Në thelb | Shëndeti

“As nuk kam ditur të kërkoj kontraceptivët e duhur”

Nga - 11.10.2023

Vajzat dhe gratë bartin më së shumti pasojat e mungesës së informacionit rreth kontracepsionit.

Blerta* nga Prishtina vendosi të shkojë për herë të parë te gjinekologu kur ishte 24 vjeç. Meqë kishte filluar aktivitetin seksual, donte të dinte më shumë për shëndetin riprordhues e për mënyrat për t’u mbrojtur nga shtatzënia. 

Në vizitën e saj të shkurtër në Shtëpinë e Shëndetit në qendër të Prishtinës, mjekja ia propozoi disa pilula kontraceptive, të cilat filloi t’i merrte menjëherë. 

Për katër muaj sa i kishte blerë me rregull, as mjekja, as farmacistët/et nuk i kishin folur qoftë për rëndësinë e kontracepsionit, qoftë për mënyrën e funksionimit të tyre a për ndonjë efekt anësor që mund të priste nga kontraceptivët. E rrethuar prej një heshtjeje të përgjithshme kur është fjala për kontraceptivët, ajo u gjend e çuditur kur filloi të ndiejë disa efekte të para. “Çdo ditë kam qenë pa disponim”, thotë Blerta, e cila vetëm pas leximeve në internet kuptoi që në fakt shumë gra kanë ato simptoma.

Një përvojë përafërsisht të ngjashme e kishte edhe Laura* nga Ferizaj, së cilës mjeku i përshkruajti kontraceptivë oralë për shkak të problemeve hormonale.

Si Blerta, as Laura s’dinte shumë për kontraceptivët deri në vizitën e parë te gjinekologu. Prandaj, kishte shfrytëzuar rastin ta pyeste mjekun se çka do të thoshte përdorimi i kontraceptivëve. Mjeku nuk ia kishte zgjatur shumë.  

Edhe shumë gra e vajza tjera në Kosovë nuk kanë qasje në informacion të saktë e të hollësishëm rreth kontracepsionit e mjeteve kontraceptive në veçanti dhe rreth shëndetit riprodhues e seksual në përgjithësi. 

Kjo ndikon drejtpërsëdrejti në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Kontracepsioni, bashkë me njohuritë për ekzistencën e tij, është qendror në përpjekjet për drejtësi gjinore. Duke u mundësuar grave dhe vajzave të marrin vetë vendimet për trupat e tyre, sidomos kur është fjala për shmangien e shtatzënive të padëshiruara, krijohet hapësirë që ato të mund përfshihen në shoqëri, në edukim e aktivitet ekonomik. 

Informata të pakta e të mangëta

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) qasja në informata për kontraceptivë dhe në kontraceptivë është thelbësore për shëndetin e njerëzve. Edhe Ligji për Shëndet Riprodhues në Kosovë përkufizon të drejtën riprodhuese edhe si të drejtë për të pasur qasje në informatë. 

Një mënyrë për ta siguruar këtë qasje në informacion është integrimi i edukimit seksual në kurrikulat shkollore. 

Blerta tregon se gjatë shkollimit të saj ajo nuk ka mësuar për shëndetin riprodhues e aq më pak për metodat mbrojtëse nga shtatëzania. 

Ndërkohë, gjinekologu obstetër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Berat Krasniqi, thotë që mungesa e informatave në lidhje me kontraceptivët oralë është një zinxhir, që duhet të përfshijë shumë institucione, duke filluar nga shkollimi fillor.

Megjithatë, përkundër diskutimeve të njëpasnjëshme në domenin publik, Kosova vazhdon të mos ketë një lëndë të veçantë për edukim seksual. Aspekte të ndryshme të edukimit seksual e riprodhues përfshihen nëpër lëndë të ndryshme në sistemin arsimor të Kosovës. Por, mungon një qasje gjithëpërfshirëse, që do e trajtonte edukimin seksual përtej thjesht aspektit biologjik, duke u zgjeruar edhe te të drejtat seksuale e riprodhuese.

Në fund të vitit 2022, institucioni i Avokatit të Popullit përpiloi një raport ex-oficio, drejtuar institucioneve kryesore, që janë përgjegjëse për t’u siguruar qytetarëve të Kosovës qasje në të drejtën në shëndet seksual dhe riprodhues dhe në informata dhe shërbime kontracepsioni. Ky hetim është ndarë në tri faza. 

Faza e parë përfshin analizë të kornizës ligjore vendore dhe ndërkombëtare; e dyta kontaktet me grupet e synuara, siç janë organizatat e shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave seksuale e riprodhuese dhe fokus-grupet me gratë nga e gjithë Kosova dhe e treta, grumbullimin e të dhënave përmes komunikimit ndërinstitucional, si takime me autoritetet  politikëbërëse, ligjzbatuese dhe autoriteteve lokale, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve shëndetësore nga fusha e shëndetit seksual dhe riprodhues. 

Në këtë raport, çështja e edukimit seksual renditet si ndër hapat më të rëndësishëm që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) duhet t’i ndërmarrë. Ndër tjera, raporti thotë: “MAShT duhet siguruar se edukimi seksual gjithëpërfshirës i përshtatshëm për moshën ofrohet si lëndë e rregullt për të gjithë fëmijët edhe adoleshentët në shkollat e Kosovës”. 

Raporti po ashtu, vë theksin te rëndësia e trajtimit të temave si anatonima, fiziologjia seksuale, marrëdhëniet ndërnjerëzore, infeksionet seksualisht të transmetueshme, seksualitetin, diversitetin seksual, dhunën e bazuar në gjini. 

Kështu, në Kosovë qasja në informatë është e dobët dhe grave kryesisht u duhen të mbështeten në të dhëna në internet apo biseda me rrethin. Blerta tregon se për pilulat kontraceptive ajo kishte dëgjuar vetëm nga bisedat me gratë tjera të rrethit të saj familjar e shoqëror, por asnjëherë nga një profesionist shëndetësor. 

Një kontekst tillë i lë kryesisht gratë të painformuara për të drejtat e tyre riprodhuese e seksuale — e edhe të habitura e papërgatitura. 

Pa komunikim 

Mungesa e informatave, përpos që pengon qasjen në kontracepsion, manifestohet edhe në përdorimin e kontraceptivëve të gabuar, që nuk u përgjigjen nevojave të grave.

Urata* nga Gjakova, sa ishte 26-vjeçare, pas marrëdhënies seksuale, nga frika mos është shtatzënë shkoi për të blerë një kontraceptiv emergjent. Duke mos pasur njohurinë e duhur për pilulat kontraceptive, ajo në farmaci kërkoi vetëm pilula “kundër shtatzënisë”. Farmacistja i kishte dhënë kontraceptivë oralë që përdoren për periudha më afatgjata për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara, por jo kontraceptiv emergjent, që merret për ta parandaluar shtatzëninë deri në 72 orë pas marrëdhënies së pambrojtur seksuale.

“Unë nuk kam ditë dhe i kam marrë për tri ditë rresht, nga një. Më pas e kam kuptuar që unë as nuk kam ditur të kërkoj kontraceptivët e duhur. Pasi, nëse dëshiron kontraceptivë emergjent atëherë duhet t’ia cekësh farmacistit”, thotë Urata.

Sipas raportit të Avokatit të Popullit, 37% e grave dhe vajzave të intervistuara kanë thënë se profesionistët shëndetësorë nuk i kanë informuar për mjete kontraceptive. 

Leonidë Molliqaj, drejtore e Qendrës për Informim Kritikë dhe Aksion – QIKA, mendon se mungesa e komunikimit mjek-pacient është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për qasjen në kontraceptivë. Sipas saj, në Kosovë të gjitha llojet e kontracepsioneve janë pak të përdorura e kjo për shkak të stigmës rreth tyre. 

Edhe në raportin e Avokatit të Popullit thuhet se nuk bëhet mjaftueshëm në këtë drejtim. “Informimi ofrohet kryesisht kur ka kërkesa nga vetë gratë apo adoleshentet/ët, por nuk ka iniciativë nga vetë personeli shëndetësor në dhënien e informatave lidhur me rëndësinë e kontracepsionit dhe përdorimin e duhur dhe të sigurt të metodave kontraceptive”.

Ndërkohë, OBSh në vitin 2022 përpiloi standardet e reja të kompetencës për punonjësit shëndetësorë rreth kujdesit për planifikim familjar dhe abortit. Në këto standarde, OBSh theksoi se punonjësit shëndetësorë duhet që, përpos njohurive profesionale, të kenë shkathtësi të fuqishme komunikuese, ashtu që të jenë të pajisur që t’i dëgjojnë pacientët në mënyrë aktive dhe ta përçojnë mirëfilli informacionin.     

Ende subjekt i stigmës

Përpos mungesës së një lënde shkollore gjithëpërfshirëse e moskomunikimit prej mjekëve dhe farmacistëve, shëndeti seksual në Kosovë vazhdon të jetë subjekt i stigmës dhe paragjykimit — arsye prapa vendimit të tri grave të intervistuara për të mos zbuluar identitetin e tyre për këtë artikull. 

Kjo stigmë manifestohet qoftë në shkolla, kur dikush përpiqet të bëjë pyetje rreth edukimit seksual dhe përballet me tallje apo kapërcim të faqes së librit, qoftë edhe nga ofruesit e shërbimeve shëndetësore. Stigma vazhdimisht e pengon kërkimin e këshillave apo vetë qasjen në shërbime cilësore të shëndetit seksual e riprodhues.

Kur kishte dashur të blejë kontraceptiv emergjent, Urata tregon se për shkak të drojës që kishte nëse farmacist/ja do e njihte, iu desh të shkojë diku fare larg shtëpisë së saj. OBSh konsideron se si njerëzit e perceptojnë përkujdesin shëndetësor ndikohet nga sjelljet e punonjësve shëndetësorë, të cilët duhet të jenë efektivë, të mos gjykojnë dhe ta vendosin pacientin në qendër të praktikës së tyre. 

Tabuizimi i shëndetit seksual përgjithësisht konsiderohet një prej fajtorëve për numrin e ulët të vizitave rutinore te gjinekologu, gjë që mund të rrezikojë edhe jetën e vajzave e grave, për shkak të vonesave potenciale në diagnostikim të sëmundjeve më të rënda. Edhe Avokati i Popullit në raportin e vitit 2022 konstaton se gratë dhe vajzat nuk janë mjaftueshëm të informuara për rëndësinë e konsultave dhe vizitave gjinekologjike, në të gjitha fazat e jetës.

Molliqaj problematizon stigmën e përgjithshme që sipas taj e rrethon shëndetin seksual e riprodhues. Kjo temë flitet vetëm kur “flasim për lindjen, pra vetëm brenda rolit të amësisë”, thotë ajo. Kështu, Molliqaj gjykon që në Kosovë duhet të rimendohet mënyra se si flitet prë seksin, kontracepsionin, gjininë, seksualitetin dhe shëndetin riprodhues e seksual dhe të përfshihen të gjitha gjinitë në këto diskutime.

“Këtu rolin kryesor duhet ta kenë institucionet e shëndetësisë e në veçanti Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit. Ne nuk kemi vërejtur fushata ndërgjegjësuese nga këto institucione lidhur me shëndetin riprodhues, e aq më pak për kontracepsionin”, thotë ajo.

Edhe Avokati i Popullit në raportin e vitit 2022 fton që të ketë trajnim të vazhdueshëm për mjekët, infermierët dhe mamitë në ofrimin e informatave të duhura për kontraceptivët, përfshirë eliminimin e paragjykimeve dhe ofrimin e këshillimit për planifikimin familjar për pacientët, qe te mund te bëjnë zgjedhje të pavarur dhe informuar rreth përdorimit të kontraceptivëve. 

Molliqaj ndërkohë konsideron se edukimi mbi shëndetin seksual dhe riprodhues do i aftësonte vajzat dhe të rinjtë me informatat e duhura për shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin e tyre dhe që mungesa e informatave po i lë shumë vajza e gra pa informata dhe shërbime të duhura shëndetësore.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

* Emrat Blerta, Laura dhe Urata janë pseudonime për të ruajtur privatësinë e grave të intervistuara.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.