Në thelb | Kulturë

A është manastiri i Deçanit vërtetë i rrezikuar?

Nga - 28.07.2021

Një vështrim mbi polemikat e fundit rreth monumentit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në një luginë të pyllëzuar në rrëzë të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna është kompleksi i Kishës Ortodokse Serbe të shekullit të XIV — Manastiri i Deçanit.

Megjithëse shtatë shekuj i vjetër, strukturat dhe bazat e kompleksit mirëmbahen me dashuri, aq të zbukuruara dhe piktoreske sa duken bashkëkohore. Dhe kur murgjit banorë nuk janë të zënë me detyrat e tyre liturgjike, ngjan të jenë duke ushqyer patat ose duke u kujdesur për pemishtet në shumë hektarët e tokës bujqësore aktive.

Pas mureve të manastirit mbizotëron një ndjenjë qetësie dhe përsiatjeje. Por jashtë, në fushën e ligjërimit publik, manastiri është në qendër të debatit.

Që nga fundi i luftës në vitin 1999, ushtarët e NATO-s e kanë ruajtur manastirin si mbrojtës të​ profilit të lartë kundër llojeve të sulmeve me të cilat u përballën shumë vende të tjera kulturore dhe fetare serbe në Kosovë midis viteve 1999 dhe 2004. Në të njëjtën kohë, manastiri ka qenë në beteja ligjore me institucionet shtetërore të Kosovës për 20 vitet e fundit për të drejtat e përdorimit të tokës.

Këta ishin faktorët e përmendur në prill nga organizata e ruajtjes kulturore Europa Nostra kur e shpallën Manastirin e Deçanit një nga “7 Vendet Më të Rrezikuara të Trashëgimisë në Evropë” të vitit 2021.

Ky përcaktim shkaktoi zemërim dhe një mori letrash proteste nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, si dhe një letër nga një grup prej 40 OJQ-ve të bazuara në Kosovë. Letrat argumentuan se përcaktimi jep një portretizim joreal të situatës në Kosovë, çka minon pozitën ndërkombëtare të vendit.

Më shqetësuese ishin një numër pretendimesh diskutabile në lidhje me Deçanin të përfshira në shpalljen e listës së ngushtë të dhjetorit të vitit 2020 nga Europa Nostra, pretendime që sugjeronin se procesi i mbledhjes së informacionit që mbështeste nominimin mund të kenë qenë i njëanshëm. Disa nga këto pretendime ishin jashtëzakonisht të ngjashme me pikat e bisedimeve të qeverisë serbe ose me disa nga deklaratat më alarmante nga Kisha Ortodokse Serbe në lidhje me sigurinë e vendeve të tyre të shenjta në Kosovë.

Manastiri i Deçanit në ultësirën e Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna ka qenë në qendër të një debati të ashpër nëse është vërtet nën kërcënim pasi është listuar si një nga vendet “më të rrezikuara” të trashëgimisë kulturore të Evropës. Foto: Arkivi i Manastirit të Deçanit / CC2.0 (e përshtatur).

Me gjithë shqetësimin e tyre për një portretizim real të situatës, letrat nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe OJQ-ve kryesisht injoruan kërcënimet specifike ndaj të drejtave ligjore dhe sigurisë së manastirit që Europa Nostra citon në njoftimin e prillit. Ndërkohë, qeveria serbe dhe Eparkia serbe e Rashkës-Prizren, dioqezë ortodokse serbe për Kosovën, festuan për lajmin nga Europa Nostra, duke iu përgjigjur me deklaratat e tyre publike që përmbajnë pretendime të tmerrshme të kërcënimit të afërt.

Në një deklaratë të postuar në qershor, Europa Nostra theksoi se Manastiri i Deçanit “duhet të shërbejë si një lidhje e vlefshme midis të gjithë qytetarëve të cilët janë… të përkushtuar në rivendosjen e dialogut dhe paqes midis komuniteteve të ndryshme”. Por deri më tani përcaktimi në Listën e Më të Rrezikuarave duket se vetëm ka rritur mosmarrëveshjet.

Me të gjitha palët që flasin rrotull njëri-tjetrit, K2.0 zbërthen argumentet dhe polemikat e ndryshme rreth përcaktimit të Manastirit të Deçanit si një nga “7 Vendet Më të Rrezikuara të  Trashëgimisë në Evropë”.

Çka është Europa Nostra dhe çka është programi i tyre Më të Rrezikuarit?

Europa Nostra është organizatë gati 60 vjeçare e trashëgimisë kulturore që shërben si nyje qëndrore për organizatat lokale të ruajtjes në gjithë Evropën. Gjendet në Bruksel, në Belgjikë, dhe në Hagë, në Holandë. Që nga vitit 2002, kanë dhënë ‘Çmimin e Bashkimit Evropian për Trashëgimi/ Çmimet e Europa Nostra”, që feston ruajtjen e suksesshme të trashëgimisë kulturore. 

Në vitin 2013, e filluan programin gati dy vjeçar “7 Më të Rrezikuarit”, që identifikon vendet e rrezikuara të trashëgimisë në gjithë Evropën. Synimi deklarativ është të ndihmojë në mobilizimin e përpjekjeve lokale dhe ndërkombëtare për ruajtjen ose restaurimin e vendeve të rrezikuara. 

Nga 43 vendet e rrezikuara që i kanë përcaktuar gjatë gjashtë cikleve, kërcënimet më të zakonshme kanë të bëjnë me prishjen, mirëmbajtjen e dobët ose prishjen e planifikuar. Ndonjëherë lista përdoret për të mbledhur opozitë ndaj zhvillimit që Europa Nostra e konsideron të papërshtatshëm. 

“Kurrë nuk kemi pasur reagim të ngjashëm, ose të them reagim të tepruar për sa i përket deklaratave publike”.

Guy Clausse, zëvendës-president ekzekutiv i Europa Nostra

Ndërsa përzgjedhja e Deçanit nga Europa Nostra ka shkaktuar trazirë, përzgjedhjet e tyre janë zakonisht të pakontestueshme. Ndër përzgjedhjet për listën e vitit 2021 janë një tren turistik 130-vjeçar në Alpet Austriake, operatori i të cilit falimentoi dhe një kopsht aristokratik kënaqësie në Verona, në Itali që u dëmtua nga stuhi të forta.

Në një intervistë për K2.0, zëvendës-presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Guy Clausse tha se reagimi i zemëruar në Kosovë ka qenë i pashembullt në historinë e programit. “Në ato 43 raste kurrë nuk kemi pasur një reagim të ngjashëm, ose të them reagim të tepërt për sa i përket deklaratave publike”, tha ai.

Krahas Deçanit, lista e vitit 2021 përfshin tri zona të tjera në Evropën Juglindore si ndër shtatë vendet më të rrezikuara në Evropë: një strukturë e varrezave të Zagrebit që vuan nga dëmtimi nga tërmeti, një ndërtesë brutaliste e epokës Jugosllave në Shkup që nuk u restaurua kurrë siç duhej pas dëmtimit nga zjarri, një numër ishujsh grekë pamjet e të cilëve Europa Nostra po përpiqet t’i mbrojë nga pamja e fermave të erës. 

Lista përpilohet çdo cikël duke kërkuar nominime nga organizatat anëtare. Nominimi i Deçanit erdhi nga një organizatë me qendër në Bruksel, e quajtur E Ardhmja për Trashëgiminë Fetare.

Si thuhet se po rrezikohet Manastiri i Deçanit?

njoftimin e tyre zyrtar në prill, Europa Nostra renditi tri justifikime kryesore për përfshirjen e manastirit në listë.

I pari është fakti se manastiri është ruajtur vazhdimisht nga trupat e NATO-s që nga viti 1999 dhe, për arsye të ngjashme, është regjistruar në Listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore në Rrezik që nga viti 2006.

Një kërcënim tjetër i renditur është një projekt zhvillimor i rrugës që lidh komunën e Deçanit me qytetin Plavë, në Malin e Zi. Përpara nominimit, një pjesë e rrugës po ndërtohej përmes një Zone të veçantë të Mbrojtur përreth manastirit dhe do të kishte kaluar pranë portave. Europa Nostra pohoi se jo vetëm që rruga do ta prishte mjedisin e qetë natyror të manastirit, ndërtimi i saj në atë zonë nuk ishte i lejueshëm ligjërisht. Megjithëse projekti i rrugës u pezullua në verën e vitit 2020marrëveshje me autoritetet lokale, Europa Nostra bën thirrje për monitorim të afërt të situatës. 

Më fund, teksti citon një rast ligjor të sjellë nga manastiri për ta konfirmuar pronësinë e 24 hektarëve tokë të kontestueshme. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të Manastirit të Deçanit në vitin 2016, komuna ka refuzuar ta regjistrojë zyrtarisht tokën në emër të manastirit për pesë vitet e fundit, duke e lënë çështjen në harresë.

Pra, kjo do të thotë se manastiri është në të vërtetë i rrezikuar?

Sipas kësaj, po, por ka rrethana lehtësuese në lidhje me secilën nga këto çështje që nuk përmenden nga Europa Nostra. Për t’i kuptuar polemikat, secili prej këtyre kërcënimeve duhet të shpaketohet dhe kontekstualizohet.

Le t’ia fillojmë me ushtarët e NATO-s që janë vendosur në Manastirin e Deçanit — pse janë atje?

Për shumë komentatorë serbë, prania e vazhdueshme e KFOR-it vendosja e NATO-s në Kosovë në Manastirin e Deçanit është provë e mjaftueshme se manastiri mbetet në të njëjtin rrezik serioz në të cilin ka qenë që nga viti 1999.

Në muajt pas mbërritjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në 1999, vendet kulturore dhe fetare serbe u përballën me sulme të shpeshta hakmarrjeje nga shqiptarët të cilët kishin duruar një dekadë shtypjeje duke kulmuar me mizori masive të orkestruara  nga duart e regjimit të Sllobodan Milosheviçit. Krahas vendeve të trashëgimisë kulturore, gjithçka, që nga varrezat ortodokse të fshatrave deri në rezidencat serbe, ishin shënjestruar dhe NATO-ja dhe UNMIK-u kishin rekord të dobët në mbrojtjen e këtyre vendeve.

Më vonë, në mars të vitit 2004, një trazirë e gjerë dy-ditore anti-serbe shpërtheu në të gjithë Kosovën pas raporteve të pabazuara të mediave se mbytja e tre djemve të rinj shqiptarë ishte rezultat i ndjekjes në lumin Ibër nga një grup serbësh. Shumë vende të shenjta të rëndësishme serbe që shmangën shkatërrimin në vitin 1999 u dëmtuan ose shkatërruan në trazira dhe një turmë e zemëruar u mblodh për të marshuar për në Manastirin e Deçanit. Megjithëse KFOR-i ishte i papërgatitur dhe i mbingarkuar nga turmat në pjesën më të madhe të vendit, arritën ta mbanin turmën larg manastirit.  

Interieri i Manastirit të Deçanit është i dekoruar me zbukurime dhe përmban ikona qindra-vjeçare. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Listimi i “Monumenteve Mesjetare në Kosovë” — ku përfshihet Deçani — në Listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore në Rrezik në vitin 2006 ishte pjesërisht përgjigje ndaj trazirave të vitit 2004. Monumentet Mesjetare gjithashtu përfshijnë Manastirin e Graçanicës, Kisha e Shën Premtës në Prizren, dhe Manastirin Patriarkal të Pejës. Kisha e Shën Premtës u dëmtua seriozisht në trazirat e vitit 2004 dhe që atëherë është restauruar pjesërisht. Të tjerat i shpëtuan trazirave pa dëmtime.

Një deklaratë e fundit publike nga Eparkia e Rashkës-Prizren në lidhje me listën e Më të Rrezikuarat e thekson praninë e KFOR-it si dhe shkatërrimin e vitit 1999 dhe 2004. Ata gjithashtu përmendin sulmet me granata që shënjestronin Manastirin e Deçanit në vitin 2000 — menjëherë pas luftës — dhe në vitin 2007. Policia e Kosovës arrestoi autorin e sulmit në vitin 2007 dhe ai u dënua më pas me tre vjet e gjysmë burg.

Të gjithë këta shembuj përbëjnë një rast bindës se manastiri ishte nën rrezik serioz fizik në kontekstin e veçantë të fillimit të viteve 2000 dhe se mbrojtja ushtarake ndërkombëtare ishte e nevojshme. Nuk është krejt e sigurt nëse ai nivel i mbrojtjes ka kuptim edhe sot. 

A po përballet manastiri me kërcënime të sigurisë edhe sot?

Që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, kanë qenë dy incidente të sigurisë në Manastirin e Deçanit.

Në vitin 2014 murgjit banorë raportuan mbishkrime kërcënuese në muret e jashtme të manastirit dhe ndërtesat bujqësore përrreth në dy raste. Autorët nuk dihen.

Në fillim të vitit 2016, katër burra në një veturë u arrestuan nga Policia e Kosovës pasi iu afruan manastirit. Megjithëse mbulimi mediatik është i paqartë, duket se tek ta u gjetën dy armë, dhe prokurorët pretenduan se njëri prej burrave kishte luftuar më parë në Siri. Gjithashtu u raportua, bazuar në burime të paemërtuara, se policia kishte gjetur një flamur të ISIS-it në shtëpinë e njërit prej burrave.

Mediat serbe  u mbushën shpejt me pretendime se “xhihadistët e armatosur u përpoqën ta sulmonin Manastirin e Deçanit”, një narrativë që manastiri vazhdon ta promovojë.

Burrat pretenduan se ata thjesht po shkonin në kodrat mbi manastir për të kampuar. Ata u akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe u dënuan me 30 ditë paraburgim. Për zhgënjimin e manastirit, asnjë pretendim lidhur me terrorizmin nuk u ndoq.

Megjithëse është e paqartë nëse një sulm i mundshëm ishte në proces, raportet e medias deklaruan se makina ishte ndjekur deri në manastir nga Policia e Kosovës dhe ishte kapur pa ndonjë incident të madh, duke treguar një shkallë të seriozitetit dhe aftësisë së forcës policore për ta mbrojtur manastirin.

Pas identifikimit me forcat e sigurisë, vizitorët janë të lirë të enden rreth kompleksit të manastirit. Foto: Europa Nostra / CC2.0.

KFOR-i mban protokolle të forta sigurie në manastir. Makinat që afrohen janë të detyruara të enden ngadalë nëpër barrikada dhe vizitorët duhet t’i tregojnë dokumentet e identifikimit dhe të identifikohen nga ushtarët e NATO-s që janë të vendosur te portat dhe patrullojnë pjesën e jashtme. Në disa ditë ka pothuajse po aq ushtarë që sillen rreth oborrit qëndror sa ka murgj.

Sidoqoftë, sipas një artikulli të fundit në Prishtinë Insight nga profesorja e trashëgimisë kulturore Nora Weller, ka pasur negociata të vazhdueshme për t’i dorëzuar detyrat mbrojtëse në Deçan nga KFOR-i tek Policia e Kosovës, dhe ngjashëm u pretendua kohët e fundit nga qytetarët serbë në raportet e mediave lokale.

Tri monumentet e tjera ortodokse serbe në Kosovë në listën e UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore në Rrezik janë tashmë të mbrojtura nga Policia e Kosovës, në vend të KFOR-it.

Patriarkana e Pejës e Shekullit XIII  — më pak se 20 kilometra larg nga Manastiri i Deçanit në qytetin e Pejës dhe një vend edhe më fetar dhe historikisht i rëndësishëm për serbët ortodoksë — ka qenë nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës që nga viti 2013 pa ndonjë incident të dukshëm.

Sikur Monumentet Mesjetare në Kosovë të ishin plotësisht të sigurta, mbrojtje policore nuk do të ishte e nevojshme. Sidoqoftë, theksimi i mbrojtjes ushtarake ndërkombëtare në Manastirin e Deçanit mund të çojë në mbivlerësimin e shkallës së rrezikut në të cilin ndodhet manastiri.

OK, çka është puna me këtë projekt rrugor?

Që nga viti 2014 është planifikuar një rrugë për ta lidhur komunën e Deçanit mbi male me Plavën, në Mal tëi Zi. Rruga më e drejtpërdrejtë është përmes tokës së manastirit.

Plani fillestar ishte ndërtimi i një rruge anësore rreth Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, në hapësirën ku ka kufizime ligjore për zhvillim.

Sidoqoftë, në vitin 2018 — gjatë kryeministrisë së Ramush Haradinajt, vendas i Deçanit, partia AAK e të cilit e drejton komunën — ekipet rrugore filluan ta zgjerojnë një rrugë të ngushtë dheu që kalon përmes Zonës së Mbrojtur. U bë e qartë se komuna po përpiqej të ndërtonte rrugën direkt pranë manastirit, duke anuar rrugën anësore. Kisha Ortodokse Serbe dhe murgjit në Deçan protestuan se rruga e propozuar ndërkombëtare do ta shkatërronte mjedisin e qetë të manastirit dhe se projekti ishte shkelje e qartë e ligjit.

Presion i konsiderueshëm ndërkombëtar u ushtrua për t’i pezulluar punimet e rrugës dhe një grup i ambasadorëve të huaj vizituan Manastirin e Deçanit për të tërhequr vëmendjen për shkeljen dhe për të kërkuar ndërprerjen. Pavarësisht kësaj, u desh deri në fund të verës së vitit 2020 që projekti të pezullohej, kryesisht për shkak të presionit ndërkombëtar. Gjatë gjithë verës së vitit 2020, kryeministri i atëhershëm Avdullah Hoti, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, po shtyenin me këmbëngulje përshpejtimin e punimeve në rrugë.

Këto pretendime tingëllojnë të zbrazëta për manastirin duke pasur parasysh sa kohë dhe presion ndërkombëtar u desh për ta ndaluar një projekt të rrugës të paligjshëm.

Në mars, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i drejtuan një letër Europa Nostra-s në të cilën thanë se “nuk ka asnjë provë që implikon ndonjë institucion lokal ose qendror të Republikës së Kosovës në praktikat diskriminuese kundër Manastirit të Deçanit”, dhe që “Komuna e Deçanit… është zotuar që ta trajtojë zonën e veçantë të Manastirit të Deçanit me përparësi të veçantë dhe nivel të lartë serioziteti”.

Këto pretendime tingëllojnë të zbrazëta për manastirin duke pasur parasysh sa kohë dhe presion ndërkombëtar u desh për ta ndaluar një projekt të rrugës të paligjshëm.

Më tej, manastiri pret pak nga Komuna e Deçanit, duke pasur parasysh që kryetari i komunës më parë ka lënë të kuptohet se mendon që abati është “i çmendur“, kërkoi që rruga të ndërtohej përmes Zonës së Mbrojtur ose do ta “bënte vetë”, dhe pretendoi, pa prova, se manastiri kishte falsifikuar incidente të sigurisë në të kaluarën për të tërhequr vëmendje. 

Në prill, ministri për Kulturën, Rininë dhe Sportin Hajrullah Çeku i drejtoi një letër Europa Nostra-s në të cilën hodhi poshtë shqetësimet e manastirit, duke thënë, “shqetësimi i vetëm i pretenduar në lidhje me Manastirin e Deçanit thuhet të jetë një rrugë e pandërtuar për të cilën vetë Europa Nostra gjen se është arritur një marrëveshje midis të gjitha palëve, përfshirë klerikët ortodoksë”.

Ndërsa Çeku përmend pezullimin e zhvillimit të rrugës si shenjë që sistemi aktual përfshin shqetësimet dhe nevojat e manastirit, nuk janë vetëm vendasit e zjarrtë Haradinaj dhe Ramosaj që po insistojnë në vazhdimin e projektit. Ministri i qeverisë së re i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjithashtu ka shprehur dëshirën e tij për ta ndërtuar rrugën në Zonën e veçantë të Mbrojtur të Manastirit.

Në letrën e Çekut për Europa Nostra thuhej gjithashtu se “Republika e Kosovës është instanca më e lartë e mbrojtjes së pasurive të trashëgimisë kulturore në vend. Ne e mbrojmë trashëgiminë tonë”. Ky është një pretendim mjaft i ndryshëm nga ai që Çeku bëri në Prishtina Insight në vitin 2015 para se të ishte ministër i qeverisë, kur u ankua se kishte abuzim dhe neglizhencë të gjerë ndaj vendeve kulturore në Kosovë, si shqiptare ashtu edhe serbe.

Pjesa më e madhe e debatit të kohëve të fundit rreth Manastirit të Deçanit ka përfshirë të gjitha palët që flasin rrotull temës, në vend që të merren sinqerisht me anën tjetër të argumentit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por çka janë këto Zona të veçanta të Mbrojtura? 

Zonat e veçanta të Mbrojtura janë provizion i Planit të Ahtisarit të vitit 2007, dokumenti që formëson bazën e kushtetutës së Kosovës. Një numri të konsiderueshëm të vendeve kulturore serbe në Kosovë u garantohet e drejta për t’i kufizuar disa lloje të zhvillimit në tokat përreth. 

Projekti i pezulluar i rrugës përbrenda Zonës së Mbrojtur të Deçanit do të ishte shkelje e qartë. 

Pra, qenka goxha e qartë.

Është paksa më e komplikuar se kaq. Ashtu siç thuhet në letrën e Osmanit dhe Kurtit, “Kisha Ortodokse Serbe i ka pranuar vetëm të drejtat e dala nga Pakoja e Ahtisarit duke i refuzuar përgjegjësitë”. 

Plani i Ahtisarit përfshin mbrojtje gjithëpërfshirëse për serbët dhe Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, por gjithnjë është menduar si një marrëveshje me obligime reciproke. 

Sidoqoftë, përderisa manastiri i Deçanit nuk ngurron t’i referohet Planit të Ahtisarit në disa rrethana ku i konvenon, as manastiri as Kisha Ortodokse Serbe më e gjerë nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kornizën më të gjerë përbrenda së cilës ekziston Plani i Ahtisarit. 

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë vazhdon të rrijë e heshtur rreth shqetësimeve për trashëgiminë kulturore jashtë interesave të saj të ngushtë, si mbledhja e artifakteve të muzeve që qeveria serbe i largoi nga Kosova gjatë luftës, për të cilat Plani i Ahtisarit thotë se duhet të kthehen.

Në Deçan, 70 nga 263 kullat e komunës u shkatërruan plotësisht deri në fund të luftës dhe 161 tjera u dëmtuan ndjeshëm.

Më tutje, Kisha është akuzuar se është mjet i shtetit serb që refuzon ta pranojë, lëre më të japë llogari, për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, myslimane dhe osmane nga ushtria serbe gjatë viteve 1998 dhe 1999. Përmes një fushate sistematike dhe të shënjestruar të shkatërrimit kulturor, ushtria serbe granatoi, dinamizoi, buldozoi dhe dogji vende të rëndësishme kulturore shqiptare si kompleksi i Lidhjes së Prizrenit dhe pazaret historike të Pejës, Gjakovës dhe Vushtrrisë. 

Forcat serbe po ashtu shënjestruan struktura historike si kullat që simbolizojnë kulturën dhe identitetin shqiptar. Në Deçan, p.sh., 70 nga 263 kullat e komunës u shkatërruan plotësisht deri në fund të luftës dhe 161 tjera u dëmtuan ndjeshëm. Gati 40% e 607 xhamive që ekzistonin në Kosovë në vitin 1993 u shkatërruan ose u dëmtuan deri në fund të vitit 1999. 

Përderisa kjo nuk e justifikon qeverinë e Kosovës për injorimin e ligjeve të veta, justifikon disa prej pakënaqësive që shqiptarët e Kosovës ndiejnë se vetëm ata janë të lidhur me dispozitat e Ahtisaarit pa reciprocitetin serb. Pjesa më e madhe e zemërimit për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën Më të Rrezikuarve vjen nga dija se qeveria serbe do ta përdorë përcaktimin për ta vazhduar narrativën e viktimizimit dhe fajësisë singulare, ndërsa injoron dhe mbulon shkatërrimin e shënjestruar dhe të militarizuar të trashëgimisë kulturore nga shteti i tyre në Kosovë gjatë luftës.

Shqetësimi i tretë i listuar ishin 24 hektarët e tokës së kontestuar — ç’ne me të?

Ndërsa komunistët konsoliduan sundimin e tyre në Jugosllavi në fund të viteve 1940, ata socializuan pjesë tokash nga pronarë të mëdhenj të pronave, duke përfshirë pasuritë e kishave. Në 1946, qeveria Jugosllave mori 700 hektarë tokë që i përkisnin Manastirit të Deçanit.

Në vitin 1997, 24 hektarët e asaj toke iu kthyen manastirit me urdhër të qeverisë së Jugosllavisë së Milosheviçit. Ato 24 hektarë, të cilat mbështetnin pronat e mbetura të manastirit, kishin operuar si ndërmarrje bujqësore në pronësi shoqërore, por kishin dalë nga prodhimi në fillimin e viteve ’90.

Pas luftës, shqiptarët lokalë kërkuan që toka t’u kthehej njerëzve që i kishin drejtuar ndërmarrjet bujqësore në pronësi shoqërore për dekada. Misioni i KB në Kosovë, UNMIK, i dha të drejta për përdorim të tokës manastirit ndërsa çështja kaloi ngadalë nëpër gjykata. Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori vendimin që konfirmon pronësinë e manastirit mbi tokën. Megjithëse çështja u vendos mbi pesë vjet më parë, komuna lokale refuzon ta regjistrojë zyrtarisht tokën në kadastrin komunal, duke e lënë çështjen pezull.

Pavarësisht kësaj, Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të manastirit.

Por rezistenca lokale nuk vjen vetëm nga armiqësia e verbër ndaj manastirit. Argumentet historike vënë në dyshim legjitimitetin moral dhe ligjor të transferimit të tokës në vitin 1997.

Në vitin 1997, regjimi i Millosheviçit kishte kohë që kishte shfuqizuar autonominë e Kosovës dhe kishte larguar praktikisht çdo shqiptar nga qeveria dhe punësimi publik. Duke pasur parasysh këtë, shumë mendojnë se çdo veprim qeveritar i kohës është i pandashëm nga natyra shtypëse e regjimit diktatorial, dhe për këtë arsye janë të paligjshme.

Pavarësisht kësaj, Gjykata Kushtetuese mori vendim në favor të manastirit. Pavarësisht presionit të bashkërenduar dhe të qëndrueshëm nga bashkësia ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen, kryetari i Deçanit ka thënë, sipas New York Times, “se më përpara do të shkonte në burg sesa t’i bindej vendimit dhe të dorëzoj territor”, dhe qeveria nuk ka e ka detyruar. Ky dështim për ta mbështetur sundimin e ligjit ka dëmtuar edhe më shumë besimin e manastirit se institucionet e Kosovës do t’i trajtojnë ata në një mënyrë jo-diskriminuese.

Letrat drejtuar Europa Nostra-s nga përfaqësuesit e Kosovës dhe nga OJQ-të nuk e përmendin këtë çështje, e cila qartazi ishte faktor qendror në përfshirjen e Deçanit në listën Më të Rrezikuarat.

Çka me të gjitha ato pretendime të diskutueshme që bëri Europa Nostra në njoftimin e saj origjinal për listën e ngushtë?

Kur Europa Nostra bëri njoftimin e saj origjinal për listën e ngushtë të të Më të Rrezikuarave në dhjetor të vitit 2020, ai përmbante një numër pretendimesh të dyshimta dhe të pasakta për Deçanin që bënë shumë komentatorë shqiptarë të pretendonin njëanshmëri dhe paragjykime në mënyrën e mbledhjes së informacionit.

Njëri prej pretendimeve i referohej projektit të rrugës si “autostradë kryesore ndërkombëtare”, duke e pasqyruar mënyrën mjaft të fryrë që Kisha Ortodokse Serbe kishte përdorur për t’iu është referuar asaj që në të vërtetë do të ishte një rrugë malore me dy korsi që lidh dy qytete të vogla.

Pretendimet e diskutueshme gjithashtu u kanë mundësuar disave t'i shpërfillin pretendimet më legjitime të Europa Nostra-s në lidhje me Manastirin e Deçanit.

Në njoftimin për listën e ngushtë gjithashtu thuhej se “është për të ardhur keq që sot, Manastiri i Deçanit [është bërë] peng i statusit të pazgjidhur të Kosovës *”, dhe rekomandonte që vendet fetare serbe në Kosovë të përqendrohen në bisedimet e normalizimit midis “Beogradit dhe Prishtinës”.

Deklaratat publike të Europa Nostra-s kanë treguar se janë të befasuar që puna e tyre për ruajtjen e trashëgimisë kulturore mund të perceptohet si e ngarkuar politikisht. Por thirrja e tyre për të vendosur trashëgiminë ortodokse serbe në qendër të bisedimeve të normalizimit është gjithashtu qëllim i qartë politik i qeverisë serbe, një nga qëllimet për të cilin shqiptarët kanë frikë se është pjesë e një përpjekje për të fituar kontroll ekstraterritorial mbi pjesët e Kosovës.

Përveç bindjes së shumë shqiptarëve se procesi i nominimit ishte i njëanshëm, pretendimet e diskutueshme — të cilat nuk u përfshinë në njoftimin përfundimtar në prill — gjithashtu u kanë mundësuar disave t’i shpërfillin pretendimet më legjitime të Europa Nostra-s në lidhje me Manastirin e Deçanit, duke minuar qëllimin e deklaruar të bashkimit të njerëzve për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 

A nuk i referohej Europa Nostra edhe një sulmi të ISIS-it në manastir?

Njoftimi origjinal për listën e ngushtë gjithashtu pretendonte në mënyrë të pasaktë se manastiri u përball me “një sulm terrorist në tentativë nga ISIS në vitin 2016, duke shkaktuar një dëm lehtësisht të riparueshëm”. Ngjarja e vitit 2016 i referohet arrestimit të katër burrave në një veturë jashtë manastirit nga Policia e Kosovës. Në realitet, raportet e policisë dhe mediave tregojnë se nuk është shkaktuar asnjë dëm.

Ndërsa ngjarjet siç raportohen nga media janë shqetësuese, referimi si një “sulm terrorist në tentativë nga ISIS” është i diskutueshëm. Nuk ka pasur asnjë konfirmim se ndonjë prej këtyre burrave e konsideronte veten anëtar të ISIS-it ose që ishte planifikuar një sulm.

Këto sugjerime janë veçanërisht të ndjeshme duke pasur parasysh se ekziston një histori e gjatë e thirrjes “terrorizëm islamik” për t’iu përshtatur qëllimeve politike keqdashëse, nacionaliste.

Pretendime të ngjashme jo vetëm që mbështesnin shumë nga narrativat e nacionalizmit destruktiv serb në vitet ’90, por ato vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. 

Shembulli më i freskët ishte i pranishëm në deklaratën publike të Kishës Ortodokse Serbe që argumentonte kundër përfshirjes së Kosovës në UNESCO në vitin 2015, kur patriarku serb Irinej tha se veprimet e shkatërrimit kulturor të ISIS-it në Lindjen e Mesme përfaqësonin “vazhdimin e asaj që ndodhi në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht nga viti 1981 deri më sot”.

Ivica Dačić, atëherë Ministër i Jashtëm i Serbisë, e përsëriti si papagall këtë gjuhë, duke thënë se aplikimi i Kosovës në UNESCO ishte “njëjtë sikur Shteti Islamik të aplikojë për anëtarësim në UNESCO”.

Çfarë ka për të thënë Europa Nostra?

I pyetur në lidhje me referencën për një sulm në tentativë të ISIS-it, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra-s, Sneška Quaedvlieg-Mihailović, tha për K2.0: “E kuptuam se do të ishte më mirë që ajo fjali të mos ishte aty nga fillimi, sepse ajo ishte përdorur vetëm për ta shpërqëndruar vëmendjen”.

Dënimi nuk u përfshi në njoftimin përfundimtar të prillit sepse, ajo tha, “nuk duam të dukemi [se po] shkaktojmë polemika për diçka që nuk është hulumtuar plotësisht”.

Sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra, Sneška Quaedvlieg-Mihailović, e fotografuar këtu në një vizitë në Manastirin e Deçanit në vitin 2016, thotë se roli i tyre ndonjëherë është si ai i detektivëve që përpiqen “ta gjejnë atë që është me të vërtetë e saktë”. Foto: Europa Nostra / CC2.0.

Në vend të kësaj, Quaedvlieg-Mihailović tha që Europa Nostra kishte vendosur, në bisedë me këshilltarët dhe grupet anëtare, të përpiqej ta përqendronte vëmendjen e njerëzve në çështjet më të rëndësishme. “Tema e rrugës”, tha ajo, “është ajo që nxiti kolegët tanë nga Ardhmëria për Trashëgiminë Fetare të thoshin ‘prit pak’”, dhe ta nominojnë Deçanin për listën.

“Arsyet e sigurisë, çështja e sundimit të së drejtës, çështja e ndërtimit të rrugës”, tha ajo. “Këto ishin gjërat që e bëjnë aktuale tani dhe këto ishin arsyet pse ajo është në listë”.

“Ne jemi më shumë se diplomatë”, shtoi Quaedvlieg-Mihailovi. “Ndonjëherë jemi gjithashtu detektivë sepse me të vërtetë duhet të zbulojmë se çfarë është me të vërtetë e saktë, çfarë po na thonë njerëzit dhe ka shumë gjëra që nuk janë plotësisht të sakta”.

Pra, a është Manastiri i Deçanit me të vërtetë një nga 7 Vendet Më të Rrezikuara të Trashëgimisë në Evropë?

Kush mund ta dijë? Këto lista janë subjektive. Por kur hiqen shumë zhurma tjetër, sfidat e sigurisë dhe ato ligjore me të cilat përballet manastiri janë brenda rrezes së llojeve të kërcënimeve që Europa Nostra është përpjekur të ndihmojë në zgjidhjen e tyre në Listat e tyre të mëparshme të Më të Rrezikuarave.

Ç’pritet më tej?

Kur kushtet pandemike ta lejojnë, përfaqësuesit e Europa Nostra-s do të ndërmarrin udhëtime studimore në Kosovë për të shkruar një raport të gjerë mbi Manastirin e Deçanit, i cili do të përfshijë rekomandime të hollësishme për mënyrën më të mirë për ta ruajtur manastirin për të ardhmen.

Sipas Quaedvlieg-Mihailović, Europa Nostra beson se çështjet me të cilat përballet Manastiri i Deçanit “mund të zgjidhen shumë lehtë nëse ka vullnet të mirë politik për t’i zgjidhur ato”.

Nëse qeveria do ta pezullonte përgjithmonë projektin e rrugës së pezulluar përkohësisht në Zonën e Mbrojtur dhe të merrte masa për të siguruar që komuna ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën, arsyetimet e Europa Nostra-s për emërimin e manastirit si të rrezikuar nuk do të qëndronin.

Kjo mund të ofrojë hapësirë ​​për dialog të drejtpërdrejtë midis qeverisë së Kosovës dhe manastirit, diçka që Kryeministri Kurti ka thënë vazhdimisht se e dëshiron, por që manastiri refuzon të marrë pjesë për sa kohë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me tokën e manastirit nuk zbatohet në niveli lokal.

Por ka pengesa për ndërtimin e besimit nga të gjitha anët. Manastiri i Deçanit, ndërsa paraqitet si i interesuar për respekt dhe pajtim të ndërsjellë, vazhdon të shtyjë narrativa ndonjëherë nxitëse. Për shembull, kohët e fundit postuan në Twitter një citim nga patriarku i ri serb Porfirije duke thënë se Kosova është një “shtet i rremë i themeluar mbi dhunën“, deklaratë që sigurt zvogëlon simpatinë e shqiptarëve të Kosovës për sfidat e manastirit.

Ngjashëm, shumë serbë do të mendojnë se deklaratat me vetbesim në lidhje me harmoninë etnike në letrat nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës nuk i adresojnë shqetësimet e tyre të vazhdueshme. Megjithëse situata e sigurisë për serbët e Kosovës është përmirësuar në mënyrë drastike gjatë 15-20 viteve të fundit, ka ende rezistencë lokale ndaj serbëve të zhvendosur që kthehen në shtëpitë e tyre në shumë pjesë të vendit. Në pjesën më të madhe të mediave dhe diskursit më të gjerë shoqëror ekziston gjithashtu një paragjykim i veçantë antiserb dhe pronat dhe vendet kulturore serbe në të gjithë vendin përballen me vandalizëm të vogël të vazhdueshëm.

Në emërimin e Deçanit si një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Evropë, Europa Nostra tha se shpresonte që manastiri të mund të shërbente si një “vektor i fuqishëm i mirëqenies dhe zhvillimit të qëndrueshëm për qytetarët dhe komunitetet e tyre, në vend dhe në rajonin e gjerë” sesa si “një burim konflikti ose ndarjeje”. Por, që ky qëllim të ketë sukses duhet që të gjitha palët t’i lëvizin gurët. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ky publikim është pjesë e projektit Human Rightivism, i cili është financuar nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), zbatuar nga Fondi i Zhvillimit të Komunitetit përmes Programit të tij të Human Rightivism. Pikëpamjet e autorit të shprehura në këtë publikim nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA).