Në thelb | COVID-19

Arti dhe kultura goditen nga virusi

Nga - 07.04.2020

Izolimi po e ndikon sektorin e artit dhe atë të kulturës.

Kosova po hyn në javën e katërt të izolimit, ndërkohë që shumë njerëz po ushqejnë monotoninë e karantinës me muzikë, art, libra dhe filma. Por, pasojat financiare të pandemisë për sektorin e artit dhe të kulturës mbetet të shihen.

Edhe pse shëndetësia është prioritet, artistët janë posaçërisht të cenueshëm në këtë kohë. Anembanë Evropës, shtetet dhe qytetet kanë nxjerrë pako ekonomike për ta mbështetur artin dhe kulturën.

Zëvendësministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Yll Rugova, ka lëshuar një njoftim publik për masat emergjente financiare të propozuara për ta përkrahur sektorin. Si pjesë e planit mbështetës të krijuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve për t’i ndihmuar qytetarët t’i tejkalojnë vështirësitë financiare të shkaktuara nga COVID-19, pesë milionë euro do t’i shtohen buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për t’u shpërndarë si grante në institucionet kulturore dhe klubet sportive.

Artistët e pavarur dhe organizatorët e ngjarjeve kulturore mbesin pa një mbrojtje që do t’ua siguronte jetesën gjatë situatave emergjente. Ngujimi i zgjatur pa mbështetje mund të ketë pasoja të rënda për skenën e artit të pavarur në Kosovë, një sektor që tashmë po përjeton tendosje ekonomike.

Edhe pse është e paqartë se si do të shpërndahet fondi emergjent, nevoja për mbështetje financiare nga qeveria do të jetë jetike.

“Përveç granteve të dhëna nga komunat, ministritë dhe nga disa institucione të tjera shtetërore, nuk kam dijeni për ndonjë ligj që rregullon ndihmat financiare shtetërore për artistët dhe punëtorët e tjerë të pavarur. Për këtë arsye, grantet shtetërore janë të domosdoshme për vazhdimësinë e punës artistike”, thotë juristja Rina Kika.

Nga po ikën muzika?

Për artistët performues, ndalimi i jetës përkthehet në ndalim të të ardhurave. Koncertet dhe performancat varen prej audiencave të mëdha, kudo qofshin ato, dhe anulimet kanë ndikim të rëndë financiar te artistët.

“Si muzikantë të pavarur ose të vetëpunësuar në Kosovë dhe në Ballkan nuk kemi mbrojtje të mjaftueshme që do të na ndihmonte ta përballojmë situatën.”

Bajram Kafu Kinolli, Gipsy Groove

Oda Haliti, një DJ e pavarur, po planifikonte që në mars të nisej për “Turneun Evropian 2020” të shumëpritur. Por që nga vendosja e izolimit, 15 ndeja të saj është dashur të anulohen si masë parandaluese.

“Për të thënë të drejtën, ndihem mjaft e panikosur për financat e mia, por do të mbahem për të parë se si do të zhvillohet situata”, thotë Haliti. “Jam e vetëdijshme se shumica prej nesh nuk mund ta përballojnë mungesën e të hyrave për një kohë… por shëndeti është më i rëndësishëm”.

Haliti shton se “arti gjithmonë ndikohet i pari”, dhe shpreson që qeveria ta marrë këtë me seriozitet dhe ta gjejë një mënyrë për t’i mbështetur entitetet artistike dhe kulturore.

Bendi Gipsy Groove tashmë është dashur t’i anulojë më se 10 koncerte, që do të thotë se gjashtë anëtarët do t’i humbin të hyrat për dy muaj. Bajram Kafu Kinolli thotë se “si muzikantë të pavarur ose të vetëpunësuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit nuk kemi mbrojtje të mjaftueshme prej ndonjë ligji apo akti që do të na ndihmote ta përballojmë situatën”.

Ai shton se “e ardhmja mbetet e paqartë, përveç nëse ne si muzikantë bashkohemi dhe krijojmë një grup për të kërkuar mbështetje të përkohshme prej institucioneve përgjegjëse”.

Shumë muzikantë sikur DJ Oda Haliti duhet të gjejnë mënyra alternative për të performuar gjatë ngujimit. Foto nga Oda Haliti.

Kinolli sheh një kërcënim të madh veçanërisht në paqartësinë e kompenzimit të humbjeve të dy javëve të kaluara. Pavarësia e tij po ashtu po rrezikohet, meqenëse veç muzikës merret edhe me aktivitete muzikore dhe kulturore, gjegjësisht me festivalin e përvjetshëm Erdhlezeti, i cili është i planifikuar për fillim të qershorit.

Oda Haliti dhe Kafu Kinolli kanë shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së koncerteve onllajn për t’i qasur audiencat e tyre.

Muzeu Villa Stuck në Mynih ka organizuar një të tillë për Halitin për ta zëvendësuar një ndejë që është dashur të anulohet. Ajo performoi një set gjysmë-orësh para një ekrani të gjelbër ku ishte montuar pamja e hapësirës ku ishte ftuar të performonte. 

Kinolli po ashtu po e konsideron mundësinë ta organizojë një koncert onllajn ku audienca paguan një çmim të vogël që të zbaviten me muzikën e gjallë të Gipsy Groova nga shtëpitë e tyre.

Skena e kinemasë dhe e festivaleve

Kryeqendra e Kosovës ka një grup të pasur festivalesh që organizojnë lloj-lloj aktivitetesh përgjatë vitit.

Festivali gjashtëditor FemArt do ta mbante edicionin e tetë në Prishtinë në maj, por i gjithi është shtyrë për në tetor të këtij viti. Festivali i organizuar nga ArtPolis zakonisht sjell më se 220 artistë dhe aktivistë nga e tërë Kosova dhe bota me qëllimin e fuqizimit të gruas dhe të drejtave të njeriut.

“Lidhja e humbur mes audiencës është po aq dëmtuese sa humbjet ekonomike. Elementi i drejtpërdrejtë i arteve performuese duhet të mbetet gjallë, madje edhe sot."

Zana Hoxha, ArtPolis

Të gjithë artistët e përfshirë po ndikohen nga kriza COVID-19 sipas drejtoreshës ekzekutive, Zana Hoxhës, e cila thekson se e kishin bërë gati 70% të programit ndërsa kanë mbetur pa u siguruar fondet e nevojshme. Për të gjetur kohë në mënyrë që punëtorët të paguhen dhe që festivali të mos e humbë cilësinë, shtyrja e festivalit ishte mundësia e vetme.

“Për ta zvogëluar ndikimin [financiar] të kësaj situate, i ndajmë të njëjtat mendime me kolegët tanë ndërkombëtarë — qeveria dhe donatorët duhet të marrin masa mbështetëse për ta shpëtuar tërë sektorin e arteve performuese”, thotë Hoxha. “Lidhja e humbur mes audiencës është po aq dëmtuese sa humbjet ekonomike. Elementi i drejtpërdrejtë i arteve performuese duhet të mbetet gjallë, madje edhe sot”.

Fesitvalet e filmit janë po ashtu burim jetik për punëtorët e artit dhe audiencat vendëse e ndërkombëtare. Festivali filmik i njohur ndërkombëtarisht si Pri-Fest, i organizuar nga Vjosa Berisha, sjell filmbërësit nga e tërë bota në qytetin e Prishtinës për t’i prezantuar dhe për t’i shfaqur fimat e tyre. 

Ndonëse festivali është i planifikuar për qershor, Berisha po e shqyrton shtyrjen ose anulimin e e tij nëse nuk rregullohen çështjet financiare. Organizatorët po kërkojnë aplikacione për grante dhe janë në kontakt të ngushtë me donatorët. Megjithatë, ende janë në pritje të përgjigjeve të qarta ndërsa po konsultohen vazhdimisht me partnerët e huaj.

“Në këtë çast po punojmë sikur festivali do të mbahet në qershor”, thotë Berisha. “Por nuk do të rezervojmë hotele dhe nuk do të shesim bileta pa u siguruar që ka përfunduar pandemia”.

Donatorët kryesorë janë Raiffeisen Bank, MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës. Përveç Bankës Raiffeisen, e cila ka garantuar mbështetjen, Berisha nuk ka marrë ndonjë informatë të qartë as nga MKRS-ja, as nga Komuna e Prishtinës. Ajo ende po pret për publikimin e listës së sivjetme të përfituesve nga Ministria.

“Nëse izolimi shkon përtej prillit drejt muajve të verës, natyrisht që do të ketë implikime financiare për DokuFestin dhe DokuKinon.”

Veton Nurkollari, DokuFest

Festivali DokuFest mbahet çdo gusht në Prizren. Kinemaja DokuKino në Prizren është njëra nga kinematë më të vjetra të pavarura në Kosovë, që mbahet hapur tërë vitin nga festivali.

Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, thotë se pandemia po e ndikon qartas skenën kulturore të pavarur në Kosovë, dhe kinemaja nuk përjashtohet.

“Nëse izolimi shkon përtej prillit drejt muajve të verës, natyrisht që do të ketë implikime financiare për DokuFestin dhe DokuKinon”, thotë Nurkollari. “Duhet të gjejmë zgjidhje, qoftë në formë të subvencioneve apo të skemave alternative të programimit dhe ridizajnimit të aktiviteteve të DokuFestit”.

Tash për tash, organizatorët kanë shpresë se festivali do të mbahet në gusht, por po përgatiten për alternativat sikur bartja e edicionit onllajn apo shtyrja e tij nëse situata nuk përmirësohet.

Në ndërkohë, DokuFesti ka bërë partnership me KTV-në për t’i transmetuar filmat e shkurtër të qendrës së produksionit të DokuFestit. Ata po ashtu po e shfaqin festivalin onllajn “Sweet and Short Quarantine” (“Karantina e Ëmbël dhe e Shkurtër”) me filma të shkurtër të prodhuar nga Qendra e Produksionit të Filmave Dokumentarë e DokuFestit si dhe kanë bërë partnershipe me festivale të tjera ndërkombëtare të filmave të shkurtër, sikur “My Darling Quarantine” (“E Dashura Karantinë”); kjo e ofron një program të kuruar onllajn të filmave të shkurtër çdo ditë, dhe audienca mund të votojë për filmin e preferuar.

DokuKino ka pezulluar të gjitha shfaqjet publike, por do të përballen me vështirësi financiare nëse izolimi vazhdon pas prillit.

Në Prishtinë, edhe Kinemaja ABC, edhe Kino Armata subvencionohen nga shteti.

Bajram Shala, i cili e menaxhon Kinemanë ABC, më të vjetrën e llojit të vet që gjendet në qendrën e Prishtinës tash e 20 vjet, ka një staf prej gjashtë anëtarësh. Deri tash nuk ka marrë ndonjë informatë nëse pezullimi i programit do të ketë pasoja për pagat dhe kontratat e punëtorëve. Paga e prillit tashmë është vonuar. Shala është i shqetësuar për atë se ç’do të ndodhë në javët vijuese ndërsa punëtorët merren me punë mirëmbajtëse në kinema.

Alush Gashi, drejtori ekzekutiv i Kino Armatës, thotë se nuk do të ketë shfaqje filmash në mars dhe nuk do të ketë koncerte në prill, duke e shtyrë programin për në verë dhe vjeshtë të hershme në bashkëpunim me donatorin kryesor, Komunën e Prishtinës. Edhe pse humbjet financiare këtu janë të vogla, Armata e mban tërë programin me një buxhet linear dhe varet nga bashkëpunimet dhe shitjet në banak.

Gjatë karantinës, institucionet kinematografike është dashur të gjejnë mënyra alternative për ta risjellë përvojën filmike. “Edhe nëse rrugët janë të zbrazëta, aktivitetet kulturore gjejnë mënyra të tjera për të lulëzuar”, thotë zëvendësministri Rugova, i cili thekson se është një bashkëpunim mes Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) dhe RTK-së për t’i shfaqur filmat më të rinj kosovarë si dhe për t’i transmetuar onllajn.

Jeta e teatrit

Pezullimi i tubimeve publike prej mesit të marsit bashkë me paqëndrueshmërinë politike kanë ndikuar po ashtu në skenën e teatrit. Me rekomandimin e Institutit të Shëndetësisë Publike dhe të MKRS-së, të gjithë teatrot i kanë pezulluar programet deri në njoftimin e radhës, por vështirë se programi do të nisë posa të hiqet nevoja e izolimit.

Ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës financohet tërësisht nga MKRS-ja, drejtori i tij artistik, Adrian Morina, është i shqetësuar për dëmet financiare që mund të pësojnë të gjitha institucionet, përfshirë institucionin e tij.

“Ne varemi nga MKRS-ja. Ende nuk e di se sa do të jetë buxheti për vitin 2020”, thotë Morina. “Kjo nuk është vetëm për shkak të izolimit por edhe si rrjedhojë e ambientit të paqëndrueshëm politik. Kjo nuk është hera e parë që jeta kulturore është goditur më së forti nga shkurtimet e buxhetit”.

“Pa leje na është dashur ta rialokojmë buxhetin e planifikuar për projektet për ta paguar stafin, meqë është obligim moral të mos i lëmë pa paga.”

Florent Mehmeti, Teatri Oda

Teatri Kombëtar ka pezulluar të gjitha performancat për tre muajt e radhës, por shpreson që do të mund t’i risjellë sa më parë. Nëse nuk munden, Morina thotë se “kemi humbur pjesën e parë të sezonit artistik”.

Kjo do të thotë se duhet t’i shtyjnë bashkëproduksionet me shtatë grupe të tjera teatrore nga Evropa, përfshirë teatrin Volksbühne në Berlin. Gjatë muajit të prillit, Morina ka planifikuar transmetimin e drejtpërdrejtë të performancave të mëhershme në faqen e tyre në Facebook. Çdo fundjavë do të shfaqet nga një dramë, duke nisur me “I ligu për mend” dhe “Tregtari i Venedikut” për ta argëtuar publikun.

Morina thotë se skena e pavarur kulturore do të ndikohet më së shumti nga izolimi. Ai shpreson se do të ketë mbështetje të duhur nga qeveria për ta parandaluar një krizë tjetër.

Ndryshe nga Teatri Kombëtar, shtyrja e programit nuk është e mundshme për teatrin më të njohur të pavarur në Kosovë, Teatrin Oda.

Teatri, i cili gjendet në zemër të Prishtinës, është institucion i vetëqëndrueshëm që vepron tash e 17 vjet. Në këtë moment po përballet me dëme të rënda financiare. “Duhet të kujdesemi për shpenzimet me mjetet tona, gjithmonë duke filluar nga zeroja, dhe meqë nuk ka sistem të strukturuar dhe operacional të mbështetjes për skenën e pavarur, ne tashmë jemi në krizë”, thotë drejtori artistik Florent Mehmeti.

Gjasat janë të vogla që Teatri Oda të kthehet në normalitet kur të përfrundojë izolimi.

“Do të jemi të fundit për t’u mëkëmbur, sepse nuk do të mund të veprojmë menjëherë pas ndalimeve”, thotë Mehmeti. “Rezidencat që është dashur të mbahen tash do të duhej të prezantoheshin në Festivalin Hapu në korrik, por e dimë se s’do të mund ta bëjmë një gjë të tillë”.

Anulimi i 20 ngjarjeve gjatë izolimit do të thotë se Teatri Oda nuk do të ketë të hyra të mjaftueshme për të paguar qiranë, punëtorët dhe staftin artistik.

“Pa leje [nga donatorët] na është dashur ta rialokojmë buxhetin e planifikuar për projektet për ta paguar stafin, meqë është obligim moral të mos i lëmë pa paga, dhe nëse i humbasim teatri do të ketë edhe më pak kapacitete për t’u kthyer në normalitet”, thotë ai.

Mehmeti thotë se shtyrja nuk është zgjidhje për skenën e pavarur për shkak të shpenzimeve të vazhdueshme që duhet të mbulohen. Përkundrazi, ajo shkakton më shumë probleme financiare meqë shpenzimet operacionale duhet të vazhdojnë për një kohë më të gjatë pa të hyra. Për shumë hapësira të pavarura, buxheti vjetor tashmë është shpenzuar.

Institucionet bëhen bashkë

Në një njoftim publik në mediat sociale, Ares Shporta, drejtori bashkëthemelues i Fondacionit Lumbardhi, një hapësirë e pavarur kulturore në Prizren, ka thënë se pas tejkalimit të pandemisë, rindërtimi i nismave dhe strukturave të kulturës në shoqërinë civile do të kërkojë angazhime të shumëfishta.

“[Humbja e tyre do ta krijonte] një zbrazëtirë shumë-vjeçare, gjë që do të dëmtonte rëndë shoqërinë kosovare, sidomos në aspektet e diversitetit kulturor, demokracinë shoqërore, shprehjes së lirë si dhe kohezionit të përgjithshëm shoqëror”, ka shkruar ai.

"Artistët performues, aktorët dhe muzikantët janë më të pambrojturit sepse punojnë me kontrata të shkurtra njëra pas tjetrës,”

Florent Mehmeti, Teatri Oda

Institucionet e pavarura të artit — 7 Arte, Anibar, Artpolis – Art and Community, Autostrada Biennale, Cultural Heritage Without Borders Kosova, DokuFest, Shtatëmbëdhjetë, Kino ARMATA, LUMBARDHI, Oral History Kosovo, Qendra Multimedia, Teatri Oda dhe Termokiss — kanë krijuar një grup punues për të lobuar te MKRS-ja që të shpërndajë fonde emergjente në përkrahje të sektorit.

Ministrja Vlora Dumoshi ka kërkuar nga grupi të nisë konsultime për nevojat e tyre dhe t’i përcaktojë pasojat financiare dhe organizuese të anulimit të ngjarjeve publike. Grupi punues do ta diskutojë zbatimin strategjik të granteve si dhe procesin burokratik.

Në një grup tjetër, i cili përfshin të gjithë hisedarët e sektorëve të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të diskutohet buxheti dhe zbatimi i grantit emergjent nën drejtimin e Ministrisë. Shporta dhe Mehmeti janë emëruar si përfaqësues të organizatave dhe hapësirave të pavarura të artit dhe kulturës në këtë grupin e dytë, për të folur rreth nevojave të skenës në nivelin kombëtar.

“Shumica e këtyre masave bashkëpunuese mes institucioneve dhe sektorit të pavarur nuk kanë qenë në fuqi më parë”, thotë Mehmeti. “Gjetja e mekanizmave të rinj do të jetë punë e re, dhe duhet t’i bijmë në fije tash”.

Ndihma për artistët e pavarur

Mehmeti thekson se “artistët performues, aktorët dhe muzikantët janë më të pambrojturit sepse punojnë me kontrata të shkurtra njëra pas tjetrës”.

Një shembull për këtë është artistja e pavarur dhe aktorja Daniela Markaj, për të cilën është gjithmonë vështirë të gjejë punë.

“Tash, edhe projektet për të cilat ke bërë punë të gjatë rrinë pezull”, thotë ajo. “Shumë projekte që është dashur të realizoheshin muajt në vijim janë pezulluar”.

Markaj punon si trajnere teatri në Teatrin Oda dhe për Artpolisin, ku jep mësime dramaturgjike për të rinjtë prej anembanë vendit. Tani për tani ka filluar ta mbajë një kurs onllajn të dramaturgjisë me Artpolisin.

Ajo e sheh të arsyeshme që të financohen artistët e pavarur në veçanti sepse organizatat dhe hapësirat varen prej tyre.

Artistët e pavarur sikur aktorët, muzikantët dhe artistët performues i mbajnë gjallë institucionet artistike, por vetë kanë mbrojtje të mangët. Foto nga Theo Cote.

Mehmeti do të tentojë ta sjellë mu këtë ndërvarësi në takimet formale me krerët e tjerë të grupit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke ngritur zërin jo vetëm për stafin e tij por për të gjithë që sigurojnë jetesën përmes përpjekjeve artistike dhe që japin kontribut jetik për skenën kulturore të Kosovës.

Shumica e artistëve të pavarur paguhen në fund të projektit, por meqë kjo nuk është e mundur tash për tash, Mehmeti dëshiron të negociojë për të pasur më shumë fleksibilitet gjatë mbikëqyrjes së financimit.

“Po kërkojmë më shumë mirëkuptim dhe rekomandojmë që Ministria dhe komunat të kenë më shumë fleksibilitet me kërkesat kontraktuale”, thotë Mehmeti. “Të jepen fondet edhe nëse nuk kemi kryer atë që kemi pasur në mend ta kryejmë”.

Teatri Oda planifikon të transmetojë provat që më vonë do të llogariten si punë për pagesë, duke shpresuar që të lehtësohen barrat financiare të artistëve të pavarur për momentin.

“Tash për tash, Ministria e Kulturës po konsultohet me Ministrinë e Financave për mënyrën se si do të strukturohen fondet, sepse është diçka që zakonisht nuk zbatohet, pra ka shumë pikëpyetje rreth procesit”, thotë Mehmeti.

Ai shpreson se procesi nuk do të jetë tejet burokratik sepse diçka e tillë do rrezikonte përgjigjet për nevojat e secilit.K

Imazhi i ballinës: Edona Kryeziu / K2.0.