Në thelb | Ambienti

Çështjet e mëdha zgjedhore: Mjedisi

Nga - 09.06.2017

Si ta pastrojmë ajrin e Kosovës?

Ndotja e ajrit dhe ujit, ndotja nga plumbi dhe shkatërrimi i pyjeve janë vetëm disa prej problemeve të shumta që i ka Kosova sa i përket mjedisit.  Por pavarësisht degradimit të shpejtë, ambienti rrallëherë ka qenë në qendër të vëmendjes të debateve politike në Kosovë.

Megjithatë, shpërfillja e çështjeve të ambientit nga shteti është vënë në pah në kohën e fundit pasi që statistikat alarmuese të kualitetit të ajrit shfaqën nivele shumë shqetësuese të ndotjes, veçanërisht në zona urbane si Prishtina, Obiliqi dhe Mitrovica. Një raport i vitit 2013 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi ndotjen si shkaktar të kancerit, duke deklaruar se: ndotja e ajrit parashihet që shkakton çdo vit 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronhitit kronik, 605 raste që duhet të trajtohen në spital, dhe 11,900 raste emergjente.

Në raportet e Progresit për vitet 2014, 2015 dhe 2016, Komisioni Europian theksoi se zbatimi i legjislacionit që i adreson sfidat gjithnjë më të vështira në lidhje me ambientin në Kosovë ende është i mangët, meqë institucionet nuk po i zbatojnë rekomandimet e BE-së.

Sa i përket kualitetit të ajrit, raportet thonë që Sistemi i Monitorimit të Kualitetit të Ajrit nuk është krejtësisht operativ. Raportet për kualitetin e ajrit të publikuara nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) nuk përmbajnë inventar të ndotësve të ajrit, dhe ndotja prej burimeve kryesore nuk matet në mënyrë adekuate, veçanërisht ndotja që lirohet nga termocentrali “Kosova A”. Gjithashtu theksohet që probleme serioze janë ndotja e pakontrolluar që lirohet nga trafiku, si dhe djegia e mbeturinave e materialeve helmuese.

Funksionet e “Kosovës A” priten të ndalen dhe të zëvendësohen së shpejti, me Bankën Botërore duke mbështetur ndërtimin e një termocentrali me qymyr. Banka Botërore zakonisht e ka politikë të sajën të  mos mbështes investime që janë të bazuara në qymyr, përveç nëse qymyri është alternativa e vetme për zhvillimin e sektorit të energjisë në vend. Megjithatë, shoqëria civile ka qenë shumë e zëshme në kundërshtimin e tyre ndaj këti projekti, me arsyetimin se “Kosova A” dhe “Kosova B” janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit.

Për ta trajtuar problemin e kualitetit të ajrit, Lëvizja Shkenca për Ndryshim i intensifikoi matjet e kualitetit të ajrit në teren prej dhjetorit të vitit 2015 deri në shkurt të vitit 2016, dhe zbuluan lokacionet ku ndotja me dioksid të azotit (NO2) ishte më e lartë në kryeqytet. Me këto matje u gjet se qendra e kryeqytetit ishte e ekspozuar ndaj niveleve shumë të larta të ndotjes me NO2, gjegjësisht 65 mikrogram për metër kub. Vlera mesatare e rekomanduar nga Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë është 40 mikrogram për metër kub.

Mundësia për të ofruar hulumtime të pavarura për ndotjet e ajrit mund të rrezikohet nga një projektligj i diskutueshëm, Ligji për Ndotjen e Ajrit, që pritet të prezantohet në Kuvend në mandatin e ardhshëm parlamentar. Neni 59 i këtij ligji aludon se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mund të ketë monopol mbi mbledhjen dhe publikimin e të dhënave për kualitetin e ajrit. Ky nen thotë se inspektorët do të mund ta parandalojnë monitorimin dhe matjen e kualitetit të ajrit nëse personi që i kryen këto matje nuk është i akredituar nga Ministria. Neni 62 ndërkohë thotë se inspektorët mund të lëshojnë gjoba në vlerë prej 4,000 euro.

Më herët gjatë këtij viti Komisioni Europian u shprehi zyrtarëve kosovarë shqetësimet e tyre në lidhje me progresin e kufizuar të monitorimit të kualitetit të ajrit, dhe kërkoi zbatim të menjëhershëm të masave për reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit në një takim të organizuar në strukturën e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Qeveria e Kosovës u zotua që të miratojë një Plan Veprimi për Kualitetin e Ajrit 2017-19, në të cilin përfshihet instalimi i një programi qendror për monitorim të drejtpërdrejtë të kualitetit të ajrit deri në fund të vitit 2018.

Si do t’i arrijë këto synime qeveria e Kosovës? Si do ta pastrojë ajrin për qytetarët e saj? K2.0 i kontaktoi partitë dhe hulumtoi platformat e tyre për të mësuar më shumë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

Në kapitullin e tretë të platformës 2017-21 të PDK-së, “Fillimi i Ri”, kjo parti zotohet që do t’i investojë 3 miliard euro në sektorin e energjisë, investim ky në të cilin përfshihet ndërtimi i një termocentrali të ri “Kosova e Re”, që pritet të jetë i bazuar në djegje të qymyrit. Ky program e vlerëson koston të jetë rreth 1 miliard euro. K2.0 e pyeti zyrën për media të PDK-së për atë se pse kjo parti vazhdon që të mbështetë qymyrin si masë të prodhimit të energjisë, por nuk morrëm përgjigje.

Ky program gjithashtu parasheh investime në energji të ripërtërishme, në bashkëpunim me sektorin privat. Sipas PDK-së, burimet e ripërtërishme duhet të sigurojnë 25 përqind të energjisë totale të prodhuar në Kosovë. Fokusi kryesor është në energji hidro-elektrike. Kjo parti premton që ta trefishojë prodhimin e energjisë së prodhuar prej përdorimit të burimeve të ujit.

Në mandatin e fundit parlamentar, PDK e udhëhoqi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ferat Shala e zëvendësoi Ferid Aganin si ministër në dhjetor 2016. Për të ndihmuar me menaxhimin e legjislacionit të ambientit, në ministri përfshihet edhe Agjensioni për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës, organ ky që është kritikuar për kualitetin e dobët të monitorimit të ndotjes së ajrit.

K2.0 e pyeti PDK-në, se si planifikojnë që ta përmirësojnë monitorimin e kualitetit të ajrit në Kosovë, por nuk morrëm përgjigje. Megjithatë, në një debat televiziv në dhjetor 2016, ministri i atëhershëm Shala deklaroi se situata me ndotjen e ajrit nuk ishte aq keq sa në vitet e kaluara, e pastaj në të njejtën intervistë e përshkroi këtë situatë të njejtë duke thënë se vazhdon që t’i ketë parametrat e njejtë si në vitet e fundit.

Ministria e Shalës e nisi shkrimin e projektligjit të diskutueshëm për Ndotje të Ajrit. K2.0 pyeti se a beson PDK që Ministria duhet të ushtrojë kontroll më strikt mbi shënimin dhe publikimin e niveleve të kualitetit të ajrit, por nuk morrëm përgjigje.

Takimi i vitit 2017 me Bashkimin Europian për ambientin u udhëhoq nga anëtarja e PDK-së, Anila Statovci-Demaj, e cila shërbeu si zëvendësministre e Integrimit Europian në mandatin e kaluar parlamentar. K2.0 e pyeti PDK-në se si do të arrijë Kosova që t’i përmbush objektivat e caktuara në këtë takim, por nuk morrëm përgjigje.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Në programin e përbashkët  që LDK e ka përpiluar me partnerët e koalicionit parazgjedhor AKR-në dhe Alternativën, çështjet mjedisore i ka përfshirë në kapitullin e tretë të programit që flet për “Energjinë, minierat dhe ruajtja e mjedisit”. Në këtë kapitull, LDK bashkë me partnerët e saj parasheh 11 premtime që lidhen me mjedisin, përfshirë premtimin për të siguruar energji elektrike stabile dhe cilësore për shtëpi dhe biznese brenda mandatit të ardhshëm  qeverisës, dekomisionimin e Termocentralit “Kosova A”, rehabilitimin e Termocentralit “Kosova B”, si dhe gjenerimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga linjiti. Po ashtu në këtë program parashihen disa hapa për plotësimin e nevojave të furnizimit me energji elektrike e për çka parashihet të ndërtohen Termocentrali “Kosova C”, me kapacitete instaluese 1×500 MW, dhe Termoncentrali “Kosova D” me kapacitete instaluese 2×300 MW deri në vitin 2026.

LDK parasheh po ashtu ndërtimin e kapaciteteve të reja ndërtuese të energjisë, përmes ujit, si burim më i pastër dhe jo ndotës. Për këtë qëllim LDK thotë-ja se do të ndërtojë hidrocentralin në Zhur të Prizrenit, me kapacitete 305 MW deri në vitin 2023, si dhe një hidrocentral reverzibil.

Mimoza Kusari-Lila, anëtare e Alternativës, pati folur për këto plane në një debat publik të emisionit kallxo.com, duke sqaruar se si koalicion kanë për qëllim që së bashku me LDK-në dhe AKR-në sa i përket mjedisit të bëjnë ndërlidhjen e drejtëpërdrejtë me efiqiencën e energjisë, respektivisht me ngritjen e kapaciteteve ujore për prodhimin e energjisë elektrike. Duke prezentuar planin ajo premtoi rritjen e kapaciteteve “me shtimin e masave efiqiente në kuadër të energjisë elektrike, me ndërlidhjen e këtyre masave me kodin e ndërtimarisë si pjesë elementare e ruajtjes por natyrisht edhe sensibilizimin”.

K2.0 megjithatë ka kontaktuar zëdhënësin e qeverisë së kryeministrit në largim Isa Mustafa, si dhe kandidatin për deputet nga radhët e LDK-së,  Arban Abrashin, për ta pyetur tutje se pse partia e tij nuk e ka prioretizuar mbrojtjen e mjedisit më parë dhe se kur do të hartohet plani i veprimit për mbrojtjen e mjedisit, siç kërkohet me planin e MSA-së për Kosovën.  

K2.0 po ashtu ka pyetur nëse LDK do të përkrah që “Kosova A” të zëvëndësojë qymyrin aktual me qymyr tjetër djegës por që nuk shkakton ndotje të ajrit. Por për të gjitha këto ka ngelur pa përgjigje. Megjithatë në programin e përbashkët me AKR-në dhe Alternativën, LDK-ja po ashtu premton se do të unifikojë tregun energjetik me Shqipërinë, duke e zhvilluar burime të ripërtërishme energjetike, duke zhvilluar efiqiencën dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe ngrohjen qendrore. Ndër të tjera parashihet edhe përfshirja e Kosovës në rrjetin e gazsjellësit.

Vetëvendosje (VV)

Kandidatët e Vetëvendosjes për deputetë, Faruk Mujka dhe Naim Hoxha nga Komiteti për Energjetikë brenda partisë, përmendën synimet për përmirësimin e legjislacionit dhe zbatimin e tij në lidhje me mbrojtjen e ambientit, ashtu siç parashihet edhe në  programin e Alternativës Qeverisëse të vitit 2013. Sipas programit,  Vetëvendosje planifikon ta bëjë prioritet trajtimin e ujërave të zeza, si dhe marrjen e masave për reduktimin e emetimit të gazrave serrë, si dhe mbrojtjen pyjeve dhe të lumenjve nga shfrytëzimi.

Mujka dhe Hoxha theksuan mbështetjen e partisë për përdorimin e energjisë së ripërtërishme prej burimeve alternative, vëmendjen e veçantë për parqet kombëtare dhe pjesët e natyrës që nuk janë të mbrojtura nga legjislacioni. Gjithashtu theksuan politikat e partisë për krijimin e deponive sipas standardeve ndërkombëtare.

Në pyetjen se pse partia nuk ka vënë më shumë theksin te mjedisi në këtë fushatë elektorale, Mujka dhe Hoxha thanë që 40 prioritetet e partisë për të qeverisur e adresojnë këtë çështje. Dyshja iu referua politikave për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike përmes interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë dhe përdorimin e burimeve të përbashkëta natyrore, duke përfshirë ato hidrologjike dhe termike. Mujka dhe Hoxha po ashtu si prioritet përmendën rindërtimin e termocentralit Kosova A, për të cilin ata besojnë që do ta shpëtojë Kosovën nga kriza energjitike

“Në kohën e një nevoje të skajshme për energji në procesin e rimëkëmbjes të ekonomisë e cila kërkon energji elektrike si infrastrukturë themelore të nevojshme për të konkurruar si në shërbime ashtu edhe në  produkte, pa një energji me burim nga Kosova, me energji te importuar nuk mund të mbështetet ekonomia, së paku ajo në tranzicion”,  thanë Mujka dhe Hoxha.

Duke theksuar interesimin e Vetëvendosjes për të pasur matje të rregullta të kualitetit të ajrit, Mujka dhe Hoxha  i’u referuan shembullit të Prishtinës, ku komuna ka instaluar matës të kualitetit të ajrit në pesë vende të ndryshme, derisa rezultatet publikohen në baza ditore. Ata shtuan që komuna është duke hartuar strategjinë për mbrojtjen e kualitetit të ajrit përmes përmirësimeve të sistemit të trafikut urban dhe zgjerimit të rrjetit të ngrohjes qendrore duke minimalizuar ngrohjet individuale me dru dhe thëngjill.

Mujka dhe Hoxha po ashtu premtuan që qeveria e Vetëvendosjes do të implementojë masat për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe do të adoptojë Planin Veprues për Kualitetin e Ajrit sipas marrëveshjes të bërë me BE-në. Për të përmirësuar kualitetin e ajrit, Mujka dhe Hoxha thanë që Vetëvendosja do të vendosë matës të cilësisë së ajrit në të gjitha zonat e rrezikuara, dhe do të publikojë rezultatet dhe informojë qytetarët në mënyrë transparente. Dyshja po ashtu premtoi që partia do të bëjë zbatimin e përpiktë të ligjit për sasinë e lejuar të gazrave dhe do të procedojë para organeve të drejtësisë ata që shkelin ligjet e mjedisit.

Sa i përket hapave praktik, partia premton vendosjen e filtrave adekuat në të gjithë komplekset industriale që emetojnë gazra, ndalimin e makinave më të vjetra se 10 vjet, kategorizimin e makinave në bazë të sasisë së gazrave që lirojnë emulsione të shumta dhe ndalimin e qarkullimit të  veturave me kategori të dobët në qendrat urbane. Ata po ashtu thanë që Vetëvendosje do të shtojë sipërfaqet e gjelbëruara në zonat urbane dhe rurale, ndërtojë shtigje të biçikletave dhe promovojë përdorimin e tyre.

Në pyetjen se si e shohin draft ligjin e ri për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, i cili sugjeron që inspektoriati me vendim do të urdhërojë ndalimin e monitorimit dhe matjes së cilësisë së ajrit, nëse personi nuk është akridetuar nga Ministria, Mujka dhe Hoxha thanë që mbledhja dhe publikimi i të dhënave nga organizatat që merren me politika ambientaliste do të ishte në të mirë të qytetarëve, por që duhet të mbahet përgjegjësia në raste të rezultateve të pasakta.

“Jemi që kjo çështje të decentralizohet por që të ekzistojë kontrolli rigoroz, në mënyrë që kjo mos të përdoret për qëllime të caktuara e që nuk janë në përputhje me ato shtetërore,” thanë Mujka dhe Hoxha.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi në dhjetor të 2016-ës e cilësonte ndotjen e ambientit në Prishtinë si helmuese. Me anë të një postimi në Facebook, Abrashi jepte disa këshilla se si të dilej nga gjendja e rëndë e ndotjes së ajrit me të cilën përballej vendi, që ai e quante si faza e parë e zgjidhjes së këtij problemi.     

Abrashi shkruante se transporti publik dhe taksitë që veprojnë në vend duhet të kalojnë nga energjitë djegëse në energji elektrike. Ai po ashtu sugjeroi ndalimin e lëvizjes së automjeteve për periudha të caktuara në regjionet ku shkalla e ndotjes është e lartë, strategji për zhvendosjen e industrisë nga qyteti në zona  të pabanuara, kyçjen e ndërtesave dhe shtëpive në sistemin ngrohës nga Termokosi, të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për filtrimin e tymit të Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, kontroll strikt për automjetet më kuptimin e funksionalizimit të katalizatorëve të tyre, kontrollimin e cilësisë së naftës, dhe limitimin e importimit të automjeteve jo më të vjetra se tetë vite.

AAK në programin e saj politik të vitit 2014 nuk e trajton fare problemin e ndotjes së ambientit, duke mos ofruar asnjë alternativë se si mund të përmirësohet gjendje e ndotjes së ambientit.   

Komuna e Obiliqit e cila udhëhiqet nga AAK me kryetar Xhafer Gashi, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është rendit si komuna më e ndotur në Kosovë. E gjithë kjo vije për shkak të rrethanave specifike në të cilat ndodhet kjo komunë, për shkak të aktivitetit të termocentraleve ‘‘Kosova A’’ dhe ‘‘Kosova B’’.     

Gashi ka insistuar vazhdimisht që Ligji mbi Obiliqin është do t’i lehtësojë problemet e komunës të shkaktuara nga termocentralet. Në dhjetor të 2016 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar Ligji mbi Obiliqin, ku komuna shpallej si zonë e veçantë dhe do të përfitonte në mënyra të ndryshme. Ky ligj nga ana e kryetarit Gashi ishte parë si pikë e kthesës, siç e quante ai, që tashmë fillon një ‘‘epokë të re’’ për Obiliqin. Gashi sqaronte se ligji do ta detyronte KEK-un që t’i përmbushte kriteret për mbrojtjen e ambientin, ku duhet të kenë efekt filtrat, trajtimi i ujërave të termocentralit, çështja e minierave të termocentralit të mos ndizen vazhdimisht dhe kondita të tilla që besohet se do të përmirësoj ambientin.

Nisma për Kosovën

Kryetari i Nismas-s, Fatmir Limaj gjatë fushatës elektorale me 3 qershor, 2014, në komunën me ndotjen më të lartë të ambientit në Kosovë, asaj të Obiliqit, premtoi që partia e tij do të ndërtojë një termocentral me ‘‘norma europiane’’. Ai tha se më fëmijët e Obiliqit nuk do të sëmuren nga pluhuri dhe se me Nismen në qeveri, do të eliminohet ndotja e ambientit.  Mirëpo, Limaj nuk kishte dhënë detaje se cili është projekti konkret për termocentralin që ai premtoi, nga do sigurohet fondet për realizimin e tij, për çfarë periudhe kohore do përfundoj projekti dhe cilat janë standardet ‘‘europiane’’ të termocentralit të ri.

Në programin e saj politik, Nisma për Kosovën e trajton ndotjen e ambientit në paragrafin e quajtur ‘‘Për Ambient të Pastër Jetësor’’, ku vetëm jep konstatime dhe mungojnë projektet konkrete se si do të përmirësohet gjendja e përgjithshme e ambientit.   

‘‘Ne besojmë se qytetari ynë ka qëndrim dashamirës ndaj natyrës’’, thuhet në fjalinë hyrëse të Nismës, sa i përket ambientit. Më tej, aty thuhet se Kosova është një vend i bukur e i pasur dhe se kjo bukuri e saj po rrezikohet nga dora e njeriut e cila ishte e pakujdesshme ndaj kësaj bukurie.  Nisma beson se mbrojtja e ambientit duhet të jetë prioritet jetik i çdo qytetari  të Kosovës, duke e pas parasysh se ‘‘Bota është para një sfide globale për mbrojtjen e ambientit jetësor’’, thuhet në programin e Nisma-s.

Deputeti në largim i Nisma-s Enver Hoti në një prononcim në prill të 2016-ës thoshte se Kosova është në një gjendje të rëndë mjedisore, ku ndotja e ajrit, ujit e tokës është në nivele alarmante dhe se gjendja po keqësohet çdo ditë e më shumë. Ai duke u bazuar në konstatimet e ekspertëve të mjedisit thoshte se ata që po e ndotim më së shumti ambientin janë Korporata Energjetike e Kosovës, ‘‘Feronikeli’’,  fabrika e çimentos ‘‘Sharcemi’’, si dhe sektori i transportit.

Hoti si zgjidhje të këtij problemi e sheh respektimin e ligjeve në fuqi të cilat janë të formuluara sipas direktivave të BE-së, po që sipas tij kjo nuk do të ndodh edhe për një kohë.

K2.0 ka kontaktuar me zyrën për Media të AAK-së duke e pyetur rreth mungesës së trajtimit të ndotjes së ambientit në programin e Nisma-s, rreth termocentralit të premtuar nga Fatmir Limaj, dhe si e shohin gjendjen e përgjithshme të ndotjes së ambientit në vend dhe alternativat që ato ofrojnë për zgjidhjen e këtij problemi, por që nuk ka marr përgjigje.

Për më shumë informata rreth asaj se si qëndrojnë partitë politike, ndiqni videon e K2.0 për ideologjinë, dhe lexoni artikujt e kaluar për çështjet zgjedhore, duke përfshirë punësimin, arsimin, ushtrinë, barazinë gjinore,shëndetësinë, sportin, të drejtat e personave LGBTI dhe kulturën dhe korrupsionin.

K2.0 u asistua në hulumtin për këtë artikull nga Lëvizja për ndryshime shkencore dhe Peer Education Network.

Feature Image: Majlinda Hoxha / Kosovo 2.0.