Në thelb | Politika

Çka po ndodh me qentë endacakë?

Nga - 11.02.2025

Përpjekjet e Komunës së Prishtinës për ta ulur numrin e qenve endacakë ngrisin më shumë pyetje sesa përgjigje.

Muajve të fundit, incidentet e njëpasnjëshme të sulmeve nga qentë endacakë në Prishtinë u shpërndan në medie përmes fotografive dhe videove, duke nxitur debat të ashpër në platformat online dhe duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm për largimin e qenve nga rrugët. Një zonë e veçantë e Prishtinës u bë epiqendra e kundërthënieve — Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku raportohet se jetojnë 60-100 qen. Drejtori i Neurologjisë në QKUK, Edmond Komoni, u sulmua nga qentë në tetor të vitit 2024, sulm që dikush e xhiroi.

Kumrije Shabani-Ramadani, teknike-anesteziste dhe anëtare e Kuvendit Komunal nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), reagoi në Facebook, duke e shtuar edhe më shumë vëmendjen mediale ndaj çështjes. Ajo iu drejtua kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke deklaruar: “Është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi”. Gjithashtu, ajo i kërkoi Ramës që “të ndërmerrni masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe. Kafshimet nga qentë endacakë nuk mund të jenë më një ngjarje e zakonshme në qytetin tonë”.

Sipas QKUK, nga janari deri në shtator 2024, janë regjistruar 112 raste të lëndimeve trupore nga qentë, duke e bërë edhe më urgjente thirrjen ndaj institucioneve përkatëse që ta zgjidhin këtë problem.

Megjithatë, teksa raportimet për sulmet nga qentë endacakë në Prishtinë janë bërë lajm i shpeshtë, mungon një shqyrtim i thelluar lidhur me arsyet pse këta qen ndodhen në rrugë dhe si ka dështuar komuna në zbatimin e masave efektive.

Reagimi i qytetit

Vlerësimet për numrin e qenve endacakë që jetojnë në Prishtinë ndryshojnë, duke filluar nga pak më shumë se 4,000 deri në 10,000. Por, pavarësisht numrit të saktë, që nga ardhja e tij në pozitë të kryetarit të komunës, në vitin 2021, Përparim Rama ka premtuar se do të ndërmarrë masa më të ashpra për ta ulur atë. Komuna ka njoftuar për zgjerimin e fushatave të sterilizimit dhe planet e Qendrës së Trajtimit të Qenve Endacakë në 2022, si dhe nisi një program në qershor 2023, që ofron 50 euro në muaj si subvencion për të  adoptuar deri në pesë qen. Këto përpjekje u pritën me dyshime dhe zemërim nga aktivistët/et për të drejtat e kafshëve, që argumentojnë se këto skema i japin përparësi publicitetit para zgjidhjeve të prekshme dhe efektive.

Njëra prej tyre është 24-vjeçarja Fiona Rrecaj, e cila u kujdes për një qen endacak për nëntë vjet, derisa atë ia morën punonjësit/et komunalë/e, si pjesë e përpjekjeve për ta ulur numrin e qenve në rrugë.

“Ata i trajtojnë këto kafshë si pengesë, jo si qenie të gjalla që meritojnë kujdes”, thotë ajo. Qeni i Rrecajt u gjet më vonë në kushte të rënda në një strehë, i pavaksinuar dhe i paushqyer — reflektim i dështimeve të sistemit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është zotuar se do ta ulë numrin e qenve endacak. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Për çdo incident që bëhet lajm, shumë aspekte tjera mbeten të pathëna — histori, jo të sulmeve, por rrëfime mizorie, shpërfilljeje dhe keqtrajtimi të vazhdueshëm ndaj qenieve që shpesh paraqiten si sulmues. Këtu nis rrëfimi i vërtetë: rrëfim jo për qentë endacakë që rrezikojnë sigurinë publike, por se si këto kafshë që u mveshet faji për probleme më të thella strukturore. Si cikli i braktisjes, keqqeverisjes dhe nxitja e frikës nga mediet i ka shndërruar këta qen në viktima të një sistemi të dështuar.

Adoptuesit/et rrëfejnë historitë e tyre

Valbonë Mustafa, 46-vjeçare, shpëtoi dy qen, në qershor 2023 dhe në maj 2024, të cilët i quajti Bubu dhe Picrra. Përvoja e saj shpalos sfidat dhe të mirat e adoptimit të qenve endacakë. Bubu, një qen për të cilin Mustafa ishte kujdesur sa jetonte si qen endacak në Parkun e Gërmisë, u sterilizua si pjesë e një programi komunal. Por kur Bubu u kthye sërish në Gërmi, Mustafa e vërejti se ajo kishte humbur shumë peshë dhe refuzonte të hante.

Valbonë Mustafa, e cila adoptoi dy qen, i sheh postimet në rrjetet sociale, që nuk ofrojnë kontekst, si njërin nga faktorët që formësojnë përceptim negativ të publikut për qentë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

E shqetësuar për shëndetin e saj, Mustafa e adoptoi Bubunë, pavarësisht këshillave sipas së cilave qentë endacakë kanë vështirësi të përshtaten me jetën brenda mjediseve të mbyllura. “Nuk u deshën më shumë se dy ditë që Bubu të ndihej rehat dhe të fillonte të shërohej”, thotë Mustafa, e cila jeton në Prishtinë dhe punon si përkthyese.

Mustafa theksoi mediet si njërin nga faktorët kryesorë që ndikojnë në stigmatizimin e qenve endacakë.”Disa njerëz i shohin qentë endacakë si të papastër dhe kanë frikë nga sëmundjet që mund të përhapin. Por mediet, veçanërisht rrjetet sociale, që shpërndajnë pamje të sulmeve të qenve pa shpjeguar se çka i nxit ata të sulmojnë apo si të veprohet në ato situata, kanë përhapur frikë tek publiku dhe kanë ndikuar ndjeshëm në mënyrën se si i perceptojmë qentë ne si shoqëri”, thotë ajo.

Megjithatë, në përgjithësi, aktivistët/et për të drejtat e kafshëve janë të zhgënjyer/a nga rezultatet.

Mustafa adoptoi Bubunë dhe Picrrën përmes procedurave ligjore me komunën, por jo si pjesë e skemës së subvencionimit prej 50 eurosh, që u prezantua si nxitje për t’i inkurajuar qytetarët që të adoptojnë qentë endacakë, duke e paraqitur atë si zgjidhje njerëzore dhe që bazohet në komunitet. Bajram Gecaj, këshilltar në kabinetin e kryetarit, në një email për K2.0 tha se komuna ka ndërmjetësuar me sukses adoptimin e 600 qenve deri më tani, duke ia atribuuar këtë skemës së subvencionimit prej 50 eurosh në muaj dhe operacioneve të Qendrës së Trajtimit të Qenve Endacakë.

“Synimi ynë është t’i largojmë të gjithë qentë endacakë nga rruga dhe t’i adoptojmë; do ta vlerësonim nëse kjo do të bëhej nga vetë qytetarët/et dhe u bëjmë thirrje të gjithë atyre që i duan qentë, të na ndihmojnë në këtë proces”, thotë Gecaj. “Gjithsesi, kemi një komision prej tre anëtarësh që fillimisht inspekton vendin ku do të adoptohen qentë, si dhe një tjetër komision prej tre anëtarësh që, herë pas here, monitoron mirëqenien dhe trajtimin e qenve nga adoptuesit”.

Megjithatë, në përgjithësi, aktivistët/et për të drejtat e kafshëve janë të zhgënjyer/a nga rezultatet. Ata/o janë gjithashtu dyshues/e ndaj deklaratës se 600 qen janë adoptuar. Sipas një ankete me 623 familje në Komunën e Prishtinës, e zhvilluar në vjeshtën e vitit 2022 dhe pranverën e vitit 2023 nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve — një organizatë që synon përmirësimin e mirëqenies së kafshëve përmes reformave ligjore dhe ndërgjegjësimit publik shumica dërrmuese e të anketuarve/ave thanë se nuk do ta adoptonin një qen.

Për më tepër, shumë qytetarë/e kanë vënë në pikëpyetje shpejtësinë e procesit të adoptimit — disa qen janë raportuar si të “adoptuar” brenda vetëm 24 orëve — dhe mungesën e kontrollimit të duhur për t’u siguruar që qentë janë caktuar në shtëpi të sigurta , ku ata gëzojnë kujdes. Shqetësimi kryesor është se subvencionimi prej 50 eurosh mund të ketë nxitur adoptime për përfitime ekonomike dhe jo për shkak të kujdesit të njëmendtë, duke e përkeqësuar më tej mundësinë për një zgjidhje afatgjate të problemit.

“Përveç dy adoptuesve/eve që kanë adoptuar dhjetëra qen dhe janë promovuar në rrjetet sociale dhe në televizion, nuk kemi informacione se kush janë adoptuesit/et e tjerë/a dhe nëse i plotësojnë kriteret e adoptimit apo jo. Më e rëndësishmja, ende nuk e dimë se ku ndodhen qentë tanë endacakë”, thotë Mustafa. Nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve thonë se disa individë janë paguar për të “adoptuar” nga 20 deri në 50 qen, çka sipas tyre, çon në krijimin e strehimoreve të parregulluara.

“Shumë nga qentë endacakë për të cilët jam kujdesur prej vitesh, për të cilët kam organizuar vaksinime dhe kastrime, janë zhdukur. Kam kontaktuar zyrtarët/et përgjegjës/e duke u dërguar fotografi të secilit qen, por përgjigja e tyre s’lidhej me kërkesën time. Shumë aktivistë për të drejtat e kafshëve kanë përvoja të ngjashme”, shton Mustafa.

Adriana Bajramaj nga “Protect Me Kosova”, një organizatë për shpëtimin e kafshëve, po ashtu e kritikoi këtë qasje. “E kemi përshtypjen se ata nuk kanë konsultuar njerëz që e njohin me të vërtetë situatën e qenve endacakë dhe se këtë strehimore [Qendrën e Trajtimit të Qenve Endacakë] e kanë ndërtuar për arsye politike dhe jo për t’i ndihmuar me të vërtetë qentë”, thotë Bajramaj përmes një mesazhi. Ajo gjithashtu theksoi se ofrimi i 50 eurove në muaj për adoptuesit/et nuk ndihmon. “Një person që i do përnjëmend kafshët do ta adoptojë një qen pa pasur nevojë të paguhet dhe ka mundësi të shumta zgjedhjesh — mjafton të dalësh në rrugë”, shton ajo.

Gecaj u mundua ta zhvendosë kritikën nga qeverisja aktuale komunale, duke argumentuar se kabineti i Ramës ka investuar 4 milionë euro për këtë çështje, teksa administrata e mëparshme komunale kishte ndarë vetëm 70,000 euro në tetë vitet e mandateve të saj. Sipas Gecajt, në nivel shtetëror, “1.3 milionë euro ishte shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë për trajtimin e qenve endacakë në këtë vend, gjatë qeverisë [Ramush] Haradinaj. Prandaj, kritika duhet të drejtohet tek ata që nuk po bëjnë asgjë, jo tek ne”.

Ai tutje theksoi sërish se dëshironte ta bënte “të qartë” se komuna ka adoptuar 600 qen përmes skemës së subvencionimit prej 50 eurosh.

Megjithatë, këto pretendime s’kanë ndikuar që të largohen dyshimet e aktivistëve/eve dhe banorëve/eve. Kritikat vazhdojnë të theksojnë mungesë të të dhënave publike për t’i verifikuar këto adoptime, si dhe refuzimin e komunës për të lejuar inspektime të rregullta të strehimores. Për Mustafën dhe aktivistët/et e tjerë/a, pyetja që mbetet ende pa përgjigje është: Ku janë këta 600 qen të adoptuar?

Aktivistë/e të tjerë/a për të drejtat e kafshëve, si Argjenta Doçiqi, ndajnë shqetësimet e Mustafës. Doçiqi, e cila ka organizuar shpëtimin e qenve endacakë për më shumë se një dekadë, duke u gjetur atyre shtëpi jashtë vendit, në shtete si SHBA dhe Mbretëri të Bashkuar, u ftua ta udhëhiqte Qendrën e re të Trajtimit të Qenve Endacakë, por e refuzoi këtë mundësi. Ajo besonte se nuk ndante të njëjtën qasje me komunën për mënyrën se si duhej menaxhuar qendra.

Doçiqi e sheh si të gabuar qasjen që bazohet në adoptime, në një vend ku ato janë të rralla. Sipas saj, strehimorja “duhej të përdorej ekskluzivisht për sterilizimin, kastrimin dhe vaksinimin e qenve, përpara se ata të kthehen në territorin e tyre të mëparshëm”, dhe jo për përgatitjen e tyre për adoptim.

“Kur kryetari i komunës pretendon se ka ‘familje’ të gatshme për t’i ‘adoptuar’ qentë endacakë, kjo është ofendim për të gjithë ata që kanë punuar pa u ndalur për shpëtimin e qenve në Kosovë dhe vendet përreth”.

“Sfida jonë më e madhe si operacion shpëtimi ka qenë gjithmonë gjetja e familjeve kujdestare me pagesë për t’i mbajtur qentë tanë të sigurt, ndërkohë që ne mbulojmë të gjitha shpenzimet veterinare, ushqimin dhe organizojmë adoptimet ndërkombëtare. Kur kryetari i komunës pretendon se ka ‘familje’ të gatshme për t’i ‘adoptuar’ qentë endacakë, kjo është ofendim për të gjithë ata/o që kanë punuar pa u ndalur për shpëtimin e qenve në Kosovë dhe vendet përreth”, thotë Doçiqi.”Nëse këto adoptime kanë ndodhur, pse nuk ka asnjë rrëfim të suksesshëm adoptimi, ose që këta qen të shihen diku?”

Një proces i nxituar

Përvoja e Rrecajt shton edhe më shumë dyshime lidhur me procesin komunal për adoptim. Për nëntë vjet, ajo u kujdes për Bombicën, një qen i lagjes, të cilin e përshkruan si “e butë, e dashur dhe për të cilën jemi përkujdesur unë dhe fqinjët e tjerë”. Por pastaj, punonjësit/et komunalë/e e morën papritmas Bombicën, duke e dërguar në qendrën e re, kinse për ta përgatitur për adoptim. 

Rrecaj thotë se më vonë e pa Zorron, një qen tjetër të lagjes, per të cilin u kujdes, në prapavijë të një videoje, ku shihej Rama në strehimore. “Mund të vëreje sa e tmerruar ishte Zorro, tek dridhej dhe dukej dukshëm e frikësuar, teksa Përparimi buzëqeshte në video”, thotë ajo.

Kur Rrecaj ia identifikoi vendndodhjen Bombicës në një strehimore, u tmerrua nga ajo që pa. “Kushtet ishin të tmerrshme. Qentë ishin të rrethuar nga një gardh elektrik dhe i ushqenin me bukë të thatë të lagur në ujë. Të thyhej zemra kur i shihje se si i trajtonin”, rrëfen ajo.

Situata mori kthesë tjetër kur Rrecaj mësoi se Bombica ishte zhvendosur te një adoptues privat që bashkëpunon me komunën. “Tani ajo është me një adoptues tjetër që mban mbi 50 qen”, shpjegon Rrecaj. Ndonëse mjedisi i ri është deri diku më i mirë se strehimorja, Rrecaj theksoi se stresi i të qenit në mesin e kaq shumë qenve të tjerë, po e ndikonte edhe më tej qenin për të cilën ishte kujdesur për kaq gjatë. “Është rrëqethëse t’i shohësh qentë tek luftojnë për mbizotërim dhe e di që nuk është me të vërtetë e lumtur aty”, thotë ajo.

Rrecaj po ashtu së fundmi ka adoptuar një qen të racës malinoa, të cilës ia la emrin Bambi. Ajo u përpoq ta kontaktonte komunën për ta adoptuar Bambin përmes skemës së subvencionimit prej 50 eurosh, por s’mori asnjë përgjigje, edhe pse u ofroi zyrtarëve që ta vizitonin banesën e saj për t’u siguruar që Bambi ishte në një mjedis të sigurt dhe të kujdesshëm.

“Jam shumë e shqetësuar se këta qen ose po dërgohen në vende të tmerrshme, ose, edhe më keq, mund të mos jenë as gjallë. Refuzimi i komunës për t’u marrë me këto çështje e bën situatën edhe më të vështirë dhe kam frikë se çdo ditë e më shumë qen po zhduken pa kujdesin ose mbikëqyrjen e duhur”, thotë Rrecaj.

Aktivistët/et për të drejtat e kafshëve kanë dyshime lidhur me nismës së komunës për t’i larguar qentë endacakë nga rrugët dhe për ta promovuar adoptimin. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Teksa komuna i tha K2.0 se mirëpret nismat nga qytetarët/et, përvoja e Rrecajt tregon një realitet tjetër.

Elza Ramadani, themeluese e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, ndan zhgënjimin e njëjtë si Rrecaj dhe thekson dështimin e komunës për t’i trajtuar problemet qenësore. “Stimulimi financiar për adoptim, ndonëse me qëllim të mirë, ka çuar në praktika joetike, ku individët vënë përfitimin financiar para mirëqenies së kafshëve”, thotë Ramadani. Ajo ngriti shqetësime lidhur me mungesën e mbikëqyrjes, transparencës dhe kontrolleve të duhura, për t’u siguruar që qentë po vendosen në shtëpi të sigurta.

“Deri tani, disa zyrtarë kanë postuar në rrjetet e tyre sociale se rreth 500 qen janë marrë nga rruga dhe janë dërguar direkt tek ‘adoptuesit.’ Procedurat e shpejta të adoptimit na tregojnë se diçka s’është në rregull”, shton ajo.

Ramadani dhe fondacioni i saj kanë kërkuar të dhëna zyrtare nga komuna lidhur me adoptimet, por ajo thotë se zyrtarët/et komunalë/e kanë vonuar dhënien e informacionit të kërkuar dhe nuk kanë ofruar listë të plotë të qenve të adoptuar dhe adoptuesve/eve. Ajo gjithashtu kritikoi komunën për dështimin në ndjekjen e procedurave të duhura lidhur me procesin e adoptimit.

Qendra e Trajtimit të Qenve Endacakë në Hajvali u hap zyrtarisht në 2024, si pjesë e përpjekjeve të gjera të komunës për ta menaxhuar numrin në rritje të qenve endacakë. E promovuar si qendër për sterilizimin, vaksinimin dhe përgatitjen e qenve për adoptim, strehimorja shpejt u vu në shënjestër të aktivistëve për të drejtat e kafshëve. Ramadani kritikoi mungesën e transparencës në operacionet e saj. “Sipas ligjit, procesi i adoptimit duhet të kalojë përmes strehimores, por kjo nuk po ndodh”, shpjegon ajo. “Që nga hapja e qendrës, kemi kërkuar ta vizitojmë dy herë në javë për t’i monitoruar qentë dhe për të ndihmuar aty ku është e nevojshme, por askush nuk na është përgjigjur. Kjo mungesë bashkëpunimi dhe transparence tregon se kjo qasje nuk është as njerëzore dhe as e qëndrueshme për uljen e numrit të qenve endacakë”.

Ejupi, e cila punon me fëmijë, beson se zgjidhja e problemit fillon me edukimin e tyre rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë qentë.

Çdo ditë, Blerta Ejupi, 35-vjeçare, viziton dhe ushqen qentë që jetojnë në Parkun e Taukbashqes. Ajo është ndihmuar nga Prishtina Dog Shelter, organizatë joqeveritare që ofron asistencë veterinare dhe mbështetje për adoptim të qenve endacakë, për t’u kujdesur për numrin në rritje të tyre.

Ejupi, e cila punon me fëmijë, beson se zgjidhja e problemit fillon me edukimin e tyre rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë qentë. Ajo po ashtu përforcon kritikat e Ramadanit ndaj qendrës së re të trajtimit të qenve. “Duhet të ketë mënyra për t’i mësuar këta fëmijë të ndiejnë ndjeshmëri! Në shtëpi dhe në shkollë! Sa keq që kemi ardhur në këtë situatë, që kjo duhet të jetë e detyrueshme — ndoshta edhe vizita në strehimore”, thotë Ejupi.

Edhe aktivistët/et, e edhe zyrtarët komunalë besojnë se përfshirja e qeverisë qendrore është qenësore në zgjidhjen e këtij problemi. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0

Mentor Gashi, i cili drejton organizatën “Prishtina Dog Shelter”, beson se përpjekjet e komunës nuk do të zgjidhin në fakt asgjë, pavarësisht shumës së fondeve të angazhuara për ta gjetur një shtëpi për qentë endacakë. “Këtu ka shumë njerëz me zemër bujare që ushqejnë dhe kujdesen për qentë, por e gjithë kjo mbetet vetëm simbolike nëse ne si shoqëri nuk ndryshojmë pikëpamjen tonë”, thotë Gashi.

Pavarësisht qasjeve të ndryshme ndaj përpjekjeve të komunës, si aktivistët/et ashtu edhe zyrtarët/et pajtohen se zgjidhja e problemit të qenve endacakë kërkon përfshirje nga niveli shtetëror. Gecaj theksoi: “Komuna e vetme nuk mund ta zgjidhë këtë çështje; ajo kërkon përpjekje të koordinuara dhe burime nga qeveria”. Ramadani e pohoi këtë qëndrim, duke deklaruar: “Përfshirja e kryeministrit Kurti dhe qeverisë qendrore është qenësore për një ndryshim sistemik”, duke theksuar se strategjia kombëtare është kornizë e nevojshme, por e neglizhuar. Aktivistë/e si Doçiqi shtuan: “Ky problem s’mund të trajtohet vetëm nga një komunë; kërkon qasje mbarëkombëtare”.

Tani, pyetja nuk është nëse ndryshimi është i nevojshëm, por sa kohë duhet të presin këta qen — dhe qyteti — për një zgjidhje të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë.

Gjetja e një zgjidhjeje të njëmendtë për këto qenie mbetet e paarritshme, për sa kohë që qeveria qendrore nuk ndërhyn me angazhim dhe financim kuptimplotë. Tani, pyetja nuk është nëse ndryshimi është i nevojshëm, por sa kohë duhet të presin këta qen — dhe qyteti — për një zgjidhje të qëndrueshme dhe me ndikim afatgjatë.

“Qentë ndodhen aty për shkak të njerëzve, ata janë qartazi viktimat e njerëzve dhe jo e kundërta. Ata s’kanë kërkuar asgjë dhe vuajnë shumë më shumë për çdo ditë, sesa njerëzit që frikësohen prej tyre”, thotë Bajramaj.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

KOMENTO