Në korrik të këtij viti, mediat në Kosovë raportuan se si pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë arritja e një marrëveshjeje për amnistimin e krimeve të luftës. Edhe pse kabineti i Presidentit të Kosovës e mohoi që kjo çështje të ketë qenë pjesë e bisedimeve, ky lajm nxiti reagimin e viktimave të luftës, familjarëve të tyre si dhe organizatave e aktivistëve të të drejtave të njeriut, të cilët e kundërshtuan pranimin e një marrëveshjeje të tillë.
Familjarët e viktimave iu drejtuan krerëve shtetëror duke thënë që “nuk guxojnë që në emër të familjeve të tyre, të falin Serbinë për krimet e bëra në Kosovë”. Tutje, familjarët e viktimave thanë se nuk do të lejonin të ndodhte diçka e tillë, pasi që nëpërmjet protestave dhe peticioneve do ta kundërshtonin atë.
Si rezultat i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është miratuar po ashtu Ligji për Amnistinë i vitit 2013, si pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, i cili kishte për qëllim integrimin e strukturave paralele të veriut në institucionet e Kosovës. Ky ligj, amnistoi personat të cilët kanë thyer ligjin dhe kanë vepruar në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.
Mirëpo, amnistia për krime të luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, zhdukja me forcë dhe një mori krimesh të tjera të cilat përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, janë ndërkombëtarisht të ndëshkuara dhe si të tilla nuk mund të amnistohen.
Parandalimi nga ndjekja penale dhe gjykimi i autorëve të krimit është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimin e shteteve për të siguruar mbrojtje për të drejtat e njeriut si dhe kontribuon në krijimin e një klime të mosndëshkimit e cila rrjedhimisht do të linte hapësirë për përsëritjen e tyre në të ardhmen, duke vënë në pikëpyetje kështu sundimin e ligjit dhe rendin në vend.
Dhënia e amnistisë për krime lufte është në kundërshtim po ashtu me politikat e Kombeve të Bashkuara, institucion në të cilin Kosova aspiron të anëtarësohet. Ky institucion dënon refuzimin e shteteve për të hetuar, bashkëpunuar apo ndjekur penalisht autorët e krimeve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit. Sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, në raportin e vitit 2004, marrëveshjet për paqe të OKB-së asnjëherë nuk mund të premtojnë amnisti për gjenocid, krime të luftës, krime kundër njerëzimit apo çfarëdo shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Për më tepër, politikat e OKB-së theksojnë se mosndëshkimi për krime të luftës në përpjekje për të arritur marrëveshje paqësore, shpeshherë nuk e kanë arritur qëllimin e tyre në praktikë.
Amnistitë për krime lufte në të kaluarën kanë shërbyer si mjet për t’i dhënë fund konfliktit dhe dhunës së ushtruar mbi popullsinë civile. Ato janë konsideruar si mjete të drejtësisë tranzicionale, dhe janë përdorur si të tilla me qëllim të arritjes së pajtimit, në veçanti të atij në nivel kombëtar.
Afrika e Jugut është një prej vendeve viktimat e së cilës kanë qenë në gjendje që të pranojnë një amnisti të tillë. Edhe pse aparteidi është cilësuar si krim kundër njerëzimit, viktimat e këtij regjimi e konsideruan bashkëpunimin mes tyre dhe kriminelëve si zgjidhjen dhe mënyrën e vetme për të njohur të vërtetën që kishte ndodhur.
Në Afrikën e Jugut, amnisti të plota dhe të pjesshme u dhanë për autorët që pranuan krimet e tyre, nëpërmjet Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit – i formuar në vitin 1995 – me qëllim të rindërtimit të shoqërisë pas konfliktit duke konsideruar se falja do të ndihmonte në arritjen e këtij qëllimi.
Kjo praktikë – e cila ishte aplikuar më parë edhe në vende të tjera, përfshirë Argjentinën dhe Kilin – nxiti debat në kontekstin e shkeljes të parimeve dhe ligjit ndërkombëtar si dhe në atë nëse këto amnisti me të vërtetë kishin arritur pajtimin apo jo. Për kritikët, fakti që viktimat kishin falur autorët e këtyre krimeve, nuk do të duhej ta shfajësonte atë nga dëmi që ka bërë dhe si i tillë do të duhej të ndiqet penalisht.
Gjatë kësaj kohe, në mesin e viteve të 90-a, luftërat në Jugosllavi dhe gjenocidi në Ruandë detyruan komunitetin ndërkombëtar të përqendrohej më shumë në të drejtat e njeriut. Më herët ky komunitet kishte hezituar të përfshihej në raste të tilla – siç është dhënia e amnistisë për krimet e luftës, pasi që konsideroheshin çështje të brendshme të shteteve, kryesisht për shkak të mbizotërimit të konceptit të sovranitetit në arenën ndërkombëtare.
Dhënia e amnistisë për krime të luftës ishte konsideruar po ashtu si opsion për përfundimin e konflikt në Kosovë në vitin 1999. Mirëpo, me ngritjen e padisë nga Tribunali i Hagës ndaj Slobodan Milošević-it, e cila rezultoi me pajtimin e tij për tërheqjen e trupave nga Kosova, kjo mundësi ishte përjashtuar. Ky rast merret si precedent se si paqja mund të arrihet edhe nëpërmjet vënies së drejtësisë, koncepte të cilat deri atëherë në arenën ndërkombëtare ishin konsideruar përjashtuese ndaj njëra tjetrës.
Megjithatë, procesi i tranzicionit së Kosovës nga lufta në paqe u karakterizua vetëm me përpjekjet për shtet ndërtim dhe demokratizim të vendit, por jo edhe me adresimin e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut të cilat ndodhen para dhe gjatë luftës së fundit.
Kundër të drejtave të viktimave dhe ligjit ndërkombëtar
Sipas Gazetës Juridike të Universitetit të Yale, amnistia nënkupton parandalimin e ndjekjes penale ndaj autorëve të krimeve si dhe heqjen e përgjegjësisë të cilën kryesi e ka pasur më herët. Zakonisht amnistitë përfshijnë një periudhë të caktuar kohore duke i specifikuar kategoritë të cilat përfitojnë nga ajo amnisti dhe që mund të jenë të llojeve të ndryshme.
Por, kur është fjala për krimet e luftës, parandalimi i autorëve të këtyre krimeve nga përballja me ndjekje penale dhe gjykim, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin e shteteve për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo kontribuon në krijimin e një kulture të mosndëshkimit, e cila rrjedhimisht lë hapësirë që këto krime të përsëriten në të ardhmen, duke dëmtuar ligjin dhe rendin.
Përpos që ligji ndërkombëtar ndalon amnistitë për krime të luftës, gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të tjera të rënda të të drejtave të njeriut, ai po ashtu ndalon amnistitë të cilat pengojnë realizimin e të drejtat të viktimave për dëmshpërblim dhe ato amnisti të cilat e pamundësojnë realizimin e të drejtës për të ditur të vërtetën në lidhje me atë që ka ndodhur gjatë një konflikti.
Krimet e luftës përbëjnë krime serioze në ligjin ndërkombëtar dhe si të tilla shkelin në veçanti ligjin ndërkombëtar humanitar. Krimet e luftës janë të shqyrtuara në hollësi në Konventën e Gjenevës të vitit 1949 e cila obligon çdo shtet, që personat të cilët i kanë kryer këto krime t’i sjellë para drejtësisë.
Krimet kundër njerëzimit, të cilat Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) i konsideron ndër krimet më serioze, janë ligjërisht të ndëshkueshme. Këto krime, sipas Statutit të Romës, që është adoptuar në vitin 1998, janë krime të kryera si rezultat i sulmit sistematik ndaj një popullate civile dhe si të tilla, nëse shteti nuk është në gjendje apo nuk shpreh vullnetin që t’i ndjek penalisht, atëherë Gjykata Ndërkombëtare Penale merr juridiksionin që të bëjë një gjë të tillë. Edhe pse Kosova nuk është nënshkruese e Statutit të Romës, ajo nëpërmjet marrëveshjeve me Bashkimin Evropian, konkretisht Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), njeh juridiksionin e GjNP-së dhe normat të cilat dalin nga Statusi i Romës.
Gjenocidi dhe tortura janë të ndëshkuara nga Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit e vitit 1951 dhe Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese e vitit 1984, aplikueshmëria e të cilave është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Në anën tjetër – zhdukja me forcë – një prej krimeve të cilat janë ushtruar mbi popullsinë civile gjatë luftës në Kosovës, përbën një tjetër shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Konventa Ndërkombëtare kundër Zhdukjes me Forcë e vitit 2007, e cila e rregullon këtë çështje, i obligon shtetet që të krijojnë një sistem të atillë ligjor që përpos që do të ndiqte penalisht autorët e tij, në të njëjtën kohë do të ishte në gjendje të kërkonte dëmshpërblim dhe kompensim për viktimat dhe familjarët e tyre. Një krim i tillë është po ashtu në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966, e ratifikuar po ashtu në Kushtetutën e Kosovës.
Dhënia e amnistisë për krimet e luftës bie ndesh me parimin e përgjegjësisë penale, e cila është e domosdoshme për t’i siguruar të drejtat viktimave të tyre. Mosndëshkimi për shkelje të të drejtave të njeriut, përbën mosrespektim dhe mungesë së përmbushjes së të drejtave dhe lirive të individit, dhe po ashtu shkelje të detyrave të tij për të siguruar mbrojte efektive të këtyre të drejtave dhe lirive.
Edhe pse jo në kontekst të njëjtë, shembulli i Argjentinës për ndjekje penale ndaj kryerësve të krimeve dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, të cilat kishin ndodhur në luftën e vitin 1976 -1983, mbetet një prej shembujve më të mirë se si një sistem gjyqësor efektiv mund të ndikojë në dhënien e drejtësisë për krime të luftës.
Në vitin 2005, Gjykata Supreme e Argjentinës shfuqizoi dy Ligje të Amnistisë të miratuara nga Kongresi i Argjentinës në vitin 1986 dhe 1987, ligje të cilat parandalonin ndëshkimin e krimeve të kryera nga diktatura e ushtrisë. Çdokush që ishte konsideruar të ketë qenë potencialisht i përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut gjatë kësaj periudhe ka mundur të jetë subjekt i gjykimit.
Ajo që e karakterizon çështjen e Argjentinës është që hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës ishte bërë pikërisht nëpërmjet gjykatave kombëtare, nga gjyqtarët, paditësit dhe prokurorët – qytetarë të Argjentinës, përderisa i gjithë procesi u udhëhoq nga gjyqësori vendor dhe jo nga autoritetet politike.
Argjentina po ashtu kishte themeluar komision për të vërtetën i njohur si Komisioni Kombëtar për Zhdukjen e Personave (CONADEP), misioni i të cilit ishte hulumtimi dhe mbledhja e fakteve për të zhdukurit pasi që krimet më të mëdha në Argjentinë përbëjnë zhdukjen e personave, që konsiderohen të kenë arritur deri në 30,000. Ky komision është cilësuar si një prej komisioneve të para që rezultoi të jetë i suksesshëm, i cili më vonë kishte shërbyer si shembull për komisione të së vërtetës të cilat u krijuan në vende të tjera.
Shoqëria në Argjentinë ishte e përfshirë në gjithë këtë proces me anë të lëvizjeve, fushatave dhe aktivizimit, të cilat edhe përbëjnë ndër aktivitetet më të fuqishme për të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë Amerikës Latine.
Megjjithatë, e drejta për të vërtetën shkon përtej viktimave dhe familjarëve të tyre – ajo i takon shoqërisë në tërësi. Pas përfundimit të konfliktit, pajtimi mbetet objektivi kryesor dhe përfundimtar të cilin shoqëritë e dala nga lufta pretendojnë ta arrijnë. Por, pajtimi kombëtar mund të arrihet vetëm atëherë kur viktimat marrin drejtësinë që u takon – dhe kjo do të thotë jo amnisti për kriminelët e luftës.
Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0
Kthehu prapa tek Monografia