Mendohej të ishte shfaqja më e madhe e jetës së saj — performanca në një skenë të madhe të hapur para mijëra njerëzve në një festë të Krenarisë, e pakrahasueshme në përmasa në të gjithë rajonin. Por në ditët para ngjarjes, Lili nisi të kishte dyshime serioze nëse ai dhe alter egoja e tij prej një mbretëreshe drag, Diva, ishin gati.
Një pjesë e shqetësimit tashmë dihej. Si dikush që për nga natyra e shfaqte shqetësimin për, për Lilin, mendimet dhe skenarët e pafund që silleshin pa ndalur në mendjen e tij, nuk ishin diçka e re. A ishte muzika që e kishte zgjedhur e duhura? Si do të reagonte publiku? Ato ndjenja brenda tij a ishin ngazëllim apo nerva?
Me ndjenja të ngjashme ishte përballur dhe i kishte kapërcyer shumë herë më parë, pasi Diva veç njihej si ndër të parat në skenën drag të Kosovës që po lulëzon; veç disa vjet më parë, kishte qenë njëra nga vetëm dy mbretëreshat që performuan në shfaqjen inauguruese të Drag në vend, pasi pesë mbretëresha drag kishin hequr dorë në minutën e fundit duke parë vëmendjen e publikut që veç sa rritej.
Por, anipse ishte dikush që disi ishte mësuar t’i thyente tabutë, teksa bëhej gati për të dalë në skenën e Manjež Park të Krenarisë (Pride) 2019 në Beograd, si mbretëresha drag e parë shqiptare që performonte në Serbi, iu duk si një hap i frikshëm drejt së panjohurës. “Shumë pyetje më silleshin në kokë dhe gjithçka më dukej e mjegullt”, rikujton Lili, i cili kërkoi të përmendej vetëm me pseudonim dhe emrin e tij të skenës për arsye privatësie.
Një pjesë e tij ndihej krenar që bashkë me kolegun e tij performues kosovar, Icy, po bënte një hap të rëndësishëm për t’i thyer pengesat e padukshme. Mbi të gjitha, ishte i vendosur të tregonte se vlerat e përbashkëta, të drejtat e njeriut dhe barazia mund t’i mposhtin edhe politikat më të dëmshme. Por i pranishëm ishte edhe zëri bezdisës i dyshimit. Mos jam duke u ngutur? A jam unë i duhuri? Si do të reagojnë kur ta kuptojnë se jam nga Kosova?
Pavarësisht se ka qenë pjesë e tri e Krenarive të mëhershme të Beogradit si pjesëmarrës i rregullt, pa incidente, teksa priste të ngjitej në skenë, prania e madhe e sigurimit që mbikëqyrte ngjarjen nuk ndikoi shumë që t’ia largonte frikën Lilit. I vetëdijshëm për historinë mes Serbisë dhe Kosovës, një pyetje tjetër pa dashje iu ngulit në kokë: A jam i sigurt?
Frika iu komplikua edhe më tej nga përzgjedhja e këngës, të cilën e bëri në minutën e fundit. I kapluar nga pasiguria nëse do t’ia arrinte ta përmbushte qëllimin e tij, Lili kishte zgjedhur vetëm një të tillë nga 24 orë në dispozicion. I etur për t’ju përshtatur nikoqirëve, kishte menduar ta përzgjidhte një këngë serbe, por në fund kishte kontaktuar organizatorët në Beograd dhe i kishte pyetur nëse mund ta përdorte një këngë shqipe në vend të saj. Kërkesa e tij ishte pranuar menjëherë.
Edhe atëherë kishte pasur një dilemë. Si mund ta dinte ai se kishte zgjedhur një këngë që e respektonte hapësirën që iu kishte dhënë për t’u shprehur dhe që nuk linte vend për ndonjë keqinterpretim? “Nuk desha ta përzgjidhja një këngë tendencioze, nuk e kisha ndërmend t’ia ngrija pulsin askujt”, thotë ai.
Duke i ikur çdo gjëje që lidhej me tradicionalen dhe që potencialisht mund të keqinterpretohej, përfundimisht ishte tërhequr nga një këngë pop e sapo publikuar nga Dafina Zeqiri dhe Tayna. Me melodinë që u vendos në altoparlant, Lili e mblodhi veten, hyri në mes të skenës dhe turmës shumëngjyrëshe ia prezantoi Divën.
Masa u ndez.
Ta ndërtosh një ‘familje ballkanike’
Teksa Diva dhe Icy kërcenin dhe lëviznin nën ritmin e “Bye Bye” në skenë, njëri prej atyre që u jepte emocione pozitive performuesve kosovarë nga publiku ishte Marko Mihailović. Përmes rolit të tij si organizator i Krenarisë së Beogradit, ishte Marko ai që kishte ftuar fillimisht mbretëreshat e Prishtinës dhe kishte qenë personi që ua kishte mbështetur menjëherë vendimin për të performuar me një këngë shqipe.
Teksa shihte përreth turmës që tregonte dashuri, Marko e pa se kënga dhe performanca veç ishin një hit i menjëhershëm. S’ishte asgjë më pak seç priste ai brenda flluskës tejet të vogël të komunitetit LGBTI+ dhe mbështetësve të tij në festën nën qiell të hapur. Por ajo për të cilën ishte më pak i sigurt ishte reagimi i mediave serbe.
Ndërsa parashihte vlerësime pothuajse vetëm negative, kur pa titujt e lajmeve të nesërmen, disa media serbe ashtu siç pritej e dëshmuan prapë reputacionin e tyre duke përkrahur armiqësinë dhe urrejtjen ndaj gjithçkaje që lidhet me Kosovën. Por kur lexoi mbulimin në media të tjera, u befasua për mirë me fjalët mbështetëse që u përdorën për mbretëreshat kosovare, të cilat ai i përshkruan si pjesë të “familjes së tij ballkanike”.
“Në vendin tim mbizotëron një narrativë se shqiptarët janë armiq dhe se thjesht janë njerëz të këqij dhe kjo thjesht nuk është e vërtetë”, thotë ai. “Është e vështirë për njerëzit e tjerë që nuk kanë mundësitë që unë kam pasur për të takuar njerëz nga [Kosova] që të kuptojnë se ata janë njerëz ashtu siç jemi ne dhe se duhet ta largojmë narrativën negative politike dhe thjesht të kemi shpirt dhe mendje të hapur”.
Për Markon, mundësitë për t’u takuar dhe për të kaluar kohë me njerëz nga Kosova kishin filluar që në vitin 2016 kur filloi të punonte për herë të parë si praktikant në organizatën për të drejtat e njeriut Civil Rights Defenders (CRD). Ishte viti i parë që kishte marrë pjesë në Krenarinë e Beogradit si organizator dhe jo pjesëmarrës dhe në zyret e CRD-së papritur e gjeti veten tërrethuar nga aktivistë të të drejtave LGBTI+ dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të njeriut nga vendet fqinje.
Në atë kohë, Mali i Zi dhe Shqipëria ishin të vetmet vende të tjera në rajon që kishin mbajtur ngjarje të Krenarisë, por kishte një organizim çdo herë e në rritje mes lëvizjeve LGBTI+. Së fundmi, Kosova e kishte mbajtur marshin e saj të tretë vjetor për shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, duke ndihmuar në zhvendosjen e çështjes së të drejtave të personave LGBTI+ nga domeni privat në sferën publike dhe aktivistët në Prishtinë po përgatiteshin për ta mbajtur konferencën e parë rajonale të LGBTI+ në vend në muajin që vijonte.
"Mendoj se ne ndërtojmë lidhje, ndërtojmë ura"
Marko Mihailović
Zhvillimi i organizatave për të drejtat e personave LGBTI+ po ashtu po ndihmonte në krijimin e lidhjeve më të ngushta midis lëvizjeve LGBTI+ nga Tirana dhe Tetova në Sarajevë dhe Novi Sad, pasi grupet filluan t’i shkëmbenin përvojat e tyre dhe nisën që rregullisht të merrnin delegacione në Krenaritë e njëri-tjetrit dhe ngjarje të tjera.
Disa nga vizitorët në zyrat e CRD-së në Beograd atë javë kishin pasur pak mundësi të takonin aktivistë të tjerë nga rajoni deri në atë moment, por thjesht kishin ardhur për ta ofruar përkrahjen e tyre në një kauzë të përbashkët. Por shumë tashmë ishin takuar me njëri-tjetrin nëpër punëtori dhe konferenca rajonale që financoheshin nga donatorët dhe donin të tregonin solidaritet me miqtë e tyre të rinj.
“Mendoj se ne ndërtojmë lidhje, ndërtojmë ura”, thotë Marko, “dhe mendoj se në këtë fazë të zhvillimit të rajonit tonë është jashtëzakonisht e rëndësishme të krijojmë marrëdhënie njerëzore mbi ato profesionale. Janë këto marrëdhënie ato që na ndihmojnë ta kuptojmë tjetrin dhe ta kuptojmë anën tjetër, sepse në vendet tona rrallë mund ta dëgjosh anën tjetër”.
Të detyruar të bëjnë jetë të dyfishta
Për shumë njerëz më të moshuar në rajon, mbrojtja relative dhe lidhjet ndër-rajonale që mundësohen nga strukturat që mbështeten nga donatorët në shtatë ose tetë vitet e fundit është pothuajse një luks që ata nuk e kanë imagjinuar teksa po rriteshin.
“Veç mos t’ishim kanë na organizatat, sot e kishe vra nji gay person kërkush s’ish marrë me të”, thotë Arbër Nuhiu, i cili themeloi organizatën e parë të LGBTI+ në Kosovë në vitin 2005. “Në momentin kur ti po reagon, po e qet një komunikatë për shtyp, po folë, po i jep ndihmë ligjore, po e dërgon rastin në gjyaktë, njerëzit koqiten, për qato edhe komuniteti po del në sipërfaqe se po e ndien atë sigurinë”.
Me seksin midis personave gej që trajtohej si shkelje e ligjit në pjesën më të madhe të rajonit deri në të ’90at dhe me pak njohje publike edhe të vetë ekzistencës së tërheqjes mes të njëjtit seks, për dekada, e vetmja mundësi për shumicën e njerëzve që zbulonin seksualitetin e tyre ishte të detyroheshin të bënin jetë të dyfishtë fshehtas. Mënyra se si ndodhte kjo ndryshonte nga vendi në vend, varësisht prej realiteteve specifike politike dhe shoqërore të kohës.
Në Kosovë, gjatë viteve të ’90-ta popullsisë me shumicë shqiptare veç i duhej të lëviznin me kujdes në hapësirë publike , pasi përjetuan një dekadë të represionit sistematik shtetëror. Për gejët shqiptarë, pengesat u shumëfishuan dhe një nga format e vetme në dispozicion për ta manifestuar seksualitetin e tyre ishte përmes vizitave të kujdesshme në “zonat e veçanta”. Këtu, burrat — shumë prej të cilëve ishin ndierë të detyruar nga shoqëria që të martoheshin me gra — takoheshin në mënyrë klandestine me burra të tjerë për të kryer marrëdhënie seksuale. Në disa raste, krijoheshin edhe miqësi, por shpesh njerëzit kishin shumë frikë se do të identifikoheshin publikisht nëse do t’i tregonin njëri-tjetrit nga cili qytet vinin, e lëre më emrat e tyre të vërtetë. Pa mbështetje ose qasje në informacion për ta kuptuar plotësisht konceptin e të qenit gej, shumë nga ata që vizitonin zonat e veçanta përjetonin një ndjenjë të thellë konfuzioni dhe turpi.
“Komuniteti LGBTI nuk ishte as i margjinalizuar”, thotë Arbëri. “Atëherë s’u kanë hiç”.
Në disa pjesë të Jugosllavisë, të paktën kishte shenja fillestare të aktivizmit të organizuar që ofronte një lloj strukturash për rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe shprehjen. Sllovenia udhëhoqi rrugën me grupet e para lezbike që u krijuan në mesin e viteve ’80-ta dhe që u konsiderua si pararojë e aktivizmit të personave LGBTI+ në të gjithë rajonin dhe më gjerë. Në Kroaci dhe Serbi, gjërat lëviznin më ngadalë pasi përpjekjet e paqarta për t’u organizuar në fillim të viteve të ’90-ta u penguan nga klima politike e kohës së luftës dhe shumë aktivistë të hershëm në vend të kësaj i devijuan përpjekjet e tyre në lëvizjen kundër luftës në gjysmën e parë të dekadës.
Iniciativa të tilla të hershme ndihmuan në hapjen e mundësive të kufizuara për personat LGBTI+ nga pjesë të tjera të rajonit që të paktën të lidhen me njëri-tjetrin, ndonëse takimet ende kufizoheshin me të madhe në hapësirat private dhe për ata që veç kishin lidhje personale..
Pavarësisht të gjitha pengesave, historitë e takimeve të fshehta rajonale dhe shkëmbimeve private midis miqve gej — shpesh të martuar — që dëshironin të solidarizoheshin me njëri-tjetrin, njihen mirë nga aktivistët e sotëm.
Ilustrimi : Urtina Hoxha / K2.0.
Bekim Asani, aktivist nga Maqedonia e Veriut që themeloi Asociacionin e Bashkuar LGBTI+ në Tetovë, ka dëgjuar shumë kujtime të këndshme nga anëtarët më të vjetër të komunitetit, të cilët mblidheshin rregullisht. Gjithmonë të caktuara paraprakisht për shkak të kufizimeve në komunikim në atë kohë, ata shijonin mundësitë shumë të shkurtra për të ikur nga vendlindja e tyre për pak pushim në një mjedis privat që u lejonte të ishin vetvetja.
Një tregim, për ngjarjet që ndodhën rreth 40 vite më parë, është kthyer pothuajse në legjendë.
“Ishte një burrë, ka pasë fatin që gruja e vet të kuptojë që është biseksual ose gay edhe ta pranojë”, tregon Bekimi. “për të mos e gjyku familja ata vendosin të shpërngulen jashtë. Krijojnë një jetë shumë të mirë. Në çdo moment kur është kthyer në Tetovë, i ftonte krejt këta të komunitetit të mblidhen te ai. Më tregonte, thoshte: ‘Vjen ai i Kërçovës me dimijat e grusë të vet, vjen ai i Ferizajit…’”
“Edhe tash kur shkoj në Prishitnë, takoj njerëz që thonë: ‘Hej a e njeh këtë prej Tetovës’?, se mu shumë më shkon muhabeti me këta më të moshuarit…thotë: ‘kam ndejtë te ai’, them: ‘normal që e njoh’. Do të thotë me telefona të shpisë janë marrë vesh”.
Realitet i përbashkët
Me një histori të tërë duke gjetur mënyra për t’u lidhur edhe në rrethanat më të vështira, ndoshta duhet të jetë pak befasi që dy dekada pasi lufta e fundit në rajon përfundoi, personat LGBTI+ sot po ndihmojnë për ta drejtuar rrugën drejt pajtimit. Gjersa disa fusha të shoqërisë kanë bërë pak përpjekje për të ndërtuar lidhje ose nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë lidhje të forta, grupet LGBTI+ kanë krijuar lidhje prej vërteti. “Just leave it to the gays”! (shq. Thjesht ua lini gjërat në dorë gejëve” bën shaka aktivistja nga Prishtina Rajmonda Sylbije.
Në një nivel, kjo mund të shihet si rezultat i natyrshëm i një kauze të përbashkët — që përparimi në një pjesë të rajonit shpesh, me kohë, mund të çojë në përparim të pjesës tjetër. Një ligj i miratuar në Beograd ose Podgoricë mund të çojë në momentum dhe presion ndaj qeverive në Sarajevë ose Tiranë që ta ndjekin shembullin e njëjtë. Por kjo është e vërtetë edhe për çështje të tjera ku interesat e përbashkëta, në vetvete nuk kanë mjaftuar, për t’i tejkaluar ndasitë kombëtare.
Një element kyç i lulëzimit të marrëdhënieve ndërkufitare midis aktivistëve LGBTI+ është se bashkëpunimi i tyre po ndërtohet mbi përvojat e thella të përbashkëta të përjashtimit, në vend të nocioneve më abstrakte me të cilat nuk janë të lidhur në rrafsh personal..
“Me personat LGBTI që përjetojnë përvoja të refuzimit, diskriminimit, stigmatizimit ose përjashtimit nga shumë hapësira në jetën e tyre private dhe profesionale, mendoj se ata identifikohen më pak me konceptet e shteteve-kombe”, thotë Antonio Mihajlov, aktivist nga Maqedonia e Veriut.
Posaçërisht kur bëhet fjalë për çështjen e identitetit, njerëzit shpesh ndiejnë afërsi më të madhe me të tjerët që mund ta kuptojnë se si është të jesh i margjinalizuar sesa me një ndërtim institucional ose identitet etnik që kurrë nuk i ka pranuar plotësisht ashtu siç janë. Kjo aftësia për ta kuptuar një realitet të përbashkët është çfarë që i ka lejuar shpejt lidhjet kaq të afërta mes aktivistëve LGBTI+ në rajon që i kanë tejkaluar aktivitetet e organizuara që fillimisht i kanë bashkuar.
“Kur je dikun, kur ke problem, kur ke hall, kur ke mbetë në rrugë, jo çdo herë duhet në mënyrë institucionale të kërkosh ndihmë”, thotë Bekimi. “Çdo herë e marr shembull shpinë teme, për shembull nanën teme, në shpi teme pytjet ‘çka është’ dhe ‘pse’ është nuk ekzistojnë, nuk kanë ekzistu. A është shqiptar, a është maqedon, a është turk, a është trans. Janë çështje të parëndësishme. Të vetmin problem të përbashkët si shqiptarë LGBT, si maqedonë, si turqë, si romë, i kemi homofobët dhe shoqërinë patriarkale, sistemin që nuk na mbron. Mes vete ne nuk kemi probleme”.
Problemi i paevitueshëm
Edhe me qëllimet më të mira në botë, lufta për të drejtat dhe liritë themelore nuk zhvillohet në vakum, disi jashtë kontekstit të tensioneve më të gjera politike dhe ndasive shoqërore. Vitet e ndarjes dhe kontakteve të kufizuara mes të rinjve me prejardhje të ndryshme në të gjithë rajonin kanë bërë që gjeneratat të rriten brenda sferave të veta, me pak njohuri të drejtpërdrejta për tjetrin. Realitete të tilla paralele nuk qetësohen veç me vullnet të mirë.
Një nga shembujt më tipik erdhi në një performancë të hershme drag në Prishtinë në vitin 2019.
Të frymëzuar nga pjesëmarrja në shfaqjet drag në Beograd, aktivistët në Kosovë ishin bashkuar me miqtë serbë për ta organizuar ndejën e tyre drag dhe kishin ftuar një mbretëreshë nga Beogradi për të performuar. Si shumica e serbëve të rinj, mbretëresha nuk e kishte vizituar Kosovën më herët dhe dinte pak për të. Pasi këmbëngulshëm kërkoi falje për “çdo gjë që serbët kanë bërë” dhe pasi i luti turmën që të mos e urrenin, ajo filloi performancën e saj.
Kënga që kishte përzgjedhur ishte kënga që i ndezë ndejat në, nga njëra prej yjeve më të njohura në vendit, “Nënës serbe”, Cecës. Por përderisa disa nga turma tentuan të buzëqeshnin dhe ta shijonin performancën, të tjerë iu kthyen shoqërisë së tyre të tmerruar dhe mërmëritën për muzikën “shki” (term përçmues në shqip për serbët) që ua kishte prishë qejfin. Për ta, kjo nuk ishte thjesht melodi ndeje nga një “mbretëreshë e kiçit”. Kjo ishte melodia me të cilën paramilitarët serbë kishin festuar pas masakrimit të shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-1999, e kënduar nga bashkëshortja e Arkan, udhëheqësit paramilitar më të frikshëm nga të gjithë.
Gabime të tilla përgjatë rrugës mund të mos jenë befasuese pasi aktivistët e rinj po përpiqen t’i riparojnë disa nga dëmet e ndasive prej dekadash. Por janë po ashtu tregues të sfidave me të cilat përballen, veçanërisht në mungesë të ndonjë pajtimi më të gjerë midis shoqërive në një rajon që nuk i trajton çështjet e rëndësishme historike dhe politike.
Teksa krijojnë miqësi dhe bashkëpunime, aktivistëve u duhet të vendosin se si t’u qasen çështjeve politike apo historike që mund të shkaktojnë tension. Për shumicën, tema të tilla vetëm lihen anash plotësisht dhe i jepet përparësi “kauzës më të madhe” që i përbashkon.
“E kom pa që ka edhe në mes aktivistëve LGBTI nacionalistë edhe ka radikalë edhe ka fetarë… krejt”! thotë Bekimi. “Por kemi një kauzë të përbashkët. Ajo që na bën neve të prekshëm, të cenueshëm është fakti që ne prej shumicës shihemi ndryshe edhe nuk duhet ne të ndahemi mes veti, normal që ka sene që unë nuk pajtohem me to, për shembull me serbët e Beogradit, aktivistët LGBTI mund asnjëherë të mos pajtohem rreth Kosovës, ama ne jemi solidarë kur bëhet fjalë për çështje LGBTI”.
Por teksa dukshmëria e të drejtave të LGBTI+ përmirësohet dhe më shumë njerëz ndihen të gatshëm për t’u lidhur me kauzën, disa kanë frikë se vetë dalja haptas, e cila ka qenë forca më e madhe e lëvizjes deri më sot, mund të shndërrohet në cenueshmëri.
Njëlloj si gjithë të tjerët në rajon, personat LGBTI+ vazhdimisht ekspozohen ndaj retorikës politike që përkrah narrativa tjetërsuese dhe ndjenja gjithnjë e më populiste. Pavarësisht se shumica e personave LGBTI+ e dinë se si është të jesh i fyer, historia tregon se kur jeta e njerëzve është e vështirë, ballafaqimi me një armik të përbashkët, një mit që përsëritet shpesh ose një zgjidhje e thjeshtë mund të jetë gjë e fuqishme.
“Ka shumë njerëz nga komuniteti që po kthehen drejt nacionalizmit dhe për mua është trend shumë i rrezikshëm që mendoj se është tregues se në 20 vitet që jemi ndarë, nuk kemi bërë shumë për t’u bashkuar sërish”, thotë Marko. “Me rritjen e komunitetit LGBTI, vjen një fluks njerëzish që jodomosdoshmërisht përfaqësojnë të gjitha vlerat tona”.
Pengesat dhe përparimi në Maqedoninë e Veriut
Askund nuk vërehet ndikimi negativ i nacionalizmit në komunitetin LGBTI+ më shumë sesa në Maqedoninë e Veriut, ku vite të tëra politikash çorientuese kanë luajtur me frikën e njerëzve, duke nxitur pakënaqësi dhe ngecje të progresit.
Në të 2000tat, vendi spikatej si njëri nga dritat më të rëndësishme të skenës rajonale LGBTI+, veçanërisht për njerëzit nga Kosova fqinje. Me mundësitë për jetë të natës që thjesht nuk ekzistonin në Prishtinë, kafenetë, baret dhe vendet e fshehta të takimeve të Shkupit, u bënë terren i rregullt për kosovarët që kërkonin liri më shumë se sa atë që e kishin në shtëpi. “Unë Shkupin e maj në mend si vendi i parë ku kom pa gay life (jetë gej), se u kanë ma i qasshëm për jetë gej”, thotë Rajmonda.
Njëkohësisht, aktivizmi i parë i personave LGBTI+ po zinte rrënjë në Maqedoni dhe po forcohej. Nga fillimi i viteve 2010, organizata të shumta LGBTI+ ishin themeluar dhe vende të tilla si bar kafeja “Damar” e Shkupit ishin një vendtakim i famshëm për ndejat e Eurovizionit, ballot me maska dhe konkursin vjetor “Miss First of April”(në shq, Miss “Një prilli”), ku burrat visheshin si gra për të konkurruar për titull.
Megjithatë konteksti politik brenda vendit po ashtu kishte filluar të ndryshonte pasi regjimi autokratik i Nikola Gruevski po nxiste mosmarrëveshje shoqërore.
Në botën e tij prej “patriotësh” dhe “tradhtarësh” Gruevski dhe nacionalistët e tij konservatorë u përpoqën të përçanin dhe të nënshtronin duke mbjellur farat e konspiracive dhe duke identifikuar armiqtë kudo. Nën maskën e mbrojtjes së “vlerave tradicionale” dhe promovimit të një shfaqjeje të dyshimtë të trashëgimisë maqedonase, Gruevski shpesh nxirrte retorikë zemërimi, duke i akuzuar ata që e kundërshtonin se ishin nën kontrollin e fuqive të huaja apo po përpiqeshin të impononin “vlera perëndimore”.
Në kohën kur Gruevski u largua nga pushteti në vitin 2016, Maqedonia ishte shndërruar nga një kryesues në procesin për integrim në BE-së në një vend praktikisht të padëshiruar ndërkombëtarisht. Në mes të një atmosfere armiqësie dhe frike, shumë vende miqësore ndaj LGBTI-së mbyllën dyert, aktivizmi kishte ngecur dhe pothuajse çdo vend tjetër në rajon e kishte kaluar Maqedoninë për sa i përket mbrojtjeve ligjore të parashikuara për të drejtat LGBTI+.
“Atëherë ishte ende një kontekst politik konservator sepse konservatorët në Maqedoni ishin në pushtet dhe komuniteti LGBTI ishte shumë i frikësuar”, thotë Elena Petrovska. Aktivistja, e cila sot punon në Koalicionin Margins me qendër në Shkup, pranon se asnjëherë nuk guxoi të punonte për një organizatë LGBTI+ deri kur protestat masive kundër regjimit të Gruevski në vitin 2015 i dhanë shpresë se gjërat në vend po fillonin të ndryshonin.
Nën qeverinë e sapoformuar të udhëhequr nga socialdemokratët, pati shenja të menjëhershme ndryshimi. Kuvendi krijoi një grup parlamentar ndërpartiak për të punuar në përmirësimin e të drejtave të personave LGBTI+, një ligj i ri gjithëpërfshirës kundër diskriminimit u miratua dhe në vitin 2019 Shkupi më në fund u bë kryeqyteti i parafundit në rajon që mbajti Paradën e Krenarisë (e pasuar me mbajtjen e paradës së parë në Sarajevë, dy muaj më vonë).
Siç edhe ishte deri më tani një temë e zakonshme në organizimet e Krenarisë, në të gjithë rajonin, bashkë-aktivistët me entuziazëm udhëtonin nga vendet dhe qytetet afër dhe larg për ta shkëmbyer solidaritetin e tyre, përfshirë edhe një autobus të tërë nga Prishtina. Në një shembull tjetër të aktivistëve LGBTI+ që ishin në ballë të thyerjes së barrierave, pati edhe shfaqje publike të mbështetjes nga fqinjët e tjerë, gjë që vështirë mund të imagjinohej veç disa vite më parë.
“[Aktivistët që u bashkuan nga] Krenaria e Sofjes, për të cilët nuk kishim njohuri se do të vinin deri në ditën e fundit, vërtet ishte surprizë, po ashtu edhe një fjalim nga një aktivist grek në gjuhën maqedonase”, kujton Antonio. “Mendoj se kemi marrë një mësim shumë të mirë në publik”.
Rruga e ngadaltë drejt rimëkëmbjes
Me tërë shenjat e progresit, megjithatë, jo të gjitha dëmet që u shkaktuan në strukturën e shoqërisë maqedonase nga vitet e antagonizmit mund të zhbëhen lehtë.
Me jehonën e ndarjeve që janë të pranishme në të gjithë vendin, Bekimi pohon se ka pasur vështirësi për të krijuar lidhje të ngushta me homologët e tij në Shkup, duke theksuar presionet e kombinuara të një mendësie konservatore mbizotëruese në mesin e popullsisë me shumicë shqiptare të qytetit të tij dhe mungesën e anonimitetit që vjen me të jetuaritnë një qytet më të vogël. “Asnjëherë nuk e kanë kuptu pozitën si është të jesh aktivist LGBTI në Tetovë, se është një mentalitet, një shoqëri krejtësisht ndryshe”, thotë ai. “Mund të them që prej 100%, vetëm 10% e aktivistëve kanë qenë me mu kur më ka ndodh diçka, për dallim nga Tirana e Prishtina, të cilët çdo herë kanë qenë të parët.”.
Teksa po planifikon ta organizojë paradën e parë të Krenarisë në Tetovë më vonë këtë vit, Bekimi planifikon të marrë këshilla nga aktivistë të tjerë në qytete tjera më të vogla të rajonit, si Novi Sad në Serbi dhe Burgas në Bullgari, duke besuar se do të jenë në gjendje të lidhen me sfidat e caktuara me të cilat përballen aktivistët jashtë qendrave më të mëdha urbane.
Ilustrimi : Urtina Hoxha / K2.0.
Gjetja e formave për të ndërtuar lëvizje më gjithëpërfshirëse brenda Maqedonisë së Veriut ngjashëm është edhe në mendjet e aktivistëve në Shkup, të cilët theksojnë përpjekjet për ta lehtësuar diskriminimin e dyfishtë të pakicave LGBTI+ siç janë romët. Por ekziston po ashtu një ndjenjë se pas disa vitesh mosbesimi që u shkaktua nga politika e dëmshme, ka ende shumë për t’u bërë.
“Mendoj se kemi nevojë për më shumë edukim dhe për t’ju kushtuar më shumë vëmendje këtyre temave, veçanërisht si një lëvizje LGBTI — për të qenë pikë bashkëpunimi dhe sigurisht paqeje dhe solidariteti nga këndvështrimi kombëtar, si identiteti kombëtar”, thotë Elena. “Besoj se duhet të punojmë më shumë për gjithëpërfshirjen brenda lëvizjes në Maqedoni, të punojmë më ngushtë dhe t’i motivojmë më shumë, le të themi, shqiptarët apo ata që identifikohen si myslimanë, për t’iu bashkuar aktiviteteve të qëndrueshmërisë. Së bashku, me bashkëpunim të ndërsjellë me maqedonasit. Mendoj se na mungon kjo”.
Sikur në shumë fusha të tjera të jetës në të gjithë rajonin dhe më gjerë, mundësitë për forcimin e bashkëpunimeve janë zvogëluar disi gjatë dy viteve të fundit me pandeminë COVID-19. Projektet dhe ngjarjet që natyrshëm i bashkojnë njerëzit shpesh është dashur të anulohen apo të zhvillohen në internet, duke e kufizuar hapësirën për të ndërtuar marrëdhënie dhe për të kërkuar zgjidhje të përbashkëta. Por gjersa shoqëria është hapur gradualisht dhe mbajtja e ngjarjeve fizike po fillon përsëri, ka shpresë se ditë më të mira na presin.
“Në të ardhmen, marrëdhëniet tona, veçanërisht nëpërmjet … të rinjve që punojnë në kulturë, në muzikë dhe ngjarje queer, mendoj se është një e ardhme që mund të na afrojë”, thotë Elena. “Jo në ndasinë e kombësive tona apo të historisë apo gjuhës sonë, por kundër kësaj, si vlera e parë dhe kryesore e lëvizjes LGBTI”.
Nga suksesi në sukses
Ndjenja e optimizmit nuk bazohet vetëm në një aspiratë naive se ndryshimi pozitiv mund të jetë i mundur “diku mbi ylber”. Ajo ka themele të forta në historinë e aktivizmit të LGBTI+ në rajon gjatë dekadës së fundit dhe më gjerë, i cili ka vazhduar t’i tejkalojë tensionet e fuqishme duke demonstruar se lëvizja është më e fortë kur forcat bashkohen.
Nuk ka shembull më të fortë se mënyra se si liderët e komuniteteve në Kosovë e kanë bazuar fuqinëe aktivizmit të tyre në mësimet e përfituara nga përvojat e dhimbshme të kolegëve të tyre në Serbi. Në vazhdën e sulmeve të dhunshme ndaj përpjekjes së parë të Beogradit në Paradën e Krenarisë në vitin 2001 dhe skenave të ngjashme në një përpjekje pasuese nëntë vite më vonë, aktivistët kosovarë morën parasysh pengesat e tilla dhe vendosën ta përdorin një qasje më të kujdesshme, duke u rritur nga viti në vit.
“Ne gjithmonë e shihnim rajonin dhe prisnim, planifikonim, e prisnim momentin tonë”, thotë Rajmonda, duke shpjeguar se shumë marshime të ngadalshme në Prishtinë nga viti 2014 deri në 2016 — përpara Krenarisë së parë në Kosovë në vitin 2017 — nuk ishin rastësi. “Ishim disi ta testojmë policinë, ta testojmë sa njerëz na bashkohen. Na u kanë gjujtë kundër pse s’e keni ftu, s’jeni kanë publik, po nuk u kanë momentumi me qenë publik me ngjarjen. Ti ke shkrujtë emaila, kush po të vjen mirë, se s’ke guxu me rreziku një grup të njerëzve pa e ditë qysh ka me reagu policia, shoqëria”.
Me aktivistët që shfrytëzonin plotësisht mundësinë për të mësuar nga kolegët e tyre serbë, aktivizmi LGBTI+ në Kosovë ka përfituar nga suksesi në sukses, duke u rritur në dukshmëri dhe vendosmëri, vit pas viti.
Dhe përfitimet nga bashkëpunimi i ngushtë nuk janë parë vetëm në nivelin organizativ.
“Përmes takimeve me të gjithë këta njerëz nga rajoni në këto ngjarje, bëhesha gjithnjë e më e fortë”,
Elena Petrovska.
Lidhjet me aktivistët nga vendet fqinje kanë ndihmuar për t’u dhënë individëve mjetet dhe besimin për ta ngritur kokën mbi murin mbrojtës, ku shikimi i kujdesshëm i përditshëm dhe presioni i të qenit ata që janë mund të jetë posaçërisht shtypës. Në të gjithë rajonin, ka shembuj të shumtë të njerëzve që më parë nuk kanë mundur ta shfaqnin veten e tyre të vërtetë në vendet e tyre, duke u kthyer nga vizitat dhe shkëmbimet me një ndjenjë të re energjie dhe besimi.
“Tre veta i di që kanë pasë frikë me dalë në paradat tona këtu”, thotë Arbëri. “Në momentin kur i kemi çu në Beograd, kur janë kthy, veç kanë thanë: ‘Unë në rend të parë’!, domethënë prej kurgjafit, dojshin tash në rend të parë… se fuqizohen, e sheh”.
Shembuj të tillë janë dëshmi e faktit se në zemër të luftës së përbashkët janë lidhjet njerëzore; marrëdhëniet që ndërtohen mbi besim, ndjeshmëri dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Dhe një vendosmëri se pa marrë parasysh sa të vështira janë betejat, pas kaq shumë vitesh ndalimi dhe izolimi, nuk janë të vetëm në luftën e tyre për një të ardhme më të mirë.
“Përmes takimeve me të gjithë këta njerëz nga rajoni në këto ngjarje, bëhesha gjithnjë e më e fortë”, thotë Elena. “Dhe disi, kur ndihem e lodhur, kur ndihem e frikësuar, them ‘është në rregull’. Disi e ndjej se në fund jemi të pandalshëm — mund të jemi të lodhur, por jemi të pandalshëm! E fitoj atë energji dhe më pas vazhdoj tutje”.
Imazhi i ballinës: Urtina Hoxha / K2.0
Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?