Në thelb | Mitrovica

Çka treguan zgjedhjet në veri?

Nga - 28.04.2023

Zgjedhjet e fundit në katër komunat me shumicë serbe në veri shtuan shumë pikëpyetje.

Qytetarë të shumtë kishin zënë rrezen e diellit nëpër kafenetë e sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut  e qendrat e improvizuara të votimit ua kishin lënë kryesisht gazetarëve e personelit të  Këshillit Qendror Zgjedhor (KQZ). 

E diela e 23 prillit ishte ditë zgjedhjeje veç për 1,532 nga 45,095 qytetarët me të drejtë vote në në katër komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Interesimi për të votuar ishte i ulët.

Vendosja e qendrave të votimit, për shkaqe sigurie, në vende jo të zakonshme, si në udhëkryqe, përgjatë rrugëve më të gjera, krijoi vështirësi logjistike. Bashkimi i disa vendvotimeve në një qendër të vetme votimi, i gjeti ata pak qytetarë që dolën për të votuar, duke u endur sa te shkolla teknike, sa te “Kodra e Minatorëve e te “Tre Rrokaqiejtë” për të gjetur vendvotimin e tyre. 

Përballë rrugës që të çonte për tek shkolla teknike, pranë “Lagjes së Boshnjakëve”, taksisti Hetem Peci, priste udhëtarë. Ai jeton në veriun e banuar kryesisht me serbë, teksa shumica e banorëve shqiptarë jetojnë në jug. Vetura e tij e vjetër “Jetta” kaloi rrugët gjarpërore që dërgonin në “Kodrën e Minatorëve”.

Për vete, s’kishte votuar ende. 

“Tash ju dërgoj juve nalt edhe po kqyri me votu”, tha prerazi taksisti, të cilit i bjen shpesh të vozis shumë gazetarë me atë makinë. Rrugës për te paralelja e shkollës fillore “Aziz Sylejmani” ende shihen shtëpi të djegura. “Kjo e shqiptarëve, edhe kjo…kjo është e kryetarit të jugut, Bedri Hamzës”, na i tregon me rend shtëpitë. 

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në paralelen e shkollës “Aziz Sylejmani” fluksi i qytetarëve ishte më i madh. Hetemi e gjeti vendvotimin dhe kreu obligimin e tij. 

Votuesit ishin shqiptarë, që jetonin në afërsi, por edhe që vinin nga pjesa jugore ku jetojnë tashmë. Serbë kishte vetëm si vëzhgues. Lista Serbe (Srpska Lista), partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe e përkrahur nga qeveria e Serbisë, që qeverisi në keto komuna prej vitit 2013, nuk mori pjesë në këto zgjedhje. Votuesit mund të zgjidhnin kryesisht midis kandidatëve nga partitë shqiptare. Nga 10 kandidatë për kryetarë, vetëm një kandidate ishte  e komunitetit serb.

Banorët shqiptarë, që rrinin afër qendrave të votimit nën zë tregonin se kishte qytetarë serbë që po monitoronin se kush nga serbët do të votojë. Kjo pohohej në secilën qendër. 

Ndërkohë, askush s’shihej tek hynte a dilte nga zyrat e Listës Serbe.

Kryetarë me legjitimitet të zbehtë

KQZ nuk pati punë të vështirë për të nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, pasi pati pak vota për t’u përpunuar. Nga ato pak vota –– 1,532, shumica ishin për parti shqiptare.

Rezultatet e zgjedhjeve

Sipas rezultateve përfundimtare nga KQZ, të publikuara me 25 prill, në Mitrovicë të Veriut, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Erden Atiq, fitoi me 553 vota (66.9%), teksa dy kundërkandidatët e tij, Taulant Kelmendi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mori 193 vota (23.4%) dhe Betim Osmani i Iniciativës Qytetare Mitrovica mori 80 vota (9.7%).

Zveçani nxori kryetar Ilir Pecin e PDK-së me 114 vota (59%) i përcjellur nga Fetah Peci i LVV-së me 72 vota (37.3%) dhe kandidatja e vetme e pavarur nga komuniteti serb Slađana Pantović mori vetëm 7 vota (3.6%).

Në Zubin Potok garën e fitoi PDK-ja me Izmir Zeqirin, që mori 197 vota (52.2%) përballë Flatron Hasanit të LVV-së me 180 vota (47.7%).

Leposaviqi kryetar do të ketë Lulzim Hetemin e LVV-së me 100 vota (73.5%), i përcjellur nga Albulena Behluli-Hetemi nga PDK me 34 vota (25%) dhe Aleksandar Jablanović i Partisë së Serbëve të Kosovës me dy vota (1.5%). Ky i fundit u tërhoq nga gara para mbajtjes së zgjedhjeve pasi vlerësoi se nuk mund të mbaheshin zgjedhje në ato kushte.

Për pjesëmarrjen ulët në zgjedhje, Lista Serbe i falënderoi qytetarët serbë të Kosovës. 

“Në emër të Listës Serbe dhe në emrin tim personal, një faleminderit të madhe për bashkatdhetarët e mi nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku, të cilët qe kushedi sa herë po e tregojnë patriotizimin, dinjitetin, nderin dhe bashkimin. Për ata, që mendojnë se me një ose dy përqind të votave mund të udhëheqin komunat e veriut, më duhet t’iu them që serbët nuk do të lejojnë kurrë këtë”, tha Milan Radoičić, nënkryetari i Listës Serbe, i listuar në Listën e Zezë të ShBA.

Një ditë para zgjedhjeve, Radoičić u kishte bërë thirrje serbëve të mos dilnin në votim. 

Ndërkohë, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dalja e ulët në zgjedhjet e 23 prillit erdhi për shkak se “atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit” dhe bojkotimi i zgjedhjeve ishte imponuar nga “fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar”.

Fitore e vërtetë për Kosovën në këto zgjedhje, sipas njohësit të çështjeve politike Agon Maliqi, do të ishte pjesëmarrja e serbëve, i cili mendon se, me këtë dalje, ka një “legjitimitet të cunguar”.

“Ligjërisht, Kosova ishte në të drejtën e saj [në organizimin e zgjedhjeve] dhe pengesa e kryesore ishte Beogradi. Por, fitore e vërtetë e Kosovës do të ishte pjesëmarrja e serbëve. Situata e sotme tregon se sa e nevojshme është arritja e marrëveshjes së normalizimit. Së paku për t’ia hequr Vučićit çfarëdo lloj preteksti për ta sabotuar veriun”, tha Maliqi.

Bojkotimi i Listës Serbe i zgjedhjeve të mbajtura me 23 prill u parapriu një sagë e tërë ngjarjesh, që nisën qysh prej nëntorit 2022. 

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kryetarët e atëhershëm të komunave në veri dhanë dorëheqje në nëntor, duke iu bashkuar nismës së partisë së tyre, Listës Serbe, për largim të përgjithshëm nga të gjitha instituticionet e Kosovës në shenjë proteste ndaj arrestimit të drejtorit të policisë në veri, Nenad Djurić, i cili kishte refuzuar ta implementonte vendimin e qeverisë së Kosovës për targat.

Në fillim të dhjetorit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin si datë zgjedhjesh në katër komunat në veri, u sulmuan zyrat e KQZ në veri. Arrestimi i një të dyshuari për këtë sulm solli ngritjen e barrikadave për tri javë. Më 10 dhjetor, presidentja Osmani shtyu zgjedhjet për 23 prill 2023.

Më 18 mars, në Ohër, Kosova dhe Serbia arritën u dakorduan për Planin Evropian dhe Planin për zbatimin e tij, çka u pa gjerësisht si një mundësi e re për të dalë nga ngërçi i krijuar politik mes dy shteteve. 

Tash, Serbia dhe Lista Serbe po kërkojnë krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, anipse ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë veç janë duke punuar në të. (Për një përshkrim të hollësishëm të krejt çka ndodhi nga korriku i vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti lexoni artikullin e K2.0: Çka para dhe pas Ohrit?).

Por, bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga Lista Serbe duket se po krijon një ngërç të ri politik.

Sipas Maliqit, bojkotimi i zgjedhjeve nga Lista Serbe është strategji politike e rritjes së pazarit dhe forcimit të pozicionit negociues të Serbisë në dialog, pikërisht rreth çështjes së Asociacionit.

“Ky bojkot bashkë me rritjen e retorikës agresive nga Vučić, përmes së cilës ai e mohon edhe vlefshmërinë e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, tregojnë se Vučić ka frikë se po e humb monopolin e tij përshkallëzues në Kosovë për shkak të presionit të madh të perëndimit. E tash po mundohet ta rikthejë atë duke e kërcënuar”, thotë ai, duke shtuar se pikërisht mosdalja e serbëve në votime tregon sa e nevojshme është marrëveshja e normalizimit.

Ndërkohë, gazetari nga Mitrovica e Veriut, Branislav Krstić, mendon se Qeveria e Kosovës dhe spektri ndërkombëtar humbën momentin e duhur për ta mposhtur pushtetin e Listës Serbe te komuniteti serb në Kosovë. Sipas tij, sikur ata t’u bënin thirrje lëvizjeve e partive opozitare të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje apo edhe aktivistët e pavarur serbë të veriut për të votuar, do të ishte një mundësi për ta mposhtur Listën Serbe me mijëra vota.

“Fatkeqësisht në momentin kur Lista Serbe humbi besimin e qytetarëve, Prishtina zyrtare nuk e kapi momentin”, tha Krstić. “Me kushtet e ‘merre ose lëre’, pushteti vetëm sa homogjenizoi serbët, kështu që edhe ata që me vite ishin kundër Listës Serbe dhe politikave të kabinetit të presidentit serb Vučić, hoqën dorë nga procesi zgjedhor. Qëllimi [i Vučić] është që t’i bëjë të gjithë serbët në një subjekt politik”.

Bojkotimi i këtyre zgjedhjeve nga serbët e veriut, sipas tij, ishin me udhëzime direkte nga rekomandimet, që kishin marrë Lista Serbe dhe nga Beogradi. Madje, përveç bojkotit, serbëve të Kosovës u ishte kërkuar ta injoronin “çdo provokim të mundshëm nga shqiptarët”.

Në sytë e Krstić, këto zgjedhje i kanë bërë serbët e veriut bashkë dhe kjo është tashmë një dëshirë e plotësuar e presidentit serb Vučić. Sipas tij, Vučić kërkon themelimin e Asociacionit dhe mbështetjen e të gjithë serbëve të Kosovës ndaj Listës Serbe, që ta hap rrugën për njohjen e Kosovës prej Serbisë.

“‘Zajdenica për serbët, shteti i pavarur për shqiptarët” dhe më shumë se 80% e serbëve janë të vetëdijshëm për këtë epilog”, thotë Krstić, i cili duke qeshur shton se “Asociacioni është zemra e Serbisë”, duke e ndryshuar shprehjen nacionaliste serbe: “Kosova është zemra e Serbisë”.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Çka tash?

KQZ tashmë i ka certifikuar rezultatet. Pas certifikimit, pritet që kryetarët e zgjedhur të shkojnë në objektet e komunave përkatëse për të filluar punën, ku valon flamuri i Serbisë dhe jo i Kosovës. Dhënia e betimit solemn, brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve dhe ushtrimi efektiv i mandatit në komuna ku kanë votuar vetëm pak mbi 3% e votuesve, do të jetë e vështirë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Radoičić, tha se serbët nuk do të lejojnë një qeverisje të tillë kurrë.

Edhe nëse gjithçka do të shkojë në rregull dhe kryetarët e zgjedhur do ta fillojnë punën, Maliqi thotë se nuk do të kenë kurrëfarë autoriteti mbi popullësinë lokale. Edhe Krstić thotë se përpara kanë një periudhë të mosbindjes së përgjithshme civile.

“Koha do të tregojë se cilat do të jenë sfidat e sigurisë”, thotë Krstić, që druhet se tash ka një rrezik edhe për “rivitalizim të institucioneve paralele” të Serbisë në ato komuna.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

E gjithë kjo situatë, duket se i tërheq paralelet e së ardhmes tek një situatë jo e qetë sigurie.

“Situata e sigurisë ka shumë rrezik se do të përshkallëzohet nëse dialogu ne Bruksel nuk ecën përpara. Fati i veriut në fund të fundit varet nga rrjedha e këtij procesi, por edhe nga roli i bashkësisë ndërkombëtare si garantuese e sigurisë”, thotë Maliqi.

Në frymën e këtyre diskutimeve publike, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kryetarët e rinj do të shkojnë në punë dhe nuk do të mund t’i pengojë askush, duke shtuar se kërcënimit të Radoičić do t’iu përgjigjen duke i asistuar kryetarët me polici nëse ka nevojë.

“Prej momentit që rezultatet certifikohen, ata janë kryetarë legjitim komunash dhe patjetër do të shkojnë në vendin e tyre të punës, patjetër do të udhëheqin me ato komuna dhe patjetër do të kenë sukseset por edhe dështimet, sikurse i ka secila udhëheqje komunale gjithandej Kosovës dhe nuk e di pse kjo është e diskutueshme”, ka theksuar ministri Sveçla.

Por, pavarësisht se për qeverinë e Kosovës kryetarët e sapozgjedhur në veri do ta kryejnë mandatin si të gjithë kryetarët e komunave tjera, as BE nuk e sheh këtë si zgjidhje afatgjatë.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, epilog e sheh kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit.

“Vota në veri nuk ofron zgjidhje politike afatgjata për komunat përkatëse. Kthimi i përhershëm i serbëve të Kosovës në institucione dhe themelimi i Asociacionit/Bashkësisë janë urgjente sikurse është dialogu serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve në veri”, ka shkruar Stano në llogarinë e tij në Twitter.

Ndërkohë, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të jetë në tavolinë më 2 maj, kur kryeministri Kurti dhe presidenti Vučić do të takohen në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE.


Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0