Biseda | Diaspora

Corina Schwingruber Ilić dhe Nikola Ilić: Çfarë do bëni me prindërit tuaj kur të plaken?

Nga - 20.08.2021

Regjisorët e dokumentarit Dida diskutojnë filmimin, jetesën mes dy vendeve dhe kujdesin ndaj të moshuarve në Ballkan.

Siç kërkojnë ritet ortodokse të vdekjes, Dida, nëna e saj Baba dhe djali Nikolla janë në vizitën e tyre vjetore tek varrezat për të festuar jetën e të afërmit të tyre të vdekur me ushqim, pije dhe kujtime.

“Duhet ta filmosh këtë”, thotë Dida, e cila është në qendër të dokumentarit me të njëjtin emër. Ajo po i flet me djalit të saj Nikolla, bashkë-regjisor i filmit, para varrit të babait të saj.

Kamera, që rrin e padallueshme vetëm disa metra larg, tashmë po e filmon atë, duke e kthyer shikuesin në një pjesëmarrës në reflektimet, shakatë dhe kujtimet në ekran.

Sarma dhe rakia e nderojnë njeriun që ndërroi jetë vite më parë, por gjithashtu tregojnë se ngjarja nuk mund të ndodhë askund tjetër përveç në Ballkan. Regjisori me origjinë serbe Nikola Ilić dhe regjisorja me origjinë zvicerane Corina Schwingruber Ilić partneri i saj prej shumë kohësh si në jetë ashtu edhe në xhirim — e xhiruan dokumentarin për më shumë se një dekadë mes Beogradit dhe shtëpisë së tyre në Lucern të Zvicrës.

Këto marrëdhënie midis personazheve dhe rrëfimit me zë të Nikollës janë hyrja e dokumentarit intim vëzhgues.

“Gëzuar për jetën, gjyshe”, thotë Nikola. Rakia dhe dollia janë të pandashme, madje edhe në varreza.

Pjesë nga Dida

“Nuk thuhet gëzuar për jetën, por për shpirtin”, Baba (gjyshja në gjuhën serbe) korrigjon nipin. Zëri i saj është imponues, plot karakter, duke parashikuar mënyrën se si ajo dhe Dida e marrin vëmendjen. Dokumentari ka të bëjë me jetën e Nikolës të jetuar midis dy vendeve dhe të ndarë me tri gra: nënën, gjyshen dhe gruan e tij. Por, veçanërisht me Didën.

Përmes pyetjeve të Nikollës ne kuptojmë se Dida kishte një krizë kur ishte dy vjeç dhe që atëherë është përballur me aftësi të kufizuara serioze të të mësuarit. Përderisa Nikola përpiqet ta njohë nënën e tij, ne në anën tjetër të ekranit nuk mund të mos pyesim veten: A i njohim në të vërtetë prindërit tanë dhe anasjelltas? A e kuptojmë se si përvojat e tyre të jetës kanë formësuar kujdesin dhe neglizhencën e tyre, autoritarizmin dhe vetëmohimin e tyre?

Por mbi të gjitha Nikola na shtyn të pyesim: “A mund prindërit dhe fëmijët të jetojnë të pavarur nga njëri-tjetri, veçanërisht në një epokë të pleqërisë së institucionalizuar?” Ndërkohë eksplorimi i tij i përpjekjes së një emigranti midis dy botëve na kujton se përvoja mërgimtare është e destinuar të jetë plot nostalgji dhe shikime mbrapa.

Kuptimi i një filmi nuk është kurrë transparent, por një objekt për t’u interpretuar. Mund të lexojmë gjurmë të së shkuarës dhe të së tashmes jo vetëm përmes familjes Ilić, por përmes kulturës materiale në të cilën banojnë. Minimalizmi i një apartamenti zviceran flet me zëshëm në kontrast me dhomën e ndenjes të mbushur me detrit të Didës. Përmes këtyre kontrasteve shikuesit mund të imagjinojnë një histori të tërë shoqërore dhe personale.

Nikolla dhe Corina mezi presin ta kenë premierën në Beograd dhe ta shfaqin Didën në skenë. E patën premierën e tyre rajonale në festivalin e filmit DokuFest në Prizren, dhe janë gati të kenë një shfaqje tjetër në Festivalin e Filmit MakeDox në Shkup të Maqedonisë.

Gjatë DokuFest, K2.0 u takua me bashkë-regjisorët në një mëngjes me diell në kinemanë Lumbardhi të Prizrenit për të folur për Didën, Babën dhe protagonistët në dokumentarin e tyre vëzhgues.

K2.0: Në fillim e kuptojmë se Dida vuante nga një tumor malinj që kërcënonte jetën e saj. Çfarë efekti pati kjo te ju kur realizuat dokumentarin? A ndikoi mendimi i humbjes së Didës në mënyrën e përkushtimit që kishit ndaj saj?

Nikola: Pikërisht kjo. Ekzistonte një ndjenjë tek unë, të cilën e kisha gjatë gjithë procesit të kërkimit, dhe unë do t’i ndaja ato ndjenja me njerëzit e tjerë dhe ishte si të flisja me një psikolog. Ndonjëherë ndihesha i zhveshur.

Pjesë nga Dida.

Ndjenja që kisha se mamaja ime ajo është e veçantë, siç e keni parë në film. Kur isha nxënës në shkollën fillore ajo gjithmonë do të vishte rroba skijimi dhe çizme. Kur vinte në shkollë ishte aq e çuditshme, gjithmonë në cep dhe nuk fliste me njerëzit.

Më vinte turp nga ajo dhe brenda meje gjithmonë mendoja, “Pse nëna ime nuk mund të jetë cool?” Kjo ishte çka kisha brenda dhe kur u rrita u ndjeva i turpëruar.

Kjo është një nga nxitësit e mi dhe gjatë rritjes dhe ditëve të adoleshencës kisha një bend punk dhe isha një patinator dhe gjëra të tjera, por kurrë nuk flisja me të. Ishte më shumë si një motër e vogël, më shumë se sa nëna ime. Ajo ishte nëna ime biologjike, por gjyshja ishte nëna ime.

Kisha shumë frikë se ajo do të vdiste sepse diagnoza ishte vërtet e keqe. Pastaj mendova para se ajo të largohej, mendova se duhej të flisja me të dhe fillova xhirimet dhe kurrë nuk mendova se do të bëhej një film.

Ishte sikur ta vinim kamerën në divan dhe vetëm pinim një raki dhe kafe me të për orë të tëra. Dhe kjo do të ndodhte për disa vite derisa Corina, e cila është motori i filmit, erdhi dhe tha: “Ndoshta mund të bëjmë një film”.

Unë thosha, “Nuk e di nëse është një ide e mirë”, dhe gjithsesi shkuam në një punëtori të zhvillimit të filmit në Pragë dhe bëhet fjalë për goxha disa vite sepse u desh shumë kohë për t’u bërë.

Pjesë nga Dida

Unë nuk e njoh babanë tim dhe kjo është gjëja rreth së cilës nuk folëm në shtëpi. Ajo nuk e donte atë sepse ai ishte alkoolist atëherë dhe për të ky është fundi. Doja ta njihja më mirë.

Brenda saj mund të bëjë shumë më tepër, por ajo e ka një mburojë që e mbron dhe ne u përpoqëm të hynim brenda. Por ishte vërtet e vështirë dhe m’u deshën mjaft vite dhe sërish nuk arrita plotësisht tek ajo.

Corina, çfarë ju shtyu të insistoni që dokumentari të bëhet dhe të merrni pjesë si bashkë-regjisore dhe personazh?

Corina: Në fillim ishte sepse unë thosha: “Pse do ta filmoni këtë nëse do të përfundojë në një kuti?”

Dhe pastaj në vitin 2009 mbarova shkollën e filmit dhe bëra një film në Beograd dhe gjithashtu filmova Babën dhe Didën. Dhe atyre me të vërtetë u pëlqente të filmoheshin. Dhe gjithashtu, që Nikola t’i filmonte këto takime ose këto kafe me nënën ishte diçka që atyre u pëlqente ta bënin së bashku. Sepse përndryshe ata nuk do të kishin ndonjë gjë të përbashkët për të bërë.

Dhe ne gjithashtu ishim të interesuar për simbiozën midis Babës dhe Didës sepse ato nuk mund të jetonin pa njëra-tjetrën. Dhe pastaj përmes punëtorisë kuptuam se ka të bëjë më shumë me Nikollën dhe marrëdhënien me nënën e tij.

Mendoj se shumë dokumentarë personalë fillojnë kur doni të xhironi diçka dhe pastaj e kuptoni që në fakt jeni shumë më të përfshirë si regjisorë nga sa mendoni. Dhe atëherë menduam: “A duhet të shkojmë vërtet atje dhe ta bëjmë kaq personal? Për t’i përfshirë të dyja perspektivat tona në film?”

Por vendosëm, fatmirësisht për mua, (qesh) të përqendrohemi vetëm te Nikola.

Fillimisht ndaluam së filmuari vetëm Baba-n dhe Didën dhe filluam ta filmojmë edhe Nikolën. Dhe ne nuk donim të kishim një zë që në fillim sepse na pëlqejnë më shumë dokumentarët vëzhgues. Por e kuptuam se nuk kapëm shumë momente, kështu që duhej të kishim një zë narrativ dhe duhej të vendosnim nëse do të ishte një diskutim mes ne të dyve.

Kështu që, ishte një proces i gjatë për të arritur në pikën për ta kuptuar se duhet të jetë vetëm Nikolla ai që bën narratorin. Ishte veçanërisht e vështirë për Nikollën sepse ai me të vërtetë nuk donte ta vinte veten në qendër. Ne donim të vinim Didën dhe Babën në qendër.

Por, këto punëtori zhvillmore na ndihmuan shumë dhe duke folur me njerëzit e tjerë atje dhe arritëm në atë pikë dhe thamë “Mirë, le ta bëjmë”.

Çfarë zbuluat gjatë këtij procesi të gjatë të xhirimit? A kishte ndonjë zbulim të veçantë për Didën, Babanë, por edhe për ju të dy?

Nikolla: Është një pjesë e madhe e jetës. Janë 10 vite. Dhe eventualisht katër breza: gjyshen time, nënën time, neve dhe tani kemi edhe fëmijë. Ne u bëmë prindër dhe Dida u bë gjyshe.

Pjesë nga Dida.

Pra, është një ndërrim i tërë brezash. Nëna ime është ajo që është. Do të tingëlloj patetik tani, por po jetoj për ditën kur do ta kemi premierën në Beograd dhe kjo është për mua premiera më e madhe që të mund ta çoj Didën në skenë sepse ajo më ka parë gjithmonë duke filmuar që kur isha fëmijë, dhe ajo nuk e kupton këtë që unë bëj ose këtë që ne bëjmë dhe tani ajo do të na shohë për herë të parë në një festival filmi. Dhe mund ta çoj në skenë dhe asaj do t’i pëlqejë, e di, ajo do të jetë ylli dhe ne tashmë i kemi thënë që do të të marrim asaj i pëlqen ngjyra e kuqe siç e keni parë në film  kështu që ajo do të ketë një fustan të kuq.

Kështu që unë mund të jetoj i lehtësuar në një mënyrë që nuk mund ta isha në fillim të filmit. Nuk dua të ndihem i turpruar nga nëna ime. Kjo është nëna ime dhe kjo është ajo që ne jemi.

Corina: U bë aq normale për ne saqë nuk reflektuam vërtet për të. Ishte thjesht diçka me të cilën familja jonë ishte e lidhur.

Për shembull, kur ndalonim xhirimin, ose kur nuk xhironim, ato gjithmonë thoshin: “Pse nuk po xhironi?” Sepse ne ishim të lodhur nga xhirimet dhe pastaj ndodh diçka që do të ishte e mirë për filmin, p.sh. konflikt, ose diçka që nuk e kapëm dhe ishim gjithmonë të stresuar. Por ky është procesi i xhirimit.

Nga ana tjetër, me Didën, i thamë vetes se nuk do të bëjmë asgjë vetëm sa për film, nuk do ta vendosim Didën në një situatë vetëm që ta bëjmë filmin më interesant. Me të vërtetë donim të ishim të sinqertë dhe ky ishte qëllimi ynë kryesor, të ishim vërtet të sinqertë dhe të tregonim çka ndodhi në të vërtetë. Sigurisht kur e redaktoni filmin dhe kur e xhironi një film nuk është gjithmonë realitet, por jemi sa më afër që është e mundur.

Pjesë nga Dida.

Kështu që Baba është Baba, unë nuk zbulova asgjë të re atje, por në lidhje me Didën me të vërtetë shpresonim që gjatë procesit, ajo do të bëhej e pavarur. Me të vërtetë besuam se ajo mund të jetonte në mënyrë të pavarur dhe shumë njerëz që e shikuan filmin, veçanërisht zviceranët thoshin: “Pse thjesht nuk e çuat në një shtëpi të moshuarish? Është shumë e qartë se nuk mund të jetë e pavarur, pse u përpoqët kaq gjatë? “

Dhe njerëzit e Ballkanit disi e kuptuan atë shumë më tepër sepse për ta është e qartë se përpiqesh të bësh gjithçka për të mos e vendosur nënën tënde në një shtëpi të moshuarish, sepse është përgjegjësia jote. Por me të vërtetë shpresonim se ajo mund të bënte shumë më tepër. Në fund na u desh ta kuptonim se ekziston një kufizim.

A nuk lidhet ky kufizim me mënyrën sesi shtetet i shohin të moshuarit? Të moshuarit në rajon i humbin të drejtat e tyre në momentin që nuk janë më pjesëmarrës në ekonomi. Diskriminimi ndaj tyre shprehet edhe në dështimin për të ofruar mbështetje përmes aktiviteteve, apo kujdes të mirë në shtëpi, dhe a nuk e bëjë këto të pamundur pavarësinë nga anëtarët e familjes?

Corina: Kjo është arsyeja pse ne menduam se ndoshta është një film dhe jo vetëm një histori personale rreth problemit tonë. Është temë shumë e madhe, veçanërisht për njerëzit e Ballkanit, por edhe për çdo vend migrues, dhe sidomos tani me globalizmin. Edhe për zviceranët që u transferuan në Amerikë, ata papritmas të shtrojnë pyetjen: “Çfarë do të bëni me prindërit tuaj kur të plaken?”

Pra, është temë globale, por mund të jetë një pyetje më e lehtë për zviceranët sepse atje nuk është keq t’i vendosni prindërit tuaj në një shtëpi të moshuarish dhe kemi shtëpi të mira për të moshuarit. Madje edhe të moshuarit, për shembull prindërit e mi, nuk do ta kishin problem të shkonin atje. Për ta është mjaft e qartë saqë në fakt ata do të donin të shkonin.

Pjesë nga Dida

Por në Serbi, ose në shumë vende të tjera ju thjesht nuk e bëni. Me të vërtetë duhet ta gjeni një zgjidhje ndryshe dhe në historinë tonë na është dashur ta gjejmë më herët për shkak të nevojave të Didës. Ajo nuk mund të jetojë vetë, dhe mendoj se secili prej nesh ka të njëjtën pyetje në momentin që prindërit nuk mund të jetojnë më vetë.

Nikolla: Kujdesi për të moshuarit është fillimisht një gjë kulturore dhe më pas një çështje financiare. Shumë njerëz këtu nuk kanë para. Të rinjtë jetojnë me prindërit e tyre derisa të martohen ose ndoshta edhe më pas me fëmijë në një hapësirë të vogël. Ky është realitet.

Corina: Mendoj se ka dy anë. Në Ballkan është shumë keq që shteti nuk e mbulon këtë. Por nga ana tjetër mua vërtet më pëlqen kjo qasje në Serbi sepse mendoj se në Zvicër po i humbim gjithnjë e më shumë kontaktet me familjet. Të gjithë po jetojnë vetë dhe nuk e kemi këtë rrjet familjar.

Nikolla: Në rastin tim unë jam shumë me fat sepse mund të mbaj nënën time dhe mund ta paguaj këtë zonjë që kujdeset për të dhe mund t’i paguajmë faturat e saj.

Nëse do të jetoja në Beograd, kush e di, nëse do të kisha një punë të keqe prej 200 eurosh nuk e di se si do ia bëja.

Corina: Me gjasë, do të jetoje së bashku me të.

Nikola: Ky është realiteti i shumë njerëzve; është një lloj… të bëhesh i pavaruru është mjaft e vështirë nëse nuk ke një fillim të mirë.

Gratë, dhe veçanërisht gratë e moshuara, janë rrallë subjektet kryesore të filmit ose të medive. Ndoshta është për shkak të moshës dhe strukturave më të gjera patriarkale, apo mungesës së vetë-sigurimit për shkak të mënyrës së rritjes së vajzave. Por Dida dhe Baba, të cilat nuk janë xhiruar kurrë, luajnë si aktore profesioniste. Duken të natyrshme.

Nikola: Ato u bënë mjaft të trajnuara. Unë do t’i xhiroja gjatë gjithë kohës kur kisha një aparat fotografik; bëja disa shaka budallaqe adoleshente me to, kështu që ishte e lehtë që gjithçka të ishte spontane.

Corina: Është vërtet qesharake që të gjithë filmat që kam bërë janë me burra dhe ne nuk e kuptuam se ishte gjithmonë me burra. Dhe tani është mirë që kemi një film për gratë dhe (Corina i drejtohet Nikollës) edhe pse në të vërtetë ti je një nga personazhet kryesore, një burrë që merret me gra.

Dhe sa për Baban dhe Didën dhe që janë të natyrshme, me të vërtetë mendoj se ato e shijojnë tërë vëmendjen nga Nikolla, se jemi atje dhe se bëjmë diçka së bashku. Dhe Baba sigurishti na bëri një nder dhe na besoi, sepse e dinte se kjo ka të bëjë me jetën tonë dhe donte të na mbështeste. Kurse Didës me të vërtetë i pëlqen të xhirohet. Ajo thotë: “Ku është filmi? Më sillni fotot e posterave të mi!” Tani ka në banesën e saj të gjithë posterat e filmit.

Pjesë nga Dida

Baba është pjesë shumë e rëndësishme e dokumentarit, veçanërisht në 30 minutat e para të tij. Dhe sigurisht ajo gjithashtu ka një prani dhe personalitet të mrekullueshëm, mungesa e të cilës ndihet pasi ajo ndërron jetë. Si ishte për ju ta vazhdoni këtë udhëtim xhirimi pa të?

Nikolla: Për Didën, e ka pjesë e sëmundjes së saj që thjesht e kalon. Kurrë nuk shkoi në varreza dhe e pyeta: “A nuk të vije të shkosh ndonjëherë?” Por ajo thjesht e vazhdon jetën. Ka mungesë empatie.

Corina: Ajo vetëm e di se e do Nikollën, dhe kjo është e gjitha. Por nuk e di kur është ditëlindja e tij, e di kur ai ka dhimbje koke dhe ndihet keq. Dhe e di që ajo duhet të ndiejë keqardhje për të sepse e mësoi nga Baba, por nuk e ndien vërtet. Është mungesë empatie. Është vetëm ajo në qendër të gjithçkaje.

Nikola: Ishim duke e bërë një punëtori dhe ndodheshim në Pragë, duke shkuar atje disa herë ku zhvilluam filmin. Ishim në pjesën e dytë drejt fundit dhe kishim një problem të madh, nuk e dinim se ku ishte fokusi. E kishim gjyshen, kishim Didën dhe pjesëmarrësit e punëtorisë thoshin: “Çfarë doni të thoni?” dhe ne gjithnjë përgjigjeshim, ne duam të tregojmë këtë lidhje simbiotike mes tyre, se si funksionojnë si një.

Dhe ata thoshin, “Ky është roli juaj, dhe ju duhet të hyni”.

Unë kam qenë gjithmonë, “Jo, nuk dua të dal para kamerës”.

Dhe ishte ora një e mëngjesit, dhe kushëriri im thërret dhe thotë “gjyshja jote vdiq”.

Corina: Ishte dita e fundit e punëtorisë.

Nikolla: Dhe të nesërmen takuam disa njerëz nga punëtoria dhe ata thanë: “Na vjen keq që po ju themi, por tani e keni fokusin tuaj. Tash e dini se çfarë të xhironi”.

Kështu vdekja e gjyshes na vendosi në pozicionin për të vazhduar më tej. Sepse ishim shumë të humbur. Mendonim, “Ky film nuk do të përfundojë kurrë”.

Dhe pastaj u bë për Didën.

Nikolla: Pastaj u bë për Didën, dhe më pas më duhej të vazhdoja me zërin tim.

Dhe gjithashtu një gjë për vdekjen e gjyshes është se Corina dhe Miriam, redaktorja jonë, menduan se në mënyrë dramatike filmi duhet të fillojë me vdekjen e gjyshes dhe të fillojë kur Dida të jetë vetëm.

Pjesë nga Dida.

Mendova, nuk mund ta largoj gjyshen time nga filmi. Është një pjesë e madhe e filmit dhe ne patëm një diskutim se si do ta bëjmë, dhe më në fund gjyshja pati pjesën e saj.

Ju thatë më herët se keni hezituar të jeni pjesë e filmit, dhe më vonë ta bëni narracionin. Është një portret intim i familjes suaj. A pati raste kur u bë shumë e pakëndshme?

Nikola: Ishte vërtet e pakëndshme. Dhe narracioni… U desh shumë kohë për ta shkruar, për ta thënë. Shkrova diçka dhe një mikeshë jona, gjithashtu regjisore nga Beogradi, ia tregova tekstin dhe më tha: “Mos u sill si anglez, mos ji aq informues. Duhet të na i japësh rrobat e pista, duhet të na e japësh ndjenjën”.

Dhe m’u desh shumë kohë për ta thënë këtë, si t’i them Didës se është e veçantë. Nuk dija si t’ia them këtë asaj. Kam ende një lloj frike kur ajo e sheh filmin. M’u desh pak kohë pasi ishte e vështirë të mbaja ekuilibrin dhe prapë të isha i thellë.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0