familje jena tubu te tonë qaty.

Atë ditë që jena konë në shpi krejt familja, nejse burri jo, se ish në Slloveni, as ni kunatë që o konë e martume, ka ardhë Gëzimi. I kishin pasë tregu në shkollë, “Jonë ardhë në fabrikë këtu forcat, nesër ka me ia nisë lufta”. E nisi po kan djali. I thashë, “Hajde ha bukë”. Tha, “Jo ni herë s’du kurrgjo se tash ka me ia nisë lufta”. Kur erdh vjehrri, tha, “Veç fëmijët t’i largojmë, t’i pshtojmë”. E kunata e vogël edhe unë jena shku te dajtë e burrit në Mitrovicë. Djali shumë u mërzitke. I thojshin në autobus, “Kanë me ta marrë mamin, kush s’ka letërnjoftim”.

Tani prej dajëve t’burrit jena ikë në Shipol, kena nejtë te ni çikë e dajës t’burrit aty, po tani nisi kolona, na larguen prej aty. Për Shqipni n’komë jena nisë, e na kanë kthy gati te Gjakova, n’Igremnik nifarë katuni aty, qysh na kallxojshin. N’kamë katër ditë e katër net kemi ba qashtu. Kunata edhe dajtë e burrit jonë konë me mu. Edhe fëmijët: Gëzimi, Edona, Qëndrimi, Mërgimi.

Rrugës, veç na dalshin ni kerr, me automata na i nxirrshin thikat, thojshin, “Kena me jau hekë kryet”, deri kena ardhë me ni katun n’gjysë t’rrugës, Vojtesh. Aty kena bujtë ni natë edhe jena nisë për Runik e Gjurakovc anej. Na kanë çu katër ditë e katër net edhe pak ma anejna. Aty e merrshin dukatin. Tani na kanë kthy knej, po ni ditë pa u nisë knej, jonë ardhë me nji kombi të kaltër, si sot e mbaj men, paramilitarë me shamia në kry, të ngjyrostë n’ftyrë. Dajës t’burrit i kanë ra me automat, edhe e kanë rrokë edhe djalin. Qaty e ka hupë vetëdijën djali. N’dorë tani e kom pasë djalin. Kur ka ardhë tjetri kombi, ma kanë marrë djalin. Kunata jeme o shku me ta. Tha, “Unë s’du mu çkoqë pi tij”. Se unë isha me këta fëmijët tjerë.

Ata i kanë çu në Klinë, Pejë, tani për Prishtinë n’spital. E na jena ardhë n’shpi, nejse jena ardhë knej e jena shku n’Mitrovicë. Aty s’kena nejtë ni natë dy, e na kanë nisë knej prej Prekazi apet. Piskatshin fëmija, këta tretë, s’disha çka me iu bo. Granatat na fluturojshin përmi kry, thojshim veç kur t’na rrokin. Erdhëm në Prekaz. Edhe aty kena nejtë ni javë ditë a ma shumë.

Për Gëzimin hiç send s’kom ditë, deri o ardhë kunata mas ni jave në Prekaz. Hiç s’më ka kallxu, veç që ka dekë djali më ka thanë, e ma shumë jo. Tek qetash vonë aty-ktu m’kallxon diçka. Se edhe jom konë shumë keq vetë.

Mas ni jave jena shku n’Klinë, kena nejtë edhe nja ni javë a dy, e  na kanë kthy n’Skenderaj. Nuk na kanë lanë me dalë në Shqipni.

Masandej kena kqyrë me gjetë djalin. Në Prishtinë thojshin, “S’osht”. Vjehrri ka kqyrë ma së shumti. Se burri katër muj s’e ka ditë, masi na prej këtu s’i kallxojshim. Tani, kah tetori, mas katër a pesë mujve, na patën thirrë e na kanë marrë ADN-në mu edhe fëmijëve. Fëmija u tutshin kur erdhën me na marrë ADN-në. E kur m’kanë thirrë në telefon, aty shumë keq jom konë. Krejt kohën që pritshim naj lajm, thojsha, ”Veç kur t’luj mensh”. Veç Zotit iu lutsha, se tjetër nuk dijsha. 

Këta të UNMIK-ut në 2004-tën na kanë lajmëru në telefon. Mu m’patën thirrë. “E kemi gjetë kufomën”, më thanë. Burri nuk ka mujtë me shku, pat shku vjehrri. Qato letra na i kanë dhonë. Në thes jonë konë eshtnat e pshtjellta. E kena varrosë te vorret ku janë. Nuk e kena çelë me i kqyrë eshnat, se mas pesë vjetve e kena gjetë, në 2004-tën.

 

Imazhi i ballinës: ForumZFD