Një “Jo” vendimtare nga presidenti francez Emmanuel Macron për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE bëri jehonë anembanë Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Në fjalimin para përfaqësuesve të 28 shteteve anëtare në samitin e Brukselit më 17 tetor, Macron e kundërshtoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke shprehur nevojën për reformimin e procesit të anëtarësimit, dhe fokusimit në problemet e brendshme me të cilat ballafaqohet BE-ja, para se Bashkimi të zgjerohet më tej. Vetëm Danimarka dhe Holanda e mbështetën Jo-në e Macron-së.
Disa politikanë në BE, si dhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut ishin të befasuar nga vendosmëria e Macron-së që erdhi pothuajse pa paralajmërim, pasi të dy shtetet u janë nënshtruar reformave të dhimbshme për shumë vjet. Të tjerët kanë frikë se ky mund të jetë lajmërim i mbarimit të zgjerimit.
Për Ballkanin, ky zhvillim ka bërë që të reduktohen shpresat dhe optimizmi, pasi analistë dhe liderë të ndryshëm anembanë rajonit kanë shprehur shqetësimin për domethënien që kjo lëvizje ka për të ardhmën evropiane të shteteve të tjera.
Supozimet dhe realiteti
Pasojat e menjëhershme të vendimit të Francës i ndjeu Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili vetëm disa ditë para samitit kishte dhënë deklarata euforike, duke nxitur optimizëm në publik me një buzëqeshje të madhe. Duke e bërë këtë, ai krijoi një atmosferë pozitive dhe nxiti shpresa se dyert e BE-së do të jenë krejt të hapura, dhe se pas pak kjo do të bëhej zyrtare.
Një ditë pas samitit, Zaev nuk ishte më i njejti njeri.
Në Shkup, menjëherë pasi u bë publike vetoja franceze, filluan të lulëzonin spekulimet për dorëheqjen e mundshme të Zaevit. Pas pak, ai bëri thirrje për zgjedhje të reja, dhe lajmëroi që do të qëndronte në kabinet derisa të formohej një qeveri teknike, e cila do ta drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme.
Në rrethin e tij, por edhe në disa kryeqytete të BE-së, dorëheqja e tij u refuzua si i papranueshme. Kryeministri bullgar Bojko Borisov, i cili jozyrtarisht është parë në mediat maqedone si i afërt me Zaevin, ka deklaruar që ai nuk mund të japë dorëheqje. “Shumë duhet të bëhet për të ardhmen e vendit”, ia kujtoi ai Zaevit.
“Lëvizja e Macronit është e papranueshme për ne dhe shumicën e liderëve evropianë, madje na bën të mendojmë se mos lidhet me ndonjë komplot”, thotë analisti dhe këshilltari i Zaevit, Ismet Ramadani. “Megjithatë, duhet t’ia respektojmë qëndrimin. Me gjasë ai ka reaguar në këtë mënyrë për shkak të çështjeve të brendshme”.
Në 11 vjetët e fundit Maqedonia ka marrë udhëzime dhe mesazhe të qarta se integrimi evropian dhe atlantik është i pamundshëm pa marrëveshje me Greqinë.
Me ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, që pasoi shumë negociata dhe kompromise brenda vendit, pritshmëritë e Zaevit, si dhe të shumë qytetarëve, ishin se hapi i ardhshëm drejt BE-së do të ishte i pashmangshëm.
Vetoja franceze erdhi si kujtim i ngjarjes së vitit 2008, kur Greqia e refuzoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, me kushtin që Maqedonia duhet ta ndërronte emrin. Në 11 vjetët e fundit Maqedonia ka marrë udhëzime dhe mesazhe të qarta se integrimi evropian dhe atlantik është i pamundshëm pa marrëveshje me Greqinë.
Rruga drejt ndryshimit ka qenë e lodhshme, me përzierje të kohëpaskohshme të poshtërimit të vetë qytetarëve. Drita e gjelbër për ta ndryshuar emrin e shtetit kërkonte dy të tretat e votave në Parlament, ndërsa çelësi ishte në duart e VMRO-DPMNE, partia që e mbajti pushtetin në Maqedoninë e Veriut me dekada, e që aktualisht është parti kyçe opozitare pas rënies nga pushteti më 2017.
Sundimi i saj përfundoi në qershor 2017, kur Prokuroria paraqiti akuza kundër 94 zyrtarëve të partisë, përfshirë këtu Kryeministrin që sundoi për një kohë të gjatë, Nikola Gruevski, pas skandalit shpërthyes të përgjimeve, korrupsionit dhe mbulimit të vrasjes. Disa zyrtarë të akuzuar u fajësuan për incidentin e 27 prillit 2017, kur supozohet se disa elementë të VMRO-DPMNE-së e ndihmuan një sulm fizik në Parlament nga protestuesit që ishin kundër mazhorancës së re të social-demokratëve të Zaevit dhe partive shqiptare.
Gruevski, i dënuar me dy vjet burg për keqpërdorim të pozitës, u arratis më vonë në Hungari, ku mori azil.
Rënies së tyre u paraprinë disa vite protestash në rrugë si dhe lidhja e marrëveshjes Przhino (2016) ndërmjet partive politike dhe përfaqësuesve të ShBA-së dhe BE-së, me synim për ta stabilizuar vendin pas trazirave.
Pas kësaj, në 2018 erdhi Marrëveshja e Prespës, që u nënshkrua ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila e përgatiti skenën për ndryshimin e emrit, por kërkonte edhe zbatimin e disa reformave nga qeveria e re social-demokrate e Zoan Zaevit.
Ndryshime të dhimbshme
Pasi u arrit një marrëveshje që e zgjidhi formalisht çështjen e emrit të shtetit, u prit që së shpejti flamuri i Maqedonisë së Veriut të ngrihej pranë flamujve të shteteve anëtare të NATO-s.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të dhimbshme që i ka bërë populli i Maqedonisë së Veriut dhe reformave që janë realizuar, Franca tha jo – lëvizje që u përcoll me shumë pyetje dhe spekulime.
Disa e shohin qasjen e re dhe metodologjinë për zgjerim që u propozua në fillim të tetorit nga Franca si një lloj lajmërimi. Atëherë, Macron ia dërgoi një letër shteteve anëtare të BE-së, duke u kërkuar ta bënin më të ngurtë procesin e zgjerimit. Mes tjerash, këtu implikohet një ndryshim në metodologjinë për zbatimin e negociatave, përfshirë edhe mundësinë për të bërë regres në negociata, nëse një shtet nuk demonstron përmirësime konkrete. Theks i veçantë është vendosur mbi sundimin e ligjit.
Kjo qasje e re u paraqit nga francezët si qëndrim zyrtar mbi të cilin do të ngulin këmbë, duke vendosur kështu Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në pozitë më pak të favorshme në krahasim me shtetet e tjera, si Serbia dhe Mali i Zi, të cilat tashmë janë në proces të negociatave.
Por kjo ide nuk refuzohet në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski e pranon përzemërsisht, duke thënë se Shkupi nuk është duke e vënë në dyshim qasjen e re. Përkundrazi, ai thotë, kjo shihet si vlerë e fituar dhe kualitet i shtuar që do ta lehtësojë strukturën e negociatave.
“Sa i përket sugjerimit francez për ta ndryshuar metodologjinë, ne e duartrokasim sepse besojmë që ka sjellë elemente të reja kualitative në negociata, dhe Maqedonia e Veriut është e gatshme të reagojë plotësisht ndaj kërkesave të reja që mund të vijnë në negociatat e ardhshme për anëtarësim të plotë në BE”, thotë Pendarovski.
Ai tashmë ia ka përcjellë këtë publikut maqedon dhe kjo do të ketë pasur jehonë në kabinetin e Macron-së.
Megjithatë, po diskutohet edhe për disa motive të tjera prapa pengesës franceze.
“Ne, si shtet që po aspiron anëtarësimin në BE, duhet të vazhdojmë në rrugëtimin evropian, sepse një ditë do të ndryshojë qëndrimi i Macron-së”.
Ismet Ramadani, analist
Një motiv i fshehtë, siç po e quajnë disa në media, është se Macron është nervozuar shumë që Parlamenti Evropian ia ka mohuar postin kandidatit të tij Sylvie Goulard në Komisionin Evropian, gjegjësisht pozitën e Komisionerit për Tregun e Brendshëm.
Mediat po spekulojnë se qëndrimi i Macron-së është në fakt një lloj hakmarrjeje, dhe se bllokada e tij ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë e ka vënë atë në pozitën e negociatorit dhe i ka dhënë ndjesi të fitores, të paktën do kohë.
Ramadani, analisti i Zaevit, i mohon këto teori të komplotit. Ai bën thirrje për racionalizëm dhe reflekton mbi lëvizjet e ardhshme të Maqedonisë, duke i theksuar reformat, në vend të humbjes së kohës për të vajtuar e zgjidhur mistere lidhur me arsyen se pse ka ndodhur kjo dhe çfarë ka bërë Maqedonia e Veriut për ta merituar këtë.
“Ne, si shtet që po aspiron anëtarësimin në BE, duhet të vazhdojmë në rrugëtimin evropian, sepse një ditë do të ndryshojë qëndrimi i Macron-së”, thotë ai. “BE-ja mund të reformohet dhe ai nuk do të ketë mundësi ta përdorë fuqinë e vetos”, shpreson Ramadani, dhe shton se autoritetet nuk duhet t’i ndalin reformat, sepse ato janë të favorshme për qytetarët. “Këto janë vlera të BE-së, dhe duhet të bëhen vlerat tona”.
Diplomatët perëndimorë kanë frikë se situata e re mund ta kthejë Maqedoninë e Veriut, si dhe rajonin, kundër BE-së dhe drejt Rusisë.
Duke folur së fundmi me Financial Times, Presidenti serb Aleksandar Vučić paralajmëroi se duke ia mbajtur të mbyllur derën Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, rajoni ka mbetur “duke e kuptuar që nuk mund të mbështetet vetëm tek fqinjtë perëndimorë”.
“BE-ja u formua si reagim ndaj fashizmit, por tani po frikësohet në ballafaqim me populistët dhe fashizmin”, tha për The Guardian njeriu që pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, i cili reagoi ndaj vendimit.
Eksperti i rajonit Florian Bieber shkruan “siç e zbuloi me dhimbje qeveria e Maqedonisë së Veriut, zhytja e dhimbshme dhe jopopullore në zgjidhjen e një konflikti të vjetër me dekada nuk sjell shpërblime nga ana e BE-së”.
Ai parashikon që kjo paparashikueshmëri e shfaqur nga ana e BE-së do t’i shkurajojë hapat drejt pajtimit dhe reformat shumë të domosdoshme në rajon, duke dobësuar rolin e Bashkimit – mes tjerash – në dialogun Kosovë-Serbi.
Vitet e zgjedhjeve
Aktualisht, liderët në Shkup janë duke mohuar që ka alternativë tjetër pos asaj të BE-së. Presidenti Pendarovski, i cili ishte politikani i parë që iu drejtua publikut pas refuzimit francez, i mohoi të gjitha frikat dhe skenaret e mundshme, duke prioritizuar perspektivën evropiane për vendin.
Për ta dëshmuar këtë, ai bëri thirrje për një takim me liderët e partive në parlament, për t’i shprehur pikëpamjet e tij për të ardhmen. Në këtë takim, Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut i përket “ekskluzivisht” Bashkimit Evropian.
“Integrimi euro-atlantik i vendit nuk ka alternativë”, thotë ai, dhe shton se këtë qëndrim e konfirmuan të gjithë liderët e partive në parlament.
“Pas konkluzioneve të pafavorshme që u dhanë nga Këshilli Evropian javën e kaluar, Maqedonia e Veriut po ballafaqohet me një sfidë të madhe”, thotë ai. “Megjithatë, ndonëse mund të kemi diskutime për projekte alternative, mendoj se nuk ka hapësirë për to, por vetëm për anëtarësim të plotë në BE”.
Askush nuk është i gatshëm ta parashikojë të ardhmen e largët, por ato që do të vijnë së shpejti, më 12 prill 2020, janë zgjedhjet e parakohshme. Data u vendos gjatë takimit të liderëve që u thirr nga Pendarovski.
Aty u pajtuan edhe për formimin e një qeverie teknike, në përputhje me Marrëveshjen e Pržines 2015, që i obligon katër partitë më të mëdha politike të bashkëpunojnë për arritjen e reformave.
Thirrja për zgjedhje ka sjellë shumë kritika dhe sulme ndaj Zaevit. Argumenti kyç kundër është fakti se Maqedonia e Veriut ka zgjedhje ose votime çdo vit. Prandaj, pavarësisht zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019, zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 2020. Më parë, në vitin 2018 u mbajt referendumi për ndryshimin e emrit, ndërsa më 2017 dhe 2016 pati zgjedhje lokale dhe të përgjithshme.
Ramadani nuk pajtohet me këto kritika dhe thotë se sugjerimi për të mbajtur zgjedhje përbën një veprim moral.
Për VMRO-DPMNE-në, kjo situatë është mundësi e re për ta rimarrë qeverinë.
“Është fakt që krerët e shteteve me ndikim, si dhe ata nga BE-ja, kanë deklaruar shumë herë se ishin pothuajse të sigurt që do të vendosej një datë për negociatat tona, ndërsa në fund ndodhi e kundërta”, thotë ai. “Zaevit tani po i vjen keq prej qytetarëve. Zgjedhjet e reja përfaqësojnë një mesazh për ta dhe liderët”.
Ramadani mendon se pa këto zgjedhje, opozita mund të organizojë protesta që në fund mund të shfrytëzohen nga forcat antievropiane.
“Shteti nuk mund të vazhdojë me këtë epokë të trazuar”, thotë ai. “Prandaj zgjedhjet do të mbahen në një atmosferë stabile, paqësore, që është e rëndësishme pas viteve të tensionuara që i kemi lënë prapa”.
Për VMRO-DPMNE-në, kjo situatë është mundësi e re për ta rimarrë qeverinë. Kreu i partisë, Hristijan Mickovski, ka deklaruar se presin fitore. Por këtë e pret edhe Zaev.
E sigurt është se në muajt e ardhshëm na pret – përsëri – një fushatë e tensionuar, e cila mund të fokusohet në ndryshimin e emrit. Ky supozim lindi si rrjedhojë e deklaratës nga ish-Ministri i Brendshëm Antonio Miloseski për gazetën e përditshme gjermane FAZ, që VMRO-DPMNE është duke konsideruar kthimin e emrit kushtetues nëse vjen në pushtet.
“Ka mënyra për ta kthyer emrin e vjetër kushtetues ‘Maqedonia’”, thotë ai, duke pranuar se këto mënyra do të ishin mjaft komplekse.
“Një alternativë do të ishte që Gjykata jonë Kushtetuese ta shpallë marrëveshjen me Greqinë si marrëveshje pa forcë ligjore”, thotë ai. “Kjo mund të bëhet në bazë të referendumit të vitit të kaluar, ku nuk kishte mazhorancë për heqjen e emrit të vjetër”.
Milosevski beson që ka deputetë në parlament të cilët “votuan kundër ndryshimit të emrit vetëm për shkak se ishin nën presion e të kërcënuar, pra votuan kundër vullnetit të tyre”.
“Dëmi i shkaktuar në Bruksel me mbylljen e kësaj dere mund të çojë në komplikime dhe në fund të dalë se është i rrezikshëm”, ngulmon ai.
Cilatdo qofshin arsyet e vërteta prapa vetos së Francës, vendimi i Macron-së nuk është në favor të BE-së, e cila është diskredituar dhe dobësuar si rrjedhojë e kësaj. Nëse në fund Ballkani Perëndimor kthehet kah Rusia ose Kina, siç tërheq vërejtjen Vučić ose paralajmëron Florian Bieber, ky rajon do të bëhet një “Casablanca e re, një vend nëpër të cilin kalojnë njerëzit, duke u munduar të ikin, por mbesin të ngecur, ku fuqi të ndryshme konkurrojnë për ndikim, para dhe pushtet” – BE-ja mund ta fajësojë veten.
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.