Pikëpamje | Dialogu

‘Shpërblime’ dhe ‘Dënime’ për një Marrëveshje me Serbinë

Nga - 27.12.2018

Marrëdhënia ndërmjet Ushtrisë së Kosovës, Dhomave të Specializuara dhe draft marrëveshjes së Kryeministrit me Serbinë.

Ushtria e Kosovës

Më 14 dhjetor, 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi legjislacionin që mundëson transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të rregullt. Mandati i FSK-së i cili ishte i kufizuar në reagime ndaj krizave, mbrojtje civile dhe asgjësim të armëve tani do ta përfshijë edhe një mandat ushtarak.

NATO dhe disa shtete anëtare të NATO-s janë kundër një lëvizje të tillë pa amendamente paraprake kushtetuese dhe mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës, veçanërisht serbëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, menjëherë reagoi duke deklaruar se planet po bëhen “në kohë të papërshtatshme”, se janë kundër këshillave të disa aleatëve të NATO-s, dhe se mund të kenë pasoja serioze për të ardhmen e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Pavarësisht reagimit të ashpër të NATO-s, SHBA-ja po e mbështetë transformimin. Sipas Ambasadorit të SHBA-së Philip Kosnett, “është e natyrshme që Kosova si shtet sovran dhe i pavarur të ketë aftësi të mbrojtjes”.

Megjithatë, SHBA-ja e bëri të qartë se miratimi i ligjeve për ushtrinë e Kosovës nuk do të implikonte “ndryshim të menjëhershëm të strukturës, misionit apo operacioneve të forcës”. Në fakt do të “përfaqësonte fillimin e punës së vazhdueshme praktike të ndërtimit të një force transparente, multietnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që i shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në përputhje me planin 10 vjeçar të tranzicionit të Qeverisë së Kosovës”.

SHBA-ja gjithashtu e nxiti Kosovën të koordinohet me NATO-n dhe t’i mbajë marrëveshjet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjen e forcave dhe operacionet në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo?

Së pari, ndonëse Kosova ka miratuar legjislacionin që do ta mundësojë FSK-në të ketë mandat ushtarak, do të duhet të kalojë të paktën një dekadë për t’u zbatuar ky transformim. Ndonëse Kosova po e festonte me të drejtë ‘krijimin’ e ushtrisë, prapëseprapë do të duhet të kalojë një kohë të gjatë deri sa të shndërrohet FSK-ja realisht në ushtri.

Së dyti, duke thënë se Kosova ka të drejtë sovrane për të pasur ushtri, Ambasadori i SHBA-së thjeshtë e deklaroi një gjë që është e qartë. Si shtet i pavarur, Kosova si çdo shtet tjetër ka të drejtë ta mbrojë veten dhe për këtë qëllim, ta ketë ushtrinë e saj. Nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, përfshirë këtu Rezolutën 1244 të OKB-së (1999), siç u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, atëherë si mund të jetë krijimi i ushtrisë së Kosovës një shkelje e ligjit ndërkombëtar?

Por çështja për ushtrinë e Kosovës kurrë nuk ishte për ‘a do të bëhet’, ishte më shumë ‘si do të bëhet’.

Mbështetja e SHBA-së për transformimin gradual ishte e rëndësishme që Kosova ta mbrojë të drejtën e saj sovrane, gjegjësisht ta ketë një ushtri dhe ta ndryshojë rrëfenjën e shprehur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Pavarësisht dritës së gjelbërt për ta nisur transformimin, procesi mbetet jetik. Kosova gabon nëse e zbaton procesin e transformimit pa mbështetjen e SHBA-së, e cila është kontribuesja më e madhe e NATO-s dhe shteti që ofron siguri reale.

Faktet në teren nuk kanë ndryshuar. Nuk kemi parë ndryshime fundamentale në balancin e pushtetit që mund ta rrezikojë stabilitetin e rajonit.

Së treti, reagimi i Serbisë dhe i disa shteteve, që miratimi i legjislacionit për ushtrinë do ta rrezikonte paqen dhe sigurinë në rajon, është absurd. Siç e ceka më lart, FSK-së do t’i duhen të paktën 10 vjet për ta përfunduar transformimin e ushtrisë. Përveç kësaj, ushtria me 5,000 ushtarë aktivë dhe 3,000 rezervistë, dhe me një buxhet total të Kosovës prej rreth 2 miliardë euro, vështirë se përfaqëson një forcë sulmuese që ka kapacitetin për ta rrezikuar paqen dhe sigurinë në rajon.

Së katërti, NATO dhe KFOR-i do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kosovë dhe ta zbatojnë mandatin e tyre në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së (1999). Mandati i tyre mund të ndryshohet, njëlloj si UNMIK-u që e ndryshoi mandatin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por prapëseprapë do të jenë të pranishëm.

Pra miratimi i legjislacionit ishte një veprim i domosdoshëm politik që e mbron të drejtën sovrane të Kosovës për të pasur ushtri, por faktet në teren nuk kanë ndryshuar. Nuk kemi parë ndryshime fundamentale në balancin e pushtetit që mund ta rrezikojë stabilitetin e rajonit dhe procesi i transformimit prapëseprapë do të kontrollohet nga ato shtete të NATO-s që e mbështesin procesin e transformimit.

Dhomat e Specializuara

Në të njëjtën kohë kur Kosova e nisi transformimin e FSK-së në ushtri, një zhvillim tjetër e tronditi arenën politike të Kosovës: Dhomat e Specializuara filluan t’i ftojnë në gjyq ish-komandantët dhe anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që u themeluan në 2015 dhe janë funksionale nga korriku i 2017-ës, deri më tani kanë qenë të heshtura.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan për t’i adresuar akuzat për krime të caktuara, që u referuan në një raport të Këshillit të Evropës si “trajtimi jonjerëzor ndaj njerëzve dhe trafikimi i jashtëligjshëm me organe të njerëzve në Kosovë” (këtej e tutje do t’i referohemi si Raporti).

Raporti përmban akuza që gjatë luftës në Kosovë nga 1997 deri në 1999, anëtarët e UÇK-së mbajtën serbë dhe shqiptarë të burgosur në burgje të fshehta në veri të Shqipërisë, që këta të burgosur iu nënshtruan trajtimit jonjerëzor dhe degradues, dhe që disa prej tyre janë zhdukur. Ka akuza gjithashtu se në disa raste, në një klinikë në territorin e Shqipërisë, organet u hoqën nga të burgosurit dhe u dërguan jashtë vendit për transplante.

Nëse dëshmitë për dorëzim të padive ishin në dispozicion në 2014, pse Prokurorit të Specializuar iu desht kaq gjatë për t’i bërë ftesat e para për gjykatë në dhjetor 2018?

Ndonëse të themeluara nën ligjin e Kosovës, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar përbëjnë një institucion të Kosovës vetëm sipas emrit dhe formës ligjore. Të gjithë gjykatësit, prokurorët dhe anëtarët e tjerë janë të huaj që janë emëruar nga Misioni në Kosovë i Bashkimit Evropian (EULEX). Gjykata dhe prokuroria operojnë në Hagë dhe janë të financuara nga Bashkimi Evropian (BE). Prokurori i Specializuar është emëruar nga SHBA, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë polici dhe zyrtarë të paraburgimit, dhe kanë marrëveshje të ndara me shtete dhe organizata tjera për bashkëpunim juridik, dhe nuk i japin llogari institucioneve të Kosovës që janë të zgjedhura në mënyrë demokratike. 

Raporti përmend Presidentin aktual të Kosovës dhe zyrtarë të tjerë të lartë që aktualisht janë pjesë e institucioneve të qeverisë së Kosovës si të implikuar në krime të dyshuara. Themelimi i të ashtuquajturës Gjykatës Speciale u rezistua nga elita politike e Kosovës, dhe themelimi i saj u bë me sukses vetëm pas presionit të madh politik dhe kërcënimeve me sanksione nga SHBA dhe BE.

Kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese (TFSH), pararendësi i Prokurorit të Specializuar, deklaroi në vitin 2014 që “si rrjedhojë e këtij hetimi, ne besojmë se Task Forca do të jetë në pozitë për të dorëzuar padi kundër zyrtarëve të lartë të UÇK-së. Këta individë janë përgjegjës për një fushatë të persekutimit që iu drejtua serbëve, romëve dhe popullsive tjera minoritare të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës të cilët ata i etiketuan si bashkëpunëtorë të serbëve, apo, si kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së”.

Nëse dëshmitë për dorëzim të padive ishin në dispozicion në 2014, pse Prokurorit të Specializuar iu desht kaq gjatë për t’i bërë ftesat e para për gjykatë në dhjetor 2018? Dhe nuk janë as padi. Pse komandantët e UÇK-së që përmenden në mënyrë eksplicite në Raport nuk u ftuan, por u ftuan disa individë emrat e të cilëve nuk paraqiten në Raport? A nuk do të kishte më shumë kuptim të ftohen fillimisht të gjithë ata që përmenden në mënyrë eksplicite si të dyshuar në Raport dhe të zgjerohet pastaj hetimi për t’i përfshirë individët e tjerë?

Kjo mund t’i ngrisë spekulimet që ata që përmenden në mënyrë eksplicite në Raport nevojiten për një proces tjetër; pra, nëse ftohen ata, mund të shndërrohen në shkatërrues të procesit, me fuqinë për ta vonuar e madje edhe prishur procesin.

Draft Marrëveshja Gjithëpërfshirëse me Serbinë

Procesi tjetër, dhe mbase procesi me më shumë rëndësi politike, është dialogu me Serbinë. Më 13 dhjetor, 2018, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, papritmas e prezantoi tek shtetet ‘Quint’ — SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia — një draft Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Drafti pëfshin njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia si “shtet sovran dhe i konstituuar ligjërisht”. Ndërsa si pjesë e kësaj marrëveshje, Kosova do ta njihte rolin e Serbisë për “të avokuar për të drejtat e komunitetit serb që jeton në Kosovë”. Komunitetit serb në Kosovë i garantohen të drejtat e komunitetit siç reflektohet në Kushtetutën e Kosovës dhe Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, ‘Pakon e Ahtisaarit’. Drafti mbështet Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, inkorporon marrëveshjet e konkluduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e dialogut teknik dhe politik të Brukselit dhe përcakton zgjidhje të konfliktit para Gjykatës së Përhershme të Arbitrimit.

Drafti përcakton një Komision të Përbashkët të Monitorimit të përbërë prej përfaqësuesve të ‘garantuesve’ të marrëveshjes, që janë SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia dhe BE. Garantuesit do ta monitorojnë dhe raportojnë për zbatimin e marrëveshjes dhe do të kenë prani në Kosovë dhe Serbi. Përparimi i procesit të integrimit në BE kushtëzohet me raportet e suksesshme të garantuesve.

Megjithatë, draft marrëveshja ka dobësi të mëdha që mund të jenë të rrezikshme për Kosovën. Së pari, drafti nuk i përcakton në mënyrë eksplicite kufijtë e Kosovës me Serbinë dhe lejon për shkëmbime territoriale të maskuara si demarkacion i domosdoshëm i kufijve. Së dyti, shumica e obligimeve janë të detyrueshme për Kosovën, e kjo i jep Serbisë një përparësi politike dhe ligjore.

Koncesionet e bëra ndaj Serbisë krijojnë perceptimin që Kosova po kërkon falje që ka shpallur pavarësinë.

 

Së treti, drafti nuk përcakton shfuqizimin e Rezolutës 1244 të OKB-së (1999), që ende e konsideron Kosovën si pjesë të Republikës Federative të Jugosllavisë, që tani është shteti i Serbisë, e as anëtarësimin e Kosovës në OKB, si parakushte për hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Rusia dhe Kina ende mund ta bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, edhe nëse Kosova arrin marrëveshje me Serbinë. Shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ende mund të pretendojnë që Kosova nuk është shtet, përderisa nuk është anëtare e OKB-së dhe ta bllokojnë integrimin e saj në BE.

Së katërti, për shkak se pjesa më e madhe e obligimeve janë të detyrueshme për Kosovën, do të thotë se Komisioni i Përbashkët i Monitorimit do ta mbikëqyr kryesisht Kosovën dhe shumë më pak Serbinë. Do të thotë se faktikisht Kosova do të jetë përsëri nën mbikëqyrje ndërkombëtare — marrëveshje kjo që u mendua si e përfunduar në 2012 kur Komiteti Drejtues Ndërkombëtar, i cili e mbikëqyri zbatimin e Pakos së Ahtisaarit, e kreu mandatin e tij.

Së pesti, Serbia, nëpërmjet agjentëve si partia politike Lista Serbe në Kosovë, do të vazhdojë të ndikojë në mënyrë indirekte në Kosovën nëpërmjet marrëveshjeve nën kushtetutën e Kosovës që i jep komuniteteve fuqi veto në lidhje me legjislacione jetike, nëpërmjet Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe drejtpërdrejt nëpërmjet veprimeve ligjore kundër Kosovës para Gjykatës së Përhershme të Arbitrimit.

Koncesionet e bëra ndaj Serbisë krijojnë perceptimin që Kosova po kërkon falje që ka shpallur pavarësinë dhe që ka qenë viktimë e shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut nga Serbia për një dekadë të tërë, që u përcjellën me krime të luftës dhe spastrim etnik.

Për të funksionuar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sigurisht të dy palët duhet të bëjnë koncesione. Por pse do të propozonte Kosova kushte të tilla, që e dobësojnë sovranitetin e Kosovës në draftin fillestar?

Është e vërtetë që një marrëveshje e paqes duhet t’i balancojë interesat e Kosovës dhe Serbisë dhe një pjesë e madhe e atyre që janë përfshirë në draft marrëveshjen e Kryeministrit shkojnë në drejtimin e duhur. Por prapëseprapë duhet të ketë garancione që Kosova do ta merrë atë që e don nëse bën koncesione të tilla ndaj Serbisë.

Për të ndodhur kjo, Kosova duhet fillimisht t’i definojë qartë interesat kombëtare të saj dhe ta ketë një strategji të negociimit, e kjo nuk duket se është shumë e realizueshme për shkak të ndarjeve ndërmjet partive politike të shqiptarëve të Kosovës. E rrezikshme është ta prezantojmë një draft marrëveshje pa objektiva të definuar të negociimit dhe një strategji paraprake dhe pa konsideruar të gjitha pasojat politike dhe ligjore të draft marrëveshjes.

Serbia tani mund ta përdorë draftin e Kosovës kundër saj dhe të ngul këmbë që t’i mbajë koncesionet që veçse janë bërë, e të kërkojnë koncesione shtesë. Kosova mund të jetë në pozitë të pavolitshme për të kërkuar amendamente të draftit të saj pasi ta kuptojë se disa nga dispozitat e tij dhe disa pjesë që i kanë lënë jashtë, do ta dëmtojnë Kosovën.

Drita e gjelbërt e SHBA-së për ushtrinë tani duket si ’shpërblim’ - pra kosovarët po e marrin ndjenjën shumë të nevojshme që më në fund janë shtet i vërtetë, por duhet të jenë të gatshëm të bëjnë koncesione të vështira ndaj Serbisë.

Letra që ia dërgoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, vetëm disa ditë pasi Kryeministri e prezantoi draft marrëveshjen tek Quint, e thekson nevojën për një marrëveshje që i balancon interesat e Kosovës dhe Serbisë, dhe që kjo marrëveshje të jetë e realizueshme. Pjesa e fundit e fjalisë, gjegjësisht që kjo marrëveshje të jetë e realizueshme, tregon se drafti reflekton atë që SHBA-ja e sheh si balancim të interesave të Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh se draft marrëveshja ishte përgatitur me ndihmën e këshilltarëve të SHBA-së dhe i ishte dhënë Kryeministrit para se ta dërgonte ai tek Quint.

SHBA-ja don ta zgjidhë problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe nuk mund të fajësohet për mangësitë në draft duke marrë parasysh që lidershipi kosovar është i paaftë për t’i përcaktuar interesat strategjike dhe objektivat e Kosovës, e ta formojë një qëndrim të përbashkët.

Lidhja e pikave

A është thjesht rastësi që të gjitha këto zhvillime po ndodhin njëkohësisht? SHBA-ja po e jep dritën e gjelbërt për ta transformuar FSK-në në ushtri; Prokurori i Specializuar po fillon t’i ftojë në gjykatë disa anëtarë të UÇK-së që nuk përmenden në Raport; Kryeministri papritmas po e prezanton një draft marrëveshje që përfshinë koncesione ndaj Serbisë në shumë sfera; dhe Presidenti i SHBA-së Trump po e dërgon një letër nëpërmjet të cilës bën thirrje për një marrëveshje të realizueshme që i balancon interesat e Kosovës dhe Serbisë. Në fakt, dështimi i BE-së e bëri të domosdoshëm angazhimin e SHBA-së, e cila don ta paqesojë më në fund këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor.

Tregon gjithashtu se SHBA-ja është ajo që ka avantazh të vërtetë ndaj Kosovës, mbase edhe ndaj Serbisë, e jo BE-ja. Drita e gjelbërt e SHBA-së për ushtrinë tani duket si ’shpërblim’ — pra kosovarët po e marrin ndjenjën shumë të nevojshme që më në fund janë shtet i vërtetë, por duhet të jenë të gatshëm të bëjnë koncesione të vështira ndaj Serbisë, siç u reflektua në draftin e Kryeministrit.

Është gjithashtu perceptimi që Prokurori i Specializuar po i jep shenjat e para që i ka ardhur fundi kohës së pandëshkueshmërisë, pa i goditur realisht të dyshuarit e vërtetë. Kjo mund ta motivojë lidershipin e Kosovës, që është gati krejtësisht në duart e ish-komandantëve të UÇK-së, që të luaj sipas skenarit.

Disa ish-komandantë të UÇK-së, tani liderë politikë, mund të shpresojnë që nëse luajnë sipas skenarit mund ta bindin Prokurorin e Specializuar të jetë më tolerant ndaj tyre, veçanërisht pasi që Prokurori i Specializuar nuk i jep llogari askujt. Mund të jetë ky kombinim i ‘shpërblimeve’ dhe ‘dënimeve’ që e shpjegon pse lidershipi i Kosovës është i gatshëm të vazhdojë me një draft marrëveshje, që befason zemërgjërësinë e tij sa i përket koncesioneve të mëdha ndaj Serbisë.

Nëse gjithçka shkon mirë, Kosova dhe Serbia së shpejti do ta kenë një marrëveshje dhe Kosova mund t’i bashkohet OKB-së, e mbase ta fitojë liberalizimin e vizave si shpërblim nga BE-ja.

Por çka nëse pas nënshkrimit të marrëveshjes, gjërat shkojnë keq? Çka nëse pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kosova nuk hyn në OKB dhe Rezoluta 1244 (1999) nuk shfuqizohet? Çka nëse kjo marrëveshje i ndihmon Serbisë për të hyrë në BE, por shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën vazhdojnë të mos e njohin atë dhe ta bllokojnë integrimin e saj në BE?

Çka nëse Prokurori i Specializuar nuk është tolerant ndaj tyre dhe i fton në gjykatë të gjitha ata që janë emëruar në Raport? A do të ndihet i tradhtuar lidershipi aktual politik i Kosovës nëse ftohen në gjykatë dhe Kosova nuk merr atë që e pret? A do të shkojnë vullnetarisht? Çfarë pasoja do të ketë për stabilitetin politik në Kosovë?

Gjërat mund të shkojnë keq, siç shkuan kur Kosova e shpalli pavarësinë në 2008. Pako e Ahtisaarit nuk u miratua në Këshillin e Sigurimit, dhe pavarësisht mbështetjes nga SHBA dhe shtetet tjera, Kosova nuk i fitoi njohjet dhe nuk u anëtarësua në organizata ndërkombëtare ashtu siç u prit. Kosovës gjithashtu iu premtua liberalizimi i vizave si kusht për ta ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe për të përmirësuar performancën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pra dështimi është skenar real, por dlalimi është se këtë herë dështimi do të jetë shumë i dhimbshëm për Kosovën.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.