Që nga ndërhyrja e NATO në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë, ShBA ka qenë lojtar i rëndësishëm në politikën dhe shoqërinë e Kosovës, qoftë kjo mirë apo keq. Por për shumë vite, kush ishte president i ShBA dhe cilës parti i përkiste, s’kishte shumë rëndësi për Kosovën. Nën drejtimin e Bill Clinton, demokrat, ShBA udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO në Kosovë në vitin 1999, për t’i dhënë fund fushatës së vrasjeve dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga forcat serbe. Pastaj, George W. Bush, republikan, avokoi për pavarësinë e Kosovës gjatë presidencës së tij, e cila u shtri përgjatë viteve 2001-2009.
Fitorja e Barack Obamës në vitin 2008 — në të cilën premtimi kryesor ishte tërheqja e trupave amerikane nga një luftë gjithnjë e më katastrofike në Irak — solli ndryshime të rëndësishme në politikën e jashtme të ShBA. Obama argumentonte se “rrjedha e luftës po zvogëlohet dhe Amerika po drejtohet kah e ardhmja, që duhet ta ndërtojmë”, një të ardhme, besonte ai, që shtrihej përtej Paqësorit dhe jo Atlantikut. Kjo nënkuptonte zhvendosje nga prioritizimi i Lindjes së Mesme dhe veçanërisht Evropës. Zhvillimi i një strategjie të integruar diplomatike, ushtarake dhe ekonomike që synonte ta kontrollonte ngritjen e Kinës, ndërkohë që ende bashkëpunonte me të në fusha me interes të ndërsjellë, e njohur në përgjithësi si “zhvendosja kah Azia”, u bë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Obamas.
Përqendrimi në Azi erdhi pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe në vitin 2012, Obama e përshëndeti vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së tij të pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se Kosova tani ka “përgjegjësinë e plotë” për t’u siguruar që të drejtat dhe vlerat e shprehura në deklaratën e shpalljes së pavarësisë do të jenë të qasshme për të gjithë/a qytetarët/et. Kjo erdhi menjëherë pas fillimit të dialogut Kosovë-Serbi, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) në mars të vitit 2011, një proces që ShBA e ka mbështetur, njëkohësisht duke theksuar se nuk është palë e drejtpërdrejtë në të.
Dikush mund ta imagjinojë Obamën duke shpresuar, në atë kohë, se nuk do t’i bie të mendojë më për Kosovën. Ai u zotua se do ta zvogëlonte numrin e trupave amerikane në Evropë dhe do t’u besonte aleatëve të ShBA në Evropë që të merrnin rol më të madh në përpjekjet si ndërhyrja nën udhëheqjen e NATO në Libi. Përkundër pushtimit rus të Gjeorgjisë në vitin 2008, kërcënimi nga Rusia u hoq nga prioritetet. Edhe pasi Rusia aneksoi pjesë të Ukrainës në vitin 2014, Obama i referohej Rusisë si “një fuqi rajonale”, sulmet e së cilës në Ukrainë ishin më shumë shenjë e dobësisë së Rusisë sesa forcës.
Fitorja e Donald Trump në vitin 2016 përballë Hillary Clinton, Sekretare e Shtetit në kohën e Obamas, lëkundi themelet e politikës dhe politikës së jashtme të ShBA. Teksa instinktet e politikës së jashtme të Trump drejt bilateralizmit transaksional në vend të multilateralizmit të bazuar në koalicione s’mund të ishin më të ndryshme nga ato të Obamës, ai mbajti përqendrim gjeografik në Azi, specifikisht në Kinë. Për Kosovën, presidenca e Trump u karakterizua me ton të ashpër ndaj Kosovës sa i përket dialogut me Serbinë, që personifikohej nga Richard Grenell, ish-i dërguari bombastik special presidencial i Trump për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës.
Fitorja e Joe Biden në vitin 2020 premtoi një kthim pas në epokën e mëparshme të politikës së jashtme të ShBA, kur transatlantizmi mbetej i padiskutueshëm dhe partneritetet e ngushta me aleatët evropianë si Gjermania dhe Britania e Madhe ishin prioritet. Historia e Biden si një mbështetës i fuqishëm i Kosovës gjatë viteve të ’90-a dhe lidhja personale me vendin — e pohuar në një vizitë të vitit 2016 me familjen e tij për ta përuruar një pjesë të autostradës mes Gjilanit dhe Ferizajit në Kosovë, që mban emrin e djalit të tij, Beau Biden — bëri që disa të besojnë se gjatë presidencës së tij do të kthehej vëmendja te Kosova. Përpara zgjedhjeve, vetë Biden u zotua të “zbëjë qasjen e pabarabartë të administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimit retorik nga Shtëpia e Bardhë, shumë çështje themelore në marrëdhëniet ShBA-Kosovë nuk ndryshuan; në fakt, pakënaqësia ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti u bë një pikëpamje e rrallë e përbashkët e dy partive në Washington. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, që mban këtë rol që nga janari i vitit 2022, ka qenë gjithashtu kritik i shpeshtë i mungesës së komunikimit të Kurtit me ShBA dhe populizmit.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimit retorik nga Shtëpia e Bardhë, shumë çështje themelore në marrëdhëniet ShBA-Kosovë nuk ndryshuan.
Objektivi kryesor i politikës së ShBA në Kosovë ende duket të jetë shmangia e çdo lloj ngritjeje e tensioneve apo zemërimi të Serbisë, që mund ta shtyjë Beogradin drejt krahëve të Moskës dhe t’i rrezikojë trupat amerikane të vendosura në Kosovë, si pjesë e misionit të KFOR. Ky prioritet jo gjithmonë përputhet me atë të qeverisë së Kosovës. Presidenti/ja i/e ardhshëm/me i/e ShBA do të ngarkohet me detyrën për ta zgjidhur këtë sfidë: si të ecet tutje si partnerë të ngushtë, në kontekste ku interesat e Washington thjesht nuk përputhen me ato të Prishtinës.
Debati i 10 shtatorit 2024 mes Trump dhe Zëvendës-Presidentes së tanishme, Kamala Harris, nuk ofroi shumë njohuri të reja se si të dy kandidatët e shohin Kosovën apo politikën e jashtme më gjerësisht. Megjithatë, gjatë hulumtimit në të kaluarën e të dy kandidatëve, një pamje më e qartë del në sipërfaqe. K2.0 shtjellon rëndësinë e zgjedhjeve për Kosovën përmes tri çështjeve: si mund të ndikojë fitorja e Harris ose Trump në politikën e jashtme të nivelit të lartë dhe transatlantizëm, si do të ndikohej dialogu Kosovë-Serbi nga fitorja cilitdo kandidat/e dhe si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve në fuqinë e butë të ShBA dhe ndihmën e jashtme në Kosovë.
Trump dhe Harris
Nga njëra anë, kemi Trump, i cili shërbeu si president gjatë periudhës 2017-2021 dhe u përball me dy akuza përpara Senatit sa ishte në detyrë. Gjatë presidencës së tij, Trump zhvilloi një qasje shumë të njëanshme ndaj politikës së jashtme, duke tërhequr ShBA nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Në frontin e brendshëm, tri emërimet e tij në Gjykatën Supreme — Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett — luajtën rol të rëndësishëm në përmbysjen e së drejtës kushtetuese për abort, që ishte përkufizuar më parë nga vendimi i gjykatës i vitit 1973, ”Roe kundër Wade”. Që nga largimi i tij, i mbushur ngjarje, nga detyra, ai u dënua për 34 vepra penale për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe është gjobitur mbi 500 milionë dollarë për abuzim seksual dhe shpifje, si dhe mashtrim financiar.
Në tetor të vitit 1999, Trump kritikoi ndërhyrjen e NATO në Kosovë, duke thënë se s’ishte sukses sepse “Ata po bombardojnë një vend në mënyrë shkatërruese, nga një zonë e tërë, të gjithë po ikin në forma të ndryshme dhe askush nuk e di se çka po ndodh dhe me mijëra vdekje po vazhdojnë”. Zgjidhja e tij? Shtimi i më shumë trupave amerikane në terren në Kosovë për ta shmangur “shkatërrimin dhe terrorin që po ndodh tani”.
Rreth 25 vjet pas, Trump dhe njerëzit që e rrethojnë atë duken thelbësisht më pak dashamirës ndaj kauzës së Kosovës, veçanërisht për sa kohë që Kurti mbetet kryeministër. Për rastësi, gjyqtari, që në vitin 2020 paditi ish-udhëheqësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, është Jack Smith. Smith u largua nga posti i tij në Hagë, në nëntor të vitit 2022, për t’u bërë Këshillues i Posaçëm për ShBA në Departamentin e Drejtësisë dhe është ngarkuar me mbikëqyrjen e dy rasteve federale kundër Trump. Njëra është për dyshimet për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara dhe tjetra është për dyshimet për komplot për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Grenell, informuesi i Trump për Ballkanin, e ndërlidhi kritikën ndaj rastit së Smith kundër Trump me aktakuzën ndaj Thaçit.
Nga ana tjetër, kemi Zëvendës-presidenten Harris, e cila shpejt u bë kandidatja demokrate për postin e presidentes, pasi Biden u tërhoq nga gara dhe e mbështeti atë më 21 korrik të vitit 2024. E vendosur në qendër të vëmendjes pas një fushate të dështuar paraprake të vitit 2020 dhe një mandati të dobët si Zëvendës-presidente, fushata e Harris ka vënë në qendër ide të paqarta të lirisë dhe ka vendosur në plan të parë retorikën për të drejtat e abortit dhe propozimet për politika që vendosin karakterin mbi hollësi. Ajo është përqendruar në mesazhin patriotik, që synon ta paraqesë atë dhe kandidatin për Zëvendës-president, Tim Walz si amerikan normal, që e do lirinë dhe kujdeset për fqinjët e tij. Harris dhe Walz po synojnë të dallojnë nga Trump dhe Zëvendës-presidenti i zgjedhur i tij, JD Vance, të cilin Walz, lehtë për ta kujtuar, e quajti “thjesht i çuditshëm” dhe e krahasoi me njerëzit që “kandidojnë për ‘He-Man Women-Haters Club’ [Klubet e burrave që urrejnë gratë] apo diçka e tillë”.
Harris do të bëhej presidentja e parë grua në historinë e ShBA, ndonëse nuk e ka vënë në plan të parë gjininë në fushatë. Bagazhi i saj si prokurore, një dobësi në fushatën e fikur në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike të vitit 2020, tani është aset i shtuar në zgjedhjet e përgjithshme, pasi rritja e krimit gjatë pandemisë COVID-19 dhe faktorë të tjerë zhvendosën politikat e Partisë Demokratike drejt zbatimit të ligjit. Përqendrimi i saj në fitimin e votuesve të qendrës, në vend se t’u përgjigjet kritikave të zëshme nga e majta — për çështje si emigrimi dhe mbështetja e ShBA për Izraelin — pasqyron konservatorizmin themeltar të mesazhit të saj. Partia Republikane e Trump po tenton kështu të bëhet ndryshuesja e rendit, duke pretenduar se vendi është në krizë dhe ka nevojë për veprim të menjëhershëm, teksa Harris dhe Walz synojnë ta ngjallin sërish idenë e ngjashme me Obamën, se popullata amerikane është më pak e ndarë sesa që politikanët duan të na bëjnë të besojmë.
Politika e jashtme e nivelit të lartë
Nëse ka diçka të qartë lidhur me pikëpamjet e politikës së jashtme të Trump, është se mençuria konvencionale dhe dekadat e të të menduarit konvencional të establishmentit nuk ia mbushin fort syrin shumë. Në mandatin e tij të parë, u përkushtua t’i shpërfillte këshillat e institucioneve të politikës së jashtme të ShBA dhe zëvendësoi një sërë anëtarësh/esh të kabinetit dhe këshilltarë/e të politikës së jashtme, shumë prej të cilëve/ave më vonë folën për natyrën e tij të çrregullt dhe mungesën e njohurive ose interesit për çështjet e jashtme të vendit.
Harris, si ish-prokurore dhe prokurore qarku, fillimisht në San Francisco dhe më pas në California, gjithashtu nuk ka përvojë në politikën e jashtme. Pikëpamjet e saj të politikës së jashtme duket se përkojnë me ato të Partisë Demokratike në të cilën jetoi Biden: angazhimi global për ndryshimet klimatike, përkushtimi ndaj multilateralizmit dhe vënia në plan të parë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, me përjashtim të rasteve kur vlera të tilla bien ndesh shumë me interesat e tjera të ShBA, në këso raste ato janë të negociueshme, siç duket të jetë rasti me marrëdhëniet ShBA-Arabi Saudite.
Dallimet në vizionet e politikës së jashtme të Trump dhe Harris kanë shtyrë që disa të argumentojnë se që nga viti 1952, ShBA nuk ka parë zgjedhje presidenciale në të cilat të dy kandidatët dhe partitë e tyre kanë ofruar botëkuptime kaq të ndryshme. Trump, me ndikim të plotë në Partinë Republikane, është plotësisht i përkushtuar ndaj togfjalëshit “Amerika në plan të parë”, ndërsa Harris, bashkë me shumicën e zyrtarëve/eve të tjerë/a të zgjedhur/a demokratë/e, është tërësisht një internacionaliste. Këto dallime nënkuptojnë se rezultati i zgjedhjeve, edhe për sa i përket se kush është president/e, edhe cila parti kontrollon Kongresin, ka ndërlikime të mëdha për aleatët e NATO të ShBA, Ukrainën, Tajvanin dhe të tjerë. Por ku mbetet Kosova në krejt këtë?
Dallimet në vizionet e politikës së jashtme të Trump dhe Harris kanë shtyrë që disa të argumentojnë se që nga viti 1952, ShBA nuk ka parë zgjedhje presidenciale në të cilat të dy kandidatët dhe partitë e tyre kanë ofruar botëkuptime kaq të ndryshme
Pakënaqësia e Trump ndaj, siç ai e konsideron, shpenzimeve të pamjaftueshme ushtarake nga shumica e anëtarëve të NATO në Evropë, është çështje që gjithashtu e kanë ngritur breza të politikëbërësve të ShBA. Këmbëngulja e tij, nga ana tjetër, që vende si Gjermania e shfrytëzojnë ShBA duke mos paguar “tarifën” e tyre prej 2% të bruto produktit vendor (BPV) — objektiv që aleanca e vendosi në 2014 — pasqyroi mungesën e të të kuptuarit ose të shfaqjes së interesimit në mënyrën se si funksionon NATO. Kjo armiqësi me automatizëm, ndaj shumë prej aleatëve më të afërt të ShBA në Evropë, vlen edhe për BE si tërësi, për të cilën Trump beson se përfiton padrejtësisht nga ShBA. Në qershor të vitit 2024, tha për “Bloomberg” se BE “tingëllon shumë bukur” dhe se “E duam Skocinë dhe Gjermaninë. I duam të gjitha këto vende”. Megjithatë, “sapo tejkalohet kjo”, mendoi ai, “na trajtojnë dhunshëm”. Skocia, natyrisht, s’është as anëtare e BE e as shtet i pavarur.
Qasja e përgjithshme e Trumpit ndaj politikës së jashtme ndoshta mishërohet më së miri nga Grenell, ish i dërguari dhe ambasadori kundërthënës për Kosovën-Serbinë në Gjermani. Më herët në vitin 2024, deklaroi se “të bie më mirë ta kesh një bir bushtre për Sekretar të Shteti” për ta shmangur luftën. Raportohet se ai vetë shpreson ta marrë atë rol — duke e parë veten mu si “biri i bushtrës” që i duhet Trump — dhe në një formë ose tjetër, me shumë gjasë do të mbajë një pozitë kyçe në administratë.
Grenell, i cili si ambasador i bezdisi mikpritësit e tij gjermanë, deri në atë pikë sa një artikull i “Atlantic” vërejti se politikanët në Berlin “ende flasin për Grenellin, sikur janë duke përpunuar ndonjë traumë të pashëruar”, këto vitet e fundit i ka kaluar duke investuar në projekte të pasurive të paluajtshme në Shqipëri dhe Serbi bashkë me dhëndrin e Trump, Jared Kushner. “Askush s’duhet të kërkojë falje vetëm se dëshiron të bëjë para”, u shpreh ai për “Top Channel Albania”, në vitin 2023.
Më konkretisht, po ashtu, Trump, në mënyrë të përsëritur, e ka shprehur pakënaqësinë e tij me anëtarët e NATO që nuk shpenzojnë 2% e BPV për mbrojtje, duke u thënë se kjo do t’i “jepte zemër” Rusisë t’u bëj “çka t’i teket” atyre vendeve. Këto qëndrime bëjnë që ideja se ShBA mund të tërhiqet nga NATO, institucion në të cilin anëtarësimi ka qenë shtyllë e gjithë politikës së jashtme të pas Luftës së Dytë Botërore, të mos jetë krejt e pagjasshme. Kongresi e ka marrë me seriozitet kërcënimin, duke miratuar një ligj në dhjetor të vitit 2023, që do ta ndalonte një president/e që të tërhiqej nga NATO pa miratimin e Kongresit, megjithëse mbetet e paqartë se kush do ta kishte pozitën për ta sfiduar Trump ose çdo president/e tjetër, ta ndërmerrte një veprim të tillë.
Një tërheqje e ShBA nga NATO do të ishte tronditje për organizatën dhe anëtarët e saj deri në themel, sidomos sepse anëtarët e NATO — përfshirë, fqinjët e Kosovës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut — kanë integruar garancitë e sigurisë nga ShBA përmes nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut në politikat e tyre të jashtme dhe ato të mbrojtjes. Për Kosovën, ndikimi do të ishte po aq i rëndë, edhe pse edhe më i vështirë për t’u parashikuar.
Kosova mbetet një lloj protektorati i komunitetit ndërkombëtar, një lloj kombinimi i ShBA, BE, NATO dhe OKB më konkretisht. Kjo nënkupton se çdo ndryshim në përfshirjen e ShBA në NATO do të kumbonte në të gjithë vendin. Sipas Rezolutës 1244 të OKB, NATO udhëheq KFOR, praninë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Numri aktual i trupave është pak më shumë se 4,600, afërsisht 600 prej të cilëve janë personel amerikan.
Por edhe nëse Trump nuk do të synonte ta tërhiqte ShBA nga NATO, ka arsye të besohet se përkushtimi i trupave amerikane ndaj KFOR do të rishqyrtohej në një mandat të dytë të Trump. Grenell dhe Donald Trump Jr., djali dhe këshilltari kryesor i ish-presidentit, kanë propozuar idenë e një tërheqjeje të ShBA nga KFOR prej vitesh. Propozime të tilla kanë buruar në kontekstin e përpjekjes për ta ndëshkuar qeverinë e Kosovës për veprimet që perceptohen si nxitëse të tensioneve me Serbinë dhe për rrjedhojë, rrezikim të ushtarëve amerikanë. Armiqësia e gjatë personale e Grenellit me Kurtin, e cila përfshin akuzën e Kurtit ndaj Grenell se kishte gisht në rrëzimin e qeverisë së tij të parë, për të mos përmendur historinë e gjatë të marrëdhënieve të tensionuara mes Kurtit dhe qeverisë së ShBA, nënkupton se kërcënimi i largimit të trupave amerikane nga Kosova do të vazhdonte të mbizotëronte në marrëdhëniet mes ShBA dhe Kosovës në një presidencë të dytë të Trump.
Në një nivel të lartë të politikës së jashtme, fitorja e Harris do të ishte e rëndësishme më shumë për faktin se fitorja e Harris nënkupton humbje të Trump sesa për diçka tjetër. Harris ofron një premtim të ngjashëm me Biden, për t’u angazhuar në përpjekjet globale për t’i luftuar ndryshimet klimatike, mbështetjen ndaj Izraelit, përkrahje ndaj Tajvanit dhe Ukrainës dhe për t’u ballafaquar me autoritarët, si presidenti rus, Vladimir Putin, udhëheqësi suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe Princi i Kurorës Saudite, Mohammad bin Salman. Objektiva të tillë kanë dallim të madh me përmbysjen e shumë shtyllave të politikës së jashtme që do të sillte një fitore e Trump.
Për Kosovën, kjo do të nënkuptonte një vazhdimësi e përgjithshme e përfshirjes dhe angazhimit të ShBA me NATO dhe institucionet e tjera shumëpalëshe. Pikëpamjet e Harris për Ballkanin janë “nuk ia ka haberin askush”, siç u shpreh një opinionist nga ShBA, por ngjitja e saj në presidencë është mundësi për t’u shkëputur nga ledhatimi i përgjithshëm i administratës Biden ndaj Vučić. Për më tepër, Harris do të mund t’i përdorte si shembuj figurat si Vučić, Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë, Milorad Dodik ose kryeministri hungarez Viktor Orbán, teksa përkufizon qasjen e saj ndaj autokratëve, duke shmangur provokimet e mëtejshme të drejtpërdrejta me Kinën ose Rusinë.
Pikëpamjet e Harris për Ballkanin janë "nuk ia ka haberin askush", siç u shpreh një opinionist nga ShBA.
Dialogu Kosovë-Serbi
Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur që nga Marrëveshja e Ohrit në marsin e 2023, që shihet si udhërrëfyese për zbatimin e Dialogut Beograd-Prishtinë: Marrëveshja në rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. As Kurti dhe as Vučić nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, megjithëse Përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell, paqartësisht u shpreh se kishte pajtim nga të dyja palët. Marrëveshja ende nuk ka dhënë rezultate të prekshme. Sfida më e madhe e tanishme është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin ishin pajtuar në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por që ende nuk është zbatuar. Avokuesit e Asociacionit argumentojnë se asociacioni do t’i ndërmjetësojë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve serbe në Kosovë dhe qeverisë qendrore në Prishtinë, por kundërshtarët, si Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje, e kundërshtojnë atë për shkak të frikës se do ta gjymtonte shtetin kosovar, diçka e ngjashme me ndikimin e Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.
Qëndrimi zyrtar i ShBA është se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajon të dyja palët që ta vazhdojnë angazhimin e tyre në të. Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do ta shkundte këtë. Mosdurimi i tij ndaj negociatave të gjata, të ndërlikuara, të drejtuara ndaj hollësive në politikën e jashtme dhe dëshira për ta mbajtur imazhin e të qenit një zgjidhës i madh i telasheve nënkuptojnë se fitorja e tij mund t’i ripërtërijë përpjekjet drejt një marrëveshjeje të madhe për ta “zgjidhur” normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për dallim me largimin potencialisht dramatik nga status quo, që do të sillte një fitore e Trump, Harris përfaqëson alternativë mjaft të parashikueshme dhe vazhdimësi të mbështetjes së ShBA për dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
Marrëveshja e Washington e vitit 2020
Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Washington, e promovuar nga Presidenti i atëhershëm i ShBA, Trump si arritje e rëndësishme në ndërtimin e paqes në Ballkan. “S’duhet të shqetësohemi për këto dy, le të themi, kombe në luftë, kombe që luftojnë”, u shpreh ai, duke parashikuar se “këto do të kenë një marrëdhënie fantastike”. Marrëveshja u pa gjerësisht si përpjekje e Trump për ta paraqitur veten si zgjidhës i një sfide të ndërlikuar ndërkombëtare, për t’u shfrytëzuar si ndihmesë elektorale përpara zgjedhjeve presidenciale, në nëntor të vitit 2020.
Marrëveshja synonte të siguronte “normalizim ekonomik” mes Kosovës dhe Serbisë, duke vënë në qendër lidhjet tregtare dhe infrastrukturore mes dy vendeve. Marrëveshja parashihte gjithashtu se Kosova dhe Serbia do ta njohin Hezbollahun si organizatë terroriste, do t’i "përshpejtojnë" përpjekjet për t’i zgjidhur rastet për personat e zhdukur gjatë luftës, do të njohin diplomat e njëri-tjetrit dhe do t’i mbajnë "kompanitë e dëmshme" jashtë ndërtimit të rrjeteve 5G. Kosova do ta ndalonte fushatën për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare për një vit, ndërsa Serbia do t’i ndalonte përpjekjet për t'i bindur vendet e tjera apo organizatat ndërkombëtare të mos njohin shtetin e Kosovës. Kosova dhe Izraeli do ta njihnin njëra-tjetrën dhe Serbia u pajtua ta zhvendoste ambasadën e saj në Izrael, në Jerusalem. Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem, ndonëse Serbia nuk e bëri kurrë zhvendosjen e ambasadës për të cilin u pajtua.
Katër vjet më vonë, pak nga Marrëveshja e Washington është zbatuar, përtej nenit për njohjen Kosovë-Izrael.
Është raportuar se Trump ka favorizuar planin — të paraqitur nga Thaçi dhe Vučić në vitin 2018 me mbështetjen e kujdesshme të Përfaqësueses së Lartë të atëhershme e BE, Federica Mogherini — për ta “zgjidhur” normalizimin Kosovë-Serbi, duke ri-përcaktuar kufijtë e Kosovës. Një marrëveshje e tillë parashihte që Kosova t’i shkëmbente komunat e saj veriore me shumicë serbe, me zonat e Serbisë jugore me popullsi kryesisht shqiptare. Kurti ishte kundërshtar i ashpër i konceptit dhe përqendrimi së fundmi i komunitetit ndërkombëtar në Asociacion e bën anakronik një kthim në një kornizë të atillë.
Kështu që, një administratë e dytë Trump do të mund ta ringjallë ende idenë e normalizimit ekonomik të marrëdhënieve, sipas Marrëveshjes së Washington të vitit 2020, të nënshkruar nga Vučić dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti.
Për dallim me largimin potencialisht dramatik nga status quo, që do të sillte një fitore e Trump, Harris përfaqëson alternativë mjaft të parashikueshme dhe një vazhdimësi të mbështetjes së ShBA për dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe inkurajimin e të dyja palëve për të marrë pjesë në të, pavarësisht rezultateve të prekshme. Kjo mund të kritikohet si mbështetje pa zgjidhje për një proces të mangët dialogu, të karakterizuar nga një qëllim përfundimtar i paqartë, mungesë e angazhimit serioz nga njëra ose të dyja palët, ose strukturë dhe ndërmjetësim paternalizues në thelb nga BE.
Në përgjithësi, Harris nuk ka dhënë shenja se do të largohej plotësisht nga politika e jashtme e administratës Biden, qoftë në lidhje me ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Izraelin, mbështetjen për Ukrainën dhe Tajvanin, apo vazhdimin e mbështetjes së dialogut të BE apo nëse do të vazhdojë të ofrojë kritika të matura dhe të caktuara ndaj veprimeve të njëanshme të Kurtit, përmes Hovinier, si dhe për Serbinë nëpërmjet ambasadorit të ShBA në Serbi, Christopher Hill. Për më tepër, marrë parasysh dinamikat globale me të cilat Harris do t’i binte të përballej, s’ka gjasa që dialogut Kosovë-Serbi do t’i kushtohej vëmendje e shtuar.
Ndihma e jashtme
Një tjetër dallim kyç midis Trump dhe Harris në lidhje me Kosovën, është pikëpamja e tyre e ndryshme se si dhe për çka duhet të ndahen ndihmat e jashtme të ShBA. Pjesa më e madhe e ndihmës së jashtme që shpërndahet nga ShBA vjen përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila ka investuar mbi 1 miliard dollarë në Kosovë që nga viti 1999. Synimi i Agjencisë në Kosovë është partneriteti me kosovarët “për t’i përparuar reformat e udhëhequra nga Kosova, që do të çojnë në përparimin e mëtutjeshëm të vendit drejt integrimit të plotë evropian dhe euroatlantik”.
Megjithëse dy presidentët e parë e shek. XXI, Bush dhe Obama, patën pikëpamje të ndryshme mbi nuancat e praktikave të ndihmës së jashtme dhe se cili është dhe duhet të jetë roli i ShBA në botë, që të dy mbikëqyrën rritjen e fondeve për USAID dhe investuan në reformat në organizatë. Njësoj si me shumë gjëra të tjera, Trump e ndryshoi këtë, duke paraqitur propozime buxhetore në Kongres, me një reduktim prej 30% të fondeve për USAID dhe Departamentin e Shtetit.
Trump, qartazi i painteresuar pë hollësitë dhe ngjyrimet në punët e politikës së jashtme, nuk u angazhua personalisht shumë në diskutime rreth shpërndarjes së ndihmës së jashtme. Megjithatë, njerëzit përreth — shumë prej tyre ideologë të krahut të djathtë që provuan ta aplikonin një filozofi koherente karshi sjelljes së hallakatur të Trump — në thelb, ishin dhe mbeten kundër mendimit se shpenzimet e ShBA në zhvillimin global ose përmirësimin e jetës së popullsive globale janë në interes të ShBA.
Çështjet që më parë u mbështetën, si promovimi i të drejtave LGBTQ+, u përbuzën dhe administrata u përpoq t’i zvogëlonte financiarisht programet e USAID, që synonin parandalimin e HIV/AIDS dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Për më tepër, Shtëpia e Bardhë, e udhëhequr nga Trump, thuhet se ka kërkuar t’i zhvendosë ndihmat e jashtme nga vendet më në nevojë, tek vendet që konsiderohen se janë “miqtë” e ShBA. Marrë parasysh lidhjet e tensionuara mes Kurtit dhe ShBA, të cilat vetëm do të bëheshin më të ashpra nëse Trump dhe Grenell do të ktheheshin, kjo ndarje mik/armik mund të përdorej si strategji e një fillimi të punës së administratës për t’ia ndalur ndihmën Kosovës.
Për më tepër, Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga Trump, thuhet se ka kërkuar t’i zhvendosë ndihmat e jashtme nga vendet më në nevojë, tek vendet që konsiderohen se janë "miqtë" e ShBA.
Kongresi ka kundërshtuar reduktimet financiare të propozuara për ndihmën e jashtme gjatë mandatit të parë të Trump, duke rritur fondet për ndihmat e jashtme më shumë se që kërkonin buxhetet e Trump. Megjithatë, Trump dhe njerëzit rreth tij kanë vazhduar të shtyjnë para plane që do ta ndryshonin në mënyrë dramatike ofrimin e ndihmës së jashtme. Kjo mund të shihet në Projektin 2025, një udhërrëfyes politikash me afërsisht 900 faqe për një president konservator të ardhshëm, i botuar në prill të vitit 2023 nga Heritage Foundation, një organizatë konservatore.
Megjithëse Trump është përpjekur publikisht të distancohet nga Projekti 2025, për shkak të ideve gjerësisht jopopullore nacionaliste të krishtera, 140 njerëz që kanë punuar në administratën e parë të Trump, janë përfshirë në përpilimin e Projektit 2025, përfshirë gjashtë sekretarë të kabinetit dhe katër persona që ai emëroi si ambasadorë.
Në fakt, kapitulli për USAID në Projektin 2025 u shkrua nga Max Primorac, zyrtar i lartë i USAID nga mandati i parë i Trump. Kapitulli i Primorac nis duke thënë se administrata Biden “çakordoi” USAID, duke e përdorur atë për ta shtyrë “një agjendë përçarëse politike dhe kulturore që promovon abortin, ekstremizmin klimatik, radikalizmin gjinor dhe ndërhyrjet kundër racizmit të perceptuar sistemik”. Më pas, kapitulli vazhdon t’i bëjë thirrje administratës së ardhshme presidenciale konservatore që t’i “shfuqizojë të gjitha politikat lidhur me politikat klimatike nga programet e saj për ndihmën e jashtme“, t’i ndalojë fondet për ofruesit e abortit dhe t’i rrisë fondet për organizatat që bazohen në besim.
Ndonëse Kongresi, i cili në fund kontrollon shpenzimet federale, e ka fjalën përfundimtare për çështje të tilla, një fitore e Trump do të përbënte ndikim domethënës në ndarjen e ndihmës së jashtme në dy mënyra kryesore.
Së pari, sepse prioritetet e administratës, edhe nëse nuk janë realizuar plotësisht, japin shenja lidhur me atë që Shtëpia e Bardhë bën dhe lidhur me atë me të cilën nuk merret fare. Një fitore e Trump fuqizon forcat revanshiste, që me shumë qejf diskriminojnë njerëzit LGBTQ+ dhe do ta mirëmbante varësinë e vendeve si Kosova dhe më gjerë, në karburantet fosile.
Së dyti, kontrolli i Trump në partinë republikane është shumë më i fortë tani, se sa që ishte kur fitoi zgjedhjet për herë të parë në 2016. Nëse Trump fiton presidencën, me shumë siguri pothuajse nënkupton po ashtu se Partia Republikane do ta kontrollonte Kongresin. Kjo Parti Republikane karakterizohet shumë më shumë me Trump, se sa ajo me të cilën iu desh të punonte për të fituar tetë vite më parë, pasi pothuajse të gjithë republikanët që ishin kritikë të Trump janë tërhequr, janë riformuar politikisht, janë larguar vullnetarisht nga partia ose janë dëbuar prej saj.
Në anën tjetër, një fitore e Harris do të ishte vazhdim i prioriteteve të ndihmës së jashtme si në epokën e Biden. Në nivel bazik, kjo do të nënkuptonte se projektet e përqendruara në çështje si tranzicioni në energji të gjelbër dhe të drejtat e LGBTQ+ do të vazhdonin të mbështeteshin. Për Kosovën, fitorja e Harris do t’i zgjeronte prioritetet e administratës së Biden dhe mbështetjen për nismat për tranzicion në energji të gjelbër, siç është Strategjia Kombëtare e Energjisë, miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2023 dhe veprimi i parë i vendit për energjinë e ripërtëritshme, që kërkonte 100 megavat energji diellore.
Megjithatë, në përgjithësi, administrata e Biden e bëri ndihmën e jashtme pjesë më të madhe dhe më të dukshme të politikës së vet të përgjithshme të jashtme, duke emëruar Samantha Power — e njohur mirë që nga koha e saj si gazetare, që mbulonte luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ambasadore e ShBA në OKB, në mandatin e dytë të Obama — si administratore të USAID. Si pjesë e BPV së përgjithshme, ndihma e jashtme e ShBA arriti nivelin më të lartë në rreth 40 vite nën administratën e Biden, ndonëse është ende më e ulët se ajo e shumicës së vendeve të BE.
Si pjesë e BPV së përgjithshme, ndihma e jashtme e ShBA arriti nivelin më të lartë në rreth 40 vite nën administratën e Biden, ndonëse është ende më e ulët se ajo e shumicës së vendeve të BE.
Po ashtu, USAID filloi Politikën e tij të Zhvillimit Gjithëpërfshirëse për LGBTQI+ në vitin 2023, si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar të të gjithë qeverisë për të integruar vëmendje të veçantë ndaj të drejtave të LGBTQ+ nëpër institucionet qeveritare. Fitorja e Harris në nëntor 2024, do të nënkuptonte që përpjekje të tilla do të vazhdonin; Fitorja e Trump nënkupton se këso përpjekjesh do të mund të eliminoheshin krejtësisht.
Rruga para
Për votuesit/et amerikanë/e, zgjedhjet e vitit 2024 përbëjnë zgjedhje të fuqishme, mes dy kandidatëve, pozicionet e ndryshme të të cilëve kanë rëndësi të madhe për të ardhmen e demokracisë amerikane, përpjekjet për t’i luftuar ndryshimet klimatike, sigurimin e të drejtave të abortit për brezat që vijnë dhe investimin në tranzicionin energjetik dhe shumë tema të tjera. Edhe pse ka disa — demokratë/e dhe të pavarur/e që kritikojnë mbështetjen e ShBA për Izraelin, konservatorë/e që nuk e pëlqejnë personalitetin e Trump po aq sa i frikësohen politikës së Harris dhe grupeve të tjera të vogla — për të cilët zgjedhja është sfidë, dallimet mes dy kandidatëve dhe vizionet për të ardhmen që ato ofrojnë, janë të qarta.
Por pa marrë parasysh a është Harris apo Trump, ajo/ai që ngjitet në Zyrën Ovale ka po ashtu ndikim global. Ndonëse momenti i dominimit të skenës globale në vitet e ’90-a ka kaluar prej kohësh, çka ndodh në politikën e ShBA vazhdon të ketë ndikim në botë. Kosova, si një vend, lufta e së cilës për pavarësi kishte mbështetje të fortë të ShBA dhe politika e së cilës mbetet e ndërlidhur me ShBA, në forma të mira dhe të këqija, mbetet e ndikuar veçanërisht nga rezultati i zgjedhjeve.
Me përjashtim të ngjarjeve të paparashikuara, fitorja e Harris në nëntor do ta zgjaste status quo e marrëdhënieve Kosovë-ShBA. Kjo nënkupton mbështetje e nivelit të lartë për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, varësisht nga hapat e suksesshëm në dialogun e normalizimit me Serbinë dhe financimin e ndihmës së jashtme, që synon promovimin e qeverisjes së mirë, ndihmën e tranzicionit në energji të gjelbër dhe mbështetjen e vazhdueshme për të drejtat e LGBTQ+.
Kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, këtë herë me ekip që bazohet në besnikëri dhe asgjë tjetër, do ta nguliste një pikëpamje thellësisht izoluese në zyrën më të fuqishme në botë. Do ta kërcënonte kohezionin e NATO, do ta kërkonte zgjidhjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me një strategji që do të mund ta dobësonte sovranitetin e Kosovës dhe do t’i reduktonte ndihmat e jashtme, si në shumën e përgjithshme ashtu edhe në llojet e programeve që do të përfitonin financim nga ShBA.
Veçantitë e sistemit zgjedhor të ShBA nënkuptojnë se Harris, e cila për momentin kryeson në një mesatare të sondazheve kombëtare me rreth dy pikë përqindjeje, mbetet lehtësisht më dobët në raport me Trump përgjithësisht. A do të mund t’ia dalë ta rrisë epërsinë e saj në votën popullore dhe ta sigurojë një rrugë më të qëndrueshme drejt fitores, përmes Kolegjit Zgjedhor dhe shteteve kyçe, mbetet të shihet. Megjithatë, çka mbetet e qartë është se pasojat se kush fiton do të luajnë rol në mbarë botën, nga Pennsylvania në Prishtinë, e nga Michigan në Mitrovicë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.