Pikëpamje | Migrimi

Bota ua ktheu shpinën afganëve shumë kohë më parë

Nga - 17.08.2021

Reflektime mbi strehimin e refugjatëve afganë në Ballkan.

E takova Idrisin në stacionin e trenit në Sarajevë në verën e vitit 2018. Një i ri, emri i të cilit më vonë mësova se ishte Ahmad, më kishte kërkuar ta ndihmoja një mik. Ahmedi më çoi atje ku Idrisi ishte i ulur në tokë. Ndërsa u afrova, edhe nga një largësi, pashë dhimbjen në fytyrën e tij. Ai ishte në një lloj spazme, i gjithë trupi i tij.

Iu afrova, u ula në gjunjë, e përshëndeta me pak farsi që e mësova nga miqtë afganë që kisha takuar në Greqi dhe e pyeta nëse mund të fliste sadopak anglisht. Ai fliste, gjithashtu edhe shoku i tij. Jo shumë, por mjaftueshëm që të bisedojmë me njëri -tjetrin. Së bashku, ata më thanë se sapo kishin ardhur me autobus nga drejtimi i Tuzlës pas një ecjeje të gjatë nga Serbia, dhe se Idrisi kishte dhimbje.

Ata të dy ishin në fillim të të 20-tave dhe vinin nga Afganistani, gjë që mund ta vëreja nga veshjet tradicionale që mbanin veshur. I kërkova Idrisit të më tregonte se ku kishte dhimbje, duke pritur që do të dëgjoja historinë e zakonshme për flluskat dhe dhimbjet e muskujve pas një ecjeje shumë të gjatë dhe të vështirë. Por kjo ishte krejtësisht ndryshe.

“Bomba, bomba, Kabul”, u përpoq të shpjegonte ndërsa tërhiqte pantallonën në këmbën e tij të majtë deri në gju. Nuk isha aspak e përgatitur për atë që pashë.

Një pjesë e këmbës së tij ishte shkatërruar. Me të vërtetë e shkatërruar. Ishte qepur keq disa kohë më parë, dhe tani ishte e mbuluar me gjak dhe qelbi po dilte nga plaga. E kuptova që plaga ishte e vjetër disa vite, dhe se kurrë nuk ishte shëruar mjaftueshëm, por për shkak të ecjeve të gjata fillimisht filloi të dhimbte, pastaj të rridhte gjak.

Idrisi kishte qenë duke ecur në rrugë në Kabul kur një makinë bombë shpërtheu.

Thirra një vullnetare tjetër që ishte atje dhe kishte një çantë të ndihmës së parë me vete. Shumë shpejt mbetëm vetëm me Idrisin. Në atë kohë, stacioni i trenit në Sarajevë ishte gjithmonë plot me njerëz që ishin në udhëtimet e tyre të rrezikshme nëpër Ballkan. Disa flinin atje, midis shinave të trenit; disa vetëm vinin duke kërkuar vullnetarët që sillnin ushqim, rroba dhe ndihmë të parë.

Vullnetarja tjetër ishte një grua e re amerikane, më e re se Idrisi, i cili më tha se ishte 20 vjeç. Mund ta shihja se sa e vështirë ishte për të që ta ndihmonte dhe se si mezi i mbante lotët. Edhe unë gjithashtu. Ne duhej t’i tregonim se nuk ishim të tmerruar nga dhimbja dhe plagët e tij. Duhej të gjenim një mënyrë që ai të ndihej i sigurt, të paktën për një moment, dhe të na besonte. Ne, për dallim nga ai, ishim të vetëdijshëm se ai kishte ardhur në një vend ku nuk kishte kujdes të duhur dhe se do t’i duhej të ngrihej në këmbë dhe të vazhdonte ecjen pas ndihmës sonë modeste.

Idrisi dhe Ahmedi na treguan historinë për këmbën e Idrisit. Idrisi kishte qenë duke ecur në rrugë me nënën e tij disa vjet më parë në Kabul kur një makinë bombë shpërtheu pranë një tregu. Idris dhe nëna e tij ishin ndër të paktët që mbijetuan. Por Idris humbi dorën e majtë dhe gjysmën e pulpës. Në spitalin e Kabulit bënë çfarë mundën; i dhanë disa qepje bazike dhe e lanë të ikte.

Iu deshën muaj që të ngrihej në këmbë, më shumë se një vit për të filluar të bënte hapa të vegjël dhe më pas përfundimisht të ecte përsëri. Pas tre vjetësh, kuri u ndje mjaftueshëm i fortë për të ecur, familja e tij vendosi që atij i duhej të shkonte në Evropë për të kërkuar një mjek për ta ndihmuar. Shitën çka mundën, mblodhën mjaft para për të paguar një kontrabandist dhe e dërguan vetëm. Ishte vetëm 16 vjeç. Ata nuk mund të përballonin një kontrabandist të mirë i cili do ta nxirrte jashtë me një pasaportë të rreme, ndoshta me një aeroplan. Përkundrazi, kontrabandisti i tyre mund të siguronte vetëm ndihmën bazë dhe të organizonte pjesë të udhëtimit. Dhe kështu, Idrisi filloi të ecë vetëm.

Iu deshën tri vite për të arritur në Ballkan, porta e BE-së, dhe pastaj dy vite të tjera për të shkuar tek një mjek në BE. Fatkeqësisht, ata i thanë se ishte tepër vonë për t’u operuar, por i premtuan se të paktën mund të kujdesen për dhimbjen.

Para Gjermanisë, ai kishte hyrë në BE në Greqi, duke arritur me një gomone nga Turqia që zbarkoi në ishullin grek të Kios. U vendos në një kamp të papërballueshëm për disa muaj vetëm me gjërat esenciale dhe nuk mori vëmendjen e duhur mjekësore. Vendosi të nisej për në Athinë me miqtë që i kishte bërë gjatë rrugës. Duke mos qenë në gjendje të gjejë strehim, jetoi për ca kohë në rrugët e Athinës para se të nisej për në Greqinë veriore, dhe më pas me këmbët e tij të brishta në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe më pas në Bosnjë dhe Hercegovinë ku ai ngeci.

Në Bosnjë ku BE-ja dhe partnerët e tyre në terren, organizata të ndryshme ndërkombëtare, janë përgjegjëse për “menaxhimin e migrimit u la për një kohë të gjatë jashtë, në rrugë dhe pyje, dhe më pas u dërgua në Bira, në një prej “qendrave të përkohshme të pritjes” të pashpirta të drejtuara nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin. Në atë kamp në Bihać jeta e tij u bë edhe më e vështirë. Bosnja veri-perëndimore është vendi ku shumica e refugjatëve përfundojnë për shkak të afërsisë me kufirin me Kroacinë, shtet anëtar i BE-së. Shumica prej tyre po përpiqen papushim ta kalojnë kufirin në këmbë, dhe të hyjnë në hapësirën ku shpresojnë të marrin azil.

Ai e kaloi kufirin dhe hyri në Kroaci, dhe pas 18 ditësh ecjeje arriti në Itali.

Idris dhe unë qëndruam në kontakt gjatë gjithë kësaj kohe derisa ai ishte në Bosnjë. U përpoqa të bëja çka munda për të qenë aty për të. Shumicën e kohës, gjithçka që mund të bëja ishte vetëm të shkëmbja mesazhe në Facebook, t’i thosha të qëndronte i fortë dhe herë pas here, shkoja ta vizitoja në vendet ku ai flinte. Në pyll, ndërtesa të braktisura, nën ura…

Më në fund, në Bihać, gjeta një grua vendase që të kujdesej për të, për t’i ndërruar fashat rregullisht, për t’i siguruar një vend për të bërë dush (që në kamp ishte pothuajse e pamundur) dhe herë pas here për të pushuar dhe fjetur. Mbi 20 herë, ajo e ndihmoi atë të bëhej gati për “lojën”, një përpjekje e rrezikshme për ta kaluar kufirin në BE. Çdo herë, Idrisi — si dhe shumë të tjerë u sprapsën dhunshëm nga rojet kufitare kroate. Por ai u përpoq sërish dhe sërish. Duke ecur nëpër pyje, matanë maleve, drejt Italisë, me ëndrrën për të arritur në Gjermani, ku, nëna e tij i tha se, “mjekët janë më të mirët”.

Ai vazhdoi edhe kur ne ishim të sigurt se nuk do t’ia dilte. Këmba e tij po përkeqësohej. Na tregonte vazhdimisht për dhimbjen, por ne mund të bënim pak për ta ndihmuar. Më në fund ai e kaloi kufirin dhe hyri në Kroaci, dhe pas 18 ditësh ecjeje arriti në Itali. Disa ditë më vonë ai arriti në Gjermani. Atje, pas një udhëtimi tronditës prej gati pesë vitesh, kërkesa e tij për azil u refuzua dy herë nga autoritetet. Me ndihmën e avokatëve, më në fund mori azilin dimrin e kaluar, dhe tani është duke pritur për të marrë një pasaportë, për të parën herë në jetën e tij.

Vite armiqësie dhe injorance

Idrisi është vetëm një nga shumë njerëzit nga Afganistani që takova gjatë viteve në të ashtuquajturën Rruga Ballkanike. Të gjithë ata po ikin nga tmerret në vendin e tyre. Në 20 vitet që kur filloi ndërhyrja ushtarake e udhëhequr nga ShBA — një ndërhyrje në të cilën morën pjesë shumë shtete të BE-së  — Afganistani nuk ka qenë një vend i qëndrueshëm ose i sigurt. Shumë njerëz nuk kanë pasur zgjidhje tjetër përveç ikjes.

Gjatë viteve të fundit numri i emigrantëve afganë është rritur dhe sot ata janë grupi i dytë më i madh i azilkërkuesve në BE. Megjithatë, shumë shtete anëtare të BE-së e kanë konsideruar Afganistanin të sigurt dhe kanë i kan deportuar njerëzit mbrapa — një fat që Idrisi e shmangu pas një lufte të vështirë ligjore.

Me kalimin e viteve, përgjatë Rrugës Ballkanike, takova qindra njerëz nga Afganistani. Mjekë, infermierë, studentë, aktivistë, rrobaqepës, mësues, përkthyes, gazetarë, poetë… të rinj, të moshuar, gra, burra… Ata më treguan histori tmerri nga vendi i tyre dhe histori të jashtëzakonshme nga rruga që u detyruan të merrnin për t’i shpëtuar jetët e tyre. Shumë prej tyre, edhe pasi arritën në BE, po jetojnë jetë të vështira nën kërcënimin e vazhdueshëm se mund të dërgohen përsëri në Afganistan.

Në Ballkan ata u trajtuan në mënyrë çnjerëzore, u lanë vetëm me kujdes bazik, nëse kishte të tillë, duke vuajtur nga dhuna dhe uria, duke u privuar nga të drejtat e tyre themelore si qenie njerëzore.

Këto histori, të ngulitura thellë në kujtesën time, më vijnë përsëri në mendje kur e shoh lajmin e tërheqjes së ShbA-së nga Afganistani, e cila e la vendin dhe njerëzit e tij pa mbrojtje nga talebanët. Në lajme, dëgjoj se disa vende nga Perëndimi po ofrojnë të marrin njerëz që ata i konsiderojnë më të ndjeshëm dhe t’u japin atyre mbrojtje të përkohshme. Midis atyre që strehojnë refugjatë do të jenë disa vende të Ballkanit, udhëheqësit e të cilave me sa duket ishin kontaktuar nga qeveria amerikane në korrik. 

Njerëzit nga Afganistani do të fillojnë të vijnë së shpejti këtë javë. Ndoshta është vendim i mirë, edhe pse për momentin askush nuk e di se si do të zbatohet, së bashku me shumë pyetje të tjera pa përgjigje.

Kush mund të vijë dhe kush jo, dhe kush vendos?

A është vërtet e mundur, dhe çfarë do të ndodhë me ta kur të jenë këtu? Sa prej tyre mund të vijnë? Si do të vijnë ata dhe kush do t’i mbështesë? A do të lejohen të nisin një jetë apo do të trajtohen në mënyrë çnjerëzore si të tjerët që tani janë në rrugën e Ballkanit? 

Si do të ndikojë kjo te të gjithë njerëzit e tjerë nga Afganistani të cilët tashmë janë ngujuar në një nga vendet e Ballkanit, në disa raste me vite? Të ngecur në kampe të tmerrshme në Greqi, ose në kampin Lipa në Bosnjë, pranë Bihać, ku nuk kanë ushqim të mjaftueshëm ose ujë të pijshëm, dhe ku emigrantët janë të ekspozuar ndaj dhunës së përditshme, të gjitha nën vëzhgimin e afërt të BE-së.

Dhe për fund, kush mund të vijë dhe kush jo, dhe kush vendos?

Krejt kjo i ngjan shumë Srebrenicës në vitin 1995 kur OKB-ja dhe Perëndimi vendosën se nuk do të bënin asgjë dhe do të linin njerëzit të vriteshin. Disa me fat u evakuuan me organizatat ndërkombëtare, bazuar në një listë që disa njerëz e shkruan në ndonjë tavolinë. Të tjerët thjesht u lanë të vdisnin ose të përpiqeshin të iknin nëpër malet e pyllëzuara. As sot, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e tyre.

Idrisi qante derisa po flisnim. Familja e tij nuk ka rrugëdalje nga Kabuli.

As për atë që po ndodh tani në Afganistan askush nuk do ta marrë përgjegjësinë ndonjëherë. Përgjatë viteve, ushtritë perëndimore dhe organizatat ndihmëse po qeverisnin vendin, duke premtuar prosperitet dhe demokraci. Dhe një ditë, thjesht vendosën se kishin bërë mjaftueshëm, dhe lanë gjithçka dhe të gjithë.

I shkrova Idrisit ditën kur ra Kabuli. Ai është i sigurt në Gjermani, por familja e tij është ende në Kabul. Më dërgoi fotografi që anëtarët e familjes së tij i bënë pranë shtëpisë së tyre. Shoh trupa të pajetë, disa të mbuluar me plastikë si çarçafë gri, disa fëmijë, të shtrirë në tokë. Duken sikur janë qëlluar gjatë vrapimit.

Idris qante derisa flisnim. Nuk mund ta kuptoj se çfarë po ndodh me familjen e tij, por mund ta kuptoj që ata nuk kanë rrugëdalje. Nuk kanë mundësi të largohen. Të gjitha paratë që kishin pasur, i përdorën për ta nxjerrë jashtë Idrisin. Asnjë prej tyre nuk ka punuar ndonjëherë për një organizatë apo ambasadë ndërkombëtare. Janë thjesht njerëz të zakonshëm. Asnjë burokrat perëndimor nuk do ta vendosë emrin e familjes së tij në listën e duhur.

Idrisi kishte shpresuar se sapo të ishte në BE do të ishte në gjendje të dërgonte para dhe ta ndihmonte familjen e tij, por atij iu desh kaq shumë kohë për të arritur në BE, dhe më pas për të marrë qëndrim të ligjshëm, saqë nuk mundi të bëjë ende asgjë për ta. Ai thjesht shikon nga larg, si të gjithë ne, tmerrin që po shpaloset në Afganistan. Por për të, dhe për shumë njerëz të tjerë të bllokuar në Ballkan ose që u larguan më parë dhe tani janë në Evropë, ajo që po ndodh është makthi më i keq që mund ta imagjinonin.

Dhe makthi nuk ka fund. Derisa udhëheqësit perëndimorë po refuzojnë të marrin përgjegjësi për 20 vite luftë dhe shkatërrim, ata gjithashtu gjejnë kohë që të përpiqen t’i mbajnë njerëzit nga Afganistani sa më larg kufijve të tyre. Në vend që t’i respektojnë të drejtat e njeriut dhe ligjet e refugjatëve që Perëndimi i ka vendosur për veten dhe t’i pranojnë refugjatët e dëshpëruar që ikin nga talebanët, ose ata që ikën nga Afganistani vite më parë si Idrisi, ata po i ridrejtojnë refugjatët duke u përpjekur që t’i bëjnë përgjegjësi të dikujt tjetër.

Me tmerr vazhdoj t’i ndjek lajmet nga Afganistani. Dhe e vetmja gjë që më vije ndërmend ta them është t’i përsëris fjalët e Seraj Mahbouba, një udhëheqëse afgane për të drejtat e grave: “Do t’i them të gjithë botës — turp ju qoftë”. Çfarë ka tjetër për të thënë?

Për ta mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e tyre, dy të rinjve nga Afganistani në rrëfim u janë dhënë pseudonime.

Imazhi i ballinës: Mark Fonseca Rendeiro.