Pikëpamje | Serbia

A është ky fillimi i fundit?

Nga - 23.06.2020

Cili është rezultati i bojkotit opozitar të zgjedhjeve në Serbi?

Në mëngjesin pas zgjedhjeve të mbajtura më 21 qershor, Serbia u zgjua në një sistem autoritar de fakto. Pragu zgjedhor, i ulur nga 5% në 3% veç për këtë rast, u kalua vetëm nga tri parti: Partia Përparimtare Serbe (SNS) e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e udhëhequr nga Ivica Daçiq, dhe SPAS në krye me Aleksandar Shapiq. 

Në praktikë, kjo nënkupton se askush nga blloku i vërtetë opozitar nuk do të jetë pjesë e Parlamentit të ri. Që prej tetë vitesh, socialistët kanë qenë në koalicion me përparimtarët dhe do të mbesin partnerët e tyre strategjikë, pa marrë parasysh se a do të jenë formalisht pjesë e qeverisë së re-së vjetër. Ndërsa siç duket, Shapiq do të luajë rolin e një opozite bashkëpunuese e servile.  

Kështu që parlamenti i ri besnikërisht do të reflektojë unanimitetin aktual politik në Serbi.

Vuçiq pati fitoren më bindëse në karrierën e tij teksa driblonte në një fushë të zbrazët. Edhe pse kishte 21 lista zgjedhore, pjesa më e madhe e tyre ishte e mbushur me klonë të SNS-së, qëllimi i vetëm i të cilëve nuk ishte hyrja në parlament por simulimi i një pluralizmi Potemkin.

Pjesa më e madhe e opozitës së vërtetë — pavarësisht asaj çfarë mund të mendojmë për ta — ka vendosur që këtë lojë ta kalojë e ulur në stol, duke bojkotuar zgjedhjet për shkak të rrethanave jodemokratike. Në shikim të parë, ky vendim mund të duket kundër-intuitiv: Si rrëzohet një autokrat pa marrë pjesë në zgjedhje?    

Arti i qeverisjes

Megjithatë, në këtë pikë, bojkoti ishte e vetmja mënyrë e arsyeshme për t’i rezistuar rrëshqitjes së ngadaltë në absolutizëm. 

Para se të vendoste për bojkot, opozita serbe provoi gjithçka. E kundërshtuan Vuçiqin edhe nga pozicioni më liberal edhe nga ai më i djathtë, propozuan anëtarë të vjetër partie si dhe fytyra të reja — të tilla si Sasha Jankoviq — për emërime politike, krijuan parti të reja dhe formuan koalicione, protestuan bashkë me shoqata qytetarësh, e nën flamurin e vet. Asnjë nga këto nuk doli të jetë e suksesshme.

Një pjesë e arsyes për këtë janë biografitë e tyrë të ngatërruara dhe qëndrimet problematike, por e vërteta është se hapësira e tyre manovruese është zvogëluar në masë të madhe nga arti i qeverisjes së Vuçiqit, i cili bazohet në tre faktorë që e plotësojnë njëri-tjetrin: kontrolli i medias, instrumentalizimi i shtetit në shërbim të partisë së tij dhe manipulimi i zgjedhjeve. 

Për dallim nga Millosheviqi që manipuloi zgjedhjet shumë herë dhe ngulfati demokracinë  përmes atentateve ndaj kundërshtarëve politikë, vrasjes së gazetarëve, përdorimit të kordonëve policorë dhe topave të ujit, Vuçiqi kryesisht mbështetet në “pushtet të butë”. 

Duke larguar stafin e papërshtatshëm dhe emëruar militantë partiakë, SNS ka arritur që gradualisht ta instrumentalizojë pjesën më të madhe të aparatit shtetëror.

Në tetë vitet e pushtetit të tij, Vuçiqi me sukses ka krijuar një klimë politike ku rezultatet janë të ditura para shpalljes së zgjedhjeve. Kontrolli i medias luan një rol veçanërisht të madh në gjithë këtë.  

Shumica e gazetave të shtypura dhe elektronike, kombëtare dhe ato të Beogradit, janë nën ndikimin e Përparimtarëve, duke i shërbyer propagandës së drejtpërdrejtë dhe krijimit të kultit të personalitetit për Vuçiqin. Kritika publike, si një nga parakushtet e kontrollimit të qeverisë në një demokraci, është paralizuar për shkak të kësaj.

Faktori i dytë i shtrinë tentakulat e Përparimtarëve në pothuajse të gjitha institucionet publike, duke filluar nga prokuroria shtetërore, policia, shërbimet e sigurisë dhe ushtria, deri tek gjyqësori, e agjenci të ndryshme, në të gjithë nivelet e pushtetit. 

Duke e larguar stafin e papërshtatshëm dhe emëruar militantë partiakë, SNS gradualisht ka arritur të instrumentalizoj pjesën më të madhe të aparatit shtetëror, kështu duke pamundësuar investigimin e krimeve të kryera nga zyrtarë shtetërorë dhe duke i vendosur ata mbi ligjin. Policia nuk po e heton shkatërrimin e ndërtesave në lagjen e Beogradit Savamala për të mundësuar ndërtimin e “Belgrade Waterfront”, por ka arrestuar një sinjalizues që ka zbuluar marrëveshjet korruptive të fabrikës në pronësi të shtetit, ku ishte i përfshirë edhe babai i ministrit të punëve të brendshme. 

Kështu mbërrijmë te pika e manipulimit të zgjedhjeve dhe përgjigja për pyetjen: pse ishte bojkoti i opozitës i pashmangshëm?

Rituali i vlerësimit të kultit të personalitetit  

Nëse vendosni të jeni kundërshtari i Vuçiqit dhe partisë së tij, mund të prisni çdo gjë. Tabloidët e tij mund t’ju akuzojnë për vrasje dhe fshehje të saj, apo për planifikim atentati ndaj presidentit. Mund ta shpallin gruan tuaj shefe të një karteli droge, dhe partinë tradhtare.  

Ata të cilët udhëheqin me vendin do t’i përgjigjen çdo kritike tuaj duke ju akuzuar (më zëshëm dhe me më shumë burime) se po bëni të njëjtën gjë për të cilën ju i akuzoni ata. Mund t’ju akuzojnë për hajni, por prokuroria nuk do të reagojë, kështu duke lënë vend për dyshime të përjetshme mbi karakterin tuaj. Nëse dorëzoni padi për shpifje, gjykata do t’i vonojë procedurat derisa ato bëhen të pakuptimta.   

Pasoja e parë e menjëhershme e bojkotit është cungimi i legjitimitetit të qeverisë dhe thellimi i mëtejmë i krizës së brendshme politike në Serbi.

Në ndërkohë, qeveria do të abuzojë me detyrën publike dhe përdorë burimet shtetërore për blerje të drejtpërdrejtë të votave.

Në vend se të jenë mundësi për manifestimin e vullnetit qytetar, në Serbi zgjedhjet janë kthyer në një ritual vlerësues për kultin e personalitetit të Liderit, me procesin ceremonial shoqërues të kthimit të opozitës në pikën zero. Këto nuk janë zgjedhje të drejta por një luftë rruge ku një nga pjesëmarrësit kujdesshëm është lidhur për karrige. Bojkoti nënkupton refuzim për t’u ulur vullnetarisht në atë karrige. 

Sigurisht, çështja ende mbetet se si ta ndryshojmë sistemin dhe çfarë fitojmë nga mospjesëmarrja? Përveç të mos qenit të linçuar gjatë fushatës zgjedhore. 

Sa i përket kësaj, duhet të jeni plotësisht të sinqertë: në afat të shkurtër, sigurisht që nuk përfitojmë asgjë. Nëse nuk merr pjesë në zgjedhje, nuk mund të fitosh. Madje edhe Millosheviqi u pat nxjerrë në rrugë vetëm atëherë kur humbi në vendvotime. 

Sidoqoftë, në afat të gjatë, gjërat duken pak më ndryshe. 

Pasoja e parë e menjëhershme e bojkotit është cungimi i legjitimitetit të qeverisë dhe thellimi i mëtejmë i krizës së brendshme politike në Serbi. Bojkoti përshpejtoi procesin e arritjes në pikën drejt së cilës demokracia serbe pashmangshëm ka qenë duke shkuar që prej ardhjes së Partisë Përparimtare Serbe në pushtet — kthimin e Serbisë në një autokraci të ngjashme me Bjellorusinë.  

Në vend se të priste edhe për disa palë zgjedhje në mënyrë që ta kthente opozitën në një hiç statistikor, Vuçiqi pushtoi të gjithë parlamentin përnjëherë. Kjo do të thotë se nuk ka më thasë boksi në parlament që t’i fajësojë për çdo gjë të mangët që ndodh në vend. Më me rëndësi, tani ai nuk ka më pengesa sa i përket politikës së jashtme.

SNS tani ka dy të tretën e shumicës, mjaftueshëm për të ndryshuar Kushtetutën. Kjo nënkupton se komuniteti ndërkombëtar do ta rrisë presionin kundrejt tij [Vuçiqit] për të bërë atë që Perëndimi i ka kërkuar tash e sa vite ta bëjë — ta njohë pavarësinë e Kosovës. 

Të dielën më 27 qershor, Vuçiqi do të takohet me Hashim Thaçin në Shtëpinë e Bardhë, përderisa negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian pritet të vazhdohen në korrik.

Në anën tjetër, është hera e parë që opozita vetëshërbyese serbe ndërmerr një hap të këtillë; ata sakrifikuan, dhe në mënyrë dramatike do ta ndiejnë mungesën e mbështetjes financiare, vëmendjes mediale dhe privilegjeve përcjellëse, një mënyrë e mirë kjo për të mbledhur një dozë të çmueshme besueshmërie në mesin e votuesve.

Marrja e parlamentit nga Vuçiqi e ka vënë BE-në në pozitë të bashkëpunimit me një autokrat të pamaskuar. Kjo ndoshta nuk do të nxisë reagim publik po do ta shtojë presionin mbi mbështetjen ndërkombëtare që edhe ashtu ka qenë e lëkundshme në vitet e fundit. Për opozitën, kjo është një mundësi që më në fund t’i pastrojë radhët e veta. 

Më cinikët në mesin tonë do të thoshin se Vuçiqi e ka një mundësi më shumë për ta dëmtuar kauzën me gabimet e tij. Kjo mund të mos jetë shumë, por është një fillim.

Dhe ne dëshpërimisht kemi nevojë për një fillim, edhe nëse është i vështirë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0 

KOMENTO