Biseda | Media

Brandon Oelofse: Nuk është edhe aq revolucion, më përpara është luftë

Nga - 13.01.2020

Drejtori i Qendrës Trajnuese Radio Netherlands flet për gjithëpërfshirjen, minoritetet dhe sjelljen e zërave të rinj në mediat e shekullit 21.

Brandon Oelofse është krijues dhe trajner i mediave i njohur globalisht. Drejtori aktual i Qendrës Trajnuese Radio Netherlands (RNTC) e vizitoi Prishtinën në nëntor 2019 si pjesë e konferencës “Mediat Sot” të K2.0, ku mbajti punëtori për rrjetet sociale dhe gazetarinë avokuese. Në punëtoritë e tij u trajtua hapja e mediave ndaj minoriteteve dhe gjithëpërfshirja në gazetari.

Duke përdorur teknika të reja të rrjeteve sociale, Oelofse u tregoi gazetarëve si të zhvillojnë biseda me audiencën e tyre. Ai thotë se kjo është gazetaria e re e shekullit 21. Gazetarët duhet të mësojnë se si të tregojnë lajme në mënyra të reja duke përdorur teknologji të reja.

Ai punon nga afër me çështje të gjithëpërfshirjes në media dhe ka punuar me qeveri të ndryshme për të zhvilluar mesazhe kundër ekstremizmit. Oelofse i mbikëqyr disa programe studimore në RNTC: Mediat për Ndikim, Mediat për Ndryshim të Sjelljeve, si dhe Mediat Kundër Radikalizimit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ai është me origjinë nga Afrika e Jugut, ku e themeloi Vusulela Media, një organizatë që punon me praktikat bazë të vlerësimit kritik dhe krijimit të mediave, si dhe qasjes ndaj tyre. 

Oelofse ka bërë reklama dhe filma të vlerësuar me çmime për kompani dhe organizata të ndryshme, si dhe e ka drejtuar kompaninë e tij të produksionit. Në arenën ndërkombëtare, ai e këshillon UNESCO-n, UNICEF-in dhe qeveritë anembanë botës në lidhje me politikat e mediave.

Oelofe thotë se pika kryesore që duhet ta mësojnë dhe ta mbajnë në mend audiencat e tij është: “Kuptojeni se kë jeni duke e dëgjuar, dhe duke kërkuar zëra të padëgjuar më parë, mund të merrni përmbajtje të reja dhe të freskëta.”

Gjithashtu, ai është i përfshirë në aktivizëm për ragbi gej. Oelofse ka ndihmuar në themelimin e Jozi Cats, ekipit të parë gej dhe gjithëpërfshirës të ragbit në Afrikën e Jugut, dhe deri vonë ka luajtur për ARC Amsterdam Lowlanders, një ekip i ragbit LGBT në Holandë.

K2.0 bisedoi me të për përfshirjen e pikëpamjeve minoritare dhe për të ardhmen e mediave në shekullin 21.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

K2.0: Ju punoni shumë për çështje të minoriteteve dhe gjithëpërfshirjes në gazetari. A keni reagime negative për këtë nga gazetarët? Dhe si flisni me ta për përfshirjen e çështjeve të minoriteteve?

Brandon Oelofse: Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi parasysh se shumica e gazetarëve ende mendojnë se janë duke raportuar për Masën, kështu që mundohen t’u sjellin informata masave të njerëzve. Pra kur fokusi është një audiencë masive, gjithmonë je në kërkim të pikëpamjes së masës, të pikëpamjes kryesore. Pikëpamjet minoritare shpeshherë heshten dhe nuk merren fare parasysh në diskutim. Për shkak se grupet minoritare nuk janë pjesë e rrjedhës qendrore, ata heshten në diskutim. Si duhet t’i bindim gazetarët ta kapin këtë në radarin e tyre?

Shoqëria ka nevojë për shtytje dhe ne kemi nevojë për shtytje.

Gazetarët me të cilët punojmë shpeshherë duan të raportojnë nga një pikëpamje e posaçme dhe nuk duan ta thyejnë traditën; ose mendojnë që kanë nevojë të jenë objektivë, në mënyrë që të mos e marrin anën e askujt. Dhe mendojnë se nëse veprojnë ndryshe, thehet tradita ose është kundër etikës gazetareske dhe kodeve të praktikës.

Shumë shpesh ne mundohemi t’u japim një pikëpamje më ndryshe. Ose e fuqizojmë shoqërinë civile dhe grupet minoritare në mënyrë që ata të jenë të aftë t’u qasen mediave. Dhe mendoj se ndonjëherë kjo është më e rëndësishme. Nuk je zë i besueshëm, përveç nëse je i vetëdijshëm për çështjen ose e përjeton atë. Audiencave LGBT dhe grupeve minoritare duhet t’ua japim veglat të cilat u nevojiten për t’iu qasur mediave në mënyrë të barabartë, dhe prapë se prapë të prodhojnë përmbajtje etike dhe kualitative gazetareske. Përndryshe nuk do t’i dëgjosh fare ata zëra. 

Dhe kur nuk i kemi këta zëra, çfarë humbim realisht?

Eh po shoqëria ka nevojë për shtytje, ne kemi nevojë për shtytje. Dhe duhet të bëhemi të vetëdijshëm që përvoja jonë jetësore nuk është e vetmja përvojë. Kur i shtyjmë njerëzit ta shohin jetën nga një pikëpamje tjetër, shpeshherë ata e përvetësojnë një pikëpamje të re. Kur dëgjojmë nga njerëzit që nuk janë si ne, atëherë kundërshtohet konstrukti ynë i realitetit.

Unë jam dy metra i gjatë, dhe isha duke e shikuar një program televiziv në të cilin vendosin kamera në kokat e fëmijëve dhe njerëzve të shkurtër, dhe i lëjnë të ecin nëpër një qendër tregtare për t’i parë sfidat me të cilat ballafaqohen ata gjatë jetës. Kjo më dha një perspektivë të re për botën, dhe për këtë kemi nevojë — një perspektivë të re. Duhet të jemi të aftë të themi “Hej, pikëpamja jote mund të mos jetë pikëpamja më e mirë. Ndonëse kjo është pikëpamja me të cilën pajtohen plot njerëz, ka pikëpamje që janë po aq valide dhe po aq të besueshme.” 

Ju vini nga Afrika e Jugut dhe ishit pjesë e atyre që dikur ishin klasa sunduese, nëse mund t’i quajmë kështu. Si erdhët deri në pikën ku filluat të mendoni për pikëpamjet minoritare dhe arsyen pse ato duhet të komunikohen?

Në Afrikën e Jugut është shumë më ndryshe, sepse komuniteti pakicë sundonte mbi komunitetin shumicë. Pra zërat e shumicës nuk u dëgjuan sepse ata u ngulfatën nga grupet minoritare që i kontrollonin mediat dhe qasjen në media. Afrika e Jugut është shembull shumë i vështirë. Por në Afrikën e Jugut, unë e themelova një OJQ për përshpejtim të mësimnxënies së praktikave të vlerësimit kritik dhe krijimit të mediave, si dhe qasjes në media, me fokus në ngritjen e gazetarisë civile në sipërfaqe, në një kohë kur shumica e raporteve dhe çështjeve ishin të fokusuara rreth qyteteve Cape Town, Johanesburg, Durban. Prej tyre i dëgjonim zërat më dominues.

Por këto media vinin nga privilegji. Kjo ishte për shkak se shumica e njerëzve që jetonin në qytete ishin të klasës së mesme dhe kishin qasje në arsim. Por njerëzit më të varfër, ata që prekeshin më së shumti nga problemet shoqërore dhe ekonomike, ishin të ngecur në qyteza të izoluara dhe rurale. Mediat kurrë nuk u qaseshin atyre, kurrë nuk e kërkonin mendimin e tyre dhe kurrë nuk përpiqeshin t’i kuptonin problemet e tyre.

Gjëja më domethënëse në lidhje me këtë punë është se të njëjtat çështje shoqërore i prekin të gjithë njerëzit.

Kështu që programi ynë i trajtonte ato zona të varfëra. Nën qeverinë e Thabo Mbekit, ato zona njiheshin si nyje të varfërisë. Dhe kjo ishte koha kur virusi HIV ishte më i përhapur se kurrë, poashtu edhe edhe problemet shoqërore si varfëria. Kështu që ne i mësuam si të prodhojnë vetë media. Në fillim prodhonin dokumentarë të vegjël, e pastaj programe të radios — për t’i folur popullit.

Ne i lidhëm këta të rinj — posaçërisht të rinjtë — me rrjete të radios në të cilat mund t’u transmetonin komuniteteve lokale. Nga komunitetet lokale, ne filluam të krijojmë rrjete të radio stacioneve dhe rrjete televizive, dhe i inkuadruam ato në dialogun kombëtar. Nëpërmjet këtij dialogu i qaseshim 4-5 milion të rinjve çdo javë, duke i inkuadruar këto rajone të cilat askush nuk i shihte, e as nuk dëgjonte pikëpamje që vinin prej tyre.

Ato ende ishin shumë relevante për bisedën dhe lidheshin me çështje më madhore të të rinjve në Afrikën e Jugut. Kështu që e krijuam një emision javor që përfshinte xhirime me telefona mobilë, dhe lloj-lloj xhirime tjera me kamera të vogla të dorës, etj. Ne i mësuam të rinjtë t’i përdorin ato për të punuar në një rrjet të gazetarëve qytetarë.

Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Në pikën kulminante të programit i kishim 107 gazetarë qytetarë të komuniteteve të ndryshme të vendit. Dhe ata e ushqenin një program javor, e ai program transmetohej në një kohë kyçe në televizionin kombëtar, kur shikonin më së shumti njerëz, në mënyrë që të rinjtë të kishin qasje të lirshme në të. Kështu nisën bisedat, dhe programi u lidh me ato biseda.

Gjëja më domethënëse në lidhje me këtë punë ishte se të njëjtat çështje shoqërore i preknin të gjithë njerëzit, por kishte zgjidhje të ndryshme pozitive të cilat ne nuk i kishim marrë parasysh. Dhe duke i informuar këto komunitete, në fakt mund t’i ndanim vlerat e tyre dhe të gjenim zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqoheshin të gjithë. Kështu që u ndihmuam komuniteteve t’i zgjidhnin vetë problemet e tyre dhe kërkuam prej tyre t’i tregojnë këto zgjidhje në formë të dialogut.

A mund të flisni pak për rolin e teknologjisë në gazetarinë qytetare dhe atë se si teknologjia e lanson dhe demokratizon gazetarinë qytetare?

Është ajo fjala që nuk ka më portierë [njerëz që i filtrojnë informatat të cilat u shfaqen publikut]. Portierët janë zhdukur, dhe mendoj se kjo është pjesërisht e vërtetë. Sepse dikur ishte një tavan dhe personi që i kontrollonte mediat, e kontrollonte pikëpamjen. Me përhapjen e teknologjisë, ka shumë më shumë demokraci dhe zërat e të gjithëve po dëgjohen në mënyrë të barabartë. Në fakt, zërat që janë unikë, që kanë fokus shumë të qartë, që janë të qartë në qëllimet e tyre, janë ata që po i gjejnë audiencat më të mëdha.

Është luftë për të parë: A do të dalim të gjallë prej saj?

Disa aktivistë të caktuar kanë shumë përcjellës sepse janë të qartë në qëndrimet e tyre. Dhe kjo nuk ishte gjithmonë e qartë në pikëpamjen e vjetër të mediave masive. Tani ka njerëz që trajtojnë çështje shumë specifike. Sikur më parë që i kishim gazetarët e specializuar që fokusoheshin vetëm në një gjë? Tani ka individë e qytetarë të zakonshëm të cilët mbulojnë beats (çështje specifike) shumë të rëndësishme. Beats nga një perspektivë unike, nga një perspektivë më rinore, nga një perspektivë e freskët, dhe kjo është demokracia që ka ndodhur. Po i marrim këto pikëpamje. 

A mendoni se çfarë po shohim tani është një revolucion në gazetari? Për shkak të teknologjisë, për shkak të gazetarisë qytetare, për shkak të dëgjimit të pikëpamjeve të ndryshme, dhe për shkak që po mbulohen këto çështje, që shpeshherë janë të njëjtat çështje, por nga pikëpamje të ndryshme?

Gazetaria po ndryshon. Në fakt, mediat po ndryshojnë dhe mënyra se si i konsumojmë mediat po ndryshon. Gazetaria dëshiron të mbetet ashtu siç është, dhe po mundohet t’i shmanget përdorimit të disa veglave dhe teknikave që po përdoren nga disa lojtarë të skenës, të cilët ndonjëherë janë të poshtër. Ata janë shumë efektivë në përçimin e mesazheve të tyre në mënyrë të qartë dhe bindëse. Por gazetaria dëshiron t’i ruajë parimet dhe rregullat e saj pa i marrë parasysh ata [mesazhet e tyre].

Revolucioni në fakt do të jetë të shohim se kush do të fitojë. Nuk është edhe aq revolucion, më përpara është luftë. Është luftë për të parë: A do të dalim të gjallë prej saj? Po e shohim që anembanë botës institucionet e vjetra po vdesin dhe nëse nuk i përmirësojnë shërbimet e tyre, nëse nuk e përmirësojnë mënyrën se si i formulojnë mesazhet e tyre dhe mënyrën se si i tregojnë storiet e tyre, atëherë ato do të vdesin.

"Çka nëse këto vegla dhe teknika bien në duart e gabuara?” Eh po, veçse janë në duart e gabuara.

Mediumet si New York Times, Washington Post dhe The Guardian po krijojnë nëpërmjet algoritmeve. Ata janë duke mësuar. Po kalojnë shumë kohë në hulumtime dhe zhvillim, duke mësuar çfarë duan lexuesit dhe përdoruesit nga artikujt e tyre. Pra po i vendosin ata në qendër. Por gazetaria tradicionale nuk mendon ashtu. Gazetaria tradicionale po mendon si një transmetues i vjetër: ‘Kam diçka për të komunikuar. Dhe nuk më intereson çfarë bën ti me të.’ Nuk mendoj se kjo është e përgjegjshme në këtë kohë që po jetojmë.

Pra po thoni se gazetaria ka nevojë për dialog ndërmjet konsumatorit dhe gazetarit.

Dhe t’i kthehemi idesë së përfshirjes dhe zërave më përfshirës… prej këtu duhet të vijë. Pra gazetaria nuk është vetëm një mesazh i transmetuar nga pushteti teposhtë apo nga privilegji teposhtë. Është gjithashtu për të dëgjuar dhe reaguar ndaj dëshirave të njerëzve.

Pra janë disa të vërteta…

Janë disa të vërteta dhe për këtë po luftojmë. Dhe të gjithë thonë “E çka nëse kjo bie në duart e gabuara? Çka nëse këto vegla dhe teknika bien në duart e gabuara?” Eh po, veçse janë në duart e gabuara.

Veçse janë duke i bërë të gjitha sendet që po i analizojmë në këtë konferencë. Ne s’po i bëjmë. Dhe nëse s’fillojmë të shohim, të mësojmë dhe të reagojmë… edhe nëse ai reagim është rrëfenja jonë dhe pastaj një rrëfenjë tjetër. Kjo është okej, përderisa ke pikëpamje. Dhe kështu e drejton, dëgjon dhe përdor audiencën tënde për të të ndihmuar me zhvillimin e kësaj.

Me vite jemi fshehur prapa asaj se nuk jemi të anshëm dhe jemi krejtësisht objektivë. Budallaki. Të gjithë janë të anshëm, të gjithë janë subjektivë. Merre atë subjektivitet dhe bëje të dukshëm. Sepse për këtë arsye njerëzit po largohen.

Donald Trump ka të drejtë kur i akuzon disa mediume për lajme të rreme, sepse po thonë që jemi krejtësisht objektivë, por po vijnë nga një pikëpamje subjektive. Pra po e tregojnë veten si krejtësisht objektivë dhe jogjykues, por ajo që po e bëjnë është në fakt gjykuese.

Po të isha gazetar tradicional, do të thoja: Unë shkoj dhe i prezantoj të dy anët e ngjarjes, pra jam objektiv.

Nëse e bën në mënyrë krejtësisht të drejtë, 50/50, atëherë ky është një lloj i gazetarisë. A po reagojnë njerëzit ndaj teje? A po e marrin njerëzit atë mesazh dhe po bëjnë diçka me të?

Nga hulumtimet e dimë se maksimalisht, rreth 30% të njerëzve e shohin atë artikull dhe bëjnë diçka me të. Sepse ata janë njerëzit që kanë nevojë për informata të drejta. Por ne tjerët, ne kemi nevojë ta zgjedhim një anë [gazetari ta zgjedhë një anë] ose ta tregojmë një ngjarje në mënyrë interesante që na prek emocionalisht, sepse kështu e konsumojmë. Nuk mund ta tregosh një lajm në mënyrë krejtësisht objektive. 

Sa u përket gazetarëve më të moshuar të cilët mbase nuk duan t’i ndryshojnë zakonet e tyre duke përdorur teknologji dhe duke ndryshuar mënyrën se si e tregojnë fizikisht lajmin, si e ndryshon kjo përmbajtjen e lajmit?

Nuk është as për teknologji, është për audiencën. Luftërat më të mëdha që i kam zhvilluar në dy ditët e fundit… nejse, jo luftëra, as argumente, po analiza të pikëpamjeve. Pikëpamjet më të mëdha që i kishim në dy ditët e fundit lidheshin me atë se njerëzit nuk e kuptojnë se kë e kanë audiencë dhe frikësohen prej tyre. 

Duhet të mendojmë për krijimin e një hapësire ku njerëzit mund të zhvillojnë biseda.

Kështu që nuk duan ta marrin parasysh audiencën e tyre. Mendoj se problemi më i madh ka të bëjë me kuptimin e audiencës, e atyre me të cilët flet dhe asaj se çfarë është relevante për ta. I kam dëgjuar reagimet e gazetarëve: “Përgjegjësi e jona është t’u japim këtyre njerëzve informata. Unë po u jap informata.” Kjo është e tepërt. Askush nuk e konsideron çfarë din dhe çfarë nuk din. Askush nuk e konsideron kush është audienca e tij apo saj, çfarë toni duhet të përdorë…

Mendoni për çfarëdo bisede. Nëse i hyni një bisede dhe vetëm i jepni informata bashkëbiseduesit duke bërtitur, ai ose ajo do t’ju thotë “Baju, s’dua kështu. Falemnderit, po jo falemnderit.” Po them se kemi nevojë të mendojmë për këtë si gazetarë. Duhet të mendojmë për të zhvilluar biseda. Dhe duhet të mendojmë për krijimin e një hapësire ku njerëzit mund të zhvillojnë biseda. Nëse jemi duke i targetuar të rinjtë, ndoshta ajo bisedë ndodh në Instagram dhe me një ton më ndryshe. Dhe nëse e targetojmë gjeneratën që ka hyrë në moshë madhore në fillim të shekullit 21, ndoshta biseda duhet të zhvillohet në Facebook.

Nuk është për atë se çfarë ti mendon se duhet të dinë njerëzit, por për atë që njerëzit veçse e dinë. Çfarë informate u mungon? Dhe cilat aftësi u mungojnë? Ose cilat qëndrime duhet t’i ndryshojnë?

Nuk mendoj se është më vetëm një mënyrë. Dhe demokratizimi i internetit na ka treguar që ne kemi punuar si transmetues të stilit të vjetër. Thjesht kemi dhënë shumë informata shumë shpejt, pa ide se çfarë ndodh me ato informata dhe se cilat janë pasojat e atyre informatave, dhe tani njerëzit po thonë “Nuk e dua më këtë; më angazho në një dialog, dhe pastaj je relevant në jetën time.”

A ka të bëjë edhe me frikën nga audienca dhe frikën se si ata, gazetarët, mund të ekspozohen?

Ka të bëjë me edukimin e një gazetari në një institucion të caktuar apo në një gazetë të caktuar, duke punuar në një emision te caktuar. Dhe kështu ngec në një model të raportimit apo model të gazetarisë. Mendoj se është palidhje. Ne duam t’i shërbejmë publikut. Por publiku nuk është një audiencë; është vetëm një masë pa emër, pa fytyrë. Ne duhet ta definojmë atë se kujt jemi duke i folur. Duhet ta definojmë atë se për kë është lajmi. Dhe kjo kërkon të ulemi dhe të punojmë shumë. Nuk e kemi gjithmonë luksin e kohës për të vendosur për cilën audiencë është një lajm i caktuar.

Çfarë do të jetë gazetaria pas pesë vjetësh? Si do të ndryshojë gazetaria?

Veç se po e shohim se si gazetaria po ndryshohet. Nëpërmjet algoritmeve po e shohim çfarë duan njerëzit dhe po i përçojmë lajmet tek audiencat e duhura. Tani Amazon është prapa Washington Post. Të gjitha të dhënat dhe informatat që i mbledhin për audiencën, për atë se çfarë duan të lexojnë, të dëgjojnë — ky kuptim po kontribon në ndërtimin e Washington Post.

Por ekziston frika që mediat e vogla dhe të pavarura që u shërbejnë audiencave më të vogla — për shembull këtu në Ballkan — do të mbyten nga këta zëra më të mëdhenj, zëra të korporatave masive të cilat tani po vijnë në rajon.

Po, por këtu ka edhe një mundësi. Rrjetet e blogerëve, gazetaria joformale ku bashkëpunojnë një numër i gazetarëve të mirë në projekte hulumtuese, duke zhvilluar gazetari me të dhëna. Nuk po shohim më strukturë të formalizuar; po bëhet një grup i akterëve të cilët po bashkëpunojnë për ta arritur një synim të përbashkët.

Ata e kanë në mendje një synim shumë të qartë dhe e arrijnë atë synim së bashku. Po, i ke këta zërat e korporatave të mëdha që mundohen ta dominojnë tregun. Por zërat e njerëzve që me të vërtetë i kuptojnë zërat e njerëzve me të cilët po mundohen të komunojnë, të cilët janë shumë të qartë. Po vjen një konglomerat i madh si shtëpia e madhe mediale gjermane? Në rregull është. A i njohin audiencat lokale ashtu si i njeh një gazetare lokale e pavarur? S’besoj.

Konglomeratet i marrin këta gazetarë dhe pastaj ata punojnë për një entitet korporativ. A i ka kjo rreziqet e veta?

A është problem? Pse, kujt po i shërbejmë ne? Ne po i shërbejmë audiencës. Përderisa audienca ende po shërbehet dhe po nxjerr vlerë prej saj, atëherë nuk më pengon.

Plot gazetarë tani po përfundojnë duke punuar për diçka që ua shtrëngon raportimin. Pra, disa gazetarë bëjnë kompromis ose e humbin punën. 

Të jem i sinqertë, nuk mund të jap përgjigje për këtë. Sa u përket pjesëve ekonomike të gazetarisë, ka njerëz me shumë më shumë njohuri se unë. Por në shtetet në të cilat po punojmë, po e vërejmë se është më vështirë t’i financosh gazetarët individualë, rrjetet e gazetarëve. Rrjetet e çlirëta të gazetarëve financohen më vështirë, dhe janë vështirë për t’u gjetur nga qeveria. 

Ka avantazh dhe disavantazh. Si t’u japim para të donatorëve grupeve të çlirëta të njerëzve? Bëhet shumë e vështirë. Njëkohësisht, ata e mbrojnë veten duke mos qenë në një hapësirë fizike apo zyrë fizike, në mënyrë që të mos ketë mundësi të monitorohen dhe që të mos ua mbyllin zyrën. Pra ka të mira dhe të këqija.

Foto: Atdhe Mulla/ K2.0.

Tani kemi “gazetarë” të cilët janë 14 ose 15 vjeç. Pra janë fëmijë. Si t’u besojmë këtyre gazetarëve qytetarë?

Mendoj se duhet të kesh zë të besueshëm. Sa njerëz të ndjekin? A je i qëndrueshëm në mesazhe? A je i verifikuar? Të gjitha këto janë gjëra që të bëjnë të na besosh më shumë. Dhe të rinjtë kanë njohuri praktike në këtë aspekt. Tani jemi autoktonë digjitalë. Jemi lindur me telefona në duar, kështu që mund ta vërejmë nëse dikush nuk është legjitim në bazë të historisë së tyre. Kjo do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. 

Njerëzit duhet të jenë shumë të vetëdijshëm për mesazhet që i përçojnë. Për shembull Greta Thunberg. E kemi një aktiviste e cila filloi të përçonte mesazhe të qëndrueshme. Nëse i analizoj të gjitha rrjetet sociale të saj… e di se mund t’i besoj. Dhe veçse është duke u krijuar kjo ekonomi e besimit nga gazetarët qytetarë dhe raportuesit qytetarë dhe komentatorët në të gjitha aspektet e gazetarisë së re.

A mendoni se praktikat për krijim dhe vlerësim kritik të mediave duhet të mësohen në shkolla? Me çfarë grupmoshe duhet të fillojmë? Nga shkolla fillore?

Unë e kam zhvilluar mjaft shumë kurrikulën e këtyre praktikave mediale për të rinj, për gazetarë, për aktivistë. Këto praktika mediale janë thelbësore. Njerëzit më të prekur nga lajmet e rreme dhe dezinformatat janë të rinjtë nën moshën 15 vjeç dhe njerëzit mbi moshën 45 vjeç. Këto janë dy grupet e mëdha që ndikohen shumë nga dezinformatat. Inkuadrimi i këtyre praktikave mediale në shkolla me të vërtetë e frenon shpërndarjen e dezinformatave që në moshë të re. Por si të kemi efekt tek audiencat më të moshuara të cilat ngurrojnë të ndryshojnë mendim? Duhet edukim, dhe mbase duhet që të rinjtë t’i edukojnë më të moshuarit. K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.