Gjere e gjate | Histori

A meritojnë monumentet tona një rishikim?

Nga - 03.11.2021

Mbi shtatoret, gjyshërit dhe rrëfimet e ndodhura ndërmjet.

 

Kur ec rrugëve qendrore të ngarkuara të Prishtinës, është e pamundshme të shmangësh përballjen me figura nga e kaluara e Kosovës.

Në distancën prej disa qindra metrash, Ibrahim Rugova dhe Zahir Pajaziti qëndrojnë shtatlartë teksa vështrojnë sheshet me emrat e vet, Nënë Tereza e vogël mbikqyr një shesh të vogël stolash të mbuluar me hije pemësh, ndërsa strehon një vocërrak me palat e petkut, e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sipër një kali që duket sa gjysma e vet, tërheq vëmendjen e të gjithëve përposht tij. Diçka më tutje, Bill Clinton përshëndet me dorë radhët e trafikut të ngjeshur që përpiqen të hynë a të dalin nga qyteti.

Qytetet e Kosovës janë të mbushura me shtatore e përmendore, identitetet e të cilave rrallë farkohen nga ndjenja e aspiratës, dhe kryesisht nga e kaluara. Shtatoret dhe përmendoret marrin pjesë në diskursin historik duke shenjuar sferën publike dhe duke treguar rrëfime mbi historinë. Duke ftuar në soditjen e ngjarjeve të të kaluarës, ato kërkojnë një komunitet kujtese që të kënaqet me to. Të synuara që të nxjerrin në pah çaste të historisë bashkëkohore të Kosovës, ato bëhen infrastrukturë kujtese, duke na e organizuar marrëdhënien me të kaluarën personale, kulturore e kombëtare.

Të dizenjuara me përjetësinë në mendje, shtatoret shpeshherë perceptohen sikur përfaqësojnë një konsensus të gjerë shoqëror ose sikur nderojnë individë, trashëgimia jetësore e të cilëve kryqëzohet me vlerat kolektive. Por do të ishte gabim me i pa shtatoret thjesht si simbole neutrale të pajtimit dhe të njëzëshmërisë.

Kjo askund nuk është bërë më e qartë sesa pak më poshtë autostradës, me projektin famëkeq të Nikola Gruevskit “Shkupi 2014”, qindra shtatoret e reja të të cilit që vërshojnë rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut filluan të simbolizonin betejën politike për të ardhmen e vendit përmes antikizimit. Fasadat neoklasike, e përmendoret dhe shtatoret në dukje shumëvjeçare, shërbyen për të fshehur trashëgimi të tjera, sidomos të kaluarën jugosllave.

Duhet të shembet një sistem i tërë vlerash shoqërore e politike që një shtatore të hiqet nga ekspozimi publik.

Në Prishtinë kaloj çdo ditë përskaj Zahir Pajazitit; shtatorja madhështore e militarizuar në qendër të qytetit komunikon faktin se ai ka qenë figurë e rëndësishme në luftën e vitit 1999. Por nuk është bërë shumë për t’i nxjerrë në pah rrethanat e flijimit të tij në një mënyrë të kapshme ose të paharrueshme. Një shtatore përmasash të tilla, ta merr mendja se është krijuar për të aktivizuar dialogun historik për qëndresën civile dhe luftën çlirimtare. Edhe pse ftohem ta shikoj, ajo që shoh është një i ri me pushkë, rrëfimi jetësor i të cilit është armatosur. Për shumicën, lufta ishte përvojë nga e cila dolën si viktima, por lavdia që projekton shtatorja e Zahirit është tepër madhështore për t’u përshtatë në historinë e vuajtjes kolektive.

Përmendoret e shtatoret nuk shërbejnë gjithmonë për ta kujtuar historinë, por për të përkujtuar një figurë historike ose një grusht besimesh. Dhe ato janë të pozicionuara në hapësirë ashtu që autoriteti të mos u sfidohet – nuk është rastësi që shtatorja e Skënderbeut dhe e Rugovës shohin ndërtesat e qeverisë qendrore dhe të Kuvendit. Ato nuk mund të vihen në pikëpyetje ose të hiqen.

Duhet të shembet një sistem i tërë vlerash shoqërore e politike që një shtatore të hiqet nga ekspozimi publik. Shtatoret e Enver Hoxhës, thellësisht të nderuara, u rrëzuan në vitin 1991 vetëm pas rënies së Murit të Berlinit dhe kjo shënoi fundin e diktaturës që ai e kish udhëheqë për më se katër dekada në Shqipëri.

Kur rrëzohet një shtatore, ajo zakonisht shoqërohet nga disa anë me pretendime për një sulm ndaj historisë – një përpjekje për t’i fshi të vërtetat e pakëndshme. Më 2020, gjatë valës së protestave Jetët e Zeza Vlejnë, shumë shtatore të tregtuesve dhe pronarëve të skllevërve u shkatërruan në Britani e në ShBA, duke përndezë kështu debatin global se mos po sulmohej historia. Por me i barazu pa kriter shtatoret me historinë shkurajon kulturat e tjera të historisë dhe bashkësitë e kujtesës që t’u japin zë narrativave të tjera të të kaluarës dhe krijon një klimë ku nuk mund të bashkëjetojnë të vërteta të shumta.

Pavarësisht nga besimi se shtatoret ngrihen për të krijuar një ndjeshmëri të kujtesës kulturore, sa efektive mund të jenë ato vërtet për të na rrëfyer tregime të lidhura me historinë? Memoralizimi dhe përkujtimi ende ndërlidhen me një objekt të prekshëm dhe me traditën e ndërtimit të shtatoreve e të përmendoreve. Në këtë rajon, një fokus i shpërpjestuar në prodhimin e shtatoreve dhe përmendoreve, në kurriz të përpjekjeve të vërteta për të prodhuar më shumë kërkime historike — e me cilësi më të lartë — kontribuon në keqkuptimin e përgjithshëm se rrëfimi i tregimeve për bashkësive tona dhe kujtimi i të kaluarës sonë duhet të bëhet duke i derdhur ato në bronz.

Varësisht se ku qëndroj në raport me narrativën historike mbizotëruese, gjinia ime, përkatësia etnike dhe historia familjare ose më heshten ose marrin dukshmëri.

Ajo që shtatoret pa diskutim kanë fuqi ta bëjnë është të na i ndikojnë mendimet dhe ndjenjat. Ngritja dhe heqja e shtatoreve ndikon se kush dhe si jemi në publik. Varësisht se ku qëndroj në raport me narrativën historike mbizotëruese, gjinia ime, përkatësia etnike dhe historia familjare ose më heshten ose marrin dukshmëri. Këta shenjues identiteti negociohen dhe përkthehen në të drejta, duke përcaktuar se si marr pjesë në jetën publike. Ç’do të thotë të jetosh në një qytet ku shtatoret e grave janë pothuajse të paqena? A do të thotë se përvojat e grave kurrë nuk do të informojnë rrëfime rreth historisë?

Rrëfimet që vijojnë tregohen me ndihmën e rrëfimtarëve të shumtë. Ato kanë të bëjnë me njerëzit dhe lokacionet përkujtimore, dhe mënyrën se si u vjen atyre historia. E hapur ndaj gabimeve, përfitoj nga përvoja dhe kujtimet e mia dhe të të tjerëve. Duke bashkuar burime të ndryshme gojore e të shkruara, i organizoj ato rreth pyetjeve që lidhen me praktikat përkujtimore lokale, me projektet e kombndërtimit dhe kujtesën personale e kolektive.

Në këtë akt të shndërrimit të burimeve të ndryshme në rrëfime, gjurmoj kryqëzimin midis historisë private dhe asaj publike. Ky kor zërash që përshkruajnë momente të ndryshme nga e kaluara bashkëkohore e Kosovës i bën ballë thjeshtimit dhe ecurisë lineare të kohës, duke na e ndërlikuar të kuptuarit e historisë dhe leximin e praktikave përkujtimore.

 

Trekëndëshi

Në shkurt të vitit 1944, Minir Dushi ishte veç 15 vjeç. Si pjesë e Lidhjes së Rinisë Komuniste të Jugosllavisë, LRKJ, iu bashkua partizanëve jugosllavë në Gri, katund i Malësisë së Gjakovës, si pjesë e Batalionit “Bajram Curri” të drejtuar nga Fadil Hoxha. Por, pak kohë pas përfshirjes, u përfol se po afroheshin forca nga ushtria gjermane. Për shkak të mungesës së municioneve, partizanët u urdhëruan të shpërndaheshin dhe të rigrupoheshin me të tjerë në të tjera zona. Meqë Miniri asokohe ishte adoleshent, komandant Hoxha e urdhëroi të shkonte në shtëpi. Ai kundërshtoi, duke dashur të mbetej me partizanët, por komandant Hoxha i tha se nuk ishin në pozitë për betejë efektive kundër gjermanëve në atë kohë.

Familja e Minirit s’kishte pasë asnjë lajm prej tij për një kohë shumë të gjatë – ai nuk i kishte konsultuar kur ishte bashkuar me partizanët. Pas tre netësh, duke çarë nëpër borë të dendur, ai arriti në shtëpi. Nga meraku se nuk do të ishte i sigurt në Gjakovë, familja e çoi të punonte në dyqanin e tyre të tekstilit në Kapali Çarshi (pazari i mbuluar) në Prishtinë. Të paktën atje, mendonin, askush nuk do të dinte për bëmat e tij.

Ai mbeti dy vjet në Prishtinë, duke jetuar me dy familje të ndryshme hebreje. Çdo të shtunë, gjatë Shabatit, ua kryente rangët, duke ia ndezë zjarrin zotit Salomon ndërsa ky lexonte pjesë nga Tevrati.

Ishte shumë herët për të kuptuar se si do të kontekstualizohej brenda historisë botërore kjo ngjarje lokale që po ndodhte në shtëpinë ku mbante një dhomë me qira.

Shoku i Minirit, Jaku, një hebre i ri në lagje, që ishte edhe shitësi i tyre në dyqan, ishte i sjellshëm dhe sillej mirë me njerëzit. Jakut i pëlqente t’i rriste çmimet e tekstileve, ashtu që të kishte gjithmonë hapësirë për pazarllëqe dhe biseda me klientët. Në fund, Jaku e shiste mallin me çmimin origjinal. Iluzioni që krijonte Jaku i bënte klientët me dalë nga dyqani duke u ndier ngjadhnjimtarë e se po largoheshin me pazar të mirë.

Një natë vonë në maj 1944, Miniri ishte në shtëpi me familjen Salomon dhe axhën e vet, që vinte në Prishtinë nga Gjakova çdo të hënë përpara ditës së pazarit të martën. Po bëheshin gati të binin të flinin, kur dëgjuan një trokitje të çekiçit në derë. Ishte një njësi ushtarake e panjohur.

Ushtarët vazhduan të trokasin fort derisa e shembën derën, dhe u futën pjesëtarët e divizionit SS “Skënderbeu”, njësisë shqiptare nën kontrollin gjerman që shërbente vetëm në Kosovë — kishin ardhur për t’i marrë hebrenjtë. Para se Miniri të kuptonte se ç’po ndodhte, ushtarët i rrëmbyen anëtarët e tjerë të shtëpisë ashtu siç ishin në pizhame. Bashkë me rreth 280 hebrenj të tjerë të gjetur nëpër Prishtinë, i deportuan në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në Gjermani.

Një heshtje dhe zbrazëti e zymtë pllakosi shtëpinë dhe Miniri me axhën, të tmerruar, mbetën pa fjalë për ditë me radhë. Duke qenë pjesëtar i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave që luftonte kundër fashizmit, Miniri kish menduar se njësiti SS “Skënderbeu” kishte ardhë me marrë atë. I rrëmbyer nga frikët, ai nuk e kuptoi se ajo çka dëshmoi ishte pjesë e Holokaustit; Ishte shumë herët për të kuptuar se si do të kontekstualizohej brenda historisë botërore kjo ngjarje lokale që po ndodhte në shtëpinë ku mbante një dhomë me qira.

Kapali Çarshia ishte qendra më e madhe tregtare në Prishtinë. Shumë zejtarë dhe tregtarë kishin dyqanet në Çarshi, ku ofroheshin shumëllojshmëri të pasura mallrash të punuara me dorë e të importuara. Dyqanet ishin të ngjeshura njëri pas tjetrit përgjatë rrugës kryesore, të njohur si Rruga e Gjatë, e cila fillonte te Teatri Kombëtar i sotëm, kalonte nëpër platformën që lidh sot ndërtesën e qeverisë me ndërtesën e Kuvendit dhe përfundonte në Divan Yol, sot rruga UÇK. Rrotull Kapali Çarshisë kishte shtëpi të vogla të stilit oriental, të banuara nga njerëzit që zotëronin dyqanet. Trashëgimia kombëtare e pronarëve të dyqaneve ishte e përzier: serbë, hebrenj, turq, romë e shqiptarë, të gjithë tregtarë në këtë qytet post-osman.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur dolën fitimtarë partizanët, pjesë e të cilëve dikur kishte qenë Miniri, Kapali Çarshia u shkatërrua nga vetë qytetarët, që dolën vullnetarë për ta zhbërë atë që i përkiste një mënyre tjetër jetese dhe për përparimin në botë. Mënyra e jetesës tregtare që kishte lulëzuar në Rrugën e Gjatë u zëvendësua nga projekte të reja zhvillimi që parashikonin një qendër të ndryshme të qytetit. Një qendër ku ishin akomoduar institucionet kryesore; ndërtesat qeveritare, qendrat tregtare, bankat shtetërore, të gjitha duke projektuar një ekonomi dhe rend politik të ri, të menaxhuar nga shteti.

Obelisku në qendër të Sheshit Vëllazërim-Bashkim të Prishtinës u ndërtua për të përkujtuar luftën kolektive kundër fashizmit, por ai betonizoi trashëgiminë e gjallë dhe shumështresore të qytetit. Imazhi: Nita Salihu Hoxha / K2.0.

Gjatë viteve të tranzicionit të pasluftës në këtë pjesë të qytetit, fëmijët e lagjes shkonin të luanin në kantier ndërtimi dhe shpesh gjenin rruaza e xhingla që ishin shitur më parë në dyqanet në pronësi të hebrenjve. Por me zhdukjen e plotë të jetës hebreje në Prishtinë, ky obsesion shpejt u ndërpre, pasi kishte pak relike të tjera për t’u gjetur.

Në zemër të qendrës së qytetit të rimenduar ishte Sheshi Vëllazërim-Bashkim. Dhe ky, vendi ku Kapali Çarshia kishte qëndruar dikur, u bë shtëpia për Monumentin e Heronjve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare që qëndron edhe sot e kësaj dite.

Monumenti i Heronjve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare përfundoi në vitin 1961. I frymëzuar nga Bauhaus, obelisku 22 metra i gjatë me tri shtylla, i shoqëruar nga skulptura më të vogla të ndërthurura që portretizojnë partizanët e rënë, u ndërtua për të përkujtuar luftën kolektive gjatë Luftës së Dytë Botërore. I dizajnuar nga skulptori Miodrag Zhivkoviq, monumenti asokohe simbolizonte solidaritetin dhe bashkimin midis tri kombeve mbizotëruese që jetonin në Kosovë: shqiptarëve, malazezëve dhe serbëve. Gjallëria e diversitetit më të gjerë që kish karakterizuar pikërisht atë pikë në qendër të qytetit deri vetëm para pak vitesh, tashmë ishte zbardhë në një monument betoni që nuk shfaqte kurrfarë dallimesh.

Ai obelisk nuk thoshte asgjë për rrugën e gjallë tregtare që e kishte zëvendësuar. Ishte krejt i heshtur mbi sipërmarrësinë e Jakut dhe leximin e Tevratit nga z. Salomon gjatë Shabatit – kujtime të humbura me ta në trenin për në Bergen-Belsen.

Në vend të kësaj, tregonte rrëfimin e revolucionit dhe të vëllazërim-bashkimit të popullit jugosllav, konsensusit politik mbizotërues të çastit. Përkujtimi i ngadhënjimit kundër fashizmit nga partizanët dhe i vizionit të tyre socialist ishte një mjet për të disiplinuar një pluralitet përvojash në një rrëfim të vetëm të njësuar. Ishte edhe mënyrë për ta heshtur përvojën e tmerrit që kishte ndodhë në zemër të këtyre komuniteteve, që tani ishin pjesë e Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë.

Megjithatë, shoqëritë harrojnë se edhe heshtja strukturon narrativa rreth asaj që nuk flitet; duke lënë një boshllëk të madh në mes; padashtas, duke e treguar atë që mungon.

Për Skënderin dhe shumë të tjerë si ai në Kosovë, historia e tij familjare ishte gjithmonë jashtë sinkronit me historinë “zyrtare”.

Monumenti i Heronjve të Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në sheshin Vëllazërim-Bashkim u shpalos zyrtarisht para qindra të pranishmëve. Skender Boshnjaku, gjimnazist në atë kohë në Gjimnazin Mbretëror të Pejës, kujton se e hipën në tren për në Prishtinë për të marrë pjesë në ceremoni. Ndonëse kjo ishte hera e parë që po udhëtonte me tren, përvoja nuk ishte aq emocionuese sa mund të mendohej — madje ishte çnjerëzore. Vagoni në të cilin qenë vendosë ishte për transport kafshësh dhe kur doli nga treni, ai edhe ndihej si i tillë.

Për shkak të ndërtimeve të rënda në rrugën APJ (Armata Popullore Jugosllave) — e quajtur më parë Divan Yol — ai kujton se ishte mbuluar me baltë deri në gju. Ecja deri te sheshi i sapondërtuar ishte e vështirë dhe e padinjitet.

Por ajo ecje nënkuptonte fitoren e tyre — fitoren e komunizmit, vëllazërim-bashkimit dhe Titos. Duke mbajtur sloganin “Rroftë Tito”, ai ndoqi fjalimin e mbajtur nga komunisti kryesor jugosllav Svetozar Vukmanoviç — “Tempo”. Sipas Skënderit, Tempo ishte antishqiptar i përbetuar, por ky qe ku ishte vetë — djalë shqiptar në mbështetje të kësaj ngjarjeje madhështore. Për Skënderin dhe shumë të tjerë si ai në Kosovë, historia e tij familjare ishte gjithmonë jashtë sinkronit me historinë “zyrtare”.

Shkatërrimi i Kapali Çarshisë dhe ndërtimi i sheshit dhe monumentit në vend të tij, kishte për qëllim të prezantonte një fillim të ri për të gjithë, që linte mbrapa mbeturinat e trashëgimisë shumështresore të krijuar nga komunitetet e ndryshme që jetonin në Prishtinë. Megjithatë, rrëfimi zyrtar i vëllazërim-bashkimit përfaqësonte vetëm një pjesë të kësaj trashëgimie — atë të atyre që ishin të kënaqur me narrativën e madhe të konfederatës së re që po zhvillohej.

Dita mbaroi për Skënderin njëlloj siç kishte filluar; ai u kthye në Pejë njëlloj siç e sollën në Prishtinë — si kafshë.

Vuk Karaxhiq

Kur unë dhe motra ishim fëmijë në fillim të viteve ’90, shikonim Radio-Televizionin Serbia 2. Programimi i tyre ishte kryesisht edukativ dhe kështu ne mësuam shumë për shkencën, kulturën dhe muzikën klasike. Ishte goxha i mërzitshëm për ne si fëmijë, por meqë s’kishim satelit, duhej të kënaqeshim me çkado që transmetohej.

Shpesh shfaqnin dokumentarë për heronjtë kombëtarë dhe burrat e letrave. Kështu, mësuam për gjuhëtarin dhe reformatorin e njohur të gjuhës serbe, Vuk Karaxhiqin. Duke qenë se programimi i tyre ishte relativisht i varfër dhe i përsëritshëm, u njohëm mirë me madhështinë e tij.

Pikërisht gjatë kësaj kohe motra filloi të vizatonte Vukun dhe njohuritë për të filluan t’i përcillen nëpërmjet bllokut të vizatimeve. Kushedi për ç’arsye, ajo e skiconte krejt lakuriq, me gjithë zonat e trupit që konsiderohen private. Meqë ende nuk ishim të pjekura seksualisht — megjithëse Frojdi s’do të pajtohej — nëna dhe gjyshi nga nëna, i cili ishte mysafir në atë kohë, e pyetën motrën për këto vizatime dhe veçmas për zonën private të Vukut. Përgjigjja e saj ishte se aty Vuku i varte çelësat.

Në peizazhin e qytetit filluan të shfaqen shtatore të figurave historike nga kultura dhe historia serbe.

Vuku nuk ishte vetëm çelësi i kulturës serbe, por duke reformuar gjuhën, thuhej se kishte zhbllokuar potencialin e saj dhe kishte shtruar rrugën drejt letërsisë moderne. Meqë përshkruhej ashtu në programet e ndryshme dokumentare televizive, motra kishte pandehur — me të drejtë — se ai ishte njeri me shumë çelësa.

Në vitin 1995, shtatorja e Vuk Karaxhiqit u zbulua në hapësirën e gjelbëruar përballë Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Unë dhe motra, natyrisht, kishim një marrëdhënie të gjatë me Vukun, por shumica e shqiptarëve nuk e kishin.

Shfaqja e skalitur e Vukut në kampusin universitar nuk ishte ngjarje e izoluar, por pjesë e zhvillimeve më të gjera politike, sociale e kulturore. Në vitin 1989, dispozitat në Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974 që kishin siguruar të drejta më të mëdha politike për krahinat, u shfuqizuan dhe pasojat hynë në fuqi menjëherë. Ky ndryshim politik, i cili reduktoi statusin e Kosovës nga krahinë autonome në territor të administruar prej serbëve, preku sferën publike, pasi u sulmua gjithçka që më parë ishte perceptuar si pjesë e një historie të përbashkët. Shumica e shtatoreve të Luftës së Dytë Botërore u shkatërruan dhe u mbyll Muzeu i Revolucionit që rrëfente tregimin e luftës së përbashkët kundër fashizmit. Njëkohësisht, në peizazhin e qytetit filluan të shfaqen shtatore të figurave historike nga kultura dhe historia serbe.

Vuku ishte vetëm njëri nga tipat që unë dhe motra rastësisht e njihnim. Aty ishte edhe shtatorja e poetit dhe filozofit Njegoš, figura e të cilit ishte risi për ndjeshmëritë tona kulturore. Figura e tij prej prifti u vu në krahun tjetër të Fakultetit të Filologjisë. Pak më tej, prapa Bibliotekës Universitare, filluan të ngriheshin strukturat e kishës ortodokse. Të gjithë këta tregues të kulturës serbe ishin të vendosur brenda kampusit universitar.

Ndryshimet e emrave të rrugëve ishin një tjetër akt epistemikisht i dhunshëm, që e përzinte identifikimin e komunitetit shqiptar me sferën publike. Si popullsi shumicë në Kosovë, shqiptarët e kuptuan këtë rishkrim si përpjekje për t’i përmbysur vlerat e përbashkëta dhe për t’i tëhuajsuar më tej nga ç’ishte bashkëndarë dikur. Ky çfamiljarizim me sferën publike po thellohej ndërsa kalonin vitet ’90.

Njëra nga trashëgimitë e shumta të qëndrueshme të kësaj çarjeje është se përtej ndarjes etnike, nuk u bë shumë për ta dokumentuar artin e viteve ’70 e ’80 në Kosovë. Nëse historizohen, veprat e artistëve kontekstualizohen brenda narrativave të artit të bazuara në komb, krejt të shkëputura nga etosi jugosllav. Pra, vështirë të kuptohet qartë arti i Kosovës gjatë periudhës jugosllave, a të krijohen lidhje më të mëdha mes artistëve serbë dhe shqiptarë, sepse ata studiohen veçmas brenda historive të tyre kombëtare.

Vënia e një shtatoreje të Vuk Karaxhiqit në kampusin e Universitetit të Prishtinës në mesin e viteve '90 ishte pjesë e një fushate më të gjerë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit për ta rishkruar narrativën sociale e politike të Kosovës. Imazhi: Nita Salihu Hoxha / K2.0.

Kur pata mundësinë të bëja hulumtimin mbi historinë e artit lokal para disa vjetësh, shpejt takova skulptorin serb Zoran Karalejić. Me gjithë ndarjet e krijuara ndër vite, nuk m’u desh shumë kohë që të kujtoja takimet që kisha pasë si fëmijë me veprat e Karalejiqit. Ishte Zoran Karalejiq ai që kish skalitë shtatoren e Vuk Karaxhiqit që qëndroi katër vjet të plota para Fakultetit të Filologjisë.

Karalejiq kishte qenë nxënës i skulptorit të nderuar shqiptar kosovar Agim Çavdarbasha. I ndikuar shumë nga mentori, ishte e vështirë t’i ndaje të dy thjesht duke ua shikuar veprat. Shumë shpejt Karalejiq u bë asistent i Çavdarbashës në Akademinë e Arteve të Bukura dhe e zëvendësoi në fund të viteve ’80 kur Çavdarbasha mungonte për shkak të sëmundjes. Të gjithë e perceptonin Karalejiqin si Çavdarbashën e radhës, meqë ky i fundit kishte transmetuar aq shumë nga ndjeshmëria e vet artistike dhe me aq vetëmohim tek nxënësi. Prandaj nuk ishte befasi kur, në fillim të viteve ’90, Karalejiq u votua si dekan i ri i Akademisë.

Veprat e Karalejiqit ishin kryesisht të stilit modernist. Skulpturat e tij, me shkallë e materiale të ndryshme, ishin figuracione abstrakte të temave socialiste.

Shtatorja e Vukut kishte një qasje tjetër skulpturore; ishte realizëm. Me Millosheviqin në pushtet, Karalejiq u bë pjesë e aparatit të tij ideologjik, duke inxhinieruar imazhin e regjimit për vetveten. Kjo ia ndryshoi praktikën e artit, e në përgjithësi paradigmën e artit, duke e vendosë artistin në zemër të ideologjisë nacionaliste. Shtatorja e Vukut përpara Fakultetit të Filologjisë shtynte një narrativë serbocentrike se themelet e universitetit publik ishin të rrënjosura në historinë dhe kulturën serbe.

Gjatë gjithë viteve ’90, ky u bë realiteti. Pasi profesorët, studentët dhe administratorët shqiptarë u dëbuan nga institucioni në vitin 1991, Universiteti i Prishtinës ofroi arsim vetëm në gjuhën serbe dhe shqiptarët nuk shkelnin më në ambientet e tij; në vend të kësaj, organizuan arsimin e lartë nëpër shtëpi private në periferitë e qytetit.

E lidhur me një kamion, skulptura e Karalejiqit u tërhoq zvarrë nëpër qytet.

Me siguri, Karalejiq ishte figurë komplekse — më shumë sesa i interesonte historisë ta kujtonte. Si dekan i sapoemëruar i Akademisë së Arteve të Bukura, Karalejiq ishte ai që ua dha njoftimin profesorëve shqiptarë të artit brenda Akademisë se kontratat e tyre po ndërpriteshin si pjesë e shkarkimit masiv të punonjësve të sektorit publik shqiptar për refuzimin e nënshkrimit të një zotimi besnikërie ndaj Serbisë; kuptohet, me këtë rast shkarkoi edhe ish-mentorin e vet, Çavdarbashën. Dhe Karalejiqi mori përsipër t’ua tregonte të gjithëve vendin brenda regjimit të sapokrijuar.

Shtatorja e Vukut u rrëzua fill pas Luftës së Kosovës, gjatë një tubimi masiv më 2 korrik 1999. E lidhur me një kamion, skulptura e Karalejiqit u tërhoq zvarrë nëpër qytet, e dëshmitarët okularë përshkruan tingullin e tmerrshëm të gërvishtjeve që linte nga pas. Shtatorja u përdor si njëfarë koke turku. I gjithë zemërimi që komuniteti shqiptar kishte grumbulluar gjatë shtypjes dhjetëvjeçare u kanalizua në heqjen e Vukut nga piedestali. Dëshmitarët e tubimit kujtojnë edhe një djalë që godiste fort shtatoren prej bronzi me papuçe, duke e antropomorfizuar kësisoj skulpturën.

Për shqiptarët, vera e vitit 1999 ishte një episod euforik që përfaqësonte një kalim nga shtypja në liri; një transformim kaq i shpejtë pas kaq shumë vitesh traume dhe durimi, padyshim ishte vështirë të përpunohej. Megjithatë, përtej çlirimit katartik të emocioneve të çastit, shembja e shtatores së Vukut nuk solli në vetvete ndonjë mbyllje të qëndrueshme; përkundrazi — efektet e mohimit të shprehjes kulturore në gjuhën shqipe brenda sferës publike ndihen edhe sot e kësaj dite.

 

Lidhja e Prizrenit

Sa herë që Muhamed Shukriu ishte me humor të keq, gruaja e tij Margareta mendohej se mos ndonjë pllakë çatie ishte zhvendosur në njërin nga lokacionet e trashëgimisë në Prizren. Duke e njohur mirë të shoqin, e dinte se edhe diçka kaq e vogël mund ta shqetësonte thellë. Zoti Shukriu ishte njëri nga themeluesit e Drejtorisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Komunën e Prizrenit në vitin 1967 dhe për afro dy dekada shërbeu si drejtor i saj.

Me afrimin e njëqindvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në vitin 1972, z. Shukriu dhe departamenti i tij filluan projektimin e një kompleksi përkujtimor për këtë — në përkujtim të Lidhjes Shqiptare të vitit 1878 që luftoi kundër ndryshimeve kufitare të vendosura nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit. Lidhja kërkoi edhe autonomi nga Perandoria Osmane.

Kushtetuta e re jugosllave e vitit 1974, e cila i dha Kosovës autonomi të shtuar dhe pothuajse të njëjtat të drejta si gjashtë republikave të Jugosllavisë — duke përfshirë de facto fuqinë e vetos në parlamentin serb — e lehtësoi procesin e përgatitjes për përvjetorin, pasi shqiptarët e Kosovës u bënë të lirë të shprehnin pronësinë mbi historinë dhe kulturën e tyre pa u etiketuar si nacionalistë.

Vendi ku qëndronte selia e Lidhjes së Prizrenit nuk kishte infrastrukturë memorializimi. Kishte një pllakë, por përveç kësaj dukej si çdo shtëpi tjetër e stilit osman në qendër të qytetit. Lokacioni menaxhohej nga shteti dhe ishte lëshuar për familjet e pastreha që të jetonin, prandaj për të ndërtuar kompleksin memorial fillimisht duhej të gjindeshin zgjidhje strehimi për ato familje. Dhjetë apartamente u ndërtuan në një kohë rekord prej 25 ditësh. Pastaj u desh të ndërtohej një mur, që të mos e merrte lumi Lumbardh.

Kishte shumë punë, pengesat nuk ishin të pakta dhe njëqindvjetori më 1978 ishte afër. Kompleksi memorial duhej të kishte elemente të shumta: një bibliotekë tematike me libra të specializuar për Lidhjen; një galeri artesh me një koleksion pikturash nga artistët më të njohur bashkëkohorë, të ngarkuar që të ripunonin këtë ngjarje historike në gjuhë pamore moderne; një muze in situ që shfaq një koleksion artefaktesh të lidhura me Lidhjen; dhe shtatoret e Abdyl Frashërit e të Ymer Prizrenit — dy prej 47 delegatëve të Lidhjes.

Të gjitha do të shpaloseshin në një ceremoni të veçantë. Kjo ishte një mundësi e rrallë për të sjellë nga e kaluara historinë që shënoi luftën kundër copëtimit të trojeve të banuara nga shqiptarët dhe ishte ngjarje historike e veçantë për popullsinë shqiptare. Pra, kompleksi memorial duhej të ishte i përsosur.

Trupi i Ymer Prizrenit u zhvarros dhe profesor Nemeskéry kreu kërkime antropologjike për të mbledhë informacione të mjaftueshme që ta informonte punimin.

Erdhi viti 1978 dhe 100-vjetori, Besa Krajku sapo kishte nisë punën e parë në Kuvendin e Prizrenit. Në atë kohë ajo ishte ende studente e drejtësisë, por e kishte pranuar këtë rol, duke e parë si mundësi të rëndësishme për të mësuar mbi çështjet e botës burokratike. Ajo e kujton përvjetorin e njëqindtë si ceremoni të organizuar mirë, dhe në përgjithësi si ditë emocionuese e të thellë.

Ishte hera e parë që dëgjonte operë në gjuhën shqipe. Pjesa, Goca e Kaçanikut, e kompozuar nga Rauf Dhomi, ishte porositur enkas për ceremoninë e hapjes së mbrëmjes. E interpretuar nga orkestra e Radio Televizionit të Prishtinës dhe kori Collegium Cantorum, ajo u transmetua drejtpërdrejt në të gjitha kanalet televizive jugosllave.

Shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, të skalitura nga Agim Çavdarbasha, u shpalosën në kompleksin memorial, të pasuara nga fjalimet e personalitetit të lartë të Partisë Komuniste, Mehmed Hoxha, dhe akademikut kryesor, Pajazit Nushi, si dhe nga këngët e korit të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”.

Meqë nuk kishte asnjë fotografi a portret të Ymer Prizrenit dhe asnjë nga bashkëkohësit e tij nuk ishte më gjallë për t’ia përshkruar tiparet e fytyrës, Çavdarbasha kishte punuar ngushtë me antropologun János Nemeskéry për ta rindërtuar fytyrën e përfaqësuesit të Lidhjes së Prizrenit.

Me lejen e rrethit të Ulqinit në Mal të Zi ku Ymer Prizreni ishte varrosë, trupi i tij u zhvarros dhe profesor Nemeskéry kreu kërkime antropologjike për të mbledhë informacione të mjaftueshme që ta informonte punimin.

Por gjatë ekzaminimit, u bë një zbulim tjetër: sipas studiuesve, Ymer Prizreni nuk kish vdekë nga pleqëria siç besohej gjerësisht, por qe vrarë në Mal të Zi ku kishte kërkuar azil politik. Mbasi historia lokale e luftës kundër fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore qe treguar përmes paradigmës së vëllazërim-bashkimit të serbëve, malazezëve dhe shqiptarëve, ky informacion nuk u shpalos kurrë, për ta shmangë armiqësinë e mundshme midis tri kombeve.

Shpalosja e kompleksit memorial të Lidhjes së Prizrenit më 1978 ishte moment simbolik, pasi Kushtetuta e vitit 1974 u kishte lejuar shqiptarëve të Kosovës liri më të mëdha për të shprehë pronësinë mbi historinë dhe kulturën e tyre. Image: Nita Salihu Hoxha / K2.0.

Duke qëndruar krah për krah, shtatoret në përmasa reale të Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit iu bindën parimeve moderniste. Çavdarbasha i dha çdo figure një gjest të veçantë bisedor; secili mbante një letër të mbështjellë në dorë — mbase deklaratë. Ai nuk përdori ikonografi heroike, përkundrazi madje. Duke i vendosur në një bazament gjysmëmetërsh, krijoi marrëdhënie horizontale midis themeluesve të Lidhjes së Prizrenit dhe vizitorëve. Nuk kishte madhështi mitike në paraqitjen e tyre. Çavdarbasha i iku monumentalitetit dhe i humanizoi të dy.

Shpejtojmë dy dekada e vijmë më 27 mars 1999 — dita e tretë e bombardimeve prej NATO-s. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit u dogj nga forcat ushtarake serbe; shtatoret e Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit u hoqën nga bazamentet dhe u hodhën në deponinë afër Buzagillëkut. E me këtë, pjesa më e madhe e kompleksit memorial të Lidhjes së Prizrenit u shkatërrua gati krejtësisht.

Duke zhdukur kompleksin memorial, regjimi synonte t’ia çaktivizonte fuqinë dhe kështu t’i bënte të pafuqishëm ata që identifikoheshin me historinë që paraqiste memoriali. Por në kuadrin e dhunës ekstreme, çrrënjosja e kompleksit memorial thjesht i dha atij simbolikë të re, duke e kthyer këtë lokacion të krenarisë kombëtare në një vend traume kombëtare.

Pas luftës, Muhamed Shukriu u kthye nga Shqipëria ku ishte deportuar dhe ishte detyruar të kërkonte strehim. Ai shpejt mësoi për vendndodhjen e shtatoreve dhe shkoi t’i merrte ato. Por, pavarësisht se u kthye në punë në Departamentin e Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës, ai kurrë nuk mundi t’i kthente shtatoret e Abdyl Frashërit dhe Ymer Prizrenit në bazamentet e tyre, dhe në vend të kësaj ato gjetën strehë të re si skulptura brenda galerisë së Lidhjes.

Në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, në vitin 2018, në qendër të kompleksit memorial të Lidhjes u zbuluan shtatore të reja të Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, të ndryshme në stil dhe ndjeshmëri nga origjinalet. Tashmë ato shoqërohen edhe nga një figurë tjetër drejtuese e Lidhjes, komandanti ushtarak Sylejman Vokshi. Këto përshtatje të fundit përfaqësojnë një ndërhyrje delikate në rrëfimin fillestar — arsyet për to ende nuk janë eksploruar.

 

Gjyshi nga babai

Kurrë nuk kam bërë një fotografi me gjyshin nga babai. Pa të, gjurmët që mund të qëndrojnë për të krijuar një ndjenjë vazhdimësie mes tij e meje janë aq të paprekshme dhe aq të pakta. Fotografitë tona familjare përfunduan në arkivin e shërbimit sekret jugosllav.

Gjyshi im, Metush Krasniqi, ishte anëtar i lëvizjes Ilegalja. Veprimtar dhe themelues i shumë organizatave politike ilegale gjatë jetës së tij, kauzën politike e kishte çlirimin e të gjitha trojeve të banuara nga shqiptarët dhe bashkimin e tyre në një vend. Kjo pa dyshim se shkonte kundër Jugosllavisë dhe prandaj e gjithë familja e pagoi shtrenjtë.

Mbasi gjyshi im ishte ai që ishte, unë dhe motra mësuam qysh herët në jetë se nuk mund të visheshim vetëm kuq e zi. Nëna, kujdestarja jonë e vetme, sigurohej që të eksploronim ngjyra të tjera; e gjithë familja e dinte mirë se nuk mund t’i lejonin vetes të ishin të pakujdesshëm me gjuhën simbolike. Ata e dinin shumë mirë se shenjat vazhdimisht marrin kuptime të reja dhe se ato mund të dilnin shpejt nga kontrolli — simbolika e gabuar mund të nënkuptonte një vizitë nga UDBA, policia sekrete e Jugosllavisë.

Shtëpia e gjyshërve shërbente edhe si një vend ku gjyshi takohej me anëtarë të tjerë të grupit Ilegalja. Gjyshja, të cilës i duhej t’i rriste vetë pesë fëmijë, sepse gjyshi hynte e dilte në burg, nuk i duronte dot këta aktivistë politikë me fjalë të mëdha; ata ishin shkaku i të gjitha fatkeqësive të saj. Në ato takime, siç kujtonte gjyshja, ishte gjithmonë njëri që bashkëpunonte me shërbimin sekret dhe i fuste të gjithë në telashe.

Ashtu si pasuria materiale, edhe trashëgimia jomateriale u mohohet grave.

Kur nëna jetonte së bashku me vjehrrijtë në një njësi të madhe familjare, shtëpia e tyre bastisej nga policia dhe shërbimi sekret sa herë që Kosova kalonte nëpër ndonjë krizë politike. Gjatë këtyre bastisjeve, policia sekrete sekuestroi të gjitha fotografitë e familjes. Gjyshin nga babai ma merrnin në pyetje dhe e fusnin në burg për disa ditë, muaj ose ndonjëherë vite, derisa situata politike të vihej nën kontroll. Ai u arrestua për herë të parë në vitin 1958 dhe u dënua me 18 vjet burg — hera e fundit kur u arrestua ishte më 1985, vetëm disa muaj para se të vdiste.

Unë kurrë nuk e kam njohur gjyshin. Kam vetëm një kujtim prej tij, që nuk mendoj se është i imi, sepse isha një vjeçe e gjysmë kur ai vdiq më 1986, vetëm 60 vjeç. Unë dhe motra i shkuam në shtratin e vdekjes për t’i dhënë lamtumirën. Për shkak të torturave që kish duruar në burg, kishte zemër të dobët. Policia që i qëndronte te dera e dhomës së spitalit nuk na la të hynim. Por befas, dera u hap dhe motra vrapoi mes këmbëve të policit e u hodh për ta përqafuar një herë të fundit.

Në përpjekje për t’u pajtuar me errësirën që ta rrethon figurën e gjyshit, kupton se deri diku ajo prodhohet edhe nga marrëdhëniet gjinore familjare. Si grua je e ekspozuar ndaj historive familjare, por ato nuk të drejtohen ty. Ashtu si pasuria materiale, edhe trashëgimia jomateriale u mohohet grave. Ato që di për gjyshin i kam mësuar nga gjyshja, nëna dhe hallat, por jo nga burrat e familjes.

Rrëfimet e tij rishfaqen herë pas here, në dallgë, si traumë, sepse kujtimet e lidhura me gjyshin, familja i përpunon me vështirësi. Njerëzit që dikur i njihnin, nuk i përshëndesnin më në rrugë, duke mos dashur të lidheshin me një familje që nuk vlerësohej mirë nga sistemi politik jugosllav. Dhe dokumentacioni me shkrim është i paktë. Kur gjyshi ishte i lirë, çka ishte ngjarje e rrallë, shkruante pak dhe dokumentonte akoma më pak. Për anëtarët e Ilegales, shprehja e kujdesit për njëri-tjetrin do të thoshte mos me e lënë asnjë gjurmë që mund të përdorej më vonë kundër tyre nga shërbimi sekret.

Njëzet e pesë vjet pas vdekjes, në vitin 2011, në lagjen Ulpiana të Prishtinës u zbulua një shtatore në përmasa reale e skalitur nga Ismet Jonuzi. Edhe pse ai mbetet ende i panjohur për publikun e gjerë, shtatorja e vetme nuk e bën punën për të sqaruar kush ishte e çfarë duhet të përfaqësonte për bashkëkohësit tanë.

Ajo nuk jep asnjë detaj mbi kauzën e tij të përjetshme. Shkronjat e vogla dhe të zbehura nuk i referoheshin kurrë dekadave të persekutimit të tij që ndiheshin përtej individit. Asnjë vizitor kalimtar nuk do ta dinte se, tre vjet para vdekjes, ky njeri organizoi

Për mua, shtatorja është mundësi për ta vënë në kornizë fotografinë familjare që nuk e kam pasur kurrë.

më të madhin tubim të Ilegales, me 17 anëtarë të lëvizjes të pranishëm — një numër i madh ky për një organizatë politike që nuk u mblodh kurrë në grupe më të mëdha se nga tre veta.

Edhe nëse informacioni i tillë do të shtohej, shtatoret në vetvete nuk mund ta mbajnë kujtesën kolektive.

Megjithatë, kur shohim shtatoren e gjyshit hapur, simbolikisht na ofrohet një formë mbylljeje mua dhe familjes, e ndoshta, një pikënisje për të diskutuar mbi fatin e shumë familjeve të persekutuara politikisht në Jugosllavi.

Për mua, shtatorja është mundësi për ta vënë në kornizë fotografinë familjare që nuk e kam pasur kurrë. Informacioni pamor që mbartin fotografitë na zbulon jetën në shkrepje — kur na u morën albumet familjare, u bë më e vështirë të ruanim një ndjenjë të historisë së familjes. Megjithëse fotografitë nuk janë transkripte të realitetit, ato si objekte përkujtimore ofrojnë mundësinë e kthimit në diçka të përbashkët dhe të pëlqyer nga të gjithë anëtarët e familjes.

 

‘Shtatore që fryhen’

Në një Kosovë të së ardhmes, një grup artistësh dhe arkivistësh të rinj gjejnë një tekst nga shekulli 21. Është katalog ekspozite retrospektive që nga viti 2015, në të cilën artisti Sokol Beqiri ia përmend një ide të veten një të besuari të artit — një pjesë që do të titullohet “Shtatoret që fryhen”. Por, mbasi shoqëria në të cilën ai jetonte i vlerësonte shtatoret aq fort, vepra nuk u krijua kurrë.

Grupi i artistëve dhe arkivistëve e marrin si pikënisje për të projektuar shtatore që fryhen, që janë kopje të shtatoreve të prodhuara mes viteve 1961 dhe 2021, por që prej kohësh kanë pushuar së qeni pjesë e peizazheve në qytetet e Kosovës.

Shtatoret e kësaj periudhe 60-vjeçare janë me mashkullin në qendër. Ato janë përfaqësime burrash me uniformë, mendimtarësh dhe punëtorësh; ato të grave janë shpërpjestimisht më të pakta në krahasim. Kur gratë meritojnë shtatore, ato janë përfaqësuese të mësueseve ose të misionareve fetare. Duke gjykuar nga materialet arkivore për këto shtatore, shoqëritë e kaluara ishin patriarkalisht të kujdesshme.

Edhe pse këto shtatore që fryhen janë referenca kulturore të errëta, njerëzve ende u pëlqen t’i blejnë dhe që kështu të përfshihen në konsumizëm ironik. Ata kënaqen me formën dhe funksionin. Njerëzit i marrin edhe në pushimet verore dhe i përdorin si mbështetëse në plazh ose për të notuar në det. Meqë elementet që na ndihmojnë të krijojmë mirëkuptim kanë ndryshuar dramatikisht, shumica e emrave të heronjve të kësaj periudhe historike të përfaqësuar përmes shtatoreve nuk janë më siç ishin.

Studiuesit e epistemologjisë në shekullin 21 pohojnë se meqë ka pak tregues të tjerë kulturorë nga ajo periudhë, njerëzit sot nuk mund të shqiptojnë saktë — dhe shpesh madje i shkruajnë gabimisht — emrat e figurave historike të asaj periudhe. Me evoluimin e gjuhës, ata thonë se nuk arrijnë fare ta kuptojnë ose të lidhen me atë kulturë.

Imazhi: Nita Salihu Hoxha / K2.0.

Drejtimi artistik: Erëmirë Krasniqi & Nita Salihu Hoxha.

Dizajni: Nita Salihu Hoxha.

 

Ky artikull mbështetet nga Rosa-Luxemburg-Stiftung Gesellschaftsanalyse und politische Bildung e.V. – Zyra në Bosnjë dhe Hercegovinë.