Blogbox | Kulturë

A po e humbet teatri identitetin?

Nga - 01.02.2021

Origjinalja e humbet kuptimin kur përpiqemi ta ndryshojmë atë.

Gjithçka filloi në formën e ritualeve kushtuar perëndive. Këto rituale mbaheshin në Greqinë e Lashtë, ku besimi që kishte krijuar populli te perënditë ishte i një niveli tejet të lartë shpirtëror. Pikënisja ishte kulti i Dionisit, perëndia e verës dhe plleshmërisë, që ishte një nga perënditë e adhuruara të Olimpit. Shoqëruesit e Dionisit ishin satirët, krijesat e dehura gjysmënjerëzore dhe gjysmështazore dhe meanadet, ndjekëset “e përçarta”. 

Në kohën e Greqisë së Lashtë, shoqëruesit e Dionisit merrnin role si satirë ose maenade dhe këndonin, pinin e vallëzonin për nder të zotit të tyre. Këto manifestime zhvilloheshin në kuadër të ritualeve religjioze. Më vonë, rreth 2,500 vite më parë, një njeri me emrin Thespis, prift dionisian, ndahet nga kori dhe merr rolin e aktorit. Ai e luan mitin e Dionisit përmes dialogut të folur e jo të kënduar. 

Kjo ishte zanafilla e asaj që ne sot e quajmë “Teatër”. Pas periudhës së antikitetit, pasuan etapa të reja shoqërore dhe arti dramatik shkoi duke u pasuruar.

Teoricientë, dramaturgë e praktikues teatri ndërtuan sisteme, metoda e stile të veçanta që e avancuan fuqinë shprehëse të teatrit. Periudha e antikitetit u shqua me autorë si Eskili, Herakliti, Sofokliu, etj. Mesjeta u shenjua me shkrimtarin Dante Aligieri. Më pas bota njohu dramaturgë të njohur si William Shakespeare, Miguel de Servantes, e të tjerë të epokës së rilindjes. Moliere, Pierre Corneille, e Jean Racine në epokën e klasicizmit dhe nga periudha e modernizmit Henrik Ibsen, August Strindberg, Tennessee Williams e shumë autorë të tjerë, të cilët krijuan vepra që mishëronin personazhet dramatike me spektatorët që vinin dhe i përcjellnin ato shfaqje teatrore. 

Siç mund të vërehet edhe nga këta pak emra të përmendur, historikisht hendeku gjinor ka qenë dhe vazhdon të jetë i pranishëm në botën e teatrit. Tek në shekullin e 19-të e tutje filluan të dalin në dritë edhe dramaturge gra, veprat e të cilave ngritën shumë diskutime në një botë të krijimtarisë në ndryshim e sipër; ndër to janë Charlotte Lennox, Agatha Christie, Maya Angelou, Sarah Kane, etj. 

Teatri në luftë me kinemanë

Lindja e kinemasë nga fundi i shekullit të 19-të e zbehu fuqinë depërtuese të teatrit. Një medium teknik siç ishte filmi kishte disa përparësi në raport me teatrin, sepse gjeneronte të ardhura më të mëdha financiare, pastaj teknologjia i jepte përparësi që materiali i xhiruar të shpërndahej në tërë botën — pra mundësitë për ta shikuar një produkt filmik ishin më të mëdha se për ta përcjellë një shfaqje.

Mirëpo shumica e aktorëve që luanin në filma fillimisht ishin zhvilluar si aktorë në teatër, prandaj gjithçka derivonte drejtpërdrejt nga baza. Kinemaja padyshim që solli freski, risi dhe ishte një shpikje inovative, ndonëse përpjekjet për të krijuar figurën në lëvizje kishin ekzistuar që në lashtësi. 

Me përhapjen e virusit COVID-19, jeta kulturore u detyrua të gjejë rrugë alternative për të frymuar.

Sot kur teknologjia e avancuar është futur pothuajse në çdo pore të jetës, shohim shfaqje teatrore që kanë në përbërje të tyre projektorë të mëdhenj, video xhirime apo efekte të ndryshme speciale, ku dallohet ndikimi i filmit. Për shumëkë, një gjë e tillë minimizon veçantinë e përjetimit të audiencës ndaj performancës së aktorëve në skenë.

Ajo që ngjan në skenë është unike, emocion i papërshkrueshëm për spektatorët. Aktorët mishërojnë personazhe të së shkuarës, ndërsa koncepti i rimishërimit ka kuptim kur shohim një shfaqje teatrore, me transformime të shumta të aktorëve nga një personazh në tjetrin. 

Humbja e identitetit

Me përhapjen e virusit COVID-19, jeta kulturore u detyrua të gjejë rrugë alternative për të frymuar. Dhe kështu në Kosovë por edhe në tërë botën, nëpërmes platformave online u dhanë shfaqje të ndryshme nga e kaluara, por edhe me aktorë që zhvillonin dialogje në distanca të largëta.

Një gjë e tillë ndonëse funksionale, nuk e kishte efektin e shfaqjes në teatër ku spektatori bëhet një me personazhet; aty përjeton emocione të forta, ndjesi të çuditshme, momente çlirimi e dëfrimi dhe shikon artin e gjallë. Pastaj kemi dhe anën estetike, të bukurën; ndryshe na duken personazhet, kostumet, skenografia, rekuizitat e dritat kur i kemi përballë dhe ndryshe kur i përcjellim në formë të xhiruar dhe çdo gjë ngjan më e zbehtë dhe e tkurrur.

Që në gjenezë synimi ka qenë të jepen shfaqje me publikun përballë — kur kthehemi pas te ritualet në antikitet, kulturat e ndryshme të botës zhvilluan teknika të reja, varësisht nga besimet e tyre. Ato transmetonin energji dhe emocione të llojllojshme te njerëzit që ishin të pranishëm gjatë performancave. Gjatë këtyre akteve zgjohej ana e nënvetëdijshme e njeriut, zgjoheshin ndjesitë e fjetura të shpirtit, në një proces ku mendja dhe trupi të bëra bashkë arrinin zenitin. 

Praktikuesi dhe teoricienti i madh i teatrit Konstantin Stanislavski, i cili me sistemin e tij të “artit të përjetimit” i vinte theks besueshmërisë në skenë, me aktorin që duhej ta përjetonte rolin gjer në palcë dhe ky moment magjik i përjetimit të rolit do e ngacmonte publikun me iluzionin se ajo që po shohin është e vërtetë. Sipas tij aktori nuk guxon të shtiret për asnjë moment, apo të ekzekutojë truqe me qëllim që ta mashtrojë publikun, përkundrazi ai besonte se artisti mund të quhet i tillë kur thellësisht beson në veprimet dhe lojën e tij.

Si ilustrim është shembulli i filmit “A Clockwork Orange” (“Një Portokall me kurdisje”) nga regjisori Stanley Kubrick, i realizuar në vitin 1971. Ky ishte një film i përbërë nga disa zhanre të ndërthurura në një mënyrë tërësisht të pazakontë. Vetë titulli tregon se diçka natyrale si portokalli paraqitet në një formë tjetër — mekanike.

Shpjegimin e gjejmë te rrëfimi i personazhit kryesor, djaloshi i quajtur Alex Delarge, i cili është një adoleshent tejet problematik dhe i dhunshëm, i cili njëkohësisht udhëheq një bandë të rinjsh. Kur arrestohet nga policia, ndaj tij ushtrohet një metodë revolucionare e kohës, e cila përpiqet të zhdukë nga ai çdo dëshirë për të kryer vepra penale. Fillimisht metoda ka efekt dhe Alex çrrënjos disa mendime diabolike, por në fund ai rikthehet ashtu siç ka qenë dikur në të shkuarën.

Origjinaliteti asnjëherë nuk mund të tjetërsohet, përveçse të modifikohet. Se sa unik është teatri e përkufizon edhe shkrimtari Antonin Artaud në librin e tij “The Theatre and its Double” (Teatri dhe Kopja e tij), kur thotë se “teatri është i vetmi vend në botë ku një gjest i bërë dikur, nuk mund të bëhet kurrë në të njëjtën mënyrë dy herë”. Prandaj çdo tendencë për ta larguar atë nga origjina duhet të ndalohet.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

KOMENTO