“Ka qenë nder dhe privilegj të jem Presidentja juaj. Ju përkulem përjetësisht! Ju faleminderit! Udhëtimi ynë nuk ndalet këtu. Bashkë do ta bëjmë Kosovën”, kishte shkruar Atifete Jahjaga në prill të vitit 2016, pas përfundimit të mandatit të saj pesë vjeçar në krye të Presidencës së Kosovës.
Gati tri vite pas, Jahjaga vazhdon të jetë e rezervuar dhe diskrete sa i përket të ardhmes së saj të mundshme politike. Por, rrugëtimi i saj vazhdon të shënohet me çështjet kryesore që i kishte në fokus si Presidente e vendit – të drejtat e grave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
E lindur në Rashkoc të Gjakovës, Jahjaga shquhej për karrierën e saj të gjatë në polici. Ajo ka qenë zyrtare e Policisë së Kosovës që nga themelimi në vitin 2000, ndërsa nga viti 2009 ka shërbyer si zëvendës drejtoreshë e Policisë së Kosovës, duke mbajtur gradën e gjeneral nënkolonelit.
Në vitin 2011 Atifete Jahjaga ishte bërë presidentja e parë grua në Kosovë dhe në historinë moderne të Ballkanit perëndimor. Edhepse shumë kritikë aludonin në pafuqinë e saj politike të bëjë reforma prej pozitës së saj prej presidenteje, Jahjaga në masë të madhe u vlerësua si liderja që ka ndikuar më së shumti në imazhin pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare. Në vitin 2012 ajo organizoi Samitin Ndërkombëtar të Gruas ku morrën pjesë më shumë se 200 gra lidere nga e gjithë bota.
Jahjaga është anëtare e Këshillit të Grave Lidere të Botës, ku vazhdimisht është ftuar për të marrë pjesë në shumë konferenca globale për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, përfshirë Samitin e parë Global kundër Dhunës Seksuale në Londër në 2014. Përmes themelimit të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe instalacionit artistik “Mendoj për ty” të vitit 2015 që e kishte nën patronazh, Jahjaga krijoi momentum në diskutimin për përkrahjen institucionale të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë.
Vitin e kaluar Jahjaga themeloi Fondacionin Jahjaga, i cili do të fokusohet kryesisht në fuqizimin e grave në integrimin dhe avancimin e tyre në shoqëri, si dhe gjithashtu me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, si luftimi i korrupsionit, dhe ekstremizmi i dhunshëm.
“Është ai vizioni im dhe trashëgëmia që unë kam dashur, që të fuqizojë gratë dhe rininë në mënyrë që ata të marrin përsipër dhe të marrin përgjegjesinë se çka është e nevojshme të ndërtohet në këtë shoqëri,” tha Jahjaga për K2.0. “Duke fuqizuar atë që është baza themelore e shoqërisë së Kosovës, që është pjesa më e madhe e shoqërisë, që ta trasojnë një rrugë të qëndrueshme për zhillimin, emancipimin dhe fuqizimin e tyre të vazhdueshëm”.
Duke lënë pas një vit të aktivizmit të rritur e shquar për barazi gjinore, qoftë në aspektin global apo atë lokal, K2.0 u takua me ish-Presidenten Atifete Jahjaga për të diskutuar rreth nevojës për përfshirje më të madhe të grave në procese vendimmarrëse politike, përkushtimit të saj për njohjen institucionale dhe shoqërore të mbijetuarve të dhunës seksuale, dhe luftimin e seksizmit në politikë.
Atifete Jahjaga. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
K2.0: Nëntë burra janë pjesë e grupit të ri negociator në bazë të rezolutës së Partisë Social Demokrate (PSD) në fazën më të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësimi në bisedimet finale në mes Serbisë dhe Kosovës menjëherë e riprodhon një situatë në të cilën bëhet përjashtimi i përfaqësimit të grave në procese të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës. Si e shihni këtë delegacion në kuadër të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parasheh marrjen parasysh të perspektivës gjinore dhe zmadhimit të rolit të grave në përpjekjet për paqe dhe siguri?
Atifete Jahjaga: Rezoluta 1325 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), është një udhërrëfyes i mirë i cili kontribuon gjithmonë rritjes së përqindjes së grave, sidomos avancimit së pozitës së gruas në të gjitha nivelet e vendimmarrjes dhe veçanërisht në fushën e sigurisë. Mirëpo, fatkeqësisht Rezoluta 1325 ka më shumë një karakter të udhëzimit apo të rekomandimeve dhe nuk ka peshë apo fuqi obligative ndaj shteteve apo institucioneve të cilat e adoptojnë. Vetë OKB funksionon në atë mënyrë që nuk ka ndonjë mekanizëm të vendosjes së një sanksionimi për ato vende të cilat e zbatojnë apo nuk e zbatojnë [rezolutën]. Thjesht mbetet në vullnetin e mirë të shteteve apo të institucioneve ta zbatojnë apo të mos e zbatojnë këtë rezolutë.
Ju e dini shumë mirë që Rezoluta 1325 është miratuar në vitin 2000 [në Këshillin e Sigurimit të OKB-së] dhe Agjencioni për Barazi Gjinore [brenda zyrës së Kryeministrisë] ka draftuar dhe miratuar një plan të veprimit [zyrtarisht në 2014], i cili është dashur të shkrihet përbrenda institucioneve të Kosovës dhe të zbatohet. Por nga ajo ditë deri më sot unë nuk kam hasur në një zbatim të plotë, përveç të pjesshëm të kësaj rezolute.
T’i kthehem konktretisht pyetjes tuaj. Me të vërtetë është dëshpëruese përbërja e ekipit negociator të Kosovës për dialogun në mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë. Ky është një mesazh i qartë që Kosova dhe institucionet e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme nuk e shohin gruan si pjesë të këtyre tavolinave vendimmarrëse. Sidomos nuk duan ta bëjnë gruan si hisedare të këtyre proceseve që janë jetike për të ardhmen e vendit tonë.
Nuk ka të bëjë vetëm përfaqësimi i gruas në këtë aspekt si një individ, mirëpo po lihet anash mbi 51 përqind e popullsisë së Kosovës dhe zërit të tyre në një tavolinë ku diskutohet e ardhmja e një vendi dhe qytetarëve të saj, duke shtuar elemente shtesë që gruaja ka qenë si cak i represionit dhe i krimeve që janë bërë në Kosovë në këto dy apo tre dekada të fundit. Dhe tërë kohën gruaja po përmbahet jashtë të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe është një padrejtësi e madhe që i bëhet përfaqësimit të gruas në Kosovë.
Viti 2018 tashmë konsiderohet si vit i aktivizmit të grave. Në Afrikën Jugore dhe Indi ka pasur protesta të mëdha kundër dhunës seksuale. Në Irlandë, Argjentinë dhe Poloni kundër ligjeve të rrepta që shtypin të drejtën për abort. Në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë lëvizja #Metoo ka kërkuar llogaridhënie për abuzimet sistematike prej burrave në pozita me fuqi në industrinë e filmit të Hollywood-it e deri tek përfaqësuesit politik. Si e shihni impaktin dhe ndërlidhshmërinë e këtyre zhvillimeve, si në aspekt global, por edhe pastaj në atë lokal?
Unë nuk e kisha ndarë njërën nga tjetra pa marrë parasysh se në cilën pjesë të globit bëhen këto organizime. Të gjitha këto iniciativa kanë një kërkesë bazike – atë për avancimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe thjesht që gruaja të trajtohet në mënyrë të barabartë.
"I gjithë ky aktivizëm tregon që çka është mjaft është mjaft, që koha ka ardhur të veprojmë".
Kërkesat e tyre ose kërkesat tona në përgjithësi janë kërkesa të natyrshme dhe legjitime; qoftë protestat e organizuara nga gratë dhe aktivistët në Washington apo qendrat tjera të SHBA-ve apo Evropës kundër abuzimeve seksuale; qoftë protestat e organizuara nga ana e grave dhe aktivistëve në Irlandë për të përkrahur legalizimin e abortit; qoftë protestat të oganizuara nga gratë apo aktivistët në kryeqendrat e Azisë, Lindjes së Mesme, apo të Afrikës, që janë kundër diskriminimit të vazhdueshëm të gruas.
Janë protesta që kërkojnë respektimin e të drejtave të grave si të drejta themelore njerëzore. Dhe gjithmonë kur e përmendi këtë frazë më vjen në mendje një shprehje domethënëse nga ana e një aktivisteje shumë e fuqishme në nivelin global; një mike e madhe e imja, apo një mike e madhe e Kosovës, Hillary Clinton, që para tri dekadash është referuar se si “women’s rights are human rights”. Thjesht të drejtat e grave nuk janë asgjë më shumë se të drejta bazike njerëzore. Dhe të gjitha këto organizime që ne po i shohim kanë të bëjnë me kërkesat bazike për të drejtat e grave që ato të kenë një jetë të qetë, që të kenë një jetë të sigurtë, që të kenë një jetë të dinjiitetshme, që të kenë qasje të barabartë në drejtësi e pronë, në kërkesat e punës dhe punësimit të tyre dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë në jetën institucionale dhe shoqërore.
Jahjaga dhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, më 14 dhjetor 2011 në Departamentin e Shtetit në Uashington, ku nënshkruan Marrëveshjen SHBA-Kosovë, për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Pronave të Caktuara Kulturore. Fotografia aktualisht varet edhe në zyrën e Jahjagës. Foto e huazuar nga Atifete Jahjaga.
I gjithë ky aktivizëm që ne kemi parë në vitet e fundit, e në veçanti në 2018, ku të gjithë u sinkronziuan në të njëjtën kohë nga njëri cep i globit në tjetrin, tregon që çka është mjaft është mjaft, që koha ka ardhur të veprojmë. Nuk është imja apo e juaja, por që të gjithë duhemi të veprojmë në mënyrë të barabartë nëqoftëse duhet të arrijmë suksesin që dëshirojmë të shohim. Unë pres që kjo frymë që ka filluar të vendoset në nivelin global do të vazhdojë dhe duhet të vazhdojë.
Po ashtu Kosova në vitin 2018 ka parë një momentum tjetër të aktivizmit që vitet e fundit po bëhet përmes kolektivit feminist MARShojmë S’Festojmë. Thirjet për t’i dhënë fund patriarkisë, pjesëmarrje të barabartë në tregun e punës dhe denoncimet kundër homofobisë dhe transfobisë tashmë janë bërë motot e protestave të kolektivit feminist. Cilat janë kauzat që ju bëjnë të dilni në rrugë dhe të protestoni bashkë me aktivistët?
Shumë herë kam dalë edhe publikisht në përkrahje të iniciativave të tilla, qoftë përmes deklaratave, qoftë përmes pjesëmarrjes sime fizike nëpër marshe e protesta të shumta. Të gjtha që ne i kemi parë përbrenda këtyre viteve të fundit nga aktivistë të shumtë, nga shoqëria civile, bazën e kanë në Kushtetutën e Kosovës dhe në ligjet e Kosovës. Dhe thjesht kërkesat e tyre janë kërkesa kushtetuese.
Janë kërkesa legjitime dhe ne si shoqëri, si institucione duhet ta japim maksimumin tonë në mënyrë që sa më shumë të jetë e mundur t’i jetësojmë ato. Qofshin [kërkesat] për të drejtat e grave, rinisë, fëmijëve dhe të gjitha grupeve tjera të margjinalizuara, që fatkeqësisht kanë qenë në hije për shumë dekada dhe jo vetëm si problem i Kosovës, por si specifikë dhe problematikë e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor apo Evropës Juglindore.
Si Presidente e Republikës së Kosovës, gjatë mandatit 2011-2016, unë kam pasur shumë iniciativa të mija të cilat i kam parë si pjesë permanente të punës sime. Jo vetëm që kanë qenë si rrjedhojë e obligimeve të mija kushtetuese dhe ligjore, por sepse besoj fuqishëm në këto parime. Dhe vetëm në këtë mënyrë ne mundemi të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm që i respekton të gjithë, pa pasur kurrfar paragjykimi.
Diçka që kam pasur shumë për zemër, që ndoshta edhe nuk ka qenë obligim i imi kushtetues, në thonjëza e them, ka të bëjë me statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një numër shumë i madh, rreth 20.000 gra dhe burra të Kosovës kanë qenë cak i një prej krimeve më makabre të luftës, ku dhunimi është përdorur si mjet i luftës ndaj tyre. Ne i kemi stigmatizuar për 15 vite pas luftës, dhe për ne si shoqëri ka qenë një temë tabu, një heshtje publike që të gjithë e kemi ditur, por askush se ka marrë guximin të flasë.
Jahjaga u bë një nga fytyrat kryesore të kampanjës “Bëhu Zëri Im”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Medica Gjakova, me qëllimin e adresimit të shoqërisë kosovare në përgjithësi që të bëhet zëri i viktimave, nëpërmjet pranimit dhe empatisë së shprehur, duke ia nisur nga familja e deri te komunitetet dhe institucionet. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Prandaj unë duke përdorur autoritetin e institucionit të presidentit të vendit e kam marrë si mision timin që ta shtyjë një kauzë që ka të bëjë me interesin e qytetarëve të Kosovës, duke i’a nisur nga rehabilitimi dhe socializimi i tyre e deri te kjo e fundit – qasja në drejtësi. Unë kam vazhduar edhe pas mandatit duke përdorur mandatin si ish-Presidente e vendit, por edhe përmes Fondacionit Jahjaga.
Së fundmi Fondacioni ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me Odën e Avokatëve të Kosovës që do të ofrojnë shërbime probono ndaj të gjithë mbijetuarve për ndërtimin e rasteve të dhunimit gjatë luftës, të cilat do t’i referohen Prokurorisë së Kosovës. Deri tani, përplot 20 vite, nuk kemi asnjë kryrës qoftë në Prokurorinë e Kosovës, qoftë në Prokurorinë e Serbisë, apo në Gjyktata Ndërkombëtare, i cili është dënuar për këto vepra. Pra është një pjesë që unë e kam pasë shumë për zemër dhe është një mision apo premtim që unë ju kam dhënë të mbijetuarve, se nuk do të rresht së punuari derisa të del në shesh e drejta e të gjithë mbijetuarve të dhunës seksuale.
A është kjo iniciativë si përpjekje që njëfarë mënyrë aludon te dështimi institucional për të dhënë drejtësi ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës?
Vet fakti që pas përfundimit të luftës ne nuk e kemi as të vetmin kryrës të dënuar apo të sjellur para drejtësisë për këto krime, për mua ka qenë një sinjal i qartë që ka një hendek shumë të madh institucional, por edhe shoqëror, sa i përket qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo do të plotësohet përmes shërbimeve probono të avokatëve anëtarë të Odës së Avokatëvë të Kosovës në ndërtimin dhe paraqitjen e lëndëve në Prokurorinë e Kosovës.
Por, nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve të Kosovës hetimi i krimeve të luftës. Kompetenca e hetimit të krimeve të luftës ka qenë kompetencë e mekanizmave ndërkombëtar, duke i’a filluar nga policia e UNMIK-ut, pastaj nga policia e EULEX-it. Kemi disa raste [të dhunës seksuale] të cilat janë raportuar pas përfundimit të luftës, por ato kanë rezultuar me rezultate negative pas shkallës së parë, të dytë apo të tretë të ankinimit, e cila me të vërtetë është dekuruajuese dhe i ka shty mbrapa [të mbijetuarit] dhe në njëfar mënyre i ka mbyllë përsëri.
Rrëfimi i Vasfije Krasniqi Goodman në fund të vitit të kaluar krijoi një etapë të re në diskutimin për dhunën seksuale gjatë luftës: asnjëherë më herët nuk është parë një mbështetje e tillë qoftë ajo shoqërore apo institucionale. A jeni optimiste për këtë? Që do të ketë mbështetje për të mbijetuarit, në luftimin e tyre ndaj stigmzës dhe drejtësi? Apo mbështetja e politikanëve do të kufizohet vetëm te ato disa ditë pas rrëfimit?
Vasfija është personi më i guximshëm i këtij viti për mua dhe në sytë e secilit qytetar të Kosovës. Më ka fascinuar jashtëzakonisht shumë guximi i saj që në momentin e parë që e kam taku atë. Dhe e falënderoj për këtë sepse ka shpalosur një faqe krejtësisht tjetër në perceptimin e qytetarëve ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Më 16 tetor 2018, në një intervistë televizive, Vasfije Krasniqi Goodman u bë gruaja e parë kosovare që publikisht ndau përvojën e saj si një e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës në vitin 1999. Screenshot nga intervista e 16 tetorit ne Speciale: Behu Zeri im, RTK
Atë që kam parë dhe dëgjuar në sytë dhe fjalët e Vasfijes e kam parë dhe dëgjuar tek secila e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe unë kam takuar personalisht qindra dhe mijëra prej tyre në tërë territorin e Kosovës, qoftë në Prishtinë, qoftë në Drenas, qoftë në Gjakovë, qoftë në Mitrovicë, qoftë në Gjilan, qoftë në çdo cep të Kosovës. Unë e falënderoj jashtëzakonisht shumë edhe famiiljen e Vasfijes, vëllain e saj, sepse ka shumë interpretime të ndryshme pas daljes publike të Vasfijes, për atë se çfarë ajo ka përjetuar.
Por ka qenë familja e Vasfijes që e ka përkrahë atë që nga momenti i parë, mënjehërë pas përfundimit të luftës. Ka qënë një nga rastet e para të dhunimit të cilat janë raportuar menjëherë pas përfundimti të luftës, ku dhunimi është përdorur si mjet lufte dhe kjo automatikisht ka kriju një momentum krejtësisht tjetër sa i përket adresimit të stigmës dhe ngritjes së zërit të mbijetuarëve të dhunës seksualë gjatë luftës.
Kur unë e kam marrë mandatin si Presidente e Republikës së Kosovës një ndër takimet e para të mija që unë i kam pasur kanë qenë me të mbijetuarit të dhunës seksualë gjatë luftës. Kjo ka qenë një ndër arsyet pse unë e kam marrë këtë çështje si një ndër prioritetet kryesore.
Tentimi i parë ka qenë në 2012 pas miratimit të Parimeve të Prishtinës të cilat kanë qenë si derivat i Samitit Ndërkombëtar të Gruas që unë kam organizuar dhe kam lansuar këtu në Kosovë, ku kemi pasë mbi 190 pjesëmarrës të nivelit të mesëm dhe të lartë të vendimmarrjes mbi 190 vende të ndryshme të botës nga të gjitha kontinentet. Nga aty kanë dalë parimet e Prishtinës që kanë pasur qëllim kryesor avansimin e pozitës së gruas, fuqizimin ekonomik, të drejtën në trashëgëmi dhe qasjen në drejtësi dhe njohjen e statusit ligjor të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës.
"Atë kohë mezi pritshin të më dërgojnë në Gjykatën Kushtetuse për çdo mundësi apo shkelje kushtetuse të mundshme në mënyrë që të gjejnë hapësirën e vetme ligjore dhe kushtetuse të veprojnë".
Këto parime kanë shku në Parlamentin e Kosovës në tetor të vitit 2012. Dhe për mua ka qenë një ndër befasitë më të mëdha, së pari duke qenë grua e kësaj shoqërie, e pastaj bartëse e institucionit më të lartë, ku unë nga zyra ime kam dëgjuar debatet e nivelit më të ultë nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga ana e të zgjedhurve të popullit që janë aty, që kanë besimin e votën e popullit që të shtynë kauza që janë në interes të qytetarëve të Kosovës. Debati ka shkuar deri në atë masë dhe atë nivel, ku gratë dhe burrat deputetë kanë kërkuar të bëhet ekzaminimi gjinekologjik 15 vjet pas përfundimit të luftës.
Kjo ka qenë fyerje për mu, ka qenë fyerje për gjysmën e shoqërisë, dhe mos të flasim se si janë ndjerë viktimat apo të mbijetuarat, dhe si ato janë qasur nga ai moment tek unë në zyrën time. Dhe ajo ka qenë një pikë kthese që unë e kam marrë si misionin timin personal që ky narracion nuk do të vazhdojë të ndërtohet.
Ka marrë diku rreth dy vite që të hulumtoj bazën e duhur ligjore dhe kushtetuese sepse atë kohë mezi pritshin të më dërgojnë në Gjykatën Kushtetuse për çdo mundësi apo shkelje kushtetuse të mundshme në mënyrë që të gjejnë hapësirën e vetme ligjore dhe kushtetuse të veprojnë. Dhe pata themeluar Këshillin Kombëtar të dhunës seksuale gjatë luftës, kur unë i kam sjellë brenda një tavoline vendimmarrëse të gjitha institucionet vendimmarrëse duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, ministritë që janë të ndërlidhura direkt me këtë çështje dhe pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, veçanërisht Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, shoqërinë civile dhe mediat.
Në shkurt të 2018 ka filluar edhe procesi i verifikimit të statusit ligjor i cili ka qenë goxha proces i vonuar. Por së paku tani gjërat janë në kanalin institucional dhe është një proces i cili tanimë ka një përkrahje institucionale.
Përderisa neve si institucione se kemi kryer punën tonë, shumica e punës së institucioneve është kryer nga ana e shumë organizatave dhe aktivistëve duke filluar nga Sevdije Ahmeti e ndjerë, dhe e kanë mbushur këtë hendek të institucioneve duke ofruar shërbime, duke filluar nga ato shëndetësore e gjinekologjike e deri ato psikologjike ndaj të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës.
"Për shkak që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ende dhunimi nuk është pranuar ndërkombëtarisht, se është përdorur si mjet i luftës. Dhe kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një luftë e imja".
Dhe çfarë ka bërë Këshilli është që i ka lidhur të gjitha këto aktivitete dhe këtë zinxhir në mënyrë që të kanalizohet në nivelin institucional dhe të ketë një përkujdesje institucionale. Kurse sa i përket adresimit të stigmës dhe përkrahjes shoqërore neve ende kemi punë për të bërë. Zëri i Vasfijes ka qenë në momentin e duhur, sidomos me atë që ka të bëjë me adresimin e stigmës, por edhe për qasjen në drejtësi – dhe kjo duhet të vazhdojë mëtutje nga ana e institucioneve, por edhe qytetarëve. Veçanërisht në mënyrë të vazhdueshme kam bërë thirje familjarëve sepse shumë luan rol përkrhaja e familjes ndaj të mbijetuarëve, ngritjes së zërit dhe besimit ndaj tyre.
Dhe tani do të vazhdohet ky momentum për ngritjen e vëtëdijes së popullatës sepse ne nuk kemi të bëjmë vetëm me ngritjen e vetëdijes brenda Kosovës, por neve kemi edhe shumë punë për të bërë për ngritjen e vetëdijes në nivelin ndërkombëtar. Sepse ju e dini shumë mirë për shkak të hendikepit të madh politik, që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, ende dhunimi nuk është pranuar ndërkombëtarisht se është përdorur si mjet i luftës në Kosovë, sikurse në rastin e Ruandës dhe Bosnjës, apo vendet tjera të botës. Dhe kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një luftë e imja, por edhe aktivistëve të tjerë, disa institucioneve të vendit që të shtynë këtë çështje deri në nivelin ndërkombëtar dhe të pranimit ndërkombëtar.
Thatë që politikanët duhen të kenë obligim moral dhe institucional. Presidenti aktual, Hashim Thaçi rrallë ose aspak ka në fokus çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. A ndiheni e dëshperuar që Presidenti ka dështuar të çojë përpara një kauzë qe ju e keni lënë pas përmes avokimit të madh gjatë mandatit tuaj?
Nuk dua të përmend me emra të përveçëm në këtë aspekt, sepse fatkeqësisht kjo është dukuri që dominon në mentalitetin goxha maskulist dhe goxha patriarkal të shoqërisë së Kosovës. Por, në anën tjetër unë dua t’iu bëjë thirrje të gjithë politikanëve dhe politikaneve, të gjithë akademikëve të shoqërisë së Kosovës, që duhen t’i përmbushin obligimet e tyre kushtetuese, ligjore por edhe morale.
Në anën tjetër unë i falenderoj politikanët e vendit tonë sepse unë qëllimisht e pëmenda Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Fillimisht ka pasur hezitime që të jenë pjesë e kësaj tryeze për vendimmarrje dhe pastaj secili ka dhënë kontributin e tyre maksimal që në këtë tryezë të vijë gjer tek vendimet të cilat janë marrë sa i përket statusit të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Gjatë lansimit të kampanjës “Bëhu Zëri Im”, në qershor të vitit 2018, ku Jahjaga i’u bashkua marshit së bashku me Mirlinda Sadën nga Medica Gjakova (majtas), përfaqësuesen e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolovan, ish-ambasadorin e SHBA-së Greg Delawie dhe pastaj Presidentin aktual Hashim Thaçi. Foto: Majlinda Hoxha /K2.0.
Por këta të mbijetuara kanë nevojë për më shumë zë, më shumë përkrahje publike se këto deklaratat e fundit që i pamë. Nuk jemi të vetëdijshëm se sa ndihmon pozitivisht në moralin dhe ndjenjën e tyre një takim, një deklaratë apo përkrahje. Se tek e fundit nuk e bëjmë për vete, e bëmë për një kauzë, e bëjmë për një shtresë të shoqërisë, e cila ka mbetur në harresë për një kohë të gjatë. është oblgimi yni moral dhe institucional, për të gjithë politikanët e vendit, që janë të zgjedhurit e popullit për të përmbushur obligimin e tyre.
Sipas jush cilat janë sfidat kryesore për një grua politikane kosovare? Nëse shikojmë përfaqësimin gjinor në presidencë, qeveri e komuna, del që politika vazhdon të jetë fushë e burrave. Zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale japin një pasqyrë të zymtë mbi këtë.
Kosova, krahasuar më të gjitha vendet tjera të rajonit, ka kornizën më të avancuar ligjore sa i përket të drejtave të grave. Mirëpo sa i përket implementimit të tyre, [dhe përfaqësimit gjinor në institucione] ne jemi më pak se 1 përqind. Është me të vërtetë dekurajuese dhe shumë dëshpëruese.
Viteve të fundit kam qenë shumë e zëshme sidomos në ligjërata dhe konferenca të shumta në Kosovë që ne kemi pësuar regres sa i përket përfaqësimit të gruas. Në nivelin e Kuvendit të Kosovës kemi një përfaqësim të kënaqshëm që gjithmonë respekton kuotën e 30 përqindshit. Në nivelin ekzekutiv, qoftë në nivelin qëndror, qoftë në atë lokal është [situatë] më shumë se dëshpëruese.
Deri në zgjedhjet të fundit parlamentare kemi pasur një grua kryetare të komunës, e tani asnjë grua nuk është më kryetare e komunës. Janë dy komuna që kanë nënkryetare të komunës dhe kemi dy apo tre komuna që kanë grua kryetaren e kuvendit komunal. Në tërë kompozimin e qeverisë e kemi vetëm një ministre, e cila është grua. Në kuadër të kësaj kemi 70 e diçka zëvendësministra, shtatë gra apo tetë gra që janë në pozita të zëvendësministrave.
"Shpesh më vinë në zyrë gratë nga ana e sektorit privat dhe thonë që 'unë nuk guxoj të tregoj që jam shtatzënë sepse menjëherë e humb vendin e punës dhe menjëhërë as nuk konsiderohem për intervistë për punë të caktuara'".
Ne kemi një diskrepancë tepër të madhe sa i përket bazës ligjore dhe kushtetuse dhe obligimet që dalin nga to dhe zbatimi i tyre. Unë dëshiroj dhe shpresoj që viti 2019 të jetë një vit i barazisë në Kosovë, qoftë në jetën institucionale dhe atë shoqërore në përgjithësi. Ne duhemi të kemi më shumë [realizim] të drejtave të grave në punësimin e tyre, në aspektin e pronësisë, në aspektin e trashëgëmisë, të pushimit të lehonisë, të fuqizimit ekonomik të tyre, duke flluar nga politikat fiskale, pastaj të kredive dhe gjërat të tjera të cilat janë të ndërlidhura me aspektin e edukimit dhe zhvillimit të përgjithshëm të gruas; të gjitha janë elemente që janë të ndërlidhura me fuqizimin e gruas në shoqëri dhe jetën institucionale dhe shoqërore. Dhe është shumë shqetësuse sepse ne e shohim vetëm aspektin institucional dhe nuk e shohim sektorin privat sepse duhet të ketë mekanizma institucional të kontollimit dhe se si po implementohen këto ligje.
Shpesh më vinë në zyrë gratë nga ana e sektorit privat dhe thonë që “unë nuk guxoj të tregoj që jam shtatzënë sepse menjëherë e humb vendin e punës dhe menjëhërë as nuk konsiderohem për intervistë për punë të caktuara”. Janë elemente tjera që dalin nga ligji, por institucionet e vendit nuk kanë vendosur mekanzima të tjerë kontrollues që e fuqizojnë implementimin e ligjeve.
Sa i përket demokratizimit të mëtutjeshëm, lë shumë për të dëshiruar sidomos sa i përket brenda frymës së partive politike që fatkeqësisht neve në mentalitetin tonë gratë shihen vetëm si përqindje dhe si numër aty.
Dhe gratë gjithmonë shihen që duhen të kenë përqindjen si e kërkon ligji në kuadër të njërës parti apo partisë tjetër, ku ato nuk duhen të merren me punët e mëdha të burrave, por duhen të merren vetëm me çështje të grave, çështje gjinore, të fëmijëve dhe çështje tjera që nuk kanë të bëjnë me politika për udhëheqjen e shtetit.
Mirëpo është ajo qasja shoqërore, mentaliteti dhe qasja institucionale që nuk i jep shancën që të dëshohet sepse gjithmonë janë ato paragjykimet me të cilat ballafaqohen.
Jo rrallëherë as gratë politikane, anëtare të partive politike apo deputete nuk kursehen nga kritkat që nuk arrijnë të çojnë përpara politika gjinore sepse nuk arrijnë të shkëputen nga vijat partiake të udhëhequra nga koleget e tyre burra. Si e komentoni këtë?
Në njërën anë, unë kam parë një praktikë të mirë sa i përket rolit të grave sidomos ato brenda Kuvendit të Kosovës dhe veçanërisht me Grupin e Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës. Shpesh herë ma kanë dëshmuar që ato kanë dalë edhe përtej vijave partiake për çështje që kanë të bëjnë me interesin jo vetëm të përgjithshëm të vendit. Jo aq në masë që ndoshta kam pritur por veçanërisht me agjendën gjinore të rinisë dhe sidomos me aspektet që kanë të bëjnë më mirëqenien e përgjithshme shoqërore dhe në të shumtën e rasteve ma kanë dëshmuar që kanë dalë përtej vijave partiake. Flas për mandatin tim.
Por kam pasur raste të përcjelli edhe kohët e fundit, sidomos ky debati sa i përket buxhetimit gjinor që ka qenë iniciativë e grave deputete, por ndoshta nuk është intensifikuar mjaftueshëm deri në atë nivel që t’i shtyejë këto politika, jo vetëm përbrenda parlamentit, por edhe përbrenda partive të tyre politike. Do të thotë që në këtë aspekt unë pres një organizim dhe mobilizim më të madh të grave por edhe të burrave që t’i shtyjnë disa çështje. Sepse nuk e bëjnë vetëm për partitë e tye politike dhe institucionet që ata shërbëjnë, por e bëjnë për qytetarët dhe ata që i kanë besuar votën e tyre.
Atifete Jahjaga. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Seksizmi vazhdon të jetë i pranishëm jo vetëm në vend të punës, por edhe brenda vet partive politike dhe Kuvendit. Kemi parë kur vet deputetë të caktuar kanë treguar qëndrime apo komente seksiste ndaj politikaneve gra. Ju vet po ashtu keni qenë target i komenteve seksiste, si për shembull grafiti në një mur ndërtese në Prishtinë, diçka që është dënuar shumë nga aktivistet gra. A mendoni që një reagim i tillë është dashur të vijë edhe nga vet përfaqesuesit politik? Si e komentoni seksizmin të shfaqur disa herë vet brenda kuvendit?
Absolutisht që po. Këto çështje pikë së pari janë të sanksionuara me ligj, dhe e dyta nuk është as pjesë e etikës apo moralit politik që të kemi atë nivel të shprehjes apo të gjuhës. Ne shpeshherë jemi dëshmitarë si qytetarë të këtij vendi se çfarë ne shohim në Kuvend të Kosovës dhe se çfarë gjuhe apo çfarë narracioni i shprehjeve ndërtohet ndaj një grua politikane të Kosovës.
Nuk është vetëm gratë që duhen të japin ndonjë kritikë apo mbështetje. Duhet të kemi edhe burrat që duhet të reagojnë. Sepse këto janë të sanksionuara me ligj, janë të sanksionuara me kushtetutë. Thjesht neve duhemi të krijojmë një qasje krejtësisht tjetër më të gjërë të përfaqësimit të grave, por edhe të burrave që besojnë në këto kauza që të ndërtohet një narracion krejtësisht tjetër sa i përket dhunës ndaj gruas, diskriminimit ndaj gruas, keqtrajtimit ndaj gruas, por edhe qasjes seksiste që neve po e shohim.
Unë e di më së miri në lëkurën time se si është të jesh në fokus të targetit të vazhdueshëm publik dhe institucional, nën thonjëza e them, sepse jam shumë për atë që të gjykohem për vizionin, vendimet apo strategjitë e caktuara, mirëpo asesi për dukjen, paraqitjen apo gjërat e tjera që janë goxha seksiste dhe është goxha dekurajuese për vajzat dhe gratë tjera që aspirojnë të përcjellin atë rrugë dhe të shohin të ardhmen e tyre në politikë.
Një pjesë shumë të madhe të përgjegjësisë këtu e kanë edhe mediat. Se si mediat po e plasojnë rolin e gruas në politikë, ajo është me të vërtetë dekurajuese dhe dëshpëruese. Shembulli konkret është kur para disa ditëve isha në një nga lokalet e Prishtinës ku pija kafe me vëllain tim. Dhe kryetitujt në Kosovë aludonin se unë jam me një partner të ri, do të thotë unë e kuptoj tërësisht njërën, por anën tjetër nuk bëhen gjërat sa për klikime sepse jeta private është diçka që nuk duhet të preket nga askush, sidomos ajo familjare.
Nëse ne vazhdojmë të ndërtojmë narracione të tilla në mënyrë të vazhdueshme jemi duke ndërtuar rolin e gruas në politikë [në mënyrë] paragjykuese. ek ne gjithmonë është ai mentaliteti maskulist dhe patriarkal rreth asaj se si e shohin gruan – shpesh është ai zhargoni që “ajo po fol si pesë apo dhjetë burra”. Dhe kjo është një qasje e trashëgueshme dhe e dëmshme për vajzat e reja që e shohin veten në politikë. K
Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista është realizuar në gjuhën shqipe.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha /K2.0