Blogbox | Rinia2020

Çorientimi në karrierë i të rinjve

Nga - 27.10.2020

Kur duhet të zgjedhësh ndërmjet prirjeve dhe perspektivës për punësim.

Shkrepja e fotografive për të kujtuar fillimin e mësimit çdo 1 shtator mund të zgjasë për pak minuta, mirëpo përvojat dhe aftësitë e fituara gjatë viteve në bankat shkollore — që padashje bëhen pjesë të po atyre shkrepjeve — ushtrojnë ndikim thelbësor përgjatë gjithë jetës.

Në Kosovë, gjatë atyre viteve të formësimit në sistemin arsimor të ulët dhe të mesëm, në të shumtën e rasteve mësimdhënësit nxisin mësimin përmendësh, nxënësit mbyten në teori, si dhe anashkalohen thuajse tërësisht mendimi kritik, të drejtat e njeriut dhe qytetaria. Stresi karshi testeve është sistematik, e ndryshimet e shpeshta kurrikulare vetëm se e shtojnë atë. Për më tepër, nxënësit janë në trysni të vazhdueshme që të marrin nota të shkëlqyeshme në çdo lëndë me premtimin për ta fituar titullin “nxënës i dalluar”. 

Këto copëza të shkollimit ushqejnë edhe vendimin e zgjedhjes së karrierës që duhet të bëjë çdo e re dhe i ri, diçka që në shikim të parë mund të duket si ndjekje e prirjes dhe dëgjim i zërit të brendshëm në rastin ideal, dhe zgjedhje e karrierës në bazë të kërkesave të tregut në rastin e rëndomtë — ngjashëm sikurse në shumë vende më të zhvilluara se Kosova. Por sa lejohet dëgjimi i këtij zëri dhe zbërthimi i potencialit individual nga shkolla apo rrethanat shoqërore?

Për të ilustruar përgjigjen duhet të trajtojmë copëzat e asaj që sistemi arsimor në Kosovë tradicionalisht injekton te nxënësit. 

Për shkak të mungesës së orientimit në karrierë, shumë nxënës nuk dinë se çfarë duan të bëjnë.

Që nga standardi i të qenit “nxënës i dalluar” me të gjitha notat pesëshe fillon prapësia e orientimit në karrierë. Atmosfera e këtij rregulli të pashkruar mund të shpjegohet me lavdërimet e mësimdhënësve, krenarinë e prindërve, ndjenjën e pamjaftueshmërisë te bashkëmoshatarët e tjerë dhe neutralizimin e prirjeve dhe dëshirave për nxënie të një fushe të caktuar nga ana e “nxënësit të dalluar”. Edhe pse kjo mund të duket e pavlerë në klasë të katërt apo të pestë, di të prodhojë shumë pasoja zinxhirore. 

I ngjashëm është edhe kalimi nga shkollimi fillor në atë të mesëm të ulët (klasa 6-9). Kalimi nga një mësues/e në shumë arsimtarë di të jetë traumatik për nxënësit e klasës së gjashtë, që ndër të tjera fillojnë hyrjen në adoleshencë, njohjen e vetes, ndërtimin e vetëvlerësimit dhe dëshirave për jetë. 

Pasoja shkallë-shkallë

Mungesa e edukimit sistematik për karrierë nga kjo periudhë është tejet e madhe. Po e quaj sistematik sepse dallimi i nxënësve që kanë pasion të shkruajnë e që përcaktohen për të lexuar poezi në ditën e shkollës, apo i atyre që janë të prirur në matematikë e që përzgjidhen për gara komunale është vetëm stad motivues dhe i përkohshëm në ndihmën që mësimdhënësit duhet të ofrojnë në orientimin në karrierë te nxënësit. 

Dhe kjo fatkeqësisht përcillet edhe me detaje të tjera që fillojnë nga mbajtja e rrallë e aktiviteteve të lartpërmendura, shanset jo të barabarta të përzgjedhjes së nxënësve në këso pjesëmarrje apo dhe mospjesëmarrja e nxënësve për të kursyer kohën që të përgatiten për teste dhe të marrin nota të kënaqshme për prindërit. 

Kulmi i kësaj manifestohet në klasën e nëntë, kur bëhet përzgjedhja e shkollës së mesme, e cila për shumë prej nxënësve bëhet në mënyrë të pashëndetshme. Për shkak të mungesës së orientimit në karrierë ka nxënës të shumtë që nuk dinë se çfarë duan të bëjnë, e nga kjo mungesë është krijuar perceptimi dominues se “nxënësit e mirë” shkojnë në gjimnaze kurse ata “të dobët” në shkolla të mesme profesionale. Pastaj si rrjedhojë, zakonisht nxënësit bëjnë përzgjedhjen e vazhdimit të shkollimit bazuar në preferencat e prindërve apo të shoqërisë. 

Ritëm i ngjashëm vazhdon edhe në shkollën e mesme, që fillon me tranzicionin e ambientimit me mësimdhënësit dhe rrethin e ri shoqëror e përfundon me stresin për pikët e fituara në testin e maturës shtetërore, numri i të cilave hap ose jo rrugën drejt fakultetit të dëshiruar.

Ndërtimi i aftësive dhe organizimi i procesit mësimor në këtë mënyrë, i shoqëruar edhe me mungesë të qendrave këshilluese për karrierë, të psikologëve dhe të programeve shkollore që investojnë në potencialet dhe prirjet që në fillesë të nxënësve, e bën tejet të papërgatitur një maturant në çastet kur duhet të vendosë për të ardhmen e tij. 

Nxënësit shtyhen të mos ndjekin prirjet dhe dëshirat e tyre edhe për shkak të frikës nga papunësia dhe varfëria.

Duke u munduar të kuptoj se çfarë mendojnë bashkëmoshatarët e mi, fillova të shfletoj opinionet që të rinjtë kishin shprehur përmes platformës U-Report të programit të UNICEF-it në Kosovë, e cila u ofron hapësirë atyre të shprehin opinionet mbi temat që u zgjojnë interes. 

Në lidhje me këshillimin profesional për karrierë, anketa e shkurtit të këtij viti tregon se 39% nga 1,937 të anketuarit janë përgjigjur se nuk kanë bërë asnjëherë vlerësim për aftësitë e tyre, 35% se kanë bërë vetë vlerësimet e tyre, 14% se i kanë bërë me ndihmën e punëdhënësve, dhe vetëm 12% me ndihmën e ndonjë trajneri apo mentori. 

Megjithatë as ndjekja e prirjes nuk duket të jetë e mjaftueshme për zgjedhjen e karrierës; nxënësit shtyhen të mos ndjekin prirjet dhe dëshirat e tyre edhe si pasojë e frikës nga papunësia dhe varfëria. Kjo del të jetë pasoja e radhës zinxhirore nga mungesa e edukimit në karrierë, që dëshmon për moslidhjen e sistemit arsimor me kërkesat e tregut të punës dhe që rrjedhimisht çon në ngecje kur bëhet fjalë për zhvillimin e aftësive që kërkohen nga tregu. 

Këtë ngecje e paraqesin edhe të rinjtë në platformën U-Report, ku shprehen se kur kërkojnë punë, ndihen më pak të përgatitur në gjetjen e mundësive të punësimit (37%), në përcaktimin e punës që kërkojnë (15%), në përgatitjen e CV-së (10%) dhe në fazën e intervistimit (8%). Vetëm 30% të U-Raportuesve thonë se kanë besim në vete përgjatë gjithë procesit të kërkimit të punës. 

Në pyetjen se cila është barriera më e madhe për të fituar punën e dëshiruar, 31% prej tyre deklarojnë se e hasin si barrierë rrethin/lidhjet e duhura, 20% kërkimin dhe aplikimin për pozita pune, 14% njohjen e aftësive që u nevojiten dhe 14% zhvillimin e aftësive që u nevojiten. 

Të rinjtë janë pjesë e zgjidhjes

Edhe pse përgjigjet e U-Raportuesve mund të mos jenë të këndshme për t’u lexuar për ata që nuk e njohin realitetin e të rinjve në Kosovë, mund të paramendohet se sa mijëra të rinj i ndajnë po të njëjtat bindje. Por për dallim prej U-Raportuesve, ata edhe nëse kanë vullnet të shprehen për këto shqetësime, mund të dekurajohen dhe stepen nga mendimi se adresimi i tyre do të jetë i pamundur, apo do të bëhet në një mënyrë shkel-e-shko që nuk mund të prodhojë ndryshimet e nevojshme.

Kështu, shumë prej tyre zgjedhin apo detyrohen të zgjedhin të gabuarën — heshtjen në vend të ngritjes së zërit dhe nënshtrimin ndaj traditave të çorientimit në karrierë, duke rezultuar të palumtur me atë se çka bëjnë. Kur e shton këtu edhe pandeminë — e cila përpos që shtroi nevojën e digjitalizimit të procesit mësimor, rriti edhe pasiguritë për të ardhmen — të rinjtë që janë në prag të zgjedhjes së karrierës ballafaqohen me një udhëkryq shumë të ndërlikuar.

Prandaj orientimi në karrierë mbetet i rëndësishëm jo vetëm për të shpëtuar të rinjtë nga sforcimi për të studiuar diçka që nuk e duan dhe nga gjendja e rëndë ekonomike për shkak të papunësisë. Ai nevojitet edhe edhe për të kanalizuar funksionimin e harmonishëm të hallkave të shoqërisë në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj që shkëlqejnë në talentet e tyre, pa frikën se do të mbesin pa punë apo të pavetëdijshëm për potencialin që e posedojnë. 

Një nga hapat që do të ndihmonte zgjidhjen e enigmës së orientimit në karrierë është dëgjimi dhe marrja në konsideratë e zërit të të rinjve. Kjo vlen hiç më pak edhe për çdo proces tjetër që prek të rinjtë, sepse ata janë ekspertët më të mirë për sfidat që i hasin në përditshmëri. Ajo që mbetet është t’u sigurohet hapësirë e shprehjes dhe të merren masa institucionale për të adresuar shqetësimet e tyre.

U-Report është prej të paktave hapësira që në mënyrë sistematike vë veshin ndaj zërit të të rinjve dhe shembulli i këtij shkrimi të frymëzuar nga përgjigjet e U-Reportuesve dëshmon më së miri për intensifikimin që mund t’u bëhet zërave të të rinjve kur ne bëhemi bashkë. 

Kështu që nëse edhe ti ndihesh se zëri yt duhet të dëgjohet dhe nuk po kumbon aty ku duhet, bashkohu në komunitetin e 7,000 U-Raportuesve duke u regjistruar në Viber apo Messenger, dhe le t’u japim zgjidhje çështjeve që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.