Gjerë e gjatë | Punë të jashtme

Kush është Richard Grenell?

Nga - 21.09.2020

“Turbulluesi kreativ” që qëndron në zemër të marrëveshjes Kosovë-Serbi të Trump-it.

Pothuajse gjithkush në Kosovë ia ka dëgjuar emrin Richard Grenell-it.

Ai është ish-ambasadori i ShBA-së në Gjermani, ish-ushtruesi i detyrës së Drejtorit Kombëtar të Inteligjencës, i dërguari i posaçëm presidencial për dialogun Kosovë-Serbi dhe njeriu që u akuzua për rrëzimin e qeverisë popullore të Albin Kurtit vetëm 52 ditë pas fillimit të mandatit, në mesin e masave të ngujimit për shkak të pandemisë COVID-19 — Grenell mohon fuqishëm se ka pasur gisht në këtë punë.

Përgjatë vitit të kaluar, Grenell është bërë pika qendrore e politikës së ShBA-së në Kosovë. Ai doli vendosmërisht kundër tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe kërcënoi Kosovën me tërheqje të mbështetjes së ShBA-së — përfshirë ushtrinë. Antipatia e tij për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja ka futur pykë mes ShBA-së dhe aleatit të saj tradicional dhe ka krijuar kaos në aleancën transatlantike.

Mbase një ndër veprat e tij të fundit në rajon ishte arkitekturimi i takimit të fundit në Shtëpinë e Bardhë mes Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vučić. Vetë takimi shërbeu si kulmi i një viti plot ngjarje para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të ShBA-së në nëntor.

Si dikush që ka pasur ndikim të tillë në politikën e Kosovës, pak kosovarë kanë njohuri për të dhe për prejardhjen e tij para se papritmas të bëhej zë i spikatur në rajon në fillim të vitit të kaluar. Kështu, ne vendosëm të hulumtojmë.

Për këtë profil kemi intervistuar gazetarë dhe politikanë. Vetë Grenell nuk ka pranuar të intervistohet nga K2.0.

Shumë të tjerë me të cilët kemi folur nuk kanë dashur të shprehen zyrtarisht për të. Prandaj kemi ndërtuar këtë profil përmes vetë fjalëve të Grenell-it, dëshmive kongresionale dhe intervistave me disa njerëz që kanë punuar me të në të kaluarën.

Lundrimi përmes Partisë Republikane

Miqtë dhe kolegët e quajnë “Ric”. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme për prapavijën e tij. Prindërit e tij ishin misionarë për një sekt të krishterë evangjelist të quajtur Kisha e Zotit. Ai është rritur në Jenison të Miçiganit, një qytezë e perëndimit qendror të ShBA-së ku 95% e popullsisë është e bardhë dhe kryesisht Republikane për nga parapëlqimi politik. Shumica e amerikanëve mund të mos kenë dëgjuar për të.

Ai kreu shkollën e mesme në Jenison High School në vitin 1984 dhe më pas vijoi shkollimin universitar në Evangel College, një institucion fetar i krishterë evangjelist në Springfield të Mizurit. Pas përfundimit të fakultetit për qeverisje dhe administrim publik, ai kreu studimet master për administrim publik në Harvard.

54 vjeçi nisi karrierën e tij si konsulent për komunikim në kabinetet e shumë politikanëve Republikanë dhe si sekretar për shtyp i Senatorit Mark Sanford nga Karolina e Jugut. Klientët e tij kanë përfshirë një ish-kryebashkiak të San-Diegos në Kaliforni, një kongresist nga Miçigani dhe një ish-guvernator nga shteti i Nju-Jorkut. Asnjëri prej tyri nuk pranoi të na fliste për të.

Më vonë, ai themeloi dhe drejtoi një firmë për konsulencë mediatike të quajtur Capitol Media Partners, e cila punoi për një sërë politikanësh dhe të famshmish.

Ai po ashtu u shfaq në fushatën e dështuar presidenciale të kandidatit John McCain në vitin 2000 dhe më vonë u bë zëdhënës për politikë të jashtme në fushatën e dështuar presidenciale të Mitt Romney-t në vitin 2012.

Por as dy javë pasi u angazhua nga Romney, ai u detyrua ta braktiste rolin e tij. Shkuarja e tij e shpejtë nxiti debat brenda Partisë Republikane në atë kohë, veçanërisht sepse ishte me gjasë burri i parë haptazi gej që ka mbërritur pozitën e zëdhënësit, ose ndonjë pozitë tjetër të shquar, në një fushatë Republikane.

Përshtypja e përgjithshme ishte që konservatorët shoqërorë të kohës nuk do ta mbështesnin një burrë gej për një rol të rëndësishëm në fushatë, ndërsa posti i tij jetëshkurtër në fushatën e Romney-t pësoi nga një stuhi fyerjesh personale. Një kolumnist madhor Republikan i krahut të djathtë kishte hedhur fjalën se Grenell-it nuk mund t’i zihet besë për shkak të orientimit seksual duke shkruar:

“Të supozojmë se Barack Obama del — siç do të dëshironte Grenell — në përkrahje të martesave të gjinisë së njëjtë në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar Demokratik. Me çfarë shpejtësie dhe sa publikisht do të arratisej Richard Grenell nga Romney te Obama?”

Është një përzierje e pazakontë — edhe për një vend si ShBA-ja — kur një Republikan konservator sikur Grenell është haptazi gej dhe deklarohet si fetar evangjelist.

Ai është i çelur për fenë e tij në kanalin e preferuar Twitter, ku në biografinë e tij shkruan se është “ndjekës i papërsosur i Krishtit”, dhe është parë duke postuar për këtë punë, përfshirë këtë cicërimë për COVID-19.

Por, komentet online të Grenell-it i kanë shkaktuar probleme në të kaluarën. Ai ka pasur shumë postime nënçmuese dhe fyese, sidomos për gratë, dhe po ashtu ka pasur këtë qasje ndaj kolumnistëve dhe gazetarëve, shpeshherë me gjuhë poshtëruese. Kjo ishte aq problematike sa kur u emërua në fushatën e Romney-t, ai fshiu mbi 800 postime nga llogaria e tij në Twitter. Ai po ashtu ka fshirë faqen e tij personale

Në atë kohë, ai kishte nxjerrë një kërkimfalje për ofendimin që mund të kenë shkaktuar cicërimat e tij, duke thënë se kishin qenë vetëm “shaka joserioze” por se e kishte kuptuar “se mund të jenë edhe ofenduese”. 

Grenell kishte qenë anëtar besnik i partisë për shumë vjet, duke shërbyer si zëdhënës për Republikanë të shquar në administratën e George Bush-it sikur ish-ambasadorët e ShBA-së në OKB John Bolton, John Negroponte, John C. Danforth and Zalmay Khalilzad. Asnjëri nga ta nuk pranoi të fliste me ne.

Ndër gazetarët me të cilat ka punuar atëbotë, nami i tij ishte në përgjithësi jashtëzakonisht i keq. Shumë punëtorë të medias e urrenin atë dhe disa prej tyre madje refuzuan të punonin me të. Një sërë korrespondentësh mendonin se nuk mund t’i zihet besë, dhe është pretenduar se ai shpeshherë u bërtiste atyre, sidomos nëse nuk ishin amerikanë.

Veterani i gazetës Reuters Irwin Arieff, i cili ka mbuluar OKB-në për 20 vjet, ka thënë për Huffington Post në vitin 2012 se Grenell është “zyrtari për shtyp më i pandershëm dhe mashtrues me të cilin kam punuar”.

“Ai rrente shpesh, ndërsa rëndom jepte gjysmëpërgjigje ose fshehte informata që i dobësonin argumentet e tij ose reflektoheshin keq në këndvështrimin e tij ideologjik”, ka thënë ai.

Arieff ka thënë se Grenell “shpeshherë thërriste përgjegjësit e mi të redaksisë, ose e bindte Ambasadorin [John] Bolton t’i thërriste ata, që të ankohej për artikujt e mi, edhe nëse nuk kanë pasur gabime dhe kanë qenë plotësisht të saktë, por thjesht nuk janë përshtatur me pikëpamjet politike të tij ose të Bolton-it”.

Gazetari më tej thotë se Grenell “ishte mbi të gjitha ideolog konservator, i cili bënte çmos për ta shtrembëruar mbulimin mediatik të Misionit të ShBA-së në OKB për t’u përputhur me vijën politike të tij dhe të Ambasadorit Bolton”.

Nami i Grenell-it si armiqësor, agresiv dhe i vrazhdë ndaj medias vazhdon dhe përfshin akuza se kishte “bezdisur dhe ngacmuar” gazetarët, sidomos ata që raportojnë lajme që shkojnë kundër pikëvështrimit të tij. Si rrjedhojë, ai kryesisht priret të flasë me gazetarë të krahut të djathtë prej portaleve partiake.

Lojalisti

Richard Grenell shumë shpejt u shpërfaq në garën presidenciale të vitit 2016 kur u rreshtua në anën e Donald Trump-it.

Suksesi i Trump-it e përmbysi Partinë Republikane, duke e shtyrë më tej nga e djathta dhe njëkohësisht hoqi mënjanë shumë figura të rëndësishme partiake sikur Mitt Romney.

Pas pak kohe, Grenell u nominua për të qenë ambasador në Gjermani, vendi më i rëndësishëm aleat i ShBA-së në Evropë. Ai kishte pasur pak përvojë në diplomaci ose në marrëdhënie ndërkombëtare, përveç të qenit zëdhënës për ambasadorët e OKB-së dhe përpjekjes së tij të dështuar për të qenë zëdhënës i Romney-t.

Grenell nuk është përpjekur fare ta mbrojë mungesën e përvojës, por në vend të saj është munduar të paraqitet — në pajtim me administratën ku tash shërben — si “autsajder” që nuk është pjesë e elitës politike të Uashingtonit. Por kritikët, përfshirë ish-Ambasadorin në Kosovë Greg Delawie, kanë thënë se emërimet politike partiake sikur Grenell “më fort i dëmtojnë interesat e ShBA-së sesa që i promovojnë”.

Me përvojë të paktë relevante mbi të cilën mund të bazohet, në vend të kësaj Grenell ka bërë emër në Twitter.

Kjo nuk ishte hera e fundit që Grenell do ta merrte një punë brenda administratës së Trump-it për të cilën është dukshëm i pakualifikuar.

Kur u bë e ditur në shkurt të vitit 2020 se ai do ta merrte përsipër rolin e ushtruesit të detyrës të Drejtorit Kombëtar të Inteligjencës, Susan Rice — e cila shërbeu si këshilltare për siguri kombëtare mes viteve 2013 dhe 2017 pas katër vjetësh si ambasadore e ShBA-së në OKB — e quajti “të paaftë dhe mashtrues” dhe “një nga njerëzit më të poshtër dhe të pandershëm që kam takuar ndonjëherë”. Më tej ajo ka thënë se ai nuk ka përgatitje dhe dije për rolin e tij dhe arsyeja përse ësthë zgjedhur është për ta shndërruar komunitetin e inteligjencës “në një vegël për rizgjedhjen e presidentit”.

Me përvojë të paktë relevante mbi të cilën mund të bazohet, në vend të kësaj Grenell ka bërë emër në Twitter si opinionist te i cili mbështetej televizioni i krahut të djathtë Fox News, ku mbrojtja e tij e zjarrtë e Trump-it dhe Partisë Republikane e ka ndihmuar të gjejë vend në administratë.

Nominimi i Grenell-it si ambasador do ta shndërronte në një ndër emërimet më të larta në administratën Trump të një personi që është haptazi gej. Sidoqoftë, konfirmimi i emërimit është kundërshtuar nga Demokratët për shkak të komenteve mizogjene që kishte bërë në Twitter për Hilary Clinton-in, Kongresisten Nancy Pelosi dhe gra të tjera të shquara në politikë dhe në media.

Në atë kohë, Senatori Demokrat Chris Murphy kishte thënë se ishte i shqetësuar për faktin që Grenell ka “një prapavijë me deklarata mizogjene dhe acaruese online” dhe se mendonte që një ambasador me histori mizogjinie nuk do t’i përfaqësonte mirë Shtetet e Bashkuara në një vend të drejtuar nga gruaja më e fuqishme në botë.

Meqenëse Republikanët kontrollojnë Senatin, emërimi i Grenell-it në fund të fundit u miratua me 56 vota për dhe 42 kundër.

Stacioni i Berlinit

Në fjalën e tij hyrëse para Komisionit të Senatit të ShBA-së për Marrëdhënie me Jashtë në seancën dëgjimore ku pritej të konfirmohej si Ambasador në Gjermani, Grenell kishte thënë:

“Nëse konfirmohem, unë do të përpiqem ta forcoj marrëdhënien historike mes Uashingtonit dhe Berlinit. Kombet tona të mëdha kanë një lidhje të pakëputshme dhe shpresoj t’i përforcoj këto lidhje duke promovuar vlerat e diversitetit, transparencës dhe drejtësisë.

Por, punët nuk dolën bash ashtu.

Martin Knobbe është shefi i redaksisë në Der Spiegel — një gazetë me ndikim në Gjermani që ka miliona lexues nga e tërë bota çdo muaj — dhe kishte takuar Grenell-in në Uashington duke e mbuluar fushatën e Romney-t për revistën Stern.

Knobbe kujton se kur Grenell mbërriti në Gjermani në pranverë të vitit 2018, ai e bëri menjëherë të qartë se prioriteti i tij kryesor si ambasador do të ishte t’i qortonte nikoqirët e rinj për shumën e kontribuar drejt buxhetit të NATO-s. “Kjo ishte mjaft interesante sepse nuk kujtoja se ndonjë diplomat [i ri] do të kishte një agjendë aq të qartë në mendje”, ka thënë Knobbe.

Pak pasi kishte mbërritur në Berlin, ai organizoi një festë mirëpritëse ku ftoi gazetarë dhe influencerë lokalë, si dhe partnerin e tij Matt Lashey. K2.0 ka mësuar nga dy njerëz që kanë qenë aty se ajo nuk ishte një drekë e zakonshme diplomatike. Sipas tyre, Grenell kishte bërë komente provokative ndaj gazetarëve të ftuar në mënyrë që t’u lë mbresa, duke u përpjekur ta etablojë veten si një lloj diplomati i ri që është i vendosur t’i lëkund evropianët.

“Mendoj se ishte ose në ditën kur kishte zbritur, ose të nesërmen, që kishte shkruar atë cicërimën për Iranin dhe Gjermaninë”, ka thënë Knobbe.

"Ajo cicërimë me të vërtetë e karakterizoi mënyrën se si u mor me politikën gjermane këtu në Gjermani. Jo në mënyrë diplomatike por në një mënyrë fort të ashpër dhe të vrazhdë."

Martin Knobbe, Der Spiegel

Administrata Trump kishte vendosur njëanshmërisht të tërhiqej nga një marrëveshje që ishte negociuar mes administratës Obama dhe Iranit, dhe që ishte nënshkruar nga BE-ja. Me këtë marrëveshje, Irani ishte pajtuar t’i reduktonte armët atomike në këmbim me heqjen e sanksioneve ekonomike. Kur administrata Trump e hodhi poshtë marrëveshjen, sanksionet e ShBA-së u rifuqizuan, për zhgënjimin e BE-së.

Grenell kishte thënë në Twitter se kompanitë gjermane nuk duhet të bëjnë më treg me Iranin sepse ShBA-ja i kishte kthyer sanksionet në tërësi. 

“Paj, ajo cicërimë ishte fillimi i duhur sepse me të vërtetë e karakterizoi mënyrën se si u mor me politikën gjermane këtu në Gjermani”, ka thënë Knobbe. “ Jo në mënyrë diplomatike por në një mënyrë fort të ashpër dhe të vrazhdë”.

Në përgjithësi, ambasadorët nuk komentojnë hapur për çështjet e brendshme të shtetit ku janë të dërguar, por Grenell u mbajti ligjërata gjermanëve për çdo gjë, përfshirë rritjen e buxhetit ushtarak, kërkesën që të mos marrin një kompani kineze për instalimin e rrjetit 5G dhe fuqizimin e konservatorëve gjermanë dhe evropianë.

Ish-Ambasadori Britanez në Shtetet e Bashkuara Kim Darroch, i cili u detyrua ta lë pozitën pasi Trump-i e fyu publikisht në Twitter, u pyet së voni nese mendonte se do të kishte qenë më mirë të ishte diplomat “granatahedhës” sikur Grenell.

“Sinqerisht nuk e di, për këta që sillen si Richard Grenell”, u përgjigj ai. “Do ta krijonte një lloj kakofonie në shumicën e vendeve po të kishte ambasadorë që bëjnë gjëra të tilla”.

Edhe gjatë vetë seancës dëgjimore për nominimin e Grenell-it, ish-Senatori Peter Hoekstra nga Miçigani — i cili po nominohej në të njëjtën kohë për t’u bërë Ambasador në Holandë dhe i cili kishte problemet e veta me përzierjen e politikës dhe diplomacisëka përmendur nevojën që të kihet parasysh se “politika përfundon në zgrip të ujit”. Kjo do të thotë që kur janë jashtë, amerikanët duhet ta përbëjnë një front të përbashkët pavarësisht nga dallimet politike dhe të mos promovojnë ideologji të caktuara politike.

“Politikanët gjermanë ishin shumë të irrituar dhe të zemëruar nga qasja e tij e vendosjes së temave dhe nisjes së diskutimeve dhe… zakoni i tij ishte që gjithmonë të paralajmëronte dhe kërcënonte”, ka thënë Knobbe.

Kjo sjellje vazhdoi deri në pikën që edhe amerikanofilët, personat e qendrës së djathtë dhe qeveria gjermane humbën besimin tek ai. Një gazetar i njohur gjerman ka thënë për K2.0 në maj se “sigurisht është mjaft i vetmuar sepse ai ka miq vetëm në ekstremin e djathtë”. 

Kjo gjë është thënë gjithnjë e më shumë gjatë mandatit të tij, përfshirë nga Knobbe, i cili ka thënë se amerikani kishte “pak shokë dhe ishte në anën shumë konservatore”.

“Natyrisht ka pasur shumë takime, por disa politikanë na kanë thënë se nuk e kanë takuar kurrë”, ka thënë Knobble. [Twitter-i] ishte mënyrë e qartë për të komunikuar, dhe kjo ishte zhgënyese për ta. Dhe, natyrisht, atëherë nuk ishte këtu fizikisht sepse ishte thjesht në Uashington gjatë gjithë kohës. Ai nuk ishte i interesuar më për ne [Gjermaninë]”.

Ai ka qenë gjithashtu një promovues i palëkundur i të drejtave të komunitetit LGBT+, përfshirë këtu mbështetjen e zëshme për dekriminalizimin e homoseksualitetit globalisht.

Sidoqoftë, thuhet se Grenell kishte lidhur shoqëri të mirë me Jens Spahn-in, ministrin e ri, konservator dhe ambicioz gjerman të shëndetësisë (zyra e të cilit nuk iu përgjigj kërkesës së K2.0 për të biseduar me të) dhe ishte mbështetës entuziast i kancelarit të djathtë austriak Sebastian Kurz, të cilin e quajtirock star” dhe deklaroi që qëllimi i tij ishte “fuqizimi i konservatorëve evropianë”.

Sa i përket Rusisë, një nga temat e ndjekura vazhdimisht nga administrata e Trump-it, Grenell shpeshherë ka pretenduar se Putinit nuk mund t’i zihet besë, dhe ai është shprehur kundër gazsjellësit të propozuar rus Nordstrom që do të kalonte nëpër Baltik drejt Gjermanisë për t’i përmbushuar nevojat e Evropës me energji.

Grenell ka pretenduar që Trump-i është po ashtu anti-Putin por pastaj u kundërshtua nga vetë sjellja e Trump-it kur presidenti e takoi Putin-in sy më sy, e lëvdoi publikisht dhe nuk pranoi ta mirënjihte akuzën e organit të inteligjencës së ShBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Ai ka qenë gjithashtu një promovues i palëkundur i të drejtave të komunitetit LGBT+, përfshirë këtu mbështetjen e zëshme për dekriminalizimin e homoseksualitetit globalisht. Grenell ka pohuar se Trump-i ishte presidenti më pro-gej amerikan në histori, pavarësisht nga përpjekjet e administratës për t’i dobësuar të drejtat e komunitetit LGBTQ+. Kur u pyet për fushatën e dekriminalizimit, Trump dukej se nuk dinte asgjë për të.

Mandati i Grenell-it mori fund pas vetëm 23 muajsh, në qershor të vitit 2020, kur dha dorëheqje për t’u kthyer në ShBA para zgjedhjeve presidenciale. Mediumi gjerman Deutsche Welle e raportoi këtë lajm duke thënë se ai ishte bërë “famëkeq” për “stilin e tij luftarak, kritik dhe ndonjëherë jobashkëpunues”.

Emisari

Më 4 tetor të vitit 2019, ndërsa ishte akoma ambasador në Gjermani, Grenell u emërua i dërguar i posaçëm presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, një pozitë e sapokrijuar për të cilën thuhet se kishte lobuar vetë. Dy ditë pas emërimit të Grenell-it, Vetëvendosja e Albin Kurtit fitoi zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por iu deshën edhe disa muaj negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për ta formuar një koalicion.

Në gusht, diplomati i lartë i Shërbimit të Jashtëm Matthew A. Palmer, i cili ka ekspertizë për Ballkanin, ishte emëruar i dërguar i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

Palmer kishte thënë në dëshminë para Senatit se dallimi mes tij dhe Grenell-it ishte që udhëzimet për punën e tij “mbulonin tërë Ballkanin Perëndimor”. Ai po ashtu ka thënë se e kishte mirëpritur emërimin e Grenell-it sepse kjo do t’i siguronte kosovarët dhe serbët se “amerikanët janë seriozë dhe ndajnë burime për këtë çështje”.

Sidoqoftë, emërimi i tij bëri që shumë ligjvënës amerikanë t’i ngrisin vetullat, veçanërisht për atë se si një ambasador në Gjermani, me rolin kyç të mirëmbajtjes së marrëdhënieve me një partner kaq të rëndësishëm evropian dhe të NATO-s, mund të ketë kohë për një detyrë shtesë — e aq më tepër një detyrë aq komplekse sa çështja mes Kosovës dhe Serbisë.

Shumica e kosovarëve morën vesh për emërimin e Grenell-it në janar kur ai shpalli në mënyrë të bujshme që është arritur një marrëveshje për ta nisur udhëtimin ajror mes Prishtinës dhe Beoradit me qeverinë në detyrë të Ramush Haradinajt. Disa javë më vonë, ai kryesoi një ceremoni tjetër të nënshkrimit, këtë herë bashkë me presidentët Thaçi dhe Vučić, ku deklaroi se Kosova dhe Serbia ishin pajtuar t’i zgjeronin më tej lidhjet e transportit me një marrëveshje të re për lidhjet rrugore dhe hekurudhore.

Hollësitë e sakta prapa këtij suksesi të vetëquajtur ishin të mangëta, dhe u deshën edhe dy muaj të tjerë me kërkesa nga gazetarët në mënyrë që dokumentet të nxirreshin publikisht nga BIRN-i.

"Shpallja është një gjë. E zbatimi pastaj është gjëja tjetër."

Viola von Cramon, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën

Të ashtuquajturat marrëveshje u zbuluan të jenë “deklarata interesi” të nënshkruara nga zyrtarë të nivelit të ulët në Kosovë, dhe sa i përket marrëveshjes për fluturime, inicialet “LH” janë përdorur për kompaninë më të madhe të fluturimeve në Gjermani Lufthansa.

K2.0 kontaktoi Eurowings, vartësen e Lufthansa-s që do ta implementonte skemën, për të kërkuar më shumë informata dhe përgjigjja ishte se ende nuk ka marrëveshje për detajet.

“Parimisht jemi pajtuar ta operojmë këtë lidhje mes Beogradit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, një sërë pyetjesh komerciale, organizative dhe ligjore ende mbeten të hapura, të cilat duhet të bashkërendohen dhe qartësohen në hapat e mëtejmë”, ka thënë Eurowings përmes email-it më 22 qershor.

“Kjo është po ashtu arsyeja përse nuk mund t’iu përgjigjemi të gjitha pyetjeve përfundimisht në këtë kohë — përfshirë planet konkrete sikur afati, data e hapjes, shpeshtësia [e fluturimeve], etj. Për më shumë, pandemia e Koronës natyrisht ka ngadalësuar të gjitha aktivitetet në kohën e tashme”.

Dashuria e Grenell-it për deklarata të mëdha që jo domosdo mbështeten nga përmbajtja shpesh ka shkaktuar frustrim për zyrtarët e BE-së.

“Këtu desha të dal, shpallja është një gjë. E zbatimi pastaj është gjëja tjetëri”, ka thënë për K2.0 raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon kur u pyet për qasjen e Grenell-it dhe administratës Trump ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, Grenell ka vazhduar të praktikojë diçka që s’mund të quhet gjë tjetër veç diplomaci e rrjeteve sociale dhe duke i bërë shumicën e njoftimeve përmes Twitter-it.

Pasi qeveria e drejtuar nga Kurti erdhi në pushtet në fillim të shkurtit, Grenell ripërsëriti trysninë për heqjen e menjëhershme të taksës 100% ndaj produkteve nga Serbia që ishte vendosur në nëntor të vitit 2018 nga qeveria Haradinaj si përgjigje ndaj fushatës së çnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Politika e tarifës ka shkaktuar tërheqjen e Serbisë nga kthimi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja po atë muaj, dhe dukej se gjasat ishin të vogla që Serbia të kthehej në çfarëdo tryeze bisedimesh pa heqjen e saj.

Meqë Kurti qëndronte i palëkundur për premtimin zgjedhor të vendosjes së “masave reciproke të tregtisë” me Serbinë, Grenell bashkë me të birin e presidentit amerikan, Donald Trump Jr., kërcënuan me largimin e trupave të ShBA-së në Kosovë përmes cicërimave të shumëshpërndara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ashtu bllokuan fondet për Millenium Challenge Corporation (MCC), një projekt i Departamentit të Shtetit të ShBA-së i dizajnuar për stimulimin e zhvillimit ekonomik për shtetet në zhvillim. Ky projekt tanimë ka kushtuar dhjetëra miliona dollarë në formë të fondeve për Kosovën që pritet të rriten për 120 milionë dollarë të tjerë (më se 101 milionë euro) në vitet e ardhshme.

Më 13 mars, MCC-ja ka nxjerrë këtë deklaratë: “Pozita e Shteteve të Bashkuara sa i përket tarifës së Kosovës kundër mallrave të Serbisë është e qartë. Tërheqja e këtyre tarifave do ta përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në zbutjen e varfërisë përmes zhvillimit të ekonomisë. Derisa të zgjidhet çështja e tarifës së Kosovës, MCC-ja do ta pezullojë zbatimin e programit të pragut dhe zhvillimin e programit kompakt të propozuar në Kosovë”.

Senatorët Demokratikë në Komisionin e Senatit të ShBA-së për Marrëdhënie me Jashtë në prill vunë në pyetje arsyen për pezullimin e MCC-së në Kosovë nga Departamenti i Shtetit, por deri në Kohën e botimit të këtij artikulli nuk ka pasur përgjigje publike.

Emisari i posaçëm mohoi fuqimisht këto akuza, duke thënë se Kurti thjesht kishte refuzuar të shkonte tok me politikën e ShBA-së dhe rrjedhimisht nuk duhet të presë mbështetje të ShBA-së.

Ndërsa trysnia mbi qeverinë e re të Kosovës rritej, ajo theksoi përçarjet e zmadhuara mes politikës së jashtme të ShBA-së dhe BE-së. Në njërën anë, evropianët lëvduan “hapin e parë” të bërë nga Kurti për heqjen graduale të tarifës si diçka që “mund të ketë ndikim pozitiv” dhe në anën tjetër Grenell vazhdoi luftën e fjalëve duke e qortuar këtë lëvizje si “masë të qullët” dhe “gabim të madh”.

Mes ndasive në thellim e sipër, një pjesë e madhe e retorikës politike brenda Kosovës u përqendrua në atë se kush është “proamerikan” dhe “antiamerikan”, me ç’rast Vetëvendosja u shënjestrua veçanërisht pasi refuzonte të epej nga presioni i ShBA-së.

Më vonë, kjo çështje u përmend nga partneri i dytë i koalicionit, LDK — e cila gjithmonë ka theksuar përkushtimin e ngurtë për ndjekjen e udhëheqjes së ShBA-së — si arsye për inicimin e një votëbesimi në mars që do ta rrëzonte qeverinë që kishte mbajtur pushtetin për vetëm 52 ditë.

Më pas, Kurti thirri një konferencë për shtyp me disa gazetarë të caktuar ku pretendoi se Grenell kishte komplotuar me Thaçin dhe Vučić-in për një marrëveshje të shumëdiskutuar për shkëmbim territoresh dhe se ai kishte qenë i përfshirë ngusht në një “grusht shteti” që i dha fund qeverisë së drejtuar nga Vetëvendosja. Emisari i posaçëm mohoi fuqimisht këto akuza, duke thënë se Kurti thjesht kishte refuzuar të shkonte tok me politikën e ShBA-së dhe rrjedhimisht nuk duhet të presë mbështetje të ShBA-së.

Ndërkohë, Drejtuesi në ikje i Komisionit Kongresional për Marrëdhënie me Jashtë Elliot Engel dha një deklaratë dënuese për rolin e administratës Trump në këtë krizë politike, duke thënë se “Shtrëngimi i një demokracie të re është vepër e një mujshari”, dhe pyeti për arsyen që kishte presion të njëanshëm për anën e Kosovës.

Fuqia dhe ndikimi

Trysnia e vrazhdë dhe e njëanshme e ushtruar nga Grenell ishte posaçërisht tronditëse kur kihet parasysh që Kosova krenohet për besnikërinë e saj ndaj ShBA-së. Grenell kishte për qëllim përdorimin e këtij pozitiviteti për futjen e një pyke mes ShBA-së dhe Evropës.

Ai u mbështoll me flamurin amerikan dhe shfrytëzoi pasigurinë në Kosovë sa i përket mungesës së anëtarësisë në organizata ndërkombëtare dhe dialogun e pezulluar me Serbinë si mënyrë për të përfituar akoma më shumë pushtet në administratën e tanishme të ShBA-së.

Njëkohësisht, ai i siguroi kosovarët që është zgjedhja më e urtë në krahasim me evropianët që as nuk u japin viza, dhe përdori në të mirë të tij atë që ish-Ambasadori i ShBA-së në Serbi e Mal të Zi (dhe më vonë në Serbi) Michael Polt e quan tendencën e evropianëve për të mos “peshuar në shalë kur marrin vendime”.

Siç thuhet rëndom në qarqet diplomatike: “ShBA-ja vepron dhe evropianët paguajnë.”

Lidershipi politik i Kosovës u nxit t’i kthejë sytë nga ShBA-ja, ndërsa Grenell — me ndihmën e Thaçit — u përpoq t’i anashkalonte evropianët, të cilët janë aleatë tradicionalë në rajon.

Që nga lufta e viteve 1998-99, fuqia politike e ShBA-së bashkë me fuqinë financiare evropiane kanë ndihmuar për shtyrjen e Kosovës para, por amerikanët kobtribuojnë shumë më pak në formë të ndihmës për Kosovën sesa BE-ja. Siç thuhet rëndom në qarqet diplomatike: “ShBA-ja vepron dhe evropianët paguajnë”.

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për K2.0 se bashkë me mbështetjen financiare dypalëshe nga Shtetet Anëtare të BE-së, asistenca financiare e BE-së ka mbërritur rreth 194 milionë euro në vitin 2019. Këtë vit janë ndarë mjete shtesë për t’i mbështetur përpjekjet për luftimin e pandemisë, rreth 60 milionë euro deri më tash.

Në ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, ShBA-ja ka shpenzuar 47 milionë dollarë (39 milionë euro) për mbështetje të jashtme për Kosovën në vitin 2019, dhe deri më tash në vitin 2020 ka shpenzuar rreth 42 milionë dollarë (35 milionë euro).

Administrata Trump kishte propozuar përgjysmimin e buxhetit për Kosovën për vitin 2020, me ç’rast Palmer i kishte thënë Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë se shkurtimet e vazhdueshme të buxheteve të ShBA-së për Kosovën dhe rajonin nuk shihen si problematike për liderët lokalë.

Në dëshminë e tij, Palmer kishte thënë se liderët ballkanikë duan “kohë dhe vëmendje”, sikur emërimi i një emisari presidencial. Pyetësi i tij, Senatori Chris Murphy, vërejti se kur kishte vizituar rajonin, ai kishte dëgjuar ankesa për mungesën e fondeve nga stafi i ambasadës, i cili thoshte se kështu po zvogëlohej ndikimi i ShBA-së në rajon.

Proceset paralele

Me votimin e qeverisë më të bindur në krye me Hotin e LDK-së në fillim të qershorit — pas një vendimi goxha të kontestuar të Gjykatës Kushtetuese që vendosi se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja — dhe me largimin e menjëhershëm të masave kundër mallrave të Serbisë, paratë amerikane nisën të rrjedhin sërish pasi MCC-ja njoftoi që programet e financimit do të rifillonin.

Brenda dy javësh, më 15 qershor, Grenell njoftoi që do ta ftonte Thaçin dhe Vučić-in në Shtëpinë e Bardhë në fund të muajit për ta nënshkruar një marrëveshje që do të përqendrohej në çështjet ekonomike. Në rast të mosnënshkrimit, ai tha se “të dyja shtetet do të kthehen në statuskuo”.

Ndërkaq, BE-së do t’i liheshin çështjet politike.

Data e përzgjedhur për takimin në Shtëpinë e Bardhë — 27 qershori — ishte në prag të Vidovdanit, dita e cila u bë famëkeqe kur Slobodan Milošević dha fjalimin ogurzi në Gazimestan.

Ambasadori Polt thotë se përpjekja për t’i shkoqur temat politike nga ato ekonomike gjatë negociatave është sikur të ndreqet rrota e pasme e një veture pa u rregulluar timoni dhe ndërrimi i shpejtësive. Puna e parë që duhet ta arrijë dialogu është “njohja reciproke, shmangia e shkëmbimeve territoriale dhe në fund institucionet demokratike”, ka thënë Polt për K2.0.

Ç’është interesante, data e përzgjedhur për takimin në Shtëpinë e Bardhë — 27 qershori — ishte në prag të Vidovdanit, dita e cila u bë famëkeqe kur Slobodan Milošević më 1989 në Gazimestan dha fjalimin ogurzi që i parapriu gjakderdhjes së shkaktuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Këto lajthitje, të cilat tregojnë për një mungesë të dijes dhe vetëdijes historike, madje edhe të metodave të diplomacisë, janë shfaqur vazhdimisht gjatë karrierës së Grenell-it. Përgjigjja e tij është zakonisht që sistemi dhe politika s’kanë funksionuar më parë dhe se ka nevojë për një qasje të freskët sikur ajo e tija.

Njoftimi për takimin në Shtëpinë e Bardhë erdhi po ashtu në kohën kur Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së Miroslav Lajčák bëri vizitën e parë zyrtare në Prishtinë në përpjekje për ta rifilluar dialogun e drejtuar nga BE-ja që ishte pezulluar për më se 18 muaj. Zëdhënësi i Lajčák-ut tha për K2.0 në atë kohë (18 qershor) se nuk komentojnë për veprimet e të tjerëve, por se Lajčák-u mëtonte të paraqiste data konkrete për “rinisjen e shpejtë” të dialogut.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është proces që ka dorëzuar rezultate vërtet konkrete për njerëzit e Kosovës që nga fillesat e tij”, ka thënë ai.

Grenell vazhdoi ta përdorte llogarinë e tij në Twitter si armë diplomatike, duke iu drejtuar postime kritikëve që vinin në pyetje mungesën e koordinimit me BE-në: “Ne mirëpresim çdolloj vepre, por jo fjalët. Përse nuk i dërgoni cicërimë BE-së dhe t’i pyesni pse nuk ka liberalizim vizash për kosovarët”.

Teksa data e takimit të 27 qershorit afrohej dhe kishte pak detaje për gjërat që do të diskutoheshin, kishte spekulime brenda rajonit për mundësinë e shumëdiskutuar dhe kontraverse të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Grenell ishte vazhdimisht i prerë se nuk kishte qenë kurrë i përfshirë në kuvendime të tilla.

Por, shqetësimet e përgjithshme se marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë ishte enkas për t’i sjellë Trump-it një “fitore” në politikën e jashtme që mund ta promovonte — pavarësisht nga përmbajtja e saj — po ashtu nuk largoheshin.

“Njëra punë është fotografimi i përbashkët dhe Shtëpia e Bardhë dhe përpjekja për të gjetur mundësi për fushatën zgjedhore të z. Trump”, ka thënë von Cramon për K2.0 në qershor para takimit të caktuar në Uashington. “Mendoj që kjo është për të t’ardhur keq sepse rajoni meriton më shumë sesa një fotografim të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë dhe vërej që njerëzit do të instrumentalizohen”.

Pastaj goditi diçka që s’mund të parashikohej. Më 24 qershor, ndërsa Hashim Thaçi ishte në ajër gjatë udhëtimit për në kryeqytetin e ShBA-së, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë shpalli se kishte dorëzuar një sërë akuzash kundër tij dhe disa njerëzve të tjerë për, ndër të tjera, vrasjen e afro 100 njerëzve. Takimi i caktuar u shty.

‘Kjo marrëveshje s’ka të bëjë me ju’

Në fillim të shtatorit, takimi i Grenell-it mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më në fund u mbajt.

Administrata e Trump-it e lavëroi si sukses “vërtet historik” për normalizimin ekonomik dhe si kulm i punës së Grenell-it. Ai rezultoi në dy dokumente të veçanta, njërin prej të cilëve e nënshkroi Vučić, kurse tjetrën zëvendësi i Thaçit për bisedimet Hoti. Vetë Trump nënshkroi një letër tjetër që iu bashkëngjit secilit dokument.

Duke folur para mediave në dhomën e konferencave për shtyp të Shtëpisë së Bardhë pas ceremonisë së nënshkrimit, Grenell kishte vështirësi të saktësonte si duhet subjektin e nënshkrimeve dhe papritmas i truajti gazetarët duke i akuzuar se janë të paaftë ta kuptojnë çështjen. Në kryelartësinë e tij, ai e karakterizoi luftën mes Kosovës dhe Serbisë edhe si “luftë e tmerrshme”, edhe si “konflikt të pandehur”.

Në një intervistë disa ditë pas takimit, Grenell duket se tallej me dy shtetet duke thënë se mosmarrëveshja për kontrollin e burimit kyç ujor në Liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës ishte thjesht “luftë fjalësh” për emrin e tij. “Me shaka, thashë se një zgjidhje mund të jetë: Kështu, nëse nuk mund të pajtoheni për emrin, thjesht mund ta quajmë ‘Liqeni Trump’”, ka thënë ai.

"Do t'i avancojmë këto tri marrëveshje dhe do t'i shtojmë një sërë çështjesh në diskutim që do të krijonin tregti, zhvillim ekonomik dhe vende pune."

Këshilltari i lartë i Presidentit Trump (1 shtator 2020)

Vetë dokumentet e nënshkruara përmbajnë një çorbë çështjesh, shumë prej të cilave duket se kanë pak lidhje me normalizimin ekonomik, pavarësisht nga këmbëngulja paraprijëse e Shtëpisë së Bardhë që diskutimet “do të fokusoheshin vetëm për normalizimin ekonomik në përpjekje për të gjetur një mënyrë që të nxiten partitë për t’i lënë mënjanë çështjet politike që të krijohet një momentum rreth çështjeve ekonomike”.

“Kur t’i mbajmë diskutimet, ne do t’i avancojmë këto tri marrëveshje [për infrastrukturën e transportit] dhe do t’i shtojmë një sërë çështjesh në diskutim që do të krijonin tregti, kurse kjo do të sillte zhvillim ekonomik dhe vende pune”, u ka thënë gazetarëve një këshilltar i lartë i presidentit më 1 shtator.

Në vend të kësaj, dokumentet e nënshkruara duket se lidheshin më shumë me interesat e jashtëm — përcaktimin e Hezbollah-ut si organizatë terroriste dhe kthimin e pronave hebreje. Është përfshirë po ashtu kauza e shtyrë personalisht nga Grenell për dekriminalizimin mbarëbotëror të homoseksualitetit.

Analistët shpejt vërejtën që pavarësisht nga vetëvlerësimet e Grenell-it dhe pjesës tjetër të administratës Trump, kishte pak gjëra veçanërisht të reja për secilin vend, sidomos kur kihet parasysh mungesa e detajeve domethënëse.

Gatishmëria e tyre “për të provuar diçka të re dhe kreative” rezultoi në njohjen e Kosovës nga Izraeli. Por vetëm disa ditë pas nënshkrimit, pikërisht ky nen duket se ka çakërdisur tërë marrëveshjen pasi qeveria serbe ka lënë të nënkuptohet se nuk do ta zhvendosë ambasadën në Jeruzalem — siç është premtuar — nëse Izraeli i përmbahet përkushtimit.

I përballur me kritika dhe përqeshje, Grenell prapëseprapë nuk pushoi sulmin.

BE-ja po ashtu ia ka kujtuar Serbisë se zhvendosja e ambasadës në Jeruzalem shkel politikën e jashtme të BE-së dhe do ta bllokonte shtegun e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

I përballur me kritika dhe përqeshje, Grenell prapëseprapë nuk pushoi sulmin. Kur Albin Kurti shkroi në Twitter se tekstet ishin “jokoherente dhe të paqarta” dhe se asnjë qeveri e ardhshme nuk do të detyrohet t’i zbatojë, Grenell u përgjigj: “Një gjë është e qartë, gjithmonë mund të jesh i bindur që Albin Kurti do të dalë kundër Shteteve të Bashkuara”.

Puna e Grenell-it është përfaqësim emblematik i politikës së jashtme të administratës Trump në Ballkan (dhe Evropë).

Ndihmës-hulumtuesja e Edinburgh Law School në Mbretërinë e Bashkuar Laura Autton-Wise, e cila është e specializuar në ndërtimin e paqes dhe marrëveshjet e paqes, thotë se paraqitja e ceremonive të nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes zakonisht ka të bëjë me parashtrimin e palëve konfliktuoze si partnerë qendrorë dhe të barabartë ndaj përkushtimeve që pajtohen së bashku t’i zbatojnë; edhe ndërmjetësit e profileve më të larta pozicionohen në pjesën e pasme ose anësore gjatë këtyre çasteve të rëndësishme.

Por në Uashington, e tërë skena e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë përqendrohej rreth një burri: Donald Trump.

“Tavolinat e ulta për Vučić-in dhe Hotin në dy anët e Trump-it; po ashtu, ulja e tyre para tavolinës së tij si fëmijë në qortim e sipër; nënshkrimi nga Trump i një letre të panjohur dhe të pazbuluar ndërsa ata nënshkruajnë kopjet e marrëveshjes; ekipi thuajse tërësisht mashkullor”, thotë ajo.

“Performanca e përgjithshme ua përçon një porosi njerëzve të Kosovës dhe Serbisë që pasqyrohet në përmbajtjen e marrëveshjes: “Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me ju”.

Grenell vazhdon ta promovojë këtë sukses “historik” në Ballkan. Por edhe pasi të kalojë në aventura të tjera, ndikimi i tij në rajon do të vazhdojë të ndihet — dhe jo domosdo për arsyet e duhura.K

Imazhi i ballinës: Astrit Ibrahimi.