Biseda | Feminizmi

Bojana Genov: ‘Kisha është pengesa më e madhe për realizimin e të drejtave të grave në Kroaci’

Nga - 24.09.2018

Aktivistja feministe kroate diskuton se si të fitohet kundër forcave konservatore që i kundërshtojnë të drejtat e grave.

Në fushën e feminizmit global, viti 2017 do të kujtohet për lëvizjen #MeToo.

Kjo nismë, e themeluar në SHBA pas skandalit të Harvey Weinstein – në të cilin prodhuesi i njohur i filmave është akuzuar për ngacmime dhe sulme seksuale kundër dhjetëra grave – u përhap në shtete të tjera, duke bërë që qindra e mijëra gra të thonë publikisht “me too” (“edhe unë”… jam viktimë e ngacmimit), për ta theksuar faktin se dhuna seksuale është problem i përhapur dhe serioz. Revista Time e shpalli lëvizjen “me too”, apo ato që e “thyen heshtjen”, si person të vitit.

Ndonëse “me too” arriti edhe Ballkanin, shtetet në këtë rajon ende përballen me beteja të ndryshme. Disa nga temat e theksuara nga aktivistët feministë në Ballkan janë e drejta për abortim, përfaqësimi i grave në pozita të vendimmarrjes, prania e grave në politikë dhe dhuna kundër grave.

Në një seri të Bisedave, K2.0 ka folur me disa prej feministeve më të shquara në rajon për zhvillimin dhe gjendjen aktuale të feminizmit në shtetet e tyre përkatëse dhe problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen.

Bojana Genov, aktiviste dhe një prej koordinatoreve të Rrjetit të Grupeve të Grave në Kroaci (Women’s Network of Croatia) bisedon me K2.0 për çështjet më të rëndësishme feministe në Kroacinë e sotme.

Foto: Jadran Boban.

K2.0: Keni qenë shumë aktive në luftën e Kroacisë për ta ratifikuar Konventën e Stambollit – konventën e Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje që u nënshkrua në vitin 2011. Ajo më në fund u miratua nga Parlamenti Kroat në prill 2018, pas disa muajve me protesta të shoqatave konservatore dhe disa politikanëve të caktuar. A është kjo fitorja përfundimtare? Çfarë duhet të presim të shohim në të ardhmen?

Bojana Genov: Mendoj se është shumë mirë që u ratifikua më në fund Konventa e Stambollit – jo për shkak se presim të ndodhin ndryshime të rëndësishme brenda natës, por për shkak se në nivel simbolik, në nivelin e marrëdhënieve të fuqive shoqërore ndërmjet forcave konservatore dhe liberale, kjo fitore ishte tepër e rëndësishme.

Sa i përket zbatimit të Konventës, nuk do të jetë diçka e shpejtë e as urgjente, sepse Qeveria e Republikës së Kroacisë i vendosi disa rezerva në disa prej masave të konventës, që do të thotë se do të kalojë një kohë para se të zbatohet realisht Konventa.

Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që është ratifikuar Konventa, dhe Parlamenti kryesisht ishte në favor të mbrojtjes së të drejtave të grave – rruga drejt zbatimit të saj është e hapur.

Cila pjesë e Konventës së Stambollit ishte problematike? Pse gjithë ky mobilizim kundër ratifkimit të saj?

Forcat konservatore kishin probleme me pjesën që lidhej me disa vlera të caktuara dhe praninë e atyre vlerave – ato që flasin pro barazisë, drejtësisë dhe paanësisë ndërmjet gjinive dhe kundër dhunës – në sistemin arsimor.

Ato forca konservatore e kanë marrë përsipër gjithë sistemin arsimor në Kroaci, dhe gjatë 25 viteve të edukimit fetar në shkolla kanë arritur t’i japin formë vlerave dhe qëndrimeve të gjeneratave të reja. Shumë hulumtime për qëndrimet e të rinjve dëshmojnë se në ditët e sotme ata janë shumë më konservator se prindërit e tyre…

Shpeshherë keni komentuar se kisha është armiku më i madh i grave në Kroaci…

Absolutisht, dhe nuk duhet ta frenojmë veten e të mos e themi këtë publikisht. Kisha është pengesa më e madhe për realizimin e të drejtave të grave në Kroaci. Është e pamundur të përjashtohet kisha nga hapësirat publike. Ndarja e kishës dhe shtetit është pjesë e Kushtetutës, por nuk ekziston në praktikë…

"Ndarja e kishës dhe shtetit është pjesë e Kushtetutës, por nuk ekziston në praktikë."

Për shembull, kemi dëgjuar lajmërime se në komitetin për shkrimin e legjislacionit për të drejtat riprodhuese do të jenë të përfshirë si pjesë përbërëse të tij disa prifta apo anëtarë të kishës. Ky është paradoksi i të gjitha paradoksëve! Si mund t’i kontribuojnë ligjit për abortim kur e dimë qartë se kisha nuk e lejon këtë, pa përjashtime. Kjo është dëshmi se kisha dhe shteti kanë mbështetje të ndërsjelltë për njëri tjetrin.

A mendoni se protestat kundër Konventës së Stambollit mobilizuan më shumë njerëz nga qarqet konservatore se protestat e kaluara? Apo thjeshtë tërhoqën më shumë vëmendje mediale?

Sa i përket numrit dhe madhësisë së protestave, u pa qartë se pjesa më e madhe e njerëzve as nuk kishin njohuri për përmbajtjen e Konventës, e le më për atë se kundër çfarë po rebeloheshin. Kjo është e pritshme dhe normale, pasi që pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë njohuri për përmbajtjen e shumicës së konventave të nënshkruara nga shteti, sepse këto marrëveshje nuk diskutohen hollësisht në media dhe kryhen në heshtje.

Në demonstratën e fundit të madhe kundër Konventës në Zagreb, forcat konservatore u mobilizuan, pjesërisht falë logjistikës së ofruar nga kisha. Njerëzit u ftuan për të marrë pjesë në protestë gjatë predikimeve, kishte autobusë të organizuar, njerëzve u dhanë sendviça dhe drekë, pra është e kuptueshme që një numër i caktuar i njerëzve u mblodh në atë mënyrë.

U bashkuan gjithashtu një numër i madh i kroatëve nga Bosnja dhe Hercegovina, edhe pse BeH e ratifikoi Konventën e Stambollit para shumë vitesh, që tregon se mobilizimi nuk ishte i frymëzuar nga teksti i Konventës.

Foto: Jadran Boban.

Sa i përket dhunës së kryer nga qarqet konservatore, aktivistet femra shpeshherë i ekspozohen kërcënimeve në këtë kontekst. Ne mund t’i publikojmë shumë letra kërcënuese që i marrim. [Shënim i redaktorit: Bojana Genov është frikësuar fizikisht dhe sulmuar verbalisht gjatë një protestës kundër Konventës së Stambollit, ku po merrte pjesë në kundër-protestë.]

Unë besoj se kjo tregon fytyrën e vërtetë të shumë prej atyre që janë mobilizuar kundër Konventës së Stambollit, të cilët nuk duan të diskutojnë, por duan t’i kontrollojnë banerat e të tjerëve, praninë e njerëzve të tjerë, dhe t’i përjashtojnë fizikisht të gjithë ata që nuk mendojnë njëjtë.

Argumentet e tyrë kundër konventës nuk janë të zhvilluara, por ata thonë se është sulm ndaj kroatëve dhe sovranitetit të tyre, për shkak se Brukseli do t’i diktojë veprimet e tyre. [Ata thonë] se është për t’i pyetur fëmijët se a duan ta deklarojnë veten si djemë apo vajza në shkolla fillore, se termi ‘seks’ do të shfuqizohej dhe nuk do të kishte dallime të qarta ndërmjet djemve dhe vajzave…

Nga fillimi keni theksuar se ratifikimi i Konventës së Stambollit është i rëndësishëm për ta reduktuar dhe parandaluar dhunën kundër grave. Nëse e marrim parasysh drejtimin e shteteve që e kanë ratifikuar Konventën, a kemi parë përmirësime në fushën e mbrojtjes së grave?

Në pjesën më të madhe të shteteve që e kanë ratifikuar konventën, të paktën në rajonin tonë, nuk kemi parë asnjë përmirësim. Megjithatë, një prej arsyeve është se ka rezervime [mbi ratifikimin] sa i përket financave dhe është krejtëishst e qartë se nuk mund të zbatohet asnjë plan pa ndihmë financiare. Do të duhet të presim me vite për të skaduar ‘rezervimet’ në mënyrë që të sigurojmë financim që do të mundësonte arritjen e ndryshimeve reale…

Megjithatë, edhe gjatë asaj kohe, disa pjesë të Konventës mund të zbatohen. Ligjet tona për dhunën kanë mangësi, por nuk mund të themi se nuk ekzistojnë – problemi është gjithmonë tek zbatimi dhe vullneti politik. Si shoqëri civile, ne duhet ta monitorojmë këtë dhe të bëjmë përpjekje për të qenë shumë të zëshëm rreth saj.

A është dashur ta presim një mobilizim të tillë kundër ratifikimit të Konventës? Duket se së fundmi në Kroaci janë mobilizuar disa shoqata të ndryshme konservatore, veçanërisht pas referendumit në 2013 në të cilin kroatët votuan kundër martesës ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Ku e shihni zanafillën e asaj fushate?

Ky proces është zhvilluar edhe para vitit 2013. Prej 90-ve kemi pas anëtarë të një lëvizjes së fuqishme pro-jetës që kanë sjellur ide prej jashtë vendit, sepse këta konservatorët tonë janë vetëm një degë, pra i kopjojnë metodat e konservatorëve jashtë vendit.

Rritjes së tyre në vitet e fundit i ndihmoi fakti se qeveria e krahut të djathtë kishte një mazhorancë të dobët, dhe kishte nevojë për mbështetje nga qarqet [ultra-]konservatore. Të mos harrojmë se këto shoqata të vogla konservatore të krahut të djathtë madje u organizuan në një parti politike më moti, por kurrë nuk arritën sukses gjatë zgjedhjeve.

Suksesi i tyre u garantua nga një mazhorancë e vogël e së djathtës së moderuar që ishte në qeveri dhe kishte nevojë për disa duar ekstra në Parlament për ta siguruar mazhorancën, prandaj këta konservatorë të pakët fituan hapësirën që nuk do ta kishin fituar me zgjedhje apo mbështetje të publikut. Ky është rezultat i tregtisë politike. Kur e morrën hapësirën në media, atëherë u bën faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në arenën publike.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kroacisë organizoi protestën Mbroje të Drejtën për të Zgjedhur në vitin 2016, duke u mbledhur kundër nocionit të ndalimit të abortit. Po përgatitet një ligj i ri për abortim në Kroaci. Po të miratohej, ky ligj do ta pakësonte shumë qasjen në të drejtën për abortim. Çfarë rrëziqe i sjell miratimi i mundshëm i ligjit të ri?

Me dekada kemi monitoruar zbatimin e të drejtës për abortim në Kroaci, dhe gradualisht e kemi parë shtypjen e këtyre të drejtave. Disa objekte spitalore po japin kundërshtime të ndërgjegjshme, që gratë të mos kenë qasje në abortime. Gjithashtu, shërbimet shëndetësore ekzistojnë vetëm në shkrim, ndërsa në praktikë vështirë se janë të realizueshme.

"E drejta për të abortuar veç se është kufizuar shumë dhe miratimi i ligjit të ri mund të jetë problematik".

Kemi raste ku të gjithë doktorët në një spital kanë lëshuar kundërshtime të ndërgjegjshme, e ato janë përhapur në mesin e stafit mbështetës. Abortimi ka kaluar në ekonominë joformale; numri i përfolur i abortimeve nuk është i saktë. Disa doktorë të caktuar gjithashtu performojnë abortime në klinika private, ndërsa në spitale publike japin kundërshtime të ndërgjegjshme.

E drejta për të abortuar veç se është kufizuar shumë, dhe miratimi i ligjit të ri mund të jetë problematik – për shembull, përmendet prezantimi i këshillimit për gra shtatzënë që duan të abortojmë. Deri më tani abortimi është lejuar të kryhet vetëm në 10 javët e para [të shtatzënisë], dhe tani [nëse] e kemi këshillimin edukativ, do të jetë më lehtë të kalohet ky afat. Pra edhe pse abortimi do të ishte teoritikisht i realizueshëm, në praktikë do të ishte krejtësisht e pamundur të realizohet.

Ne besojmë se këshillimi është diçka absurde, dhe se është mohim i kompetencave ligjore të grave. Gratë janë qenie morale dhe të ndërgjegjshme, dhe ne nuk mendojmë se ka arsye për t’i këshilluar dikush gratë dhe për t’u thënë se nuk janë të afta për të marrë vendime të tilla. Ky lloj mentorimi është i papranueshëm dhe në praktikë do të jetë shkatërrues për zbatimin e të drejtave riprodhuese. Unë besoj se nuk duhet të lejohet që ligji i ri ta përmbajë këtë pjesë për këshillime.

Cila është pjesa më problematike në lidhje me të sipas mendimit të juaj?

Në Kroaci nuk kemi edukim seksual në shkolla. Paradoksalisht, parlamenti lajmëron se do të ofrojë këshillime për gratë e rritura, shtatzënë dhe me personalitete të formuara, në vend se t’i lejojë ato të kryejnë abortime, e njëkohësisht nuk i mëson asnjë sekond vajzat e reja që janë në zhvillim e sipër, dhe që sapo janë duke filluar të mësojnë për vendimet që do t’i marrin në të ardhmen, për edukimin seksual dhe riprodhues.

Atyre nuk u japin njohuri për të drejtat dhe shëndetin riprodhues. Këtë paradoks e theksojmë ne – gratë e reja në sistemin arsimor nuk po i marrin njohuritë për të cilat kanë nevojë, por po sanksionohen më vonë gjatë jetës.

Foto: Jadran Boban.

Të pranishëm në tubimet kundër Konventës së Stambollit ishin edhe plot të rinj, dhe plot gra. Si mund ta shpjegoni këtë, që kaq shumë gra i kanë përvetësuar pikëpamjet konservatore në lidhje me këtë çështje?

Veç se kemi qenë dëshmitarë të rikthimit të sistemit patriarkal në shoqëri; është trend në rritje. Në vendin tonë, gruaja fillimisht duhet ta afirmojë veten si nënë, e ftuar për ta riprodhuar kombin, sepse kombi po zhduket, dhe numri i kroatëve po reduktohet. Sikur të ishte e lidhur kjo vetëm me gratë dhe natalitetin…

Ky trend u prezantua në shkolla nëpërmjet sistemit arsimor, dhe prandaj ne kërkojmë fuqimisht reformimin e sistemit arsimor, e forcat konservatore e rezistojnë këtë.

Imazhi publik që i imponohet grave po bëhet një imazh gjithnjë më privat: imazhi që gratë e kanë për veten. Pa marrë parasysh sukseset e tyre në arsim – statistikat tregojnë se gratë janë më të suksesshme në shkollë se burrat – dhe karrierat e lakmueshme të tyre… detyra primare e grave [në Kroaci] është të jenë nëna! Prandaj kemi arritur deri tek ky qëndrim mesjetar ndaj të drejtave të grave, dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë që të mos mbizotërojë kjo pikëpamje!

Kjo është intervista e pestë në kuadër të serisë sonë ‘Bisedë për Feminizmin në Ballkan’, që trajton gjendjen e feminizmit në rajon. Na vizitoni javën e ardhshme për një intervistë tjetër me një feministe të shquar nga Ballkani Perëndimor.

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën kroate.

Foto kryesore: Jadran Boban / K2.0.