Në thelb | Të drejtat e punëtorëve

Haku që s’njihet

Nga - 25.07.2018

Kamarierët punojnë pa kontrata, me vonesa në pagesa dhe trajtohen pa dinjitet.

Arbeni* ka vite që pasi përfundon punën nuk mund ta planifikojë ditën tjetër. Ai nuk e di se të nesërmen në çfarë ore do të fillojë punën. Për kamarierin 27-vjeçar nga Mitrovica kjo situatë vazhdon tash e 7 vite – kohë prej se filloi të punonte në këtë profesion.  

Kafeteritë ku ka punuar ai, nuk e planifikonin orarin javor të punës dhe kjo bënte që punëdhënësit t’i caktonin oraret gjatë orëve të vona të natës.‘‘T’ka ardh sms-i [nga punëdhënësi], në 1 apo 2 të natës se nesër në [ora] sa je në punë’’, thotë ai.                  

Arbeni* sqaron se kamarierët paguhen të punojnë tetë orë në ditë – zakonisht puna ndahet në dy turne; prej orës 8 të mëngjesit deri në 16 të pasditës, kur fillon turni i dytë e që përfundon në mesnatë. Por kjo ndodh vetëm nëse kamarierët kanë fat që myshterinjtë nuk zgjasin qefin e tyre më shumë se aq, shpresë që nuk realizohet shpesh. Në të shumtën e rasteve kamarierët shërbejnë deri në ora 1 apo 2 të mëngjesit – rastis të punojnë edhe më shumë se kaq.                  

Në këto shtatë vite,  Arbeni asnjëherë nuk është paguar për orët shtesë që ka punuar.                     

Mirëpo, ky veprim i punëdhënësit të tij nuk e brengos edhe aq. Shqetësimi i tij është se a do paguhet me rregull për tetë orëshin e ditës që gjatë tërë muajit ka punuar. Shpesherë, atij dhe kolegëve të tij u ndodh që rroga prej 250 eurove në muaj – në rastin më të mirë – t’u vonohet  për dy apo më shumë javë. Arsyetimi që punëdhënësi jep karshi Arbenit është i thjeshtë; ‘‘S’ka pare, s’ka pas punë’’.

Për Shkëlzenin* nga Peja, kushtet e punës së kamarierëve, nuk kanë ndryshuar për 15 vite.

Ai punën e parë si kamarier e filloi kur ishte 15 vjeç. Gjatë 2003-ës, deri sa ishte nxënës i gjimnazit Bedri Pejani, ai shërbente kafe brenda një bastoreje. Sot 30-vjeçar, ai kujton se vdekja e babait dhe gjendja ekonomike e kishin detyruar atë dhe vëllaun e tij të punonin aty.

Foto: Creative Commons.

Këtë punë e kishte vazhduar gjatë dy viteve të shkollës së mesme. Ditën e ndante për orët mësimore në shkollë dhe pjesën tjetër e rezervonte për punë.
Pushimin e vetëm gjatë javës e kishte nga shkolla – ndërsa punën e kamarierit e bënte shtatë ditë të javës. Edhe për pushimin vjetor shkolla tregohej më zemërgjerë; nga angazhimi i saj ai pushonte tre muaj të vitit. Gjë që nuk vlente për punën në bastore, në të cilën nuk pushoi as edhe një ditë të vetme të vitit.           

‘‘E vetmja kohë kur kam pushuar është kur kam qenë pa punë’’, thotë ai.  

Pasi përfundoi gjimnazin, i indinjuar për kushtet në të cilat punonte vendosi të hiqte dorë nga puna e kamarierit dhe të kërkonte një punë tjetër. Pas disa muajsh, filloi punë në një fabrikë për prodhimin e dyshekëve në Pejë. Në ditën e dytë të punës e lëndoi syrin e majtë, duke humbur shikimin deri në 70 përqind.     

Pas dy operacioneve, lëndimit të përhershëm të syrit dhe dëshpërimit që morri nga sektori i industrisë, Shkëlzeni – në nevojë për punë – vendosi t’i kthehet punës si kamarier. Të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot.         

Sipas tij, gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i shfrytëzuar dhe vazhdimisht iu kanë shkelur të drejtat. Mbrotja e vetme që aplikonte ishte të ndryshonte vendet e punës sa herë që përballej me padrejtësi. Për 15 vitet e fundit, ai ka ndryshuar më shumë se 20 vende të punës. Për të, gjitha kafeteritë ku ka punuar e kanë trajtuar pothuajse njëjtë.      

‘‘Ma kan’ pru shpirtin n’fyt’’, shprehet plot mllef kur e kujton këtë.           

Ai asnjëherë nuk kishte kontratë pune, padrejtësi që e ndjekë edhe sot. Se puna pa kontrata është e zakonshme për kamarierët e thotë edhe Arbeni i cili gjatë punës shtatë vjeçare, vetëm tre muaj ishte i mbrojtur me kontratë pune.   

Nga të gjithë kamerierët që K2.0 i intervistoi, Arbeni ishte i vetmi person që kishte marrë ndonjë lloj kontrate.

Një ligj që nuk zbatohet

Në vitin 2010 ishte miratuar Ligji i Punës që rregullon të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës. Çdo punëdhënës obligohet që t’i pajisë me kontrata pune  punëmarrësit, në të kundërtën mund të gjobitet deri në 7 mijë euro. Puna jashtë orarit të punës lejohet vetëm tetë orë në javë dhe ajo duhet të kompenzohet materialisht.

Koha e pushimit rregullohet gjithashtu me ligj, me 4 javë pushim vjetor të garantuar për punonjësit që punojnë 8 orë në ditë.  Për shkelësit e këtyre dispozitave parashihet gjoba deri në mijëra euro.

Mbrojtjen e këtij ligji për hise e ka Inspektorati i Punës (IP) – agjencion në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kryeinspektori Basri Ibrahimi, thotë se dispozitat e ‘‘Ligjit të Punës po shkelen – ndonjë më shumë e ndonjë më pak, por në përgjithësi të gjitha nga pak’’.

Sipas tij, kjo vjen prej mungesës së kapaciteteve njerëzore, që edhe po e pamundëson punën e agjencionit. Ata kanë vetëm 41 inspektorë të cilët angazhohen për inspektim në të gjitha rajonet e vendit dhe që brenda gjashtë muajve të këtij viti kanë kryer afër 5 mijë inspektime – në të cilat kanë pikatur 435 raste të punëtorëve pa kontrata pune.  

Kryeinspektori i tha K2.0, se nuk ka të dhëna se në çfarë sektorë janë bërë këto inspektime dhe as sa prej tyre janë realizuar nëpër bizneset e hotelerisë dhe turizmit – kjo në mungesë të një baze të të dhënave. Informacionet specifike i kanë vetëm për sektorin e ndërtimtarisë, ‘‘për shkak të interesimit të opinionit publik dhe vdekjeve’’.

Sektor, ky që për kryeinspektorin është prioritet sepse ‘‘siguria në punë [Ligji për Siguri në Punë] është më e rëndësishme se sa Ligji i Punës’’. Megjithatë, e thekson se edhe këtu ka shkelje ‘‘ngapak’’. Arsyetimi i kësaj për kryeinspektorin është se “kur nuk e ke një kontratë e bën nesër se askush nuk punon pa pare, por nëse nuk ju përmbahesh sigurisë shkaktohen invaliditete dhe vdekje’’.

‘‘Kamarierët shfrytëzohen në mënyrën më të egër të mundshme’’

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës Jusuf Azemi, beson se institucionet nuk kanë zbatuar ligjet dhe kështu kanë dështuar të mbrojnë punëtorët. Ai del edhe me shifra, ku thotë se as 10 përqind e Ligjit të Punës nuk është implementuar. Si argument të kësaj përdorë mungesën e kontratave të punës dhe sa lehtë mund të hasësh në punëtorë pa to.

Për kryesindikalistin, në bazë të kësaj ‘‘kamarierët shfrytëzohen në mënyrën më të egër të mundshme’’.  Ai akuzon IP-në se nuk po e kryejnë punën e tyre dhe se mungesa e resurseve nuk mund të jetë i vetmi arsyetim.   

‘‘E kam përsëritur vazhdimisht se pyllin e ka ruajtur frika dhe jo pylltari’’, shprehet ai.

Duke insistuar se inspektorati nuk ka dhënë shembuj që bizneset të cilat shkelin të drejtat e punëtorëve, do gjobiten rëndë. Për të, kjo ka ndikuar që punëdhënësit ‘‘të shohin për rreth’’ dhe të mos brengosen sa çfarë të drejta po shkelin.

Sipas tij, më komode është bërë të shkelësh ligjin e punës se sa e kundërta – duke aluduar se t’i përmbahesh ligjit do mundesh nga konkurenca e bizneseve që bëjnë të kundërtën. Ai shkon edhe më tej duke akuzuar se inspektorët ‘‘mjaftohen me një drekë’’ në këmbim që të mos kryejnë punën e tyre për të cilën obligohen me ligj.    

Prej më pak se 5 mijë inspektimeve janë shqiptuar 128 gjoba dhe prej tyre janë ekzekutuar vetëm gjashtë sosh.

Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për periudhën janar-qershor të këtij viti; prej më pak se 5 mijë inspektimeve janë shqiptuar 128 gjoba dhe prej tyre janë ekzekutuar vetëm gjashtë sosh.  

Për Ibrahimin, qëllimi i agjencionit nuk është të gjobis bizneset dhe se ‘‘zakonisht nuk shkojmë me gjoba maksimale [në rast se evdentojnë shkelje të dispozitave të ligjit]’’.       

Edhe pse inspektorati nuk ka kompetenca ligjore të angazhohet për zhvillimin ekonomik të vendit, udhëheqësi i tij brengoset rreth kësaj. Sipas fjalëve të tij, ‘‘nëse një biznes [kafeteri] gjobitet 10 mijë euro, një pjesë e mirë e tyre do mbylleshin’’, sepse ‘‘ecin në teh të shpatës’’. E për të, kjo s’do shkonte në dobi të punëtorëve sepse ‘‘ato para shkojnë në buxhetin e Kosovës dhe punëtori nuk përfiton materialisht asgjë’’. Si argument tjetër, thotë se kjo do të bënte që punëtori të humbë vendin e punës.    

Megjithatë, Ibrahimi është i vetëdijshëm se kontrata është e domosdoshme pasi  është ‘‘baza e marrëdhënieve të punës’’ dhe se inspektimin ata e bëjnë duke u bazuar në këtë. I pyetur rreth kafeterive përballë inspektoratit, se a mos shkelin të drejtat e punëtorëve, Ibrahimi thotë se kjo është e mundur. “Dalim këtu në pushimin e drekës dhe qasja ime ka qenë që nëse keni probleme drejtohuni te ne’’, ka thënë ai.

Asnjë zgjidhje

Eliona* ka filluar të punojë kamariere një vit më parë dhe asnjëherë nuk ka takuar ndonjë inspektor në vendin e saj të punës. 19-vjeçarja nga Prishtina është studente e ekonomisë dhe për t’i mbuluar shpenzimet e studimeve vazhdon të punojë në një lokal rreth menzës së studentëve. Ajo vazhdon të jetë pa kontratë pune. Përgjatë kësaj kohe nuk ju ka paguar asnjë cent për kontributet e trustit pensional –  që është obligim ligjor për punëdhënësit.

Për dallim prej saj, Besartit* nga Ferizaji një vit më parë kanë filluar të iu paguhen kontributet. Por 9 vitet e tjera të punës së tij nuk janë regjistruar askund. Edhe pse punon në qendër të qytetit, asnjë prej institucioneve nuk i ka shkuar ndërmend që t’i shtyej punëdhënësit e tij t’i kryejn obligimet që i kanë ndaj tij.

Besarti punon edhe pas orës 24 dhe asnjëherë nuk është paguar për këtë orë si punë e natës. Sipas Ligjit të Punës, çdo orë të punuar pas orës 22 llogaritet si punë e natës dhe paguhet shtesë.  

Besarti gjithashtu dy të diela të muajit punon nga 12 orë dhe dy të tjera i ka pushim. Për këto, ai asnjëherë nuk ka qenë i interesuar të ankohet sepse nuk ju beson institucioneve. “Nuk merrem me ta, nuk ju besoj”, ka thënë ai.    

Edhe pse Ferizaji i ka kushtuar një prej muraleve të tij kamarierëve të qytetit, të intervistuarit nga K2.0 ndjehen të neglizhuar nga shteti. Foto: Creative Commons.

Po aq mosbesues është edhe Petriti* nga Vushtrria. 33-vjeçari që ka punuar afër 16 vite si kamarier shkon edhe më tej dhe akuzon inspektoratin dhe institucionet e tjera jokompetente. Ai është i sigurt se shumë lehtë mund të dedektohen kafeteritë që mbajnë punëtorë pa kontrata pune.    

‘‘Minimumi duhen të jenë katër kontrata pune [për punëtorë] – dy paradite dhe dy pasdite’’, thotë ai, duke specifikuar se kjo vlenë për kafeteritë më të vogla sepse ato me më shumë myshterinjë kanë më shumë punëtorë të angazhuar.  

Ai thotë se punëdhënësit kanë qenë të informuar paraprakisht se kur do të vijnë inspektorët e të gjitha agjencioneve. Petritit dhe kolegëve të tij – paraprakisht me urdhër të punëdhësit – u ka ndodhur që të fshihen kur janë paraqitur inspektorët e punës. Gjithashtu përmend edhe drekat e inspektorëve gjatë inspektimeve të tyre.  

Babai i dy fëmijëve që është i diplomuar si jurist, thotë se po të ankohej apo të ushtronte padi vështirë se do të mund të gjente punë tjetër. E kjo ka bërë që punëtorët dhe vet ai ‘‘të duronin trysnin’’.

Një tjetër arsye se pse nuk është ankuar, është se beson që disa punëdhënës ‘‘kanë lidhje’’. Shkëlzeni për këtë flet me ironi; ‘‘punëdhënësit nuk kanë faj [për shkeljet që bëjnë], përderisa shteti ju a lejon’’.    

Kryeinspektori beson se ankesat duhet të adresohen, ndryshe ato janë vetëm ‘‘sllogane’’.

Sa i përket akuzave mbi inspektorët që keqpërdorin pozitën e tyre, K2.0 pyeti kryeinspektorin nëse inspektorati ka një mekanizëm për mbikëqyrjen e inspektorëve. Ibrahimi thotë se ‘‘kam zëvendësit e mi, dalin dhe kontrollojnë inspektorët’’, duke shtuar se ankesat e pranuara në inspektorat mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e procesit.

Përgjegjësi e shtetit

Bejtush Isufi është avokat dhe ka qenë përfaqësues në disa raste të padive të punëtorëve në gjykatë. Në përvojën e avokatit, gjykata  – si në çdo rast tjetër – vonohet në trajtimin e rasteve të padive.

Isufi një vit më parë, ka përgatitur padi ndaj ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunës së Prishtinës në emër të zjarrfikësve. Zjarrfikësit kërkonin nga gjykata të sqaronte se si të paguhet ndërrimi i tretë – por deri më tash nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Edhe në raste të tjera, ai është përballur me vonesa që kanë shkuar deri në 2 apo 3 vite. E për këtë ka një propozim; të themelohet Gjykata e Punës, që sipas tij gjykatë e tillë ekziston në vendet e BE-së. Avokati tregon se në Kosovë më parë ekzistonte një gjykatë e tillë që merrej vetëm me rastet e kontesteve të punës dhe tash kjo mund të merret si regres në trajtimin e punëtorëve.

Foto: Creative Commons.

Për Artan Mustafën, studiues dhe ligjërues i politikave shtetërore të mirëqenies, institucionet e Kosovës duhet të maten me atë se sa reduktojnë pabarazinë sociale. Ai beson se shteti ka qenë më pak i shqetësuar për sigurimin e të drejtave të punëtorëve, pasi që taksat e tyre kontribuojnë shumë pak në buxhetin e shtetit.  “Në momentin kur qeveria ka nevojë për burime të tjera për të mbushur buxhetin, do ta luftojë më shumë informalitetin,” thotë ai.

Mustafa thekson mungesën e barazisë dhe demokracisë në vendet e punës, që po krijojnë një situatë të zymtë për personat në këtë pozitë. “Kjo po bën që njerëzit të lënë punën dhe të largohen nga vendi”, thotë ai.

Këtë pikëpamje pesimiste e ndanë dhe Petriti nga Vushtrria, i cili flet gjithashtu për largimin nga vendi. Sipas Petritit, një nga shtresat shoqërore që do të përpiqen të largohen nga vendi pas liberalizimit të vizave janë kamarierët, shumë prej të cilëve tashmë po mbledhin para për të ikur. Ai parashikon se së shpejti do të ketë mungesë të kamerierëve në vend.

“Presioni nuk do të tolerohet më,” thotë Petriti për K2.0. “Askush nuk do të punojë më për 200 euro”. Ai beson se mundësia për të ikur nga vendi, do të ndihmojë të paktën në përmirësimin e kushteve për kamarierët, që vazhdojnë të punojnë në Kosovë.K

*Me kërkesë të personave të intervistuar, emrat e kamarierëve janë ndryshuar, për shkak të frikës së tyre për humbjen e vendit aktual të punës si dhe pasigurisë për të gjetur një punë tjetër.

Foto kryesore: Creative Commons.