Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të krenohet me tradita të shkëlqyeshme të qytetarëve të vet që shprehin vullnetin e lirë gjatë zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve të para demokratike në 1990, shpërtheu lufta; në periudhën pasuese, zgjedhjet janë mbajtur nën mbikëqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.
Asokohe, në punën e tij të famshme “Ngritja e Demokracisë Liberale”, gazetari dhe autori Fareed Zakaria shkroi rreth dilemave me të cilat është përballur delegati special për Ballkan dhe arkitekti i Marrëveshjes së Paqes së B&H Richard Holbrooke, rreth domethënies së të mbajturit zgjedhje nëse forcat prapavajtëse janë duke fituar.
Shumë kohë ka kaluar që atëherë, ndërkohë që shteti dhe institucionet e veta kanë marrë kontrollin e procesit të zgjedhjeve, implementimit dhe trupave, por dilemat rreth domethënies së zgjedhjeve ende qëndrojnë.
Prejudha e lehtë parazgjedhore
Zgjedhjet në Bosnjë mbahen në afate kohore të përshtatshme, me zgjedhjet lokale dhe qendrore që ndodhin këmbyeshëm çdo dy vite. I vetmi ndryshim këtë vit është që për shkaqe që kanë të bëjnë me harmonizimin e buxhetit të shtetit, zgjedhjet lokale janë shtyer për rreth një muaj dhe to të mbahen më 15 nëntor.
Në praktikë, kjo do të thotë që shteti është duke fushatë të vazhdueshme. Megjithatë, gjatë viteve të zgjedhjeve, reklamimi i kushteve merr ngjyrë karnavalesh apo panairesh. Premtimet e një të ardhmeje të ngritur, të dhjetëra mijëra vendeve të punës, të ngritjes eksponenciale dhe zhvillimit mund të gjenden me bollëk.
Në këso atmosfere të relaksuar dhe sharmante nuk ka indikatorë të saktë, programe apo propozime konkrete për politika publike. Aty ku ka njerëz mosmirënjohës — sepse soji i tyre gjithmonë mund të gjendet me lehtësi — është e rëndësishme t’i kërcënosh shtrëngueshëm nëse kanë guximin të mos votojnë për ata që po iu ofrojnë një të ardhme spektakulare.
Atmosfera si e karnavaleve dhe panaireve kërkon mjete financiare shtesë. Për shembull, në vitin e zgjedhjeve 2018, shuma e fondeve të dedikuara për prokurimin e ndërtimeve dhe shërbimeve publike është rritur për më shumë se 40% në krahasim me vitin paraprak, që nuk ishte vit zgjedhor.
Viti i zgjedhjeve 2020 nuk përbën ndonjë përjashtim.
Më shumë se 30,000 kandidatë kanë vendosur ta provojnë fatin e tyre duke garuar në zgjedhjet lokale. Ka larmi të madhe të opsioneve, që nga ujqërit e stërprovuar të cilët kanë qenë duke i drejtuar komunitetet e tyre lokale nëpër ujëra me stuhi të tranzicionit politik, deri në forca të freskëta me prapavija të ndryshme — këngëtarë, masazherë, fytyra të rrjeteve sociale, pensionerë, bukëpjekës, doktorë dhe pothuajse të gjitha profesionet tjera.
Padurimi i kandidatëve për fillimin e lojërave (para)zgjedhore vërehej në faktin që shumë prej tyre kishin filluar fushatat e tyre edhe para fillimit zyrtar.
Sipas Ligjit të Zgjedhjeve, fushata zgjedhore duhet të fillojë vetëm për një muaj para zgjedhjeve. Megjithatë, para fillimit të fushatës zyrtare, vëzhguesit nga organizata Transparency International në Bosnjë ka shënuar 78 tubime zgjedhore të mëdha, si dhe 1,431 shembuj të burimeve publike të shpenzuara në promovime të fushatave të partive dhe kandidatëve si dhe në sigurimin e mbështetjes nga votuesit.
Rreth 547 raste të projekteve të ndërtimeve publike janë paraqitur në periudhën parazgjedhore, duke shënuar abuzim të zyrave politike, si dhe shembuj të 150 rasteve të shpërndarjes së incentivave dhe subvencioneve, zakonisht si pagesa të njëhershme në kohë të përputhshme me periudhën parazgjedhore.
Një ndër shumë shembujt është udhëheqësi i Komunës së Ugljevikit i cili u ka shpërndarë 100 marka të Bosnjës (51 euro) fëmijëve të invalidëve të luftës, kurse kryetari i Zenicës u ka paguar 100,000 marka (51,000 euro) Asociacionit të Pensionerëve, duke thënë se nuk ka të bëjë me zgjedhjet dhe Asociacioni do t’i shpërndajë fondet për të pensionuarit në gjendje të pafavorshme financiare.
Dy muaj para fillimit të fushatës zyrtare të zgjedhjeve janë shënuar 62 raste të kontrolleve mjekësore, barnave dhe udhëtimeve pa pagesë, si dhe të zbritjeve të çmimeve në shërbime publike. Kryetari i Komunës së Bijeljinës dhe udhëheqësi i Komunës së Novo Sarajevo kanë organizuar pikniqe falas për disa grupe të popullatës, përderisa administrata në Trebinje përdori Fondin e saj Agrar për të themeluar një dyqan të veçantë për të pensionuarit, duke u ofruar 50% zbritje të çmimeve.
Përpjekje të organizuara për mashtrim
Sigurisht që kreativiteti rreth procesit të zgjedhje sa vinte e shtohej.
Këtë vit është zbuluar që ka pasur rritje dramatike të numrit të qytetarëve të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, përmes postës. Diaspora kanë marrë lëvdata të shumta pasi janë regjistruar të votojnë, por këto lëvdata shpejt u zëvendësuan me dyshime për një përpjekje të organizuar për të vjedhur identitetet e dhjetëra mijëra njerëzve, pasi dyshohej që shumë njerëz janë regjistruar nga jashtë pa dijen e tyre. Regjistrimet janë bërë nga shtetet kufitare por edhe nga rreth e rrotull Evropës.
Duke reaguar ndaj kësaj situate, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve (CIK) refuzoi regjistrimin e pothuajse 30,000 votuesve potencialë, siç u zbulua kur CIK-u publikoi listën e votuesve për herë të parë. Publikimi i listës ishte në vete i nxitur nga eksperiencat negative nga zgjedhjet e fundit në 2018, kur mediat raportuan se sipas informatave të tyre, më shumë se 8,000 persona të vdekur kanë votuar në zgjedhje.
Por ngjarja nuk kryhet këtu.
Më pas, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale hyri në skenë, duke e kaluar një vendim për të urdhëruar CIK-un të largojë nga qasja publike ekstraktin e publikuar të Regjistrit Qendror të Votuesve në lidhje me votat e diasporës.
Një ndër misteret më të mëdha të procesit të zgjedhjeve gjatë këtij viti është kjo: ku e ka bazuar vendimin Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kur Ligji i Zgjedhjeve e thotë qartë dhe në mënyrë eksplicite që Regjistri Qendror i Votuesve dhe përmbajtjet e tij janë dokumente publike?
Ligji në të cilin është bazuar Agjencia nuk është më pak eksplicit; më saktësisht, Ligji mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në të cilin thuhet që qëllimi i Ligjit është ndër të tjera të “sigurojë mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe lirive themelore”. Krahas mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, kjo përfshin edhe të drejtën për të votuar e cila është shkelur rëndë nga keqpërdorimi i të dhënave të qytetarëve në rastin e regjistrimit të votuesve fiktivë nga jashtë.
Ligji e përcakton më tutje që — nëse interesi publik është në pyetje, i cili është pothuajse i vërtetueshëm edhe matematikisht në këtë rast — infomatat duhet të komunikohen publikisht, pa marrë parasysh që përmbajnë të dhëna personale.
As këtu nuk përfundon ngjarja dredhive zgjedhore.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2018, Zyra e OSBE-së për misionin e mbikëqyrjes së institucioneve demokratike dhe të drejtave njerëzore ka shënuar që ka dyshime të besueshme për keqpërdorime zgjedhore; pozitat kryesore në qendra të votimit janë shkëmbyer rregullisht nga partitë politike ashtu që ata të mund të siguronin kontrollin mbi komisonet me rëndësi të veçantë për ta — ose thënë më mirë, në vendet ku pritej të kishin nevojë për modifikim të rezultateve.
Pa dyshim ka brengosje të këtij lloji rreth zgjedhjeve të ardhshme.
Për shembull, është e vështirë për të pranuar se vetëm dëshira altruiste për të kontribuar ndaj zhvillimit të komuniteteve lokale dhe synimi për zgjedhje të drejta ishin të përfshira në “Partinë e Pavarur të Čapljina-s – Čapljina në zemrat tona” kur e vunë si parakusht regjistrimin në zgjedhje për të fituar ulëse në komisione të vendvotimeve në Srebrenik, Ilijaš, Novi Grad dhe Stari Grad (Sarajevë), Kalesija, Živinice, Tuzla dhe Doboj. Me gjasë ne kurrë nuk do ta dimë nëse vizionarët e Čapljina-s do të përdorin ulëset e tyre në komisionet e vendvotimeve si mjete shkëmbimi apo si tentativë për të zgjeruar vizionin e tyre të Čapljina-s në pjesët tjera të Bosnjës.
Tash, ndërsa dita e votimit më 15 nëntor po afrohet, qytetarët e Bosnjës ende janë duke u përballur me dilemën e njëjtë si Holbrooke — një Catch 22 i Orwell-it që “derisa të vetëdijesohen, kurrë nuk do të rebelohen, dhe derisa të rebelohen nuk mund të vetëdijesohen”. Me fjalë të tjera, zgjedhjet kanë kuptim vetëm nëse janë të drejta.
Imazhi i ballinës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë.