Kosova synon të bëhet anëtare e BE-së. Ka të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me BE-në dhe një sërë marrëveshjesh të tjera që duhet ta përgatisin Kosovën për shtegun e saj evropian.
BE-ja është gjithashtu ndërmjetësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të çojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, për të cilën BE-ja insiston se është parakusht për anëtarësimin e Kosovës në bllokun evropian.
Megjithatë, Kosova ka një problem.
Së fundi, një vendim nga Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian tregoi qartë se si e sheh BE-ja Kosovën.
Kosova synon t’i bashkohet BE-së si shtet sovran, mirëpo pesë shtete anëtare të BE-së — dhe vetë BE-ja — nuk e njohin si të tillë. Për BE-në, Kosova nuk është shtet por vetëm “vend”, që nënkupton një entitet territorial i cili posedon një lloj personaliteti juridik ndërkombëtar me të cilin BE-ja mund të arrijë marrëveshje ndërkombëtare, por që është më pak se shtet sovran.
Së fundi, një vendim nga Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian tregoi qartë se si e sheh BE-ja Kosovën, dhe kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Rasti u iniciua pasi Spanja dorëzoi një padi kundër Komisionit Evropian për lejimin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës t’i bashkohej Trupit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (TRrEKE), të themeluar nga BE-ja. Gjykata duhej të vlerësonte nëse Kosova cilësohet si vend sipas një rregulloreje të BE-së, gjë që do ta lejonte trupin rregullator të Kosovës t’i bashkohej TRrEKE-ut.
Në gjykimin e saj (Rasti T-370/19 i 23 shtatorit 2020), gjykata vendosi se një nga traktatet konstituive të BE-së — Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) — e bën dallimin ndërmjet “vendeve” dhe “shteteve”.
Sipas gjykatës, dallimi ndërmjet “vendit” dhe “shtetit” i lejon BE-së të vendosë marrëdhënie të jashtme me entitete që nuk janë shtete por që kanë personalitet juridik ndërkombëtar për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare. Komuniteti ndërkombëtar nuk përbëhet vetëm nga shtetet por edhe nga entitete të tjera territoriale të ndryshme nga shtetet sovrane, me të cilat BE-ja ruan një formë të marrëdhënieve të jashtme. Entitetet e tilla territoriale, të cilat janë më pak se shtete sovrane por që ende ruajnë një formë të personalitetit juridik ndërkombëtar quhen me termin “vend”, siç përdoret në TFBE.
Gjykata solli ndërmend faktin se BE-ja ka arritur disa marrëveshje ndërkombëtare me entitete që nuk janë shtete sovrane, si Organizata Çlirimtare e Palestinës, Territori i Veçantë Doganor i Tajvanit, Penghu, Kinmen dhe Matsu, Qeveria e Rajonit Administrativ Special të Hong-Kongut të Republikës Popullore të Kinës, dhe Rajoni Administrativ Special i Makaos të Republikës Popullore të Kinës.
BE-ja u autorizua të hynte në marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën vetëm për shkak të dispozitave përkatëse në traktatet e BE-së që i referohen Kosovës si “vend” dhe jo si “shtet.”
Po ashtu, gjykata konfirmoi se BE-ja ka hyrë në disa marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, përfshirë MSA-në.
Sidoqoftë, ajo gjithashtu theksoi se BE-ja kurrë nuk e ka pranuar pozicionin e Kosovës si shtet sovran. Përkundrazi, MSA-ja e thotë qartazi se nuk përbën njohje të Kosovës si shtet të pavarur nga ana e BE-së, e as nuk ndikon në pozicionet individuale të shteteve anëtare të BE-së për statusin e Kosovës.
Masa të tilla janë të përfshira edhe në marrëveshje të tjera ndërkombëtare ndërmjet BE-së dhe Kosovës. BE-ja u autorizua të hynte në marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën vetëm për shkak të dispozitave përkatëse në traktatet e BE-së që i referohen Kosovës si “vend” dhe jo si “shtet”.
Vendimi i gjykatës e konfirmon atë që BE-ja veçse e ka deklaruar në Studimin e Fizibilitetit të vitit 2012, rreth kualifikimit të Kosovës për MSA-në. Komisioni Evropian shpjegoi se arritja e MSA-së nuk do të përbënte as njohje të Kosovës si shtet të pavarur nga BE-ja e as njohje nga shtetet anëtare invidivuale.
Për këtë arsye, MSA-ja e Kosovës me BE-në dallon nga MSA-të e tjera pasi është MSA vetëm me BE-në. Nuk i përfshin të gjitha fushat të cilat mbulohen nga MSA-të e tjera meqë kjo do të kërkonte që të ratifikohej nga shtetet anëtare të BE-së, dhe me pesë prej tyre që nuk e njohin Kosovën, kjo nuk ishte e mundshme. Andaj, MSA-ja e Kosovës me BE-në është version i lehtë dhe i adaptuar i pozicionit “vend” dhe jo “shtet”.
Termat teknikë kanë pasoja
Pikëpamja e BE-së për Kosovën si vend dhe jo si shtet ka pasoja të rënda për anëtarësimin e Kosovës në të ardhmen dhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që duhet të normalizojë marrëdhëniet mes dy palëve.
Për sa kohë që BE-ja e trajton Kosovën vetëm si vend, Kosova do të përballet me pengesa serioze ligjore që mund ta pengojnë të anëtarësohet në BE, madje edhe të nisë procesin e pranimit në BE. Për ta kuptuar këtë, duhet t’i kthehemi një traktati tjetër – Traktatit për Bashkimin Evropian.
Neni 49 i këtij traktati përcakton se vetëm shtetet mund t’i bashkohen BE-së. Anëtarësimi është i hapur vetëm për “shtetet evropiane” dhe vetëm shtetet mund të aplikojnë në Këshill për anëtarësim në BE. Kushtet për pranim në BE përcaktohen në një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe “shtetit aplikues.”
Sipas dallimit të bërë nga gjykata ndërmjet “shtetit” dhe “vendit”, këta të fundit qartazi përjashtohen nga anëtarësimi në BE.
Për sa kohë që ka shtete anëtare të BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën si shtet, dhe BE-ja e ruan qëndrimin se Kosova është vetëm vend dhe jo shtet, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE është e mbyllur.
Kosova duhet të jetë e kujdesshme se në çfarë kapaciteti ligjor e nënshkruan marrëveshjen me Serbinë.
BE-ja në vazhdimësi ka theksuar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre është parakusht për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE. Dialogun të cilin e lehtëson BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim ta mbështesë procesin negociues dhe arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Megjithatë, duket se në këtë proces Serbia për BE-në është shtet sovran, ndërsa Kosova është “vend”, që do të thotë entitet territorial më pak se shtet sovran.
Po ashtu, BE-ja asnjëherë nuk ka kërkuar në mënyrë të qartë që njohja e Kosovës nga Serbia të jetë pjesë e marrëveshjes. Kjo ka tri pasoja:
Së pari, Kosova dhe Serbia nuk janë entitete ligjërisht të barabarta gjatë procesit negociator. Serbia është shtet sovran me të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar, derisa Kosova konsiderohet nga BE-ja më pak se aq.
Së dyti, Kosova duhet të jetë e kujdesshme se në çfarë kapaciteti ligjor e nënshkruan marrëveshjen me Serbinë. Në rast se nuk ka njohje të qartë dhe të padiskutueshme të Kosovës si shtet të pavarur nga Serbia, atëherë do të ketë paqartësi rreth asaj se çfarë pozicioni ka Kosova sipas ligjit ndërkombëtar kur nënshkruan një marrëveshje të tillë. Kjo do të lejonte të ketë interpretime të ndryshme që do t’i sfidonin pretendimet e Kosovës se është shtet sovran.
Së treti, edhe nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje, dhe Serbia e njeh Kosovën si shtet, kjo nuk do të thotë automatikisht se shtetet jonjohëse anëtare të BE-së do ta njohin gjithashtu. Nëse ato nuk e njohin Kosovën, BE-ja do të vazhdonte ta trajtonte Kosovën si vend dhe jo si shtet dhe hyrja e saj në BE do të mbetej e e bllokuar.
Andaj, është e rëndësishme që marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ta përfshijë njohjen e Kosovës nga BE-ja dhe nga pesë shtetet anëtare jonjohëse, përndryshe marrëveshja nuk do ta arrijë qëllimin e dëshiruar për t’ia mundësuar Kosovës anëtarësimin në BE.
Sa herë që Kosova ka shpërfillur pasojat ligjore të veprimeve të veta në arenën ndërkombëtare, ka paguar një çmim të lartë politik.
Për të gjitha këto arsye, është e nevojshme që marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të pranohet nga BE-ja dhe vendet anëtare jonjohëse si “kusht paraprak” për hyrjen e saj në fuqi.
Pa këtë gjë, marrëveshja do të shkonte thjesht në të mirë të Serbisë duke i mundësuar t’i bashkohet BE-së, përderisa statusi ligjor i Kosovës do të mbetej i paqartë dhe subjekt i kundërthënieve.
Fatkeqësisht, u është kushtuar pak vëmendje dimensioneve komplekse ligjore të një marrëveshjeje me Serbinë, dhe ka pasur tendencë që aspektet ligjore të paraqiten si legalizëm i panevojshëm dhe në masë të madhe të parëndësishme. Sidoqoftë, sa herë që Kosova ka shpërfillur pasojat ligjore të veprimeve të veta në arenën ndërkombëtare, ka paguar çmim të lartë politik.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, deri më tani i është shmangur adresimit të qartë të pyetjes për njohjen dhe në vend të kësaj është fokusuar në fusha të caktuara të rëndësisë praktike në nivel teknik.
BE-ja dhe ShBA-ja presin që Kosova të angazhohet në dialog dhe kjo do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë e re. Mirëpo, do të ishte e këshillueshme që qeveria e re ta adresojë pyetjen e njohjes menjëherë dhe ta shmangë zënien në kurth në çështje tërësisht teknike. Në mënyrë që dialogu të ketë kuptim real, duhet ta adresojë problemin qenësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërmjet Kosovës dhe BE-së — e që është pyetja për njohjen.
Kosova gjithshtu duhet të përfshihet në një dialog të veçantë me BE-në mbi atë se si të sigurohet që shtetet anëtare jonjohëse do ta ofrojnë njohjen për Kosovën si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet ta bëjë të qartë se nuk do ta pranonte një marrëveshje me Serbinë pa garanci për njohje nga BE-ja dhe shtetet anëtare jonjohëse.
Këto dy linja të dialogut — me Serbinë dhe me BE-në — kërkojnë që Kosova t’i mobilizojë të gjitha kapacitetet e veta diplomatike dhe të sigurohet që politika e saj e jashtme në dialog është e qartë dhe e koordinuar.
Kosova duhet t’i shmangë gabimet, siç janë besimi se një marrëveshje e vetme me Serbinë do të mjaftonte për t’u njohur si shtet nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë, dhe se çfarëdo marrëveshje do ta lejonte që automatikisht t’i bashkohej BE-së dhe OKB-së.
Kur shpalli pavarësinë në vitin 2008, dhe kur pranoi njëanshëm Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, Kosova besoi se kjo do të çonte në pranimin e njohjes nga shumica e shteteve. Kjo pritje doli të jetë iluzioniste.
Andaj, nuk duhet ta bëjë gabimin e njëjtë sërish.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Kosova sipas BE-se eshte nje vend dhe synimi i shtetit te Kosoves eshte te behet antare e BE-se.Po ashtu BE-ja eshte ndermjetsuese e dialogut Kosove-Serbi qe sipas tyre per Kosoven eshte nje parakusht per antarsimin e Kosoves ne bllokun evropian.Problem kryesor per antarsimin e Kosoves ne bllokun evropian eshte se 5 shtete antare dhe vete BE nuk e njohin Kosoven si shtet sovran por si nje vend qe do te thot entitet territorial dhe qe BE mund te arrije marreveshje nderkombtare por sipas tyre eshte me pak shtet sovran.BE-ja ka hyre ne disa marreveshje nderkombtare me Kosoven duke perfshire po ashtu edhe MSA-ne,po ashtu ata kurr nuk e pranuan Kosoven si shtet sovran dhe MSA-ja nuk ben njohje te Kosoves si shtet te pranuar nga ana e BE. BE fillon te hynte ne marrveshje nderkombetare me Kosoven vetem per disa dispozita te traktateve perkatese qe i referohen Kosoves si vend dhe jo si shtet.MSA nuk do te perbente as njohje si shtet i pavarur nga BE-ja,pasi qe 5 shtetet antare nuk e njohin Kosoven si shtet te pavarur dhe sovran ateher sipar BE dhe MS,eshte me e lehte qe Kosova te vihet ne pozicionin si vend dhe jo si shtet.Dhe sipas dallimit te bere nga gjykata ndermjet "shtet" dhe "vend" qartazi Kosova perjashtohet nga BE.Dhe perderisa ka shtete antare ne BE qe nuk e njohin Kosoven si shtet dhe BE e ruan vendimin se Kosova eshte vetem nje vend e jo shtet , rruga e Kosoves drejt antarsimit ne BE eshte veq se e mbyllur.