Adri Nurellari di goxha shumë për mënyrën se si funksionon politika rajonale. Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë afër qendrës së pushtetit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipërinë fqinje.
Që nga viti 2017, Nurellari ka shërbyer si këshilltar politik i liderit të PDK-së dhe kryetarit në largim të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa pesë vitet e mëparshme i kaloi duke e këshilluar Hashim Thaçin në rolin e tij aktual si President i Kosovës, si dhe gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe ministër i jashtëm gjatë kohës së tij si kryetar i PDK-së.
Por Nurellari nuk është vetëm dikush që operon prapa skenave të figurave të fuqishme. Me kalimin e viteve, ai është etabluar edhe si kolumnist i shquar, duke i fokusuar opinionet e tij të rregullta kryesisht në zhvillimet nacionale dhe rajonale, ndërkohë që ka kryer edhe kërkime për çështje të ideologjisë liberale, si dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare e politikës krahasuese.
Me origjinë nga Shqipëria, studiesi i shkencave shoqërore përfundoi studimet universitare në Universitetin e Tiranës para se të vazhdonte studimet pasuniversitare në “University of Cambridge”, “London School of Economics (LSE)” dhe “Universitety College London (UCL)”.
Ndërmjet studimeve universitare dhe pasuniversitare, ai u angazhua për gjashtë vite si pedagog në Universitetin e Tiranës, gjatë së cilës kohë e siguroi punën e parë në politikë, kur më 2005 u emërua këshilltar i kryeministrit të atëhershëm të sapozgjedhur të Shqipërisë, Sali Berisha.
Më parë, Nurellari poashtu ka shërbyer si sekretar i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), një parti e vogël nacionaliste në Shqipëri që ndër të tjera avokon për të drejtat e komunitetit çam.
Pas rënies së PDK-së nga pushteti në zgjedhjet e fundit dhe gjatë një periudhe të trazuar në politikën evropiane dhe rajonale, K2.0 u ul me Nurellarin për të diskutuar se si zhvillimet e fundit shpjegohen me idetë më të gjera të teorisë politike — prej zgjedhjeve të këtij viti në Kosovë, Greqi, Itali dhe Parlamentin Evropian e deri te protestat dhe kriza politike në Shqipëri — si dhe për t’i parë ato që ai i sheh si pengesa në dialogun Kosovë-Serbi.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
K2.0: Si e komentoni përgjithësisht rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe specifikisht rezultatin e PDK-së?
Ka pasur një përmirësim të ndjeshëm si parti krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 duke shtuar së paku 30,000 vota dhe tre deputetë. Kuptohet që rotacioni ishte i pritshëm pas një konsumimi të gjatë të pushtetit e sidomos gjatë dy mandateve të fundit ku PDK-ja barti kostot e gabimeve të dy kryeministrave që kishin ardhur prej partnerëve të koalicionit.
Po ashtu një dëm i madh erdhi edhe nga anatemimi dhe demonizimi që iu bë PDK-së nga të gjitha partitë e tjera të cilat në fushatë dëshmuan se nuk kishin ndonjë vizion pēr të ardhmen por vetëm urrejtje ndaj PDK-së.
Rezultati do të ishte akoma më i mirë nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur disa muaj më vonë. Faktikisht kryetari Veseli hoqi nga postet zyrtare shtetërore dhe pezulloi nga funksionet partiake ata përfaqësues të PDK-së që kishin akuza për korrupsion dhe nepotizëm. Po ashtu konventa e PDK-së në qershor solli më shumē se 65% drejtues të rinj dhe të gjitha këto ndryshime shkaktuan pakënaqësi brenda partisë, të cilat ishin ende të freskëta kur befas dha dorëheqjen kryeministri Haradinaj.
Po të kishte kaluar më shumë kohë prej këtyre reformave, do të kishim pasur dalje më të lartë të votuesve tanë në zona me mbështetje tradicionale.
PDK-ja është akuzuar për servilizëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare në situata të ndryshme — krijimi i Dhomave të Specializuara, miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshjet e Brukselit, ideja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, etj. Si i vlerësoni këto akuza ndaj PDK-së?
Jo vetëm PDK-ja por të gjitha forcat e tjera serioze politike kosovare janë akuzuar për servilizëm meqënëse kultivojnë marrëdhënie të mira me aleatët perëndimorë dhe angazhohen që t’i përmbushin kriteret e vendosura për të arritur integrimin euro-atlantik. Këto qëndrime e kanë burimin te një segment politik kosovar i frymëzuar nga komunizmi izolacionist enverist i Shqipërisë ku mbizotëronin parulla të tipit “ne bar do hamë dhe me të huajt nuk bashkëpunojmë” apo “Shqipëria është shkëmb graniti i vetëmjaftueshëm ku gjithçka arrihet me forcat tona”.
Këto ide primitive enveriste të shekullit të kaluar nuk pijnë ujë në epokën e globalizmit ku Kosova duhet të sillet si shtet dinjitoz i integruar në arenën ndërkombëtare dhe duhet të forcojë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
Si studiues i proceseve të ndryshme negociatore, si e vlerësoni kritikën për mungesë transparence në negociatat Kosovë-Serbi?
Më duket një lloj naiviteti e paditurie lehtësia me të cilën shumë njerëz flasin gjithë kompetencë për elementet e negociatave me Serbinë pa lexuar ndonjë libër për marrëdhëniet ndërkombëtare, negociata apo zgjidhje konfliktesh.
Faktikisht mjafton të analizohen se si janë duke u bërë negociatat e vazhdueshme për Palestinën apo për Sirinë për të parë që negociatat nuk bëhen “me letra çelur”. Asnjë palë nuk do që t’i zbulojë pikat e dobëta në rrethana bisedash diplomatike sepse ky informacion mund të përdoret në dëm të tyre.
Ajo që është e vërtetë është se marrëveshjet ndërkombëtare janë ato që duhen të jenë të hapura. Në përgjithësi sot ka konsensus ndërkombëtar kundër traktateve sekrete mes shteteve, të cilat ishin shumë të shpeshta në shekullin XIX, por janë shumë të rralla sot. Pika e kthesës ishte Lufta e Parë Botërore kur bolshevikët e Bashkimit Sovjetik denoncuan Paktin e Londrës që ishte bërë fshehurazi mes Antantës dhe Italisë. Bërja publike e kësaj marrëveshjeje shkaktoi indinjatë dhe siklet të madh anembanë botës duke fermentuar një klimë të përshtatshme ndërkombëtare kundër marrëveshjeve ndërkombëtare.
Prandaj një ndër propozimet kryesore të presidentit amerikan [Woodrow] Wilson në Konferencën e Paqes së Parisit ishte eliminimi i marrëveshjeve sekrete mes shteteve. Prej atëherë ky qëndrim është bërë praktikë ndërkombëtare, mirëpo kjo vlen vetëm për marrëveshjet e nënshkruara e jo për proceset e negocimit për të arritur tek marrëveshjet.
Çfarë na mësojnë shembujt e ndryshëm nga bota të dështimit të proceseve negociatore? A rrezikohet të dështojë edhe procesi Kosovë-Serbi? Nëse po, cilat mund të jenë pasojat?
Nëse konflikti i Kosovës me Serbinë ngel ende aty i pazgjidhur, ne do kemi një kosto oportune të pallogaritshme. Ky problem gradualisht po transformohet në një konflikt të ngrirë që njihet si një ndër shkaktarët kryesorë të prapambetjes së vendeve si Moldavia, Armenia apo të tjera vende që kanë çështje të hapura.
Në kushtet e konfliktit të ngrirë investimet e huaja ngelen jashtë, imazhi i vendit ngelet i cenuar, çka dëmton jo vetëm pozicionin ndërkombëtar por edhe reputacionin e produkteve të eksportit nga ky vend.
Po ashtu në një vend me konflikt të pazgjidhur, numri i turistëve është i papërfillshëm. Nga ana tjetër, edhe vështirësia e sipërmarrësve të Kosovës për të pasur qasje në tregje të reja apo burime të reja të lëndës së parë sa vjen e kufizohet në kushtet e konflikteve të ngrira.
Janë të shumta dëmet dhe pengesat që na vijnë prej konfliktit të ngrirë e prandaj status quo-ja nuk duhet parë aspak si diçka e pranueshme për Kosovën.
Në botë sot ekziston një pretendim se jetojmë në një epokë post-ideologjike ose të shkrirjes së dallimeve klasike ideologjike. Si e vlerësoni këtë pretendim?
Mendoj se ky pretendim fatalist është deri diku i ekzagjeruar dhe nuk e reflekton realitetin. E vërteta është se ka një valë populiste anti-establishment që vjen qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta, por që kurrsesi nuk mund të konsiderohet si e zhveshur prej ideologjive.
Përkundrazi, ajo që po ndodh është që partitë radikale me propozime të qarta ideologjike nuk janë gjë tjetër përveçse zaptuese të elektoratit të partive tradicionale konvencionale të cilat janë treguar të paafta që të ecin me hapin e kohës e të japin ofertë politike të përshtatshme për qytetarin e sotshëm.
Duke qenë shpesh në pushtet, partitë e vjetra kanë shumë premtime të parealizuara dhe pritshmëri të papërmbushura, çka e ka ftohur lidhjen pasionale të votuesit tradicional me ta. Përpos kësaj, partitë e vjetra në mënyrë të natyrshme janë detyruar të bëjnë kompromise politike sepse në fund të fundit demokracia në thelb të saj ka bashkëjetesën, ujdinë dhe mirëkuptimin e grupimeve të ndryshme politike.
Për të arritur kompromisin partitë janë detyruar të gjejnë një rrugë të mesme duke lëshuar nga identiteti i tyre politik. Kjo i ka detyruar të jenë më të vetëpërmbajtur, duke folur politikisht korrekt.
Mirëpo ky fakt është konsideruar si tradhti nga “besimtarët’ e ideologjive brenda këtyre partive, prandaj këta mbështetës janë ndjerë të zhgënjyer dhe kanë përqafuar iniciativa të tjera politike të reja që flasin më shumë troç e i mbrojnë idetë e “tradhtuara” nga partitë e vjetra.
Kjo do të thotë që partia Lega Nord [Lidhja Veriore në Itali] ka marrë krahët e demokristianëve evropianë ndërsa Cinque Stelle [Lëvizja e Pesë Yjeve] nga e majta tradicionale. Në Francë radikalët e Frontit Nacional kanë lënë në hije golistët e dikurshëm apo republikanët e tanishëm, ndërsa [Presidenti franez, Emmanuel] Macron me partinë e tij të re ka gëlltitur elektoratin socialist.
E njëjta ndodh me Vox që ka marrë nga elektorati tradicional i Partido Popular në Spanjë, ndërsa elektorati ekstrem i socialistëve spanjoll ka shkuar te Podemos. Të gjitha këto parti jo vetëm që nuk janë post-ideologjike, por janë super-ideologjike me retorikë në stereoide për sa u përket propozimeve apo qëndrimeve ideore.
Si i vlerësoni rezultatet e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian? A ekziston realisht rrezik nga partitë me prirje populiste — qoftë të djathta ose të majta?
Zgjedhjet shkuan relativisht më mirë sesa kisha frikë se mund të shkonin por gjithsesi nuk ka shumë hapësirë për të qenë entuziast apo i lehtësuar tërësisht për sa i përket klimës politike në Evropë. E them këtë gjë për tre arsye specifike, së pari kompozimi i Parlamentit Evropian është gjithsesi më i keq se më parë, çka do të thotë më pak euro-partizanizëm, multikulturalizëm dhe liberalizëm dhe më shumë anti-imigracion, islamofobi apo euroskepticizëm.
Së dyti, shumica e partive populiste ekstremiste nga të cilat frikësohem janë anti-evropiane apo përçmuese ndaj Brukselit, gjë që do të thotë që mbështetësit e tyre as i marrin seriozisht zgjedhjet europarlamentare.
Pra, nëse sivjet morën pjesë 50.5% e elektoratit evropian, mund të themi që mbështetësit e këtyre partive jokonvencionale populiste radikale janë kryesisht tek 49.5% e qytetarëve që nuk dolën për të votuar. Kjo do të thotë që këto parti janë ende shumë të fuqishme, por kryesisht e kanë vëmendjen tek zgjedhjet nacionale dhe në fund të fundit pesha e tyre nëpërmjet Këshillit Evropian ngelet shumë e fuqishme në Bruksel.
Si i vlerësoni rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Greqi? Përse humbi Syriza pas vetëm katër viteve në pushtet, përkundër euforisë dhe pritshmërisë së lartë për të në vitin 2015?
Syriza erdhi në pushtet duke premtuar se Greqia me ta në krye do u jepte fund shtrëngimeve apo detyrimeve të imponuara nga kreditorët perëndimorë, ndërkohë që i denonconte si tradhtare qeveritë që kishin firmosur ato kompromise me BE-në dhe Bankën Qendrore Evropiane. Në terminologjinë e shkencave politike, kjo tendencë quhet “outbidding” apo ngritje e pazarit ku partitë në opozitë kanë luksin të premtojnë gjithçka e mbajnë qëndrime radikale për të marrë vota.
Mirëpo kuptohet që kur futesh në qeveri ndryshojnë gjërat, realiteti kuptohet më mirë dhe braktisen tonet entuziaste agresive sepse qeverisja kërkon përgjegjshmëri. Për rrjedhojë, [Alexis] Tsipras, i kushtëzuar nga rrethanat, vazhdoi shumë masa të rrepta që ai vetë i kishte denoncuar dhe kështu elektorati i tij u ndje i tradhtuar e u zhvendos sërish në krahun tjetër partiak.
Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë që popullsia greke është ndër më të vjetrat në botë dhe votuesit janë tejet konservatorë, pra të pandryshueshëm për sa i përket etatizmit. Për ta është e vështirë ta pranojnë që janë edhe vetë përgjegjës për krizën që ka ndodhur në Greqi, por ia vënë fajin shtetit dhe presin vetëm nga shteti zgjidhje dhe nuk duan të bartin kosto për ndreqjen e problemeve të thella e të vjetra ekonomike të Greqisë.
Kështu që gjasat janë shumë të mëdha që së shpejti të zhgënjehen edhe prej partisë Nea Demokratia që ka hyrë në qeverisje tani, sepse e vërteta e hidhur e realitetit grek nuk mund të fshihet dhe reformat e rrepta janë të pashmangshme, cilado parti ardhtë në pushtet.
Në Shqipëri më herët ka ekzistuar propozimi për nevojën e votimit teknologjik. A kanë nevojë Kosova dhe Shqipëria për këtë sistem?
Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri — por edhe në Kosovë — është parë se problemi kryesor apo parregullsia më e madhe që ndodh është deformimi i votës gjatë numërimit. Në procesin e administrimit të votës, “kriminelët” apo “të fortët” kanë siguruar një rol ekskluziv dhe vendimtar. Këtu hyn në lojë edhe roli i “kriminelëve” në terren, të cilët zotërojnë mjetet e dhunshme, përvojën dhe gatishmërinë për t’u përplasur në shërbim të partive që i kanë rekrutuar për të mbrojtur votat e tyre apo vjedhur ato të kundërshtarit e rivalit.
Me pak fjalë, sistemi zgjedhor e ka lënë cilësinë e procesit jo nën garancinë e forcës së ligjit, por në atë të raportit të forcave të militantëve apo mercenarëve politikë të përfshirë në terren. Të gjithë e kanë të freskët në kujtesë numërimin e tejzgjatur të njësisë nr.5 në Tiranë gjatë zgjedhjeve lokale 2011 apo përplasjet e ashpra në Fier në 2009.
Po ashtu edhe në Kosovë problemet e vetme të raportuara gjatë zgjedhjeve kishin të bënin me parregullsi gjatë numërimit të votave brenda partive. Përdorimi i votimit elektronik do të automatizonte procesin e do të çarmatoste këta kriminelë që fusin duart në procesin e votimit duke rritur integritetin e procesit zgjedhor.
Më herët ju keni kritikuar shtetin shqiptar për taksat e larta. A mund të na artikuloni në detaje qëndrimin tuaj rreth kësaj çështjeje?
Tek raporti i përvitshëm ndërkombëtar i nxjerrë nga IFC dhe PwC për pagesën e taksave, Shqipëria renditet në nivelin e 122-të për sa i përket barrës fiskale ndërkohë që Kosova është vendi i 44-të dhe Maqedonia Veriore vendi i 31-të.
Me kritikën time dua të shkund pak mentalitetin etatist të theksuar shqiptar që kurrë nuk e vë në pikëpyetje rolin e shtetit. Ajo që mua më alarmon është se janë rritur taksat, por nuk është rritur cilësia e shërbimit. Paguajmë taksa të larta por nuk marrim nga shteti kurgjë domethënëse në këmbim sepse kemi infrastrukturën më të prapambetur në Evropë.
Unë do doja që qytetarët të kërkojnë më shumë llogari e të vënë përpara përgjegjësisë për mënyrën se si përdoren taksat e tyre. Gjithashtu duhet që të mos kapërdijnë lehtësisht sjelljen e politikanëve arrogantë që i trajtojnë investimet publike sikur të ishin donacione private e jo përdorim i parave që vetë qytetarët i paguajnë.
Si e vlerësoni ngërçin politik në Shqipëri dhe konfliktin mazhorancë-opozitë?
Kriza aktuale është thjesht krizë ciklike që tregon për prapambetjen e kulturës politike të Shqipërisë. Ne kemi pasur disa rotacione politike dhe pothuaj të gjitha partitë janë provuar në pushtet apo në opozitë në Shqipëri dhe mund të thuhet gojëplotë se nuk dallojnë aspak nga njëra-tjetra.
Loja politike në Shqipëri sot ngjan e njëjta e një dekade më parë, ku i vetmi dallim është ndryshimi i aktorëve që luanin rolet, por skenari i dramës është pothuaj i njëjti. Pra, e njëjta skenë, i njëjti skenar, por vetëm se kanë ndërruar rolet. Kur Rama ishte opozitë aplikonte qasjen e njëjtë të obstruksionizmit, bojkotit, protestave, agresivitetit politik e bllokimit ndaj mazhorancës së dikurshme demokratike. Madje edhe me koston e vonimit për tre vjet të statusit të kandidatit të Shqipërisë.
Sot janë ndërruar rolet dhe është opozita e djathtë që me të njëjtin skenar bllokues nihilist e retorikë agresive sillet ndaj mazhorancës socialiste duke vënë në pikëpyetje hapjen e negociatave [të BE-së] me Shqipërinë.
Thënë ndryshe, situata aktuale e konfliktit opozitë-mazhorancë është një demonstrim i kulturës politike të prapambetur.
Në dhjetor Shqipëria përjetoi protestat studentore, të cilat u vlerësuan si ngjarje e rrallë në historinë e pluralizmit politik. Si i keni parë ju këto protesta? A po lind në Shqipëri një brez i ri politik si rrugë e tretë mes dy poleve të etabluara tani e tri dekada në Shqipëri?
Është e vërtetë që protestat e studentëve në Tiranë bënë shumë bujë, fituan zemrat e shumë analistëve dhe ngjallën një iluzion të madh kinse një valë e re ndryshimesh po i afrohej Shqipërisë prej brezit të ri. Pati nga ata që folën për revolucion të mirëfilltë e bënë paralelizma deri edhe me lëvizjen e studentëve të dhjetorit 1990 që i parapriu rënies së komunizmit në Shqipëri.
Unë mund ta përkufizoj atë protestë me fjalët e Shekspirit, “Shumë zhurmë për asgjë” apo më shqip, “u mbars mali e polli një mi”. Unë mendoj se ky iluzion gjeti një terren shumë fertil të mentalitetit revolucionar të shqiptarëve.
Në kushtet e një kulture politike jo të konsoliduar demokratike dhe mungesës së traditës, një pjesë e mirë e qytetarëve kanë iluzionin se revolucioni apo përmbysja me dhunë është arma më e mirë për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri. Pra, një pritshmëri të tepruar në nivelet e naivitetit se ndryshimet do vijnë në mënyrë të beftë, si me shkop magjik, nëpërmjet një proteste apo revolucioni.
Këtë mahnitje me protestat e studentëve dhe iluzionet e mëdha që u ndërtuan bazuar në to, unë i konsideroj thjesht si dëshmi të kulturës së politikës. Kjo do të thotë që njerëzit në Shqipëri ende kanë një preferencë të madhe për radikalizmin, agresivitetin, revolucionin e dhunën përkundrejt gradualizmit, reformave institucionale apo proceseve politike demokratike.
Për fund, ku do ta shohim Adrin pas përfundimit të punës si këshilltar i Kadri Veselit?
Besoj se do vazhdoj të ndihmoj kryetarin Kadri Veseli në reformat që ai po ndërmerr brenda PDK-së për ta modernizuar këtë parti dhe për ta forcuar dimensionin ideologjik si parti konservatore e qendrës së djathtë. Njëherazi besoj se do jem edhe më shumë aktiv në media si opinionist apo në kuadër të shoqērisë civile për të promovuar idetë e liberalizmit klasik, gjë që e kam vokacion personal prej kur jam prezent në jetën publike shqiptare. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Fotografia kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.