Pikëpamje | Zgjedhje

Çka (s’)po bëhet nëpër komuna?

Nga - 17.11.2022

Mandat i ri, avaz i vjetër.

Kur e regjistrova djalin në klasën e parë këtë vit, procedurat që m’u desh t’i ndjekja ishin të ngjashme me procedurat që prindërit e mi ndoqën kur më kanë regjistruar mua në klasën e parë, në vitet e ‘90-ta. I dorëzova kopjet fizike të çertifikatës së lindjes, dëshmisë së vendbanimit, faturës së rrymës dhe kërkesën për regjistrim. 

Kjo të bën të mendosh: a ishte modeli i ndjekur në vitet e ‘90-ta aq i përsosur dhe funksional sa që nuk është lindur nevoja që të kërkohet dhe të aplikohet një model tjetër më efikas apo jemi futur në një rreth vicioz, ku “dembelia për të menduar” mbizotëron? 

Unë besoj që është kjo e dyta. 

Gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës së Kamenicës në vitet 2017 – 2021, Qëndron Kastrati shtynte përpara nismën që shkollat në këtë komunë t’i nënshtrohen ristrukturimit për shkak të humbjeve financiare të komunës si pasojë e numrit më të madh të mësimdhënësve sesa të nxënësve. Por, shumë, përfshirë Ministrinë e Arsimit e Sindikatën e Bashkuar të Arsimit e Shkencës, e kundërshtuan nismën e tij, duke e quajtur ide joadekuate dhe jashtë kompetencës lokale. 

Kastrati i humbi zgjedhjet lokale të vitit 2021, pra mandatin e dytë, jo pse nuk kishte ide, por pse idetë e tij dilnin jashtë monotonisë komunale në një kohë kur kërkesa ishte që ai të merrej vetëm me gjëra standarde si investimi në rrugë, kanalizim, ndriçim e banim.

Përqendrimi i komunave në ofrimin e këtyre shërbimeve bazike, tash e 15 vjet, është i arsyeshëm sepse nevoja për investim ishte e lartë.

Por përderisa para 15 viteve mund të ketë qenë utopike të mendohet për kiosqe elektronike për ofrim të shërbimeve administrative, sot është gabim të veprohet sikur interneti e teknologjia nuk ekzistojnë dhe të përqendrohet e gjithë vëmendja te rrugët, kanalizimi e banimi. Sot, qeverisja lokale ka nevojë për qasje inovative dhe ide të reja që do t’i bënin shërbimet më efikase për qytetarët brenda komunave.

Lajme të vjetra

Zgjedhjet lokale të vitit 2021 rezultuan në fitore të opozitës. Nga 26 komuna me shumicë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi në nëntë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në shtatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi në pesë, ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në pushtet fitoi në katër komuna. Ky rezultat solli një klimë përgjithësisht mosbashkëpunuese midis asambleve komunale dhe qasje akuzuese midis nivelit lokal dhe atij qendror.

Premtime të papërmbushura

Instituti GAP regjistroi gjithsej 1,816 premtime të dhëna nga kryetarët gjatë fushatës zgjedhore. Nga to, për gjashtë muaj, plotësisht janë përmbushur vetëm 167 premtime; deri në gjysmë janë përmbushur 113 premtime apo 6%; 392 apo 22% prej tyre kanë filluar, ndërkohë kanë mbetur edhe 1,144 apo 63% premtime që as kanë filluar të përmbushen.

Por, ankesat e nivelit lokal për neglizhim nga niveli qendror nuk janë lajme të reja. Edhe në qeverisjet e kaluara, komunat janë ankuar që niveli qendror nuk po e jep tërë kontributin e tijpër zhvillimin e nivelit lokal. Në krijimin e kësaj klime kanë kontribuuar qeveritë e njëpasnjëshme, që vazhdimisht kanë marrë vendime pa u konsultuar mirëfilli me nivelin lokal. Njashtu, qasja e një pjese të komunave, që shohin qeverinë si armike të partisë së tyre nuk ka ndihmuar.

Ka mjaft raste kur komunat ngecin ose edhe dështojnë për shkak të dallimeve në atë se çka komunat e qeveria konsiderojnë interes publik dhe si e shohin atë. Madje nuk janë të pakta rastet kur në periudha të ndryshme, nxirren vendime kundërthënëse prej dy niveleve për çështjen e njëjtë. 

Për shembull, në prill të vitit 2022 qeveria e udhëhequr nga LVV anuloi një vendim të marrë nga qeveria e mëhershme e udhëhequr nga AAK në korrik të 2018 për dhënien e disa parcelave të pronave shoqërore komunave. Nga vendimi i vitit 2018, parcela të tilla kishin përfituar Gjilani, Ferizaj, Suhareka, Deçani, Juniku dhe Hani i Elezit.  

Përjashto Gjilanin, komunat tjera kishin nisur investime milionëshe në këto hapësira. Gjatë ecurisë së punës 2019-2021, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i konfirmoi si të ligjshme objektet e nisura në këto zona, ndërsa në 2022 qeveria e anuloi vendimin e 2018 dhe pronat e njëjta i ktheu te Agjencisë Kosovare për Privatizim me arsyetimin se vendimi nuk ka mund të zbatohet.  

Investimet e nisura u bllokuan dhe kompanitë private që i kanë kryer punimet pritet t’i padisin komunat për mospërmbushje të kontratës. Po ashtu, kryetarët do të dalin të dështuar para komunitetit në ato zona. 

Ndonëse klima mosbashkëpunuese dhe akuzuese deri diku mund të parashikohej, ky një-vjeçar do të mbahet mend edhe për parashikimet jo krejtësisht të sakta. 

Zhvillimet që erdhën në periudhën postpandemike dhe lufta e Rusisë në Ukrainë prekën të gjitha tregjet. Çmimet e shërbimeve u rritën, inflacioni në shumicën e vendeve preku margjinat dy-shifrore, trendi i zhvillimeve ekonomike pësoi rënie. Kjo gjendje pati ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë, rrjedhimisht komunat e saj. 

Investimet kapitale në nivel lokal në gjashtë-mujorin e parë të vitit 2022 janë më të ulëtat në dekadën e fundit, pra më të ulëta edhe se në vitin 2020 kur në pjesën më të madhe të kohës kishte kufizime të lëvizjes dhe kufizime të tjera si pasojë e pandemisë Covid-19. Në gjashtë-mujorin e parë të 2022, komunat kanë shpenzuar vetëm 19% të mjeteve për investimet kapitale, në periudhën e njëjtë të vitit 2020 i kishin shpenzuar 21%, ndërsa krahasur me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (2021) kjo përqindje ka qenë për 7%, pra komunat shpenzuan 26% të mjeteve.

Pak investime kapitale

Të gjitha komunat e Kosovës gjatë vitit 2022 kanë buxhet në dispozicion afro 565 milionë euro, prej tyre 155 milionë janë të dedikuara për investime kapitale, 285 milionë euro për paga, 91 milionë euro për mallra dhe shërbime, 13 milionë euro shpenzime komunale dhe subvencione 21 milionë euro.

Në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti janë shpenzuar vetëm 29 milionë euro për investime kapitale. Nga kategoria e shpenzimeve kapitale kryhen pagesat si: rregullimi ose riparimi i rrugëve, shtrimi ose zgjerimi i kanalizimit dhe ujësjellësit, riparimi ose ndërtimi i objekteve publike në arsim, shëndetësi, administratë, kulturë, sport, inventarizimi i objekteve, shpronësimet etj.

Rënia e investimeve kapitale do të këtë ndikim negativ në së paku katër drejtime. Së pari, komunat do të kthejnë mjete të konsiderushme si tepricë te Ministria e Financave. Së dyti, plani i investimeve të parapara nga komunat do të ketë vonesa e jo në pak raste ndryshime. Pastaj kompanitë private që kanë kryer punë publike mund të përballen me vështirësi për të operuar dhe së fundi, rënia e investimeve kapitale do të ndikojë negativisht edhe në fuqinë blerëse në treg. 

Dembelia për të menduar

Problemet ose ngecjet e komunave nuk mund t’u faturohen gjithnjë rrethanave të jashtme e nivelit qendror. Fatkeqësisht, ekzistojnë dhjetëra raste kur komunat kanë investuar dhe kanë përuruar objekte publike që nuk kanë ofruar shërbime asnjë ditë. Kjo ndodhkryesisht për shkak të mungesës së studimeve të mirëfillta në planin e investimeve. 

Ja çfarë bëhet në terren. 

Komuna e Podujevës, në vitin 2017, ka filluar e në vitin 2020 ka përfunduar ndërtimin e Qendrës së Emergjencës Shëndetësore në qendër të qytetit. Pas funksionalizimit është konstatuar se objekti është ndërtuar krejt afër oborrit të një shkolle fillore dhe rastet emergjente po ndikojnë keq emocionalisht te fëmijët. Pas këtij konstatimi dhe adresimit të shqetësimit nga prindërit, qendra është mbyllur dhe para pak javësh ka nisur ndërtimi i objektit të ri të kësaj qendre në një zonë tjetër. Si është e mundur që për një qendër e tillë që ka kushtuar afro një milionë euro, të konstatohet që është ndërtuar afër oborrit të shkollës vetëm pas funksionaizimit? 

Ka edhe shumë komuna të tjera, të cilat ndërtojnë objekte shëndetësore pa e specifikuar nëse për të njëjtat kanë burimet profesionale për t’i funksionalizuar. 

Shembuj të kësaj natyre gjenden në të gjitha komunat e Kosovës. 

Ndërkohë, ndër vite ka pasur edhe nisma të mira, të cilat do të mund të cilësoheshin revolucionare në fushën e qeverisjes lokale dhe të vendosnin standard të ri, por që nuk u çuan deri në fund.

Dembelia për të menduar nuk haset vetëm te sfera e investimeve, por edhe në krejt sferat tjera.

Një ide për një nismë të tillë ishte diskutuar gjatë vitit 2017 në komunën e Prishtinës. Nisma synonte blerjen e disa dronëve, që do të qarkullonin gjatë ditës në zonat e Prishtinës dhe do të monitoroheshin nga një bazë e drejtorisë së inspektoriatit në komunë. Me këta dronë do të kontrolloheshin ndërtimet pa leje apo uzurpimet e hapësirave publike. Ide briliante, por nuk u jetësua. 

E njëjta ndodh me investimet që bëhen në arsim, në kulturë, bujqësi e rini, ku secila prezantohet si sukses. Investimi në bujqësi nuk është sukses, pordetyrë e qeverisjes lokale. Por nëse gjatë një mandati investohet dhe rritet sipërfaqja e punuar e tokës bujqësore dhe rendimentet, kjo mund të prezantohet si sukeses.  A keni dëgjuar që ndonjë komunë e bën këtë? Unë jo. 

Dembelia për të menduar nuk haset vetëm te sfera e investimeve, por edhe në krejt sferat tjera. 

A keni dëgjuar ndonjëherë që komunat kanë bërë identifikimin e akseve ose zonave lokale në komunikacion ku më së shpeshti ndodhin aksidentet? Unë nuk kam dëgjuar për analiza të tilla, ndonëse të dhënat ekzistojnë dhe ato flasin se pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin në tri-katër nyje kyçe në qytete. Por, komunat mjaftohen duke thënë se kompetencë e tyre është vendosja e shenjave, anipse shenjat dalin të kenë qenë shpikje e para më shumë se njëqind viteve dhe jo shpikje e jona. 

E jona do duhej të ishte, së paku, që të bëheshin këto identifikime, të diskutohej për to dhe të ofroheshin opsione për zgjidhje. Analizat e studimet lokale mungojnë edhe në pjesën dërrmuese të fushave të tjera dhe kjo vjen përgjithësisht për shkak se nuk janë krijuar si standard i qeverisjes dhe nismat për të dalë nga këto standarde nuk hasen. 

Një hulumtim i opinionit publik në nivel vendi, i zhvilluar nga DEMOS në qershor të këtij viti, tregoi se 78% e të intervistuarëve janë të kënaqur me shërbimet në komunat e tyre. Rezultatet e anketës po ashtu treguan se 73% e të anketuarve besojnë se komuna e tyre është në drejtimin e duhur për të arritur një pozitë më të mirë pas pesë viteve. 

Këto përqindje nxjerrin në pah dy elemente pozitive. E para tregon që pushteti lokal ka pasur performancë të mirë në zgjidhjen e problemeve ose kërkesave që kanë pasur qytetarët dhe e dyta, orientimi strategjik i tyre është i duhur dhe në harmoni me pritjet e qytetarëve 

Por, tash është momenti kur qytetarët duhet të kërkojnë më shumë prej komunave dhe komunat duhet të ofrojnë më shumë sesa ç’kanë ofruar deri sot. 

Ndonëse të gjitha të nevojshme, pak prej shërbimeve të komunave përbëjnë ide të reja. Komunat kanë buxhet dhe kompetencë për të bërë gjëra që dalin jashtë punëve që janë krijuar si standard në njëzet vitet e fundit. Mungojnë idetë, nismat dhe guximi për të dalë nga standardi i krijuar. 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.