Biseda | BE

Beatriz Becerra: Për mua, liberalizimi më shumë është një qëndrim ndaj jetës

Nga - 07.12.2018

Deputetja e Parlamentit Evropian flet për BE-në pas Brexit-it, politikat e migrimit dhe domethënien e zgjedhjeve të ardhshme për të ardhmen e Evropës.

Beatriz Becerra është përfaqësuese spanjolle e grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën në Parlamentin Evropian. Psikologe dhe shkrimtare me profesion, Becerra është zëvendëskryetare e Nënkomitetit të Parlamentit Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe ka rol aktiv në komitetet për punësim, çështje sociale dhe të drejtat e grave.

Ajo u bë Deputete e Parlamentit Evropian (DPE) më 2014 dhe punën e saj e ka fokusuar në luftën kundër radikalizimit të dhunshëm të rinisë.

Në rolin e saj si DPE, Becerra ka punuar për t’i theksuar përpjekjet e grave që po luftojnë për ndryshime rreth botës. Në vitin 2016 ajo e nominoi Nadia Murad Basee – një aktiviste kundër dhunës seksuale nga komuniteti jazidi në Irak – për Çmimin Sakharov, që jepet çdo vit nga Parlamenti Evropian për lirinë e vetëdijes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Basee e fitoi çmimin përkrah aktivistes tjetër nga komuniteti jazidi, Ajj Basha dhe më 2018 ajo u shpërblye me Çmimin Nobel të Paqes përkrah Denis Mukwege.

Becerra gjithashtu ka luajtur rol të madh në formimin e platformës Aleanca e Grave Kundër Radikalizimit dhe Ekstremizmit (AWARE). Ky rrjet, i orientuar drejt studimit dhe parandalimit të radikalizimit nga një perspektivë gjinore, është mbështetur shumë ndërkombëtarisht në dy vitet e para të ekzistencës së tij.

Më 2018, Becerra përsëri e nominoi fituesin e Çmimit Sakharov, Oleg Sentsov, filmbërës dhe shkrimtar nga Krimea, i cili u arrestua nga zyrtarët rusë më 2014 dhe u burgos për 20 vite me akuza për komplotim të akteve terroriste. Grupet që punojnë me të drejtat e njeriut i kanë shpallur këto akuza si të fabrikuara dhe dënimin si të padrejtë, si dhe kanë avokuar shumë për të drejtat e tij. Sentsov u shpërblye me Çmimin Sakharov gjatë kohës kur ishte në burg.

Si romanciere, Becerra i ka botuar tri romane, të cilat në përgjithësi janë vlerësuar mirë nga kritikët dhe lexuesit. Në 2018, ajo e botoi librin “Eres liberal y no lo sabes” (Ti je Liberal dhe nuk e din), të cilin e përshkroi si “një manifest për liberalizëm përfshirës dhe modern, të lirë nga dogmatizmi”.

K2.0 bisedoi me Becerra-n për këtë libër, por edhe për situatën në lidhje me të drejtat e njeriut në Evropë dhe botë, liberalizmin përballë nacionalizmit e populizmit në BE-në pas Brexit-it, si dhe për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian që mund ta përcaktojnë ta ardhmen e kontinentit.

Foto nga arkiva private e Beatriz Becerra.

K2.0: Libri juaj titullohet “Ti je liberal, por nuk e din”. A jemi me të vërtetë të gjithë liberalë?

Beatriz Becerra: Eh po, unë isha liberale dhe nuk e dija. Tani e di. Dhe mendoj se e njëjta gjë që më ndodhi mua, me gjasë u ndodh plot njerëzve. Në këtë libër që sapo e kam botuar unë e bëj një lloj manifesti politik; është thirrje për veprim që është e bazuar në përvojën time. Dhe mendoj që nëse diçka e tillë më ka ndodhur mua, me gjasë u ndodh plot njerëzve.

A mund ta përshkruani këtë situatë, se si është ta kuptosh se çfarë do të thotë të jesh liberal?

Për mua, liberalizmi është më shumë një qëndrim ndaj jetës. Shkon shumë përtej ideologjisë. Nuk do ta krahasoja liberalizmin me qëndrime apo lëvizje tjera ideologjike si komunizmi apo socializmi, madje as konservatizmi.

Mendoj se ne, liberalët, ata që besojnë në demokracinë liberale, e ndajmë një përkushtim shumë të fortë, një bindje shumë të fortë për lirinë dhe barazinë si shtyllat kryesore që përbëjnë themelin e jetës sonë dhe shoqërisë që duam ta krijojmë.

E quani “pragmatizëm me parime”. Çfarë do të thotë kjo?

Po. Këtë e morra nga zonja Federica Mogherini, për shkak se e përshkruan shumë mirë atë e cila mendoj se është shumë e dobishme aktualisht – veprimin në mënyrë evropiane. Mënyra evropiane është pragmatizmi me parime.

Kjo do të thotë kërkimi për synime, kërkimi për rezultate, për të zgjidhur probleme, por me vlera; me disa vlera që janë ato që ne i ndajmë këtu në Evropë.

Si mund ta aplikojmë këtë tek shtetet tjera që nuk janë pjesë e BE-së, siç është Bosnja e Hercegovina?

Mendoj se parimet e liberalizmit janë universale. Dhe në fakt, një nga asetet kryesore që unë e përshkruaj në “Dekalogun” që e kam shkruar është se të drejtat universale janë kontratë unike të cilën e ndajmë të gjithë.

Foto nga arkiva private e Beatriz Becerra.

Në fakt, tani jemi duke e festuar 70 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Sepse ajo është kontratë. Është diçka që në njërën anë na jep secilit qasje në këto të drejta, por njëkohësisht na detyron secilin që t’i ruajmë dhe t’ia japim këto të drejta pjesës tjetër të botës.

Meqë jemi te të drejtat e njeriut, ju e keni mbështetur edhe nominimin e Oleg Sentsov-it për Çmimin Sakharov. Në rajon kemi plot fitues. Në Kosovë e kishim Adem Demaçin dhe Ibrahim Rugovën, ndërsa në Bosnje fitoi gazeta e përditshme ‘Oslobodenje’. Çmimi Sakharov është i mirënjohur këtë pjesë të botës. Çfarë rëndësie kanë këto çmime [në vendet e tjera]?

Gjithmonë them se Çmimi Sakharov është shpirti i Parlamentit Evropian dhe institucioneve evropiane, është çmim shumë i mirënjohur e do thoja se është një nga çmimet më të rëndësishme, menjëherë pas Çmimit Nobel. Dhe ndonjëherë ndahet, si Çmimi i fundit Nobel, që u dha për laureatët [aktivistët kundër dhunës seksuale] Denis Mukwege dhe Nadia Murad.

Por, për mua Çmimi Sakharov është mishërim i këtij përkushtimi, këtij kompromisi dhe gjithashtu i këtyre vlerave. Fakti se sivjet iu dha Oleg Sentsov-it, kur jemi duke festuar 30 vjetorin e Çmimit Sakharov, jo vetëm që është mesazh shumë i fuqishëm për totalitarizmin e regjimit Putin që e ka burgosur këtë filmbërës, këtë aktivist të mirënjohur të lirisë nga Ukraina… jo vetëm që është mesazh i fortë nga Evropa për Putinin, por është edhe përkushtim.

''Do të thoja se viti 2016, me Brexit, e nisi një epokë të re - për Evropën në veçanti, por jo vetëm për Evropën''.

Do të thotë se, për jetë, kur një aktivist apo person shumë i veçantë shpërblehet me Çmimin Sakharov, ne evropianët jemi të përkushtuar për jetë për ta ruajtur dhe mbrojtur atë. Dhe kur them evropianët, e them për shkak se çmimi jepet nga Parlamenti Evropian dhe ne, deputetët, jemi vetëm përfaqësuesit, kështu që çmimi jepet nga 500 milionë evropianë.

Viti 2018 duket si vit – në fakt, një nga disa vite – ku njerëzit po fillojnë ta kuptojnë se gjërat po shkojnë disi duke u bërë më keq. Ata po fillojnë ta humbin shpresën, veçanërisht me ngritjen e krahut të së djathtës ekstreme – në Evropë, por edhe në vende tjera. A ju duket edhe juve kështu, veçanërisht në kontekstin e të drejtave të njeriut?

Po. Mendoj se në përgjithësi jemi duke jetuar në një periudhë që me gjasë – për mendimin tim – nisi me Brexit-in. Do të thoja se viti 2016, me Brexit-in, e nisi një epokë të re – për Evropën në veçanti, por jo vetëm për Evropën.

Sepse pas Brexit-it erdhi Trump-i. Pas Trump-it jemi ballafaquar me disa procese zgjedhore që janë menaxhuar nga nacionalistë-populistët dhe e kemi parë se si qeveria në Itali, për shembull, është marrë nga kjo e djathtë – apo e majtë në disa raste – ekstreme. Por e përbashkëta e tyre është dëshira për ta shkatërruar Evropën nga brenda. Dhe ky është rrezik real.

Ata do ta përdorin këtë pikë të përbashkët të argumentit për migrimin, por nuk është e vërtetë se u bëhet vonë për migrimin; ata thjesht duan ta thyejnë këtë komunitet të vlerave që i kemi dhe duan ta përdorin ndarjen dhe copëzimin që po ndodh në anën tjetër për t’i kapur institucionet. Dhe ky për mua është rreziku kryesor me të cilin do të ballafaqohemi në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në maj.

Para se të flasim për zgjedhjet e ardhshme, ndoshta do të ishte mirë të flasim për migrimin, meqë e përmendët. Në Bosnje e Hercegovinë, gjegjësisht në kufirin boshnjako-kroat, e kemi një situatë – dhe siç e dimë Kroacia është në BE. Pra, në kufirin me Bashkimin Evropian janë dhjetëra mijëra emigrantë që po përpiqen të kalojnë në BE. Cila do të ishte zgjidhja më e mirë e Evropës për këtë çështje, por edhe për njerëzit që janë në lëvizje e që po bëjnë përpjekje të arrijnë në një ambient më të sigurtë?

Si me plot probleme të tjera, veçanërisht me migrimin, na duhet një politikë e përbashkët. Kjo është e sigurtë. Është diçka shumë e qartë, por shumë e vështirë. Dhe në fakt i kemi pasur gati pesë vite për t’i kryer marrëveshjet dhe për t’i bërë ndryshimet e nevojshme; Rregullat e Dublin-it dhe të gjitha marrëveshjet që po mundohemi t’i fusim në fuqi.

Foto nga arkiva private e Beatriz Becerra.

Por e vërteta është se nuk kemi politikë të përbashkët. Një politikë e përbashkët do të thotë ta kemi një qasje strategjike për migrimin si fakt. Nuk është krizë, nuk është periudhë specifike, nuk është vetëm pas një lufte, si ajo në Siri, që po kemi numër të madh të njerëzve [që kërkojnë shpëtim] nga lufta… Migrimi është fenomen që ka ndodhur gjithmonë, por tani, në një botë të globalizuar, do të ndodhë gjatë gjithë kohës.

Prandaj, ne si evropianë duhet ta bëjmë një kompromis – jo vetëm kontekstin e duhur ligjor, por strukturën që na duhet për të ndërmarrë veprime që përputhen me realitetin. Por, gjithashtu duhet ta marrim parasysh kohëgjatësinë. Nuk mund të gjejmë zgjidhje shumë afatshkurtër të cilat nuk mund t’i zbatojmë.

Fokusi në afatin e gjatë do të thotë të dimë dhe të vendosim se sa njerëz, në çfarë kushte, me çfarë lloj profili, kemi mundësi dhe vullnet t’i integrojmë në Evropë… jo t’i integrojmë këta njerëz si refugjatë, por t’i integrojmë si qytetarë.

Sa i përket Bosnjes për shembull… për mua, Bosnja është disi një Evropë e vogël. Është një shembul shumë i vogël i asaj se si gjuhët, etnitë etj. të ndryshme bashkekzistojnë pasi njerëzit në atë vend i kanë mbijetuar me gjasë situatës më të keqe të mundshme. Edhe brenda Evropës e kemi përjetuar këtë. Tani jemi duke festuar kalimin e një shekulli që prej Luftës së Parë Botërore.

Por për mua Bosnja mund të jetë rast i studimit për atë se si trajtohet migrimi që kalon kufijtë për të hyrë në BE. Po të ishte Bosnja pjesë e Evropës, me gjasë do të kishte një vlerë shumë të mirë të shtuar në këtë aspekt.

Përsëri, për ta lidhur këtë çështje të migrimit me ngritjen e ndjesive populiste dhe nacionaliste, duhet t’i shohim migrimet si mënyrë për t’i shtuar aftësitë [evropiane] në të ardhmen; për ta pasuruar jo vetëm kulturën dhe, sigurisht, ekonominë, por edhe lëvizshmërinë e njerëzve. Është diçka me të cilën duhet të ballafaqohemi.

Pra pragmatizmi me parime do të thotë se duhet ta bëjmë një plan me politika konkrete, por edhe me vlera që e mbështesin gjithë BE-në.

Veç se i kemi përmendur zgjedhjet evropiane që po do të mbahen së shpejti. Çfarë parashikimi keni ju për to? A do të ketë një shtytje të mëtejme kah e djathta apo qytetarët në BE do të votojnë ndryshe?

Mendoj se rezultati i zgjedhjeve do të varet shumë nga ajo se çfarë demokratët liberalë – dhe kur them ‘demokratët liberalë’ e them në mënyrë shumë përfshirëse, si term ombrellë – se çfarë ne jemi të aftë të bëjmë dhe si mund të veprojmë së bashku për t’i bërë thirrje një aleance të votuesve që do t’i vendosin këto zgjedhje…

Në dallim nga kjo, ‘thirrja’ e frontit të përbashkët nacionalist-populist po ndodh në mënyrë shumë sistematike. Pra nëse mund ta bëjmë atë në dy muajt e ardhshëm – konservatorët, progresivët, të ashtuquajturit liberalë, të gjelbrit, të gjithë ata që me të vërtetë i mbrojnë liritë, të drejtat, sundimin e ligjit dhe gjithçka që përbën avantazhin e vërtetë garues që është demokracia në Evropë – nëse mund ta bëjmë atë, do të kemi mundësi ta mposhtim atë përpjekje.

Nëse jo, në kuptimin më pesimist, do të thoja se mund ta gjejmë Parlamentin më 2019 të përbërë nga një përzierje shumë e çuditshme e ekstremistëve që do t’i bllokojnë dhe dobësojnë plot nisma të rëndësishme që ne duhet t’i shtyejmë para, veçanërisht politikat e migrimit.

Ky lloj unitet i së djathtës kundër shpërbërjes të së majtës – nëse mund t’i përdorim termet ‘e djathtë’ dhe ‘e majtë’ – me sa duket është temë e përbashkët për të gjithë shtetet, nga Bosnja në Evropë e madje edhe në SHBA. Cila është mënyra më e mirë për ta bashkuar të majtën?

Për mua është e pamundur t’i përdor termet ‘e majtë’ dhe ‘e djathtë’ në këtë aspekt. Sepse ato nuk ekzistojnë më. Nuk ka mënyrë të duhur për ta lidhur brendin me përmbajtjen. Sepse plot lëvizje politike që i shohim tani e quajnë vetën ‘majtistë’, por janë thjeshtë totalitarë. E njëjta ka ndodhur me të djathtën, por prandaj gjithmonë nguli këmbë që të bëhet dallim ndërmjet demokratëve liberalë dhe ekstremistëve apo totalitarëve.

''Politikat e bëjnë dallimin, se a je më konservator apo më progresiv, por mendoj se nuk po ndihmon debati i vazhdueshëm për të majtën dhe të djathtën - në Evropë të paktën, kjo është e sigurt''.

E majta ekstreme dhe e djathta ekstreme po bashkëjetojnë dhe po e krijojnë këtë lëvizje, këtë front të ri dhe nuk e kanë problem bashkëjetesën, si dhe po i bashkojnë forcat e burimet. Por në këtë anë të tryezës, do të thoja se dallimi ndërmjet qasjes konservatore apo qasjes progresive është më shumë simbolik se sa realist.

Politikat e bëjnë dallimin, se a je më konservator apo më progresiv, por mendoj se nuk po ndihmon debati i vazhdueshëm për të majtën dhe të djathtën – në Evropë të paktën, kjo është e sigurt. Dhe tani i vetmi kundërpozicionim është liberalizmi përballë nacionalizëm-populizmit. Ky është dallimi i vërtetë.

Me sa duket është një betejë ndërmjet të mirës dhe të keqës.

Do të thoja se po. Dhe do të thoja se nuk duhet të na vijë keq ta pranojmë këtë. A e mbani në mend atë librin “The Road” [nga Cormac McCarthy]? Thotë: “Ne jemi të mirët sepse e mbajmë flakën”. Ne jemi duke e mbajtur atë flakë dhe e kemi përgjegjësinë për ta mbajtur dhe mirëmbajtur flakën e demokracisë.

E kam një sugjerim për titullin e librit tuaj: Mendoj se duhet të quhet “Mund ta krijosh një botë më të mirë dhe nuk e din këtë”.

E mirë kjo! Do të jetë pjesa e dytë.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore nga arkiva private e Beatriz Becerra.