Biseda | Mali i Zi

Aleksandar Saša Zeković: Mali i Zi nuk mund të konsiderohet i pafajshëm në luftërat jugosllave

Aktivisti për të drejtat e njeriut nga Podgorica flet për të drejtat LGBTI, politikën malaziase dhe procesin e ballafaqimit me të kaluarën.

Aleksandar Saša Zeković ia ka përkushtuar karrierën e tij promovimit të të drejtave të njeriut dhe luftës për të. Ky rol ka bërë që ai të targetohet më shumë se një herë për punën dhe fjalët e tij.

Në 2013, OJQ të ndryshme në Malin e Zi kërkuan që institucionet shtetërore ta mbrojnë Sašën pasi ai mori disa kërcënime si rrjedhojë e punës së tij për ta ekspozuar abuzimin e autoritetit policor në këtë vend.

Për më shumë se një dekadë ai ka qenë anëtar i Këshillit për Kontroll Civil të Punës Policore, organ që monitoron punën e policisë në Mal të Zi. Bazuar në përvojën e tij, më herët gjatë vitit ai e shkroi me bashkautorësi librin “Citizen’s Watchdog and Strengthening of the Integrity of the Police in Montenegro”.

Gjatë promovimit të librit, autorët e përsëritën vazhdimisht se policët në Mal të Zi nuk kanë mungesë të forcës fizike, as të guximit psikologjik, “por nga pikëpamja e qytetarëve që e vëzhgojnë punën e tyre, vëmendja jonë është drejtuar kah forcat morale të tyre”.

Puna e Sašës nuk është e kufizuar në mbikëqyrje të policisë. Ai gjithashtu është i njohur për publikun malazias si avokues për nismën për RECOM, që promovon idenë e themelimit të një komisioni rajonal për të vërtetën si mekanizëm i drejtësisë tranzicionale për ballafaqim me të kaluarën në Ballkan.

Përveç kësaj, ai ka qenë figurë e zëshme për të drejtët e komunitetit LGBTQ në Mal të Zi. Para gjashtë vitesh ai ishte një nga organizatorët e Paradës së parë të Krenarisë të mbajtur në Mal të Zi, gjegjësisht në Budvë. Rreth 30 njerëz morrën pjesë, por ata u mbrojtën nga qindra policë në mes të sulmeve të dhunshme nga dhjetëra protestuesë homofobikë. Si avokues për të drejtat LGBTQ, Saša thotë se përderisa ngjarjet e fundit nuk kanë sjellur përsëritjen e dhunës së vitit 2013, personat LGBTQ në Mal të Zi ende janë larg ushtrimit të plotë të të drejtave të tyre.

Pas Paradës së fundit të Krenarisë që u mbajt më 17 nëntor, K2.0 bisedoi me Sašën për betejën për të drejtat e njeriut në Mal të Zi, përfshirë këtu statusin e popullsisë LGBTQ, guximin moral të policisë malaziase, rolin e Malit të Zi në luftërat që ndodhën në tokën e ish-Jugosllavisë dhe gatishmërinë e shtetit dhe qytetarëve për t’u ballafaquar me të kaluarën.

Foto nga Aleksandar Zeković.

K2.0: A mendoni se më mirë pranohen personat LGBTQ në shoqërinë malaziase sot se para disa vitesh? Ende shohim lajme në media që tregojnë dhunën të cilës i ekspozohen anëtarët e komunitetit në formë të sulmeve fizike dhe gjuhës së urrejtjes. A mendoni se shteti, në të gjitha nivelet, po reagon si duhet ndaj këtyre ngjarjeve?

Aleksandar Saša Zeković: Personat LGBT nuk pranohen në shoqërinë tonë. Diskriminimi dhe dhuna kundër personave LGBT ende ndodh në bazë ditore. Kjo konfirmohet nga statistikat e vet komunitetit LGBT, por edhe nga institucionet relevante.

Në krahasim me qytetarët tjerë, personat LGBT jetojnë jetë me kualitet shumë më të ulët dhe me nivel shumë më të ulët të përfshirjes. Edhe nëse i shpërfillim të gjitha fushat tjera, individët LGBT detyrohen të mendojnë për sigurinë e tyre dhe të kujdesen për të në të gjitha vendet dhe në çdo moment, që nuk vlen për qytetarët tjerë.

Po të ishte komuniteti LGBT më i pranuar në shoqërinë tonë, individët e komunitetit LGBT do të jetonin në mënyrë shumë më të hapur, veçanërisht në qeveri, Kuvend, qarqe diplomatike, parti politike, media, kulturë, art, sporte… Nuk më duket se ka shembuj të tillë në Mal të Zi.

Megjithatë, në gjithë këtë, puna e përmirësuar e policisë dhe autoriteteve gjyqësore është e dukshme. Një pikë e veçantë e kthimit sa i përket mbrojtjes së personave LGBT u arrit [në 2013] kur gjykata i njohu kërcënimet nëpërmjet rrjeteve sociale si serioze dhe të zbatueshme. Progresi thelbësor dhe pranimi real shoqëror i personave LGBT në Mal të Zi mund të arrihet vetëm nëpërmjet përfshirjes së temave LGBT në kurrikula arsimore zyrtare dhe libra shkollorë.

Aktualisht nuk ka vullnet politik për ta marrë një vendim të tillë. Pa përfshirje në sistemin arsimor, personat LGBT nuk do të kenë kualitet të mirë të jetës e as nuk do të jenë të sigurtë, ndërsa institucionet shtetërore, veçanërisht policia, do të jenë nën presion të madh dhe shpeshherë rraskapitës.

Në 2013, ju ishit një nga organizatorët e paradës së parë të Krenarisë të mbajtur në Mal të Zi, gjegjësisht në Budvë; përfundoi me dhunë kur doli se policia malaziase nuk ishte e përgatitur për ta kontrolluar një ngjarje të tillë. Pesë vjet më vonë, në Podgoricë, Parada e gjashtë e Krenarisë sapo është mbajtur pa probleme, dhe tash e disa vite janë mbajtur këto Parada në Mal të Zi pa incidente. Pjesëmarrësit në këto Parada ecin nëpër qendër të kryeqytetit, por shtrohet pyetja, a është një paqe e kontrolluar dhe e ndërtuar në mënyrë artificiale, apo pasojë e emancipimit të qytetarëve malaziasë që kanë arritur t’i tejkalojnë idetë homofobike të tyre?

Policia malaziase bëri gjithçka që ishte e domosdoshme për ta mbajtur në mënyrë të sigurtë paradën e parë të Krenarisë, pra në këtë pikë dua ta përmirësojë fjalinë tënde. Në një periudhë të vazhdueshme nga 2013 e më tej, komuniteti LGBT ka dhënë vlerësime pozitive dhe lëvdata për punën dhe sjelljet e policisë malaziase. Parada e Krenarisë në Budvë tregoi atmosferën e vërtetë dhe mungesën e mundësive me të cilat ballafaqohen njerëzit LGBT në Mal të Zi.

Në përgjithësi, aktivistët LGBT dhe komuniteti LGBT dëshirojnë të mbajnë Parada të hapura të Krenarisë, por ata sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale, në përputhje me vlerësimet e rrezikut që kryhen nga policia. Mundësimi i të drejtës për tubime të lira dhe paqësore është përgjegjësi e policisë, apo e shtetit, dhe në këtë fushë organizatorët i njohin vlerësimet policore.

Masat e mbrojtjes janë reduktuar në vitet e fundit, siç është reduktuar edhe numri i policëve të angazhuar. Kjo është pasojë e punës më të mirë nga strukturat e sigurisë në lidhje me grupet ekstreme dhe huliganët, dhe përmirësimit të ndjekjes penale të autorëve të krimeve të dhunshme. Kjo prapëseprapë nuk është rezultat i pranimit shoqëror të komunitetit LGBT.

Këshilli për Kontroll Civil të Punës Policore, në të cilin ju keni qenë anëtar shumë aktiv, shpeshherë e ka mundësinë për t’u shprehur për shembuj negativ të sjelljeve policore – tejkalim të autoritetit, rrahje të qytetarëve të pafajshëm, fshehje të ngjarjeve të tilla – dhe për të shprehur solidaritet me policët që kanë qasje më profesionale. Deri në çfarë mase mbështeten të drejtat themelore të njeriut në Mal të Zi? Ju keni përmendur si shembull sjelljet policore në lidhje me paradat e krenarisë, por gjithashtu e keni kritikuar shumë punën e policisë në të kaluarën. Si po performojnë institucionet tjera shtetërore?

Në Mal të Zi në përgjithësi kemi parë përmirësime të mëdha sa i përket respektit për të drejtat e njeriut. Minoritetet kombëtare gëzojnë pjesëmarrje të shkëlqyeshme në të gjitha sferat e jetës, ndërsa përfaqësuesit e tyre politikë marrin pjesë në menaxhimin e vendit. Ata e bëjnë këtë në mënyrë të konsiderueshme, duke drejtuar sferat të rëndësishme për shtetin. Pra nuk janë aty thjeshtë për dekor, siç është rastin me minoritetet etnike në qeveri tjera të rajonit.

"Në krahasim me strukturat e mëdha burokratike, qytetari është në pozitë të nënshtruar dhe shpeshherë është i poshtëruar".

Lëvizja e grave është jashtëzakonisht e dukshme dhe e suksesshme dhe Mali i Zi përbën një shembull pozitiv në rajon sa i përket luftës kundër dhunës ndaj grave. Fatkeqësisht, nuk kemi parë përmirësim të veçantë në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara. Siguria e përgjithshme e të gjitha komuniteteve etnike dhe grupeve të prekshme shoqërore është përmirësuar shumë, që do të thotë se kemi arritur progres në zbatimin e ligjit dhe të drejtave.

Do të thoja se problem kyç në realizimin e mëtejmë të të drejtave themelore janë kapacitetet e shtetit dhe administratave lokale për ta përfaqësuar veten para qytetarëve si një shërbim që duhet t’i përmbushë nevojat e tyre në një mënyrë efektive dhe kualitative. Në krahasim me strukturat e mëdha burokratike, qytetari është në pozitë të nënshtruar dhe shpeshherë është i poshtëruar.

Cilat janë efektet e aktivitetet e kryera nga Këshilli për Kontroll Civil të Punës Policore? A i marrin parasysh konkluzionet e juaja ata që janë në krye? A keni vërejtur ndryshime në punën e tyre? Shpeshherë dëgjojmë për raste të cilat i trajton Këshilli por rrallëherë dëgjojmë për sanksione rezultuese.

Këshilli përbën një sistem kolektiv të avokatit të popullit për monitorim të punës policore dhe zbatimit të autoritetit policor. Roli i avokatit të popullit kryesisht e përcakton mungesën e sanksioneve, por imponon një obligim dhe përgjegjësi që ne t’i zbatojmë aktivitetet në mënyrë shumë të dukshme dhe të zëshme.

Heshtja është e papraneshme dhe kompromentuese për anëtarët e Këshillit. Pa e vonuar punën, ne mundohemi t’i identifikojmë dhe parandalojmë sjelljet profesionale dhe t’i parandalojmë policinë nga praktikat që janë kompromentuese dhe që përbëjnë shkelje të të drejtave të njeriut. Lufta kundër krimit, zbatimi i sundimit të ligjit dhe puna efektive policore nuk janë reale e as të mundshme pa besim të plotë në punën e policisë. Është e pamundur të arrihet besimi pa njohur mbikëqyrjen civile të policisë.

Foto nga Aleksandar Zeković.

Këshilli mban kontakt të afërt me publikun dhe kryesisht e gëzon besimin e publikut. Komuniteti është shumë i përfshirë në modelin malazias të monitorimit civil: nëpërmjet një konceptit organizativ të Këshillit, nëpërmjet një procesit të fortë konsultativ me komunitetin më të gjërë, nëpërmjet qasjes së lehtë dhe procedurave të thjeshta, nëpërmjet sinqeritetit të plotë drejt publikut dhe nëpërmjet komunikimit intensiv me mediat.

Mbikëqyrja civile nuk lejon mundësinë e imponimit të sanksioneve. Disa e shohin si të metë të monitorimit civil, por mund të jetë përparësi sa i përket bashkëpunimit me policinë, meqë nuk ka asgjë tjetër. Këshilli është i fokusuar në praktikën policore. Një qasje e tillë – me identifikimin e problemeve kyçe dhe shkaqeve të ngjarjeve dhe fenomeneve të caktuara, të cilit i kushton vëmendje të veçantë mbikëqyrja civile – mund të jetë shumë e dobishme për realizimin e menaxhimit të përgjegjshëm të policisë dhe për vendimmarrës tjerë në sektorin e sigurisë.

Mund të jetë e rëndësishme që menaxhmenti policor ta konsultojë më shpesh mbikëqyrjen civile, veçanërisht sa i përket planifikimit dhe vendimmarrjes në lidhje me të drejtat e njeriut dhe integritetin policor. Mund të përfundojmë se mbikëqyrja civile sot është mekanizmi më i shpejtë dhe më efektiv për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe integritetit policor në Mal të Zi.

Gazetarët targetohen edhe nga policia. Policët dëmtojnë nëpërmjet veprimit – për shembull kur e rrahën Gojko Raičević-in gjatë protestave të opozitës në tetor 2015 – apo mosveprimit – si në rastin e Tufik Softić-it – që e paditi shtetin dhe fitoi pasi policia dështoi në kryerjen e hetimeve efikase për tentimvrasjen e tij në 2007. Raičević u rrah nga policia tri herë dhe asnjëherë nuk u zbulua se kush e bëri. Ai është duke pritur një vendim final në të cilin, mes tjerash, thuhet se ai iu nënshtrua torturës dhe sjelljeve jonjerëzore. Çfarë tregojnë këto raste për policinë malaziase?

Është e papranueshme që një shtet anëtar i NATO-s dhe kandidat serioz për anëtarësim në BE nuk mund ta zbulojë se kush ishin policët që u sillën në mënyrë brutale dhe nuk treguan respekt për të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve, gazetarëve dhe aktivistëve. Rasti i Raičević-it, si dhe plot shembuj të tjerë, flasin shumë për integritetin policor që është shkelur seriozisht.

"Ndonëse praktika dhe të dhënat e ndryshme konfirmojnë se policia malaziase është e përbërë prej profesionistëve, njerëzve me integritet, nuk mund të themi se të gjithë policët dhe krerët policorë kanë karakterë të mirë, të besueshëm dhe të guximshëm".

Në një raport për sjelljen policore në këto protesta – i cili ishte i mbështetur nga qeveria, Avokati i Popullit, kontrolli civil policor dhe organizatat e shoqërisë civile – theksohet deklarata e Prokurorisë: “Autori i krimit nuk është identifikuar ende.” Kjo do të thotë se shteti nuk është i aftë për ta kryer funksionin themelor të tij, zbulimin e shkeljeve penale dhe autorëve të këtyre krimeve, duke e parandaluar kështu Prokurorinë t’i bëjë hapat e duhur të ndjekjes penale.

Ndonëse praktika dhe të dhënat e ndryshme konfirmojnë se policia malaziase është e përbërë prej profesionistëve, njerëzve me integritet, nuk mund të themi se të gjithë policët dhe krerët policorë kanë karaktere të mirë, të besueshëm dhe të guximshëm. Në lidhje me policët, guximi fizik dhe psikologjik i tyre është i padiskutueshëm, por në lidhje me monitorimin civil, vëmendja disi është kthyer kryesisht kah guximi moral sepse është dalluar një mungesë e tij.

Jemi ballafaquar me keqpërdorimin e policisë dhe vendimin politik për të mos zbuluar identitetin e policëve të kompromentuar.

Nga fillimi i vitit, disa mijëra emigrantë kanë ardhur në Mal të Zi. Shumica prej tyre nuk janë të interesuar të rrinë këtu për një kohë të gjatë, megjithatë, prapëseprapë pati panik dhe disa parti politike vazhdimisht nxisin intolerancë ndaj refugjatëve. Si e komentoni këtë frikë iracionale, por edhe atë që po ndodh me refugjatët në shtetet e tjera të rajonit, veçanërisht në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë?

Qasjet populiste ekzistojnë gjithmonë dhe skena politike malazeze ende nuk është imune ndaj manipulimit. Disa strukturave të caktuara nuk po iu ikë asnjë mundësi për ta ringjallur urrejtjen për diversitetin.

Për shkak se është bërë shoqërisht e politikisht e papranueshme dhe e dëmshme të përfaqësohet urrejtja brenda vendit, tani ka përpjekje për të gjetur dhe rekrutuar qytetarë për ta mbështetur rezistencën ndaj emigrantëve, si dhe për ta krijuar një distancë në lidhje me ta.

Fokusi i vëmendjes sonë duhet të kalojë tek qeveria dhe aktivitetet e saj. Qeveria është përgjegjëse për t’u përgatitur për pranimin e mundshëm të refugjatëve në mënyrë kualitative, për të krijuar dhe promovuar një ambient mbështetës, për të siguruar shërbime të bollshme dhe kualitative, por edhe për të garantuar siguri për të gjithë.

Sa i përket kontekstit rajonal, do të thoja se elitat politike në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë sillen sikur janë të patrazuar nga frymëzimi i ri për urrejtje. Një ‘fajtor’ i ri për gjendjen aktuale në shoqëritë dhe ekonomitë lokale duhet të ekzistojë dhe të prezantohet.

Kjo qasje ende inkurajohet nga politikat zyrtare në Hungari dhe Austri që gjithnjë më shumë po përdoren si shembull i mirë. Veçanërisht për të të ardhur keq është fakti se një pjesë e madhe e publikut përkatës [në rajon] e kanë harruar krejt statusin [e refugjatëve] që e kishin para 20 vitesh.

Kur flasim për luftërat e ish-Jugosllavisë, rregullisht theksohet se Mali i Zi doli prej tyre relativisht i pacënuar, gjë që është e saktë në kuptimin se nuk kishte luftë në territorin malazias, por qytetarët e Malit të Zi ishin viktima dhe autorë të krimeve në gjithë atë rrëmujë. Disa prej shembujve mund të shihen në Morinj, ku u themelua një kamp i përqendrimit ose në Strpci, ku u ndal një tren dhe u nxorrën njerëzit prej tij dhe u vranë ose edhe me pjesëmarrjen në bombardimin e Dubrovnikut… Çfarë përgjegjësie ka individi e çfare shteti në këto raste?

Mali i Zi nuk mund të konsiderohet i pafajshëm, por nëse flasim për sjelljet e autoriteteve shtetërore, mund ta pohojmë pikëpamjen se Mali i Zi zyrtar, në krahasim me shtetet tjera në rajon, ka bërë sende për t’u lëvduar dhe ka dhënë kontribute të caktuara për vendosjen e drejtësisë.

Megjithatë, nuk duhet ta shpërfillim qëllimin e elitës politike për të kontrolluar dhe matur gjithçka, dhe për të mos penguar identitetin reformist dhe evropian. Një qasje e tillë ishte deri diku e mbështetur nga viktimat dhe përfaqësuesit e tyre, veçanërisht përfaqësuesit politikë.

"Ne flasim për politikat luftënxitëse në mënyrë të përmbajtur dhe me ndruajtje, me një strategji që vetëm e ardhmja dhe investimet ekonomike janë të rëndësishme".

Zërat e viktimave dhe kujtimet nga ajo periudhë dëgjohen gjithnjë më pak me kalimin e kohës. Tubimet përkujtimore mbahen pa praninë e tyre – a mund ta paramendoni? Ky me të vërtetë është problem serioz ku shtrohet një pyetje, një dilemë, në lidhje me legjitimitetin e atyre që marrin pjesë në këto ngjarje.

Ne flasim për politikat luftënxitëse në mënyrë të përmbajtur dhe me druajtje, me një strategji që vetëm e ardhmja dhe investimet ekonomike janë të rëndësishme. Ata që u persekutuan, veçanërisht për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike dhe që ishin bartësit e atij procesi, tani janë ‘të kënaqur’. Ata nuk e kujtojnë të kaluarën, për shkak se e kanë fokusuar vëmendjen e tyre në armiq modernë malazias dhe mendojnë se autoritetet po bëjnë diçka të mirë. Ata presin njohje shtesë nga shteti për këtë.

“Në Mal të Zi nuk do të themelohet një shoqëri e lirë e as nuk do të jetësohet me të vërtetë demokracia – dhe veçanërisht toleranca – deri sa ta forcojmë dialogun e brendshëm për të kaluarën dhe deri sa gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të mos mësohen me kryqëzatat malazeze drejt fqinjve tanë dhe diversiteteve tona”. Para më pak se një viti, ju dhe tetë tjerë nga jeta publike malaziase e dhatë këtë deklaratë në përvjetorin e rrethimit të Dubrovnikut 1991-92. A është e tepërt të presim që qytetarët e Malit të Zi të ballafaqohen me ato që ndodhën gjatë të ‘90-ave kur e dimë se ne nuk jemi ballafaquar me ngjarjet e luftërave që na kanë ndodhur?

Kujtimi dhe inkurajimi i zhvillimit të kujtesës kolektive për kohët e dhimbshme të vuajtjes dhe krimeve ka rëndësi të jashtëzakonshme shoqërore. Procesi i ballafaqimit me të kaluarën është kyç për të vërtetën, për përmbushjen e nevojave të viktimave dhe rikuperimin e gjithë shoqërisë.

Në një kohë [90-at] ky proces e mori formën e një lëvizje që ishte e dukshme, e gjerë dhe intensive, si kjo e fundit, e vitit 2006, që kishte për synim rikthimin e pavarësisë tonë.

Megjithatë, ne mund të themi se procesi i ballafaqimit me të kaluarën në Mal të Zi është bërë krejtësisht i margjinalizuar. Duhet ta pranojmë se plot njerëz janë dorëzuar në këtë proces për arsye të ndryshme, por kryesisht pragmatike. Ndonjëherë, për shembull, punësohet e bija e dikujt apo dikush e fiton një ulëse në bordin e drejtorëve.

U tradhëtua [e kaluara] para së gjithash nga ato parti politike që avokuan për të më së shumti. Pastaj u tradhëtua nga disa organizata joqeveritare. Ato merren me të [të kaluarën] me kontroll të rreptë dhe në një mënyrë për të cilën janë pajtuar. Edhe viktimat po e braktisin atë gjithnjë më shumë.

Ju e shtruat pyetjen thelbësore. Është e paqëndrueshme të avokosh për ballafaqim me vitet ‘90 kur jemi të heshtur për 1948-n [kur Josip Broz Tito i refuzoi përpjekjet e Joseph Stalin-it për ta bërë Jugosllavinë shtet satelit të BRSS-së, duke nxitur shtypjen e mbështetësve sovjetikë në Jugosllavi] apo për faktet e pakonfirmuara për ngjarjet pas çlirimit në Luftën e Dytë Botërore [kur u burgosën ata që e kundërshtuan rrëfenjën qendrore politike].

Po fillojmë të shqetësohemi për faktin se e kaluara jonë komuniste dhe ikonat e saj po përlëvdohen në mënyrë jokonstruktive dhe të padiskutueshme, pa dialog dhe pa fakte. Kjo është krejtësisht e kundërt me përvojën e shoqërive demokratike.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi, Intervista u zhvillua në gjuhën malazeze.

Foto nga Aleksandar Zeković.