Biseda

Arbër Qerka-Gashi: Kur punoj në diçka pozitive, e ndiej se duhet ta vazhdoj

Nga - 08.01.2025

Themeluesi i “Balkanism” flet për numrin e parë të revistës së shtypur.

Arbër Qerka-Gashi e nisi faqen në Instagram “Balkanism” në prill të vitit 2020, gjatë pandemisë COVID-19, duke postuar fotografi të vjetra familjare. Çka filloi si projekt personal, sot numëron afro 50,000 ndjekës dhe trajton llojllojshmëri temash — nga veshjet dhe ushqimet, te historia, çështjet sociale bashkëkohore dhe më shumë — që lidhen me vendet dhe popujt e Ballkanit.

“Balkanism” përkufizohet si “kolektiv dhe publikim kulturor, historik, shoqëror, arkivor, edukativ” që ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Ballkan dhe mes komuniteteve të diasporës. Ky qëllim synohet të arrihet duke vënë në pah traditat dhe komunitetet që shpesh janë shpërfillur ose janë margjinalizuar vazhdimisht.

Numri i ndjekësve/eve të “Balkanism” u shtua ndjeshëm në korrik të vitit 2020. Qerka-Gashi, autor dhe kurator 27-vjeçar, i lindur në Londër nga prindër shqiptarë të Kosovës, publikoi një postim, ku i bënte thirrje Apple Maps ta përfshinte Kosovën. Postimi u bë viral, duke u shpërndarë nga ylli i muzikës pop, Rita Ora, e cila pastaj etiketoi yje të tjerë si Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max dhe më shumë. Postimi origjinal i Qerka-Gashit sot numëron mbi 100,000 pëlqime.

Mbështetja dhe avokimi i hapur i faqes “Balkanism” për Kosovën ka nxitur zemërimin e nacionalistëve serbë, të cilët e kanë sulmuar pareshtur Qerka-Gashin në internet. Ai është kritikuar gjithashtu nga nacionalistë ekstremë shqiptarë që kundërshtojnë vizionin e “Balkanism” si faqe pan-ballkanike dhe jo ekskluzivisht shqiptare. Pavarësisht kësaj, ai ka vazhduar ta çojë përpara faqen, i udhëhequr nga dëshira për ta kultivuar një komunitet transnacional dhe që tejkalon kufijtë gjeografikë, që bashkon identitete të përbashkëta dhe të veçanta ballkanike.

Më 28 shtator 2024, Qerka-Gashi lansoi botimin e parë të shtypur të “Balkanism”, “Diversiteti si forcë”, në Muzeun e Migracionit në Londër. Botimi përfshin 50 kontribues/e nga i gjithë rajoni dhe diasporat.

Qerka-Gashi, Vujinović dhe anëtarë/e të tjerë/a të komunitetit të “Balkanism” e kanë shfrytëzuar suksesin e faqes online, duke e kthyer atë në ngjarje fizike, në formën e Kolektivit Ballkanik të Londrës, i cili ka organizuar dy Parada të Krenarisë Ballkanike, si dhe biseda e netë të filmave. Ngjarje të tilla synojnë ta krijojnë një hapësirë ​​gjithëpërfshirëse, përparimtare në Londër, ku identitetet e ndryshme ballkanike mund të festohen dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin.

K2.0 u takua me Qerka-Gashin, i cili ka shkruar në të kaluarën për K2.0, për të diskutuar lidhur me sfidat e menaxhimit të një platforme online rreth një rajoni, banorët/et e të cilit janë ballafaquar me konflikte në të kaluarën, botimin e një reviste të shtypur dhe lumturinë e bashkimit të komuniteteve të diasporës ballkanike fizikisht.

K2.0: A mund të na tregoni pak për prejardhjen tënde dhe çka ju shtyu ta filloni faqen “Balkanism”?

Arbër Qerka-Gashi: Jam lindur dhe rritur në Londër nga prindër kosovarë, që u shpërngulën para luftës, në vitin ‘93 ose ‘94. E panë që situata po përkeqësohej në Kosovë dhe e ndien nevojën që të largoheshin.

Të dy prindërit janë lindur në Prishtinë. Nëna vjen nga një familje turqisht-folëse nga Prishtina, ndërsa babai nga një familje shqiptare me origjinë nga rajoni i Llapit, me përvojë të thellë në bujqësi dhe blegtori, ndërkaq familja nga ana e nënës janë shumë të lidhur me hapësirën urbane.

Jam rritur në Londrën Lindore. Përvoja ime teksa jam rritur në Britani ishte shumë hutuese. Kosova nuk përfaqësohej asnjëherë në asnjë mënyrë apo formë. E kam pasur një ndjesi të njëmendtë të hutisë lidhur me identitetin tim, por gjithashtu kam ndier mungesën e hapësirave të jashtme për ta shtjelluar atë. E kam parë, përmes rrjeteve sociale, që ka mungesë të hapësirave përparimtare ballkanike që trajtonin identitetin dhe ndërlikueshmërinë e të qenit me prejardhje nga një rajon si Ballkani.

Studimet Bachelor i përfundova në “Goldsmiths” [University of London], i cili në atë kohë kishte një qendër kërkimore kulturore për Ballkanin. Kjo më shtyu edhe më shumë që të studioja aty. Specializova për historinë e ish-Jugosllavisë, posaçërisht Kosovën brenda ish-Jugosllavisë. Përfundova studimet universitare dhe pastaj nisi COVID në vitin 2020 dhe e gjeta veten me sasi të madhe burimesh dhe informacionesh, që kisha mbledhur përgjatë viteve. Prindërit e mi po ashtu më dhuruan shumë fotografi që kishin arkivuar.

Mendoj se “Balkanism” është me të vërtetë i veçantë, në kuptimin që shumë hapësira ballkanike në rrjetet sociale mbizotërohen nga Bosnja, Serbia, Kroacia.

E ndieva nevojën të filloja t’i arkivoja, por edhe t’i përdorja këto fotografi dhe njohuri për ta nisur një platformë që ishte shumë përparimtare dhe trajtonte çështje të identitetit ballkanik, që nuk janë shtjelluar asnjëherë më parë. Mendoj se “Balkanism” është me të vërtetë i veçantë, në kuptimin që shumë hapësira ballkanike në rrjetet sociale mbizotërohen nga Bosnja, Serbia, Kroacia. Si dikush me prejardhje nga Kosova, me të vërtetë dëshiroja ta ofroja një narrativë ndryshe dhe ta ofroj një hapësirë ​​tjetër, veçanërisht nga pikëpamja myslimane, pikëpamja kosovare. Ndërlikueshmëria e identitetit etnik të familjes sime, po ashtu, është diçka që me të vërtetë doja ta shihja tek shtjellohej në një formë më origjinale. Prej kësaj buroi “Ballkanism”.

Cili ishte vizioni fillestar “Ballkanism”? A ka evoluar ky vizion ndërkohë?

Vizioni im fillestar ishte padyshim më personal dhe i përqendruar në marrëdhëniet e mia. Siç thashë, nëna ka identitet të ndërlikuar, babai ka identitet të ndërlikuar. Të dy u rritën në një kohë kur Kosova ishte krahinë autonome e ish-Jugosllavisë dhe njerëzit në Prishtinë e përjetuan Jugosllavinë shumë ndryshe sesa ata nga pjesët e tjera të Kosovës, sidomos hapësirat rurale. Kështu që u rrita me ndikime të shumta kulturore. Kam ndikim turk, ndikim shqiptar dhe ndikim kosovar. Dhe pastaj, është pjesa jugosllave, ballkanike që me të vërtetë patën ndikim kulturalisht tek unë.

Gjithashtu më mundësoi të lidhem me shumë njerëz të ndryshëm. Kisha elemente të përbashkëta me njerëz nga vendet e ish-Jugosllavisë sepse hanim të njëjtat ushqime dhe përdornim të njëjtat produkte. Me shqiptarët, sepse flas shqip dhe jam shqiptar. Me njerëz nga Turqia. E gjeja veten në një hapësirë ​​më të gjerë ballkanike dhe i lidhur me shumë vende të ndryshme. Por edhe për shkak të historisë sime familjare, kam shumë familjarë të shpërndarë në rajon. Kam familjarë në Turqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje për shkak të faktorëve të ndryshëm socio-politikë. “Balkanism” u themelua marrë parasysh marrëdhënien time me rajonin.

Ballkanizmi si term u krijua nga Maria Todorova, një akademike, e cila foli për marrëdhëniet e botës Perëndimore me rajonin. Erdhi nga “Orientalizmi” i Eduard Said. Dëshirova ta rimerrja identitetin ballkanik dhe ta shtjelloja atë në një mënyrë pak më origjinale.

“Balkanism” angazhohet me komunitetet në Ballkan dhe në diasporë dhe synon të ndërtojë lidhje ndërmjet komuniteteve të ndryshme të diasporës ballkanike. Fotografia: Kairo Urovi

Ballkani shpesh paraqitet me boritë dhe muzikën popullore përbrenda hapësirave Perëndimore. Kjo mund të jetë me të vërtetë nënpërfaqësuese. Ishte po ashtu njëra ndër arsyet që më nxiti të filloja t’i shtjelloja elementet kulturore të rajonit të Ballkanit. Thjesht doja të sigurohesha që ekzistonte një hapësirë ​​përparimtare, që bazohej në drejtësinë tranzicionale, diskutime të informuara dhe prezantim origjinal kulturor.

Si mendoni se ndikon pozita juaj si pjesë e diasporës në punën tuaj? A ka ndonjë pengesë apo përparësi të veçantë që vjen me këtë pikëpamje?

Fakti që jam lindur dhe jam rritur në Londër ndikon shumë në mënyrën se si e perceptoj botën. Jam rritur në një hapësirë ​​dhe mjedis shumë të larmishëm etnikisht dhe shumë-kulturor. Është diçka që e shoh si vlerë të madhe. Teksa po studioja historinë e Kosovës, kam njohur shumë diversitet etnik dhe multi-kulturalizëm, por diçka që njëmend dua të sigurohem që nuk po e bëj, është romantizimi apo përjetësimi i kësaj lloj qasjeje perëndimore-liberale ndaj përfshirjes dhe diversitetit etnik, sepse kjo po ndodh shpesh, veçanërisht përmes nismave të ndërmjetësuara nga BE, veçanërisht në Kosovë.

Është diçka që, ndonjëherë, më duket se njerëzit e përdorin kundër meje. Më thonë: “jeton në diasporë. Ke përvojë krejtësisht tjetër”. Por me të vërtetë sigurohem që, kur e shkruaj një përshkrim apo postoj informacione, e bëj të qartë se jam nga diaspora. E kam këtë pikëpamje dhe s’kam jetuar dhe s’jam rritur në Kosovë. E kam vizituar përgjatë viteve, goxha përmbajtësisht, por përvoja dhe marrëdhënia ime me Kosovën është formësuar përmes përvojës së prindërve të mi. Këtë e bëj mjaft të qartë përmes platformës.

Gjithashtu kam dashur që “Balkanism” të jetë hapësirë ​​shumë e hapur. Natyrisht, s’do të mund jem në gjendje të di gjithçka për Kosovën apo rajonin, pafundësinë dhe kulturat e identitetet e ndryshme, kështu që, kur nuk di diçka, qoftë përmes storieve apo përshkrimeve, u bëj thirrje njerëzve të më informojnë.

Ka qenë pikërisht ky procesi i të qenit të hapur ndaj kritikave që na ka lejuar ta zhvillojmë mënyrën se si kemi prodhuar përmbajtje dhe kemi përfaqësuar komunitetet. Jam i hapur sa i përket faktit se nuk jam lindur apo rritur në rajon. E kuptoj këtë. Por jam po ashtu thellësisht i lidhur me rajonin, historikisht, etnikisht dhe kulturalisht.

Një pjesë e madhe e audiencës sonë është po ashtu me bazë në diasporë. Mendoj se shumë njerëz në diasporë kanë dashur që kjo hapësirë ​​të ekzistojë. Me këtë, nuk dua t’i përjashtoj njerëzit e rajonit sepse, natyrisht, ata janë pjesë e kësaj bisede.

Marrë parasysh pikëpamjet e shumta në Ballkan, si e mbani platformën një hapësirë ​​të sigurt dhe gjithëpërfshirëse?

Në vitin 2021 krijova një grup punues për “Ballkanism”. E publikova një thirrje për ambasadorë/e. Këta do të ishin krijues/e të përmbajtjes për platformën, nga këndvështrime të ndryshme dhe të larmishme të rajonit. Ishte pak a shumë si një proces punësimi.

Pranuam 85 aplikime apo diçka e ngjashme. Isha i vetmi që angazhohesha në atë kohë, kështu që m’u desh ta kaloja një proces të gjerë intervistash me ta, për t’u siguruar që vlerat e tyre përputheshin me atë që “Ballkanism” përpiqej të përfaqësonte. Për momentin kemi një grup punues prej rreth 13 personash. Është një grup njerëzish me identitete dhe përvoja të ndryshme dhe përfshin anëtarë si nga diaspora ashtu edhe nga Ballkani. Dëshiroja që të ishte një hapësirë ​që bazohej në komunitet.

Gjersa faqja u rrit, e pashë të domosdoshme të sigurohem që zëra dhe rrëfime tjera po përfshiheshin. Nëse e viziton platformën, shumica e përmbajtjeve që po bëhen, janë nga njerëz me identitete të veçanta. Mendoj se është e domosdoshme që t’i shohin zërat e tyre dhe kulturën e tyre tek përfaqësohet në mënyrën më të mirë se si ata dinë, sepse padyshim që unë flas nga pikëpamja ime individuale. Kështu u siguruam që ta mbajmë veten llogaridhënëse.

Si shkon procesi i kurimit të përmbajtjes?

Më pëlqejnë përmbajtjet që janë mjaft tërheqëse vizualisht. Hulumtoj nëpër arkiva dhe mediume të ndryshme për të gjetur përmbajtje dhe materiale që përkojnë me faqen. Çka ka diçka të veçantë “Balkanism”, është se prekim një mori të larmishme temash dhe përvojash që shtrihen nga fotografitë kulturore, artistike, deri te temat e bazuara në të drejtat sociale. Një mori rrëfimesh mund të shtjellohen në platformë. Mendoj se kjo është diçka që i tërheq me të vërtetë njerëzit. Më kanë pyetur “cilën audiencë e synoni”? Në fakt, të gjithë.

Cilat kanë qenë disa nga sfidat në moderimin e përmbajtjes dhe menaxhimin e komenteve të komunitetit?

Në fillim, ishte jashtëzakonisht e paparashikueshme. Fillimisht, platforma ishte shumë e përqendruar tek marrëdhënia ime me rajonin dhe në fotografi të bukura. Por mendoj se ishte korrik [i 2020], kur e pashë që Palestina nuk s’përfshihej në [Apple] Maps. Kur e kërkova Kosovën, e pashë që as ajo nuk përfshihej. Ndieva domosdoshmërinë për të prodhuar përmbajtje që përqendrohej në paraqitjen e faktit se Kosova ekziston dhe të sigurohesha që ajo po përfaqësohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Bëra një postim duke thënë “Vendosni Kosovën në hartë” (put Kosovo on the map) dhe nisi ky trend masiv që shkoi shumë viral. Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, të gjitha e promovuan. Pastaj pranova shumë reagime nga serbë etnonacionalistë që më sulmuan. Ekzistonte kjo dëshira e madhe për të më ekspozuar dhe për ta gjetur se kush isha, ku ndodhesha. Pati kërcënime me vdekje, shumë kërcënime me vdekje.

“Balkanism” u bë i njohur në internet kur Rita Ora rishpërndau një postim të “Balkanism” që bënte thirrje që Kosova të përfshihej në Apple Maps. Fotografia: Pamje e modifikuar ekrani e postimit të Rita Orës në Facebook.

Ishte me të vërtetë e vështirë sepse ishim gjatë periudhës së COVID-19. Isha i mbyllur në shtëpi me familjen time. Ishte aq e pabesueshme sepse kishte edhe pamflete të shtypura nga postimi që kisha bërë, në mes të Prishtinës. Kushërinjtë e mi ma dërguan duke thënë “shiko Arbër, je në Prishtinë” dhe shoqëria ime sllovene më tregonin lajmet sllovene që raportonin për këtë postim. Ka qenë kohë e pabesueshme, por po aq e vështirë, sepse merresha vetë me të, teksa kishte njerëz që më sulmonin shumë ashpër.

Pastaj, shqiptarët super etno-nacionalistë më akuzonin se isha tradhtar pse po menaxhoja një faqe me bazë rreth Ballkanit. Kishte shumë grupe shqiptare dhe serbe që më sulmonin dhe ishin super problematike dhe me të vërtetë të papërmbajtshme, me gjuhë me të vërtetë neveritëse. Kjo vazhdoi në mënyrë mjaft intensive përgjatë vitit 2020.

Ta bllokosh dikë është opsion fantastik. Kështu që thjesht vazhdova t’i bllokoja njerëzit, duke qenë po ashtu mjaft aktiv me postime, sepse pashë shumë njerëz që dëshironin që ta ndaloja platformën.

Ishte me të vërtetë e vështirë. Besoj se e prisja këtë nga serbët etno-nacionalistë. Diskutimi për Kosovën bëhet shumë i tensionuar, por ta përjetoja këtë nga anëtarët/e të komunitetit tim, ishte me të vërtetë e vështirë sepse e përkrahja dhe mbështesja Kosovën si shtet i pavarur. Dhe përtej kësaj, në përpjekjet e mia, kam pranuar shumë kritika për qëndrimet që mbaj dhe për identitetin që kam, si dikush me prejardhje nga Kosova.

Nga 300 ndjekës shkuam në 10,000 brenda disa ditësh, që ishte diçka e pabesueshme.

Por mendoj se jam mjaft shqiptar, në kuptimin që kam dëshirë, kam pasion dhe kur më duket se po punoj në diçka pozitive, e ndiej se duhet ta vazhdoj. Kështu që vazhdova. Nga 300 ndjekës shkuam në 10,000 brenda disa ditësh, që ishte diçka e pabesueshme. Por kemi pasur rritje të qëndrueshme. Sot, katër vjet pas, kemi 50,000 ndjekës dhe kjo ka ndodhur në mënyrë organike.

Puna është se kritika është pozitive. S’jam kundër kritikës kur bëhet fjalë për ide dhe teori. Dhe e di që idetë dhe qasjet e mia ndikohen me të madhe nga përvoja ime personale jetësore, nga përvoja që e ka jetuar familja ime dhe nga kërkimet që kam bërë. Ndonjëherë, veçanërisht përmes rrjeteve sociale shqiptare dhe përmes rrjeteve sociale ballkanike në përgjithësi, nëse s’i përshtatesh një narrative të caktuar, kritikohesh ashpër.

Por katër vjet pas, kam arritur ta përballoj mjaft mirë. Në “Balkanism” tash, për fat të mirë, nuk pranojmë ndonjë koment të pakëndshëm. Mendoj se e kanë kuptuar se thjesht fshihen.

Si shkoi botimi i numrit të parë të shtypur? Cilat ishin disa nga sfidat me të cilat u përballët gjatë procesit?

Ishte padyshim përvojë shumë stresuese. Dy vitet e fundit, jam marrë më seriozisht me shkrimin. Jam angazhuar në një mori revistash dhe botimesh me bazë në Britani, online dhe të shtypura. Ia mora dorën. Më pëlqejnë botimet e pavarura. Ndoshta tri, katër vite më parë kisha idenë që ta kisha ndonjë botim timin, por në atë kohë isha duke studiuar për master, kështu që nuk kisha shumë kohë.

Dizajnerja e revistës është Verica Petrović. Është dizajnere e librave dhe revistave me vendbanim në Serbi. U bëmë shokë shumë të mirë përmes faqes dhe nisi të punonte për “Balkanism” si ambasadore kryesore. Ajo ishte nismëtare për ta punuar një version provues të revistës “Balkanism”, ndoshta para dy vitesh, si pjesë e një projekti universitar dhe doli shumë bukur. Aty lindi ideja: një botim që trajton identitetin ballkanik dhe përfaqëson “Balkanism” në një kuptim të përgjithshëm.

Revista e parë e shtypur e “Balkanism” përfshiu një fotografi të mrekullueshme të një gruaje rome kosovare, e shkrepur nga Janet Reineck. Revista është dizajnuar nga Verica Petrović.

Vitin e kaluar, po hulumtoja lloje të ndryshme mundësish, duke u përpjekur të siguroja fonde dhe të fitoja sa më shumë përvojë që ishte e mundur përpara se të prodhoja produktin. Fatkeqësisht, sigurimi i mjeteve financiare për një projekt si “Balkanism” rezultoi të jetë proces shumë i vështirë, sepse mbajmë qëndrime mjaft të forta, veçanërisht politike dhe sociale. Dhe më duket se shumë njerëz janë paksa të lodhur kur bëhet fjalë për trajtimin e temës së Ballkanit në atë kuptim. Në fillim të këtij viti lansuam një thirrje për kontribuuesi/e. Përzgjodha rreth 11 persona për të shkruar ese, artikuj dhe realizuar fotografi. I kishim, ndoshta, mbi 100 aplikime me vepra artistike, fotografi dhe shumë gjëra të tjera. Po të kisha buxhet, do t’i kisha pranuar të gjithë.

Financimi ishte problemi. Doja të kontribuoja me mjetet e mia dhe isha shumë i privilegjuar ta bëja këtë. Por e realizuam edhe një fushatë për mbledhje fondesh: nga prilli deri në qershor [2024], lansuam një fushatë në Kickstarter përmes “Balkanism” dhe arritëm t’i mblidhnim 4,200 paund [diku 5,050 euro]. Ishte me të vërtetë e pabesueshme dhe e mahnitshme që njerëzit donin të kontribuonin në “Balkanism”.

Verica nisi ta dizajnonte diku në prill [2024]. Na u deshën rreth katër muaj, sepse po lidheshim me shumë njerëz të Ballkanit në rajon, në Londër dhe në mbarë botën. Shumë prej tyre nuk i përfunduan punimet në kohë, gjë që është shumë e kuptueshme dhe e pritshme sa i përket botimeve të pavarura. E përfunduam tërësisht në fund të gushtit dhe e shtypëm në shtator.

Jam mirënjohës për kopertinën. E kisha parë këtë fotografi, ndoshta, katër vjet më parë. Janet Reineck [e cila shkrepi fotografinë e përdorur si kopertinë] hulumtoi shumë për Kosovën dhe për vitet e ’80-a dhe ’90-a. E ndërtuam një marrëdhënie shumë të mirë dhe e gjeta arkivin e saj në internet. Doja shumë ta përdorja këtë fotografi, në pjesën e përparme dhe në qendër, sepse paraqet një grua rome nga Kosova, me kanë tradicionale në duar. M’u duk imazh tejet mbresëlënës.

Në botim, trajtojmë një mori temash që kanë të bëjnë me racën, përkatësinë etnike, seksualitetin, identitetin gjinor, njerëzit nga diaspora, njerëzit të kthyer në shtëpitë e tyre, problemet e të qenit pakicë në një vend ku shumica i përkasin një etnie tjetër dhe aspekte të tjera dhe përvojat. Botimi përshkruan komunitete dhe praktika kulturore që realisht nuk janë të përfaqësuara në hapësirat ballkanike. Reagimet e para kanë qenë super pozitive.

Përveç komunitetit online të “Balkanism”, angazhoheni gjithashtu në Kolektivin Ballkanik të Londrës, i cili organizon ngjarje, festa dhe Krenarinë e Ballkanit. A ishte e rëndësishme për ty që komuniteti i diasporës ballkanike të ndër-veprojë edhe fizikisht?

Patjetër. Kolektivi Ballkanik i Londrës u themelua për shkak të marrëdhënieve që krijova përmes “Balkanism”. Tamara [Vujinović] është bashkëthemeluese. Njiheshim prej dy vitesh. Ajo tashmë kishte organizuar ngjarje lidhur me Ballkanin në Londër, ngjarje librash, diskutime. Kishte marrëdhënie shumë të mirë me një kafene në London Bridge [një zonë në Londër]. I organizonte këto ngjarje rregullisht dhe i thashë se kishim nevojë për diçka tjetër. Kishim nevojë për një hapësirë më shumë, që njerëzit LGBT nga Ballkani dhe ballkanasit në përgjithësi të angazhohen në një hapësirë ​​përparimtare.

Kështu që ishte nevojë e domosdoshme të siguroheshim se po krijonim dhe kuronim hapësira për të gjithë njerëzit e Ballkanit për brenda kësaj hapësire.

Kolektivi Ballkanik i Londrës u zhvillua në formatin e një organizate. Donim që ta kishte qasjen “nga njerëzit, për njerëzit”. U lidhëm me një lokal shumë të lezetshëm në Dalston, që njihet për atmosferën hipster, skenën shumë alternative.

Qëndresa, një artiste kosovare-shqiptare me vendbanim në Londër, performoi në ngjarjen e Kolektivit Ballkanik të Londrës për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Fotografia: Kairo Urovi.

Festat shqiptare në perëndim priren të jenë shumë tradicionale dhe kulturore dhe kanë këto sisteme shtypjëse me të cilat jemi mësuar. Është me të vërtetë e vështirë të kesh qasje në kulturën tënde. Kur isha më i ri, në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave, shpesh kërkoja hapësira për angazhim kulturor, që do t’i pranonin aspektet e identitetit tim. Ato thjesht nuk ekzistonin. Kështu që ishte nevojë e domosdoshme të siguroheshim se po krijonim dhe kuronim hapësira për të gjithë njerëzit e Ballkanit për brenda kësaj hapësire. Por edhe duke qenë shumë të vendosur/a në bindjet tona për të qenë anti-etnonacionalist dhe shumë përparimtar.

Ka ecur mjaft qëndrueshëm. E organizuam paradën e Krenarisë tonë të dytë të Ballkanit. E kishim një këngëtar. Kishim mbretëresha drag. Kishim DJ të ndryshëm dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Ishte me të vërtetë e pabesueshme, po ashtu, sepse dukej sikur e gjithë familja jonë ishte bërë pjesë e procesit. Nëna u kujdes për pjesën e ushqimit. Përgatit mantia dhe flija, dhe i solli në ngjarje. Njerëzit janë shumë mirënjohës që ekzistojnë hapësira si kjo, prandaj unë dhe Tamara vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ekziston një kërkesë dhe domosdoshmëri e tillë për të pasur hapësira ballkanike si kjo, sepse diçka e tillë me të vërtetë nuk ka ekzistuar kurrë, sidomos në Mbretërinë e Bashkuar.

Shpesh, termi “Ballkai” lidhet vetëm me vendet e ish-Jugos. Ia dolëm të bashkoheshim me grupet tona kolektive — është e pabesueshme t’i shohësh serbët duke kërcyer vallet kosovare dhe neve duke kërcyer nën tingujt e muzikës turke ose greke.

“Ballkanism” synon t’i përqafojë dhe ta shfaqë ndërlikueshmërinë e identiteteve ballkanike. Fotografia: Arber Sefa

A mund ta ndani një çast të paharrueshëm apo ndonjë koment nga komuniteti, qoftë nga “Balkanism” apo Kolektivi Ballkanik i Londrës, që ka lënë përshtypje të madhe te ju?

E kishim një person të ri jo-binar, i cili frekuentonte këto ngjarje, thuajse vazhdimisht. Në ngjarjen tonë të fundit, erdhi tek unë te hapësira ku pihej duhani dhe më tha: “Arbër, s’e ke idenë se sa ka rëndësi kjo për mua. S’e ke idenë se çka ke bërë për mua, për vite me radhë, nuk ia kam dalë të lidhem me identitetin tim kulturor, por ti ke arritur ta integrosh atë tek unë”. Ishte moment kaq i mirë ta përjetosh, sepse gjithmonë kam dashur diçka të tillë kur kam qenë i ri dhe nuk e kam pasur kurrë. Tingëllon e zakonshme, por nuk mund ta ndiesh atë që nuk mund të shohësh, nëse kjo ka kuptim.

Përmes “Balkanism”, mendoj, një nga momentet më me ndikim ishte një grua e re që është gjysmë kosovare dhe gjysmë palestineze. Kur filluam të postonim për Palestinën, na dërgoi një mesazh shumë të gjatë duke thënë se “praktikisht keni ndërlidhur të dy identitetet e mia kulturore në këtë hapësirë ​​dhe ka kaq shumë rëndësi të shohësh që njerëzit e Ballkanit gjithashtu mbështesin njëmend Palestinën”. Këto çaste të ndjeshme të njerëzve, që shfaqin vetëm mirënjohjen e tyre, janë gjëja më e mirë. Kemi organizuar edhe një dasmë të “Balkanism”. Dy persona u takuan përmes faqes dhe përfunduan duke u martuar me njëri-tjetrin dy vjet më vonë.

 

Imazhi i ballinës: Iva Mareva

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.