Luftën kundër korrupsionit, Qeveria e Kosovës, e ka bërë ndër prioritetet e saja kryesore – por kur e mendojmë aktakuzën ‘Pronto’, akuzat serioze për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë dhe manipulimin e listave të veteranëve të luftës, duket që qeveria ende ka shumë punë për të bërë!
Por, larg çështjeve të profilit të lartë, në luftën për transparencë në zyret publike, qytetarët e informuar të cilët kërkojnë llogari nga institucionet dhe përfaqësuesit, janë çelësi i demokracisë së vërtetë. Dhe kjo do të thotë të kemi qasje në dokumente dhe vendime publike.
Ligjërisht, kosovarët kanë të drejtë të plotë të kërkojnë qasje në dokumente publike dhe të informohen hollësisht për shpenzimet e presidentit në verë, apo koston e ndërtimit të autostradës së re. Në praktikë, realiteti është shumë më ndryshe. Thuhet se informacioni është fuqi, por në Kosovë shumë shpesh trajtohet si privilegj.
Në edicionin e fundit të Bisedë e Shkurtër, duam të diskutojmë për transparencën e institucioneve kosovare. Cilët janë mekanizmat ekzistues që garantojnë llogaridhënie? Si kontribuon qasja në dokumente publike në luftën kundër korrupsionit? Me çfarë probleme ballafaqohen gazetarët – dhe qytetarët e tjerë – kur mundohen t’i qasen dokumenteve publike? A mund të kenë qasje qytetarët e Kosovës në çfarëdo informacioni që dëshirojnë? Çfarë hapa duhet të ndërmarrë Kosova për t’u bërë demokraci e hapur?
Bashkohuni të premten më 28 shtator, në orën 18:00 në Klubin M, për një diskutim të hapur dhe përfshirës, ku do t’i trajtojmë të gjitha këto pyetje dhe më shumë. Për ta nisur diskutimin kemi ftuar:
– Mexhide Demolli-Nimani – Drejtore e Nismës FOL
– Blerta Thaqi – Drejtore Ekzekutive e Open Data Kosovo
– Hilmi Jashari – Avokati i Popullit
– Donjeta Gashi – Drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit
Diskutimi do të moderohet nga gazetari i K2.0 Arian Lumezi.
*Do të ketë përkthim në gjuhën angleze.K
Kjo Bisedë e Shkurtër të K2.0 financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe mbështetet nga BIRN dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Foto kryesore: Faton Selani / K2.0.