Ka ardhur dita për peshim.
nuk ka matës, gërmohet brenda në gjoks
pa ndaluar, pa gjetur nivelin e saj
jo një pikëllim, por betim dhe në sytë e turbullt
e paftuar ngrihet stuhia.
The Tobacco Gatherers, Kosta (Kočo) Racin
Ka ardhur dita për peshim.
nuk ka matës, gërmohet brenda në gjoks
pa ndaluar, pa gjetur nivelin e saj
jo një pikëllim, por betim dhe në sytë e turbullt
e paftuar ngrihet stuhia.
The Tobacco Gatherers, Kosta (Kočo) Racin
Nuk shkruaj rrëfime. Dhe nuk shkruaj poezi. Ndonëse si autore e veprave jo-fiksion dhe fiksion kam zgjedhur të flas pothuajse ekskluzivisht në vetën e parë, kurrë nuk kam botuar e as folur për diçka personale. Për mua shkrimi është, para së gjithash, akt politik. Maksima e jetës dhe e pranisë sime publike është një citat nga Helene Cixous: “Sa shkelje e madhe është për një grua të flasë — qoftë edhe thjesht të hapë gojën — në publik”.
Furtuna shpërtheu në fillim të vitit. Madje mund të them se shpërtheu kundër vullnetit tim. Dy shkrimtare të jashtëzakonshme, që i vlerësoj fort — Selma Asotić and Rumena Bužarovska — kritikuan një përmbledhje tregimesh nga autore nga Serbia dhe Mali i Zi nën titullin “Bombat e Ballkanit“, nga një botues me seli në Londër, “Istros Books”. E quajtën një “shaka e keqe e zhytur në seksizëm dhe stereotipe perëndimore për Ballkanin” dhe “një manifestim shqetësues i eksploatimit të zërave të grave dhe ekzotizimit të luftës dhe vuajtjeve në Ballkan”. U mendova mirë, jo për shumë kohë dhe pastaj fola.
Nuk jam e sigurt për gratë e tjera, por mua s’më pëlqejnë stuhitë. Frikësohem nga rrufeja. Por kjo jam unë. Politikisht, besoj se duhet të dal nga zona e rehatisë dhe të flas. Gjersa po e shkruaj këtë, ndihem sikur kam nevojë për një arsye për të folur, por s’më duhet një e tillë. Është sikur më duhet një arsye apo justifikim për të folur për një disfatë që e pësova kohët e fundit, por s’më duhet. Disfata — titulli dhe kopertina e librit “Bombat e Ballkanit” — del këtë shkurt.
Gremina dhe mundësia
Kur u kontaktova nëpërmjet botuesit nga përkthyesi australian Will Firth, padyshim që festova. Të jesh autore që shkruan në një gjuhë të një kulture të vogël është e bukur e edhe e vështirë. Ne, folësit e gjuhëve të vogla, gëzohemi gjithmonë kur dikush flet gjuhën tonë. Megjithatë, nuk ndihem rehat të flas me të huajt në serbisht. Është njëfarë parehatie kur e flasin një përzierje të gjuhëve serbe, kroate, malazeze dhe boshnjake, plot vetëbesim në njohuritë e tyre, teksa qëndroj aty, tepër e sjellshme për t’i korrigjuar dhe tepër e kapluar nga mirënjohja për ta që po mundohen ta flasin gjuhën time. Është si të pranoj një dhuratë që nuk e kërkoja.
Will Firth është përkthyes i njohur i shumë veprave letrare nga gjuhët boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze (BCSM) në anglisht. Ndër përkthimet e tij janë disa shkrimtarë të njohur. Natyrisht, u nderova nga dëshira e tij për të punuar me autore gra — për të përkthyer dhe redaktuar një përmbledhje tregimesh nga autore nga Serbia dhe Mali i Zi. E përmenda se do të ishte mirë të përfshiheshin autore nga vende të tjera të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë apo autore të tjera nga fusha e “gjuhës sonë të përbashkët”. Kisha përshtypjen se edhe ai mendonte të njëjtën gjë dhe arsyet pse nuk ishte e realizueshme (për momentin) ishin të natyrës administrative.
Nga veprat e mia, përkthyesi zgjodhi tregimin tim “The Abyss”, (shq. Gremina), një zgjedhje logjike sepse kishte fituar një çmim. Z. Firth u befasua që unë desha ta shqyrtoja përkthimin kur ai përfundoi atë. M’u duk sikur duhej ta justifikoja dëshirën time për gjënë më normale në botë, për të qenë e përfshirë në punën për tekstin tim.
Modeli i biznesit — autori/ja ka vdekur
I gjithë projekti, i cili muaj më vonë do të krijonte konflikt në skenën letrare, sugjeron një model të thjeshtë biznesi. Përkthyesi gjen autore të gatshme t’i ofrojnë tekstet e tyre pa pagesë, kërkon para për ta financuar punën e tij, gjen një botues që sheh potencial dhe në fund të gjithë dalin të kënaqur. Autoret marrin botimin në gjuhën angleze, përkthyesi merr paratë dhe meritat e tij për realizimin e botimit dhe botuesi merr të drejtat për një botim të ri pa asnjë mundim ose para të kërkuara nga ana e tyre.
Kjo është normale në marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit dhe në fakt normalizon shfrytëzimin e njerëzve pa të cilët botimi nuk do të ishte i mundur — autoret. Pra, gratë autore — sepse të gjithë e dimë se puna e grave është shpeshherë e padukshme, e panjohur dhe e papaguar.
S’mund të jem e sigurt nëse puna është e papaguar sepse është e padukshme dhe vetëm pjesërisht e njohur në qarqet letrare, apo ndoshta nuk njihet sepse është e papaguar, me paratë që janë vlera reale në kapitalizëm. Do të doja ta flisja këtë gjerë e gjatë me Silvia Federici. Autorët e autoret e rinj/eja gabimisht besojnë se, nëse ia dorëzojnë veprën e tyre dikujt, pranuesi do të jetë mirënjohës dhe do të luftojë për interesat e autorit/es. Ndodh e kundërta. Kur dikush merr përmbajtje pa pagesë, e trajtojnë veprën pa kujdes.
Një varg ofertash të këqija
Çka pasoi më pas ishte disi e lodhshme dhe e parashikueshme. Pasi pranova të merrja pjesë në përmbledhje, pavarësisht se isha në njohuri për ato që përmenda më lart, prisja një sërë ofertash tjera të këqija. Në emailin e parë, neve, autoreve, na u dha lajmi i gëzueshëm: shtëpia botuese me seli në Londër “Istros Books”, “u pajtuan” për ta botuar librin. Pikërisht atëherë e pamë për herë të parë titullin e punës “Bombat e Ballkanit”. Mendova se titulli ishte i papërshtatshëm, por heshta. Të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në korrespondencën me email mbetën të fshehur në BCC.
Por shpejt pas kësaj, kur erdhi një letër refuzimi nga ministria për mbështetjen e projektit, sugjerova ndryshimin e titullit sepse atëherë organizatat feministe mund ta mbështesnin përmbledhjen. Will e refuzoi sugjerimin. Ai nënvizoi dhe shkroi me shkronja të mëdha fjalën “PUBLISHER” [botuesi], duke thënë se si ajo (jo ai personalisht, por botuesja Susan Curtis) “nuk ishte e hapur për një titull tjetër”, po e vendoste “marketingun para feminizmit” dhe theksoi se ajo “është e vendosur për” këtë çështje dhe shtoi se “ndoshta projekti ishte paracaktuar të dështonte për shkak të kësaj”.
Kur përmbledhja gjeti financim nga Qendra Angleze “PEN” dhe nga “Këshilli i Arteve” në Angli, po ashtu edhe një vend në Panairin e Librit në Londër në pranverë 2023, pranuam një email me një listë tregimesh dhe autoresh, në vend të një kontrate. Na dërguan një deklaratë të shkurtër për heqjen e të drejtave tona ekskluzive. Edhe një herë kërkova që ta ndryshonin titullin, por asnjë nga sugjerimet e mia nuk u mor parasysh, prandaj u largova.
Çfarë gratë duan gratë — na pyesni neve
U shkrova letër autoreve të tjera me një qëllim — t’i informoja drejtpërdrejt për vendimin tim dhe ta krijoja atmosferën për diskutim. Kishte më shumë se një dhjetëra kontribuuese, kështu që sigurisht që nuk do të pajtoheshim të gjitha për gjithçka. Diskutuam për trajtimin që mori secila prej nesh, për përvojat e mëparshme në bashkëpunim me botuesit dhe shkëmbyem numrat e telefonit të avokatëve. I hartuam nevojat e autoreve nga rajoni në mënyrë që ato t’i njihnin të drejtat e tyre, në mënyrë që të vepronin bashkërisht dhe të komunikonin me njëra-tjetrën.
Asnjëra nga gratë nuk tha se e aprovonin titullin e përmbledhjes, megjithëse kishte disa që heshtën. E sa u përket atyre që ishin kundër titullit, përpjekjet e tyre ishin të kota, edhe pse jo të gjitha e shprehën kundërshtimin e tyre me vendosmërinë e njëjtë. Nuk jemi të njëjta, bindjet tona ndryshojnë. Para gjithë kësaj Marija Pavlović dhe Jasna Dimitrijević e braktisën projektin. Pas diskutimit tonë u larguan edhe Ivana Bulatović, Ana Vučković Denčić, Milica Vučković, Ana Marija Grbić dhe Dragana Mokan.
Na mblodhën me kritere të paqarta, por mungesa e një koncepti qendror për përmbledhjen mundësoi që njerëzit të largoheshin e të zëvendësoheshin me të tjerë. Kjo ishte posaçërisht e dhimbshme, por për të gjitha ne, që jetonim nën kapitalizëm, logjika ishte e qartë: nëse ti s’do, është dikush tjetër që do — nëse të pengon, je e lirë të shkosh.
Kur u bë publike kopertina e librit që së shpejti do të dilte në treg, pashë se kopertina ishte edhe më tmerruese se titulli. Aty paraqitej një bombë e modifikuar ashtu që t’i ngjante trupit të një gruaje. Një bombë me vijat e trupit të një gruaje. Teksti përcjellës shkruante se çka kanë të përbashkët autoret e antologjisë, përpos që janë “femra” (jo “gra”), është se ato nuk mund ta sigurojnë jetesën nga veprat e tyre dhe ndoshta s’do të munden kurrë. Kjo nga stilolapsi i dikujt, që mbante tarifat ose honoraret — ishte forma më e ulët e cinizmit. Mendova sa e tmerrshme ishte, por nuk ishte më shqetësimi im. Lexuesit do të vendosin, ose nuk do të vendosin. S’e mendova më.
Kush largohet e kush rri
Më shumë se 10 vjet më parë, u largova nga një projekt tjetër, më i rëndësishëm, “Četiri lica Omarske” (shq. Katër fytyrat e Omarska). Ishte vepër arti dhe nismë që krijoi një kundërmonument të gjenocidit të Prijedor. Në një moment, m’u duk se puna e Grupit të Monumenteve dhe Grupit “FFO” ishte e kotë, se nuk mund t’i përmirësonim gjërat dhe se vlera, që po krijonim në punën tonë, nuk po kontribuonte në mirëqenien e njerëzve me të cilët punonim.
Në një udhëkryq të ngjashëm, Jean-Luc Godard dhe Jean-Pierre Gorin u grindën pas shumë vitesh punë në filmin revolucionar “Ici et Ailleurs”. Të gjithë luftëtarët e Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO) me dhe për të cilët ata incizuan pamjet u vranë nga trupat e Huseinit. Kjo ndodhi kur vepra kryesore, e titulluar “The Terrorized — Godardian Pedagogy” [shq. Të terrorizuarit = Pedagjogjia Godardiane], u shkrua nga Serge Daney. E përmendi atë për të hedhur dritë mbi arsyetimin — kur ekziston — për ata që qëndrojnë (Godard) kundrejt atyre që largohen (Gorin).
Duke folur për filmin, Daney thekson turpin e medies — krimin, që përfitojnë nga njerëzit e gjallë dhe magjinë e shfaqjes së punës diku tjetër për kënaqësinë e shikuesit. Përfituesi i vetëm i këtij transferimi është autori i veprës (filmit), i cili është kriminel dhe magjistar në të njëjtën kohë.
Daney thotë se borxhi simbolik nuk mund të shlyhet. Godard thotë se filmat mund të ndahen në filma pornografikë borgjezë ose revolucionarë militantë. S’ka lloj të tretë. Vendimi se cilat arsye i zgjedh autori i takon ekskluzivisht autorit. Më saktësisht, Daney — dhe vetë Godard — e shohin të gjithë punën krijuese të Godardit si “një meditim të dhimbshëm” mbi temën e kthimit ose procesin e dëmshpërblimeve. Kur, kush, kujt dhe pse.
Mbledhësit e bombave dhe përpjekjet e tjera
Për shkak se kam qenë e përfshirë në filma dhe veçanërisht me etikën dhe politikën e filmit, e di se vetëm një pjesë e vogël e njerëzve i kanë shikuar punët revolucionare të Godardit. S’ka rëndësi. Shumë më tepër njerëz e shikuan “The Time of the Gypsies”, (shq. “Koha e ciganëve”) ose “Underground” [shq. “Nën fshehtësi”] të Emir Kusturica, “No Man’s Land”, (shq. “Toka e askujt”) ose “An Episode in the Life of an Iron Picker“ [shq. “Një episod në jetën e një skrapari”] të Danis Tanović, “Before the Rain” [shq. “Para shiut”] nga Milcho Manchevski, “Serbian Epics”, [shq “Epikat serbe”] e Pawel Pawlikowskit, “Grbavica” apo “Aida” e Jasmila Žbanić,, “Hive” [shq. ”Zgjoi”] e Blerta Bashollit, ose kanë hasur në vepra arti të Milica Tomić, Flaka Haliti, Šejla Kamerić, Marina Abramović.
Të gjithë këta artistë i janë qasur Ballkanit ndryshe, me më pak a më shumë eksploatim, me pranim më të mirë apo më të keq dhe duke fituar më pak a më shumë çmime.
Por nëse përqendrimi i një historie janë dëmshpërblimet për të cilat Godard ëndërronte, atëherë përfaqësuesi më i mirë është njeriu i vogël ballkanas i filmit “An Episode in the Life of an Iron Picker“ [shq. “Një episod i jetës së një mbledhësi hekuri”], i cili fitoi çmimin e madh Ariu i Argjendtë në Berlinale në qendër të Evropës. Megjithatë, Nazif Mujić nga Svatovac, i vendosur afër qytetit boshnjak Lukavac, i cili luan veten në film, përfundoi duke e shitur statujën e tij të Berlinales për 4,000 euro, për shkak të një situate të vështirë financiare. Disa vite më vonë, kur ndërroi jetë, të afërmit dhe miqtë e tij mblodhën para për ta paguar ceremoninë e funeralit. S’pati një fund të lumtur.
Pavarësisht se kam punuar gjithë jetën, për momentin teksa po e shkruaj këtë, jam e papunë dhe nuk kam sigurim shëndetësor. Tërë jetët tona ngjajnë më shumë me jetët e grumbulluesve të duhanit nga poema e Kočo Racin, sesa me jetën e përkthyesve australianë, të cilët, si Prometeu, i prezantojnë tekstet tona pa pagesë te publiku britanik (dhe botëror).
Edhe po të ishte gjendja më pak koloniale, edhe nëse Will Firth do të ishte një redaktues librash me seli në Ballkan, edhe sikur të ishim ne të parat në kërkim të famës botërore, edhe sikur të besoja se nuk do t’i shihja kurrë dritat e panairit të librit të Londrës në ndonjë formë tjetër, do ta kisha refuzuar atë kopertinë dhe atë titull.
Por pse vendimi për ta refuzuar është i imi? A s’mundemi, apo nuk duhet të kërkojmë sjellje etike nga ata që përfitojnë nga puna jonë? Pse ata përjashtohen nga obligimi për t’i trajtuar të tjerët në mënyrë etike, ndërkohë që ne, autorët/et, përballemi me një fakt të kryer, duke na lënë barrën për ta kuptuar se si të ecim tutje?
Po bërtas, nuk do të ndalem
Në stuhinë që shpërtheu në fillim të vitit — kur një numër i madh grash autore, nga i gjithë Ballkani përplasën përmbledhjen e tregimeve — ne, të rebeluarat, morëm mbështetje nga gra autore, kritike, medie dhe organizata. Shtëpia botuese bëri disa lëvizje të tjera të gabuara. Më e rëndësishmja, ata na akuzuan se nuk qëndrojmë në solidaritet me autoret gra — në fakt, ne e kritikonim seksizmin flagrant, orientalizmin ndaj këtyre autoreve gra që u eksploatuan. Kjo sigurisht krijoi ndasi dhe forcoi armiqësinë tonë, siç paraqitet në fjalët e poetes Ruth Stefanović:
Gratë autore, të zhveshura, po bërtasin në llogaritë e tyre në Facebook: NUK DO TË OBJEKTIVIZOHEMI!
Përpiquni të mbuloheni dhe ndoshta do t’iu funksionojë.
Ajo shkroi, e përsëris:
(fjalët më jehojnë si një kor në kokën time)
Përpiquni të mbuloheni dhe ndoshta do t’iu funksionojë.
Përpiquni të mbuloheni dhe ndoshta do t’iu funksionojë.
Përpiquni të mbuloheni
E çka nëse nuk dua? Nuk dua të mbulohem dhe të hesht. E zhveshur, vazhdoj të bërtas: NUK DO TË OBJEKTIVIZOHEMI — ndërsa, si çdo grua autore e periferisë, çdo grua që punon në botë, e shes trupin dhe shpirtin tim për çmime të ndryshme në botën pornografike të artit borgjez. Derisa, siç sugjeron Godard, bëhemi artistë militantë.
Në një moment, Jessica Stoyadinovic, e njohur më mirë me emrin e saj skenik Stoya, thellësisht e vetëdijshme për natyrën shfrytëzuese të artit dhe të “filmave për të rritur” posaçërisht, tha se e vetmja gjë për të cilën mund dhe duhet të përpiqemi — në marrëdhënie të tilla pushteti — është shfrytëzimi reciprok.
Por kush mund ta masë shkallën e shfrytëzimit? “Në peshoren e ftohtë me bronz e peshojnë, por a e masin dot peshën e tij”.
Feature image: Kosovo 2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.