Mentorimi | Arsimi

Arsimi online: Dështim apo sukses?

Nga - 31.03.2021

Si është përshtatur me të ardhmen një sistem tashmë i rënduar?

Vëllai im 12 vjeç Trim Ferizi është një nga 317,223 nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme që kanë qenë pjesë e mësimit në distancë në Kosovë nga marsi 2020. Mbi 9,000 nxënës nuk kanë marrë pjesë fare.

Më herët isha e mësuar që ai ta kalonte tërë ditën në shkollë dhe kur kthehej në shtëpi nuk i dilte kohë për ndonjë gjë tjetër përveç detyrave para se të binte në gjumë. Sidoqoftë, ngujimi dhe arsimi online e kanë ndryshuar këtë situatë. “Që nga dita e parë e mësimit në distancë kam dashur të kthehem në shkollë”, thotë ai.

Si studente universiteti që po ashtu i nënshtrohet mësimit në largësi kam vërejtur mënyrën se si kjo ka ngarkuar vëllain tim, i cili nisi të endej me pizhame nëpër banesë tërë ditën për ta gjetur vendin me lidhjen më të mirë të internetit për të hyrë në mësim.

Pak kohë pas mbylljes së shkollës së tij private, Trimi takohej virtualisht me shtatë nxënës të klasës dhe mësuesen për ta mbajtur mësimin sipas orarit të rregullt. Ndryshe nga shkollat publike, madhësia e klasave virtuale — sikur edhe në jetën reale — ishte më e vogël dhe më e menaxhueshme, sipas arsimtarëve të shkollave private. Platformat që përdornin kanë qenë po ashtu të ndryshme nga ato të propozuara nga Ministria e Arsimit (MA), gjë që lë të nënkuptohet se rezultatet e mësimit në distancë në shkollat publike dhe ato private do të dallojnë dhe pasojat do të shfaqen më vonë. MA-ja nuk u është përgjigjur kërkesave të vazhdueshme për t’u intervistuar për këtë artikull.

Çdo nxënësi të Shkollës Finlandeze në Kosovë i është dhënë iPad për të marrë pjesë në orë të mësimit dhe për të kryer detyra. Gjatë këtij procesi kanë përdorur Microsoft Teams, e cila ka qenë platformë e panjohur për ta deri në atë kohë. Sfida për Trimin dhe moshatarët e tij nuk ka qenë përdorimi i teknolojgisë për ta ndjekur mësimin online; kjo është tashmë diçka thelbësore për brezin e tyre.

Trimi nuk mendon se mësimi online ka zëvendësuar aspektet shoqërore të shkollës. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Vështirësitë e tyre ishin tjetërsoj. Për shumë nga ta, shkolla është vend ku takohen me shokët e shoqet çdo ditë dhe ku mund të shprehen, por mësimi në distancë ua ka vjedhur këtë kënaqësi. “Pjesa më e keqe është se ndihesha i vetmuar dhe i mërzitur, madje ndonjëherë i pikëlluar”, thotë Trimi. “Më mungonte të isha me një grup shokësh dhe ndjenja e të qenit mes njerëzve të moshës sime, më mungonte të flisja me ta e kështu me radhë”.

Pushimet e shkurtëra mes orëve, të cilat nxënësit i kalonin duke luajtur jashtë sa ishin në shkollë, tash plotësoheshin nga intervale lajmesh që Trimit i dukeshin bezdisëse. “Kur isha në orët [virtuale] ndihesha sikur në flluskë dhe nuk kisha idenë se çfarë ndodhte rreth meje”, thotë ai. “Pastaj, çdo herë që shfaqeshin lajmet dilja në ballkon dhe thjesht i shikoja rrugët e zbrazura”.

Laptopi tepër i nevojshëm

Erdoan Zymeri, një çun ashkali i klasës së katërt nga Fushë-Kosova, është një tjetër nxënës të cilit i kanë munguar shokët gjatë mësimit në distancë dhe mbajtja e kontaktit me ta nuk ka qenë aq e lehtë. Nëna e tij Nexhybja tregon se në kohën kur janë mbyllur shkollat “kemi pasur vetëm një smartfon për të gjithë fëmijët”. 

Përdorimi i një mjeti nga shumë fëmijë për të marrë pjesë në mësimin në distancë është një nga arsyet përse disa fëmijë nuk kanë ndjekur arsimin online. Sipas vlerësimit të ndikimit të COVID-19 nga UNDP-ja, 30% të nxënësve kosovarë është dashur ta ndajnë një mjet të vetëm për arsimin online. Nexhybja, e cila ka parë se si katër nga pesë fëmijët e saj i janë nënshtruar mësimit në distancë, ka pasur shumë brenga për këtë proces. “E dija se kur ishin në shkollë nuk kanë pasur si t’u shmangen librave dhe mësimit”, shpjegon ajo. “Por në shtëpi, druaja se fëmijët do të mbesin prapa, mbase edhe se do të ngelin”.

Në mënyrë që mësimi në distancë të funksiononte së paku përciptazi kërkoheshin përpjekje nga trekëndëshi i prindërve, mësuesve dhe nxënësve, si dhe qasja në teknologji.

Megjithatë, ndryshe nga tre vëllezërit e motrat e tij, Erdoani nuk ka takuar mësuesen ose shokët e shoqet e klasës përmes Zoom-it. Mësuesja thjesht u dërgonte udhëzime me shkrim se si t’i kryejnë detyrat dhe pjesa tjetër ka qenë barrë për ta. “Ndihesha shumë keq sepse isha i ndarë nga shokët dhe nuk dija si t’i bëja detyrat e shtëpisë”, thotë ai. “Në klasë, kurdo që nuk kuptoja e ngrija dorën për të pyetur, por tash s’mund ta bëja këtë”.

Në mënyrë që mësimi në distancë të funksiononte së paku përciptazi kërkoheshin përpjekje nga trekëndëshi i prindërve, mësuesve dhe nxënësve, si dhe qasja në teknologji. Në rastet kur një nga këto mungonte kishte hendeqe në tërë sistemin. Ende nuk ka ndonjë llogari tërësore për ndikimin e përgjithshëm të arsimit online në sistemin e arsimit të Kosovës.

Sipas hulumtimit që kam bërë për një raport të botuar nga Instituti GAP, arsyet për mungesën e një llogarie të tillë dallojnë varësisht nga komunat dhe MA-ja akoma nuk është e gatshme të qartësojë nëse kanë bërë ndonjë studim për këtë aspekt.

Të mos u lihet faji gjithmonë fëmijëve

Endrit Krasniqi jeton në Prishtinë me nënën Artën dhe në kohën kur shkolla e tij Meto Bajraktari ishte mbyllur sikur gjithë të tjerat, ai kishte dalë në klasën e gjashtë me 15 lëndë të reja. Ai ka pasur mundësinë t’i njohë arsimtarët në klasë vetëm për shtatë muaj para se të gjithë të shndërroheshin në zëra dhe fytyra që i takonte vetëm përmes ekranit. 

Endriti ka qenë djalë shumë i angazhuar para pandemisë meqë merrte pjesë në shumë aktivitete jashtëshkollore që ndonjëherë e rraskapitnin. Tri javët pa mësim kur organizohej mësimi në distancë i kanë dhënë pushimin fizik dhe mendor që i duhej në atë kohë, edhe pse thotë se ka qenë stresuese të pritej që të kontaktoheshin nga arsimtarët, duke mos ditur se çfarë po ndodhte.

Posa është vendosur komunikimi, Endritit i është dashur të mësohej me preferencat e secilit arsimtar për dorëzimin e përditshëm të detyrave. “Disa nga ta i donin përmes email-it, disa të tjerë përmes Google Classroom; tash kanë shtuar një platformë të re, E-shkollat; plus Zoom-i. Kanë përzier gjithçka dhe ne duhet të përshtatemi”, thotë ai.

Mësimi në distancë po ashtu u ka hedhur dritë disa aspekteve të shëmtuara të sistemit të edukimit të Kosovës në përgjithësi.

Ndërsa po zbulonte stilin e vet të mësimit dhe po i shfrytëzonte platformat online ku mund t’i shikonte mësimet në video kurdo që i voliste, Endriti kishte ndjenjën se orët në Zoom po bëheshin sfiduese. “Sapo hynim në mësim, në temë, mbaronte koha dhe linim të gjithat në gjysmë. Arsimtarët kalonin shumë kohë duke kontrolluar nxënësit; kush është i pranishëm e kush s’është”, shpjegon ai. “Nuk më pëlqente kjo”.

Endriti thotë se i pëlqente ta mbante kamerën fikur kurdo që ishte opsionale. “Isha më rehat ashtu”, thotë ai. “Mund të qëndroja si të doja gjatë mësimit”. Ai shton se ka vërejtur që ky opsion ua jepte moshatarëve të tij hapësirën për t’iu bishtnuar orëve dhe për të gjetur arsyetime që të mos i ndjekin ato. “Ka pasur njerëz në klasën time që vërtet kanë pasur telashe me [internetin ose rrymën], por disa e përdornin si arsyetim për të mos folur në klasë ose për të munguar”, shpjegon Endriti. “Ata thoshin ‘Arsimtare, jam duke përdorur 4G dhe nuk po punon’ ose gjëra të tilla”, dhe nuk merrnin pjesë në mësim.

Endriti u bë shumë i pavarur dhe nëna e tij Arta mësoi se gjithçka që po ndodhte në shkollë nuk ishte për fajin e tij. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

I pyetur për pjesën më të mirë të mësimit në distancë, Endriti thotë se “ishte mundësia për t’i parë videot më vonë ose për herë të dytë, si dhe ta organizosh ditën ashtu si dëshiron. I shikoja videomësimet në YouTube”, thotë ai, “kur ndihesha në disponim më të mirë për të mësuar, sepse ashtu i bëja detyrat e shtëpisë menjëherë”.

Këto aftësi të menaxhimit shpesh nuk vihen re në klasë sepse nxënësit duhet të jenë të vëmendshëm gjatë gjithë kohës. Rrjedhimisht, prindërit dhe arsimtarët janë befasuar nga ajo se çfarë kanë treguar nxënësit dhe fëmijët e tyre gjatë arsimimit online.

Sikur shumë prindër të tjerë, Arta thotë se gjatë gjysmëvjetorit të dytë në vitin 2020, i cili ishte zhvendosur krejtësisht online, ajo ka pasur mundësinë jo vetëm ta njohë birin e saj më mirë, por edhe arsimtarët. “Njohëm arsimtarët, njohëm fëmijën tonë, si sillet dhe si është në të vërtetë”, thotë ajo. “Mjaft shpesh ua lëmë fajin fëmijëve, pra kam filluar të kuptoj se nuk janë gjithmonë fëmijët ata që duhet të fajësohen”.

Mësimi në distancë po ashtu u ka hedhur dritë disa aspekteve të shëmtuara të sistemit të edukimit të Kosovës në përgjithësi. “Ishte e qartë që arsimtarët nuk ishin të përgatitur”, thotë Arta duke folur për aftësitë e dobëta teknologjike të disa arsimtarëve dhe problemet e tyre me komunikim. “Është dashur pothuajse një muaj për të vënë kontakt. Ishte barrë e rëndë. Kur më në fund kemi vënë kontakt janë lehtësuar gjërat pasi kanë pasur grupe me ne dhe me fëmijët dhe ishte më e lehtë të komunikonim drejtpërdrejt”.

Endriti flet për arsimtarët që “jo vetëm kanë mbajtur kontakt, por edhe kanë shfrytëzuar mundësinë për të na stërngarkuar akoma më shumë dhe për ta bërë më të rëndë sesa ka qenë”. Ndërkaq, arsimtarët që kanë bërë të kundërtën, pra ata që kanë dhënë më pak detyra shtëpie ose kanë qenë më kreativë në mësimdhënie, janë shquar nga të tjerët. “Ka pasur të tillë që nuk kanë stërngarkuar fëmijët dhe që pyesnin për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, thotë nëna. “Ajo na ka lënë përshtypje të mirë”.

‘Arnë që ua vëmë rrobave’

Kohë pas kohe ka qenë vështirë, sidomos për arsimtarët më të vjetër sikur Minire Piraj, mësuese e klasës së pestë në shkollën “Dardania” të Prishtinës me 23 vjet përvojë pune. Minirja e quan arsimin online “arnë që ua vëmë rrobave” që të mund t’i veshim më gjatë. Arsimtarët, prindërit dhe nxënësit pajtohen se kjo kohë ka qenë më fort për mirëmbajtjen e përmbajtjes së mësuar, sesa për të vajtur përpara.

Minirja ka kaluar ditët e ngujimit në fshatin e saj midis paqes së natyrës, ku shpeshherë ka pasur probleme me internetin dhe rrymën. Ajo po ashtu është përballur me sfidën e privatësisë. “Kam dy mbesa dhe tre nipër që nuhatnin se më duhej të punoja dhe vinin menjëherë duke më trokitur në derë dhe bënin zhurmë për të tërhequr vëmendje”, thotë Minirja. “Shpeshherë më është dashur të endem nëpër shtëpi me telefonin në dorë për të gjetur një vend të qetë ku po ashtu mund të lidhesha”. Në raste të tilla, Minirja lidhej me 27 nxënësit vetëm përmes zërit, sepse ndezja e kamerave mund të shkaktonte bllokime të lidhjes.

Mësimi në distancë në Han të Elezit ka shkuar më lehtë për shkak të familjarizimit të arsimtarëve me teknologjinë për planifikimin dhe dhënien e mësimit.

Ajo që Minirja veçon si të dobishme sa i përket mësimit në distancë është koha që mund t’ia kushtonte secilit nxënës veçmas. “Kjo mënyrë e mësimit më ka mundësuar si mësuese t’ia kushtoj kohën secilit nxënës individualisht dhe kjo ka qenë posaçërisht e dobishme për nxënësit që nuk punojnë aq shumë në klasë. Mund të merresha me vështirësitë e secilit nxënës në mënyrën më të mirë për ta dhe këtë s’kam mundur ta bëj para mësimit në distancë”.

Sidoqoftë, ndarja e kohës për punë individuale me 27 nxënës, përfshirë një me sindromën Down që duhej të kontaktohej përditë me Viber, nuk ofron luksin e kohës për përgatitjen e mësimeve. “Nuk kam përdorur sllajde; ashtu ndërlikoheshin gjërat. Po ashtu nuk kam pasur shumë mjete në punë dhe tashmë kaloja shumë kohë duke kontrolluar secilin nxënës individualisht. Pra sllajdet as nuk ishin të lehta për t’i bërë, as të nevojshme”.

Minirja ka shpenzuar më shumë kohë me mësime individuale për nxënësit. Foto: Agan Kosumi / K2.0.

Një nga gjetjet e raportit të GAP-it është që komuna e Hanit të Elezit është e vetmja që ka mundësuar laptopë për 110 mësuesit dhe arsimtarët e saj. Raporti po ashtu tregon se laptopët e shpërndarë shumë vjet para pandemisë kanë shfaqur nevojën për posedimin e kompjuterëve privatë. Si rrjedhojë, mësimi në distancë në Han të Elezit ka shkuar më lehtë për shkak të familjarizimit të arsimtarëve me teknologjinë për planifikimin dhe dhënien e mësimit.

Arsimtarët në komunat e tjera të Kosovës nuk kanë qenë aq të privilegjuar. Përveç që nuk u janë dhënë pajise për punë gjatë ngujimit (në shtëpi, shpeshherë nuk kanë pasur asnjë nga burimet që zakonisht kanë në klasën tradicionale), arsimtarëve po ashtu as nuk u janë rritur rrogat, as nuk janë mbështetur në ndonjë mënyrë tjetër, sipas raportit të GAP-it.

Mësimet e marra

Mësimi në distancë dhe pandemia në përgjithësi kanë ndryshuar përgjithmonë mënyrën si e shohim teknologjinë në arsim. Murat Sahin, kreu i UNICEF-it në Kosovë, organizata që ka ndihmuar për krijimin e platformës E-Shkollat, ka thënë për K2.0 se arsimi i digjitalizuar (siç e kemi përjetuar pjesërisht gjatë mësimit në distancë) dikur konsiderohej “e ardhmja”, ndërsa tash është bërë domosdoshmëri. Një proces i tillë kërkon shndërrimin e rolit të arsimtarit nga “qendra e dijes” në lehtësues të procesit të mësimit.

Një gjetje në raportin e GAP-it është se menaxhimi i digjitalizimit ende varet nga komunat (Drejtoritë e Arsimit) dhe deri më tash, çdo komunë përkufizon këtë proces ndryshe. Kjo sigurisht se nuk ka ndihmuar shkollat dhe nxënësit të merren me arsimin online në mënyrë më efikase; përkundrazi, mungesa e përgatitjeve teknologjike nga ministria, mungesa e aftësive teknologjike dhe mungesa e pajisjeve në shumë familje të nxënësve kanë qenë faktorët më të spikatur që kanë penguar mësimin në distancë në Kosovë.

Një vit prej fillimit të këtij procesi, nxënësit, prindërit dhe arsimtarët kanë marrë mësime nga përvojat e tyre. Një mësim i përbashkët është që parapëlqejnë mësimin ballë për ballë në vend të atij virtual. Arsimtarët kanë mësuar se profesioni i tyre nuk po vdes dhe se ka mënyra më novatore për ta praktikuar atë; dhe prindërit kanë mësuar se më herët kanë nënçmuar punën që bëjnë arsimtarët me fëmijët çdo ditë.

Në fund, një nga mësimet më të rëndësishme që mësimi në distancë ua ka dhënë nxënësve është se ata janë të aftë ta përballojnë vetë pjesën dërrmuese të procesit të mësimit në shkollë. Erdoani ka pasur mundësinë t’i ushtrojë aftësitë me kompjuterin ndërsa shikonte videomësimet  veçmas; Trimi ia ka dalë t’i kryejë detyrat, si dhe të mos e lë situatën me pandemi ta ndikojë negativisht; dhe në fund, Endriti përmbledh atë që të gjitha personazhet e tjera, nxënësit, arsimtarët ose prindërit, kanë përmendur në intervistat e tyre: “Kam mësuar se nuk duhet të bëj gjëra për mësuesit, por duhet t’i bëj për vete”, thotë Endriti.

Imazhi i ballinës: Agan Kosumi / K2.0.

Ky artikull është publikuar si pjesë e Programit të Mentorimit në kuadër të projektit ”Qytetarë-angazhohuni!” të financuar nga BE dhe që implementohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP.  Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.