Në njërën nga intervistat e fundit të saj, kur u pyet për gjendjen e demokracisë në Turqi, shteti prej të cilit vjen, shkrimtarja Elif Shafak paralajmëroi se mungesa e akademisë së pavarur, mes problemeve të tjera, është njëri nga përbërësit e një demokracie “të dëmtuar dhe të thyer”.
Kur e analizojmë Ballkanin dhe gjendjen e demokracisë dhe të akademisë, lehtë mund ta lidhim me këtë deklaratë. Në rajon, universitetet përballen me të njëjtat ankesa dhe sfida: keqpërdorim të universiteteve nga elitat politike, cilësi të diskutueshme të arsimit, oportunizëm midis stafit akademik, rënie të etikës dhe të ashtuquajturin “largim i trurit”.
Për ta eksploruar më shumë këtë situatë, K2.0 bisedoi me disa prej intelektualëve më të shquar nga rajoni. Në këtë seri të veçantë intervistash me akademikë nga shtatë shtete të Ballkanit, të gjithë profesorët pajtohen se akademitë në Ballkan nuk janë të pavarura.
Në pjesën e gjashtë të serisë sonë Rivlerësimi i Akademisë, K2.0 flet me Antonija Petričušić, profesoreshë asistente në Katedrën e Sociologjisë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Zagrebit dhe anëtare të Komitetit Këshillues të Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare të Këshillit të Evropës.
Foto: Tjaša Kalkan / K2.0.
K2.0: Kroacia rregullisht listohet në fund të renditjes së universiteteve të botës. Si është të jesh pjesë e akademisë kroate në vitin 2019 dhe cilat janë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohet ajo sot?
Antonija Petričušić: Mendoj se të punosh në botën akademike është privilegj i madh, për të cilin shumica e anëtarëve të akademisë me sa duket nuk janë as të vetëdijshëm. Ke liri t’i zgjedhësh temat që dëshiron t’i mbulosh, mënyrat se si mund t’i qasesh punës dhe t’u japësh njohuri studentëve, ke orë fleksibile të punës, përpjekje bashkëpunimi me kolegë jashtë vendit, mundësi për të marrë pjesë në konferenca dhe projekte hulumtuese, debate intelektuale… Për mua, kjo është puna më e bukur në botë, sepse merremi me përçim të njohurive.
Megjithatë, sigurisht se do të kishte qenë shumë mirë po të angazhoheshim më tej në trajnime profesionale, po të mësonim më shumë dhe ta përmirësonim cilësinë e veprimtarive shkollore duke marrë pjesë në më shumë projekte hulumtimesh, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Kontributi ndërkombëtar i komunitetit shkencor kroat është i papërfillshëm.
Unë besoj që kemi mungesë të arsimit metodologjik dhe didaktik për shkak të faktit se profesorët nuk mund të kualifikohen plotësisht si edukatorë vetëm duke i kryer studimet universitare, duke hyrë në punë dhe duke kryer doktoraturën. Ndërkohë, kur hyn në punë në universitet, supozohet se kaq është, ke mësuar duke i vrojtuar mësuesit, kështu që s’ka nevojë për përmirësime.
Tjetra është që kontributi ndërkombëtar i komunitetit shkencor kroat është i papërfillshëm. Si pasojë e kësaj, mundësitë për të marrë pjesë në projekte hulumtuese ndërkombëtare janë të kufizuara, ndërsa investimet buxhetore janë të pamjaftueshme. Gjithashtu, ky i njejti komunitet shkencor nuk është ripërtërirë vitet e fundit, për shkak se sistemi i inkuadrimit të stafit të ri, dhe i moshës më të re, është joefikas. Pasojat do të shihen pas 10-15 vjetësh.
Për më shumë, mua më duket se në ditët e sotme të rinjtë më ambiciozë nuk i ndjekin studimet e doktoraturës në Kroaci. Ata pëlqejnë t’i kryejnë ato në vende të tjera, sepse e dinë që vendet e tjera u ofrojnë përvojë dhe arsimim më të mirë, i trajnojnë për të punuar me metodat më të avancuara dhe i bëjnë më konkurrues në tregun botëror. Kjo do të dëshmohet si humbje e madhe për komunitetin tonë shkencor, përveç nëse e krijojmë një plan për t’i kthyer këta njerëz, ose të paktën për t’i lidhur ata me universitetet dhe institutet tona për hulumtime.
Në anën tjetër, tavani i qelqit mbetet në botën e shkencës pavarësisht barazisë formale. Organet qeverisëse të universiteteve tona janë dëshmi e mjaftueshme për këtë. Ndonëse profesioni shkencor tashmë është feminizuar mjaft shumë, posaçërisht sa u përket shkencave shoqërore, strukturat hierarkike vështirë ndryshohen.
Foto: Tjaša Kalkan / K2.0.
Në kontekstin e sotëm, ne punojmë në reforma kurrikulare në nivelet më të ulëta të sistemit arsimor kroat, por askush nuk thotë që duhet ta riorganizojmë mënyrën se si zhvillohet arsimi në universitete. Unë e perceptoj universitetin si dinosaur, si një botë në të cilën asgjë nuk ndryshon, një ambient i ngadaltë i cili nuk ka dëshirë të përditësohet dhe të hapet, që refuzon të jetë transparent – sa u përket financave dhe administratës – dhe mbetet i mbyllur për publikun. Do të ishte shumë më e preferueshme po të ndryshonte situata, në mënyrë që njerëz të rinj dhe erëra të reja ta drejtonin universitetin.
Në epokën moderne, deri në çfarë pike është e përfshirë akademia, dhe deri në çfarë pike mund të jetë e përfshirë, në formësimin e opinionit publik, si dhe në diskutime për çështje të rëndësishme sociale?
Shumica e profesionistëve akademikë nuk duan të jenë të përfshirë në publik dhe të marrin qëndrim në lidhje me konflikte dhe çështje sociale relevante. Madje mund të themi që njerëzit kanë frikë nga ekspozimi, që kanë frikë të shpërndajnë ide të caktuara.
Supozoj që këto rrethana mund t’i atribuohen pjesërisht faktit se mbizotëron një hierarkizëm i ngurtë në strukturën e universiteteve tona. Si rrjedhojë e kësaj, profesorët asistentë rrallëherë guxojnë të dalin në publik, sepse llogarisin që eprorët e tyre janë ata që duhet të bëjnë paraqitje publike për ta prezantuar disiplinën e tyre.
Sidoqoftë, profesorët universitarë nuk janë vetëm dijetarë që kanë njohuri për fusha të caktuara të studimit, por edhe qytetarë që dinë për politikën dhe kanë të drejtë të kenë pikëpamje private dhe t’i mbrojnë ato, të paktën minimalisht në disa situata. Dhe shumica nuk guxojnë ta bëjnë as këtë.
Ose, për shembull, ata nuk duan të përfshihen në ndonjë nismë në rastet ku mundohemi ta ruajmë integritetin e universitetit dhe të komunitetit shkencor, apo ta kundërshtojnë legjislacionin e gabuar që e rregullon të tashmen dhe të ardhmen tonë profesionale.
Ne, si anëtarë të këtij komuniteti të privilegjuar profesional, kemi obligim ta aftësojmë veten për t’i përdorur njohuritë tona – dhe kryesisht po i referohem ekspertizës sonë, e cila mund të jetë e dobishme për t’i shpjeguar çështjet specifike sociale për të cilat ka mospajtime – në mënyrë që të kontribuojmë në paqësimin e ndarjeve dhe konflikteve brenda shoqërisë sonë. Në anën tjetër, ne mund t’i përdorim për t’i dënuar pa mëdyshje disa grupe sociale që ngrihen dhe i privojnë ose kanë për qëllim t’i privojnë komunitetet pakicë nga të drejtat e tyre, ose që ushqejnë vlera antietike për demokracinë.
Nuk mund ta kuptoj kur një profesionist i shkencave shoqërore thotë se nuk ka mendim për një çështje të nxehtë shoqërore.
A mendoni që apatia buron nga frika për ekzistencë, domethënë frika për ta humbur punën apo pozitën në akademi?
Nuk do ta thosha këtë. Sepse në akademi, automatikisht ngrihesh nëse i përmbush kërkesat themelore që janë të shkruara në rregullat relevante. Është një frikë e ballafaqimit, frikë e “zbulimit të besimeve”.
Nuk mund ta kuptoj kur një profesionist i shkencave shoqërore thotë se nuk ka mendim për një çështje të nxehtë shoqërore. Si mund të mos kesh mendim? Ke mendim si intelektual. Mund të thuash që nuk ke informata të mjaftueshme për një çështje të caktuar, por me gjasë ke mendim për të.
Mua më duket që kjo apati reflekton situatën më të gjerë shoqërore, përfshirë këtu mungesën e llogaridhënies në mesin e stafit universitar. Ata nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise ose ta ekspozojnë veten. Puna është që, përderisa nuk e ke ekspozuar veten, ke mundësi të ngrihesh në pozitë, duke marrë parasysh se askush nuk të konsideron si pjesë të ndonjë klani ideologjik dhe se asnjëri prej kolegëve nuk e merr me mend që ti vepron kundër interesave të tu.
E ruan sigurinë ekzistenciale duke qenë anonim. Megjithatë, për mua kjo është mungesë e guximit.
Sa ka gjasa që një njeri të mbetet i pandikuar nga politika në akademinë e ditëve të sotme; a është e mundshme të mos i përkasësh ndonjë partie politike apo grupi të interesit?
Nuk duhet të jesh anëtar i ndonjë partie politike për ta pasur një ndjenjë të përpunuar për drejtësi sociale ose një qëndrim për pikëpamje të dëshirueshme jetësore. Sa u përket vlerave, ne të gjithë jemi të kthyer kah një pol i caktuar. Mendoj që jopartishmëria është e rëndësishme për punimet shkencore, kryesisht në shkencat shoqërore, por nuk i kritikoj kolegët e mi që u bashkohen partive, sepse llogaris që ata mendojnë se mund të sjellin ndryshime shoqërore nëpërmjet atyre mjeteve dhe kanaleve.
Mund të shkruash për politikë, por nëse nuk je pjesë e saj, nuk do të kesh mundësi t’i rindërtosh strukturat ose sistemin politik. Prandaj i adhuroj kolegët e mi që mobilizohen në sensin politik. E dukshme është që ata kanë vendosur t’i shfrytëzojnë njohuritë e tyre në politikën e jetës reale.
Në Kroaci, politika shpeshherë përzihet në shkencë. Për shembull, vitin e kaluar, ish-anëtari kroat i Presidencës së Bosnjes dhe Hercegovinës, Dragan Čović, u shpërblye me një doktoraturë nderi nga Universiteti i Zagrebit, ndërsa sivjet, një doktoraturë nderi iu dha Kryetarit të Zagrebit, Milan Bandić. Disa anëtarë të akademisë kanë folur kundër të dy vendimeve. Si shihen veprimet e tyre? A ka pasoja?
Supozoj që shumica e akademisë lexojnë dhe procesojnë përgjegjësinë e veprimeve të disa individëve dhe thonë “Unë pajtohem me ta”. Të paktën kështu më duket nga diskutimet që i kisha me kolegët e mi.
Si shembull i paraqitjes së guximshme, dua të theksoj atë të Đurđica Čilić-it, profesoreshë asistente në Fakultetin e Filozofisë në Zagreb. Ajo dy herë i është drejtuar Senatit të Universitetit, duke kundërshtuar dhënien e doktoraturës për Čović-in, si dhe dhënien e titullit Profesor Emeritus për babain e Kryeministrit Andrej Plenković. Ajo e pati guximin për t’u thënë burrave të mëdhenj, bartësve të pushtetit institucional të Universitetit të Zagrebit: “Mbreti është lakuriq!”
Foto: Tjaša Kalkan / K2.0.
Ajo ishte e vetmja që tha me fjalë se kjo nuk duhet të bëhet, që në universitet po zhvillohen politika për interesa personalë. Paraqitja e saj kërkoi guxim të jashtëzakonshëm sepse ajo nuk foli në emër të ndonjë partie a grupi interesi. Ajo veproi në mënyrë morale, e bindur nga dëshira për ta thënë të vërtetën.
Nuk është që ngjarjet e tilla nuk shihen me magjepsje ose nuk vlerësohen shumë, por ka pak njerëz si Đurđica Čilić. Edhe kur dikush bën përpjekje për të reaguar dhe folur për atë që ndodhi në lidhje me përpjekjen për ta shpërblyer me doktoraturë Kryetarin Bandić, plot njerëz në akademi i injorojnë thirrjet për nënshkrim të peticioneve, ose refuzojnë të bëhen pjesë e grupit që e ngre zërin kundër Rektoratit, ose nuk merr pjesë në seanca të këshillit të fakultetit, në mënyrë që të mos gjendet në pozitë ku duhet t’i denoncojë publikisht dhe kolektivisht vendimet e Rektoratit.
Ju vetë nuk keni frikë të ngrini zërin për çështje të ndryshme. Jeni kritikuar nga shoqata konservatore “Në emër të familjes”, jo për shkak të paraqitjes publike, por për një artikull studimor të titulluar “Marrja e pushtetit politik duke shfrytëzuar strukturat e mundësive: analizë e lëvizjes konservatore religjioze-politike në Kroaci”. A keni frikë nga kundërplasja e tyre?
Në këtë artikull, unë dhe bashkautorët thjesht kemi demonstruar se si aktorët konservatorë kanë përdorur “struktura të mundësive” – zhvillime socio-politike që u kanë dhënë përparësi dhe u kanë mundësuar të përparojnë si aktorë politikë me efikasitet dhe shpejtësi.
Natyrisht, çdo artikull studimor mund të vihet në dyshim, por nëse vendos ta bësh këtë, duhet të mundohesh ta dekonstruktosh duke u mbështetur në metodologji të pranueshme nga shkenca. Ata u munduan të na diskreditonin duke pretenduar se artikulli ynë është i anshëm dhe se kemi cituar lajme të rreme si burime. Ata i kontaktuan gazetat, vrapuan pas redaktorit të revistës për ta bindur që ta fshijë artikullin, i shkruan dekanit dhe kolegëve tanë. Na sulmuan, në kuptimin e plotë të fjalës.
Detyrë e shkencës është të analizojë çështjet që janë relevante për shoqërinë, të analizojë trendet shoqërore, veçanërisht nëse janë në kundërshtim me themelet e demokracisë.
Personalisht, nuk kam frikë nga situatat e tilla. Megjithatë, mendoj që e përçon këtë mesazh tek akademia: Mos u merrni me ne, sepse përndryshe do t’ju sulmojmë njëlloj. Dje, ne ishim ata që sulmoheshin. Nesër, ata mund ta sulmojnë dikë që ka shkruar artikull për të drejtat e grave për shëndet riprodhues dhe seksual, ose për të drejtën për jetë – por një artikull joshkencor. Thjesht mund të jetë kundër besimeve të tyre.
Si rrjedhojë e veprimeve të tyre, disa kolegë mund të mendojnë dy herë para se të nisin ekzaminimin e çështjeve të diskutueshme, edhe pse detyrë e shkencës është të marrë parasysh pikërisht këto molla të përçarjes. Detyrë e shkencës është të analizojë çështjet që janë relevante për shoqërinë, të analizojë trendet shoqërore, veçanërisht nëse janë në kundërshtim me themelet e demokracisë dhe virtytet e shkruara në kushtetutën tonë, si pluralizmi, barazia dhe mosdiskriminimi.
Këto themele lehtë mund të bien pre e grupeve të caktuara, por komuniteti shkencor është aty për t’i mbrojtur nëpërmjet punimeve shkencore.
Ju i keni kryer studimet e doktoraturës në Central European University që më pas u zhvendos nga Budapesti për shkak të presionit politik të administratës konservatore të Viktor Orbán. A prisni që skenare të ngjashme të ndodhin në Kroaci?
Jam shumë mirënjohëse që e pata mundësinë të studioja në atë universitet modern që ka nivel të lartë arsimi dhe staf të shkëlqyeshëm. Qeveria e Hungarisë nuk deshi të kultivonte liri dhe ide liberale në tokën e saj, kështu që arritën ta mënjanonin atë institucion duke e ndryshuar legjislacionin.
Kryeministri hungarez nuk është më aq i largët prej neve. Nuk mund të shtiremi sikur ideja e demokracisë joliberale i përket vetëm Orbánit. Kjo ide është në zemrat dhe gojët e plot politikanëve kroatë dhe plot njerëzve që merren me politikë në ndonjë mënyrë. E njëjta mund të na ndodhë edhe neve shumë lehtë, veçmas pasi arsimi është fushë ku tendencat ideologjike bëhen të ditura nga grupet e ndryshme.
Për shkak të vetëkënaqësisë dhe mungesës së angazhimit në akademi, besoj se disa grupe të interesit – si konservatoret, ashtu edhe klerikalet – ngadalë dhe pa tërhequr vëmendje, kanë arritur me sukses ta popullojnë sektorin tonë të arsimit. Shumica e atyre në komunitetin shkencor që mendojnë se dikush tjetër do të luftonte për të drejtat e tyre dhe do t’ua mbronte liritë, janë në të vërtetë të painteresuar dhe të ngathët, prandaj jemi ku jemi. Më duket se nuk jemi duke shkuar në drejtimin e duhur.
Foto kryesore: Tjaša Kalkan / K2.0.